ATV

Category: Lajme

  • Automjetet disel, ndër ndotësit kryesorë të ajrit në Prishtinë

    Automjetet disel, ndër ndotësit kryesorë të ajrit në Prishtinë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rruga “Dëshmorët e Kombit”, sipas Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, është në top-treshen e rrugëve më të ndotura të kryeqytetit. Në baza ditore këtë rrugë e frekuentojnë mijëra automjete, por edhe këmbësorë.

    Një pjesë e konsiderueshme e këtyre automjeteve si derivat e përdorin naftën e cila kur digjet liron ndotës: Dyoksidin e Azotit. Në hulumtimin e kësaj organizate të quajtur “NO2- kërcënim serioz për shëndetin e njeriut” rezulton se automjetet dizel janë ndër ndotësit kryesorë në kryeqytet.

    “Ky është një vrasës i padukshëm që lirohet nga automjetet tona… Tek kontrolli teknik këto automjete dizel do duhej të ndaloheshin”, tha Arben Lila nga KADC.

    Kurse, sipas ekspertëve në panel, thithja e ajrit të ndotur bart pasoja shëndetësore serioze.

    “Tani jemi shumë zëra që mund ta themi njëzëri se ndotja ndikon në sistemin respirator dhe sisteme të tjera”, tha Antigona Dervishaj nga Instituti i Shëndetit Publik.

    Ndërkohë, komuna e Prishtinës është angazhuar në përpilimin e një strategjie, përmes së cilës synohet të përmirësohet cilësia e ajrit në Kryeqytet.

    “Është një plan pesëvjeçar që do të paraqesë aktivitete që pritet të ndikojnë në cilësinë e ajrit, të cilat do të mundemi t’i implemetojmë gjatë kësaj periudhe. I kemi të ndara shtatë paketa, ndër të parat është trafiku rrugor” tha Letafete Latifi nga Komuna e Prishtinës.

    Gjatë pushimeve verore, cilësia e ajrit për shkak të shtimit të veturave ishte akoma më e dobët e pos kryeqytetit, referuar hulumtimit, edhe Ferizaj, Prizreni dhe Obiliqi përballen me cilësi të dobët të ajrit.

  • Bedri Krasniqi lirohet nga aktakuza për vrasjen e policit të UNMIK-ut

    Bedri Krasniqi lirohet nga aktakuza për vrasjen e policit të UNMIK-ut

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Njësi të shumta policore siguruan perimetrin në Pallatin e Drejtësisë, ku do silleshin Bedri Krasniqi e Alban Dizdari, për t’u shpallur fajtor, ose për t’u liruar nga akuza për vrasjen e policit të UNMIK-ut dhe atij të Kosovës, para 19 vjetësh.

    Të shumtë ishin edhe familjarët që prisnin t’i shihnin të akuzuarit.

    Pritja mbaroi. Dizdari e Krasniqi hynë brenda.

    Ndërkaq, gjykatësi nuk e vonoi shpalljen e vendimit që ishte lirues për Krasniqin, e dënues për Dizdarin.

    Sipas gjykatës, dëshmia e Shkumbin Mehmetit, të dënuarit për vrasjet e 23 marsit 2004, që implikon Bedri Krasniqin ishte e pabazë.

    “Dëshmia e Shkumbin Mehmetit, ishte kontraverse. Ka pranuar implikimin e Bedri Krasniqit vetëm për zbutje të dënimit…”, tha gjykatësi, Arben Hoti.

    Ndërsa, 8 vitet e burgut për Dizdarin, gjykatësi Hoti i arsyetoi, kështu:

    “Alban Dezdari dënohet me 8 vite për ndihmë në kryerjen e veprës penale…”, tha gjykatësi, Arben Hoti.

    Familjarët e Bedri Krasniqit iu gëzuan këtij vendimi.

    “Më në fund drejtësia mori vendim të drejtë…”, tha Sylë Krasniqi, vëlla i Bedri Krasniqit.

    Një vendim të tillë e priste edhe avokatja.

    Megjithatë, Bedri Krasniqi u kthye sërish në burg.

    Pejani do ta vuajë dënimin për pjesëmarrje në vrasjen e para dy dekadave të dy policëve të Kosovës, në vitin 2003, si dhe për një kidnapim 7 vjet më vonë, ku për të dy rastet është i dënuar me afro 40 vjet burgim.

