ATV

Category: Lajme

  • Javë e ngarkuar, Kuvendi do t’i mbajë tri seanca

    Javë e ngarkuar, Kuvendi do t’i mbajë tri seanca

    Përgatiti: Armand Hoti

    Java aktuale pritet të jetë e ngarkuar për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata këtë javë do të angazhohen në tri seanca.

    E mërkura do të shfrytëzohet për shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara. Të enjten do të mbahet seanca e radhës plenare, kurse të premten deputetët do të mbajnë seancë të veçantë plenare ku do të bëhen vetëm pyetjet parlamentare.

    Deputeti i partisë në pushtet Armend Muja, theksoi nevojën e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, teksa kritikoi opozitën për mosvotim të këtyre marrëveshjeve.

    “Në të kaluarën ka pasur një praktikë të mirë të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nuk e di se si mendojnë ta bëjnë këtë. Marrëveshjet kërkojnë 2/3 e votave. Tash i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme, ndër to është linja hekurudhore 10, e dyta është ngrohja qendrore e Prishtinës dhe e treta është rrjeti energjetik, apo investimi i Qeverisë gjermane për KOSTT-in”, tha Muja.

    Megjithatë, partia më e madhe opozitare insiston se nuk do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

    Në seancën e së enjtes, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, partia e tij do ta propozojë draft-rezolutën, e cila, siç u shpreh ai, synon përmirësimin e kushteve të policëve kosovarë.

    “Me këtë rezolutë, rritet efikasiteti dhe e tregojmë seriozitetin ndaj këtij institucioni si shtet. E pamë se sa e rëndësishme është Policia, nga sulmi terrorist që ndodhi në Kosovë. Prandaj, është e rëndësishme që këta njerëz që po na bëjnë krenarë, ta marrin edhe trajtimin e merituar… Nuk ka kuptim t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, kur Kosova është ende nën sanksione e asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet”, tha Tahiri.

    Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka arritur t’i mbledhë 40 nënshkrime, me ç’rast në seancën e jashtëzakonshme pritet të kërkohet rritja e vlerës së koeficientit në Ligjin për Paga nga 105 në 129 euro.

    “AAK-ja ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, për rritjen e koeficientin nga 105 në 129 euro. Kjo do të prekë edhe rritjen e pagave të policëve të Kosovës, që tani të kalojmë prej fjalëve në veprave dhe besoj që do ta kemi edhe mbështetjen e deputetëve të pozitës”, tha kryetari i GP të AAK-së.

    Ndërkaq, AAK-ja nesër do të organizojë tryezë diskutimi në Kuvend, në të cilën do diskutohet për gjendjen e sigurisë në vend.

  • Kanceri i gjirit, lansohet fushata “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”

    Kanceri i gjirit, lansohet fushata “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Numri i rasteve të reja të kancerit në gji në Kosovë ka shënuar rritje. Në bazë të statistikave nga Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, në nëntë muajt e fundit 332 paciente janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

    Gratë që po luftojnë me këtë sëmundje nuk janë vetëm dhe ato do ta kenë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë, tha kryeministri Albin kurti në hapjen e fushatës, me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”.

    “Ne këtë betejë për jetë, ministria po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kimioterapisë në Spitale Rajonale. Kosova sot ka dy pajisje të teknologjisë së fundit për radioterapi. Në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit. U bëj thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”, tha Kurti.

    Duke folur për rëndësinë e edukimit të grave rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit, për parandalimin e kancerit të gjirit, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shtoi se do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar qasje sa më të lehtë në shërbimet shëndetësore.
    “Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin për shëndetësinë, të cilën Qeveria jonë e ka bërë duke ngritur buxhetin në 300 milionë euro dhe duke bërë investime onkologjike përmes sigurimit… Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni, po ritheksojmë faktin se edukimi i grave dhe komuniteteve rreth faktorëve të rrezikut dhe ndryshimeve të zakonshme të gjirit është kyç për parandalimin e kancerit të gjirit”, tha Vitia.

    Nga ana tjetër, Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta Vita”, tha se mungon përkrahja institucionale për gratë e prekura nga kjo sëmundje malinje.

    “Ngarkesat e mëdha dhe të çdoditshme me numër të madh të pacienteve, rreth 200 në ditë, dhe mundësitë e pamjaftueshme me staf, me pak shtretër e salla për trajtim me kimioterapi dhe mungesat e shpeshta me barna janë pengesa serioze për trajtimin më dinjitoz të pacientëve të Klinikes Onkologjike. Me ç’rast po e përmendi edhe kërkesën që gratë e operuara nga kanceri i gjirit, nga institucionet t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”, tha Latifi.

