ATV

Category: Lajme

  • Takimi Kurti-Vuçiq, njohësit presin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

    Takimi Kurti-Vuçiq, njohësit presin zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit

    Takimi i nesërm (e enjte) në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq po konsiderohet nga njohësit politikë si një mundësi e mirë për të zhbllokuar procesin e dialogut. Sipas tyre, të dy palët, por veçmas Serbia duhet të zotohet për zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

    Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë hapin e madh në takimin e 14 shtatorit për të ecur përpara në dialog.

    “Dialogu është bllokuar dhe situata në veri i ka ndihmuar shumë këtij bllokimi. Tash takimi i 14 shtatorit shihet si një mundësi e mrekullueshme për të zhbllokuar këtë gjendje dhe për të shkuar përpara. Nëse vazhdojmë me këtë tempo dhe këtë largim dhe zgjerim të hendekut mes palës kosovare asaj serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, atëherë nuk do të ketë asnjë pikë optimizmi që dialogu të përfundojë me sukses”, thotë ai.

    Më skeptik për takimin e nesërm (e enjte) është analisti tjetër Seb Bytyçi, i cili thotë për KosovaPress se nuk pret që të ketë progres të madh duke parë qëndrimet e deritanishme të dy palëve.

    “Sa i përket takimit nuk pres që të ketë ndonjë përparim të madh, por pres që të diskutohen çështjet madhore sikurse edhe ato konkrete që kanë të bëjnë me veriun. Mund të presin një ri-përkushtim për mbajtjen e zgjedhjeve por nuk besoj se mund të pritet një pajtim për çështje madhore”, thekson Bytyçi.

    Në anën tjetër, analisti Muhaxhiri kërkon një dinamik të re në procesin e dialogut për zbatimin e ujdive ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Pas takimit të Ohrit është pritur që të ketë një dinamizëm shumë më të madh të dialogut, pasi është konsideruar si një arritje e madhe politike. Por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur kështu dhe tani duhet të gjenden mënyra që të rikuperohet situata dhe të rigjenerohen pozicionet dhe të kemi një rikthim në trajektoren që është planifikuar. Pra duhet të kemi efekte konkrete pozitive, duhet të ketë ndryshime të prekshme, pasi pa këto ndryshime dhe pa këta hapa konkret nuk mund të ketë shpresë për ndonjë përfundim të dialogut”, shton Muhaxhiri.

    Bashkimi Evropian të martën ka publikuar agjendën e takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, fillimisht palët do të kenë takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe emisarin për dialog, Miroslav Lajçak dhe pastaj do të jetë takimi trepalësh.

    Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj të këtij viti, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Ndërkaq vendosja e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale në veri është kundërshtuar përmes protestave në veri, e cila kulmoi me 29 maj me lëndimin e disa ushtarëve të KFOR-it.

    Institucionet kosovare kanë miratuar Udhëzimin Administrativ që do të mundësojë shkarkimin e kryetarëve në veri përmes peticionit. Mirëpo bashkësia ndërkombëtare vazhdon të insistojë se zgjidhja më e mirë për shpalljen e zgjedhjeve në veri është dorëheqja e kryetarëve atje./KP

  • Maliqi për unazën e Prishtinës: Niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë

    Maliqi për unazën e Prishtinës: Niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë

    Analisti Agon Maliqi, është pëfshirë në debatin që po bëhet për projektin e unazës së Prishtinës, të cilën sipas zyrtarëve komunalë, ky projekt po bllokohet nga Qeveria.

    Ai ka thënë se niveli qendror e ka borxh që Prishtinës një projekt të tillë.

    Maliqi ka bërë thirrje që deputetët nga Prishtina në Kuvendin e Kosovës duhet të jenë më të zëshëm për këtë projekt.

