ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Të shtënat me armë në Veri kundër Policisë po vazhdojnë

    Kurti: Të shtënat me armë në Veri kundër Policisë po vazhdojnë

    Kryeministri Albin Kurt ka thënë se të shtënat me armë në Veri kundër Policisë po vazhdojnë.

    “Të shtënat me armë kundër policisë janë në vazhdim. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë thirrje që Serbia të ndalojë sponsorizimin e sulmeve terroriste në veri”, ka shkruar Kurti në Twitter.

    Më tej, ai ka thënë se kjo është arsyeje pse i kanë bërë thirrje Serbisë që të mos sponsorizojnë sulmet terroriste në Veri.

    “Ndërsa vajtojmë për humbjen e oficerit tonë të rënë, ne riafirmojmë angazhimin tonë për të ruajtur sundimin e ligjit dhe sigurinë në të gjithë territorin tonë. Sponsorizimi i dhunës dhe terrorizmit nga Serbia është një shkelje e rëndë si e sigurisë sonë kombëtare, ashtu edhe e ligjit, parimeve dhe vlerave ndërkombëtare”, shtoi Kurti.

  • Mediat ndëkombëtare raportojnë për vrasjen e policit kosovar në veri

    Mediat ndëkombëtare raportojnë për vrasjen e policit kosovar në veri

    Vrasja e një rreshteri të policisë së Kosovës dhe plagosja e një tjetri është raportuar edhe në mediat botërore.

    Nga Reuters, BBC e deri te ABC News kanë raportuar për sulmin ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.

    Mediat ndërkombëtare cituan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se në Banjskë të Leposaviqit është sulmuar policia Kosovës nga persona të maskuar dhe të armatosur rëndë.

  • Lajmi i fundit: Dëgjohen të shtëna armësh në veri

    Lajmi i fundit: Dëgjohen të shtëna armësh në veri

    Një krizë e re e ka kapluar veriun e Kosovës. Grupe të armatosura kanë kryer sulmet sot në drejtim të Policisë së Kosovës, ku zyrtari policor me gradën e rreshterit, Afrim Bunjaku ka mbetur i vrarë në fshatin Banjskë të Leposaviqit, ndërsa një tjetër zyrtar policor kufitar është plagosu.

    Edhe në këto momente, në vend të ngjarjes po vazhdon te ketë të shtëna të kohë pas kohshme.

    Këtë e ka konfirmuar gazetari i ATV-së nga vendi i ngjarjes.

    “Prej pozitës ku jemi, te udhëkryqi ku çon për në brendësi të fshatit Banjë, që është afër vendit ku ka ndodhur edhe sulmi, ka më shumë se gjysmë ore që jemi këtu prezent dhe vazhdimisht ka të shtëna të shumta që duken rafalë të ndryshme që vinë prej armëve të ndryshme që nuk janë shumë larg. Kemi një kodër para dhe menjëherë prapa kodrës, aty ku është manastiri i Banjskë”, raporton gazetari i ATV-së nga vendi i ngjarjes. /atvlive.tv

  • “Sulm vrastar, i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar”, Ali Ahmeti reagon për vrasjen e policit

    “Sulm vrastar, i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar”, Ali Ahmeti reagon për vrasjen e policit

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vrasjes së policit kosovar, Afrim Bunjaku. Ai e quajti “provokim të rëndë” dhe “të qëllimshëm e me agjendë të paracaktuar”.

    Ahmeti ka kërkuar nga institucionet kosovare që të bashkërendohen dhe të bashkëpunojnë me komunitetin ndërkombëtar domosdoshmërisht dhe urgjentisht.

    Tutje, Ahmeti shprehi ngushëllime për familjen e policit të ndjerë.

    Reagimi i Ahmetit:

    Sulmi vrastar ndaj shtetit të Kosovës dhe policisë së vendit është sulm ndaj paqes, stabilitetit dhe sigurisë së gjithë rajonit.

    Dënoj në formën më të ashpër sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e efektivit si dhe plagosjen e të tjerēve në mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës.

    Ky provokim i rëndë është i qëllimshëm me agjendë të paracaktuar, andaj dhe duhet menaxhuar me gjakftohtësi dhe mençuri për arsye se pasojat mund të janë rajonale mbi paqen dhe stabilitetin.

    Këto zhvillime janë të papranueshme dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, garantues i paqes dhe pavarësisë së Kosovës, është i domosdoshëm dhe urgjent.

    Nevojitet veprim i menjëhershëm për shuarjen e zjarrit vrastar dhe ndjellakeqës që synon zgjërimin dhe përfshirjen e vendit dhe rajonit.

    Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të të plagosurve.

  • “Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”, reagon familja e policit që u vra sot në Veri

    “Të vdesësh për atdhe është sikur të rilindësh përsëri”, reagon familja e policit që u vra sot në Veri

    Ka reaguar edhe familja e policit Afrim Bunjaku që u vra në orët e para të mëngjesit në Veri.