    Menaxhmenti i klinikës së Onkologjisë në QKUK ka paralajmëruar se numri i rasteve të prekura nga kanceri i gjirit, deri në fund të vitit mund të arrijë në 450.
    Ndryshe, onkologët u apelojnë grave dhe vajzave që të bëjnë sa më shumë kontrolle, në mënyrë që edhe zbulimi i sëmundjes të jetë sa më i hershëm.

  • Kurti takon kryetarët e komunave, zotohet për investime pa diskriminim

    Kurti takon kryetarët e komunave, zotohet për investime pa diskriminim

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Investime kapitale pa diskriminim për të gjitha komunat, përfshirë ndërtimin e rrugëve, autostradave, shkollave, ka qenë zotimi i kryeministrit Albin Kurti para kryetarëve të komunave të Kosovës.

    Ai në këtë takim tha se granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 është afro 285 milionë euro.

    “Granti i përgjithshëm për komunat për vitin 2024 kap shumën prej 284.7 milionë eurove e që paraqet vlerën më të madhe deri më tani, për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e grantit të përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në buxhetin e shtetit”, u shpreh ai.

    Kryeministri tha se asnjë komunë e asnjë komunitet nuk do të diskriminohet, duke shtuar se projekte do të përfitohen në bazë të meritave e jo preferencave.

    “Buxheti për komunat në vitin tjetër është 742 milionë euro. Po bëhet viti i dytë me radhë që rritja e buxhetit është në shifër dyshifrore. Investimet kapitale në komuna përfshijnë shumë sfera. Këto investime përfshijnë të gjitha komuna dhe pa diskriminuar asnjë komunitet. Kemi përgatitur legjislacionin që u mundëson komunave të përfitojnë jo sipas preferencave. Jemi të gatshëm që të ofrojmë zgjidhje”, tha Kurti.

    Kryetarëve, Kurti u foli edhe për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, si një mundësi të mirë për të përfituar në rregullimin e infrastrukturës sportive.
    Megjithatë, në këtë takim kryeministri u përball me kritika rreth mënyrës së qasjes ndaj problemeve të komunave.

    Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se Ligji për tatimin në pronë, tregon shembull të mosbashkëpunimit mes komunave dhe nivelit qendror.

    “Ne kryetarët kemi bindjen që duhet të ndryshojë qasja e komunikimit. I tillë ishte edhe Ligji për Vetëqeverisje për të cilin kryetarët e komunave u përjashtuan nga konsultimi. Edhe në pikëpamje të planifikimeve buxhetore tavanet e caktuara nga Ministria e Financave për vitin 2024 parashihet të ketë shkurtime të buxhetit në investime kapitale që karakterizon vitin 2024 me investime më pak kapitale”, tha Aliu.

    Në këtë takim, në të cilin nuk mori pjesë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, u mbajt një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.

  • Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Serbia po ndërton një bazë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

    Përgatiti: Armand Hoti

    Në afërsi të kufirit me Kosovën, Serbia po ndërton një bazë ushtarake.

    Këtë e konfirmoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, pas takimit me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti.

    Musliu ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në vend nuk është stabile.

    “Në zonën e njohur si Rogazin, në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake serbe, me mbulesë nga ana e serbëve, kinse në atë ndërtesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës. Mirëpo, pamjet me dron i kanë konfirmuar burimet dhe tashmë është e qartë se atje po bëhet një zonë ushtarake. Ajo çka vlen të theksohet se gjendja e sigurisë është e brishtë, pra është e tensionuar”, tha Musliu.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, është shprehur të hënën se trupat ushtarake të Serbisë, duhet të tërhiqen nga vija kufitare me Kosovën.

    “Gjithashtu, kemi vërejtur pozicionimin e ushtrisë serbe në linjën kufitare me Kosovën dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Krejt kjo duhet të ndalet. Ky ka qenë mesazhi i përfaqësuesit për politikë të Jashtme për të dyja vendet, sepse nuk ka vend për armë dhe shtim të forcave të sigurisë në kontinentin evropian”, tha Stano.

