ATV

Category: Lajme

  • Dyshohet se rreth 30 minatorë të Trepçës mbesin të ngujuar, shkak problemet me rrymë

    Dyshohet se rreth 30 minatorë të Trepçës mbesin të ngujuar, shkak problemet me rrymë

    Rreth 30 minatorë të Trepçës dyshohet se kanë mbetur të ngujuar në minierë.

    Dyshohet se janë bllokuar si pasojë e problemeve me rrymë.

    Minatorët janë akoma të ngujuar që nga mbrëmë në orët e natës.

    “Rreth 30 minatorë kanë mbetur të bllokuar si pasojë e problemeve me rrymë dhe të njëjtit janë akoma të ngujuar që nga mbrëmë në orët e natës. Janë brenda hapësirave të minierës. Këtë ma konfirmoi edhe kryetari i sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi”, raporton KlanKosova

  • 27 vjet nga Masakra e Qyshkut ku u vranë barbarisht 44 burra

    27 vjet nga Masakra e Qyshkut ku u vranë barbarisht 44 burra

    Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës në Qyshk të Pejës, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht 44 meshkuj.

    Masakra e 14 majit 1999 ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë, policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete kanë vrarë të paktën 44 civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur. Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se 400 civilë.

    Ndërsa dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

  • Takimi Xi-Trump, çfarë është në agjendë

    Takimi Xi-Trump, çfarë është në agjendë

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është takuar me liderin e Kinës, Xi Jinping, për një samit të rëndësishëm që do të përfshijë negociata mbi konfliktet globale, tregtinë ndërkombëtare dhe të ardhmen e inteligjencës artificiale brenda pak më shumë se 24 orësh.

    Trump mbërriti në Sallën e Madhe të Popullit, një ndërtesë e epokës së Maos që ndodhet në skajin perëndimor të Sheshit Tiananmen, të enjten në mëngjes për një ceremoni hapëse, e ndjekur nga një orë bisedime ballë për ballë me Xi-n.

    Rreshta oficerësh me uniforma rrethonin qilimin e kuq të vendosur përpara Sallës së Madhe të Popullit, ndërsa Xi dhe Trump ecën krah për krah drejt podiumit.

    Ceremonia përfundoi me një performancë të koreografuar me kujdes nga banda marshuese e ushtrisë kineze, përpara se Trump dhe Xi të ngjiteshin shkallëve drejt legjislaturës kombëtare të Kinës për raundin e parë të bisedimeve dypalëshe.

    Donald Trump ndodhet në Kinë për një samit me shumë rëndësi me liderin kinez Xi Jinping, ku Irani, Tajvani, inteligjenca artificiale dhe tregtia pritet të jenë temat kryesore të agjendës.

    Në komentet hapëse, Xi vuri në dukje se viti 2026 shënon 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së dhe tha se stabiliteti në marrëdhëniet SHBA-Kinë është i nevojshëm për botën.

    Trump tha se ai dhe Xi “njihen prej kohësh” dhe se Xi është një “lider i madh”.

    “Unë ua them të gjithëve që je një lider i madh. Ndonjëherë njerëzit nuk duan që ta them këtë, por unë e them gjithsesi, sepse është e vërtetë,” i tha Trump Xi-së.

    Dy liderët pritet të diskutojnë konfliktin në Lindjen e Mesme, luftën tregtare SHBA-Kinë, mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe konkurrencën globale në inteligjencën artificiale.

    Vendimi i Trump për të ndërmarrë sulme kundër Iranit në shkurt, duke vrarë udhëheqjen e një vendi me lidhje të ngushta me Kinën dhe duke rrezikuar furnizimet globale me energji, ka hedhur hije mbi bisedimet që supozohej të përqendroheshin në arritjen e një marrëveshjeje tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, tha në Air Force One gjatë udhëtimit të ekipit të Trump drejt Pekinit se SHBA do të kërkojë nga Pekini ndihmë për krizën me Iranin.

    Pavarësisht se vizita zgjat vetëm dy ditë, Xi dhe Trump do të kenë mjaft kohë për ndërveprim gjatë kësaj vizite, e para nga deri në katër takime presidenciale që pritet të zhvillohen këtë vit.

    Pasdite, dy liderët do të vizitojnë Tempullin e Qiellit në Pekin, një kompleks fetar i dinastisë Ming që është vizituar edhe nga Henry Kissinger dhe ish-presidenti amerikan Gerald Ford.

    Në vizitën e parë të Trump në vitin 2017, ai ishte lideri i parë i huaj në historinë moderne kineze që u ftua të darkonte brenda Qytetit të Ndaluar, kompleksi i madh pallator që strehoi perandorët kinezë për qindra vjet.

  • Ushtarët shqiptarë korrin sukses në Gardën Kombëtare të New Jersey

    Ushtarët shqiptarë korrin sukses në Gardën Kombëtare të New Jersey

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë të ditur se dy rreshterë shqiptarë kanë arritur një sukses të rëndësishëm në SHBA.

    Përmes një postimi në X, ambasada ka njoftuar se rreshteri Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi kanë dalë fitues në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së New Jerseyt për vitin 2026, transmeton Klankosova.tv.

    “Javën e kaluar, ndërsa po festonim 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror midis Gardës Kombëtare të New Jerseyt dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, rreshteri shqiptar Marjus Cauli dhe kaporali Hambel Peçi garuan në Konkursin e Luftëtarit më të Mirë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Neq Jerseyt për vitin 2026 – dhe fituan në divizionet e tyre!”.

    “Gjatë katër ditëve të vështira, konkurrentët u shtynë deri në kufijtë e tyre përmes garave me pengesa, testeve të fitnesit, aftësive luftarake në ujë, lundrimit në tokë dhe ushtrimeve të qitjeve me stres që përfshinin sisteme të shumëfishta armësh. Fitorja e tyre tregon forcën e Programit të Partneritetit Shtetëror. Urime!”, thuhet në postimin e ambasadës.

  • Komisionerja Kos sot e nesër në Prishtinë në vizitën e saj të parë në Kosovë

    Komisionerja Kos sot e nesër në Prishtinë në vizitën e saj të parë në Kosovë

    Numri një i BE-së për zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë, të premten.

    Në fakt, komisionerja sllovene, vjen në Prishtinë, siç shkruan KosovaPress, të enjten mbrëma, direkt nga Londra, ku gjatë ditës ka paraparë të ketë dy takime.

    Në Kosovë ndërkaq, ajo ka planifikuar të realizojë tri të tilla. Dy nga to janë me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve.

    Njëra nga to, sipas një agjende të bërë të ditur nga Komisioni Evropian, do të jetë më ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    I dyti me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Me këtë të fundit, ka parapare edhe një dalje para medieve, në orën 11 e 30.

    Takimi i tretë i Kos në Prishtinë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me ata të shoqërisë civile.

    Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prejse ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

    Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve – presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.

    Vizita e së premtes i bie të realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor

    Komisionerja për zgjerim e BE-së vjen në Prishtinë tri ditë pas deklaratës së fortë shpresëdhënëse që bëri gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (ku bëjnë pjesë shtate vende anëtare të Unionit, përfshirë shtetet mosnjohëse të Kosovës – Sllovakinë dhe Greqinë) në Bratisllavë të Sllovakisë, ku tha që siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

    “Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.

  • Mëngjes i ftohtë, gjatë ditës përmirësim i motit

    Mëngjes i ftohtë, gjatë ditës përmirësim i motit

    Sot në Kosovë pritet përmirësim i motit. Parashihet mot me diell, por edhe me vranësira lokale.

    Vranësira mund të marrin karakter zhvillimi orëve të pasdites me mundësi për rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

    Mëngjesi do të jetë i ftohtë me temperatura minimale deri në 4 gradë Celsius, kurse gjatë ditës rritje rapide e temperaturave me maksimalen që do të arrijë deri në 21 gradë Celsius

  • Komisionerja Kos nesër dhe pasnesër në Prishtinë – Kjo raportohet të jetë agjenda

    Komisionerja Kos nesër dhe pasnesër në Prishtinë – Kjo raportohet të jetë agjenda

    Numri një i BE-së për zgjerim, Marta Kos, do të qëndrojë në Kosovë, të premten.

    Në fakt, komisionerja sllovene, vjen në Prishtinë, siç merr vesh KosovaPress, të enjten mbrëma, direkt nga Londra, ku gjatë ditës ka paraparë të ketë dy takime.

    Në Kosovë ndërkaq, ajo ka planifikuar të realizojë tri të tilla.

    Dy nga to janë me përfaqësuesit “në detyrë” të institucioneve.