    41-vjeçari ishte arratisur nga burgjet nëpër Kosovë, derisa për të fundit herë u arrestua në dhjetor të vitit 2012, në fshatin Turjakë të Pejës.

  • Takimi i nesërm Kurti-Vuçiç/ Deputetja Statovci tregon pritjet: Presioni për respektim të dakordimit të Ohrit të gjejë adresën e duhur

    Takimi i nesërm Kurti-Vuçiç/ Deputetja Statovci tregon pritjet: Presioni për respektim të dakordimit të Ohrit të gjejë adresën e duhur

    Deputetja e Listës ‘Guxo’, Jeta Statovci, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për takimin e nesërm që do të zhvillohet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

    Ajo thotë se Kosova ka pasur fokus që pas dakordimit të Ohrit të ecet tutje, por që Beogradi ka lënë të kuptohet pse nuk e kanë nënshkruar këtë dakordim, derisa pala serbe e ka minuar procesin e ka cytur dhunën ndaj gazetarëve, civilëve, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

    “Fokusi i Kosovës që pas dakordimit të Ohrit ka qenë që të mos sabotohet ky dakordim, dhe që të ecet tutje, meqë ishte dhe vazhdon të jetë një zgjidhje evropiane, siç edhe e kanë quajtur shumë diplomatë perëndimorë. Fatkeqësisht, zhvillimet e fundit nga ana e Beogradit, kanë lënë të kuptohet përse ata nuk e nënshkruan këtë dakordim. Pala serbe ka minuar procesin, ka cytur dhunën ndaj gazetarëve, civilëve, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, nuk janë të sinqerta diskutimet për të ardhmen evropiane, përderisa në terren punohet ashtu siç punoi Beogradi këta muajt e fundit, këto zhvillime janë pjesa pesimiste e së nesërmes”, shprehet deputetja.

    Statovci pret që në takimin e nesërm Kosova të vazhdojë me qëndrimin e saj konstruktiv në dialog, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit në terren, sovraniteti i Kosovës është i pa negocueshëm.

    “Megjithatë, nga takimi i nesërm pres që Kosova të vazhdojë të shpreh qëndrimin e saj konstruktiv në dialog, por natyrisht, përherë duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit në terren, sovraniteti i Kosovës është i pa negocueshëm, pavarësisht presioneve momentale që vijnë si pasojë e krizës së sigurisë. Garanca e vetme që dialogu të jetë konstruktiv është vullneti rajonal për integrim në BE, vullnet ky i cili është në nivel më të ulët te Serbia, dhe akoma më i ulët pas ngjarjeve në Ukrainë”, vlerëson deputetja për Gazeta Blic.

    Ajo shpreson që presioni për respektim të dakordimit të Ohrit të gjejë adresën e duhur, derisa Kosova e ka faktuar përkushtimin për këtë arritje, ndërsa Serbia ka bërë të kundërtën, andaj ajo po ashtu shpreson që të zhbllokohet rruga evropiane për të dyja vendet, pa e penguar njëra-tjetrën.

    “Unë shpresoj që presioni për të respektuar të arriturat në Ohër do të gjejë adresën e duhur, për Kosovën ka fakte se ne jemi të përkushtuar për këtë arritje, meqë kemi shfaqur gatishmërinë edhe për ta nënshkruar marrëveshjen, të cilën nuk e ka shfaqur Serbia. Për Serbinë ka fakte të kundërta, arrestime të qytetarëve të Kosovës, Policëve të Kosovë, dhunë ndaj KFOR-it, bojkot dhe mobilizim të forcave ushtarake, këto janë fakte të kundërta, pra që kundërshtojnë arritjen e Ohrit. Uroj që këto problematika të trajtohen nesër, dhe të zhbllokohet rruga evropiane për të dyja vendet, pa penguar njëra-tjetrën, siç edhe është dakorduar”, deklaron deputetja Jeta Statovci.