    Deputetja Musliu pas takimit të Komisionit që drejton, me të parin e AKI-së, ndau detaje të reja sa i takon rrugës ilegale që sulmuesit ndoqën, për të mbërritur në Banjskë të Zveçanit.

    “Grupi terrorist është nisur pas mesnatës, duke shfrytëzuar rrugën ilegale në afërsi të pikës kufitare në Izvor, pika më e afërt në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”, tha Musliu.

    Kurse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, potencoi se pret që përmes faktorit ndërkombëtar, terroristët që u larguan në Serbi, t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

    “Tani po llogarisim në presionin e bashkësisë ndërkombëtare që këta kriminelë dhe terroristë t’iu dorëzohen autoriteteve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’ia dorëzojë Kosovës këta anëtarë të tjerë që nuk u vranë dhe nuk u arrestuan për të vuajtur dënimin, pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, janë njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan destabilizimin e Kosovës. Ata dështuan në këtë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kurti.

    Ndërkaq, në fjalën e tij, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është shprehur se institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota ta hetojnë sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, BE-ja për hetimin e rastit pret bashkëpunim pa kushte nga ana e Serbisë.

  • Von Cramon kërkon që Gjermania të sjellë më shumë trupa në Kosovë

    Von Cramon kërkon që Gjermania të sjellë më shumë trupa në Kosovë

    Eurodeputetja Viola Von Crammon që është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentit Europian, ka shpërndarë në platformën X një njoftim të Qeverisë britanike ku thuhet se Londra do ta shtojë prezencën ushtarake në Kosovë edhe me 200 trupa tjera.

    Ajo ka thënë se këtë duhet ta bëjë edhe Gjermania, e cila sipas Von Cramon, duhet të prijë me vendosjen e trupave në Kosovë.

    “Vendim i rëndësishëm për të vendosur 200 trupa luftarakë britanikë për ta përforcuar KFOR’in -NATO’n në terren. Gjermania duhet të prijë me vendosjen e trupave për të siguruar paqen, dhe për t’i mbrojtur në Kosovë aty ku KFOR’i dhe NATO janë jetikë” ka shkruar eurodepuetja gjermane.

    Aktualisht Bundeswehri ka 85 ushtarë në Kosovë por sipas mediave gjermane në bazë të vendimit për zgjatjen e mandatit të tyre numri i ushtarëve mund të rritet deri në 400.

  • Petritsch për zhvillimet në veri: Kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë

    Petritsch për zhvillimet në veri: Kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë

    Diplomati austriak Wolfgang Petritsch duke iu referuar zhvillimeve të fundit në veri ka vlerësuar që kjo të jetë kriza më e rrezikshme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

    Petritsch që për një kohë ishte i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në një intervistë për Demostat ka theksuar se gjërat lehtë mund të dalin jashtë kontrollit dhe sipas tij “të shkatërrohet gjithçka që është arritur në dialogun Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e fundit”.

    “ Ajo që na duhet tani është një përpjekje e re e Brukselit për të rikthyer të dyja palët në tryezën e bisedimeve”

    “Normalizimi është i një rëndësie thelbësore, sepse do të krijonte parakushtet për përparim ekonomik. Kjo është ajo që njerëzit duan, jam i sigurt. Ka shumë qytetarë të rinj dhe të talentuar që lënë shtëpitë e tyre për të emigruar në vende më paqësore, si Austria, Gjermania dhe Zvicra. Por Evropa dëshiron të shohë prosperitet dhe jo konflikt në vendet e ish-Jugosllavisë. Epoka e luftërave ka përfunduar. Tani duhet të rindërtojmë ekonominë dhe të garantojmë një jetë më të mirë për qytetarët”, deklaroi ai.

    Duke folur për hapat që duhet të ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar tensionet e reja që erdhën pas sulmit terrorist në Banjskë ku u vra polici Afrim Bunjaku, Petritsch u shpreh “Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja, duhet t’i detyrojnë të dyja palët të kthehen në dialog”.

    “Këtë vit kemi parë një përparim në Bruksel dhe Ohër. Tani është koha për të zbatuar atë që është rënë dakord në ato takime. Propozimi gjermano-francez mbetet udhërrëfyesi më i mirë për uljen e tensioneve. Shpresoj se Parisi dhe Berlini do të kthehen në rolin e tyre për të mbështetur aktivisht BE-në në përpjekjet e saj për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Nuk ka plan tjetër që do të ishte i suksesshëm, pohon Petrich.

