ATV

Category: Lajme

  • Hajnat e dukatit bëjnë kërdi nëpër shtëpi, tri familje kosovare kërkojnë ndihmën e Policisë

    Hajnat e dukatit bëjnë kërdi nëpër shtëpi, tri familje kosovare kërkojnë ndihmën e Policisë

    Tri raste të vjedhjeve të rënda janë raportuar gjatë ditës së diel në Kosovë.

    Sipas raportit të policisë, rastet janë shënuar në Ferizaj e Klinë, ndërsa cak i hajnave ishin stolitë e arit e paratë e gatshme.

    Lidhur me rastet, deri më tani asnjë person nuk është arrestuar.

    Më poshtë gjeni rastet e vjedhjeve:

    “Ferizaj 10.05.2026-10:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në banesën e tij me ç’rast kanë vjedhur stoli ari dhe para të gatshme. Rasti nën hetime”.

    “Ferizaj 10.05.2026-10:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në banesën e tij me ç’rast kanë vjedhur stoli ari. Rasti nën hetime nga njësitë relevante”.

    “Klinë 10.05.2026-21:38. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të dyshuar të panjohur, kanë depërtuar në shtëpinë e tij me forcë dhe nga aty kanë vjedhur para te gatshme, stoli ari si dhe një armë me leje. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nen hetime”.

  • Plagoset një person në Kamenicë, dy të dyshuar në pranga

    Plagoset një person në Kamenicë, dy të dyshuar në pranga

    Një person është plagosur në Kamenicë, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar.

    Sipas njoftimit zyrtar të policisë, një i dyshuar i tretë është liruar në procedurë të rregullt.

    “Raportohet se viktima mashkull kosovar është lënduar nga arma e zjarrit, të njëjtit i është ofruar ndihma mjekësore. Në lidhje me rastin janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuar dërgohen në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë i cili dyshohet se ka kryer vepër penale moslajmërim te veprës penale lirohet në procedurë të rregullt. Arma e zjarrit është konfiskuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Mashtroi blerësin e tokës duke marrë në këmbim mbi 1.5 milion euro, arrestohet i dyshuari

    Mashtroi blerësin e tokës duke marrë në këmbim mbi 1.5 milion euro, arrestohet i dyshuari

    Një rast i mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve është raportuar gjatë ditës së djeshme.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshimtë, shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se në bashkëpunimit me persona të tjerë të dyshuar të arrestuar me 19 shkurt 2026, kanë kryer veprime të kundërligjshme (falsifikim i dokumenteve/ pasaportës dhe dokumenteve të tjera).

    Përmes këtyre dokumentet të falsifikuara kanë arritur që të tjetërsojnë/ shesin sipërfaqe toke duke e mashtruar blerësin dhe duke marrë në këmbim 1,578,180.00 euro.

    Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes.

  • Kallas: Zgjedhjet në Kosovë vonojnë dialogun Prishtinë-Beograd

    Kallas: Zgjedhjet në Kosovë vonojnë dialogun Prishtinë-Beograd

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një rund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

    Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

    “Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve – nga Kosova dhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.

    “Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.

    Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023.

    Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor të vitit 2024 dhe deri më tani nuk ka pasur rast të jetë nikoqire e ndonjë rundi bisedimesh.

    Sot, ajo mirëpret një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

    Bisedimet mes 27 shefave të diplomacive evropiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit pritet të shërbejnë si hyrje për një debat të mëtejshëm mbi situatën në rajon, i cili do të zhvillohet po sot, por vetëm në nivel të ministrave të BE-së.

    Pritet që në takim të flitet edhe për përgatitjet e samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në qershor në Tivat në Mal të Zi.

    Sipas diplomatëve evropianë, fokusi kryesor do të jetë: forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit.

