ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Kosova e Ukraina i takojnë BE-së, e përbashkëta jonë është se i kemi fqinjët agresivë

    Kurti: Kosova e Ukraina i takojnë BE-së, e përbashkëta jonë është se i kemi fqinjët agresivë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ngjashmëritë e Kosovës dhe Ukrainës janë në atë se të dyja vendet i takojnë Bashkimit Evropian.

    Përveç aspiratës në BE, Kurti tha se Kosova e Ukraina e kanë edhe një të përbashkët – të dyja vendet kanë fqinj verior të cilët janë agresivë dhe nuk duan të ballafaqohen me të kaluarën.

    “Por në të kundërtën duan që të kenë të gjithë apo së paku një pjesë të territorit tonë. Në anën tjetër Moska e Beogradi janë të lidhura në mes vete në mënyrë direkte, dhe këto lidhje janë në sektorin energjik, kulturor e historik por po ashtu edhe në aktivitete ushtarake”, tha Kurti për median polake “TVP World”.

    Tutje, Kurti tha se politikani më prorus në Serbi është Aleksandar Vulini, dhe këto lidhje mes Beogradit e Kremlinit, sipas tij, e bëjnë edhe më tepër të njëjtë situatën e Kosovës dhe Ukrainës.

    “Serbia nuk është Rusi, ne e kemi NATO-n në Kosovë. Serbia do të dështojë. Ne kemi arritur marrëveshje për de-eskalim në veri dhe kemi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila në qendër ka njohjën de-facto”, tha ai.

  • Jasharaj: Mësimdhënësit të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore

    Jasharaj: Mësimdhënësit të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj ka kërkuar nga të gjithë mësimdhënësit që të mos largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë tekste shkollore.

    Jasharaj në tryezën e organizuar nga AAK, ku po diskutohet për tekstet shkollore, tha se ka disa zëra që disa mësimdhënës po u bëjnë presion nxënësve lidhur me tekste shkollore, transmeton Telegrafi.

    “Paska ndonjë mësimdhënës që po iu bën presion nxënësve, që nëse nuk kanë tekste shkollore se do t’ largojnë nga ora. Të bëjmë apel, që mësimdhënësit e Kosovës të mos i largojnë nga klasa nxënësit që nuk kanë mjete shkollare. Uroj të mos kemi situata të tilla më”, u shpreh ai.

    Gjatë diskutimit, Jasharaj tha se ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci po vazhdon të mbajë inat ndaj SBASHK-ut, duke mos i takuar që shtatë muaj.

    “Ta ngrisni zërin, jo për tekstet por për arsimin, gjithë këto të meta po ndodhni pasi që Nagavci është duke mësuar qasjen e gabuar të kryeministrit Kurti, që t’i nënçmojë sindikatat dhe të mos flas me ta. Masht nuk po na pyet asgjë, ka shtatë muaj që Nagavci nuk na takon dhe gjuan fjalë nga anash”, tha mes tjerash ai.

  • Rama njofton se Komuna e Prishtinës do të ndajë 155 pako shkollore për nxënësit e komunitetit RAE

    Rama njofton se Komuna e Prishtinës do të ndajë 155 pako shkollore për nxënësit e komunitetit RAE

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka njoftuar se Zyra për Komunitete dhe Kthim në kuadër të kryeqytetit ka përgatitur 155 pako me material shkollor dhe didaktik për nxënësit e komuniteteve RAE.

    Rama ka thënë se kryeqyteti do të vazhdojë promovimin e politikës gjithëpërfshirëse për të mos e lënë askënd mbarpa.

    “Zyra për Komunitete dhe Kthim e Kryeqytetit ka bërë të gjitha përgatitjet për shpërndarjen e 155 pakove me material shkollor/didaktik për nxënësit e komuniteteve Rom, Ashkalinj dhe Egjiptian.

