ATV

Category: Lajme

  • Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Zgjedhjet e 7 qershorit – Sot afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë

    Subjektet politike kanë veç edhe sot afat për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se afati 11-ditor për subjektet politike do të përfundojë të martën në mesnatë.

    “Sot, në orën 24:00, përmbyllet afati 11-ditor për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandidatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

    Në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit të vitit 2025, morën pjesë 28 subjekte politike, prej të cilave 20 parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidatë i pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë që përfaqësonin këto subjekte politike ishte 1,279.

    Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 28 dhjetorit, KQZ certifikoi 1,180 kandidatë për deputetë, që përfaqësonin 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

  • Mot i ndryshueshëm sot, priten edhe erëra të forta

    Mot i ndryshueshëm sot, priten edhe erëra të forta

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira të cilat do të sjellin rrebeshe afatshkurtra shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    Rrebeshet do të jenë në zona të izoluara, ndërsa herë pas here parashihen erëra të fuqishme nga jugperëndimi.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 10 minimalet deri në 24 gradë Celsius ajo maksimale.

  • OVL e UÇK-së thërret për bashkim: Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh

    OVL e UÇK-së thërret për bashkim: Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh

    Organizata e Vetëranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për bashkim, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    Përmes një komunikate për media, kjo organizatë e dal nga lufta, ka thënë se përgjegjësia kombëtare duhet të mbizotrojë mbi llogaritjet personale.

    Aty thuhet se kur bashkimi ishte e vetmja armë që kishte vlerë, bijtë dhe bijat më të mira të Kosovës qëndruan bashkë për lirinë dhe Atdheun.

    “Sot, më shumë se kurrë, na duhet ai bashkim dhe ajo energji që dikur e bënë të mundur të pamundurën. Në prag të një procesi shumë të rëndësishëm zgjedhor, u drejtohemi qytetarëve që gjithmonë i qëndruan besnikë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e veçanërisht bashkëluftëtarëve: mbani radhët. Hidhni poshtë çdo përpjekje për të mbjellë përçarje mes nesh. Ata që dikur e mbrojtën vendin me pushkë, sot duhet të garantojnë që gjaku i dëshmorëve të mos harrohet dhe që zëri i luftëtarit të mos shuhet. Përgjegjësia kombëtare duhet të mbizotërojë mbi llogaritjet personale. Shtetin e ngritur mbi sakrifica e mbrojnë vetëm ata që e ndërtuan. Lavdi dëshmorëve. Nderim për ata që nuk u zmbrapsën kurrë”, thuhet në komunikatë.

  • Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj

    Vjosa Osmani prezanton Brikena Muharremin si pjesë të ekipit të saj

    Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart figurën dhe kontributin e juristes shqiptare Brikena Muharremi, duke e cilësuar atë si shembull suksesi dhe përkushtimi ndaj Kosovës.

    Osmani ka theksuar se rrugëtimi i Muharremit, nga shkollat e mbyllura shqipe në Mitrovicë deri te sistemi i drejtësisë në Britaninë e Madhe, dëshmon se suksesi ndërkombëtar mund të arrihet pa u shkëputur nga rrënjët dhe komuniteti shqiptar.

    Sipas Osmanit, Brikena Muharremi u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe dhe për më shumë se dy dekada ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke përfaqësuar edhe institucione britanike në procese të rëndësishme juridike.

    Njoftimi i plotë i Osmanit:

    Nga bankat e mbyllura të shkollave shqipe në Mitrovicë, deri te sallat e drejtësisë në Britaninë e Madhe, Brikena Muharremi është dëshmi se si mund të arrihen majat më të larta pa harruar kurrë rrënjët e veta.

    Brikena Muharremi i përket atij brezi që, me punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, arritën të ndërtojnë emër në sistemet më konkurruese ndërkombëtare, pa e humbur asnjëherë lidhjen me Kosovën dhe komunitetin shqiptar.

    Si nxënëse e shkëlqyer në Kosovë, ajo u detyrua të largohej nga vendi pas mbylljes së shkollave shqipe nga regjimi serb. Në Britani vazhdoi studimet për drejtësi, ku u diplomua me rezultate të larta dhe u bë avokatja e parë shqiptare e kualifikuar në Britaninë e Madhe.

    Për më shumë se dy dekada, Brikena ka ushtruar profesionin e barrister-it në Angli dhe Uells, duke punuar në një prej sistemeve juridike më të avancuara në botë dhe duke përfaqësuar edhe institucione shtetërore britanike në procese komplekse e të profilit të lartë.

    Angazhimi i saj ka shkuar përtej suksesit profesional individual. Si themeluese dhe kryetare e Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë dhe si anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës, ajo ka qenë zë i fuqishëm i mërgatës sonë.

    Përmes punës së saj, Brikena ka kontribuar në fuqizimin e profesionistëve shqiptarë, promovimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e mundësive për gjeneratat e reja.

    E dekoruar me titullin “Ambasadore e Kombit” nga Republika e Shqipërisë, ajo përfaqëson shembullin e një profesionisteje që suksesin e ka kthyer në shërbim për komunitetin dhe kombin.

    E dashur Brikena, me padurim pres të bëjmë së bashku punë të mira në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve tanë.

