ATV

Category: Lajme

  • Policia konfirmon vrasjen e njërit prej sulmuesve në veri

    Policia konfirmon vrasjen e njërit prej sulmuesve në veri

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se njëri nga sulmuesit në Veri është vrarë, pasi tha se ka qenë e detyruar që t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale atje, disa orë pas rreshteri Afrim Bunjaku u vra dhe polici Alban Rashiti u plagos, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

    Në një njoftim në media, Policia tha se situata në Veri, e konkretisht në zonën e fshatit Banjska, po vazhdon të jetë e tensionuar.

    Sipas PK-së, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, “të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë”.

    Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

    Situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren, të cilat edhe përkundër sulmeve ndaj tyre po vazhdojnë angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë, në interes të qetësimit të situatës, ofrimit të sigurisë dhe sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

    Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.

    Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë.

    Referuar situatës dhe rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës për shkaqe sigurie ka mbyllur për qarkullim kufitar dy vendkalimet kufitare në veri (Jarinje dhe Bërnjak), andaj fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim si dhe të shmangun daljet dhe lëvizjet e tyre në atë rajon/zonë.

    Bashkëpunimi dhe koordinimi i Policisë së Kosovës me institucionet kompetente vendore dhe ndërkombëtare po vazhdon, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve të vazhdueshme ndaj zyrtarëve policorë dhe njëherit fton ata që të dorëzohen para organeve të rendit.

  • Maqedonci për sulmin në veri: Dorasit janë kriminelë të dirigjuar nga Beogradi

    Maqedonci për sulmin në veri: Dorasit janë kriminelë të dirigjuar nga Beogradi

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar për sulmin në veri ku mbeti i vrarë një polic dhe një tjetër u plagos.

    Ai deklaroi se dorasit janë kriminelë të dirigjuar nga Beogradi, që për qëllim kanë destabilizimin e vendit.

    “Veprime të tilla për eskalim të situatës nuk do zmbrapsin organet e sigurisë për të kryer detyrën e tyre, dhe as nuk do na bëjnë të ndryshojmë qëndrim në raport me Serbinë kur bëhet fjalë për interesat tona shtetërore. Siguria e qytetarëve, mbrojtja e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës është obligim, detyrë mbi çdo detyrë tjetër, andaj dhe kriminelët do të dënohen dhe grupet kriminale do të shkatërrohen”, shkroi Maqedonci në “Facebook”.

    Tutje ai ngushëlloi familjen e policit të vrarë, dhe i uroi shërim të shpejt policit të plagosur.

  • Pas Borell edhe Lajçak e dënon vrasjen e policit: Autorët të sillen para drejtësisë, palët t’i kthehen dialogut

    Pas Borell edhe Lajçak e dënon vrasjen e policit: Autorët të sillen para drejtësisë, palët t’i kthehen dialogut

    Për sulmin në Veri të Kosovës ku u vra edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovë, ka reaguar edhe Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi.

    Lajçak shpërndau postimin e zyrtarit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe shtoi se dënon sulmon e tmerrshëm kundër Policisë së Kosovës.

    AI ka kërkuar që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.

    Po ashtu Lajçak ka shkruar se të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë.

    ”Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është për viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

    Lajçak ditëve të fundit është akuzuar nga kryeministri Albin Kurti që në procesin e
    dialogut është i njëanshëm, në favor të Serbisë.

  • Borrell e dënon vrasjen e policit, thotë se ka rrezik të vriten njerëz tjerë përreth Manastirit të Banjskës

    Borrell e dënon vrasjen e policit, thotë se ka rrezik të vriten njerëz tjerë përreth Manastirit të Banjskës

    Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka reaguar për sulmin në Veri, ku u vra një pjesëtar i Policisë.

    Borrell e ka dënuar këtë sulm dhe ka kërkuar që autorët përgjegjës të përballen me drejtësinë. Ai ka thënë se ka rrezik të vriten edhe njerëz të tjerë përreth Manastirit të Banjskës.

    ”Dënoj në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës në në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, ka thënë ai.

    ”Më shumë jetë të pafajshme janë në rrezik në armiqësitë e vazhdueshme në rrethinat e Manastirit të Banjskës. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, ka kërkuar Borrell.

    “EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, është në terren dhe në kontakt të ngushtë me autoritetet dhe KFOR-in. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdimisht u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve që të punojnë për të de-përshkallëzuar situatën në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

    Një polic është vrarë në Veri të Kosovës dhe ky sulm po dënohet nga bashkësia ndërkombëtare.