    “Nuk i njoh detajet për projektin e unazës së Prishtinës, por niveli qëndror ia ka kryeqytetit borxh një projekt të tillë të përmasave të mëdha që kish me e çliru prej makthit të trafikut, ndotjes dhe kaosit urban. Zona metropolitane e Prishtinës është kontribuesi bindshëm më i madh i taksave në buxhetin qëndror dhe nuk i kthehet aq sa i takon. Prishtina gjithashtu e ka barrën infrastrukturore për shumë shërbime të nivelit qëndror (me rezultat kaosin e lartpërmendur). Deputetët e Prishtinës në Kuvend (prej cilësdo parti) do të duhej të ishin më të zëshmit për këtë punën e unazës nëse duan të kenë fytyrë të kërkojnë votë herëve të tjera.” – ka shkruar Maliqi në Facebook.

  • PDK për udhëzimin administrativ: Antiligjor, na duhen 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Kushtetuese

    PDK për udhëzimin administrativ: Antiligjor, na duhen 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Kushtetuese

    Para disa ditësh, MAPL ka hartuar Udhëzimin Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve nga funksioni. Ky udhëzim nisi të përpilohej si opsion favorit i krerëve të shtetit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, mirëpo më pas ministri Elbert Krasniqi njoftoi se ai do të vlejë për të gjitha komunat. Lidhur me këtë, nga PDK kanë thënë se janë duke parë të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, mirëpo shtojnë se u nevojiten 30 nënshkrime për ta dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.

    Më 23 prill u mbajtën zgjedhjet në katër komunat veriore, të cilat u bojkotuan nga partitë dhe qytetarët serbë. Si pasojë, në Veri pati tensione, për uljen e të cilave, një nga hapat është shpallja e zgjedhjeve. Për t’i evituar dorëheqjet, pushteti përmendi peticionin, për çka MAPL hartoi një udhëzim administrativ, i cili nga njohës të çështjeve juridike po konsiderohet si në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

    Për këtë çështje, ka folur anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi. Ai vlerëson se udhëzimi administrativ është “tepër i dobët, antiligjor dhe antikushtetues”.

    Gjoshi i tha Gazetës Express se udhëzimi administrativ është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është KQZ.

    “Ekipi i ekpertëve në Partinë Demokratike të Kosovës e ka lexuar me kujdes dhe e ka analizuar udhëzimin administrativ që e ka përgatitur qeveria Kurti përmes së cilit synon shkarkimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vebdit. Së pari, ky udhëzim administrativ është tepër i dobët, pastaj së dyti është anti-ligjor dhe anti-kushtetues. Kjo sepse ky udhëzim është përpjekje për ndërhyrje direkte në institucione të pavarura që në këtë rast është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Gjoshi.

    Më tutje ai tha se janë duke i shqyrtuar mundësitë ligjore që ta kundërshtojnë, pasi shton se është precedant i rrezikshëm për Kosovën.

    Mirëpo ai sqaron se për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nevojiten 30 nënshkrime.

    Me hartimin e këtij udhëzimi administrativ, sipas Gjoshit është dëshmuar se Qeveria janë amaterë dhe nuk kanë njohuri e as kompetencë për një gjë të tillë.

    “Ne jemi duke i përcjell këto zhvillime lidhur me komunat në veri të vendit dhe po shohim të gjitha mundësitë ligjore që ta kundërshtojmë sepse ky udhëzim administrativ është precedan i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Por, siç e dini, për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, neve na nevojiten edhe nënshkrimet e deputetëve të partive tjera opozitare pasi që duhen 30 nënshkrime. Por një gjë është e sigurt, ky udhëzim është anti-ligjor, është anti-kushtetues dhe është i pa zbatueshëm. Kjo qeveri edhe në këtë rast ka dëshmuar se janë amaterë dhe nuk kanë as njohuri e as kompetencë për ta shkruar një udhëzim administrativ e lëre më diçka më shumë”.

    Ilir Peci e Izmir Zeqiri pro dorëheqjeve, kundër peticionit

    Partia Demokratike e Kosovës ka arritur t’i fitojë dy komuna në Veri pas zgjedhjeve të 23 prillit, ku dalja e qytetarëve ishte tejet e ulët.

