ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Për nëntë muaj 332 raste me kancer të gjirit , zbulimi i hershëm shpëton jetë

    Kurti: Për nëntë muaj 332 raste me kancer të gjirit , zbulimi i hershëm shpëton jetë

    Kryeministri Albin Kurti, tha se zbulimi i hershëm i kancerit është parakusht që të shpëtohen jetë njerëzish, raporton EO.

    Ai, në lansimin e fushatës ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”, me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u ka bërë thirrje të gjitha grave e vajzave që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje.

    Kreu i Qeverisë, tha se në bazë të statistikave, në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostifikuar me kancer të gjirit dhe se një në tetë gra është e prekur.

    Më tej, shtoi se Qeveria po punon që të krijohen kushte për trajtimin e sëmundjes dhe se e kanë rritur buxhetin për barna.

    “Jam i gëzuar që jam këtu me ju për të hapur fushatën kundër kancerit të gjirin, një sëmundje e përhapur jo vetëm në vendin tonë. Jemi bashkë në këtë betejë, duke se një në shtatë vdekje vijnë nga kanceri i gjirit”.

    “Fokusi është në zbulimin e hershëm, për këtë angazhohemi në investime në sistemin shëndetësor. Iu bëjmë thirrje grave e vajzave që të kontrollohen vazhdimisht. Si Qeveri kujdesimi që të zbulojmë hershëm këtë sëmundje dhe të kemi trajtimin e duhur. Në këtë betejë për jetë Ministria po punon në zgjerimin e trajtimit të kimioterapisë edhe në Spitale Regjionale”.

    “Kemi rritu ndjeshëm buxheti për barna. Kemi dy pajisje të teknologjisë fundit për trajnimin e kësaj sëmundje. Statistika tregojnë që një në tetë gra kanë kancer të gjirit. Në nëntë muajt e fundit 332 pacientë janë dignostifikuar me kancer të gjirit, i’u bëjë thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është investuar në aparaturën që mundësojnë zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve malinje, raporton EO.

    Sipas ti, edukimi dhe kontrolli i rregullt janë faktori kyç për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje.

    “Kanceri i gjirit si në nivel global ashtu edhe në vendin tonë është në statistika të njëjta. Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin, të cilën Qeveria jonë e ka rritur dhe ka investuar në aparaturën e zbulimit dhe trajtimit të sëmundjeve malinje”.

    “Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni po ritheksojmë faktin se edukimi, kontrolli i rregullt janë faktori kyq për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje. Mbështetja e grave të prekura, mbështetja emocionale me psikologë e profile të tjera për këto gra është e domosdoshëm”.

    Nafije Latifi, drejtoreshë e “Jeta Vita”, tha se Klinika e Onkologjisë punon në kushte të vështira. Ajo shtoi se të gratë e operuara nga kancerit t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit.

    “Sivjet synimi ynë janë komunitetet me qëllim që ta shtrijmë vetëdijen te e gjithë popullata. Klinika e Onkologjisë me një staf shumë punëtorë punon në kushte të vështira, me kërkesa të mëdha për trajtim, mungesë shtretërish etj”.

    “Kërkesa jonë është që gratë që janë operuar nga kanceri i gjirit t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”.

  • Kurti: Sulmi terrorist ishte plan për aneksimin e veriut nga 37 pozicione

    Kurti: Sulmi terrorist ishte plan për aneksimin e veriut nga 37 pozicione

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e së hënës ka shkruar në patformën “X”, sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

    Ai ka thënë se Policia e ka konfirmuar që ky sulm ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës, përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme.

    Kurti ka shkruar se kjo do të pasonte me krijimin e një korridori për në Serbi, i cili do ta mundësonte furnizimin me armë dhe trupa.

    “Bazuar në dokumentacionin e konfiskuar, Policia e Kosovës ka konfirmuar se sulmi terrorist ishte pjesë e një plani më të madh për të aneksuar veriun e Kosovës përmes një sulmi të koordinuar nga 37 pozicione të ndryshme. Do të pasonte krijimi i një korridori për në Serbi, për të mundësuar furnizimin me armë dhe trupa”, ka shkruar Kurti.

  • Lajçak mund të largohet së shpejti nga detyra e emisarit për dialog

    Lajçak mund të largohet së shpejti nga detyra e emisarit për dialog

    Një parti e udhëhequr nga një figurë pro-Kremlinit fitoi të dielën zgjedhjet në Sllovaki, tregojnë rezultatet preliminare të votimev.

    Sipas rezultateve paraprake të lëshuara nga Zyra e Statistikave të Sllovakisë në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, partia populiste SMER e politikanit Robert Fico fitoi 22.9% të votave.

    Fico është aleat i ngushtë i Mirosllav Lajçakut, emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Derisa Fico pritet të emërohet kryeministri i ri i Sllovakisë, ka gjasa që një rol në qeverinë e re t’i ofrohet edhe Lajçakut, raporton The Economist.

    The Economist raporton se Fico mund ta emërojë Lajçakun në detyrën e tij të vjetër si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, duke e larguar atë nga funksioni i emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Pas takimit të fundit në dialog më 14 shtator, kryeministri Albin Kurti akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Lajçak, ka shërbyer si kryediplomat i Sllovakisë në vitet 2009-2010 dhe për tetë vite me radhë nga 2012 deri më 2020.

  • Rasti i 53-milionëshit, dëshmon ish-ministri Lutfi Zharku

    Rasti i 53-milionëshit, dëshmon ish-ministri Lutfi Zharku

    sh-ministër i Infrastrukturës Lutfi Zharku, është dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, në rastin e njohur si 53-milionëshi.

    Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

    Në seancën e kaluar të mbajtur më 29 shtator 2023, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefi i kabinetit të ish-ministrit Lekaj, dëshmitari Argjend Zejnaj.

    Kurse në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

  • Drejtori i AKI-së sot raporton në komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni

    Drejtori i AKI-së sot raporton në komisionin për Mbikëqyrjen e këtij institucioni

    Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, sot do të raportojë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI’së.

    “10:00- Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë raporton Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Petrit Ajeti. (Kuvendi i Kosovës, salla N204)”.

  • Zhvillimet e fundit në Kosovë, Serbia në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Zhvillimet e fundit në Kosovë, Serbia në zgjedhje të jashtëzakonshme

    Zhvillimet e fundit në Kosovë, ngjarjet tragjike dhe dështimet e Serbisë, kanë hapur debatin për zgjedhjet e përgjithshme. Po çfarë sjellin këto zgjedhje?

    Një varg dorëheqjesh të kryetarëve të bashkive anembanë Serbisë të çon në konstatimin se Serbia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe rajonale. Sipas vlerësimeve aktuale, zgjedhjet mund të mbahen më 17 dhjetor, e përveç dorëheqjes së kryetarëve të komunave, pritet të japë dorëheqje edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq. Kjo është një lloj përgjigje ndaj një pjese të opozitës që i ka kërkuar zgjedhje të reja presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Siç ka deklaruar edhe vetë presidenti i Serbisë, “do të jenë së bashku zgjedhjet parlamentare e lokale, si dhe ato për qytetin e Beogradit dhe disa komunave”. I pyetur nëse do të jetë bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Vuçiq është përgjigjur se kjo do të ishte nder dhe kënaqësi për të.

    Zgjedhjet nuk janë zgjidhje

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht thirren për zgjidhjen e ndonjë krize politike, por bashkëbiseduesit e DW paralajmërojnë se as me këto zgjedhje nuk do të zgjidhet asgjë në Serbi. Siç tha për DW, Zoran Gavriloviq, nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI), “ky hap tregon se ne kemi një sistem zgjedhor që është në funksion të një partie dhe një personi”.

    “Ky në fakt është një keqpërdorim i zgjedhjeve, ku në vend që të zgjedhim kandidatët më të mirë, do të kemi zgjedhje në të gjitha nivelet, ku zgjedhja do të bëhet me aklamacion mes mbështetjes dhe refuzimit të pushtetit personal të Aleksandar Vuçiqit”, vlerëson Gavriloviq.

    Kosova dhe opozita e papërgatitur

    Nëse opozita i shihte zgjedhjet si një lloj strategjie për dalje nga kriza, pas dështimit praktik të protestave në rrugë në të gjithë Serbinë, nuk është saktësisht e qartë pse partia në pushtet dëshiron me kaq shpejtësi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupiq, beson se “disa ngjarje janë përshpejtuar,mbi të gjitha në Kosovë. Por Vuçiq ndoshta po llogarit edhe me papërgatitjen e opozitës për zgjedhje”. Vetë opozita ende nuk ka hartuar ndonjë strategji apo taktikë për zgjedhjet dhe supozohet se në një hark kohor kaq të shkurtër nuk do të mund ta bëjë këtë siç duhet”, tha Çupiç për DW.

    Është e qartë se pas rritjes së paralajmëruar të çmimeve, gjendja ekonomike në kohën kur është dashur të mbahen zgjedhjet nuk do të jetë e njëjtë si në fund të këtij viti, vëren Zoran Gavriloviq.”Ka frikë edhe brenda qeverisë se disponimi do të ndryshojë gjithnjë e më shumë edhe pas ngjarjeve tragjike në Kosovë. Por, përkundër kësaj, ne ende kemi një qeveri që lë pas institucionet e shkatërruara dhe shtetin e rrënuar ligjor. Prandaj mendoj se këto do të jenë zgjedhje që nuk do të zgjidhin asgjë dhe se kriza që kemi do të vazhdojë”, paralajmëron Gavriloviq.

    Zgjedhjet në kushte të njëjta si më parë

    Një nga kërkesat e opozitës është edhe ndarja e zgjedhjeve në nivele të ndryshme, për të ulur sa më shumë ndikimin e vetë Vuçiqit si bartës i listës së SNS-së në zgjedhje. Kjo kërkesë i referohej fillimisht një date të veçantë për zgjedhjet në Beograd, i cili aktualisht shihet si vendi ku opozita ka shanset më të mira për rezultatin më të mirë në Serbi. Mirëpo, të paktën tani për tani, këmbëngulja e opozitës nuk do të rezultojë me sukses.

    Serbia pas shkallëzimit të situatës në veriun e Kosovës
    Edhe opozita kishte qëndrime krejtësisht të ndryshme për këtë – disa ishin për të shkuar në zgjedhje me çdo kusht, të tjerët jo, thotë Çedomir Çupiq.

    “Padyshim që i shkon për shtat partisë në pushtet që të gjitha zgjedhjet të mbahen në të njëjtën kohë, sepse kjo lë më shumë hapësirë ​​për manipulime të ndryshme. Gjithçka tregon gjendjen e demokracisë në Serbi. Opozita ndoshta do të mund të bënte diçka më shumë për ndarjen e zgjedhjeve, ose për kushtet e zgjedhjeve, nëse do të ishte më e unike dhe sikur të kishte një pikëpamje të përbashkët për zgjedhjet”, beson profesori Çupiq.

    Ndërsa Zoran Gavriloviq thekson se “së pari, nuk është e qartë pse opozita kërkoi zgjedhje”. Nuk besoj se Vuçiq do të heqë dorë nga privilegji për të vendosur emrin e tij kundër opozitës. Është humbur edhe mundësia për të shndërruar energjinë e protestës në diçka që do të jetë të paktën një lloj ndryshimi në sferën mediatike, e cila është e rëndësishme jo vetëm për procesin zgjedhor. Tani opozita ka kërkuar zgjedhje, Vuçiq është përgjigjur se do t’ua plotësojë këtë kërkesë, por kushtet zgjedhore nuk do të ndryshojnë. Prandaj ne tani po nxitojmë në një krizë të re”, vëren Gavriloviq.

    Sundimi i kalkulimeve të vogla

    Nga ana tjetër, tema e kushteve zgjedhore pothuajse është zhdukur nga debati publik dhe me sa shihet, as opozita nuk insiston shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Për profesor Çupiqin, “kjo tashmë tregon mjaft se si do të dukeshin zgjedhjet e jashtëzakonshme. Pra, ne po hyjmë në një lojë politike në të cilën përfundimi do të jetë që dikush të hyjë në parlament, por sa i përket jetës së përgjithshme politike në Serbi, asgjë nuk do të ndryshojë. Ka shumë kalkulime të vogla për të ndryshuar rrënjësisht diçka”, thekson Çupić.

    Mendoj se në fund opozita u tremb nga numri i vogël i protestuesve, thotë Zoran Gavriloviq dhe shton se “pret që Bashkimi Evropian të ndërhyjë”.

    “Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës, është dëshmi e qartë se institucionet nuk po e bëjnë punën e tyre. Është një problem serioz që disi shkon përtej kufijve të Serbisë dhe zgjedhjet si kjo në këto kushte në fakt vetëm sa e zgjasin krizën e thellë në të cilën gjendet Serbia”, përfundon Zoran Gavriloviq.

  • Media serbe për rolin e Radoiçiqit: Mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës

    Media serbe për rolin e Radoiçiqit: Mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës

    Vila e Milan Radoiçiqit, e cila ditë më parë është bastisur nga policia e Kosovës, ka hapur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe. Si fitoi kaq shumë pasuri mbrojtësi i serbëve në veri të Kosovës dhe a është luftëtar ballkanas, Pablo Escobar?

    Luks i fshehur në një vilë në bregun e liqenit të Gazovdës në veri të Kosovës. Pronari i objektit madhështor është Milan Radoiçiq, pohon policia e Kosovës dhe askush nga pala serbe nuk e mohon.

    “Është një shfaqje force, në një farë mënyre. Kjo flet vetëm për fuqinë time. Krijon një imazh tjetër pushteti, paprekshmëri. E shikon cfare zane ka, mos u ngaterro me te. Besoj shumë se ai ishte mjeshtër i jetës dhe vdekjes në veri të Kosovës”, ka thënë Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs.

    Radoiçiq ishte edhe lider joformal i serbëve në veri të Kosovës, i angazhuar politikisht, nënkryetar i Listës Serbe. Së bashku me kumbarin e tij Zvonko Veselinoviq, që nga viti 2013 është i lidhur me shumë afera të dyshimta.

    Gazetari i NIN-it, Vuk Cvijiq tha se ata u gjykuan për krim të organizuar, nuk u dënuan. ”Disa procedura ende ekzistojnë. Ata janë në listën e zezë të SHBA-së, ku shkruhet, jo vetëm për krim të organizuar dhe lëndë narkotike, por përmendet edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit. Ai vetëm tani, me rastin e kësaj tragjedie, ka dhënë disa dëshmi, por nuk bëhet e ditur prejardhja e asaj pasurie, se si kompanitë në të cilat ai është bashkëpronar, së bashku me kumbarin e tij Veselinoviq, marrin projektet më të rëndësishme shtetërore dhe se si ato kompani kanë një qarkullim më të madh se kompanitë e Miroslav Mishkoviq-it”, shpjegon gazetari i NIN-it, Vuk Cvijiq.

    Para vdekjes, vetë Oliver Ivanoviq e shënoi si njeriun që mban të gjithë pushtetin në veri të Kosovës dhe shprehu shqetësimin e tij se një njeri i tillë është shënuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si luftëtar për mbijetesën e serbët.

    “Është ajo histori klasike. Politika, biznesi, krimi janë të lidhura. Është ai trekëndësh. Ai është i lidhur me të gjithë. Të gjithë e lidhin me autoritetet serbe. E cila është e dukshme. Deri më tani ka qenë i paprekshëm dhe ato punë që i jepte shteti, janë gjithmonë fitime të mëdha, ajo paprekshmëri nga ana e drejtësisë. Por të mos harrojmë se edhe ai para disa vitesh u shfaq në publik me Bedzet Pacolin, po ashtu biznesmen, por nga pala kosovare”, shpjegon Millosh Laziq, gazetar i portalit Nova.rs.

    Origjina e pasurisë së Radoiçiqit, ata besojnë se nuk do t’i interesojë askujt – as palës kosovare e as serbe.

    Objekte të ngjashme kanë tërhequr vëmendjen e publikut në Serbi edhe më parë.

    Kështu, Shilerova e klanit të Zemunit përmendej si një vilë në të cilën janë të praruara bravat, në të cilën veprat e artit kushtojnë shtrenjtë dhe ishte selia e Dushan Spasojeviqit.

    “Ne e dimë nga vendimet gjyqësore se klani i Zemunit ishte krahu i zgjatur i Sllobodan Millosheviqit. Kjo është arsyeja pse u rrit. Nga disa gjykime dimë se ai ka shërbyer si logjistikë për vrasjet politike. Në anën tjetër, Dushan Spasojevoqi nuk ka qenë nënkryetar dhe anëtar i rëndësishëm i SPS-së dhe ky njeri është nënkryetar i Listës Serbe, pra dega e SNS-së në Kosovë”, beson Cvijiq.

    Radoiçiq dorëzoi dorëheqjen nga Lista Serbe, pasi siç tha ai, kjo nuk do të dëmtonte popullin serb. E ndërsa në vilën në Shilerova janë investuar 8.5 milionë marka gjermane, ndërtesa e Radoiçiqit është ende në pritje të një vlerësimi.

  • Shpenzimet e larta serbe për ushtrinë

    Shpenzimet e larta serbe për ushtrinë

    Qeveria e Serbisë në vitin e kaluar ka investuar rreth 460 milionë euro në modernizimin e Forcave të Armatosura, ndërsa këtë vit janë planifikuar rreth 616 milionë për të njëjtin qëllim, njofton portali Rrjeti Ballkanik i Sigurisë, transmeton Beta.

    Siç thuhet, sipas të dhënave nga llogaria përfundimtare e buxhetit për vitin 2022, Serbia ka shpenzuar 53.8 miliardë dinarë (rreth 460 milionë euro) për prokurimin e armëve dhe teknikave dhe nevojave të tjera të ndryshme të forcave të armatosura.

    “Kjo shumë përfshin të gjitha llojet e armëve, mjeteve motorike, pajisje mjekësore për Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe sistemin shëndetësor ushtarak, rimbushjen e rezervave të materialit luftarak e të tjera”, thuhet në tekst.

    “Për vitin 2022, vlera e importeve është 162 milionë dollarë. Nga kjo sasi, rreth 85 për qind është drejtpërdrejt për nevojat e Forcave të Armatosura të Serbisë, ndërsa pjesa tjetër është për prodhimin e kompanive që janë të ndërlidhura në mënyrë indirekte me nevojat e brendshme ushtarake sepse janë komponentë për armët vendase”, thuhet në tekst.

    Shtohet se Jugoimport SDPR ka shitur brenda vendit mallra në vlerë prej 69 milionë dollarësh, të cilat janë kryesisht pajisje ushtarake për Ushtrinë Serbe – Miloš dhe Lazar tre autoblinda luftarake dhe obus vetëlëvizës Nora-B52.

    “Përqindja e investimeve në buxhetin e mbrojtjes së Serbisë është dy herë më e lartë se standardi në NATO. Konsiderohet si investim i lartë kur 20 për qind e buxhetit shkon për armë dhe infrastrukturë dhe tek ne gati 40 për qind e buxhetit në vitin 2022 është shpenzuar vetëm për investime në teknologji. Ky nivel i lartë investimi tregon se modernizimi i gjerë i Forcave të Armatosura të Serbisë është duke u zhvilluar”, thuhet në portal.

    Sipas buxhetit për vitin 2023, është planifikuar të ndahen rreth 1.37 miliardë euro për nevoja ushtarake, nga të cilat 616 milionë janë klasifikuar në klasifikimin 512 (“makineri dhe pajisje”).

    “Që nga viti 2016 vlera reale e blerjeve ka qenë gjithmonë më e lartë se sa ishte planifikuar fillimisht në buxhet dhe vitin e kaluar ishin planifikuar 436.6 milionë euro. Fillimisht buxheti ishte ulur në 388.2 milionë euro në pjesën e klasifikimit 512, por në fund u shpenzuan 460 milionë euro”, thuhet në tekst.

  • Një i lënduar pas një aksidenti trafiku në Vushtrri

    Një i lënduar pas një aksidenti trafiku në Vushtrri

    Një person është lënduar pas një aksidenti trafiku në Vushtrri.

    Në raportin e policisë thuhet se një shtetas i huaj, nga pakujdesia ka goditur veturën e një personi tjetër.

    “Është raportuar se vozitësi mashkull shtetas i huaj, dyshohet se nga pakujdesia me veturë ka goditur veturën e viktimës mashkull kosovar. Si pasojë e aksidentit viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

  • Një person hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    Një person hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohet nga Policia

    Dje në fshatin Bistricë të Leposaviqit është ndaluar një veturë me targa të Serbisë.

    Policia njofton se shoferi e ka pranuar se nëpërmes rrugëve ilegale, ka kaluar nga Serbia në Republikën e Kosovës.

    “KALIM I PA AUTORIZUAR I VENDKALIMEVE KUFITARE OSE VIJËS KUFITARE- Fsh. Bistricë, Leposaviq. 01.10.2023 – 14:30. Është ndaluar një veturë me targa të Serbisë të cilën e drejtonte i dyshuar mashkull kosovar. I dyshuari ka pranuar se ka kaluar nëpërmes rrugëve ilegale nga Serbia në R. Kosovë. Pas intervistimit, i dyshuarit me vendim të prokurorit është liruar. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.