ATV

Category: Lajme

  • Autobusi del nga rruga, vdesin dy persona në Mal të Zi

    Autobusi del nga rruga, vdesin dy persona në Mal të Zi

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në Mal të Zi.

    Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e daljes së një autobusi nga rruga.

    Aksidenti ka ndodhur në qytetin e Obzovicës, në rrugën Budvë-Cetinje.

    Sipas televizionit Vijesti, 17 persona janë të lënduar, të cilët janë dërguar për trajtim në spitalin e Cetinjes, derisa njëri i lënduar rëndë është transferuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

    Raportohet se në autobus gjendeshin 35 udhëtarë, në mesin e tyre nuk kishte fëmijë.

    Shoferi i autobusit është ndaluar nga policia.

    Ai iu tha ekipit mjekësor se kishte ndjerë dhimbje të forta në pjesën e pasme të kokës.

    Më pas ai tha se autobusi kishte goditur mbrojtësen e djathtë të rrugës duke përfunduar në përrockë.

    Televizioni në fjalë raportohet se ekipet emergjente janë në pritje të mjetit për tërheqjen e autobusit nga gremina.

    Sipas atyre aty do të kontrollohet nëse dikush ka mbetur poshtë autobusit si pasojë e aksidentit.

  • Gjykata e Tiranës pranon kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të Dritan Goxhaj

    Gjykata e Tiranës pranon kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të Dritan Goxhaj

    Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për ekstradimin drejt Hagës të ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj.

    Kërkesa e mëparshme e Goxhajt për t’u liruar nga burgu ishte rrëzuar, ndërsa pala mbrojtëse e ka konsideruar gjykimin ndaj tij, si të padrejtë.

    Më 31 korrik, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deklaroi se Goxhaj do të ekstradohej drejt Kosovës në përfundim të procedurave, shkruan rtsh.

    Dritan Goxhaj u arrestua më 31 korrikut 2023 me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Speciale.

    Ndaj shoqëruesit të trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, Gjykata Speciale ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi e akuzon se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

  • ​Borrell: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në bazë të propozimit tonë

    ​Borrell: Kosova dhe Serbia të fillojnë zbatimin e marrëveshjes në bazë të propozimit tonë

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia duhet që “pa vonesa” të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, bazuar në propozimin e BE-së.

    Borrell tha se kërkohet që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në zbatimin e asaj që ranë dakord gjatë këtij viti.

    “Të dyja palët ranë dakord për këtë rrugë drejt normalizimit më herët këtë vit. Kjo është diçka e detyrueshme për ta dhe kërkohet nga palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në këtë zbatim. Dhe shpresoj që së shpejti të nxjerrim një deklaratë me konsideratat e ministrave për këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Çfarë duam ne? Çfarë kërkojmë ne? Është që të fillohet zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e kaluara të dialogut”, tha Borrell.

    Ai foli në një konferencë për media pas takimit jo formal të zhvilluar në Nju Jork me ministrat e Jashtëm të BE-së.

    Ai deklaroi se i ka informuar ministrat për raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, të mbajtur më 14 shtator në Bruksel.

    “I informova ministrat për takimin e fundit të nivelit të lartë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilin e prita javën e kaluar. Ministrat shprehën mbështetje të fortë për Përfaqësuesin e Lartë për lehtësimin e dialogut dhe për Përfaqësuesin Special, Miroslav Lajçak. Shprehën shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Normalizimi është një proces, është një rrugë, dhe është zbatim”, tha ai.

    Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Marrëveshjen bazike në Bruksel dhe më vonë për Aneksin e zbatimit të saj, në Ohër.

    Por raundi i fundit i dialogut në Bruksel, i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

    Pas këtij takimi, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara ndërsa ky i fundit tha se kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

    Kurti gjithashtu akuzoi emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, për pozicionim kundër Kosovës./KP

  • Presidentja takon Clintonin dhe Clarkun: Dy heronj, një histori

    Presidentja takon Clintonin dhe Clarkun: Dy heronj, një histori

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar në New York, ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe ish-komandantin e përgjithshëm të forcave evropiane të NATO-s, Wesley Clark.

    Osmani ka publikuar një fotografi me Clinton dhe Clark, të cilët i ka quajtur heronj.

    “Dy heronj, një histori, Kosova në mes!”, ka shkruar Osmani.

    Ndryshe, Osmani po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

  • Nagavci: Edukimi parafillor do të bëhet i obliguar nga viti i ardhshëm

    Nagavci: Edukimi parafillor do të bëhet i obliguar nga viti i ardhshëm

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ri shkollor 2024/2025. Sipas saj, ky ligj specifikon qartësisht edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës.

    Kështu ka thënë ajo gjatë prezantimit të Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, ku shtoi se do të shtohet cilësia e kujdesin dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

    Në lansimin e këtij ligji, ministrja Nagavci tha se faza e fëmijërisë kërkon vëmendje të veçantë.