    Izmir Zeqiri në Zubin Potok e Ilir Peci në Zveçan, janë duke ushtruar detyrën e tyre si kryetarë nga objekte alternative.

    Por për largimin e tyre dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja, për ta hap më i mirë është dorëheqja vullnetare përmes një marrëveshje politike me Kurtin.

  • ​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

    ​FAO shpërndan kuponë me nga 300 euro për fermerët e Rahovecit

    Organizata për Ushqim dhe Bujqësi (Food and Agriculture Organization – FAO), financuar nga Qeveria e Zvicrës, ka ndihmuar fermerët e Komunës së Rahovecit të cilët janë prekur nga vërshimet e muajit janar të këtij viti.

    FAO ka shpërndarë për 91 fermerë nga një kupon me nga 300 euro, të cilët do të mund t’i shfrytëzojnë për kompensimin e dëmeve nga janari i këtij viti.

    Fermerët këta kuponë do të mund t’i shfrytëzojnë nga sot kur i janë dhuruar deri me datën 5 nëntor.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se këto ndihmesa janë të nevojshme për fermerët rahovecianë.

    “Ne sot flasim për një ndihmesë pak simbolike por që është e nevojshme , është e rëndësishme për fermerët e dëmtuar në janarin e këtij vitit nga vërshimet në komunën tonë, nga përmbytjet të cilat kanë ndodhë në komunën tonë… Kuptohet komuna jonë nuk ka pasur mundësi sepse dihet që komunat nuk kanë fonde emergjente dhe nuk kanë mundësi ti mbulojnë dëmet të cilat shkaktohen në bujqësi apo në ekonomi familjare apo në biznese apo në amvisëri për shkak të kemi kufizime ligjore në këtë drejtim , gjithsesi ne u jemi mirënjohës shumë ministrisë bujqësisë dhe organizatës (FAO) , pra organizatë e kombeve të bashkuara për bujqësi dhe ushqim” tha Latifi.

    Latifi ka falënderuar organizatën (FAO) dhe Qeverinë Zvicerane për kuponët e shpërndarë, derisa tha se fermerët me këta kuponë do të kompensojnë produktet bujqësore të cilat janë të nevojshme për ta.

    “Organizata (FAO) ka shprehur gatishmërinë që përmes donatorëve si qeveria zvicerane dhe fondi emergjent (i FAO-s) t’i ndihmojë me kuponë fermerët e prekur nga këto përmbytje. Me anë të këtyre, do t’iu mundësohet fermerëve të bëjnë inpute të domosdoshme për fermat e tyre, si farë, pleh, vegla pune, aparate ujitjeje, pjesë rezerva dhe mallra tjera të domosdoshme sipas nevojave të tyre… Dua të falënderoj qeverinë zvicerane, organizatën (FAO) për përkrahje e fermerëve të dëmtuar nga këto vërshime, gjithsesi ne si komunë jo vetëm që jemi të interesuar por shprehim gatishmërinë e plotë që të vazhdojmë bashkëpunimin me qeverinë zvicerane, me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësinë (FAO) dhe si dhe të thellojmë bashkëpunimin” shtoi Latifi.

    Ndërsa, zëvendësdrejtori për bashkëpunim nga Zyra e Zvicrës, Laurent Torche tha se përmes kësaj ndihme për bujqit në komunën e Rahovecit dëshiron të sigurojë mirëqenie dhe kapacitet të produkteve bujqësore.

    Ai shtoi se dy vendet kanë bashkëpunim të shkqlqyeshëm dhe se Zvicra do të ofrojë mbështetje për fermerët e Kosovës edhe në vitet e ardhshme.