  • Hong Kongu “paralizohet” nga vërshimet

    Hong Kongu “paralizohet” nga vërshimet

    Reshjet rekord kanë bllokuar pjesën më të madhe të Hong Kongut të premten, me përmbytje të shpejta që mbuluan stacionet e metrosë dhe bllokuan shoferët në rrugë, pasi autoritetet pezulluan shkollat dhe kërkuan nga publiku të kërkojnë strehim të sigurt.

    Fotot dhe videot treguan banorët që kalonin nëpër ujërat e errëta, ndërsa shiu i dendur vazhdonte të përmbyste qytetin me popullsi të dendur prej 7.5 milionë banorësh. Në disa zona të ulëta, rrugët u shndërruan në përrenj, ndërsa autoritetet u detyruan të shpëtonin shoferët e bllokuar në automjetet e tyre, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Përmbytja filloi natën e vonë të së enjtes ku u regjistruan më shumë se 158 milimetra (6.2 inç) shi midis orës 23:00 dhe mesnatës. Këto ishin reshjet më të mëdha që nga fillimi i regjistrimeve të reshjeve të shiut në vitin 1884, tha qeveria në një njoftim për shtyp.

    Kushtet ekstreme kapën shumë banorë në befasi dhe erdhën vetëm disa ditë pasi Hong Kongu u godit nga tajfuni më i fortë në pesë vjet.

    Tajfuni Saola, fillimisht një super tajfun, u dobësua në ekuivalentin e një uragani të kategorisë 2 ndërsa arriti në Hong Kong fundjavën e kaluar – por ishte ende mjaft i fuqishëm për të mbyllur qytetin dhe për të shkaktuar qindra anulime fluturimesh. Tetëdhjetë e gjashtë persona u plagosën nga tajfuni, tha qeveria.

    Përmbytja e së premtes përsëri shkaktoi ndërprerje të gjera të transportit dhe biznesit në të gjithë qendrën financiare, me tregun e aksioneve që anuloi tregtimin në mëngjes dhe të gjitha shkollat u mbyllën për ditën.

  • Lansohet platforma: Linku ku mund të aplikoni për subvencionim të energjisë

    Lansohet platforma: Linku ku mund të aplikoni për subvencionim të energjisë

    Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është lansuar forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cënueshme, derisa ka publikuar edhe linkun ku mund të aplikohet.

    Murati u ka bërë thirrje aplikuesve që të sigurohen se të dhënat janë të sakta, sidomos shifra e konsumatorit, meqë siç ka thënë subvencioni do të bëhet direkt në faturë.

    Sipas tij, nga kjo mund të përfitojnë të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim.

    “Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”, ka shkruar Murati.

    Murati ka thënë se shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kËh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.

    “Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kËh/vit për anëtar. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kwh/vit/anëtar”, ka deklaruar Ministri.

    Për familjet që nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, Murati ka thënë se mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

    Ky është linku ku mund të aplikoni

  • Bie ashensori, lëndohen rëndë dy persona në Gjakovë

    Bie ashensori, lëndohen rëndë dy persona në Gjakovë

    Dy persona kanë pësuar lëndime trupore të enjten mbrëma pasi u këput kavo e ashensorit në një objekt banesor në Gjakovë.

    Ashensori kishte rënë në bodrumin e banesës, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Gjakovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Elezaj tha se fëmijët nuk janë lënduar.

    “Rreth orës 21:15 është këputur kavo e një ashensori në një objekt banesor në Gjakovë. Ashensori ka rënë në bodrum. Dy persona kanë pësuar fraktura. Në ashensor kanë qenë katër persona, prindërit dhe dy fëmijë të vegjël (foshnja)”, ka thënë Elezaj.

    Për këtë rast është arrestuar një person, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Sondazhi: Trump mund të rimarrë pushtetin

    Sondazhi: Trump mund të rimarrë pushtetin

    Presidenti i SHBA, Joe Biden po përballet me rënie të popullaritetit, ndërkohë që synon një mandate të dytë në krye të shtëpisë së Bardhë.