    “Fëmijëria është pjesa më e ndjeshme e jetës së njeriut. Dhe si e tillë është një fazë që kërkon vëmendje të veçantë dhe kujdes të vazhdueshëm nga familja, shoqëria dhe natyrisht edhe nga politikëbërësit. Vitet e para të jetës së secilës fëmijë, janë thelbësore për zhvillimin fizik të individit, për zhvillimin psikologjik dhe emocional, sepse në atë periudhë ndërtohet dhe ndikohet si asnjëherë më shumë nga ambienti përreth duke perceptuar dhe përpunuar informacione të panumërta që lënë ndikim dhe gjurmë të pashlyeshme në secilin individ”, u shpreh Nagavci.

    Nagavci shtoi se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor.

    “Ligji i ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme i sjell disa risi të theksuara në krahasim me kuadrin ligjor ekzistues. Unë do të përmend disa shkurtimisht disa prej tyre. Por dua të veçoj faktin se edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti i ardhshëm shkollor. Se ligji mbështet edhe edukimin në familje dhe ofron familjet për familjet ndihmëse në kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Se rrisin në mënyrë të gjithanshme cilësinë e kujdesit dhe edukimin në fëmijëri të hershme. Se shtohet bashkëpunimi i gjithë institucioneve dhe natyrisht edhe përgjegjësia për të gjithë të rriturit që do të punojnë me fëmijë, përfshirë edhe dënimin e çfarëdo forme të dhunës, e cila jo që nuk është e ndaluar edhe me ligjet tjera por specifikohet qartësisht edhe në këtë ligj”, shtoi Nagavci.

    Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman tha se përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm nuk është i kënaqshëm.

    “38 për qind e 3-4 vjeçarëve në Kosovë kanë qasje në edukimin e hershëm. Dhe ende jemi larg nga targetët e BE-së që është 95 për qind. Ky ligj na ofron një udhërrëfyes të mirë, që është cak i planit strategjik në arsimin në Kosovë. Kjo rritje mund të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të barabartë, përmes krijimit të klasave të reja dhe ofrimin e arsimit në fëmijërinë e hershme. Ligji i ri po ashtu ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë me rolin e kurrikulës dhe inspektimet e cilësisë”, theksoi ajo.

    Udhëheqësja e Divizionit për Edukimin Parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Labëri Luzha tha se ky ligj do të zbatohet në të gjitha institucionet e edukimit në fëmijërinë e hershme, për fëmijët prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare.

    “Ky ligj ka për qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore, gjithëpërfshirëse në të gjitha format e organizimit të edukimit në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Si dhe përcakton normat për organizimin, funksionimin, mbikëqyrjen, përgjegjësitë institucionale, profesionale të të gjithë akterëve që ofrojnë edukimin në moshën e hershme. Ky ligj zbatohet për të gjitha institucionet në fëmijërinë e hershme, prej lindjes deri në moshën gjashtë vjeçare, deri kur ata fillojnë edukimin fillor në klasën e parë. Të drejtën e të gjithë fëmijëve për edukim cilësor gjithëpërfshirës bazuar në nevojat individuale të tyre; shëndetin, mirëqenien dhe mbrojtjen e fëmijëve; krijimin e mekanizmave për sigurimin e ofrimit të shërbimeve të integruara; Përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të ofruesve të shërbimeve në Edukimin në Fëmijërinë e Hershme; mentorimin, monitorimin, inspektimin, financimin dhe sanksionimin e ofruesit të shërbimeve”, përfundoi ajo.

    Në korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. /kp

  • Bëhet publik propozimi franko-gjerman për zgjerimin, këto janë sugjerimet për BE-në

    Bëhet publik propozimi franko-gjerman për zgjerimin, këto janë sugjerimet për BE-në

    Një numër i madh ekspertësh kanë punuar në hartimin e një propozimi franko-gjerman sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ky raport i 12 ekspertëve, ka marrë edhe përkrahjen e ministreve franceze dhe gjermane, Laurence Bonne dhe Anna Luhrmann.

    Në këtë raport thuhet se zgjerimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian do të jetë ndryshe nga ata paraprakë, jo vetëm për shkak të sfidave gjeopolitike që kanë shtuar Ukraina he Moldavia tek grupi i vendeve kandidate.

    “Procesi i anëtarësimit është rishikuar me synimin për ta bërë atë “më të parashikueshëm, më të besueshëm (bazuar në kritere objektive dhe kushte rigoroze pozitive dhe negative, dhe kthyeshmëri), më dinamik dhe subjekt i drejtimit më të fortë politik. Negociatat tani janë ristrukturuar përgjatë gjashtë grupeve në vend të 35 kapitujve individualë dhe vendet kandidate mund të futen në politika dhe programe individuale të BE-së.”, thuhet në këtë dokument.