    “Ne kemi kërkuar nga institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe kemi qenë në fleksibilitet për të ndihmuar njerëzit, pas këtyre vërshimeve, ne po dëshirojmë të sigurojmë mirëqenien dhe kapacitetin e produkteve të cilat janë të prekura nga vërshimet… Ne bashkë kemi një raport tani të shkëlqyer me Qeverinë e Kosovës, do të vazhdojmë vitet e ardhshme duke mbështetur sistemin e projekteve në Kosovë, nëpërmjet projekteve të fundit, Zvicra është e përkushtuar që të mbështesë, ofrojë këtë mbështetje në vitet në vijim”, tha Torche.

    Po ashtu, udhëheqësi vendor i organizatës (FAO), Naser Krasniqi tha se bujqit përmes kuponëve me shumën prej 300 euro do të mund të vazhdojnë aktivitetin bujqësor, ani pse theksoi se është një shumë e vogël për fermerët e Rahovecit.

    “Jemi këtu për të i’u dhuruar disa kupona të cilët do të shënojnë vlerën prej 300 euro në tërësi dhe më këta kuponë ju do të keni mundësi që do të bleni produkte bujqësore dhe do të filloni me aktivitetet bujqësore dhe prodhimtari bujqësore ashtu siç keni pasur para vërshimeve. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo vlerë është shumë e vogël për nevojat e juaja por të paktën mendojmë se është një mbështetje për rimëkëmbje dhe rifillim të aktiviteteve bujqësore. Përkrahja përmes fondeve që i ka siguruar (FAO) do të ofrohet në tërësi për 9 komuna, për 919 familje bujqësore dhe këta fermerë ose këto familje do të kenë mundësi të blejnë inpute bujqësore prej periudhës kur do të shpërndahen deri më 5 nëntor të këtij viti”, tha Krasniqi.

  • ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    ​Një i vdekur dhe 67 raste pozitive me COVID-19 në dy javët e fundit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë njofton se në dy javët e fundit (30.08.2023 – 12.09.2023) është raportuar 1 rast i vdekjes me COVID-19 dhe 67 raste pozitive dhe.

    Sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 50-59 vjeç (me 16 raste) dhe 60-69 vjeç (me 15 raste) me moshë mesatare 52 vjeç.

    “Prej rasteve të konfirmuara me COVID-19, sipas komunave rezulton se numri më i madh i rasteve është raportuar nga komuna e Prishtinës (25 raste), Pejës (8 raste) dhe Gjakovës (7 raste) kurse incidenca më e lartë e rasteve është raportuar në komunën e Prishtinës me 13 raste në 100,000 banorë dhe Kaçanikut me 12 raste në 100,000 banorë”, thuhet në njoftim.

    Sipas IKShPK-së përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Kosovë me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.

  • 70 euro një metër dru, shitësit arsyetojnë çmimin

    70 euro një metër dru, shitësit arsyetojnë çmimin

    1 metër dru shitet 70 euro, njëjta sikur në vitit të kaluar, kur kërkesat për blerjen e tyre ishin më të mëdha.

    Edhe këtë vit sipas shitësve të druve kërkesat ishin të larta e bashke me to edhe ankesat e qytetarëve që çmimet janë bërë të pa përballueshme.

    Qytetarët që ende nuk i kanë siguruar ato thonë se këtë vit do ta kenë të vështirë sigurimin e tyre.

    Për çmimet e larta të druve ka reaguar edhe shoqata për të drejtat të cilët këto ngritje të çmimeve i quajtën të pa përballueshme.

    Por krejt këto çmime i kanë arsyetuar shitësit pavarësisht që shumica prej tyre prerjen e shitjen e bëjnë në mënyrë ilegale.

    Sipas tyre çmimi i druve është rritur pasi që janë rritur edhe çmimet e shumë produkteve të ndryshme. Është rritur çmimi i naftës dhe të të gjitha karburanteve Gjithashtu te çmimet e larta ka ndikuar edhe koha, ftohja e motit dhe siç u tha më lartë, mungesa pyjeve.