    Njëra nga to, sipas një agjende të bërë të ditur nga Komisioni Evropian, do të jetë më ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

    I dyti me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Me këtë të fundit, siç merr vesh KosovaPress, ka parapare edhe një dalje para medieve, në orën 11 e 30.

    Takimi i tretë i Kos në Prishtinë nuk është planifikuar të jetë me përfaqësues të opozitës, por me ata të shoqërisë civile.

    Vizita e së premtes në Kosovë do të jetë e para për komisioneren për zgjerim në BE, prejse ajo mori detyrën, në vitin 2024. Agjenda e saj nuk parasheh ndonjë vizitë në vendet tjera të rajonit, para ose pas qëndrimit në Prishtinë.

    Kos kishte planifikuar një vizitë në Kosovë më 12 mars, por ajo u anulua për shkak të zhvillimeve politike të atyre ditëve – presidentja Vjosa Osmani pati nxjerrë një dekret për shpërndarje të Kuvendit, më 6 mars meqenëse ky organ shtetëror nuk ia doli ta zgjedh kryetarin e shtetit, një ditë me herët, kur ishte afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë.

    Vizita e së premtes i bie të realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor

    Komisionerja për zgjerim e BE-së vjen në Prishtinë tri ditë pas deklaratës së fortë shpresëdhënëse që bëri gjatë një takimi të Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor (ku bëjnë pjesë shtate vende anëtare të Unionit, përfshirë shtetet mosnjohëse të Kosovës – Sllovakinë dhe Greqinë) në Bratisllavë të Sllovakisë, ku tha që siguria evropiane është e lidhur ngushtë me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

    “Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.

  • Valencia interesohet për transferimin e Arijanet Muricit

    Portieri i Kombëtares së Kosovës , Arijanet Muric, mund ta vazhdojë karrierën në La Liga, pasi Valencia CF ka shfaqur interes serioz për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar veror.

    Sipas mediumit spanjoll Cadena SER, drejtuesit e Valencias po shqyrtojnë mundësinë e afrimit të reprezentuesit kosovar, teksa janë në kërkim të një portieri me përvojë dhe me kosto më të përballueshme financiare.

    Raportohet se Valencia e sheh Muricin si një alternativë më të favorshme krahasuar me portierin spanjoll Julen Agirrezabala, transferimi i të cilit do të kërkonte një investim më të madh ekonomik.

    Vetë Murici konfirmoi të mërkurën se nuk do të vazhdojë te US Sassuolo Calcio, skuadër ku ishte i huazuar gjatë sezonit të fundit.

    Megjithëse ai ka kontratë me Ipswich Town F.C. deri në vitin 2028, mediat britanike raportojnë se rikthimi i tij në klubin anglez nuk bën pjesë në planet e trajnerit për sezonin e ardhshëm.

    26-vjeçari pati paraqitje të mira gjatë aventurës së tij në Itali, duke rikthyer formën dhe vetëbesimin pas periudhave të vështira në futbollin anglez.

    Paraqitjet e tij kanë zgjuar interesimin e disa klubeve evropiane, ndërsa Valencia mbetet një nga ekipet më të interesuara për ta transferuar gjatë verës.

    Një kalim i mundshëm në La Liga do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e Muricit, i cili synon të mbetet portieri kryesor i Kosovës në ciklin e ardhshëm kualifikues.

  • Ditë historike në Stuttgart: Kryeministri i ri është me origjinë nga Turqia, zonja e parë një shqiptare nga Kanadaja

    Ditë historike në Stuttgart: Kryeministri i ri është me origjinë nga Turqia, zonja e parë një shqiptare nga Kanadaja

    Politikani i Gjelbër gjerman Cem Özdemir është zgjedhur të mërkurën kryeministër i Landit të Baden-Württembergut. Prindërit e tij erdhën para shumë dekadave nga Turqia. Pak para se t’i fitonte zgjedhjet, Özdemir bëri publike martesën e tij me një juriste shqiptare. Özdemir është përkrahës i madh i shtetësisë së Kosovës.

    Landi i Baden-Württembergut gjendet në jug të Gjermanisë, në kufi me Zvicrën. Nëse hartën e Gjermanisë e krahasojmë me trupin e një njeriu, i bie që Baden-Württembergu të jetë diku nga këmbët. E vërteta është: Baden-Württembergu është zemra e industrisë gjermane, një rajon i njohur me marka të famschme si Bosch, Mercedes, Porsche, Ritter. Vitin që shkoi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i këtij Landi ishte rreth 670 miliardë euro. Kosova mezi arrin në 11 miliardë dollarë. PBB-ja është vlera e përgjithshme e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të prodhuara brenda vendit.

    Që nga e mërkura kryeministër i Baden-Württembergut është Cem Özdemir – dhe ky është një lajm historik jo vetëm për këtë regjion gjerman. 60-vjeçari Özdemir është i pari kryeministër i një Landi gjerman me origjinë turke. Si kryeministri i deritanishëm Winfried Kretschmann, edhe Özdemir vjen nga Partia e Gjelbër.

    Prindërit e Özdemir erdhën në fillim të viteve 1960-të në Gjermani, pasi ky vend kishte nevojë për punëtorë. Atëbotë në Gjermani mërguan si gastarbajterë edhe shumë shqiptarë nga Jugosllavia. Zgjedhjen në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut Özdemir e ka quajtur “kulmi absolut i jetës sime”. Nga një fëmijë punëtorësh të ardhur nga provinca turke në zyrën e kryeministrit – kjo karrierë tingëllon pak si ëndërr.

    Özdemir u lind në Bad Urach panë Schwäbische Alb, një vargmal në Gjermaninë Jugore. Mund të thuhet, gjithsesi pa përçmim, se Özdemir është rritur në provincën gjermane. Nëna ishte rrobaqepëse, babai punëtor në fabrikë. E Cemi i vogël? Nxënës me vështirësi në shkollë. Edhe sot ai mban kontakte me një mësuese që e ndihmoi të marrë hapat e parë në shkollë. Përkundër barrierave, Özdemir arriti të studiojë për pedagogji sociale.

    Partia e Gjelbër u themelua më 1980, në vitin vijues Cem Özdemir u bë anëtar i saj, duke u angazhuar për mbrojtjen e ambientit dhe kundër energjisë bërthamore. Një figurë udhëheqëse e të Gjelbërve ishte atëbotë Joschka Fischer, i cili më vonë u bë ministër i Jashtëm i Gjermanisë.

    Özdemir përherë ishte i pari. Më 1994 u zgjodh për herë të parë në Bundestag (parlamentin gjerman) dhe ishte deputeti i parë me prejardhje turke. Për 10 vite (2008-2018) ishte kryetar i Partisë së Gjelbër të Gjermanisë. Në qeverinë e parafundit të kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz, Özdemir ushtroi funksionin e ministrit të Bujqësisë. Ai është përmendur edhe si kandidat për ministër të Jashtëm të Gjermanisë. Özdemir është mbrojtës i fuqishëm i vlerave perëndimore dhe disa herë e ka kritikuar ashpër autoritarizmin e Rexhep Taip Erdoanit. Kjo nuk u pëlqen militantëve të Erdoanit në Gjermani. Özdemir ka treguar se shpesh ka pasur probleme kur ka marrë taksinë në Berlin. Shoferët turq e kanë fyer dhe trajtuar keq. Banesa e tij në Berlin është gjuajtur me gurë.

    Por Özdemir nuk është dorëzuar. Ai e sheh veten si mbrojtës të të drejtave të njeriut. Dhe këtë e ka dëshmuar edhe në rastin e Kosovës, të cilën nuk e ka parë vetëm si çështje të të drejtave të njeriut, por edhe si betejë legjitime të një populli për liri, pavarësi dhe shtet të vetin.

    Gjatë vizitës në Kosovë më 2024 Özdemir vizitoi edhe Krushën e Madhe. Ai shprehu pakënaqësinë e tij që nuk janë dënuar ende ata pjesëtarë të forcave serbe që kryen krime kundër popullsisë civile. Özdemir viteve të fundit ka qenë pjesëmarrës i rregullt në pritjet e Ambasadës së Kosovës në Berlin me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe ka marrë fjalën duke lavdëruar të arriturat e Kosovës përkundër trashëgimisë së rëndë të luftës. Në një fotografi Özdemir shihet gjatë një pritjeje për 17-vjetorin e pavarësisë duke mbajtur në dorë një kavanoz me ajvar të prodhuar në Kosovë.

    Në zgjedhjet e 8 marsit për parlamentin e Landit të Baden-Württembergut, të Gjelbrit fituan me një epërsi të vogël ndaj konservatorëve të CDU-së së kancelarit Friedrich Merz. Një fitore e të Gjelbërve nuk pritej dhe kjo u arrit falë talentit politik të Özdemirit, por edhe gabimeve të kundërshtarëve të tij politikë. Në Baden-Württemberg jetojnë rreth 180 mijë shqiptarë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre në zgjedhjet e fundit kanë përkrahur Cem Özdemirin dhe partinë e tij.

    Në librin e tij “Unë jam vendës” (Ich bin Inländer) Özdemir tregon se ishte entuziazmuar me politikën amerikane kur në Gjermani ishte gati e paimagjinueshme që një njeri me origjinë të huaj të marrë përgjegjësi të lartë politike. Më 1997 ai shkruante: „Fakti që një pasardhës i një familjeje emigrantësh synon postin më të lartë në shtet si kandidat për president, si Michael Dukakis në fund të viteve tetëdhjetë, në Shtetet e Bashkuara nuk përbën temë diskutimi. Unë vërtet nuk kam filluar të marshojë drejt zyrës së Kancelarit, as nuk i kam shkundur ndonjëherë rrethojat e selisë së Kancelarit pas nja dy gotave birrë duke thirrur: ‘Dua të hyj brenda!’, por në këtë aspekt, SHBA-të më kanë magjepsur që në udhëtimin tim të parë“.

    Özdemir është politikan pragmatik. Ndërsa disa ideologë në partinë e tij veturën e quajnë si diçka vdekeprurëse për ambientin, ai kultivon afërsinë me industrinë e automobilave. Kur ishte kryetar i të Gjelbërve, Özdemir e ftoi që në vitin 2016 shefin e atëhershëm të Mercedesit, Dieter Zetsche, si folës në kongresin federal të partisë, gjë që shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e delegatëve.

    Para zgjedhjeve të marsit, Özdemir u martua me Flavia Zaka, një juriste shqiptare, familja e së cilës emigroi nga Shqipëria në Kanada. Në vitin 2008 Zaka studoi drejtësinë në Gjermani dhe pastaj u kthye në Kanada. Në vitin 2023 një shoqe e saj e ftoi në Stuttgart në një festë ditëlindjeje – aty Zaka u njoh me Özdemirin. Sipas mediave gjermane Zaka punonte në atë kohë në Toronto si avokate dhe këshilltare për ligjin mjedisor dhe të drejtat e njeriut për qeverinë kanadeze dhe organizata joqeveritare. Me zgjedhjen e Özdemirit në postin e kryeministrit të Baden-Württembergut, një shqiptare do të jetë zonjë e parë, një First Lady, siç thuhet në botën anglosaksone, ose: Landesmutter, siç thonë shvabët e Baden-Württembergut, që në shqip i bie: nëna e Landit. Në një intervistë Zaka ka thënë se e pëlqen qartësinë e gjuhës gjermane që nga rinia e saj dhe e çmon letërsinë gjermane, veçanërisht lirikën e Rainer Maria Rilkes.

    Kryeministri i ri i Baden-Württembergut, Cem Özdemir, njihet si mbështetës i bizneseve, është vegjetarian dhe preferon të lëvizë me biçikletë. Jo përherë pajtohet me partinë e tij. Në politikën e migracionit ai është kritik ndaj atyre që vijnë në Gjermani dhe refuzojnë të integrohen. Özdemir prej vitesh ka kërkuar vigjilencë të shtuar të autoriteteve dhe të politikës ndaj fanatikëve islamistë. Një debat të gjerë publik zgjoi një editorial i Cem Özdemir, i botuar në shtator 2024 në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Aty Özdemir përshkroi se si disa burra me prejardhje të huaj kishin ngacmuar vajzën e tij dhe shoqet e saj. Ai kërkoi një debat pa dorëza mbi “strukturat patriarkale dhe rolin e gruas në shumë vende me karakter islamik”.

  • Vrasja mizore më 2013, Gjykata e Prizrenit e dënon me 15 vjet burg të akuzuarin Sead Halilaj

    Vrasja mizore më 2013, Gjykata e Prizrenit e dënon me 15 vjet burg të akuzuarin Sead Halilaj

    Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar të akuzuarin, Sead Halilaj me 15 vjet burgim për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, të kryer në mënyrë mizore dhe dinake.

    Aktgjykimi është marrë nga gjykatësi i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prizren, Artan Sejranni- kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët- gjykatësit Teuta Krusha dhe Sadije Selmani, më 24 shkurt 2026.

    Sipas aktgjykimit, Halilaj me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore dhe tinëzare viktimën I.K., më 4 qershor 2013.

    Në vendim thuhet se vrasja është kryer bashkë me vëllanë e viktimës, Senad Kullaj, për motive të ulëta, pasi e njëjta punonte si këngëtare dhe valltare në një lokal nate në Mitrovicë.

    “..në atë mënyrë që së bashku me Senad Kullaj nga Shkodra – Republika e Shqipërisë vjen për të vizituar I.in e cila ishte duke punuar si këngëtare – valltare në Mitrovicë në lokalin ,,Sh…” pronë e M.S.,, me ç ‘rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët, dhe diku në orët e mëngjesit pasi nuk është pajtuar I.K., të kthehet në shtëpi pasi familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës papritmas i akuzuari Sead Halilaj me thikë së bashku me Senad Kullaj fillojnë të godasin I.K në pjesë të ndryshme të trupit”, thuhet në aktgjykim.

    Si rrjedhojë, aty thuhet se viktimës i kanë shkaktuar plagë prerëse në fyt duke ia dëmtuar rrugët e frymëmarrjes dhe këputur enët e gjakut.

    “..duke shkaktuar plagë prerëse shpuese në anën e pasme të djathtë dhe të majtë të kokës, në pjesën e laprës së veshit të majtë, në anën e djathtë të regjionit të mjekrës, gërvishtje në anën e sipërme të majtë të përparme të kraharorit, në anën e majtë e sipërme të shpinës, në anën e pasme të krahut të majtë, në anën e pasme të dorës së majtë në bërryl, ndrydhje dhe gërvishtje në anën e pasme të parakrahut të dorës së majtë si dhe në anën e brendshme të dy shuplakave të duarve, si dhe plagë prerëse shpuese në anën e djathtë të qafës në pjesën e përparme të qafës e cila prerje kishte dëmtuar rrugët e ushqimit, të frymarrjes dhe kishte këputur enët e gjakut dhe nervat në këtë regjion që shkonte deri në indet e forta te unazat e qafës, me ç ‘rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasoj e gjakderdhjes masive nga plagët e shumta prerëse e shpuese në qafë dhe pjesët të ndryshme të trupit të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë”, thuhet më tej.

    Si rrethanë lehtësuese, trupit gjykues e ka marrë “sjelljen korrekte pas kryerjes së veprës penale”, përkundër se i pandehuri nga viti 2013 për 11 vjet kishte qëndruar në arrati, dhe ishte arrestuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Ndërsa, si rrethanë rënduese është marrë mënyra e kryerjes së veprës penale, rrezikshmëria shoqërore e veprës, dhe pesha e veprës penale.

    Dënimi ndaj tij është shqiptuar bazuar në Kodin Penal të Kosovës të vitit 2013, i cili për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” parasheh dënim nga 10 vjet e deri në burgim të përjetshëm.

    Aktakuza ndaj Sead Halilajt është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 shtator 2024, ku thuhet se pasi i njëjti bashkë me vëllanë e viktimës kishin shkuar në Prizren nga Shkodra e Shqipërisë, duke i kërkuar viktimës që të takohen në Prizren, ku edhe kanë qëndruar bashkërisht natën kritike.

    Më tej, thuhet se të njëjtit pas kryerjes së vrasjes, në orët e hershme të mëngjesit janë larguar me taksi në drejtim të Shkodrës. Ndërsa më pas janë larguar për në Mal të Zi dhe nga Podgorica përmes aeroplanit kanë udhëtuar për në Itali, më pas Belgjikë dhe në fund Angli, ku ka punuar dhe kur është paraqitur që të kthehet është kërkuar nga Interpoli.

    Përveç Halilajt, Gjykata Themelore në Prizren kishte shqiptuar aktgjykim dënues edhe ndaj vëllait të viktimës, Senad Kualla, të cilin e dënoi me 19 vjet burgim, më 12 qershor 2020 për veprën penale “Vrasje e rëndë” të privimit nga jeta të anëtarit të familjes në mënyrë mizore dhe dinake. Aktgjykimi ndaj tij thuhet të jetë vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme. /Betimipërdrejtësi