    Për të ndodhur zgjerimi i ardhshëm i BE-së, ky dokument sugjeron ndërmarrjen e hapave konkret, jo vetëm për ta bërë gati BE-në për zgjerim, por edhe për të ri-dinamizuar procesin e bazuar në merita dhe mbështetjen për tranzicionin e vendeve kandidate.

    Për këtë, Franca dhe Gjermania kanë dhënë sugjerimet e tyre.

    Për rifitimin e besimit, në propozim thuhet se BE-ja duhet të vendos synimin për të qenë gati për zgjerim deri në vitin 2030 dhe që vendet kandidate për anëtarësim duhet të punojnë për të përmbushur kriteret për t’u anëtarësuar në këtë datë.

    “Ky angazhim i ndërsjellë do të rriste besimin në procesin e anëtarësimit që është minuar nga mungesa e angazhimit dhe progresit gjatë viteve të fundit. Ai bën të qartë se nuk ka hyrje të lirë në BE dhe se afati kohor është një objektiv dhe jo një datë e caktuar. Lidershipi i ri politik pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024 duhet të angazhohet plotësisht për këtë qëllim dhe për procesin e reformës që kërkohet për ta arritur atë”, potencon propozimi.

    Tutje thuhet se një Samit i përbashkët me lidershipin politik të gjithë vendeve kandidate gjithashtu do të shtonte një ndjenjë të ripërtrirë të dinamizimit.

    Në dokumentin e publikuar, thuhet se është ende e paqartë nëse do të ketë një “shpërthim” të dytë të anëtarësimit, përmes anëtarësimit “en bloc” [të gjithë përnjëherë në të njejtën kohë], apo përmes “regata” [anëtarësim kur vendi plotëson kushtet dhe jo në grupe], me data të ndryshme pranimi për kandidatë të ndryshëm.

    Për këto të dy opsione, propozimi thotë se ekzistojnë të mirat dhe të këqijat.

    Pritjet për opsionin “en bloc” janë që vendet kandidate të motivojnë dhe mbështesin procesin e reformave të njëri-tjetrit, por thotë se kjo bie ndesh me qasjen e bazuar në merita, që e bën stimulimin e rimti të secilit kandidat për pranimin e tij.

    “Kjo do të thotë se ose më të avancuarit duhet të presin për të ardhurit e vonuar, ose se ata përcaktojnë shpejtësinë e anëtarësimit, që nënkupton pranimin e vendeve që nuk janë ende gati për t’u anëtarësuar”, thuhet në këtë dokument.

    Për qasjen “regatta’ që parasheh anëtarësim në baze të meritave, theksojnë se do të përputhej më mirë me planet për zgjerim, megjithatë thonë se kjo do t’i lejonte shtete anëtare, përfshirë edhe të ardhurit, të bllokojnë pranimin e disa vendeve për shkak të konflikteve dypalëshe.

    Propozimi potencon se një gjë e tillë mund të eleminohet përmes klauzolave në traktatet e tyre të anëtarësimit ku për një periudhë kalimtare ua heq të drejtën për të votuar për zgjerimit e ardhshme për një afat kohor të rëndë dakord bashkërisht.

    “Gjithashtu, pranimi mund të konsiderohet vetëm pasi të zgjidhen konfliktet ndërmjet vendeve kandidate. Duke pasur parasysh këto konsiderata, rekomandimi ynë i dytë është që të ndahen raundet e anëtarësimit në grupe më të vogla vendesh (një “regatë”) në përputhje të plotë me qasjen e bazuar në merita dhe duke marrë parasysh konfliktet e mundshme dypalëshe”, thuhet në rekomandimin e dytë franko-gjerman.

  • Edukatorja e mbulon kokën me çantë pas intervistimit

    Edukatorja e mbulon kokën me çantë pas intervistimit

    Tri edukatoret që keqtrajtuan trevjeçarin janë intervistuar nga Policia e Kosovës.

    Njëra prej të dyshuarave për keqtrajtim të 3 vjeçarit në çerdhen “Gëzimi ynë”, ka dalë nga stacioni policor në Fushë-Kosovë.

    Duke dashur t’u ikë mediave, ajo ka vendosur çantën si mburojë për të mos u identifikuar.

    Një trevjeçar dyshohet se është rrahur e tërhequr zvarrë në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë”, në Fushë-Kosovë.

    Për këtë rast Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it kanë zbarkuar në këtë institucion parashkollor shtetëror.

  • ​Theret me thikë një tifoz i Newcastle para ndeshjes me Milanin

    ​Theret me thikë një tifoz i Newcastle para ndeshjes me Milanin

    Një tifoz i Neëcastle u dërgua me urgjencë në spital mbrëmjen e së hënës pasi u godit me thikë dhe Policia italiane po heton nëse sulmi ka të bëjë me ndeshjen Milan-Newcastle United në Ligën e Kampionëve që zhvillohet sonte.