    Qeveria e Kosovës e ka cilësuar sulmin si akt terrorist, madje kryeministri Kurti ka publikuar fotografi të këtyre grupeve.

  • Dioqeza Rashkë-Prizren: Një grup personash të armatosur, kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar

    Dioqeza Rashkë-Prizren: Një grup personash të armatosur, kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar

    Një grup personash të armatosur e të maskuar kanë sulmuar manastirin e Banjskës ku qytetarët serb në mëngjesin e sotëm kanë shkuar për liturgji.

    Këtë e ka konfirmuar Dioqeza Rashkë-Prizren ku përmes një njoftimi për media thotë se ky grup, është futur në manastir me një automjet të blinduar dhe se grupi i personave të maskuar e të armatosur po lëvizin nëpër oborrin e manastirit.

    “Dioqeza është shumë e shqetësuar pasi sipas informacioneve të fundit, një grup personash të armatosur, të maskuar kanë sulmuar Manastirin e Banjskës me një automjet të blinduar, duke hyrë në portën e mbyllur të manastirit. Aktualisht në manastir ndodhet një grup pelegrinësh nga Novi Sadi së bashku me igumenin At Danilon me vëllazëri monastike. Për siguri, vëllazëria dhe pelegrinët e manastirit janë mbyllur brenda dhe tempulli i manastirit është gjithashtu i mbyllur. Njerëz të maskuar të armatosur lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna armësh”, thuhet në këtë njoftim.

    Dioqeza ka thënë se e “dënon ashpër” dhunën e hapur që po ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, “duke u bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur”.

    Dioqeza Rashkë-Prizren e ka dënuar sulmit e sotëm, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe dy të tjerë mbetën të lënduar.

    “Dioqeza Rashkë-Prizren dënon ashpër sulmin e fundit të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, afër fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër u plagos. Ky është një incident i rëndë që mund të ketë pasoja të mëdha dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të bëhet gjithçka për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Dioqeza u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të policit të vrarë dhe sinqerisht shpreson që dy të plagosurit të shërohen sa më shpejt”, ka thënë Dioqeza Rashkë-Prizren në njoftimin për media pas sulmit të sotëm në veri.

  • Rama për vrasjen e policit në veri: Kambana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit të krizës

    Rama për vrasjen e policit në veri: Kambana më e madhe e alarmit për rrezikun e eskalimit të krizës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ngjarja e fundit e ndodhur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës, është kambana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës në një konflikt të armatosur.

    Rama ka bërë thirrje për komunitetin euroatlantik që ta ulë Kosovën dhe Serbinë në tyrezën e dialogut opër normalizim të marrëdhënieve.

    “Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikëqyrjen e garancinë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin”, ka thënë ai.

    Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Mitrovicës së Veriut. Një tjetër polic është plagosur.

  • Zëvendësdrejtori i Policisë: Po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri në veri

    Zëvendësdrejtori i Policisë: Po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri në veri

    Fehmi Hoti, zv-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se në veri të Kosovës po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri.

    Ai ka thënë se nuk ka informacione nëse ka të vrarë nga pala tjetër.

    ”Deri më tani që kemi informacione zyrtare është një të vrarë dhe dy kolegë që njëri është i lënduar tjetri i plagosur. Nuk ka informacione nga pala tjetër. Momentin që po flasim ka ende shkëmbim zjarri”, ka thënë Hoti.

    Ky sulm është cilësuar si terrorist, ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar edhe fotografi të këtyre grupeve.

  • Kurti: Kjo autoblindë nuk është e Kosovës, janë njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake

    Kurti: Kjo autoblindë nuk është e Kosovës, janë njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se në zonën ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndodhen rreth 30 persona rëndë të armatosur nën rrethimin e policisë, dhe të njëjtit i fton që të dorëzohen.

    “Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, që janë nën rrethimin e forcave tona dhe i ftoj të dorëzohen. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti.

    Tutje, Kurti tha se Afrim Bunjaku, u vra mizorisht në krye të detyrës.

    “Siç mund të shihni, këto automjete janë pa targa dhe janë automjete që nuk i posedojnë serbët lokalë dhe askush që është civil në Republikën tonë. Këta janë dy kamionët që janë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Ju e shihni atje një person të uniformuar, i cili mban një armë krahu, që nuk është tipike për policinë. Njerëz të armatosur rëndë me pajisje ushtarake, me maska, të cilët janë rrotull manastirit në Banjska të Zveçanit. Organet tona të sigurisë edhe Prokuroria me Siguri do të zhvillojnë hetimet për të kuptuar më shumë për këto uniforma, të cilat siç shihet, përveç xhipave që i kanë, kanë edhe një autoblindë aty. Kjo autoblindë nuk është e Policisë së Kosovës”, tha Kurti. /atvlive.tv

  • Kurti publikon pamjet nga vendi i ngjarjes: Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave tona, i ftoj të dorëzohen

    Kurti publikon pamjet nga vendi i ngjarjes: Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave tona, i ftoj të dorëzohen

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka njoftuar se në zonën ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndodhen rreth 30 persona rëndë të armatosur nën rrethimin e policisë, dhe të njëjtit i fton që të dorëzohen.

    “Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, që janë nën rrethimin e forcave tona dhe i ftoj të dorëzohen. Ata janë që po e sulmojnë policinë tonë edhe pasi e kanë vrarë Afrim Bunjakun dhe kanë plagosur Alban Rashitin”, tha Kurti.

    Tutje, Kurti tha se Afrim Bunjaku, u vra mizorisht në krye të detyrës.

    Ai konferencën e nisi me fjalët pati “sulm terrorist ndaj policisë, rendit sigurisë dhe paqes, në mëngjesin e sotëm pas një sulmi të orkestruar ka humbur jetën Afrim Bunjaku, në trajtim ndodhet Alban Rashiti që ndodhet jashtë rrezikut për jetë, do të lirohet nga spitali sot pas operacionit që largoi një predhë nga krahu i majtë”, tha ai.

    “Zyrtarët janë sulmuar me armë të ndryshme, me granata dore e zollë”.

    Kurti tha se “sot është ditë e rëndë për vendin tonë, policisë do ti mungojë një zyrtar i përkushtuar i saj, ashtu siç do ti mungojë edhe familjes”.

    “Sulmet e grupeve të armataosura me armë të të gjitha llojeve ku u vra polici po vazhdojnë akoma”, konfirmoi ai.

    “Krimi i organizuar në mbështetje nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin, në këtë betëje mbrojmë dhe zbatojmë ligjshmërinë”, tha ai.

    “Kriminelët dhe urdhër-dhënësit e tyre do të kapen, gjykohen e dënohen”, u zotua kryeministri.

    “Institucionet e shtetit janë të gatshme për t’iu përgjigjur sulmeve”.

    Kurti i ftoi të gjithë qytetarët që ta ruajnë qetësinë.

    “Qytetarët i ftoj të të gjitha komuniteteve ta ruajnë qetësinë dhe të tregojnë matur, duke lejuar institucionet përgjegjëse të sigurisë për të vendosur rend dhe ligj dhe për të sjellë siguri”, tha ai.

  • Burime të ATV-së raportojnë se ka të plagosur edhe nga ana e sulmuesve

    Burime të ATV-së raportojnë se ka të plagosur edhe nga ana e sulmuesve

    Një krizë e re e ka kapluar veriun e Kosovës. Grupe të armatosura kanë kryer sulmet sot në drejtim të Policisë së Kosovës, ku zyrtari policor me gradën e rreshterit, Afrim Bunjaku ka mbetur i vrarë në fshatin Banjskë të Leposaviqit, ndërsa një tjetër zyrtar policor kufitar është plagosu.

    Burime të ATV-së nga vendi i ngjarjes raportojnë se ka të plagosur edhe nga ana e sulmuesve.

    Ndërkohë, rreth 30 minuta më parë, në vend të ngjarjes ka vazhduar te ketë të shtëna të kohë pas kohshme.

    Këtë e ka konfirmuar gazetari i ATV-së nga vendi i ngjarjes.

    “Prej pozitës ku jemi, te udhëkryqi ku çon për në brendësi të fshatit Banjë, që është afër vendit ku ka ndodhur edhe sulmi, ka më shumë se gjysmë ore që jemi këtu prezent dhe vazhdimisht ka të shtëna të shumta që duken rafalë të ndryshme që vinë prej armëve të ndryshme që nuk janë shumë larg. Kemi një kodër para dhe menjëherë prapa kodrës, aty ku është manastiri i Banjskës”, raportoi gazetari i ATV-së nga vendi i ngjarjes.