    Familjari Arton Bunjaku tha se ky është një lajm i kobshëm për familjen Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.

    “Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU* , rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    *TË VDESËSH PËR ATDHE ËSHTË SIKUR TË RILINDËSH PËRSËRI.*

    Të nderuar miq, të dashur familjarë,

    Sot, në orët e hershme të mëngjesit erdhi një lajm i kobshëm për familjen tonë Bunjaku nga Samdrexha e Vushtrrisë.

    Familjari jonë *AFRIM BUNJAKU* , rreshter në policinë e Kosovës është vrarë derisa ndodhej në detyrë, në veriun e Kosovës, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të venditit gjë të cilën e bëri me nder e krenari deri në frymën e fundit.

    E pikëlluar familja Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë.

  • ​Rohde: Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë

    ​Rohde: Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se autorit e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku duhet të dalin para drejtësisë.

    Përmes një postimi në rrjete sociale ku ka shprehur dakordimin me ambasadorin amerikan Hovenier, tha se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë.

    “Unë pajtohem plotësisht me deklaratën e kolegut tim amerikan. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të Kosovës duhet të dalin para drejtësisë. Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policëve të vdekur të PK-së dhe për policët e plagosur të PK-së”, shkroi Rohde.

    Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

  • Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Schneeberger i reagon Borrellit e Lajçakut pas vrasjes së policit: Kjo ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, dhe plagosjes së një polici tjetër në veri të vendit nga grupet kriminale serbe.

    Schneeberger i tha shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.

    “Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiqin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger në platformën X.

    Më tej, ajo tha se është koha për ta mbrojtur popullin e Kosovës e jo një autokrat, duke aluduar në Vuçiqin, i cili sipas saj po “bën lojëra të rrezikshme”.

    Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Mitrovicës së Veriut në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ndërsa një tjetër është plagosur.

    Për rastin kanë reaguar krerët e shtetit, të cilët kanë thënë se këto janë sulme terroriste të organizuara nga Serbia. /Reporteri.net/

  • Çollakaj: Gjendja në veri është shqetësuese

    Çollakaj: Gjendja në veri është shqetësuese

    Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, në një intervistë në ATV, tha se incidenti në veri të Kosovës nuk është vepër e thjeshtë kriminale, por është një sulm terrorist kundër juridik kushtetues të Republikës së Kosovës.

    “Kjo gjendje është shumë shqetësuese, është atakë në rendin juridik dhe kushtetues, është pra një sulm terrorist, për faktin se ka motive politike, ka qëllime politike, pra frikë dhe pasiguri dhe ka edhe dëme një njerëz dhe dëme të tjera, në rastin konkret qëllimi kryesor është ai politik, për këtë arsye edhe nuk është kjo një vepër e thjeshtë, një vrasje, një vepër kriminale, por është një sulm terrorist kundër rendit juridik kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Çollakaj.

    Ai tha se Serbia ka mekanizma të vet të cilat i aktivizon sa herë që e vlerëson për interesa të veta për ta destabilizuar Republikën e Kosovës.

    “Janë kanë incidente ose aktivitete të pritura për faktin se përfundimi pa rezultate i bisedimeve çon në kësi incidente. Në rastin konkret, nuk është incident i rastësishëm, por është një sulm i planifikuar nga Serbia, sepse Serbia gjithmonë e dimë që ka mekanizma të vet dhe instrumente të kamotshme në Veriun e Kosovës, të cilat i aktivizon sa herë që e vlerëson për interesa të veta dhe për të destabilizuar Republikën e Kosovës”, tha Çollakaj. /atvlive.tv

  • Kryetari i Vushtrrisë ngushëllon familjen e policit të vrarë në veri

    Kryetari i Vushtrrisë ngushëllon familjen e policit të vrarë në veri

    Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi i ka shprehur ngushëllime familjes së policit Afrim Bunjaku i cili u vra sot gjatë detyrës në veri të Kosovës.

    “E nderuara Familja Bunjaku, lajmi për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku nga bandat terroriste kriminale serbe na goditi rëndë. Andaj, duke ndarë dhimbjen me juve në këto qaste të rënda, ju shpreh ngushëllimet më të thella për rreshterin Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës”, shkruan në postimin e Idrizit në Facebook.

    Polici që mbeti i vrarë është nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë.

  • Vrasja e policit në Veri, reagon Vjosa Osmani

    Vrasja e policit në Veri, reagon Vjosa Osmani

    Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një polici të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit nga bandat kriminale.

    Osmani tha se kjo ngjarje është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, teksa e quajti sulm ndaj Kosovës.

    “Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Osmani.

    Tutje, ajo tha se pret që aleatët e Kosovës ta mbështesin vendin në përpjekjen për të vendosur rend e ligj në çdo pjesë të Republikës.

    “Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë”.

    “Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, tha Osmani.