    ATV gjatë ditës ka qëndruar nëpër disa pika në mënyrë që të flas me dikë nga shitësit për çmimet e druve e interesimin e qytetarëve por këta të fundit kanë refuzuar të flasin. /Përgatiti: Kastriot Tahiri

  • Nënshkruhet marrëveshja, udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve

    Nënshkruhet marrëveshja, udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja me të cilën tash e tutje udhëtarët e Trafikut Urban mund të pajisen me bileta përmes SMS-ve.

    Siç bëhet e ditur në njoftim, marrëveshja është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban, Burim Maraj, me operatorin telefonik Vala.

    “Ky është një hap i rëndësishëm për ofrimin e shërbimeve më cilësore për udhëtarët”, thuhet në njoftimin për media.

    Kryeshefi Maraj e konsideroi këtë marrëveshje si arritje të rëndësishme, e cila sipas tij mundëson shërbim më efikas për qytetarët e Prishtinës.

    “Ai falënderoi përfaqësuesit e Valës për bashkëpunimin dhe besimin e tyre në këtë projekt”, bëhet e ditur tutje.

    Në anën tjetër përfaqësuesit e operatorit Vala thuhet se u shprehën të gatshëm që me ndërmarrjen Trafiku Urban, të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen.

    “Avni Tafilaj, drejtor i shitjes në Vala, tha se fokusi i tyre është pa dyshim tek qytetarët, dhe janë të lumtur që ky projekt do të ndihmojë në lehtësimin e jetës së qytetarëve, veçanërisht udhëtarëve të Trafikut Urban”, kanë njoftuar nga komuna.

  • Gjykata liron Bedri Krasniqin

    Gjykata liron Bedri Krasniqin

    Bedri Krasniqi është liruar nga akuza për vrasjen e një polici të UNMIK-ut dhe një të Kosovës.

    Arben Dizdari është shpallur fajtor për veprën penale vrasje dhe është dënuar me tetë vite burgim, dënim ky që do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

    Sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

    Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

    Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.

  • Perimet për turshi, “të paprekshme”, një kg speca tani po kushton deri në 1.5 euro

    Perimet për turshi, “të paprekshme”, një kg speca tani po kushton deri në 1.5 euro

    “Për mua janë të paprekshme… Duhet t’i lë të gjitha”, thotë Sali Aliu teksa shikon çmimet e perimeve në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.

    “Çka të bëj”, pyetet pensionisti nga Podujeva, i cili merr rreth 200 euro në muaj.

    Në këtë periudhë të vitit, qytetarët e Kosovës zakonisht furnizohen me perime për turshi, por çmimet e tyre sivjet kanë befasuar shumë nga ta.

    “Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, thotë Amir Simnica nga Prishtina.

    Bashkëqytetarja e tij, Mirishahe Stublla, thotë se vitin e kaluar ka siguruar dhjetë thasë me speca, domate, tranguj, hudhër, majdanoz e të tjera për 30 euro. Me këto para thotë se sivjet nuk arrin ta marrë as gjysmën e këtyre furnizimeve.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Visar Hajdari, i cili shet produkte të ndryshme bimore në tezgën e tij, bën disa krahasime:

    “Pasuli, vitin e kaluar, ka qenë 2.5 deri në 4 euro, ndërsa sivjet është 4 euro [për kilogram]. Hudhra, vitin e kaluar, ka qenë 5 euro, sivjet është 6 euro. Mjalti, vjet, ka qenë 8 euro, sivjet është 15 euro. Mielli i misrit, vjet, ka qenë 80 centë, sivjet është 1.3 euro”.

    Rritjen e çmimeve e konfirmojnë zyrtarisht edhe të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Ato tregojnë se çmimi i perimeve në gusht të këtij viti, është rritur për 28 për qind, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa çmimi i pemëve është rritur për 11.4 për qind. Buka dhe drithërat janë shtrenjtuar për 4.5 për qind, mishi për 3.8 për qind, ndërsa qumështi, djathi dhe vezët për 2.4 për qind.

