Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë sot (e shtunë) në rrjete sociale pamje nga lumi Vjosa, për të cilin tha se dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse.
“Nga Vjosa, i vetmi Park Kombëtar i një lumi të egër në Europë, që dhuron eksperienca të paharrueshme dhe peizazhe mbresëlënëse, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkroi Rama sipër videos në Facebook.
Lumi Vjosa fillon kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.
Në 13 mars lumi i Vjosës, u shpall nga Qeveria e Shqipërisë “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.
Udhëheqësit e njëzet ekonomive më të fuqishme të botës filluan sot takimin e tyre vjetor në New Delhi duke i dhënë përparësi anëtarësimit të përhershëm të “Bashkimit Afrikan”.
Por, blloku mbetet thellësisht i ndarë në lidhje me luftën në Ukrainë, ku vendet perëndimore këmbëngulin për dënime më të ashpra ndaj Rusisë, ndërsa të tjerët kërkojnë që grupi të fokusohet në çështje më të gjera ekonomike.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe liderë të tjerë të G20 u dërguan nëpër rrugët e shkreta në qendrën e re të kongresit në Bharata Mandapam, i cili ka kushtuar 300 milionë dollarë ndërsa samiti do të zgjatë dy ditë.
Sipas një draft deklarate nga samiti, negociatorët nuk arritën të zgjidhnin mosmarrëveshjet rreth luftës në Ukrainë, duke i lënë udhëheqësit të arrijnë një kompromis nëse është e mundur, raporton bbc.
Rusia përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, i cili ka thënë se do të bllokojë deklaratën përfundimtare nëse ajo nuk pasqyron qëndrimin e Moskës për Ukrainën.
Një burim i tha Reuters se deklarata e përbashkët mund ose nuk mund të arrijë marrëveshje unanime. Ai mund të përmbajë artikuj të ndryshëm që deklarojnë pozicionet e vendeve të ndryshme. Ose ai mund të regjistrojë marrëveshjen dhe mosmarrëveshjet në një paragraf të vetëm.
Sipas një burimi tjetër të rangut të lartë, deklarata për luftën kundër Ukrainës u ra dakord nga vendet perëndimore dhe u dërgua në Rusi për mendimin e saj. Zyrtari tha se Rusia mund të pranojë qëndrimet e vendeve perëndimore dhe të shprehë mospajtimin si pjesë e deklaratës.
Në mungesë të një marrëveshjeje, India do të duhet të lëshojë një deklaratë të kryetarit, e cila do të thotë se G20 nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët për herë të parë në 20 vjet samitesh.
Një zjarrfikës është lënduar ditën e premte në Rahovec, derisa ishte duke tentuar ta shuaj zjarrin në një pyll.
Zjarrfikësi i lënduar po trajtohet në Spitalin e Gjakovës, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 19:00.
“Raportohet se nga persona të pa njohur i është vënë zjarri pyllit të fshatit. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Gjatë tentimit për shuarjen e zjarrit, një zjarrfikës ka pësuar lëndime dhe është duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës. Nuk dihet vlera e dëmit të shkaktuar”, njofton Policia.
Shkon në 632 numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7 që ra në Maroko dhe 322 raportohen të plagosur.
Bilanci i cili ndryshon minutë pas minute është raportuar së fundi nga televizioni shtetëror vendas, i cili citon ministrinë e Brendshme.
Sipas kreut të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës në Marok tërmeti i së shtunës është më i forti në një 120 vjet në vend. Ai shtoi se epiqendra e tërmetit ishte rajoni al-Haouz në jugperëndim të Marokut.
Lëkundjet e tërmetit u regjistruan në 23:11 të së premtes së 8 shtatorit dhe zgjati rreth 30 sekonda, duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Muret historike të Marrakehut, të ndërtuara në fillim të shekullit të 12-të, janë dëmtuar. Disa shtëpi janë shembur, në sheshin Jamaa el Fna u shemb minarja e një xhamie të vogël pranë “Café de France” historike. Mijëra vetë në panik u derdhën në rrugët e qytetit të ri të Marrakech dhe në rrugicat e Medinës. Për një kohë të gjatë mungonte energjia dhe lidhja me internetin.
