ATV

Category: Lajme

  • ​Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi, arrestohet i dyshuari

    ​Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi, arrestohet i dyshuari

    Një person është arrestuar dje në Prishtinë, pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale ka shpërndarë disa video me përmbajtje të abuzimit seksual me fëmijë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    ​Osmani pret në takim dy senatorët amerikan

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim dy senatorët amerikan, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

    Pas takimit të përbashkët, Osmani dhe senatorët do të ketë një deklarim për medie.

    Pas takimit me Osmanin, senatorët amerikan do të takohen edhe me kryeministrin, Albin Kurti.

    Kjo është vizita e parë e përfaqësuesve të lartë të ShBA-së në Kosovë, pas aktit të agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator.

  • Blendi Fevziu: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në ditët më të këqija

    Blendi Fevziu: Raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në ditët më të këqija

    Gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, në një intervistë për Demokracia.com, i ka komentuar ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku në Banjskë të Zveçanit u sulmua Policia e Kosovës dhe për pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    Fevziu beson që Vuçiq nuk është i interesuar për një marrëveshje me Kosovën, pasi situata aktuale ia mundëson Serbisë të jetë më e faktorizuar dhe më pak e kontrolluar.

    Sa i përket reagimit të Policisë së Kosovës në ditën e 24 shtatorit në Banjskë, Fevziu thotë se trajnimi dhe reagimi i tyre nuk ka lidhje me standardet e zakonshme të policive në shtetet ballkanike.

    Fevziu ka komentuar edhe raportet e dy kryeministrave, Ramës dhe Kurtit, duke thënë se raportet mes Shqipërisë e Kosovës në nivelin më të lartë të ekzekutivit janë në ditët më të këqija që ai i mban në mend gjatë karrierës së tij.

    “Raportet mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit s’më interesojnë fare. Puthen a shahen është problem i tyre. Çështja është se raportet mes Shqipërisë e Kosovës, në nivelin më të lartë të ekzekutivit, janë në ditët më të këqija që unë mbaj mend në karrierën time. Kurrë s’kanë qenë kështu. Unë mendoj se thelbi është në atë që janë të dy protagonistë dhe personazhe shumë të ndryshëm. Deri në atë pikë, sa kokëfortësia, nuk i lejon as të ulin protagonizmin personal dhe të kuptojnë se aty nuk janë si individë, por si përfaqësues të dy pjesëve të një kombi”, tha Fevziu.

  • Specializantët protestojnë edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Specializantët protestojnë edhe sot para Ministrisë së Shëndetësisë

    Grup i specializantëve vazhdon edhe sot protestën për mospagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.

    Kjo është dita e katërt që mantelbardhët protestojnë para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë.

    Të enjten ata bllokuan hyrjen e kësaj ndërtesë.

  • Vazhdon seanca për Hajdarin lidhur me aksidentin ku u godit një e mitur

    Vazhdon seanca për Hajdarin lidhur me aksidentin ku u godit një e mitur

    Sot mbahet seanca e radhës lidhur me rastin e aksidentin me veturë të të miturës nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

    Seanca pritet të fillojë në orën 14:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

  • Mehmeti: Vendimet e BQK-së për shtyrje të kredive e shpëtuan ekonominë e sektorin financiar

    Mehmeti: Vendimet e BQK-së për shtyrje të kredive e shpëtuan ekonominë e sektorin financiar

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se falë vendimeve që i kanë ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë vendëse. Sipas tij, raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind, raporton Ekonomia Online.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti ka thënë se me vendimin për shtyrje dhe ristrukturim të kredive, janë shpëtuar ekonomitë familjare dhe sektori financiar. Këtë të fundit, Mehmet e quan mirë të kapitalizuar, teksa përformancën e tyre e sheh në dobi të ekonomisë kosovare.

    E rritjen e aseteve të sektorit bankar, Mehmeti e vlerëson shumë, e cila aktualisht është mbi 60 për qind.

    “Ju e dini që Banka Qendrore e Kosovës gjatë mandatit tim pesëvjeçar që të ketë një stabilitet financiar, çka ka qenë edhe objektiv primar. Një sistem financiar likuid mirë i kapitalizuar, nuk është që e themi në por edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, siç është Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar e institucionet tjera relevante. Sa i përket sektorit bankar si komponentë kryesore e sistemit financiar është rritur si në numër e po ashtu edhe ka zhvillime pozitive apo rritje të të gjitha aktivitetet e saj, duke marrë parasysh faktin që prej 10 bankave që kanë qenë, aktualisht i kam lënë 12 banka. Pastaj kemi rritje të aseteve tek ky sektor gjatë periudhës pesëvjeçare mbi 60 për qind, pastaj rritje të kredive mbi 57 për qind, pastaj rritje të depozitave mbi 65 për qind, në anën tjetër kreditë performuese kanë qenë 2 për qind dhe mirë të provizionuara”.