    Gjysma e amerikanëve mendojnë se çdo kandidat republikan do të ishte një president më i mirë se sa Biden për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.

    Konfirmimi vjen nga një sondazh i fundit i publikuar nga media prestigjioze CNN.

    Jopopullariteti i Bidenit mund t’i japë Trumpit mundësinë e tij për të rimarrë pushtetin.

    Sipas të dhënave, performanca e Biden në detyrë është tepër negative: Vetëm 39 përqind miratojnë punën e tij dhe 58 përqind thonë se politikat e 80-vjeçarit kanë përkeqësuar kushtet ekonomike në Shtetet e Bashkuara.

    Qytetarët amerikanë shprehin shqetësim edhe për moshën e presidentit, me një shumicë të madhe që e konsiderojnë atë të paaftë nga ana fizike dhe mendore për të përfunduar dhe një mandat tjetër në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.

    Ndërkohë, 61 për qind e amerikanëve besojnë se Biden është përfshirë në problemet ligjore të të birit. Sipas sondazhit të CNN, 42 për qind mendojnë se presidenti veproi në mënyrë ilegale, ndërsa 18 për qind thanë se veprimet e Biden ishin pa etikë profesionale.

    Shifrat nuk janë pozitive as brenda partisë së kreut të Shtëpisë së Bardhë. 67 për qind e demokratëve preferojnë një kandidat tjetër për garën presidenciale në vend të Biden.

  • ​Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri

    ​Policia: Komuna s’ka kërkuar asistencë për largimin e strukturave paralele nga objekti në veri

    Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani tha se komuna nuk ka kërkuar ende asistencë për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve.

    Ai tha para mediave se janë të gatshëm qe të ofrojnë asistencë, pavarësisht orës.

    “Është e vërtetë që herën e kaluar e kemi pasur një kërkesë për asistencë dhe ne kemi qenë të gatshëm të asistojmë. Kësaj radhe deri në këtë moment kur flas me juve nuk kemi kërkesë për asistencë. Sidoqoftë ne jemi të përgatitur që në qoftë se kërkohet asistenca, ne ta ofrojmë të njëjtën. Ne nuk e kemi problem, sepse kemi krijuar përvojë tash në pjesën veriore për intervenime. Por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”, tha Elshani.

    Ai shtoi se nuk ka njohuri për ultimatumin që i është dhënë nga komuna këtyre strukturave.

    “Nuk kemi njohuri se çfarë ultimatumi ka pasur, deri kur kanë pasur afat komuna, në çfarë kohë kanë dhënë afat. Ne nuk e kemi atë informatë. Atë çka e di është se në momentin që nga ana jonë do të kërkohej asistenca ne jemi të gatshëm ta ofrojmë”, shtoi ai.

    Ai para mediave foli edhe për aksionin e njësive policore në një fabrikë, në afërsi të Zubin Potokut.

    “Normaliteti është duke u kthyer sa i përket institucioneve, agjencive të ndryshme në veri të Kosovës. Ne kemi asistuar AKP-në, e kemi asistuar sot. Nuk është diçka e jashtëzakonshme kjo. Ne kemi pranuar një kërkesë për asistencë nga ana e AKP-së, para disa ditëve dhe ne sot kemi ofruar asistencën tonë. Kanë qenë njësitë e veriut që kanë asistuar në atë vend…Sipas AKP-së, ata kanë pronë aty dhe kanë shkuar të vizitojnë pronën e vet dhe të evidentojnë disa pajisje që janë aty. Në fakt është hera e dytë që kemi ofruar asistencë në atë vend aty, sepse herën e parë kur kanë shkuar ka, qenë e mbyllur dhe sot kanë kërkuar ta hapin me forcë. Ajo është hapur dhe verifikuar nga ana e AKP-së dhe është kryer procedura me ta”, deklaroi ai.

    Elshani nuk ka dhënë detaje sa i përket hetimeve në rastin ku është gjetur armatim para disa ditëve, me arsyetimin se nuk duan ta dëmtojnë procesin e hetimeve. /kp

  • Presidentja e uron ngrohtë Pendarovskin për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

    Presidentja e uron ngrohtë Pendarovskin për Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

    Presidentja Vjosa Osmani ka uruar homologun e saj nga Maqedonia e Veriut, Stevo Pendarovski, si dhe popullin e këtij vendi për Ditën e Pavarësisë.

    Osmani tha se pret që të punojnë bashkë për t’i ngritur marrëdhëniet mes dy shteteve.

    “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Presidentit Stevo Pendarovski dhe miqve tanë në Maqedoninë e Veriut. Mezi pres të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta çuar partneritetin tonë në lartësi të reja dhe për të kontribuar së bashku për një të ardhme më të ndritshme euroatlantike për të dyja vendet tona demokratike”.

    Në vendin fqinj, ditë më parë kishte shkuar për vizitë jozyrtare kryeministri Albin Kurti, i cili në komunën me shumicë shqiptare të Tetovës u prit me tubim. Vizita dhe fjalimi i tij aty nxitën reagime në Maqedoninë e Veriut, derisa pat edhe akuza ndaj Kurtit se po ndërhyn në punë të brendshme të këtij shteti. Po ashtu, edhe prezenca e një flamuri “Autochthonous” çoi në komente të tilla që po nxitet një retorikë e “Shqipërisë së Madhe”.

    Maqedonia e Veriut feston Ditën e Pavarësisë më 8 shtator. Kjo ditë ka qenë festë kombëtare që nga viti 1991, kur, pas një referendumi për pavarësi, Maqedonia fitoi pavarësinë e saj nga Jugosllavia, ku ishte një shtet federal dhe u bë një demokraci sovrane parlamentare.

  • ​AAK numëron gjetjet në terren për çështjen e librave shkollor

    ​AAK numëron gjetjet në terren për çështjen e librave shkollor

    Vendimi i Ministrisë së Arsimit për sigurimin e teksteve shkollore është i kundërligjshëm, shuma e ndarë 50 euro për libra dhe 30 euro për pajisje tjera shkollore, nuk është e mjaftueshme, aplikimi po del të jetë problematik, e tekstet e vjetra shumica janë të papërdorshme. Këto janë disa nga gjetjet në terren e grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Grupi parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me ‘gjendjen e rëndë në vend’, bashkë me disa Drejtori të Arsimit dhe SBAShK-un, po mbajnë një tryezë që për temë ka situatën në arsim pas vendimit të fundit në lidhje me sigurimin e teksteve shkollore. Aty janë prezantuar disa nga të gjeturat qe kanë hasur në terren nga fillimi i vitit shkollor.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky vendim nga MAShT-it, është shqetësues dhe i gabuar. Sipas tij, kjo formë e pajisjes me libra i kushton shtetit 12 milionë, ose mbi gjashtë milionë euro më shumë se viteve të kaluara.

    “Disa shqetësime lidhur me arsimin i kemi ndarë të gjithë, statusi financiar i mësimdhënësve, është vështirë të kërkohet cilësia e angazhimeve nëse nuk ka trajtim financiar për mësimdhënësit. Kemi shpresuar se Qeveria do ta bëjë një zgjidhje duke i ngritur pagat, dhe na ka ardhë keq se në kohën e grevës, trajtimi nuk ka qenë meritor. Jemi të shqetësuar me situatën me tekstet shkollore, nuk kemi deshtë të ndërhymë në marrëdhënien me mësimdhënës, prindër e fëmijë, sikur të kishte ndodh një ofertim i drejtë e me kohë. Në mënyrën si po implementohet sot, shpërndarja e tekstit e kalon 12 milionshin, 6 deri në 8 milionë është kostoja më e shtrenjë, më së paku 6 milionë më shtrenjtë. Ekziston rreziku që fëmijëve t’i mungojnë tekstet gjatë gjithë vitit shkollor, kush e garantoj që të gjithë fëmijët i kanë tekstet. Ju bëjë thirrje qytetarëve të bëni kujdes, t’i siguroni tekstet, jo të vonoheni e të vendosni në plan të dytë, për shkak se pasojat janë të mëdha në procesin e nxënies së dijes”, tha Haradinaj.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj derisa ka ngritur disa nga shqetësimet që po përballen mësimdhënësit, shtoi se vendimi i MAShT-it për sigurimin e teksteve shkollore po rezulton të jetë problematik.

    “Lajmi parë ishte kogja i keq por i dyti ishte i tmerrshëm. Nëse qeveria Kurti nuk paska mjete për laptop e projektorë për shkolla që t’i ngjajmë shekullit XXI, konsideroj se tekstet shkollore është dashur të jenë të reja nga klasa një deri tek e nënta. Dhe deklarata e Nagavcit ishte skandaloze kur tha se po e ruajmë buxhetin e Kosovës, harronte që librat janë në librari e do e rrisin çmimin. Dhe e lus Haradinaj që ta ngritni zërin në Parlament për arsimin në tërësi dhe jo vetëm për tekstet. Ka shtatë muaj që Nagavci mban inatin në greva e nuk na takon. Paska ndonjë mësimdhënës që po bënë presion që nuk kanë tekste, dhe iu kisha lutur që të keni kujdes për këta nxënës që nuk kanë tekste, sepse ata nuk janë fajtor. Shqetësim tjetër është se po përballemi me punëtorë arsimorë me sëmundje të rënda, këta po duhet të shkojnë në shkollë për të ruajtur vendin e punës e pagën, duhet t’iu ndahet një buxhet dhe në vend të tyre të aktivizohen kuadro të reja”, tha Jasharaj.

    Ndërkaq, kryetari i grupit parlamentar në këtë parti, Besnik Tahiri ka prezantuar disa gjetje që kanë hasur nga fillimi i vitit shkollor.

    “Ajo që ne kemi si gjetje të parë është se ky vendim është i kundërligjshëm, që bie ndesh me ligjin që iu garanton nxënësve që tekstet shkollore të jepen falas. Shuma 50+30 për fletore nuk mjafton, vetëm për klasën e parë janë mbi 70 euro që kushtojnë tekstet shkollore, gjetjet që ne kemi, është se aplikimi për një numër të madh të qytetarëve është i vështirë, dhe për rrjedhojë ka probleme në kërkesën që Qeveria e ka bërë me këtë vendim të kundërligjshmen. Tekstet e vjetra shumica e tyre janë të papërdorshme, që nënkupton se prindërit sërish po shkojnë të blejnë tekste të reja, një numër i teksteve të vjetra as nuk është në shkolla për shpërndarje. Derisa është bërë një javë prej kur ka filluar mësimi shumica dërmuese e shkollave nuk i kanë kompletuar të gjitha tekstet. Një numër i caktuar i familjeve, kanë probleme serioze me xhirollogari, për shkak se disa janë të bllokuara e disa kanë obligime në banka, dhe ajo shumë merret pastaj, një numër as nuk kanë të hapura. Cili është instrumenti që garanton një prind që ai prind nuk i qon në destinacione tjera”, tha Tahiri.

    Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumonva-Baçi ka shprehur sfidat që po përballet kjo komunë në këtë drejtim.

    Baçi tha se rreth 45 për qind e nxënësve deri tashmë në këtë komunë janë pa libra. E njëjta shtoi se shqetësuese është edhe fakti që ka prindër të pandërgjegjshëm nga diaspora që po aplikojnë t’i marrin paratë, siç tha ajo po shfrytëzojnë nga rasti.