Ndërkohë Qendra Rajonale e Transfuzionit të Gjakut në Marrakesh ka bërë thirrje për dhurim gjaku për viktimat e tërmetit vdekjeprurës.
Institucioni u bëri thirrje të gjithë njerëzve në qytetin e Marrakeshit që të vijnë në qendër për të dhuruar gjak, duke filluar nga mëngjesi i së shtunës.
Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person në Junik, pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht babanë dhe vëllain e tij.
Rasti ka ndodhur ditën e premte, rreth orës 22:30.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, kishte sulmuar fizikisht babanë dhe vëllain. Viktimat kishin refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
ÇPolicia e Kosovës ka bërë të ditur se për shkak të garave ndërkombëtare çiklistike do të ketë bllokim apo ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa rrugë dhe autostrada.
Policia njofton se sot do të ketë bllokim të disa rrugëve nga ora 11:00 deri në ora 15:00, transmeton Telegrafi.
“Etapa e tretë: më datë 09.09.2023, prej orës 11:00 deri 15:00, gara do të fillojë nga Hani i Elezit – Kaçanik-Ferizaj – Bardhosh (Gazimestan te Unaza) – Fushë Kosovë (Tranzit)- Komoran – Kroni Mbretit – Malishevë-Suharekë-Prizren – Morinë (kufiri me Shqipërinë) ku edhe është përfundimi garës (5 km afër kufirit Morinë) me gjatësi të përgjithshme 157.5 km”, ka njoftuar Policia.
Gjatë kësaj kohe, parashihet që të ketë bllokim/ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në akse rrugore/autostrada (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë të tjera alternative.
Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohën sa do të jenë duke u zhvilluar garat.
“Andaj, qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme”, thuhet në njoftim.
Pas shtatë goditjeve me thikë, 24-vjeçari Bajram Qeli mbeti i vdekur, pikërisht në këtë rrugë të qytetit në Ferizaj.
E sërish pas 3 vitesh, prokuroria doli në vendin ku ndodhi ngjarja për t’i nisur hetimet nga e para.
Ani pse procesi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj përfundoi në korrik të viti të kaluar, ku i akuzuari kryesor Leonit Muhaxheri u dënua me 17 vjet burg, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.
Andaj sot nga prokuroria u bë rikonstruimi i vendit ku ndodhi vrasja.
Për babain e 24-vjeçarit kjo nuk ishte fare e lehtë, megjithatë ai shpreson që kësaj radhe dënimi për të akuzuarit të jetë më i lartë.
“Sikur sot, sikur para 3 vitesh që ndodh ma rond nuk ka. Po urojmë që kësaj radhe me pasë dënim meritor…”, tha babai i Bajram Qelit, Ajet Qeli.
E në rigjykim, avokati i familjes së të ndjerit pret që prokuroria ta ndryshojë aktakuzën.
“Prokuroria nuk e ka akuzuar askënd për armëmbajtje pa leje, dy të akuzuarit kanë iniciuar këtë rast, por prokuroria i ka akuzuar vetëm për pjesëmarrje që është plotësisht e padrejtë, sepse ata kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në rast, po ashtu, e ka akuzuar vetëm një person për vrasje të rënë e që edhe të tjerët janë në bashkëkryerje në vrasje të rëndë”, tha avokati i familjes së viktimës, Naim Rudari.
Sipas aktakuzës së prokurorisë së Ferizajt, më 4 shtator 2020, pas një mosmarrëveshje, Leonit Muhaxheri, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Bajram Qeli.
Gjykata e dënoi Muhaxherin me 17 vjet burgim për vrasje të rëndë, Albin Baliun e Eugen Bajraliun me nga dy vjet burgim për pjesëmarrje në rrahje. Ndërkaq, Mërgim Atanasova për dhënien e ndihmës në vrasje, ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 7 muajsh, ndërsa Rinor Jashari, i akuzuar për kanosje dhe moslajmërim të veprave apo kryesve, me 5.500 euro gjobë.
Pavarësisht nga përvoja, gjyqtarët gjatë një viti kalendarik janë të obliguar të marrin pjesë në trajnime.