  • Mësimdhënësja nga Ferizaj i gjen mbi dymijë euro dhe i dorëzon në polici

    Mësimdhënësja nga Ferizaj i gjen mbi dymijë euro dhe i dorëzon në polici

    Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka njoftuar se një qytetare e ka gjetur një protofol me para dhe të njëjtën e ka dorëzuar në organet e rendit.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur sot, rreth orës 16:55, me ç’rast qytetarja me inicialet A. Mehmeti, 43-vjeçare, mësimdhënëse nga Ferizaj, ka treguar një shembull të lartë ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare. Ajo ka gjetur një portofol me një shumë të caktuar parash në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj.

    Menjëherë pas gjetjes, ajo i ka dorëzuar portofolin me paratë në stacionin policor në Ferizaj.

    “Meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë në atë zonë. Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja me inicialet L.K. (22-vjeçare) nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit. Pas verifikimeve të kryera nga ana e policisë, pronares së ligjshme i janë kthyer portofoli dhe paratë; 2030.85 euro”, thuhet në njoftim.

  • Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Ramiz Lladrovci kritikon PDK-në për vendimin kundër kthimit të Fatmir Limajt

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar vendimin e PDK’së për të mos e kthyer në parti Fatmir Limajn.

    Kryesia e kësaj partie vendosi sot kundër përfshirjes së Limajt dhe partisë së tij në listën e PDK’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

    Lladrovci ka thënë se kështu “u ripërsërit modeli i ndikimit në Kryesinë e PDK-së”.

    “Kreatorët e kësaj fryme, nuk po i bëjnë shërbim Kosovës e as PDK-së. Për ta paraqitur Bedriun humbës dhe Fatmirin jomeritor në Listë, janë ata që nuk patën guxim të ballafaqohen me pozitën dhe qytetarin ndër vite. Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!”, ka shkruar Lladrovci.

  • Ardian Gjini bartës i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ardian Gjini bartës i listës së AAK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

    Ardian Gjini do të jetë bartës i listës së Aleancës për Ardhmëri të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Vendimi është marrë të hënën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë së AAK-së.

    “Në këtë takim, Këshilli i Përgjithshëm ka aprovuar me shumicë votash Ardian Gjinin, bartës së listës si dhe listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo listë reflekton unitetin e Aleancës, duke gërshetuar përvojën politike me prurjet e reja profesionale, me synimin e vetëm: shërbimin ndaj qytetarëve dhe forcimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

    Aty thuhet se AAK-ja hyn në këtë proces zgjedhor me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe integrimet euro-atlantike.

    “AAK është gati për garën zgjedhore dhe mbetet e përkushtuar që përmes listës së saj fituese, t’u ofrojë qytetarëve alternativën më të qëndrueshme për qeverisjen e vendit”, thuhet në njoftim.

  • Bekë Berisha: Besoj që do t’i marrim 8-9 deputetë

    Bekë Berisha: Besoj që do t’i marrim 8-9 deputetë

    Ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në “DPT te Fidani” në Klan Kosova tha se beson se do të arrijnë t’i kenë 8 deri 9 deputet në Kuvendin e Kosovës.

    “ Ne veç me i mobilizu ata që kanë dalë herën e parë (për zgjedhjet e kaluara), jemi diku 7-8 deputet. Mirëpo pasiqë po na thonë që nuk e kalojmë pragun, unë besoj që do të shkojmë diku 8-9 deputet me plan dhe punën që e kemi bo” ka thënë Berisha.

    Ai gjithashtu tha se beson sinqerisht se do të dalin më mirë së zgjedhjet e tjera.

  • Hamza: E mirëpresim kontributin, por kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së

    Hamza: E mirëpresim kontributin, por kësaj radhe Limaj s’do të jetë pjesë e listës së PDK-së

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, foli me optimizëm për përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme.

    Ai tha se e mirëpresin kontributin e ofruar nga Fatmir Limajt dhe tha se është i bindur se kjo përkrahje do tarrisë PDK-në, por tha se ai “fillimisht duhet të ndodhë një përkrahje pë Partinë Demokratike të Kosovës”.

    “Në listë do të ketë vajza, gra, djem, burra me shumë vlera. Një pjesë e madhe e tyre do të jenë që garojnë për herë të parë oër deputet dhe jam i lumtur që po ka njerëz të përgatitur që po bashkëngjiten në radhët e PDK-së”, tha Hamza.

    Hamza tha se Limajn e ka “mik” dhe ka punuar gjatë me të, por tha se këtë herë ai “nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.

    “Është diskutuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Është qëndrim i përgjithshëm që e presim dhe e mirëpresim kontributin e zotit Limaj, të Nismës Socialdemokrate që në këto zgjedhje do t’ia japin PDK-së”, tha ai.

  • Dega e LDK-së në Podujevë e propozon edhe Agim Veliun si kandidat për deputet

    Dega e LDK-së në Podujevë e propozon edhe Agim Veliun si kandidat për deputet

    Dega e LDK-së në Podujevë e ka propozuar Agim Veliun si kandidat për deputet për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj dege, Ekrem Hyseni.

    “Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë, janë votuar njëzëri kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit. Me qëllim të unifikimit të të gjithëve, si kryetar i Degës së LDK-së në Podujevë, kam propozuar që ndër kandidatët për deputet nga Llapi, të jetë edhe Agim Veliu, e në këtë garë po ashtu janë edhe katër kandidatë tjerë nga Dega jonë: Arjeta Salihu Abazi, Alisa Jetullahu, Zaim Thaçi dhe unë Ekrem Hyseni. Është momenti i të gjithë atyre që duan e që besojnë të kontribuojnë në këtë rrugëtim! Le të bashkohemi të gjithë, sepse LDK-ja është e të gjithëve!”, ka thënë Hyseni.