  • Forcat speciale të Policisë së Kosovës tërhiqen nga Banjska e Zveçanit

    Forcat speciale të Policisë së Kosovës tërhiqen nga Banjska e Zveçanit

    Pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga fshati Banjskë i Zveçanit dhe tani do të zëvendësohen me pjesëtarë të njësitit intervenues, raporton mediumi serb, Kossev, duke cituar zëvendëskomandantin i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elashani.

    “Ata u zëvendësuan nga një njësi tjetër – njësia intervenuese dhe tani do të shohim se do të ketë më pak policë”, tha Elshani.

    “Rrugët janë duke u pastruar dhe shpresojmë që jeta dalëngadalë të kthehet në normalitet”, tha Elshani.

  • ​ETEA: Mbi 70% e nxënësve nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore

    ​ETEA: Mbi 70% e nxënësve nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore

    Mbi 70 për qind e nxënësve ende edhe pas përfundimit të muajit të parë të vitit të ri shkollor nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore. Klasat e para qëndrojnë më së miri, ndërkohë që komuna e Vushtrrisë ka numrin më të madh të nxënësve që kanë arritur të sigurojnë librat. Kështu thuhet në analizën statistikore për furnizim me tekstet shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor nga organizata ETEA. Në publikimin e këtij raporti, u tha se ka të dhëna shqetësuese ku tregojnë se 4.3 për qind e mësimdhënësve konsiderojnë se neglizhenca e prindërve ka lënë fëmijët pa libra.

    Autori i këtij hulumtimi, Agon Ahmeti tha se qëllimi i këtij raporti është që të sigurohen dhe ofrohen të dhëna objektive për institucionet relevante qeverisëse të arsimit. Ai bëri të ditur se janë hartuar pyetësor dedikuar mësimdhënësve të nivelit fillor nga klasa e parë deri në të pestën.

    Ai shtoi se ky raport është përfshirë në nivel vendi, përjashtuar në komunat me shumicë serbe.

    “Janë 17 mijë e 99 mësimdhënës në nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm të ultë. Dhe në bazë të kësaj të dhëne, bazuar në kritere dhe udhëzime shkencore rekomandohet dhe kërkohet që të nxjerrën të dhëna reprezentative në 367 respondentë. Gjithmonë po flasim për një nivel të besueshmërisë prej 95 për qind të këtyre të dhënave. Gjithsesi marrë parasysh komunikimin me mësimdhënës dhe interesin e tyre, ne kemi pranuar deri më 22 shtator 506 respondentë, mbi bazën e të cilave është hartuar ky raport për të cilin po flasim sot. Hulumtimi shtrihet në nivel vendi dhe se përjashtohen komunat me shumicë serbe, duke pasur parasysh se këto komuna operojnë në kurrikulë serbe”, deklaroi ai.

    Tutje, Ahmeti theksoi se kjo analizë tregon se ka mësimdhënës që mendojnë se vetëm 10 për qind e mësimdhënësve janë të pajisur me tekste shkollore.

    “E gjetura kryesore e këtij raporti ka të bëjë me pajisjen e nxënësve me të gjitha tekstet shkollore dhe sipas të dhënave që kemi mbledhur nga mësimdhënësit nga Kosova del që në nivel të Kosovës mbi 70 për qind e nxënësve ende edhe pas përfundimit të muajit të parë të vitit shkollor nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore. Nga kjo kuptojmë se vetëm 29,4 për qind e mësimdhënësve kanë deklaruar se 100 për qind e nxënësve në Kosovë kanë siguruar tekstet shkollore. Në ndërkohë 42.3 për qind deklarojnë se janë të pajisur me gjitha tekstet shkollore. Rreth 15 për qind e mësimdhënësve thonë se rreth 81 deri në 90 për qind e nxënësve në klasat e tyre kanë arritur që të pajisen me të gjitha tekstet shkollore, ndërsa pjesa tjetër që përfaqëson një shifër prej 12.7 për qind janë më pak 80 për qind të nxënësve nëpër klasë që kanë arritur të pajisen me tekste shkollore”, shtoi Ahmeti në konferencë për media.

    Disa nga shkaqet që kanë ndikuar që fëmijët të mos sigurohen me libra, siç tha Ahmeti, janë mungesa e teksteve shkollore në librari të qyteteve dhe sigurimi i mjeteve përmes platformës “eKosova”.