    Tifozi anglez u godit në shpinë dhe dy herë në krahë, por nuk besohet të jetë në gjendje kritike, përcjellë KosovaPress.

    “Sky Sport” pretendon se Policia italiane po heton nëse sulmi kishte lidhje me futbollin dhe nëse ultrasit e Milanit kanë ndonjë lidhje me të.

    Mbi 6,500 tifozë të Newcastle priten në Milano për ndeshjen e parë të Magpies në Ligën e Kampionëve pas 20 vitesh sot.

    Situata momentalisht është nën kontroll në qendër të qytetit të Milanos pa asnjë tension midis tifozëve kuqezi dhe tifozëve anglezë.

  • Osmani takon Scholz: Partneriteti në mes të Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur

    Osmani takon Scholz: Partneriteti në mes të Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, është takuar me kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz.

    Takimi ndodhi në New York, në pritjen e organizuar nga Scholz për nder të 50 vjetorin të anëtarësimit të Gjermanisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Osmani u shpreh se partneriteti mes Kosovës dhe Gjermanisë është i palëkundur.

    “E urova Kancelarin Scholz për angazhimin gjysmëshekullor të Gjermanisë për paqe, zhvillim dhe bashkëpunim kudo në botë”, tha Osmani.“Jemi krenarë për partneritetin e palëkundur në mes dy vendeve tona, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë tutje!”, theksoi ajo.

  • Nagavci: 95% e atyre që kanë aplikuar për subvencionim për tekste shkollore u janë realizuar pagesat

    Nagavci: 95% e atyre që kanë aplikuar për subvencionim për tekste shkollore u janë realizuar pagesat

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se nga statistikat që kanë, rreth 95 për qind e atyre që kanë aplikuar për subvencionim për tekste shkollore u janë realizuar pagesat, raporton Ekonomia oNline.

    Sipas saj, deri më tani nuk kanw pasur asnjë raportim nga komunat për mungesë të librave nëpër klasa. Ajo ka thënë se ky vit ka qenë sfidues duke marr parasysh se kjo metodë është diçka e re, por që sipas saj, viti i ardhshëm do të jetë çdo gjë më mirë.

    “Kemi statistika, diku 95 për qind e të gjithë atyre që kanë aplikuar që janë mbi 170 mijë janë realizuar pagesat tashmë. Nga komunat nuk kemi as një raportim për mungesë në klasa. Nga vizitat që po vazhdojnë nga zyrtarët e arsimit dhe të inspektorëve që janë vizita në shkolla në teren është raportuar, po i referohem javës së kaluar, që gjendja ka qenë relativisht mirë. Ka dalluar përqindja prej shkollës në shkollë. Por e përsërisë, zyrtarisht nga komunat  të cilat janë të obliguar që të njoftojnë nuk kemi ndonjë njoftim për mungesa”, tha ajo.

    Ajo duke folura për pajisjen me libra për nxënësit nga klasa gjashtë deri në të nëntën, të cilët pajisjen me libra të përdorur më herët nga nxënësit, tha se ka pasur bashkëpunime nga shkolla me shkollë që të sigurohen librat.

    Nagavci tha se praktikat që në shkolla të ketë librat të cilat digjen, humben, ka përfunduar një herë e përgjithmonë.

    “Në bazë të statistikave që i kemi për numrin e nxënësve nga viti në vit, statistikat të raportuar nga komunat nuk është se ka rritje të theksuar të numrit të fëmijëve. Është e vërtet që mund të ketë ndonjë klasa apo shkollë që ka një numër më të madh se klasa tjetër. Për këtë arsye drejtorit komunale të arsimit kanë qenë të njoftuara me kohë që të sigurohen që për secilin nxënës ti kenë tekste në shkollë. Nga shkolla në shkollë ka pasur bashkëpunim që të sigurohen tekstet për të gjitha nxënësit”.

    “Unë jam informuar për një rast në shkollën ‘Naim Frasheri’ ku një klasë nuk është pajisur, po flas diku para 10 ditëve dhe jemi interesuar dhe janë marr veprimet që të mos ju mohohet kjo e drejtë. Praktika që në shkollat tona të ketë librat të cilat digjen, humben, për të cilat nuk kanë as pak as përgjegjësi e as respekt ndaj librit, ka përfunduar një herë e përgjithmonë. E di që ky vit mund të ketë qenë pak sa sfidues si gjithçka e re që fillohet por jam e bindur që do të reflektoj në fund si një veprim i duhur dhe se edhe në vitin e ardhshëm gjithçka do të jetë më mirë se sa sot”, tha ajo.