    E sa i përket periudhës më të rëndë jo vetëm në ekonominë vendëse por edhe botërore, Mehmeti e sheh në pandemi. Ai ka thënë se falë vendimeve që i kanë marrë si institucion, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë.

    “Raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind. Kjo tregon se bankat kanë pasur kapital të mjaftueshëm për të suportuar ekonominë e vendit. Ajo që është e rëndësishme të potencohet është që ne kemi qenë shumë proaktiv në vendimmarrje, sidomos gjatë periudhës pandemisë. Ka qenë një sfidë jo vetëm për Bankën Qendrore por edhe për nivel global, për arsye se nuk e kemi ditur se cilat janë efektet e pandemisë dhe pasojat që mund të vijnë. Kemi marrë vendim që e kanë shpëtuar ekonominë e vendit, e kanë shpëtuar sektorin financiar e po ashtu e kanë shpëtuar edhe ekonomitë familjare, kur kemi marrë vendim për shtyrje të pagesës së këstit të kredive për tre muaj”, u shpreh ai, teksa përmendi edhe vendimin për ristrukturimin e kredive për dy herë radhazi.

    “Mund të imagjinoni sikur mos të kishim qenë proaktiv qysh në ditën e parë me marrë vendime të tilla, duke pasur parasysh se as në mars e prill, nuk ka paguar askush këst të kredive dhe si rezultat i kësaj në masë të madhe do të ishte rrit përqindja e kredive përformuese dhe në anën tjetër edhe bizneset e ekonomitë familjare nuk i kishin pas mundësi të përballojnë një gjë të tillë por edhe sektori bankar me një kapital që e ka pasur dikund rreth 450 milionë euro, nuk do ta përballonte një gjendje të tillë që kishte ardhë si rezultat i pandemisë”, u shpreh ai.

  • Ushtria izraelite paralajmëron civilët e qytetit të Gazës që të evakuohen

    Ushtria izraelite paralajmëron civilët e qytetit të Gazës që të evakuohen

    Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”, ndërsa vazhdon bombardimet e saj në enklavën bregdetare në përgjigje të sulmeve terroriste të Hamasit që vranë më shumë se 1200 njerëz.

    “IDF bën thirrje për evakuimin e të gjithë civilëve të qytetit të Gazës nga shtëpitë e tyre në drejtim të jugut për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre dhe të lëvizin në zonën në jug të Wadi Gazës”, thonë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit në një deklaratë.

    Kombet e Bashkuara paralajmëruan të enjten se një urdhër ushtarak izraelit për të evakuuar të gjithë popullsinë 1.1 milionëshe të Gazës veriore në jug të enklavës së rrethuar ishte “e pamundur” pa shkaktuar pasoja të mëdha humanitare.

    Në deklaratën e saj të premten, IDF tha se civilët e evakuuar do të jenë në gjendje të kthehen në qytetin e Gazës “vetëm kur të bëhet një njoftim tjetër që e lejon atë”.

    “Terroristët e Hamasit fshihen në qytetin e Gazës brenda tuneleve nën shtëpi dhe brenda ndërtesave të populluara me civilë të pafajshëm të Gazës”, tha IDF, duke pretenduar se militantët e Hamasit “po përdorin” civilët e Gazës si “mburoja njerëzore”.

    Izraeli ka grumbulluar më shumë se 300,000 rezervistë përgjatë kufirit të tij jugor me Gazën, por nuk ka konfirmuar nëse po planifikon një operacion të intensifikuar ushtarak.

    Më shumë se 1500 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë. Sulmet ajrore kanë zhvendosur gjithashtu qindra mijëra njerëz.

  • Inskenimi i rasteve në Kosovë, strategji e vjetër e Serbisë

    Inskenimi i rasteve në Kosovë, strategji e vjetër e Serbisë

    Ndonëse nuk shërben më pije për mysafirët, mbetet ndër lokalet më të njohura në Kosovë. Që nga data 7 tetor është futur në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

    Lokali “Panda” në Pejë hyri në histori më 14 dhjetor 1998, ditë kur u vranë gjashtë të rinjë serbë. Për këtë vrasje u arrestuan dhe u malltretuan të rinj shqiptarë, pa pasur asnjë lidhje me rastin.

    Edhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiq para 10 viteve kishte deklaruar se nuk ka prova që krimin e kanë kryer shqiptarët.

    Edhe më 1 maj 1985 nuk kishte prova, por u përhap lajmi se Gjorgje Martinoviqin e kanë përdhunuar seksualisht 2 shqiptarë në arat e Gjilanit.

    Këtë rast e kujton shumë mirë profesori Fadil Maloku, atë kohë student i sociologjisë.

    “Kulmi i propagandës që bënte atë botë Serbia për t’i stigmatizuar dhe për ti paragjykuar shqiptarët. …Në atë historinë e orgjive të veta u vet-lëndua edhe kur shkoi në spital ai ka deklaruar se është i vet-lënduar edhe më vonë duket që shërbimi sekret serb si rast e ka marr edhe ka dashur që fajin t’iu lë shqiptarëve”, ka thënë ai.

    Maloku thotë se edhe tash shteti serb nuk e ka harruar zakonin e inskenimit të rasteve, prandaj i fton inctitucionet të jenë sy-hapur.

    “Edhe sot e kësaj dite përdor pothuajse të njëjtat metoda për t’i stigmatizuar shqiptarët, se gjoja se janë duke i dhunuar (sulmuar serbët e Kosovës), duke bërë pengesa atje në pjesën veriore, dhe këtë e bënë me qëllim”, ka deklaruar Maloku.

    Propagandë me krime ordinere bënë vazhdimisht edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Për shembull në korrikun e 2022, ata propagandonin se shqiptarët ia kanë thyer xhamin e veturës, Davor Petkoviqit, ish-nënkrytearit të Ranillugut.

    Ky lajm ishte në kundërshtim me realitetin në terren dhe ishte përgënjeshtruar nga vet komandanti i Policisë për RTV Dukagjini, po ashtu me përkatësi etnike serbe.

    Edhe më 1 qershor 2022 shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë një vizitë në shtëpinë e një serbi kishte thënë se incidentet ndëretnike janë shtuar.

    RTV Dukagjini e kishte vizituar shtëpinë ku ishte Szunuog, e po ashtu fshatarët tjerë të cilën flisnin të kundërtën.

    As Zyra e shefit të Zyrës së BE-së nuk kishte treguar se ku janë bazuar për këtë deklarim. Ndërkaq Policia e Kosovës kishte treguar se për tri vite në Vushtrri ishte regjistruar vetëm një rast për ‘nxitje të përçarjes dhe mos durimit’.

  • Numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit në Izrael është rritur në 1 300

    Numri i të vdekurve nga sulmet e Hamasit në Izrael është rritur në 1 300

    Të paktën 1 300 civilë dhe ushtarë janë vrarë në Izrael pasi Hamasi filloi një sulm të befasishëm gjatë fundjavës, thanë të premten Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

    Në një përditësim, zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus, shtoi se më shumë se 3,000 njerëz janë plagosur në sulmet terroriste, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    Si kundërpërgjigje, Izraeli po godet Gazën me sulme ajrore, duke goditur qindra objektiva dhe duke i kthyer në rrënoja lagjet.

  • UNRWA zhvendoset në jug të Gazës

    UNRWA zhvendoset në jug të Gazës

    Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRWA) ka zhvendosur qendrën e saj qendrore të operacioneve dhe stafin ndërkombëtar në Gaza në jug të enklavës së rrethuar, sipas një deklarate të premten.

    UNWRA do të vazhdojë operacionet e saj humanitare dhe do të ofrojë mbështetje për stafin e saj dhe për refugjatët palestinezë, tha ajo.

    “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite që të mbrojnë të gjithë civilët në strehimoret e UNRWA, përfshirë shkollat”, tha UNWRA në një deklaratë të postuar në X, dikur Twitter.

    “Këto shkolla të OKB-së dhe të gjitha strehimoret e tjera të OKB-së janë objekte të OKB-së. Ato duhet të mbrohen në çdo kohë dhe kurrë nuk duhet të sulmohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, raporton CNN transmeton Klankosova.tv

    Më shumë se dy të tretat e 423,000 njerëzve të zhvendosur në Gaza po strehohen në shkollat e drejtuara nga UNWRA, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

    UNRWA tha të enjten se 12 nga personeli i saj janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori.

    Pak kontekst: Ushtria izraelite të premten u bëri thirrje të gjithë civilëve në qytetin e Gazës që të evakuohen “në drejtim të jugut”. OKB-ja ka thënë se urdhri që 1.1 milion njerëz të largohen nga Gaza veriore ishte “i pamundur” pa pasoja të mëdha humanitare.