    “Sipas të dhënave del se klasat e para qëndrojnë më së miri, me gjithsej 42,6 për qind të mësimdhënësve të cilët thonë se 100 për qind e fëmijëve në klasat e tyre kanë arritur që të sigurojnë tekstet shkollore. Ndërsa, më së dobëti qëndrojnë klasat e pesta me 16,7 për qind të mësimdhënësve të cilët deklarojnë se kanë arritur të sigurojnë tekstet shkollore nxënësit e klasave të tyre. Raporti gjen se sa më të rritur të jenë fëmijët, aq më dobët qëndrojnë me sigurimin e teksteve shkollore. Krahasimet janë bërë edhe mes komunave dhe në bazë të këtyre krahasimeve del që komuna e Vushtrrisë prin me nxënës që kanë arritur të pajisen me të gjitha tekstet shkollore, ndërsa pasohet nga Komuna e Prishtinës dhe dy komuna të tjera që janë ajo e Mitrovicës dhe e Skenderajt”, përfundoi Ahmeti.

    Në konferencën për media, Ahmeti theksoi se ky raport ka edhe të dhëna shqetësuese.

    “Ky raport gjen një të dhënë shqetësuese ku 4,3 për qind e mësimdhënësve konsiderojnë se neglizhenca e prindërve ka lënë fëmijët pa libra edhe një muaj pas fillimit të vitit të ri shkollor”, tha ai më tej.

    Edhe Taulant Gashi nga organizata “ETEA” u shpreh se më shumë se gjysma e mësimdhënësve konsiderojnë se vendimi i ministrisë ka pasur ndikim negativ në procesin mësimor.

    Gashi: 45,5 për qind e mësimdhënësve konfirmojnë se kanë punuar bazuar në plan-programit të tyre.
    (Video)
    “Sipas të dhënave që ETEA nxjerrë nga hulumtimi në fjalë del që 45,5 për qind e mësimdhënësve konfirmojnë deklarativisht se kanë punuar bazuar në plan-programit të tyre. Në anën tjetër deri në 14 për qind nuk e ndjekin fare plan-programin sepse e lidhin me mungesën e teksteve shkollore. Derisa 40,5 për qind punojnë me plan program, por konstatojnë që fëmijët ngecin të ndjekin orën mësimore, duke bërë kështu që 54,5 për qind të shkollave në Kosovë punojnë në mënyrë të pa sistemuar”, shtoi ai.

    Bazuar në hulumtimin e “ETEA”, rreth 70 për qind e mësimdhënësve mendojnë që vitin e ardhshëm duhet të vijohet me praktikën e furnizimit me tekste shkollore. /kp

  • ​Stano: Policia e Kosovës ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushtëzime

    ​Stano: Policia e Kosovës ka mandat për hetime, Serbia të bashkëpunojë pa kushtëzime

    Bashkimi Evropian është deklaruar të hënën se autoritetet e Kosovës në këtë rast, policia ka mandat për t’i hetuar sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndërsa Serbia është e obliguar të bashkëpunojë pa kushtëzime.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur rreth përgjegjësisë që e ka marrë tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq për sulmin, dhe a do të ndihmojë Bashkimi Evropian që ai të ekstradohet në Kosovë. Stano theksoi se blloku evropian pret bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre.

    “E kemi parë qartë se çfarë tha zotri Radojiçiq për përfshirjen e tij në ngjarjet shumë fatkeqe të 24 shtatorit dhe Bashkimi Evropian ishte shumë i qartë, e tha Përfaqësuesi i Lartë, dhe pastaj ne e përsëritëm disa herë. Të gjitha faktet duhet të vërtetohen. Kjo duhet të hetohet në mënyrë të duhur dhe në këtë kontekst presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia, kjo është shumë e rëndësishme. Në pjesën e dytë të pyetjes dhe sa i përket hetimeve, etj., e kam përsëritur edhe shumë herë se ne nuk po e bëjmë angazhimin tonë në lidhje me këtë sulm terrorist përmes mediave. Jemi në kontakt me partnerët dhe shkëmbejmë mendimet dhe qëndrimet tona, por sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj, EULEX-it nuk i nevojitet një zëdhënës specifik nga autoritetet e palës tjetër. EULEX-i ka zyrën e vet për shtyp dhe zyra e shtypit ka reaguar shumë qartë se cili është roli i EULEX-it dhe cili është mandati i EULEX-it. Mandati i EULEX-it është monitorimi i situatës dhe ofrimi i ndihmës për policinë e Kosovës sipas kërkesës. Mandati i EULEX-it nuk përfshin hetime”, tha Stano në një konferencë për media online.

