ATV

Category: Lajme

  • Tre të mitur rrahin brutalisht bashkëmoshatarin në Han të Elezit, 17-vjeçari dërgohet në QKUK

    Tre të mitur rrahin brutalisht bashkëmoshatarin në Han të Elezit, 17-vjeçari dërgohet në QKUK

    Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

    Një rast i tillë ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në Han të Elezit, por këtë herë janë përfshirë tre të mitur që po dyshohen se e kanë sulmuar brutalisht një bashkëmoshatar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 17-vjeçari është transferuar në Qendrën Klinike Universitare pasi fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Rajonal në Ferizaj.

    Sinjali mëson se të dyshuarit janë djem të axhës mes vete dhe akoma nuk dihet motivi që i ka shtyrë për t’u përfshirë në një incident të tillë.

    Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që kishte ndodhur.

    Me urdhër të prokurorit, kanë nisur hetimet për rastin, ndërkohë që të dyshuarit akoma nuk janë arrestuar.

  • Kryeministri Kurti u prit në takim nga kryeministri i Greqisë, Mitsotakis

    Kryeministri Kurti u prit në takim nga kryeministri i Greqisë, Mitsotakis

    Në Athinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin pati një takim dypalësh.

    Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

    Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve.

    Ai e falënderoi kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën e mbrëmshme në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

    Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.

    Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm.

    Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

    Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.

    Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.

    Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, Kryeministri ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

  • Maqedoni e Veriut, 23 zjarre në 24 orë

    Maqedoni e Veriut, 23 zjarre në 24 orë

    Gjatë ditës dhe natës së kaluar në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur gjithsej 23 vatra zjarri në hapësirë të hapur.

    Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), nga këto zjarre, 19 janë shuar, ndërsa katër bëhen aktive.

    Nga 19 zjarre të shuar në 24 orët e fundit, dy kanë qenë në Shkup, po aq në territorin e Komunës së Shtipit, tre në Manastir dhe një në komunën e Dollnenit, afër fshatit Zhitoshe.

  • Abdullahu për tekstet shkollore: Qeveria nuk di e s’ka përvojë, para 15 vjetësh Thaçi e zgjidhi këtë çështje

    Abdullahu për tekstet shkollore: Qeveria nuk di e s’ka përvojë, para 15 vjetësh Thaçi e zgjidhi këtë çështje

    Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Faton Abdullahu, tha se konstatimi i tyre që Qeveria nuk di – nuk mundet, nuk ka përvojë dhe po gabon shumë veç se është vërtetuar pasi Ministria e Arsimit njoftoi se prindërit do t’i blejnë librat vet.

    Ai i tha Ekonomia Online se kjo qasje e Qeverisë do të prish raportet shkollë-prind, duke shtuar se çështja e teksteve shkollore është zgjidhur para 15 vjetësh nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

    “Kur ne tash sa kohë po konstatojmë se që kjo Qeveri, nuk dinë nuk mundet, nuk ka përvojë, po gabon shumë, ajo çfarë ndodhi dje, kjo që ka të bëjë me librat veç po e dëshmon atë që është dëshmuar edhe më herët, paaftësinë e kësaj Qeverie. Kjo është një tjetër qasje, një tjetër veprim në të vërtet që si duket në të ardhmen e afërt, do të i komplikoj, për të mos thënë i prish raportet shkollë-prind, prind-nxënës ndërkohë që kryesore është raporti nxënës-dije, ky është deformim që do të hetohet”.

    “…është e dhimbshme se si ka mundësi që pak ditë para se të filloj shkolla të vije ky lajm kaq i keq ndërkohë që dihet se para 15 vite, në atë kohë kryeministri Thaçi, kishte zgjedh këtë problem dhe ajo gjeti rrugë dhe filloi të zbatohet tash sa kohë”.

    Sipas tij, jeta e qyetarëve po bëhet edhe më vështirë cdo ditë nga veprimet e Qeverisë, raporton EO.

    “…kështu erdhi kjo Qeveri dhe prishi çdo gjë dhe kjo është në dëm të nxënësve, në dëm të prindërve, më e keqja në dëm të kualitetit të jetës së qytetarëve, në dimrin që po hymë, që ka probleme shumë tjera me çmimet, më rritjen e çmimeve, me inflacionin, e me të tjerë që determinohen nga këto, që e bëjnë jetën e qytetarëve të vështirë, dhe krejt kësaj kjo Qeveri i’a shton edhe këtë çështje, punën e librave”.

    Duke komentuar siç tha ai qasjen përjashtuese ndaj Prokurorisë, Abdullahu tha se Qeveria po i mbron hajnat, duke prekur themelet e sigurisë nacionale.

    “Nuk ka gjë më të keqe se sa kjo qasje përjashtuese, që e bën Qeveria me vetëdije, thjesht kur po i qaset kështu Prokurorisë – Qeveria po i mbron hajnat e vet dhe po e sulmon për mungesë të moralshmes, mungesë të profesionalizmit, e akuzon për kapje e të tjera e të tjera, të kësaj natyre Prokurorinë, e turpshme, por të njëjtën kohë shumë e rrezikshme sepse po prek në themel të sigurisë, nacionale të Kosovës”.

  • Von Cramon: Vuçiq mund t’i ketë bërë presion Zelenskyt, armë në këmbim të mosnjohjes së Kosovës

    Von Cramon: Vuçiq mund t’i ketë bërë presion Zelenskyt, armë në këmbim të mosnjohjes së Kosovës

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas takimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    “Pikërisht: ka shumë të ngjarë që Vuçiq të ketë rënë dakord të takohet me Zelenskyn për të ushtruar kryesisht presion mbi Ukrainën për sigurim të armëve në këmbim të mosnjohjes së Kosovës”, ka shkruar ajo në “X” derisa ka shpërndasr tëeetin e deputetit ukrainas Oleksiy Goncharenko ku ka thënë se duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës, shkruan KP.

    Ajo ka thënë po ashtu se shpreson që Zelensky e kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë.

    “Pavarësia dhe stabiliteti i Kosovës janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka shkruar ajo.

  • “S’do të mbesin të gjithë pa libra”, anëtar i Këshillit të Prindërve flet pas vendimit të MASHT-it

    “S’do të mbesin të gjithë pa libra”, anëtar i Këshillit të Prindërve flet pas vendimit të MASHT-it

    Anëtar i Këshillit të Prindërve, Valdet Raka ka komentuar vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë rreth librave.

    Sipas tj, ditëve të fundit është bërë temë vendimi i MASHT në lidhje me aplikimin online për tu pajisur me libra shkollor!

    Ky vendim, Raka thotë se përveq që është i vonuar, ka krijuar pasiguri dhe konfuzitet tek qytetarët (mënyra e aplikimit, bartja e mjeteve financiare me kohë, mungesa e librarive në shumë vende etj.)

    “Në mënyrë që të evitohen mosmarrëveshjet dhe vonesat e tilla, DKA në komunën tonë (Kaçanikut) në bashkëpunim me drejtorët e shkollave fillore duhet ti rishikojnë gjendjen e librave të dorëzuara në fund të çdo viti nga ana e nxënësve dhe të përpilojnë listën e atyre nxënësve që nuk kanë mundësi ti blejnë në mënyrë që tu ofrohen ato libra për shfrytëzim. Duhet të ndërmerren hapa tilla për ti ikur shtyrjes së procesit mësimor”, ka shkruar ai.

  • Lëvizja FOL: Qeveria nuk ka realizuar as gjysmën e aktiviteteve të Planit Kombëtar

    Lëvizja FOL: Qeveria nuk ka realizuar as gjysmën e aktiviteteve të Planit Kombëtar

    Nga 175 aktivitete të parapara për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka arritur të realizoi vetëm 60 sosh.

    Kështu u tha në konferencën e “Lëvizjes Fol”, ku u publikuan të dhënat nga monitorimi i realizimit të aktiviteteve parapara për gjysmën e vitit, në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2023-2025.

    Drejtoresha e “Lëvizjes Fol”, Mexhide Demolli tha se në analizimin e gjashtëmujorit të parë të Planit Kombëtar për Zhvillim të Qeverisë, kanë vërejtur mangësi të tepërta.

    Ndërsa, hulumtuesja e lartë, Albana Hasani ka treguar nga këto aktivitete të parapara, 82 prej tyre nuk kanë arritur të përfundojnë brenda afatit

    “Nga 175 aktivitete të parapara të përfundojnë në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 janë përfunduar vetëm 60. Nga këto aktivitete të parapara, 82 prej tyre nuk kanë arritur të përfundojnë brenda afatit. Për realizimin e 33 aktiviteteve nuk kemi pranuar përgjigje nëse janë realizuar apo jo”, tha ajo.

  • Takimi Zelensky-Vuçiq, deputeti ukrainas: Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

    Takimi Zelensky-Vuçiq, deputeti ukrainas: Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

    Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, deklaroi sot se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këto komente ai i bëri pas takimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

    Goncharenko ka shkruar në “X” se Serbia është aleate e Serbisë dhe se Ukraina nuk mund ta tërheq në anën e saj, shkruan KosovaPress.

    “Zelensky u takua me Presidentin e Serbisë. Serbia është aleate e Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi atëherë? Po sigurisht. A duhet të kompromentojmë parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha thënë ai në “X”.

  • Aksident me fatalitet në Mitrovicë

    Aksident me fatalitet në Mitrovicë

    Sot me datën 22 gusht 2023, rreth orës 08:35, në rrugën ,,Agim Ramadani-Katana” në Mitrovicë, është shkaktuar një aksident trafiku, ku një automjet me targa vendore, deri sa kishte qenë në lëvizje për shkaqe të panjohura kishte goditur dy vetura të cilat kishin qenë të parkuara në këtë rrugë.

    Meqenëse drejtuesi i automjetit në lëvizje pëson lëndime trupore, me urgjencë dërgohet në emergjencën e spitalit Rajonal në Mitrovicë dhe si pasojë e lëndimeve pas pak kohe drejtuesi i automjetit të aksidentuar, i moshës 60 vjeçar, ndërron jetë.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

  • ​Tahiri: Vendimi për librat provokon greva dhe dëmton arsimin e qytetarin

    ​Tahiri: Vendimi për librat provokon greva dhe dëmton arsimin e qytetarin

    Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se Qeveria është e paaftë në relacion me politikën e Serbisë, siç është e paaftë edhe në çështjes së blerjes së librave. Sipas tij, në skandalin e përmasave ndërkombëtare për rezervat shtetërore, Qeveria gjen kohë të drejtoi gishtin te prokuroria dhe organet e sundimit të ligjit.

    Tahiri në një konferencë për media ka thënë se për rezervat shtetrore, tanimë dihet se 52.5 ton miell nuk kanë ardhur në Kosovë, po nuk ka ardhur as sheqeri dhe vaji. Sipas Tahirit, në dokumentet e prezantuara, dëmi i pretenduar është 61940 euro, transmeton KP.

    “Për këtë skandal, për këtë hajni, për këtë vjedhje e cila është ashiqare, qeveria e Kosovës heshtë, qeveria e Kosovës e akuzon gjyqësinë dhe prokurorinë. A jeni duke e parë që ky shtet që udhëhiqet nga kjo qeveri dhe ky pushtet nuk i beson shtetit të vet. Kjo qeveri dhe ky kryeministër, donë të ketë sistem të vetin, sistem paralel dhe nuk ka asnjë deklarim të vetëm që lidhet me kërkesën për hetim të pavarur dhe për të ndodhur një hetim i pavarur fillimisht duhet të shkarkohet ministrja e MINT-it, në mënyrë që sa më pak me qenë politika e ndikuar në hetim. Është një skandal i përmasave vendore dhe ndërkombëtare që lidhet me rezervat shtetërore dhe qeveria gjen kohë të drejtoj gishtin te prokuroria dhe organet e sundimit të ligjit”, tha ai.

    Tahiri u ndal edhe propozimi i Ministrisë së Arsimit lidhur me tekstet shkollore, ku tha se nuk ka logjikë në asnjë vend të merret dy javë para se të nis procesi mësimor.

    “Të provokohen grevat për shkak se ky vendim ka pas mundësi të merret qe dy apo tre muaj se dihet se me 1 shtator nis mësimi. Ky vendim është vendim me provoku greva në arsim, me dëmtuar arsimin publik, me prodhuar edhe një krizë dhe me dëmtu financiarisht qytetarin, respektivisht familjen e Kosovës. Kjo situatë, kjo krizë mund të ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie. Kjo qeveri është duke e dëmtuar si në rrafshin ndërkombëtar, si në rrafshin e brendshëm, në atë politikë, ekonomikë Kosovën në masë të madhe“, tha ai.

    Ai shtoi se për AAK-në është e habitshme se si Qeveria po sillet edhe me çështje tjera, siç është deklaratat e ministrit të brendshëm të Serbisë, dhe nuk ka asnjë qëndrim politik dhe institucional nga Qeveria e Kosovës.

    “Neve nuk na befason asnjë qëndrim nga Qeveria e Serbisë i cili është armiqësor ndaj Kosovës për shkak se agjenda e tyre është armiqësore ndaj Kosovës. Neve na befason neglizhenca e Qeverisë së Kosovës, e kryeministrit ndaj këtyre deklaratave për shkak se në atë deklaratë po kontestohet shtetësia e Kosovës. Po ka reagim nga kryeministri i Shqipërisë e s’po ka nga kryeministri i Kosovës. Nuk ka logjikë kjo, kjo tregon për një paaftës. Pra emri i Qeverisë është qeveri, ndërsa mbiemri është paaftë. Kjo është qeveria e paaftësisë së Kosovës për të adresuar asnjë temë e cila lidhet me sovranitetin dhe shtetin e Kosovës”, tha ai.

    Sipas tij, kjo qeveri duhet të shkarkohet me mocionin e propozuar nga AAK dhe se në fillimin e punës së Kuvendit në shtator, kanë kërkuar që sesioni i punës të nis me një seancë të jashtëzakonshme dhe pikë e vetme të jetë mocioni për shkarkimin e Qeverisë.