  • Putin kërkoi Schroderin si negociator BE-Rusi, Kallas refuzon: S’mund t’i jepet Moskës kjo e drejtë

    Putin kërkoi Schroderin si negociator BE-Rusi, Kallas refuzon: S’mund t’i jepet Moskës kjo e drejtë

    Zyrtarët evropianë dhe gjermanë kanë qenë skeptikë në lidhje me propozimin e presidentit rus që ish-kancelarin Gerhard Schröder të shërbejë si ndërmjetës në bisedimet BE-Rusi për Ukrainën.

    “Jo”-ja e fundit deri më tani erdhi nga shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaja Kallas.

    “T’i japësh Rusisë të drejtën për të emëruar një negociator në emrin tonë nuk do të ishte shumë e mençur”, u tha Kallas gazetarëve pas mbërritjes së saj në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

    Meqenëse Schroeder ishte përdorur nga Rusia për të lobuar për kompanitë shtetërore ruse, “ai do të ulej në të dyja anët e tryezës”, tha Kallas.

    Në deklaratat e së shtunës, Vladimir Putin shprehu besimin e tij se lufta në Ukrainë po i vjen fundi, duke sugjeruar ish-kancelarin si një “ndërmjetës” të mundshëm në bisedimet midis Moskës dhe Brukselit për të arritur një marrëveshje mbi Ukrainën.

    Pasi u tërhoq nga politika aktive në vitin 2005, Schröder, tani 82-vjeçar, mbeti një aleat i ngushtë i Putinit, duke e ndarë qëndrimin e tij nga ai i shumicës së udhëheqësve perëndimorë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

    Në të kaluarën, ai mbajti pozicione të rëndësishme në gjigantët rusë të energjisë, përfshirë pjesëmarrjen e tij në projektet e tubacionit të gazit Nord Stream dhe pozicionin e tij në bordin e drejtorëve të kompanisë ruse të naftës Rosneft, nga e cila dha dorëheqjen në vitin 2022.

    Në një artikull në gazetën Berliner Zeitung në janar, Schröder shkroi se pushtimi rus ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    “Megjithatë, unë jam gjithashtu kundër demonizimit të Rusisë si armiku i përjetshëm”, shtoi ai, duke i bërë thirrje Gjermanisë të rinisë importet e energjisë ruse, të cilat janë ndërprerë për shkak të konfliktit.

    Skepticizmi në Gjermani

    Deklaratat e Putinit u bënë ndërsa një armëpushim tre-ditor midis Kievit dhe Moskës ishte në fuqi në armiqësi.

    Gjermania e ka mirëpritur propozimin e Putinit me kujdes. “Ne e kemi marrë shënim”, por “i konsiderojmë komentet si pjesë të një ‘serie propozimesh të rreme’ nga Rusia”, thanë burime qeveritare për AFP-në. Një burim tha se testi i vërtetë i qëllimeve të Moskës do të ishte një zgjatje e armëpushimit aktual tre-ditor.

    Michael Roth, një ish-anëtar i parlamentit për Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme, i tha Tagesspiegel se një ndërmjetës “nuk mund të jetë mik i Putinit”. Ai theksoi se çdo ndërmjetës duhet mbi të gjitha të pranohet nga Ukraina. “As Moska dhe as ne nuk mund ta vendosim këtë në emër të Kievit.”

    Megjithatë, brenda radhëve të Social Demokratëve, disa duken më të hapur ndaj propozimit të Putinit.

    Sipas Der Spiegel, zëdhënësi parlamentar i SPD-së për çështjet e jashtme, Andis Akhmetovich, tha se propozimi duhet të “shqyrtohet me kujdes” së bashku me partnerët evropianë. Deputeti i SPD-së, Ralf Stegner, argumentoi në të njëjtën revistë se “nëse nuk duam që Putini dhe (Presidenti i SHBA-së Donald) Trump të vendosin vetë për të ardhmen e Ukrainës”, Evropa duhet të shfrytëzojë çdo mundësi të mundshme – sado e vogël të jetë ajo.

    “Nëse dikush si Schroeder mund ta arrinte këtë, do të ishte neglizhencë ta refuzonte atë,” shtoi ai.

  • Mërgim Lushtaku pro kthimit të Fatmir Limajt në PDK

    Mërgim Lushtaku pro kthimit të Fatmir Limajt në PDK

    Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është deklaruar në lidhje me kthimin e Fatmir Limajt në këtë subjekt politik.

    Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku tha se po të varej nga ai, kjo çështje do të ishte e kryer pasi është pro kthimit të tij në parti, megjithatë vendimin e merr kryesia e PDK-së.

    “Miq të dashur, më keni dërguar shumë pyetje lidhur me kthimin e Fatmir Limajt në PDK. Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR. Vendimin e merr Kryesia e PDK-së, por unë do ta mbaj këtë qëndrim edhe në mbledhjen e Kryesisë. Uroj që ta respektojmë vullnetin e elektoratit dhe, bashkërisht, ta fuqizojmë PDK-në”, ka shkruar ish-deputeti në Facebook.

  • Pasagjeri grek nga anija e prekur nga hantavirusi futet në karantinë

    Pasagjeri grek nga anija e prekur nga hantavirusi futet në karantinë

    Një pasagjer grek i evakuuar nga anija turistike e prekur nga një shpërthim i hantavirusit është vendosur në karantinë në Spitalin e Përgjithshëm Universitar Attikon në Athinë. Pasagjeri, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, nuk ka shfaqur simptoma të sëmundjes, sipas zyrtarëve, shkruan A2CNN.

    Pasagjerët u evakuuan të dielën nga anija MV Hondius pasi anija mbërriti në Tenerife, ishullin më të madh në arkipelagun e Ishujve Kanarie të Spanjës, pranë brigjeve veriperëndimore të Afrikës.

    Pasagjeri grek ishte midis 26 personave të transferuar në Eindhoven të Holandës të dielën në mbrëmje në bordin e një fluturimi holandez për evakuim. Nga atje, ai u transportua në aeroportin ushtarak të Elefsinës me një aeroplan C-130 të Forcave Ajrore Greke nën mbikëqyrje mjekësore përpara se të transportohej në spital. Ai do të mbetet në karantinë për 45 ditë në një dhomë izolimi me presion negativ të përgatitur posaçërisht.

    Në një postim në rrjetet sociale, Ministri i Shëndetësisë Adonis Georgiadis tha se pasagjeri nuk kishte shfaqur asnjë shenjë ose simptomë të infeksionit, duke shtuar se ai ishte vendosur në karantinë si masë paraprake. “Nuk ka absolutisht asnjë arsye për shqetësim”, tha ai.

    Të paktën gjashtë persona që ndodheshin në anije rezultuan pozitivë, përfshirë një pasagjer amerikan të evakuuar, i cili rezultoi pozitiv, por mbetet asimptomatik. Tre persona kanë vdekur që nga fillimi i shpërthimit, përfshirë një pasagjer.

  • Sot takimi BE–Ballkani Perëndimor, në fokus dialogu Kosovë–Serbi

    Sot takimi BE–Ballkani Perëndimor, në fokus dialogu Kosovë–Serbi

    Sot e hënë në Bruksel do të mbahet takimi i përbashkët mes ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Ky takim, ku marrin pjesë 27 shefat e diplomacisë evropiane dhe ministrat e jashtëm të rajonit, do të shërbejë si platformë për diskutime mbi zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjet për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në qershor në Tivat të Malit të Zi.

    Sipas diplomatëve evropianë, në qendër të diskutimeve do të jenë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, si dhe harmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet.

    Një nga temat kryesore që Brukseli do të mbajë në fokus mbetet edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarë evropianë kanë shprehur pakënaqësi me dinamikën aktuale të procesit, duke theksuar se ai nuk po ecën me ritmin e dëshiruar.

    “Edhe pse ka pasur disa rezultate në muajt e fundit, dialogu ende nuk ka dinamikën e duhur. Presim një shtysë të re për ta avancuar procesin”, ka deklaruar një diplomat evropian, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Nga ana tjetër, në Bruksel theksohet gatishmëria e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për të luajtur rol aktiv në procesin e dialogut, përfshirë mundësinë e thirrjes së një takimi të ri në nivel liderësh.

    Megjithatë, sipas diplomatëve, situata politike në Kosovë dhe ciklet zgjedhore të vazhdueshme po e vështirësojnë organizimin e një raundi të ri të dialogut në nivelin më të lartë.

    Takimi i fundit mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa Kaja Kallas, e cila ka marrë detyrën në dhjetor të vitit 2024, ende nuk ka udhëhequr një takim të tillë në nivel liderësh.

  • Shteti serb financon veteranët e Beretave të Kuqe, që luftuan edhe në Kosovë

    Shteti serb financon veteranët e Beretave të Kuqe, që luftuan edhe në Kosovë

    Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

    Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.

    Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23.000 euro në dy vjetët e fundit.

    Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski.

    Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.

    Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe me para të buxhetit.

    Përgjigje nuk dha as Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe.

    “Kur e merr një njësi të tillë dhe prej saj nxjerr heronj, ndërkohë që dihet ‘rruga e saj e luftës’, njeriu duhet ta pyesë veten se çfarë vlerash promovon ky pushtet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Shvarm, kryeredaktor i së përjavshmes serbe “Vreme” dhe autor i një dokumentari për Njësinë për Operacione Speciale.

    Kush ishin Beretat e Kuqe?

    Njësia për Operacione Speciale, e njohur më mirë si Beretat e Kuqe, u themelua nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i drejtuar nga Jovica Stanishiq – një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.

    Krahu i tij i djathtë ishte Franko Simatoviq.

    Stanishiq dhe Simatoviq u dënuan në Hagë në vitin 2023 me nga 15 vjet burg për mbështetje dhe ndihmë në krime lufte në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

    Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

    Në atë kohë, Simatoviq e emëroi Millorad Ulemekun, i njohur si Legija, komandant të saj.

    Njësia u shpërbë në vitin 2003 gjatë operacionit policor “Sablja”.

    Disa prej pjesëtarëve të saj janë dënuar për vrasje politike – përfshirë vrasjen e kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003; vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stambolliq, në gusht të vitit 2000; vrasjen e katër zyrtarëve të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe (SPO) në tetor 1999; si dhe tentim-vrasjen e liderit të SPO-së, Vuk Drashkoviq, në Budva në vitin 2000.

    Çfarë financon Ministria?

    Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve në Serbi, Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe është themeluar në vitin 2019.

    Të dhënat publike për veprimtarinë e saj tregojnë se të ardhurat e para i ka pasur në vitin 2021, kur janë raportuar gjithsej 4.800 euro.

    Shumën më të madhe të të ardhurave, shoqata e ka realizuar në vitin 2024, në vlerë prej 29.000 eurosh.

    Të dhënat për shumën e donacioneve të mbledhura për vitin 2025, nuk janë publikuar ende.

    Nga Ministria e Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, në vitet 2024 dhe 2025, shoqata ka përfituar nga 11.500 euro në vit – gjithsej 23.000 euro – sipas raporteve të ministrisë.

    Të dhënat publike nuk tregojnë se nga cilat burime të tjera e kanë origjinën të ardhurat e saj.

    Ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, miratoi financimin për Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe, me qëllim organizimin e Turneut Gjithëpërfshirës të Veteranëve, si dhe për realizimin e projekteve “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” dhe “Betimi i lirisë”.

    Turneu Gjithëpërfshirës i Veteranëve është një garë sportive për veteranët, që organizohet nga Shoqata një herë në vit dhe, përveç donacioneve nga Ministria e Punës, është mbështetur më herët edhe nga Qeveria e Vojvodinës.

    Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë e Krahinës Autonome të Vojvodinës në lidhje me ndarjen e fondeve për këtë shoqatë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Për projektet e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe – “Betimi i lirisë” dhe “Pozita e luftëtarëve në shoqërinë e sotme” – të cilat janë financuar me 10.000 euro nga buxheti, nuk ka informacione publike të disponueshme se çfarë përfshijnë saktësisht, nëse janë realizuar dhe kur janë zbatuar.

    Raportet për realizimin e këtyre projekteve nuk janë publikuar as në dokumentacionin e konkurseve të Ministrisë përkatëse.

    Në fund të vitit 2022, shoqata ka ngritur një përmendore për ish-pjesëtarin e Beretave të Kuqe, Nikolla Simiq, në lagjen Busije të Beogradit.

    Kush është kreu i shoqatës?

    Përfaqësues ligjor i Shoqatës së Beretave të Kuqe është Zhivorad Zhika Ivanoviq, ish-anëtar i Njësisë së Operacioneve Speciale, i cili, siç mund të shihet në një video nga maji i vitit 1997, i raportonte presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, në një ceremoni që shënonte themelimin e Njësisë në Kulla, në Serbinë veriperëndimore.

    Edhe pse emri i tij u përmend në gjyqin e ish-krerëve të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, kundër Ivanoviqit nuk u zhvillua asnjë procedurë ligjore as para gjykatave ndërkombëtare dhe as brenda Serbisë.

    Veteranët në mbrojtje të pushtetit

    Ivanoviq ishte për herë të fundit në qendër të vëmendjes publike në mars të vitit 2025, kur udhëhoqi veteranët e Njësisë së Operacioneve Speciale në një kamp në Parkun e Pionierëve në Beograd.

    Aty, për më shumë se një vit, u mblodhën mbështetës të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet – mes të cilëve edhe disa persona me dosje kriminale.

    “Është veçanërisht pervers fakti që ata u shfaqën aty disa ditë para përvjetorit të vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiq”, thotë Shvarm.

    Përveç Zhika Ivanoviqit, veteranët në Parkun e Pionierëve në Beograd u udhëhoqën edhe nga ish-komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, të cilin Shtetet e Bashkuara e lidhin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.

    Partia në pushtet në Serbi deklaroi atëkohë se nuk sheh asnjë problem nga prania e tyre në tubimet mbështetëse për presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Qeverinë aktuale.

    Veteranët e Njësisë për Operacione Speciale janë bërë pjesëmarrës të rregullt edhe në manifestime të organizuara nga partia në pushtet – nga shënimi i përvjetorëve të ngjarjeve historike deri te ceremonitë me rastin e ditëve të komunave të Beogradit.

    Në dhjetor të vitit 2025, ata ishin mysafirë të Ministrisë së Punës dhe, siç njoftuan në profilin e tyre në Instagram, morën pjesë në një takim pune me temën “Përmirësimi i mëtejshëm i pozitës së veteranëve”.

    Me ta u fotografua edhe ministrja Gjurgjeviq Stamenkovski.

    Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici”, ishte në opozitë deri në vitin 2024.

    Me formimin e Qeverisë së re të Serbisë në maj të vitit 2024, ajo mori postin e ministres për Kujdesin ndaj Familjes, ndërsa në Qeverinë aktuale është në krye të Ministrisë për Punë, Punësim, Çështje të Veteranëve dhe Sociale.

    Në shkurt të vitit 2024, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, vizitoi stendën e Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe në një panair në Novi Sad.

    Shoqata, atëkohë, mori pjesë në manifestimin “Panairi i Vendlindjes”, i organizuar nga Fondi për personat e zhvendosur dhe për bashkëpunim me serbët në rajon, me mbështetjen e Qeverisë së Vojvodinës.

    Me rastin e 35-vjetorit të themelimit, disa veteranë të Njësisë për Operacione Speciale organizuan më 4 maj një ceremoni përkujtimore, ku, në emër të ish-anëtarëve të kësaj njësie, Vasillije Mijoviq i shprehu mirënjohje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se me ardhjen e tij në pushtet, “njësisë i është rikthyer lavdia”.

    “Gjithmonë llogarisni në ne, që ta udhëhiqni atdheun tonë edhe për një kohë të gjatë. Prej kohësh, Serbia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë, vizionar”, tha Mijoviq, duke shtuar se “kolegjiumi ka vendosur t’i japë presidentit pseudonimin ‘Aleksandri i Madh’”.

    “Ky është një mesazh i drejtuar drejt pjesës më të fortë nacionaliste të elektoratit të Partisë Përparimtare Serbe”, vlerëson Shvarm.

    Fotografitë e publikuara në profilin në Instagram të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe, tregojnë se Mijoviq ka qenë pjesë e delegacionit të kësaj shoqate në disa ngjarje që nga fillimi i këtij viti.

    Mijoviq është ish-funksionar i policisë sekrete të Malit të Zi. Si pjesëtar i formacioneve paraushtarake që vepronin në Bosnje dhe në Kroaci, ai ka marrë pjesë në luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë.

    Për rolin e tij në konfliktet e viteve ’90 është folur edhe në Tribunalin e Hagës, ku dëshmitarët e kanë përshkruar si pjesëmarrës në veprime çnjerëzore ndaj civilëve, si dhe në aktivitete kriminale.

    Mijoviq nuk u gjykua për rolin e tij në luftë as para gjykatave vendase dhe as para atyre ndërkombëtare. /REL/

  • AKK: Qeveria po ua merr komunave kompetencat për rekrutimin e stafit

    AKK: Qeveria po ua merr komunave kompetencat për rekrutimin e stafit

    Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kundërshtuar një rregullore të nivelit qendror për shërbyesit publikë, duke vlerësuar se ajo cenon kompetencat e komunave në procesin e rekrutimit të stafit në nivel lokal.

    Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online se kryetarët e komunave kanë shprehur shqetësim lidhur me këtë rregullore, pasi sipas tij, procesi i rekrutimit për shërbyes publikë në nivel lokal po centralizohet nga niveli qendror.

    “Ne si asociacion kemi pranuar këto ditët e fundit reagime nga kryetarët e komunave sa i përket një rregulloreje nga niveli qendror për shërbyes publikë dhe angazhimin e tyre në sistemin publik të Republikës së Kosovës ku pothuajse i gjithë sistemi sa i përket procesit të rekrutimit për shërbyes publikë edhe në nivelin lokal do të bëhet nga niveli qendror”, tha ai.

    “Kryetarët konsiderojnë që kjo nuk është e drejtë sepse në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ekzistojnë dy nivele qeverisje, niveli qendror dhe niveli lokal dhe sipas kryetarëve kjo shkon në dëm të komunave të Republikës së Kosovës sepse angazhimi, rekrutimi i stafit i cili ka të bëjë me punët, me angazhimet në nivelin lokal është më mirë të bëhet nga niveli lokal sesa nga niveli qendror”, tha ai.

    Ibrahimi tha se kjo qasje është në kundërshtim me parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve dhe paralajmëroi rritje të burokracisë në nivel lokal.

    “Po mendojmë që kjo është e padrejtë, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sa i përket ndarjeve të pushtetit mirëpo kjo do të shkaktojë burokraci edhe më të madhe edhe komunat nuk do të mund të angazhojnë profesionistë të cilët mendojnë se do të jenë të mirëseardhur në sistemin publik të Republikës së Kosovës në nivelin lokal”, tha ai.

    Ai shtoi se niveli qendror mund të zbatojë politika të tilla vetëm për administratën qendrore dhe jo për komunat.

    “Pra niveli qendror mund t’i bëjë këto angazhime, mund ta shtyjë përpara këtë proces për zyrtarë publikë në nivelin qendror mirëpo jo t’i shtrijë duart edhe në procesin e rekrutimit në nivelin lokal”, tha ai.