    Sa i përket masave të BE-së ndaj Serbisë, ai tha se duhet parë rezultatin përfundimtar të hetimit në Banjskë.

    “Çdo ditë zbulon diçka të re. Çdo ditë sjell një tjetër provë. Kemi thënë vazhdimisht se nuk po komentojmë çfarë sjell e përditshmja. Ne duhet të shohim rezultatin përfundimtar të hetimit, hetim të duhur, të plotë, duke sqaruar të gjithë kontekstin, të gjitha rrethanat rreth sulmit terrorist dhe ngjarjeve të ngjashme. Dhe këtu presim bashkëpunimin e plotë dhe të pakushtëzuar të Serbisë në këtë drejtim. Kjo është shume e rëndësishme. Bashkimi Evropian e tha shumë qartë, ne e thamë më 19 shtator dhe e kemi përsëritur shumë herë më pas, Bashkimi Evropian është i gatshëm të caktoj masa edhe ndaj Serbisë, nëse shtetet anëtare vendosin që kanë informacion të mjaftueshëm, fakte të mjaftueshme dhe se ata do të reagojnë në momentin e zgjedhjes së tyre”, theksoi ai.

    Për më tepër ai nuk ka lënë asnjë dyshim se mandatin për ta hetuar rastin e Banjskës e kanë autoritetet e Kosovës.

    “Asnjëherë nuk po diskutojmë publikisht për procedurat në vazhdim. Pra, siç ka qenë rasti me masat ndaj Kosovës, i kemi shpallur pasi janë marrë vesh dhe pasi ka pasur konsensus se si të veprohet nga ana e BE-së, kështu është edhe në vlerësimin e situatës tani. Shtetet anëtare, kur të ndiejnë se ka ardhur koha, do të marrim një vendim se çfarë po ndodhte në veri të Kosovës më 24 shtator dhe si dëshiron të reagojë BE-ja në mënyrë unanime, sepse kjo është ajo që ne bëjmë, ne reagojmë në unitet dhe unanimitet. Kjo ka ndodhur në Kosovë, kështu që sigurisht që hetimi është kompetencë e policisë së Kosovës me të cilën kemi bashkëpunim shumë të mirë. Policia e Kosovës është në kontakte shumë të ngushta me misionin tonë EULEX, EULEX-i po jep mbështetje brenda mandatit të tij me kërkesë të policisë së Kosovës, por të gjithë ata që mund të kontribuojnë në sqarimin e asaj se çfarë ka ndodhur, rrethanat, si ka ndodhur dhe kush, jo vetëm e ka ekzekutuar këtë sulm brutal, por edhe kush qëndron pas këtij sulmi, çdo kontribut për këtë është i mirëpritur. Dhe këtu e përsëris se presim bashkëpunim të plotë transparent dhe të pakushtëzuar edhe nga Serbia”, theksoi Stano.

    Ndërsa, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës kanë prezantuar të dielën dëshmi të reja, për siç theksuan ata të patjetërsueshme për lidhjen e shtetit serb dhe presidentit Aleksandër Vuçiq me sulmin terrorist në fshatin Banjksë të Zveçanit.

    Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, e diel, është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë nga një sulm terroristësh serbë në Banjskë të Zveçanit. /kp

  • Fondacioni Golden Eagle sot fillon fushatën 5 lekë për bamirësi në Shqipëri

    Fondacioni Golden Eagle sot fillon fushatën 5 lekë për bamirësi në Shqipëri

    Fondacioni Golden Eagle njofton që nga sot deri me datën 31 dhjetor do të zhvillojë fushatë bamirësie në Shqipëri.Ky aktivitet përkrahet nga Kompania Frutex ku për çdo kanaqe Golden Eagle të shitur 5 lekë dedikohen për bamirësi.

    Synimi i fondacionit është grumbullimi i 250,000 euro me të cilat do të përkrahen familjet në nevojë brenda territorit të Shqiperisë.

    Prezentimin e rasteve mund ta bëni përmes emailit zyrtar të fondacionit: [email protected], dhe përzgjedhja do të bëhet nga komisioni i fondacionit i cili do të bëjë përzgjedhjen e rasteve me më prioritet, natyrisht brenda mundësive bugjetore të fondacionit.