ATV

Category: Lajme

  • Pas Klan Kosovës, ARBK-ja pezullon certifikatat e pesë bizneseve të tjera

    Pas Klan Kosovës, ARBK-ja pezullon certifikatat e pesë bizneseve të tjera

    Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka pezulluar sot certifikatat e pesë bizneseve të cilat dyshohet se janë regjistruar me përmbajtje kundërkushtetuese.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Pas pezullimit të certifikatës së biznesit të mediumit Klan Kosova, ministrja Hajdari tha se ARBK-ja ka filluar sot hapat administrativ ndaj pesë bizneseve.

    “Mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundërkushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë. Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, ka thënë Hajdari.

    “Këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”, ka thënë ajo.

    Hajdari ka theksuar se bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor.

    “Ditëve në vijim, pritet që ARBK të vazhdoj me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ministrja.

  • BE-ja kërkon shtensionimin e situatës në veri, bën thirrje që të shpallen zgjedhjet e parakohshme

    BE-ja kërkon shtensionimin e situatës në veri, bën thirrje që të shpallen zgjedhjet e parakohshme

    Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës të shpallen sa më shpejt, në mënyrë “që t’i jepet fund krizës aktuale”.

    Një zyrtar i BE-së ka bërë të ditur se BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës dhe vazhdon të bëjë thirrje për deeskalimin e menjëhershëm nga të dyja palët.

    “Për më tepër dhe për t’i dhënë fund krizës aktuale, zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike për shpërshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershor). Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar”, thuhet në përgjigjen e BE-së, shkruan syri.net.

    Tutje, thuhet se BE-ja mirëpret njoftimin e Qeverisë së Kosovës për një reduktim të menjëhershëm prej 25% të pranisë së policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të shkallës pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe – nëse të përshtatshme – KFOR.

    “Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm. BE-ja i kërkoi Kosovës që të veprojë në mënyrë joshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet e policisë brenda dhe në afërsi të katër ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Katër kryetarët e komunave duhet të kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale”.

    BE-ja thekson se është thelbësore që të ketë zbatim të shpejtë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve dhe Aneksit të zbatimit të saj, kështu duke përmendur edhe themelimin e “Asociacionit së Komunave me shumicë serbe”.

    Ndryshe, tensionet në Kosovë janë rritur pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

    Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.

    Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë në mes të protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.

    Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

    Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

    “Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

    Ky peticion, sipas Krasniqit, më pas do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

  • Sindikatat e shëndetësisë dënojnë sulmin ndaj infermierit në Pejë

    Sindikatat e shëndetësisë dënojnë sulmin ndaj infermierit në Pejë

    Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj rreth sulmit fizik ndaj infermierit në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

    FSSHK thekson në një reagim se dënon çdo akt apo formë të dhunës, e në veçanti, dhunën fizike e cila është kthyer në një fenomen ndaj mantelbardhëve.

    Kjo federatë ka kërkuar nga organet e rendit dhe të sigurisë që të gjitha këto sulme dhe kryerësit e tyre të nxirren para drejtësisë.

    “Mantelbardhët të gjithë pa dallim janë maksimalisht të përkushtuar dhe të pregatitur profesionalisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit, duke punuar edhe në kushte jo shumë të favorshme,të cilat janë edhe njëra nga arsyet e shpërthimit të dhunës nga ana e pacientëve qytetar të këtij vendi”.

    FSSHK vazhdon dhe përsërit kërkesën ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK dhe Komunave që sigurinë e punëtorëve shëndetësor ta trajtojnë me prioritet.

  • Ky është parashikimi i motit për ditën e nesërme

    Ky është parashikimi i motit për ditën e nesërme

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira, derisa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu, në disa zona të caktuara.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme e ka shënuar Prishtina me 15 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 29 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme pritet të jetë me kushte të njëjta atmosferike.

    Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë qyteti i Gjakovës me 16 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 30 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Gjirokastër me 36 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Syla: Qeveria duhet që të mundësojë lirinë e fjalës dhe demokracinë

    Syla: Qeveria duhet që të mundësojë lirinë e fjalës dhe demokracinë

    Numër i madh i gazetarëve të të gjitha medieve kanë protestuar të hënën në Prishtinë për të kundërshtuar pezullimin e licencës për Klan Kosovë.

    Gazmend Syla nga Klan Kosova, tha se Qeveria duhet që të mundësojë lirinë e fjalës dhe demokracinë, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, gazetarët duhet të lejohen që ta bëjnë punën e tyre të lirë.

    “Kjo protestë e cila ishte jashtëzakonisht simpatike dhe interesante është që mediat duhet që të jenë të lira edhe ta ushtrojnë profesionin e vetë ta bëjnë punën e tyre. Unë e di që herë here mediat ndoshta mund të bëjnë ndonjë lëshim por në parim puna e përgjithshme e tyre është ajo në interes të publikut”.

    “Mendoj që mesazhi që shkon sot edhe te ndërtesat këtu edhe të ndërtesa mbrapa, por edhe të ndërkombëtarët është që ky vend duhet ta mundësoj lirinë e fjalës, duhet ta mundësoj demokracinë, edhe do të doja që më te mos kishte nevojë për këso lloj protestash, kësi situatë, kësi skandale”.

    “Edhe të dërgohen lajme nga Kosova diku jashtë që ky vend mbyll mediat, është e rrezikshme ideja që një qytetar diku në Evropë ose kudo qoftë e hap sot internetin edhe prej lajme të botës i del ky lajm. Është imazh jashtëzakonisht i keq mendoj unë për vendin tonë. Besoj që këta njerëz do ta marrin mesazhin e kanë parë se cila është beteja jonë”, tha ai.

  • Haradinaj thotë se vendi është në rrezik, kërkon sërish mbështetje për mocionin

    Haradinaj thotë se vendi është në rrezik, kërkon sërish mbështetje për mocionin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se Kosova është në një gjendje të rrezikshme, për shkak të mënyrës së qeverisjes së Qeverisë aktuale, raporton Ekonomia Online.

    Këto komente ai i bëri në fillim të takimit me përfaqësues nga ekonomia, me bizneset e sektorit privat si punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

    Ai shtoi se dëmi që po i shkaktohet vendit është i madh, prandaj edhe kanë propozuar mocion mosbesimi.

    Për këtë ai edhe një herë ka bërë thirre që propozimi i tyre të ketë mbështetje.

    “Ne të gjithë e dimë që situata politike është e vështirë. Kosova është në një krizë të rrezikshme. Mënyra e qeverisjen po e dëmton substancën kush jemi ne”.

    “Qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën, e ka sjell në një situatë të rrezikshme. Ne i kemi propozuar Parlamentit një opsion për me ndryshuar gjendjen, çdo mekanizëm i ka instrumentet e veta”.

    “Mocioni i mosbesimit, para se populli me reaguar kundër diçka të rrezikshme duhet te reagojnë përfaqësuesit e popullit”.

    “Rreziku na detyron me shkuar në mocion mosbesimi. Besojmë shumë që në një moment të caktuar, mocioni i mosbesimit kryen punë”.

  • Dy zyrtarët e Istogut dënohen për korrupsion, një vit burgim efektiv për njërin e dy për tjetrin

    Dy zyrtarët e Istogut dënohen për korrupsion, një vit burgim efektiv për njërin e dy për tjetrin

    Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar dënim me tre vite burgim (së bashku) ndaj dy zyrtarëve komunal të Istogut, Lulzim Blakaj dhe Ismet Hasi, të akuzuar për korrupsion. Me këtë rast, Blakaj u dënua me një vit burgim efektiv, kurse Hasi me dy vite burgim efektiv.

    Shpalljen e këtij aktgjykimi, e bëri në seancën e së hënës kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata ndaj të akuzuarit të parë Blakaj, ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv prej një viti, ku të njëjtit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

    I akuzuari Blakaj, u obligua për pagesat e shpenzimeve të procedurës penale në shumën prej 100 euro, paushallin gjyqësor 50 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

    Ndaj të akuzuarit Blakaj, u shqiptua edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në adminstratën publike apo në shërbimin publik prej dy viteve pas mbajtjes së dënimit me burgim.

    Ndërsa, të akuzuarit Ismet Hasi iu shqiptua dënimi prej dy vite burgim efektiv.

    Po ashtu, Hasi u obligua për pagesat e shpenzimeve procedurale në shumën prej 100 euro, për paushallin gjyqësor shumën prej 50 euro, si dhe për fondin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro, këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

    Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

    Ndryshe, më 20 shtator 2022, të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm kundrejt akuzës së Prokurorisë së Pejës. Ndërsa po në atë seancë, prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj e ka  përmirësuar teknikisht cilësimin juridik të aktakuzës, duke iu referuar nenit 81 (vepra penale në vazhdimësi) të Kodit Penal të vitit 2013, sipas aplikimit të Kodit Penal në kohën e kryerjes së veprës penale, duke e hequr “nenit 77 të Kodit të ri Penal”.

    Sipas aktakuzës të ngritur më 21 shkurt 2021 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Lulzim akuzohej se më 8 tetor 2020 në Istog, në dokumentin zyrtar të titulluar “Autorizim”, kishte shënuar të dhëna të rreme duke i vërtetuar edhe me vulë zyrtare, pasi që tani i ndjeri H.R dhe i pandehuri Blakaj me të kuptuar se për cilat raste janë duke u hetuar, i pandehuri kërkon nga zyrtari ligjor, dëshmitari Faton Bujupaj që të përpilojë dokumentin zyrtar “Autorizim”, i datës 18 prill 2018 dhe të njëjtin ta dërgojë tek ish-kryetari për nënshkrim, duke e urdhëruar të njëjtin që të hartojë këtë dokument kinse ka ekzistuar qysh në vitin 2018, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 427, par.1 të Kodit Penal.