  • Ekskluzive: Të enjten Kuvendi Komunal i Leposaviqit voton për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    Ekskluzive: Të enjten Kuvendi Komunal i Leposaviqit voton për anëtarësim në Asociacionin e Komunave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tridhjetepesë komunave që janë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës, pritet t’i shtohet edhe një tjetër.
    Pak kohë pasi ky mekanizëm e pranoi Mitrovicën e Veriut, një kërkesë e njëjtë pritet t’i bëhet nga një tjetër komunë veriore.

    Fjala është për komunën e Leposaviqit, Kuvendi Komunal i së cilës, në bazë të vendimit të siguruar nga ATV-ja, të enjten e 14 shtatorit, do të mblidhet për ta votuar një pikë të rendit të ditës.

    Propozim-vendimi: Komuna e Leposaviqit, t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Në rast se vendimi për t’iu bashkuar shtëpisë së Komunave të Kosovës, miratohet nga anëtaret e kuvendit komunal, me pas do t’i dërgohet Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

    Megjithëse procedura merr kohë, anëtarësimi i Leposaviqit po mirëpritet nga Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave.

    Me 22 gusht, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të kuvendit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, anëtarësoi Mitrovicën e Veriut. Komunë kjo e cila se bashku me Leposaviqin, udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Shefja e BE-së njofton reforma, ndërsa blloku pritet të zgjerohet me anëtarë të rinj në vitet e ardhshme

    Shefja e BE-së njofton reforma, ndërsa blloku pritet të zgjerohet me anëtarë të rinj në vitet e ardhshme

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zyra që ajo drejton do të fillojë një rishikim tërësor të politikave për t’u siguruar se blloku 27 anëtarësh do të vazhdojë të funksionojë si duhet, ndërkohë që fton shtete të reja në radhët e tij në vitet e ardhshme.

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerim të mëtejshëm, duke e çuar numrin e shteteve në bllokur në mbi 30 anëtarë.

    Duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian, në Strasburg të Francës, ajop tha se blloku gjendet para një momenti historik.

    “Dhe historia tani po na thërret ta plotësojmë bashkimin tonë. Në një botë ku disa po përpiqen të qërojnë hesape me shtete një nga një, ne nuk mund t’i braktisim evropianët tanë prapa. Në një botë ku madhësia dhe pesha kanë rëndësi, është qartazi në interesin strategjik të Evropës ta plotësojmë bashkimin tonë,” deklaroi zonja Von der Leyen.

    Ukraina, Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në mesin e kandidatëve për anëtarësim.

    “Duhet t’i shikojmë me kujdes gjithë politikat dhe të shohim se si mund të ndikohen ato nga zgjerimi. Kjo është aryseja pse Komisioni Evropian do të fillojë të punojë për një mori rishikimesh të politikave para zgjerimit, për të parë se si institucionet tona do të punojnë, se si Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian do të punojnë. Duhet ta diskutojmë të ardhmen e buxhetit tonë. Dhe na duhet të kuptojmë se si duhet të sigurojmë përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë në një botë ku çështjet e parandalimit janë më të rëndësishme se kurrë,” tha ajo.

    Bashkimi Evropian aktualisht dhe pa zgjerimin e radhës, e ka të vështirë të marrë disa vendime, sidomos ato që kërkojnë miratim të njëzëshëm.
    Megjithatë, trysnia mbi Evropën po shtohet për të hapur dyert e saj përballë ndikimit keqdashës rus në Ballkanin Perëndimor.

    Shumë shtete duan që anëtarësimi të realizohet deri në vitin 2030, por Von der Leyen theksoi se anëtarësimi duhet të bëhet në bazë të meritave.

    “Anëtarësimi është në bazë meritash dhe Komisioni gjithmonë do ta mbrojë këtë parim. Duhet shumë punë dhe udhëheqje e mirë. Por, tashmë është bërë shumë përparim. Kemi parë përpjekjet e mëdha, që ka bërë Ukrain,a që kur i kemi dhënë statusin e kandidatit, dhe kemi parë vendosmërinë e shteteve tjera kandidate për t’u reformuar. Andaj, anëtarë të nderuar, tani është koha që ne t’i përgjigjemi kësaj vendosmërie”, tha presidentja e Komisionit Evropian./VOA/

  • Gjykata lëshon njoftim për aktgjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit

    Gjykata lëshon njoftim për aktgjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin ndaj Bedri Krasniqit dhe Alban Dizdarit që po akuzoheshin për vrasjen e dy policëve në Podujevë në vitin 2004. Bedri Krasniqi është liruar nga akuzat për vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, ndërsa Alban Dizdari është dënuar me tetë vite burgim për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasjë.

    Gjykata ka bërë të ditur se për Bedri Krasniqin është marrë aktgjykim lirues nga aktakuza pasi që nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktit akuzues.

    Ndërsa për Dizdarin, gjykata mori vendim dënues.

    “I akuzuari A.D konform nenit 364 paragrafi 1 të KPPRK-së është shpallur fajtor për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK), andaj gjykata në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite, në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.”, thotë Gjykata.

    Dizdari do të obligohet gjithashtu t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale prej 500 euro dhe fondin e kompensimit të viktimave të krimit në shumën prej 100 euro brenda afatit prej 15 ditësh.

    Njoftimi i plotë i Gjykatës:

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve B.K dhe A.D

    Prishtinë, 13 shtator 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale kundër të pandehurve B.K për shkak të veprave penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, nga neni 22 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe nenit 30 (paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6) të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK), të dyja në fuqi deri më 06.04.2004, gjithashtu e përcaktuar me nenet 23 dhe 147 (paragrafi 4 dhe 10) të Kodit Penal të Kosovës, në fuqi deri më 31 dhjetor 2012, gjithashtu e përcaktuar me nenet 31 dhe 179 ( paragrafi 1.5 dhe 1.9) të Kodit të Ri Penal të Kosovës, në fuqi prej 1 janarit 2013 dhe i akuzuari A.D për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK).

    I akuzuari B.K në bazë të nenit 363 paragrafi 1 nën par.1.3 të KPPRK-së është liruar nga aktakuza sepse nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sipas aktit akuzues.

    I akuzuari A.D konform nenit 364 paragrafi 1 të KPPRK-së është shpallur fajtor për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje nga neni 30 paragrafi 2 nën paragrafi 2 dhe 6 dhe neni 24 të Ligjit Penal të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (LPK), andaj gjykata në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 (tetë) vite, në të cilin dënim do të llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim.

    Obligohet i pandehuri i pandehuri A.D ti paguaj shpenzimet e procedurës penale në lartësi prej 500 € si dhe për fondin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 100 € të gjitha këto në afat prej 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontestin e rregullt juridiko civil.

    Bazuar në nenin 363 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPRK-së i akuzuari A.D lirohet nga aktakuza për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë sipas aktit akuzues. i akuzuari A.D lirohet nga masa e paraburgimit që në ditën e sotme pas shpalljes së aktgjykimit.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • ​Rritet qarkullimi i shërbimeve në hotele dhe numri i punësimit në sektorin e transportit

    ​Rritet qarkullimi i shërbimeve në hotele dhe numri i punësimit në sektorin e transportit

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se në muajin qershor 2023, indeksi i qarkullimit të shërbimeve kishte rritje më të madhe te hotelet me 13,71 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2022).

    Ndërsa, sipas ASK-së, në muajin qershor të këtij viti, indeksi i numrit të të punësuarve kishte rritje te Transporti dhe Magazinimi për 0,96 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, qershor 2022.

    Kurse, sipas kësaj agjencie rënie kishte në: sektorin e industrisë përpunuese 0,8 për qind, si dhe në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave 0,6 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, qershor 2022.

    ASK po ashtu bën të ditur se në muajin qershor 2023, indeksi i numrit të të punësuarve kishte ulje në sektorin e industrisë nxjerrëse 0,1 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, qershor 2022.

  • Dodik kërcënon me “pavarësim” të RS-së nga Bosnja

    Dodik kërcënon me “pavarësim” të RS-së nga Bosnja

    Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ka kërcënuar me pavarësinë e këtij entiteti nga Bosnja e Hercegovina, nëse përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në këtë shtet, Christian Schmidt, vë në fuqi ligjin për pronat.

    “Menjëherë pas kësaj Asambleja Kombëtare do të mblidhen dhe do të shpallej statusi i pavarësisë së Republikës Sërpska”, tha Dodik më 13 shtator në Banja Llukë pas një takimi me përfaqësuesit e Republikës Sërpska (RS).

    Integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës si një shtet i vetëm, me dy entitete dhe qarkun e Bërçkos, garantohen me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. Kjo marrëveshje dhe Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk lejojnë që entitetet të shkëputen.

    Më 2 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës pezulloi përkohësisht Ligjin për pronën e paluajtshme të përdorur nga autoritetet publike në RS, deri në pritje të një vendimi përfundimtar të Kushtetueses.

    Gjatë konferencës për mdia, Dodik tha se janë pajtuar që në buxhetin për vitin e ardhshëm të përfshijnë edhe një pikë që do të siguronte të ardhura për punëtorët në institucionet e Bosnje e Hercegovinës me kompensim të pagave, nëse përfaqësuesit e RS-së tërhiqen nga institucionet shtetërore.

    Dodik, anëtarja serbe e Presidencës boshnjake, Zhelka Cvijanoviq, kryeministri i RS-së, Radovan CIshkoviq, kryetari i Asamblesë Kombëtare të këtij entiteti, Nenad Stevandiq dhe ministri për Drejtësi i Republikës Sërpska, Millosh Bujelloviq, janë nën sanksione amerikane për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

    Takimi në Banja Llukë u mbajt dy ditë pasi Gjykata e Bosnjës konfirmoi aktakuzën ndaj Dodikut dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, të cilët akuzohen për veprën penale të dështimit të zbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në shtet.

    Aktakuza erdhi pasi Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska kalo dy ligje të diskutueshme më 27 qershor, të cilat Dodik i nënshkroi dhe më pas ato u publikuan në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.

    Këto ligje thonë se vendimet e Zyrës së përfaqësuesit të lartë në Bosnje më nuk do të publikohen në Gazetën Zyrtare dhe nuk do të respektohen në këtë entitet. Po ashtu, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës më nuk do të vlejnë në Republikën Sërpska.

    Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian Schmidt, më 1 korrik anuloi këto vendime.

    Për shkak të vendimeve të Asamblesë së Republikës Sërpska, Schmidt po ashtu ka vendosur që të bëjë ndryshime në Kodin Penal të shtetit, në mënyrë që çdo veprim joligjor që shkel rendin kushtetues të konsiderohet vepër penale. Me ndryshimet në Kodin Penal, moszbatimi i vendimeve të përfaqësuesit të lartë është vepër penale, për të cilën mund të shqiptohet dënim deri në pesë vjet burgim. /REL

  • Hoti: Në Bruksel do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes të arritur në villat e Titos

    Hoti: Në Bruksel do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes të arritur në villat e Titos

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se për takimin e së enjtes të nivelit të lartë të kryeministrave nuk mund të kemi pritje jorealiste.

    Ai ka thënë se në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e “Marrëveshjes së arritur në villat e Titos në Ohër”.

    Hoti ka thënë se nuk mund të pritet për negocim të njohjes reciproke, pasi sipas tij kryeministri Kurti ka hequr dorë nga kjo.

    “Të jemi të qartë e të mos kemi pritje jorealiste për takimin e nesërm për dialog në Bruksel: Nesër negociohet vetëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur në villat e Titos në Ohër. Nuk negociohet për njohje reciproke, pasi Kosova ka hequr dorë nga njohja reciproke si kompromis për të arritur Marrëveshjen e Ohrit. Bërjen e këtij kompromisi e dëshmoi vetë kryenegociatori i Kosovës para disa dite në media të huaja”, ka shkruar Hoti.

    Të enjten në Bruksel, do të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrel dhe të dërguarit për dialog Miroslav Lajçak.

    Sipas njoftimit të BE-së takimet ndaras do të nisin nga ora 09:00 e më pas takimi tre palësh.

  • Nesër dy seanca të Kuvendit, njëra për dështimin e Qeverisë për t’i siguruar tekstet shkollore

    Nesër dy seanca të Kuvendit, njëra për dështimin e Qeverisë për t’i siguruar tekstet shkollore

    Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë dy seanca – njëra plenare dhe tjetra e jashtëzakonshme.

    E para fillon nga ora 10:00, ndërsa e dyta nga ora 14:00.

    Rendi i ditës për seancën plenare:

    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,

    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,

    1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
    3. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

    Rendi i dytës për seancën e jashtëzakonshme:

    Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.