ATV

Category: Lajme

  • AAK mbledh sot Këshillin e Përgjithshëm, diskutohen përgatitjet për zgjedhje

    AAK mbledh sot Këshillin e Përgjithshëm, diskutohen përgatitjet për zgjedhje

    Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mblidhet sot me fillim nga ora 17:00.

    Ky takim i KP të AAK-së vjen veç 1 ditë para se të mbarojë afati i përpilimit të listës së kandidatëve për deputetë, që duhet të dorëzohet në KQZ më së largu deri nesër para mesnatës.

    Po ashtu aty pritet të diskutohet edhe rreth përgatitjeve finale për Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie që pritet të mbahet më 24 maj, ku do të zgjedhet kryetari dhe kryesia e re.

  • Kurti kërkon vullnetarë për zgjedhje: Ejani e bëhuni pjesë e fushatës

    Kurti kërkon vullnetarë për zgjedhje: Ejani e bëhuni pjesë e fushatës

    Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka ftuar “të gjithë” që të bëhen “vullnetarë” për ta ndihmuar partinë e tij, ndërsa po afrohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

    Në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, Kurti thotë “vullnetarët janë shpirti i Lëvizjes”.

    Ai i ftoi “të gjithë, vajza e djem” që t’i bashkohen për – siç tha – për t’i “vazhduar” dhe “shtuar punët e mira”.

  • KQZ: Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

    KQZ: Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

    Ende asnjë prej 27 subjekteve politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nuk e kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i tha Gazetës Express se deri në orën 14:00 nuk pati asnjë listë të dorëzuar.

    “Deri më tani (e hënë, 11 maj 2026, ora 14:00) asnjë nga 27 subjektet politike nuk ka dorëzuar online listën e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

    Elezi njoftoi se ka përfunduar periudha për subjektet politike që ta njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve. Ai tha se “numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”.

    Pas përmbylljes së procesit të certifikimit, KQZ pritet të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme.

    Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje (1 – 7 maj) janë:

    Partia Socialdemokrate;
    Kosovaki Nevi Romani Partia;
    Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve;
    Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
    Srpska Lista;
    Yenilikçi Türk Hareket Partisi;
    Lidhja Demokratike e Kosovës;
    Fjala;
    Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës;
    Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK;
    Socialdemokratska Unija;
    Jedinstvena Goranska Partija;
    Kosova Demokratik Türk Partisi;
    Nova Demokratska Stranka;
    Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës;
    Kosovski Savez;
    Partia Balliste;
    Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale;
    Partia Liberale Egjiptiane;
    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
    Stranka Demokratske Akcije; dhe
    Partia Demokratike e Kosovës.
    Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit (1 – 7 maj) janë:

    Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);
    Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar); dhe
    Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).
    Nisma qytetare që kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

    Složno Pobeđujemo.
    Kandidati i pavarur që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

    Esmir Kasi.

  • “Guess who’s back” – Abdixhiku e Osmani publikojnë video të “bashkimit”, kreu i LDK-së këndon vargje të Eminem

    “Guess who’s back” – Abdixhiku e Osmani publikojnë video të “bashkimit”, kreu i LDK-së këndon vargje të Eminem

    Duke i vënë në përshkrim vetëm një fjalë – “Bashkë!” – Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku publikun një video të njëjtë që shfaq ata të dy në ambientet e Lidhjes Demokratike të Kosovës e më pas në Tubimin e Bashkimit.

    Në një moment në video, Abdixhiku këndon vargjet e Eminem “Gues who’s back”, ndërsa drejton gishtin kah Osmani.

    Osmani është kthyer të garojë me LDK-në. Ajo do të jetë bartëse e listës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit si kandidate për presidente, ndërsa Abdixhiku si kandidat për kryeministër.

  • Digjet një banesë në Prishtinë

    Digjet një banesë në Prishtinë

    Një incident i zjarrit ka ndodhur sot në Prishtinë, në afërsi të shkollës “Meto Bajraktari”.

    Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë Samed Shkodra.

    Shkodra deklaroi se në këtë rast nuk ka të lënduar.

    “Bëhet fjalë për një banesë në katin e gjashtë. Zjarri ka shpërthyer në kuzhinë. Ekipi i zjarrfikësve është informuar rreth orës 13:06 dhe menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes”, deklaroi Shkodra.

    “Nuk ka të lënduar me këtë rast. Zjarri është fikur tashmë dhe gjithçka është nën kontroll. Banorët veçse ishin dal nga ndërtesa dhe nuk ka pasur nevojë për ndonjë evakuim. Ekipet janë duke u kthyer nga vendi i ngjarjes”, u shpreh ai.

  • LDK thirrje diasporës: Regjistrimi për votim përfundon më 17 maj

    LDK thirrje diasporës: Regjistrimi për votim përfundon më 17 maj

    Lidhja Demokratike e Kosovës, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit të përfundojnë sa më parë procesin e regjistrimit për votim, duke rikujtuar se afati zyrtar përfundon më 17 maj.

    Sipas njoftimit të publikuar nga LDK-ja, regjistrimi i diasporës për të votuar do të zgjasë edhe vetëm gjashtë ditë, ndërsa të gjithë qytetarët që kanë paqartësi apo hasin vështirësi gjatë procesit të aplikimit mund të kërkojnë ndihmë nga personat përgjegjës në degët e partisë në mërgatë.

    Nga kjo parti kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së diasporës në proceset demokratike në Kosovë, duke i inkurajuar bashkatdhetarët që të mos e humbin afatin për regjistrim.

    “Prandaj, të gjithë ju që keni paqartësi rreth regjistrimit për të votuar, mund t’i kontaktoni personat tanë përgjegjës në degët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mërgatë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

    Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora mbetet një ndër fazat kryesore para zgjedhjeve, ndërsa institucionet dhe subjektet politike vazhdojnë thirrjet për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.

  • Kenan Haxhihamza shpallet më i miri i xhiros së 33-të në Albi Mall Superligë

    Portieri i Drenicës, Kenan Haxhihamza, është shpallur më i miri i xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

    Sipas komisionit të FFK-së, Haxhihamza bëri pritje vendimtare në fitoren 2-1 të Drenicës ndaj Gjilanit, një triumf me shumë peshë për skuadrën kuqezi.

    “E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, duke e ditur rëndësinë e saj dhe pozicionimin tonë në tabelë. Kishim për qëllim që pikët e plota të mbesin në Drenicë. Kundërshtari nuk ka qenë i lehtë, pasi SC Gjilani ka individë që mund ta vendosin ndeshjen, por e kemi analizuar mirë dhe arritëm këtë rezultat”, deklaroi Haxhihamza.

  • Kryeministri Rama: Brenda 2030 sistemi i ri për prokurimet publike, do të përdoret IA

    Kryeministri Rama: Brenda 2030 sistemi i ri për prokurimet publike, do të përdoret IA

    Procedurat për prokurimet publike pritet të transformohen, duke kaluar në një sistem të ri që do të mundësojë prokurime nëpërmjet Inteligjencës Artificiale.

    Kryeministri Edi Rama gjatë një konference ku u prezantuan zhvillimet kryesore në fushën e prokurimeve, përfshirë legjislacionin dhe procedurat deklaroi se brenda këtij mandati do të jetë gati sistemi i ri i prokurimeve.

    “Diella është në një fazë të re të procesit, pasi gjatë kësaj periudhe janë hartuar 450 faqe me specifikime teknike të detajuara, të cilat janë vënë në shqyrtim të Banka Botërore, e cila ka dhënë dritën jeshile dhe jemi gati të kalojmë në një sistem unikal me inteligjencë artificiale.

    Projekti ynë është i pari i këtij lloji në rajon, sepse mundëson prokurimin me inteligjencë artificiale në një masë shumë të madhe të procesit. Asnjë biznes nuk do të mbledhë më letra lart e poshtë për prokurimet publike.

    Të dhënat do të mblidhen nga DIELLA përmes më shumë se 40 regjistrave publikë dhe do të vendosen në dispozicion të projektit për t’u menaxhuar me një klik. Çdo veprim do të jetë në ekran, transparent dhe i menaxhueshëm.

    Kjo do të mbyllë problematikat për llogaritjen e fondit publik dhe shqyrtimin e procedurave. Çdo gjë do të bëhet me algoritme nga Diella.

    Sistemi është planifikuar të ndërtohet mbi parimet më të larta të transparencës, të përcaktuara nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

    Do të jemi tërësisht në një fazë tjetër të re brenda këtij mandati, për një Shqipëri Europiane 2030.”

    Kryeministri Edi Rama deklaroi ndër të tjera se Shqipëria ka bërë progres të ndjeshëm në fushën e prokurimeve publike, duke theksuar uljen e kohëzgjatjes së procedurave dhe rritjen e konkurrueshmërisë krahasuar me disa vende të Bashkimit Europian.

    Sipas tij, raporti i Gjykatës së Llogarive tregon se Shqipëria ka rezultate konkurruese në raport me vendet e BE-së. Ai theksoi se 23.5% e procedurave në Shqipëri realizohen me një ofertues, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 32.5%. Ndërkohë, Suedia dhe Finlanda rezultojnë me 22.9%.

    “Kemi mesatarisht 3.7 ofertues për procedurë prokurimi. Në vitin 2025, vetëm 12% e prokurimeve publike u zhvilluan me një ofertues, ndërsa mesatarja e BE-së ishte 14%”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar në këtë sektor.

    Nga ana tjetër, negociatorja për Kapitullin 5 “Prokurimi Publik” dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, deklaroi se institucioni ka përgatitur materialin për Bashkimin Europian me të dhëna të pesë viteve të fundit.

    Ajo theksoi se deri në gusht 2026 të gjithë punonjësit e fushës do t’i nënshtrohen testimit për certifikimin sipas standardeve të reja.

    Kashta nënvizoi gjithashtu se është rritur përdorimi i marrëveshjeve kuadër për të përmirësuar performancën dhe konkurrencën në prokurimet publike, ndërsa për herë të parë po matet edhe pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në pronësi të grave.

    Sipas saj, sistemi i ri i prokurimeve publike do të përfshijë edhe elementë të inteligjencës artificiale, si pjesë e modernizimit dhe rritjes së efikasitetit të administrimit të procedurave.

  • Janina Ymeri mohon përçarjet në LDK: Propagandë kundër partisë

    Janina Ymeri mohon përçarjet në LDK: Propagandë kundër partisë

    Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar ndaj zërave për përçarje brenda partisë, duke i quajtur ato propagandë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ymeri ka mohuar pretendimet për ndarje në LDK, duke theksuar se do të jetë pjesë e tubimit hapës të fushatës së bashku me kryetarin Lumir Abdixhiku.

    Ajo bëri të ditur gjithashtu se ka marrë pjesë rregullisht në takimet e degës së LDK-së në Ferizaj, së bashku me kandidatët e partisë dhe listës “Vjosa”.

    Ymeri thotë se aktualisht po zhvillohet një fushatë linçimi ndaj LDK-së, për të cilën fajësoi Lëvizja Vetëvendosje dhe, siç u shpreh ajo, “satelitët” e saj.

  • Asamblistët e PDK-së në Vushtrri i kërkojnë kryetarit kthimin e Limajt

    Asamblistët e PDK-së në Vushtrri i kërkojnë kryetarit kthimin e Limajt

    Asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal në Vushtrri kanë kërkuar zyrtarisht rikthimin e Fatmir Limajt.

    Në një letër drejtuar kreut të subjektit politik, Bedri Hamza dhe kryesisë së PDK-së, tetë të zgjedhurit nga qytetarët e Vushtrrisë janë shprehur të bindur se bashkimi me Limajn do t’i forconte.

    Kjo kërkesë të cilën e ka siguruar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, është dërguar sot në Partinë Demokratike, raporton Klankosova.tv

    Ky grup i asamblistëve konsideron se përfshirja e Limajt në listën e PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit, është domosdoshmëri politike dhe jo çështje individuale.

    Ndryshe, kryesia e kësaj partie, pritet të mblidhet sot, ku do të diskutojë rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor.

    Takimi do të nisë me fillim nga ora 16:00 dhe pritet të ngritet si çështje diskutimi edhe kthimi i Limajt, por nuk dihet nëse do të shqyrtohet kjo temë.