    I akuzuari Ismet Hasi akuzohej se në vazhdimësi kishte keqpërdor detyrën zyrtare, ashtu që më 5 tetor 2017, 24 tetor 2017 dhe 23 mars 2018, në cilësinë e udhëheqësit të Sektorit pranë Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Istogut, me qëllim të përfitimit për kompaninë “MaCon” dhe me pronar Gani Rugova dhe kompanisë “Te Aleni SHPK”, me pronar Fadil Dreshaj, ka nxjerrë vendim, përmes së cilit ka bërë ndërrimin e përhershëm të destimit të tokës bujqësore nga Mal i klasit të 3-të në tokë jopjellore.

    Krejt kjo, thuhet se me qëllim të krijimit të mundësisë që kompania “MaCon” të shmang obligimin për t’u pajisë me pëlqim për ndërrimin e destimit të përkohshëm të pyllit ose tokës pyjore në tokë tjetër nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, si Institucion i vetëm në Republikën e Kosovës, kompetent sipas Ligjit për Tokës Bujqësore dhe Ligjit për Pyje të Kosovës për ndërrimin e destimit të tokës bujqësore

    Me këtë, akuzohej se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 422, par.2 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77, par.1, pika 1.3 të KPRK-së.

  • Dy të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Dy të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

    Dy persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me raketa në qytetin e Ukrainës qendrore, Kryvyi Rig, të hënën në mëngjes, njoftoi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Igor Klymenko.

    “Dy persona kanë vdekur dhe 20 janë plagosur deri tani. Pesë deri në shtatë persona janë nën rrënoja”, tha ministri.

    Klymenko tha se njëri nga sulmet i shkatërroi disa kate të një blloku banesor, ndërsa tjetri e dëmtoi një ndërtesë arsimore, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e postoi një video në Facebook e cila shfaqi tym të zi duke dalë nga një vrimë e madhe e krijuar në fasadën e një blloku banesash.

    Pamjet treguan po ashtu një ndërtesë të pabanueshme e cila ishte shkatërruar pjesërisht.

    Zelensky tha se rusët po “vazhdojnë t’i terrorizojnë qytetet dhe njerëzit paqësorë”.

    “Por ky terror nuk do të na frikësojë apo gjunjëzojë neve”, shtoi Zelensky.

    Ndërkohë, Ukraina është duke kërkuar ta çojë luftën në Rusi, duke goditur atë me sulme me dronë sa më thellë territorit të saj.

    Sulmi i fundit, të dielën, i dëmtoi dy ndërtesa vetëm pak kilometra larg Kremlinit./REL

  • Australia thotë se “shpresa ka humbur” për gjetjen e ushtarëve të zhdukur

    Australia thotë se “shpresa ka humbur” për gjetjen e ushtarëve të zhdukur

    Australia tha të hënën se çdo shpresë për gjetjen e katër ushtarëve që u zhdukën pas një përplasjeje helikopteri humbi.

    “Frika jonë më e keqe është konfirmuar”, tha kryeministri Anthony Albanese në parlament, sipas një postimi në Twitter të shpërndarë nga llogaria e tij zyrtare.

    “Ka qenë një fundjavë shumë e vështirë për kombin tonë”, shtoi ai.

    Personeli ushtarak australian – kapiteni Danniel Lyon, nëntogeri Maxwell Nugent, oficeri i garancisë Joseph Laycock dhe nëntetari Alexander Naggs – u shpallën të zhdukur pasi një helikopter i ushtrisë u rrëzua në brigjet verilindore të vendit, shkruan Anadolu Agency.

    “Unë e di se çdo anëtar i Dhomës së [Parlamentit], së bashku me çdo australian, po mendojnë për familjet e të zhdukurve,” shtoi ai.

    Në një postim të veçantë në Twitter, Ministri i Mbrojtjes Richard Marles tha se përpjekjet e kërkimit kanë “zbuluar rrënoja të konsiderueshme nga helikopteri”, duke e quajtur incidentin “katastrofik”.

    “Me çdo orë që kalon, tani është e qartë se çdo shpresë për të gjetur” ushtarët e zhdukur “ka humbur,” tha ai.

    Ministria e Mbrojtjes e vendit kishte thënë se një helikopter i Ushtrisë Australiane MRH-90 Taipan u rrëzua pranë ishullit Lindeman, në brigjet e Queensland.

    Helikopteri po merrte pjesë në aktivitete stërvitore gjatë natës si pjesë e stërvitjes së vazhdueshme Talisman Sabre 2023 me SHBA-në kur u raportua i zhdukur në mbrëmjen e së premtes vonë.

    Stërvitja Talisman Sabre 2023, stërvitja më e madhe ushtarake e Australisë me SHBA, që përfshin rreth 30,000 personel ushtarak nga 13 vende, filloi më 22 korrik dhe do të vazhdojë deri më 4 gusht.

  • Grabitje nën kërcënimin e armëve në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

    Grabitje nën kërcënimin e armëve në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një grabitje në magjistralen Prishtinë-Ferizaj ku tre të dyshuar, njëri me armë e tjetri me çekan, kanë hyrë në një market. Aty raportohet të kenë grabitur para të gatshme dhe sasi të cigareve dhe më pas janë larguar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e së dielës ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë trajtuar stafin e maketit që ishin të shqetësuar.

    Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante.