ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri kroat: Sulmi në veri s’ka ndodhur rastësisht, duhet reagim më i fortë ndërkombëtar

    Kryeministri kroat: Sulmi në veri s’ka ndodhur rastësisht, duhet reagim më i fortë ndërkombëtar

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka dënuar sulmin nga një grup terrorist serb në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Duke kërkuar reagim të fortë ndërkombëtar, Plenkoviç tha se armatimi i rëndë i grupit kriminal tregon se i njëjti ka qenë i planifikuar dhe që nuk ka ndodhur rastësisht.

    Kryeministri kroat në konferencë për medie së bashku me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci tha se incidenti i 24 shtatorit në Kosovë është shumë serioz dhe sinjal i që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën dhe tërë situatën në Evropën juglindore.

    “Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës nga grupe të armatosura të cilat kanë qenë të armatosur në formë të tillë, duke e bërë të qartë se këtu bëhet fjalë për operacion paraprakisht të planifikuar. Me pajisje të tilla dhe numër të madh njerëz nuk është diçka që ka ndodhur rastësisht. Si i tillë ne konsiderojmë se kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe sinjal i fortë që tregon se ka forca që duan të destabilizojnë Kosovën, raportet Kosovë-Serbi dhe tërë situatën në hapësirën Evropën juglindore”, theksoi ai.

    Ai shtoi se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të kenë reagim të qartë për sulmin në veri të Kosovës dhe të përkrahin institucionet kosovare.

    Sipas tij, Serbia mori mesazhe të qarta nga komuniteti ndërkombëtar për dërgimin e ushtrisë në kufirin me Kosovën.

    “Gjithashtu reagimi i komunitetit ndërkombëtar, këtu mendoj për BE-në, NATO-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të tjerë që veprojnë në Kosovë duhet të jenë të qarta dhe të forta. Duhet të përkrahin institucionet e Kosovës para se gjithash pasi bëhet fjalë për territor të Kosovës. Në anën tjetër duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar çfarëdo lloj eskalimi të gjendjes. Kemi dëgjuar mesazhe të qarta nga aktorët global që i kanë dërguar Serbisë që të tërhiqen menjëherë forcat që i kanë dërguar drejt kufirit të Kosovës. Kjo tregon se komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për paqe për normalizim të raporteve për të vendosur një situatë që negociatat me ndërmjetësim evropian të vazhdojnë më tutje”, shtoi kryeministri kroat.

    Ai përmendi edhe diskutimet joformale që po ndodhin në Bashkimin Evropian për t’i vendosur masa ndëshkuese Serbisë, të ngjashme sikur që janë ndërmarrë ndaj Kosovës.

    “Bëhet fjalë për masat të cilat Komisioni Evropian mund t’i ndërmarrë. Bëhet fjalë për disa prej programeve të Bashkimit Evropian, masa të tilla që janë ndërmarrë edhe ndaj Kosovës para sa muajsh. Prandaj një diskutim i thellë do të vazhdojë”, theksoi ai.

    Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha se vrasja e rreshterit policor në Kosovë dhe zija kombëtare në Beograd janë të dënueshme dhe të papranueshme.

    Ai shtoi se edhe shfaqja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën vetëm nxit tensione, andaj edhe mirëpriti tërheqjen e tyre.

    Ndërkaq nënvizoi se Bashkimi Evropian duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë për këtë veprim.

    “Vrasja e një efektivi të Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë dhe i veshur ushtarakisht në territorin e Republikës së Kosovës dhe zija kombëtare e shpallur në Beograd për anëtarët e këtij grupi që u eliminuan nga forcat e sigurisë së Kosovës janë të pajustifikueshme, të papranueshme dhe janë të dënueshme në të gjitha nivelet. Ky është qëndrimi ynë dhe pa diskutim që duke qenë promotorë të dialogut të normalizimit të paqes përfundimtare që kalon nga njohja përfundimtare e Republikës së Kosovës…Shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive të cilat ne duhet t’i kurojmë. Është pozitive që ushtria serbe filloi të zmbrapset dhe tërhiqet. Por është shumë negative që ushtria serbe përdoret për shfaqje të tilla që nuk i shërbejnë interesave afatgjata”, theksoi Rama.

    Po ashtu në kuadër të kësaj vizite zyrtare të Ramës në Zagreb, Kroacia iu shtua sot listës së shteteve me të cilat Shqipëria, gjegjësisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ka nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të kontributeve të sigurimeve shoqërore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, kudo ku ata jetojnë e punojnë të mos humbasin asnjë ditë pune për përfitimin e pensionit./KosovaPress/

  • Dëshmitari thotë se gjatë luftës nuk ka takuar e as njohur ndonjë person me emrin Pjetër Shala

    Dëshmitari thotë se gjatë luftës nuk ka takuar e as njohur ndonjë person me emrin Pjetër Shala

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, po vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari Bedri Dervishaj, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Shalës, tha se gjatë luftës as nuk e ka takuar dhe as nuk e ka njohur ndonjë person me emrin Pjetër Shala.

    Këtë deklarim, Dervishaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Mohamed Hedi Aouini në lidhje me Pjetër Shalën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se nuk ka takuar as njohur një person me emrin Pjetër Shala gjatë luftës dhe se as në Brigadën 128 nuk ka njohur ndonjë person me atë emër.

    I pyetur se a ka dëgjuar gjatë luftës për nofkën “Ujku”, dëshmitari mohoi të ketë dëgjuar për këtë nofkë, por se për të kishte dëgjuar paslufte.

    Sipas tij, me nofkën “Ujku” ka qenë një person, i cili ishte me Ramush Haradinajn.

    Dëshmitari tha se për Pjetër Shalën ka dëgjuar përmes televizionit.

    Në pjesën me të madhe të sesionit të paradites, dëshmitari është pyetur për ndërtesën ku ai ka shkuar për të marrë injeksion, hapësirën e saj dhe personat që ka takuar aty.

    Lidhur me këtë, dëshmitari tha se ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk i kujtohet saktësisht.

    Më pastaj, dëshmitarit i janë paraqitur disa foto të një objekt, ku dëshmitari ka thënë se në këtë ndërtesë te hyrja ka marrë injeksionin.

    Ai ka shtuar se hapësira ku ka marrë injeksionin ka qenë 2 metra me 1 metër, ku në të kanë qenë dy karrige dhe një çantë me barna dhe ka takuar një doktor.

  • Erdogan: Turqia nuk pret më asgjë nga BE-ja

    Erdogan: Turqia nuk pret më asgjë nga BE-ja

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 1 tetor se vendi i tij “nuk pret më asgjë nga Bashkimi Evropian, i cili na ka lënë të presim në derën e tij për 40 vjet”.

    “Ne i kemi mbajtur të gjitha premtimet që ia kemi bërë BE-së, ndërsa ata nuk e kanë përmbushur pothuajse asnjë zotim”, tha ai para fillimit të sesionit të ri parlamentar në Ankara.

    Erdogani shtoi se nuk e ka ndër mend të “tolerojë kërkesa të reja, apo kushte në procesin e anëtarësimit” të Turqisë në bllok.

    Zemërimi i Erdoganit e ka burimin edhe nga një vendim i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila e kritikoi Turqinë të enjten e kaluar për dënimin e një mësimdhënësi pas tentim-puçit më 2016, mbi bazat se ai e kishte shkarkuar një aplikacion të koduar për dërgimin e mesazheve të ndërlidhur me puçistët e dyshuar.

    Vendimi i gjykatës se të drejtat e Yuksel Yalcinkayas janë shkelur mund ta krijojë një precedent të fuqishëm, në një kohë kur gjykata me bazë në Strasburg ka para vetes mijëra raste të ngjashme.

    Turqia e fajëson një grup të udhëhequr nga kleriku fetar turk me vendbanim në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gulen, për puçin e dështuar për ta rrëzuar Erdoganin nga pushteti, duke pretenduar se aplikacioni i mesazheve i quajtur ByLock, ishte përdorur për ta bashkërenduar komplotin.

    Erdogani tha më 1 tetor se vendimi i gjykatës së Strasburgut “ishte goditja e fundit”.

    “[Turqia] nuk do t’ia kthejë shpinën luftës kundër këtij grupi tradhtarësh”, tha ai. /rel

  • Gazetari gjerman: Vuçiq në CNN sonte, interesante ta dëgjojmë si flet kur nuk i kontrollon pyetjet

    Gazetari gjerman: Vuçiq në CNN sonte, interesante ta dëgjojmë si flet kur nuk i kontrollon pyetjet

    Gazetari gjerman, Michael Martens tha se do të jetë interesante për ta dëgjuar presidentin serb Aleksander Vuçiq si e përshkruan situatën në një vend ku nuk mund t’i kontrollojë pyetjet.

    Martens këtë e tha pasi Vuçiq pritet të jetë i ftuar sot në CNN.

    “Dje më thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet të jetë sot në CNN. Do të jetë interesante ta dëgjojmë se si do e përshkruajë situatën në një ambient ku nuk mund t’i kontrollojë pyetjet”, ka shkruar ai në platëforën “X”.

  • Diplomatja gjermane: Serbia urgjentisht duhet të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën

    Diplomatja gjermane: Serbia urgjentisht duhet të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se nuk duhet të këtë më tensione mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo në një deklarim për media në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që po mbahet në Ukrainë, ka thënë se Serbia urgjentisht duhet të reduktojë prezencën e ushtrisë në kurimin me Kosovën.

    “Nuk duhet të ketë më tensione mes Kosovës dhe Serbisë . Së bashku me SHBA-në, i bëjmë thirrje urgjente Serbisë që të reduktojë trupat e saj në kufirin me Kosovën”, ka thënë ajo në një pjesë të deklarimit të publikuar në X.

  • Rama tregon si t’i blini biletat e Trafikut Urban përmes sms: Kondukterët nuk do të mbesin pa punë

    Rama tregon si t’i blini biletat e Trafikut Urban përmes sms: Kondukterët nuk do të mbesin pa punë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një postim në Facebook në lidhje me biletat e autobusit “Trafiku Urban” që prej sot mund të paguhen me SMS.

    “Ju mund të bleni biletën një drejtimshe dhe biletën ditore në linjat 1, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C. Po ashtu biletën vajtje – ardhje për aeroport, duke dërguar SMS përmes operatorëve IPKO dhe Vala.

    1. Për biletën për Linjat 1, 3, 3B, 3C, 4 dhe 7C, dërgoni SMS në numrin 55990 me tekstin: (Emri i linjës).
    2. Për biletën ditore, dërgoni SMS në numrin 55991 me tekstin: Ditore.
    3. Për biletën për Linjën 1A, dërgoni SMS në numrin 55992 me tekstin: Linja 1A”, ka shkruar Rama.

    Rama ka thënë se qytetarët pasi ta pranojnë konfirmimin e mesazhit, ta ruajnë për t’ia paraqitur konduktorit.

    Kështu, ai ka shkruar se kondukterët nuk mbesin pa punë, por sistemohen në ndërmarrje.

  • AAK-ja siguron 40 nënshkrime, kërkon seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit në 129 €

    AAK-ja siguron 40 nënshkrime, kërkon seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit në 129 €

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiti tha se kanë siguruar 40 nënshkrime për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e koeficientit të pagës nga 105 në 129 euro.

    Ai pohoi se rritja e koeficienti i prek edhe policët që janë në kushte të këqija. Tahiri ka paralajmëruar se kjo parti të matën do të organizojë një debat pas sulmit në veri me ekspertë e fushës.

    “Efektet e situatës së veriut po e preki edhe situatën e përgjithshme, prandaj nesër do të kemi diskutim me ekspertë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë proces. Do të duhet një angazhim më serioz që të dihet se çka ka ndodhur të dielën”.

    “AAK ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme për rritjen e koeficientin nga 105 në 129 euro. Kjo do të prek rritjen e pagave të policëve të Kosovës që tani ta kalojmë prej fjalëve në veprave dhe besoj që do të kemi edhe mbështetjen e deputetëve të pozitës.

  • Lulzim Hetemi ende i ngujuar, i vetmi që nuk mori pjesë në takimin e kryetarëve të komunave me Kurtin

    Lulzim Hetemi ende i ngujuar, i vetmi që nuk mori pjesë në takimin e kryetarëve të komunave me Kurtin

    Në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pjesëmarrës nuk ishte vetëm kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

    Për këtë, është pyetur pas takimit ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai ka thënë se nuk e di arsyen për mos-pjesëmarrje të tij.

    “Mundesh me u adresu edhe tek kryetari i komunës. Sidoqoftë ne kemi koordinim të rregullt me kryetarin e Leposaviqit. Edhe z. Aliu është vazhdimisht në kontakt. Po sigurisht që do të marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme, mirëpo sot nuk ishte prezent, por ishin prezent tre kryetarë të tjerë”, deklaroi ai.

    “Nuk e di pse s’ka marrë pjesë në këtë takim. Por, ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me të”, vijoi më tej Krasniqi përpara mediave.

    Hetemi tash e disa muaj po qëndron i ngujuar në objektin komunal të Komunës së Leposaviqit.

  • Haradinaj: Shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë, shenjë se terrorizmi nuk kalon

    Haradinaj: Shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë, shenjë se terrorizmi nuk kalon

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se faktet që po zbardhen dëshmojnë për implikimin e thellë të Serbisë në organizimin e akteve terroriste në veri.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se shtimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, dëshmon vendosmërinë e NATO-s se terrorizmi nuk kalon.

    “Shtimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, brenda mandatit që ka, dëshmon vendosmërinë e NATO-s se terrorizmi nuk kalon. Paqja në Kosovë e në Ballkan është vendosur me shumë dhimbje e tragjedi dhe prandaj nuk do të lejojmë askënd që ta rrezikojë atë”, ka thënë Haradinaj.

    Ai ka shtuar se Kosova qëndron në mbështetje të të drejtave të të gjitha komuniteteve.

    “Si Kosovë qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të të drejtave politike të të gjitha komuniteteve, edhe të komunitetit serb, kjo në bazë të Kushtetutës, ligjeve të Kosovës dhe në bazë të planit Franko- Gjerman të përkrahur nga Amerika”, është shprehur Haradinaj.

    Haradinaj ka ripërsëritur kërkesën për hetim ndërkombëtar.

    “Faktet që po zbardhen përditë dëshmojnë për implikimin e thellë të Serbisë në organizimin e akteve terroriste në veri dhe shteti i Serbisë nuk mund t’i ikë përgjegjësisë. Prandaj kërkohet një hetim ndërkombëtar për të zbardhur skenarët e destabilizimit, jo vetëm të Kosovës por edhe të Ballkanit dhe për te nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këto sulme terroriste”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Rama në Zagreb, pritet me ceremoni zyrtare nga kryeministri kroat Plenkoviq

    Rama në Zagreb, pritet me ceremoni zyrtare nga kryeministri kroat Plenkoviq

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kroaci.

    Rama u prit në Zagreb me ceremoni zyrtare nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

    Kryeministri Rama ka publikuar pamje në Facebook nga pritja zyrtare, ku u interpretuan fillimisht himnet e të dy vendeve, teksa më pas kryeministrat prezantuan dy delegacionet që i shoqëronin.

    Shefi i ekzekutivit nga Shqipëria shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.