Një gjyqtar me 20 vjet përvojë, sipas rregullores së Këshillit Gjyqësor, obligohet t’i ndjekë të paktën 10 orë trajnim.
Por, Asambleja e Kryetarëve të Gjykatave i ka rekomanduar KGJK-së që ta ndryshojë këtë rregullore dhe që gjyqtarët të mos e kenë të obligueshme pjesëmarrjen në trajnime.
Kryetari i Gjykatës Supreme, që kryeson këtë asamble, thotë se ndryshimi i rregullores do t’ua mundësojë gjyqtarëve që të marrin pjesë vetëm në ato specifike.
Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se trajnimet në specializimin e gjyqtarëve do të ndikonin në administrimin e seancave gjyqësore, e trajtimit të rasteve.
Përveç në trajnime, gjyqtarëve u është rekomanduar edhe reduktimi i pjesëmarrjes nëpër grupe punuese.
Ndërsa, trajnimet pritet të jenë të obligueshme për administratën e të gjitha gjykatave në vend.
Që nga paslufta, Reparti i Pediatrisë në Mitrovicë funksionon brenda objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe jo në objektin e spitalit të qytetit. Edhe aty ekipi mjekësor i nivelit sekondar, po përballen me kushte tejet të këqija të punës.
Përpos infrastrukturës së dobët, shërbimet shëndetësore për fëmijët ofrohen në vetëm një dhomë me shtatë shtretër.
“Kushtet infrastrukturore janë tmerr, institucionet duhet me rregullu më pediatrinë e re pasi, që këtu s’ka as hapësirë”, thotë një prind.
Gjersa stafi mjekësor së bashku me pacientët përballen me këto vështirësi, ka më shumë se 6 vjet që objekti i ri i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës ka përfunduar së ndërtuari, e as pas kaq kohe nuk është funksionalizuar.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Fahri Shabani, për këtë situatë fajëson institucionet e nivelit qendror.
“Puna jonë është duke shkuar shumë vështirë, pavarësisht asaj se ai repart menaxhohet nga SHSKUK-ja e MSH-ja, po na vështirësohet puna neve se s’kemi mjaft hapësirë edhe infrastruktura aty është shumë e dobët. Bëj kërkesë te këto dy institucione që sa më shpejt të jetë e mundur që objekti i pediatrisë te spitali të lëshohet për përdorim, meqenëse këtu në objektin tonë të vjetër shërbimet pediatrike është vështirë të operojnë, meqë s’ka as hapësirë e asgjë në nivel”, tha drejtori i Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani.
Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmes një përgjigje me shkrim, i kanë thënë ATV-së se funksionalizimi i objektit të ri pritet të bëhet në fund të vitit.
“Ministria e Shëndetësisë ka bërë vlerësim rreth gjendjes së Repartit të Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës dhe është vlerësuar se mbi 500.000 euro nevojiten për investim deri në funksionalizimin e këtij reparti. Është bërë projektimi dhe pritet që të bëhet publikimi i aktivitetit të prokurimit, për kryerjen e punimeve. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ShSKUK-në ka hartuar dhe ka finalizuar planin e veprimit në përputhje me raportin e vlerësimit të lartpërmendur. Në bazë të Planit të veprimit të Divizionit të Infrastrukturës në MSh, ky projekt pritet të finalizohet në fund të dhjetorit të këtij viti”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë.
Vlera totale e ndërtimit të Pediatrisë së re në Mitrovicë kalon mbi 1 milion euro.
Në maj të vitit të kaluar kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar që shumë shpejt do të dorëzoj aplikacionin për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s.
Por më shumë se një vit pas, nuk është ndërmarrë asnjë hap tutje në këtë drejtim.
Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci mos anëtarësimin në këtë program që ofron kornizë politike për bashkëpunim me NATO-n, nuk e konsideron dështim të Qeverisë.
Maqedonci thekson se pengesë janë vendet anëtare që nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Ish komandanti i Fsk-së Kadri Kastrati thotë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete të plota të jetë anëtare, por sipas tij Ministria duhet të ndërmarrë disa hapa.
Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete, përfshirë Shqipëria, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas NATO-s, ky program që është krijuar në vitin 1994, ka për qëllim të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.