ATV

Category: Lajme

  • Gjermania zbulon virusin e hepatitit A në frutat e ngrira nga Serbia

    Gjermania zbulon virusin e hepatitit A në frutat e ngrira nga Serbia

    Gjermania ka zbuluar virusin e hepatitit A në një përzierje të ngrirë manaferrash nga Serbia, njoftoi Sistemi Evropian i Alarmit dhe Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF). Ky virus shkakton hepatit viral të tipit A, ose verdhëz infektive të tipit A.

    Si pjesë e kontrollit zyrtar të tregut, në një mostër të marrë më 20 prill të këtij viti, autoritetet gjermane identifikuan mikroorganizma patogjenë – virusin e hepatitit A në një përzierje të ngrirë manaferrash me origjinë nga Serbia, sipas një deklarate të RASFF, raporton “Oranews”.

    Rreziku shëndetësor u vlerësua si serioz dhe produkti thuhet se u tërhoq nga tregu dhe nga konsumatorët.

    Kjo nuk është hera e parë që virusi i hepatitit A është zbuluar në frutat e ngrira nga Serbia.

    Sipas të dhënave të RASFF, një rast i ngjashëm u regjistrua më 10 korrik 2025, kur Gjermania gjeti gjithashtu të njëjtin virus në frutat e ngrira manaferrash të importuara po nga ky vend.

    Gjithashtu, në gusht 2022, virusi i hepatitit A u gjet në frutat e ngrira nga Belgjika, me Serbinë e listuar si një nga katër vendet e origjinës së frutave.

  • Lëshohet urdhërarrest për aleatin e ngushtë të Zelenskyt

    Lëshohet urdhërarrest për aleatin e ngushtë të Zelenskyt

    Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit e Ukrainës urdhëroi të enjten arrestimin e Andriy Yermak, një aleat i ngushtë i Presidentit, Volodymyr Zelensky dhe ish-shef i stafit, nën akuzat për pastrim parash.

    Gjykata caktoi gjithashtu një lirim me kusht prej 140 milionë hryvnias (rreth 3.19 milionë dollarë), me të cilin Yermak, i cili i mohon akuzat, do të lirohet ndërsa pret dënimin.

    “Nuk kam aq shumë para dhe avokati im tani do të punojë me miq dhe të njohur (për të mbledhur fonde për lirimin me kusht)”, u tha Jermak gazetarëve pas vendimit të gjykatës.

    “Ekipi im ligjor do të paraqesë një ankesë. Do të përdorim çdo mjet ligjor për të arritur drejtësinë dhe të vërtetën.”

    Autoritetet ukrainase e emëruan Yermakun si të dyshuar në një hetim të madh për korrupsion të hënën. Ai është figura më e shquar nga rrethi i ngushtë i presidentit që zyrtarët e antikorrupsionit kanë arritur ta arrestojnë.

    Shërbimet ukrainase kundër korrupsionit thanë se Yermak dyshohej për pjesëmarrje në një organizatë kriminale përgjegjëse për pastrimin e rreth 10.5 milionë dollarëve përmes ndërtimit të pronave të banimit elitar në afërsi të kryeqytetit, Kiev.

    Jermak konsiderohej personi i dytë më i fuqishëm në Ukrainë, pas Zelensky-t, i cili kishte një ndikim të madh në politikën ukrainase, pavarësisht faktit se ai ishte në një pozicion për të cilin nuk u zgjodh nga qytetarët, por u emërua.

    Ish-producenti i filmave dhe avokati shfaqej rregullisht përkrah presidentit në ngjarje publike dhe ishte kryenegociatori i Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

    Dorëheqja e tij erdhi vitin e kaluar në mes të një riorganizimi më të gjerë të qeverisë që synonte rivendosjen e besimit në Zyrën e Presidentit, e cila është lënë në hije nga akuzat për centralizim të pushtetit, raporton Reuters.

    Akuzat kundër Yermak nuk ka gjasa të përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për Zelenskyn, por ato mund të shkaktojnë dëme afatgjata në reputacionin e tij nëse ai kandidon përsëri për president pas luftës, thonë disa analistë.

  • Kurti i shmanget përgjigjes për deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit

    Kurti i shmanget përgjigjes për deklaratat e fundit të Vjosa Osmanit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shmangur përgjigjet ndaj deklaratave dhe akuzave të fundit të ish-presidentes Vjosa Osmani.

    I pyetur nga gazetarët lidhur me akuzat që Osmani ia ka adresuar ditëve të fundit, Kurti nuk ka komentuar, duke dhënë vetëm një përgjigje të shkurtër.

    “Duhet të shkojmë me shpejtësi në Ferizaj”, tha ai shkurt.

  • Policia shpall në kërkim 22-vjeçaren nga Samadrexha, dyshohet për shitje të drogës

    Policia shpall në kërkim 22-vjeçaren nga Samadrexha, dyshohet për shitje të drogës

    Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Blerina Malokun, 22-vjeçare nga fshati Samadrexhë, e cila dyshohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Policia, përmes një njoftimi për media, ka ndarë edhe foton e të dyshuarës.

    “Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, e dyshuara shpallet në KËRKIM nga Policia e Kosovës, referuar autorizimit të Prokurorisë drejtuar Policisë së Kosovës, Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë që të publikojë fotografitë e të pandehurës nën dyshimin e bazuar se e njëjta, duke vepruar si bashkëkryerës ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Personi që kërkohet është: BLERINA MALOKU e lindur me 21.02.2004, shqiptare/kosovare me vendbanim në fshatin Samadrexhë-Vushtrri”.

    Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

  • Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Mitrovicë, Kurti premton mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe të tilla

    Vendoset gurthemeli i Parkut Industrial në Mitrovicë, Kurti premton mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe të tilla

    Qeveria e Kosovës ka vënë gurthemelin e Parkut Industrial në fshatin Frashër të Mitrovicës, projekt për të cilin do të investohen afër 1 milion euro, ndërsa në tri vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 30 milionë euro investime për 14 parqe industriale në gjithë vendin.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimi në Parkun Industrial në Frashër është pjesë e mbështetjes për zhvillimin ekonomik të Mitrovicës dhe krijimin e kushteve për prodhim dhe punësim.

    “Në këtë mënyrë ne po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që ja kemi Mitrovicës, e cila i dha aq shumë zhvillim e kulturë jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë kombit shqiptar. Dhe tash ne po ja kthejmë këtë me një investim këtu në Frashër, në shumën e gjithëmbarshme prej afër 1 milion euro për këtë park industrial, në të cilin do të mund të vendosen bizneset e ndryshme nga Mitrovica, nga Kosova, por edhe investitorë të huaj, ashtu që të rritet prodhimtaria e të shtohet punësimi”, tha ai, raporto eo.

    Kurti shtoi se qeveria synon të modernizojë infrastrukturën për bizneset prodhuese dhe të rrisë eksportet.

    “Sa më shumë që bizneset prodhojnë, aq më shumë krijohen kushtet për rritje të eksporteve dhe për zëvendësim të importeve, për përmirësim të bilancit tregtar dhe për progres të gjithëmbarshëm socio-ekonomik. Në tre vitet në vijim, Qeveria e Republikës së Kosovës do të investojë mbi 30 milionë euro për 14 parqe industriale anembanë Kosovës, sepse dëshirojmë që infrastruktura për bizneset që prodhojnë e punësojnë të jetë sa më moderne. Këtu në Frashër, punimet tashmë kanë nisur dhe po ndërtohet infrastruktura bazike, e pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër, e cila e modernizon parkun industrial dhe e bën atraktiv për bizneset”, tha ai.

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se fokusi i qeverisë është rritja e prodhimit vendor dhe zhvillimi i industrive me vlerë të shtuar.

    “Ne si qeveri, si ministri, jemi të përcaktuar që të punojmë drejtpërdrejt në përmirësimin e bilancit tregtar, në zëvendësimin e importeve me produkt vendor, por gjithashtu edhe në vendosjen e Kosovës si vend në të cilin ka prodhime me vlerë të shtuar. Prodhime të cilat nuk konkurrojnë me vendet me masë, siç janë ato që bëjnë prodhime në numër të madh të punëtorëve, por ato që kanë vlerën e shtuar. Prandaj edhe parashihet që në këtë park të ketë kompani prodhuese të cilat janë në fushën e teknologjisë, në fushën e inovacionit dhe teknologji e inovacion ka në të gjithë spektrin industrial, por gjithashtu edhe ato të shtojmë tashmë edhe komponentën e ekonomisë së pastër”, tha ajo.

    Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, tha se komuna synon të krijojë kushte më të favorshme për investitorët dhe bizneset.

    “Zotimi im si i pari i Mitrovicës ka qenë edhe është në baza ditore, që të krijojmë kushte dhe rrethana më të favorshme të bërit biznes, duke filluar nga mundësitë infrastrukturore dhe hapësirat fizike ose ndarja e parcelave që është njëra prej kërkesave të para të secilit investitor ose afarist që dëshiron që ta rrisë kapacitetin ose që të vijë në Kosovë për t’investu. E Mitrovica si komunë, në këtë fazë dhe me përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe ministrave, vartësve të tij, e ka mundësinë ideale që të transformohet në njërën prej qyteteve më të zhvilluara sikurse ka qenë në të kaluarën. Aktualisht trendet dhe niveli i zhvillimit të komunës tonë nuk është në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm, ambicia jonë është që të vazhdojmë”, tha ai.

    Ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosjes së gurthemelit të Parkut Industrial u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

  • Ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e apartamenteve në Kiev, pasi sulmet masive ruse vranë dy persona

    Ekipet e shpëtimit kërkojnë në rrënojat e apartamenteve në Kiev, pasi sulmet masive ruse vranë dy persona

    Dy persona janë vrarë dhe 40 të tjerë janë plagosur pasi Rusia nisi një valë masive sulmesh kundër Ukrainës gjatë natës, thanë zyrtarët.

    Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, tha se ishte një “natë veçanërisht e vështirë për Kievin”, ku ekipet e shpëtimit po kërkojnë në rrënojat e një ndërtese banimi pas një sulmi të kombinuar me raketa dhe dronë në kryeqytet, shkruan BBC.

    Breshëria e natës pasoi një sulm të madh të mërkurën një nga më të mëdhenjtë që Rusia ka organizuar që nga fillimi i pushtimit të saj në shkallë të plotë në vitin 2022, me 892 dronë të lëshuar, transmeton Sinjali.

    Kjo shënon ditën e tretë radhazi që Ukraina ka raportuar vdekje, ndërsa Moska rrit sulmet e saj pasi një armëpushim tre-ditor skadoi të hënën.

    Në kryeqytet, një operacion kërkim-shpëtimi filloi herët të enjten për të kërkuar njerëz nën rrënojat e një blloku apartamentesh nëntëkatësh që ishte goditur gjatë natës.

    Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaliy Klychko, i cili vizitoi ndërtesën, tha se 18 apartamente ishin shkatërruar. Ai tha gjithashtu se sulmi kishte ndërprerë furnizimin me ujë të qytetit.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se dhjetëra persona ishin shpëtuar nga ndërtesa deri më tani.

    Dëme ishin shkaktuar edhe në ndërtesa të tjera banimi, një shkollë, një klinikë veterinare dhe infrastrukturë tjetër, shtoi ai.

    Zelensky tha se sulmi i madh i Rusisë “definitivisht nuk ishte veprim i atyre që besojnë se lufta po i vjen fundi”.

    Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të mos heshtin për sulmin.

    Sulmi në shkallë të gjerë pa dronë rusë të fluturonin në pjesën më të madhe të Ukrainës, me rajonet e Kremençukut, Bila Tserkvës, Kharkivit, Sumit dhe Odesës që u vunë gjithashtu nën zjarr, tha kryeministri Svyrydenko.

    “Ukraina ka nevojë për ndihmë në forcimin e mbrojtjes së saj ajrore”, shkroi ajo në rrjetet sociale. “Kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar njerëzit dhe qytetet tona”.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, e dënoi presidentin rus Vladimir Putin për “sulmin barbar”, i cili sipas tij tregonte se Moska po ndiqte “agresionin dhe terrorin” në vend të paqes.

    Ai vuri në dukje se sulmi kishte ndodhur gjatë një samiti të rëndësishëm midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe atij të Kinës Xi Jinping dhe u bëri thirrje të dy udhëheqësve të ushtrojnë presion mbi Rusinë.

    “Jam i sigurt se udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kanë mjaftueshëm ndikim mbi Moskën për t’i thënë Putinit që më në fund t’i japë fund luftës”, tha ai.

    Sulmet e fundit ndodhën menjëherë pasi një armëpushim tre-ditor i ndërmjetësuar nga SHBA-të skadoi vonë të hënën.

    Si Rusia ashtu edhe Ukraina raportuan shkelje të shumta gjatë armëpushimit – kryesisht përgjatë vijës së gjerë të frontit por jo sulme të mëdha ajrore.

    Rusia rifilloi sulmet e saj të martën, duke vrarë nëntë persona në Ukrainë. Gjashtë të tjerë u vranë në të gjithë vendin të mërkurën, tre prej tyre në qytetin perëndimor të Rivne.

    Në një zhvillim të veçantë në Kiev, një gjykatë ka urdhëruar 60 ditë paraburgim për ish-krahun e djathtë të Zelensky-t, Andriy Yermak, për një skandal korrupsioni.

    Gjykata tha se ai mund të lirohet me një garanci prej 2.35 milionë paundësh (3.2 milionë dollarë) me një etiketë elektronike.

    Yermak është emëruar nga agjencitë antikorrupsion të Ukrainës si i dyshuar në një skemë pastrimi parash që përfshin një projekt ndërtimi luksoz me vlerë 7.5 milionë paund jashtë Kievit.

    Avokati i tij i ka përshkruar akuzat si “të pabaza”.

    Pas seancës dëgjimore, Yermak i mohoi akuzat kundër tij dhe tha se do të apelonte: “Unë do të qëndroj në Ukrainë. Nuk kam asgjë për të fshehur”.

    Yermak deklaroi gjithashtu se “nuk kishte atë lloj parash” për lirimin me kusht, por do të kërkonte fonde “midis miqve dhe të njohurve“.

  • Dëmi mbi 100 mijë euro, shpallen fajtorë dy të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë

    Dëmi mbi 100 mijë euro, shpallen fajtorë dy të akuzuar për korrupsion në Pallatin e Rinisë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shpalljen fajtorë të Astrit Zogianit dhe Faton Rrustemit, të akuzuar në rastin e korrupsionit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

    Në reagimin e PSRK-së, ky vendim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sundimit të ligjit, llogaridhënies dhe integritetit institucional.

    “Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe që çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare të trajtohet në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e PSRK-së.

    Në seancën fillestare e cila u mbajt të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Astrit Zogiani, në cilësinë e menaxherit të financave dhe Faton Rrustemi, përgjegjës i sigurimit në Pallatin e Rinisë, pranuan fajësinë lidhur me akuzat për korrupsion.

    Sipas organit të akuzës, dëmi i shkaktuar në këtë rast arrin mbi 107 mijë euro.

    Astrit Zogiani akuzohej për veprat penale: “Përvetësim në detyrë” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, derisa Faton Rrustemi për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    “Pallati i Rinisë”, në cilësinë e palës së dëmtuar ka kërkuar kompensim të dëmit material në shumën prej 107 mijë e 675 euro e 21 centë.

  • PS dhe PD pajtohen mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE, zbulohet drafti final

    PS dhe PD pajtohen mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE, zbulohet drafti final

    Është zbuluar drafti final i rezolutës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

    Në materialet e siguruara nga Top Channel, shihet drafti final i dakordësuar nga PS dhe PD që është dërguar në Kuvend.

    Në draft shkruhet:

    PËR PROCESIN E ANËTARESIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN

    Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neneve 18 dhe 103/1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

    Në zbatim të nenit 18, pika 1, të Ligjit nr. 15/2025 “Për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, të ndryshuar;

    Duke rikonfirmuar se anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën objektiv strategjik kombëtar, që udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social;

    Duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimin e transparencës;

    Duke theksuar se orientimi evropian është zgjedhje e vullnetit të lirë, me rëndësi strategjike mbarëkombëtare, që gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe përfaqëson një angazhim të qëndrueshëm ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian, demokracisë, shtetit të së drejtës, lirisë, pages dhe bashkëjetesës, barazisë dhe dinjitetit njerëzor;

    Duke pasur parasysh kriteret e Kopenhagës dhe parimin se procesi i antarësimit bazohet në meritë, kushte të drejta dhe zbatim real të reformave, në përputhje me standardet demokratike dhe respektimin e të drejtave themelore;

    Të vetëdijshëm se Shqipëria ka hapur me shpejtësi të gjithë kapitujt e negocimit dhe është në pritje të miratimit të raportit IBAR;

    Duke vlerësuar se procesi i zgjerimit të BE-së po zhvillohet në një kontekst gjeopolitik të ndjeshëm që kërkon riformësim të shpejtë të institucioneve dhe përparim të matshëm në fushat kyçe si funksionimi demokratik i institucioneve, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria, prokurimi publik, kontrolli financiar, statistikat, kriteret ekonomike, dhe reforma në administratën publike.

  • Arrestohen tre persona për kontrabandë me migrantë, policia jep detaje

    Arrestohen tre persona për kontrabandë me migrantë, policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në dy raste kriminale ‘kontrabandë me migrantë’.

    Në rastin e parë, dje në zonën e Rugovës, policia ka ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil- kërkimi nga Greqia.

    Policia shton se, i dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi, dhe se me vendim të prokurorit i dyshuari B. K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.

    Komunikata:

    Arrestohen tre të dyshuar të përfshirë në dy raste kriminale ‘kontrabandë me migrantë’

    Prishtinë, më 14 maj 2026

    Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Departamenti i Kufirit, gjatë ditës së djeshme 13 maj 2026, kanë iniciuar dy raste kriminale ‘kontrabanda me migrantë’.

    Në rastin e parë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit-Rahovec, më 13.05.2026 në orën 13:45, në zonën e Rugovës, kanë ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil- kërkimi nga Greqia. I dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi. Me vendim të prokurorit i dyshuari B. K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.

    Rasti i dytë, i ndodhur po dje më 13.05.2026, në orën 20:35, zyrtarë policorë nga njësiti patrullues Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit -Hani i Elezit, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Migrimi ilegal”, gjatë vëzhgimit të terrenit me dron në fshatin Seqishtë, Hani i Elezit, kanë vërejtur dy persona duke kaluar në këmbë vijën kufitare nga fshati Bllacë e Maqedonisë së Veriut, në territorin e Republikës së Kosovës, në afërsi të pikëkalimit kufitar ishte duke i pritur një automjet për t’i transportuar brenda territorit.

    Njësitë patrulluese kanë arritur ta ndalojnë automjetin dhe të arrestojnë tre persona shtetas kosovarë dhe një person shtetas i Bangladeshit.

    Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarve me iniciale Q. C., P. L. dhe A. B., meshkuj kosovarë, është iniciuar rasti ‘kontrabandë me migrantë’, të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa viktima nga Bangladeshi është trajtuar nga njësia e migrimit dhe është dërguar në Qendrën e Strehimit për Migrantë në Vranidoll. Gjithashtu është sekuestruar përkohësisht një automjet me targa vendore dhe katër telefona mobilë.

  • “Po e shpall pavarësinë, po”; “me emër të Zotit”, Endriti rikthen videon e Thaçit me Demaçin

    “Po e shpall pavarësinë, po”; “me emër të Zotit”, Endriti rikthen videon e Thaçit me Demaçin

    Endrit Thaçi, djali ish-presidentit Thaçi, ka rikthyer në kujtesë një moment të veçantë mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

    Në videon që ka publikuar në Instagram, veprimtari Demaçi iu drejtuar Thaçit me fjalët: “Po e shpall Pavarësinë, po?”.

    Ndërsa ish-presidenti Thaçi ia kthen: “Me emër të Zotit”.

    VIDEO