    Për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pushtimit rus të Ukrainës, çmimet gjetiu në botë janë rritur, sidomos më 2021 dhe 2022, për të hyrë pastaj në një trend të stabilizimit.

    Vitin e kaluar, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

    Çmimet e disa produkteve në një dyqan në Prishtinë. Shkurt, 2022.

    Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, thotë se rendimentet e ulëta nga prodhuesit vendorë kanë ndikuar në ngritjen e çmimeve të produkteve bujqësore, sidomos të perimeve dhe pemëve.

    E, në uljen e rendimenteve, thotë ai, ka ndikuar vonesa e mbjelljes dhe kultivimit, për shkak të shirave gjatë gjithë muajve të pranverës.

    “Bujqit e shfrytëzojnë shansin për t’i ngritur çmimet, jo vetëm pse ka prodhimtari të paktë dhe me rendimente të ulëta, por edhe për shkak të kostos së prodhimtarisë. Në kushte të vështira klimatike duhet të investohet më shumë. Kostoja e prodhimtarisë rritet, sepse duhet të merren masa mbrojtëse. Pra, kostoja e prodhimtarisë e ka kushtëzuar bujkun që t’i ngritë çmimet e këtyre produkteve bujqësore”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se për shkak të prodhimtarisë më të ulët vendore, tregtarët edhe kanë importuar produkte bujqësore – po ashtu me çmim më të lartë se vitin e kaluar.

    Kosova importon pjesën më të madhe të produkteve, qofshin ushqimore apo të tjera.

    Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2022, vlera e mallrave të importuara ka qenë mbi 5.6 miliardë euro. Ndërsa, në periudhën janar-korrik të këtij viti janë importuar produkte në vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se ngritja e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm paralajmëron rritjen potenciale të inflacionit.
    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme dhe të gjejë forma që t’i ndihmojë qytetarët, përfshirë edhe prodhuesit.

    “Për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve ka humbur vlera e parasë. Si Qeveri, duhet ta mendojë mënyrën se si të rritet vlera e parasë, në mënyrë që te qytetari të mos vërehet mungesa e ndonjë artikulli.

    Shportën që e ka blerë vitin e kaluar 500 euro – po them në mënyrë hipotetike – sivjet ta blejë me 600 euro, por me një ndihmesë në formën e rritjes së pagës, subvencionit të përkohshëm…”, thotë Rafuna.

    Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa minimalja sillet nga 130 deri në 170 euro.

    Në gushtin e vitit 2022, inflacioni në Kosovë ka qenë 13 për qind, ndërsa gushtin e kaluar ishte 3.2 për qind.

    Rafuna thotë se nëse Qeveria nuk mund të sigurojë rritje pagash ose subvencione për qytetarët, atëherë mund ta reduktojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për një gamë të gjerë të produkteve esenciale.

    Sipas tij, Qeveria e ka të pamundur të ndikojë në çmimet në treg, për shkak të ekonomisë së tregut të lirë.

    Projektligji për çmimet tavan, i hartuar nga Qeveria e Kosovës tetorin e vitit të kaluar, nuk është mbështetur nga partitë opozitare.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse ka mundësi të ndërmarrë ndonjë masë për zbutjen e inflacionit dhe efektit të ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Me qëllim që t’ua lehtësojë përballimin e inflacionit, Qeveria, gjatë vitit të kaluar, ka ndarë disa herë shtesa për kategori të ndryshme sociale./REL/

  • Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra në Fushë Kosovë

    Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra në Fushë Kosovë

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 4200 euro për t’i mbuluar shpenzimet për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra nga partneri i saj në Fushë-Kosovë në gusht të këtij viti.

    Një vendim i këtillë u mor në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

    Në arsyetim të vendimit, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se kjo bëhet për shkak të ndjeshmërisë dhe aspektit human si dhe pamundësisë financiare të familjes.

    Këto mjete janë ndarë nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë.