ATV

Category: Lajme

  • Ahmeti: Dialogu nuk mund të vazhdojë njëjtë

    Ahmeti: Dialogu nuk mund të vazhdojë njëjtë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti duke komentuar sulmin terrorist në veri të Kosovës, më 24 shtator deklaroi se autoritetet kosovare tashmë i kanë njoftuar të gjithë partnerët se Serbia qëndron prapa tij.

    “Ajo çka ndodhi me 24 shtator, sulmi terrorist si formë e agresionit nga Serbia ishte ajo çka kishim paralajmëruar se do të mund të ndodhte. Sigurisht se ne që nga ajo ditë kemi njoftuar në baza të rregullta të gjithë partnerët dhe të gjitha vendet ku kemi përfaqësim, qoftë primar apo sekondar përmes misioneve diplomatike apo konsullore. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne me kohë e kemi bërë të qartë se për çfarë po bëhet fjalë. Për një sulm të tillë, për një agresion të tillë duhet personel, armatim dhe planifikim”, tha Ahmeti.

    Ahmeti, përsëriti qëndrimin e Qeverisë se për këtë akt të agresionit, Serbia duhet të ndëshkohet derisa konsideron se dialogu për normalizim të raporteve me këtë shtet nuk mund të vazhdojë njëjtë.

    “Sa më pak që të ketë pasoja Serbia aq më shumë ka mundësi për sulme dhe sa më shumë që të ketë sulme aq më pak do të lihet mundësi për dialog. Prandaj është thelbësore që të kemi pasoja dhe sanksione ndaj Serbisë në këtë rast”, tha Ahmeti.

    Në anën tjetër, shtoi se Ministria e jashtme është duke punuar vazhdimisht me pesë vendet e Bashkimit Evropian jonjohëse të Kosovës. Ai përmend në veçanti raportet me Greqinë, të cilat sipas tij, po thellohen ani pse s’ka njohje formale.

  • Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Qeveria këmbëngul që zgjedhjet në veri do të mbahen vetëm sipas Udhëzimit Administrativ

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pasi Lista Serbe, në koordinim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndryshoi qëndrim dhe kërkoi mbajtje të zgjedhjeve në veri, duke premtuar pjesëmarrje, Qeveria e Kosovës insiston se mbajtja e tyre, do të bëhet vetëm përmes udhëzimit administrativ.

    Duke ofruar mbështetje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ekzekutivi shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve serb të katër komunat veriore është jashtëzakonisht e rëndësishme.

    “Ne kemi ofruar kornizën ligjore që mundëson zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të vendit. Udhëzimi administrativ është edhe rezultat i zotimeve tona për deeskalim të situatës por edhe reflektim i bindjes sonë se zgjedhjet e reja atje duhet të nxiten nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit, në krye më deri atëherë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq na ka rikujtuar rëndësinë jetike të ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
    Në rast se kryetarët e tanishëm nuk japin dorëheqje duke pritur inicim të peticionit nga qytetarët, për opinionistin Bekim Kabashi, mbajtja e zgjedhjeve është larg.

    Sidoqoftë, pjesëmarrja eventuale e Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme, pas sulmit të 24 shtatorit, për të cilin mori përgjegjësinë ish-nënkryetari i këtij subjekti, Milan Radojiçiq, po shihet me sy kritik.

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, sepse serbët bojkotuan zgjedhjet lokale me 23 prill.
    Qytetarët serb kundërshtuan hyrjen me ndihmën e policisë të kryetarëve në ndërtesat komunale, duke sulmuar Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe gazetarët.

  • ​Franca mobilizon 7000 ushtarë pas vrasjes së një mësuesi: “Sulm i motivuar nga lufta në Izrael”

    ​Franca mobilizon 7000 ushtarë pas vrasjes së një mësuesi: “Sulm i motivuar nga lufta në Izrael”

    Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka urdhëruar mobilizimin e shtatë mijë trupave shtesë për të forcuar patrullat e sigurisë, tha zyra e tij sot, një ditë pasi një mësues u vra me thikë në një sulm islamik.

    Franca ka qenë në gatishmëri të lartë që nga e premtja pasi një 20-vjeçar vrau me thikë një mësues dhe plagosi rëndë dy të tjerë në qytetin verior francez të Arras.

    Zyra e Macron njoftoi se ushtarët do të mobilizohen deri në njoftimin e mëtejshëm si pjesë e një operacioni ekzistues për të patrulluar qytetet e mëdha dhe destinacionet turistike.

    Muzeu i Luvrit u evakuua dhe u mbyll sot pasi u raportua për një bombë, njoftoi zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Camille Chaize, duke shtuar se ishin kryer kontrolle për t’u siguruar që nuk kishte rrezik.

    Siguria në Francë është rritur përpara Kupës Botërore të Ragbit në vend, më pak se një vit para fillimit të Lojërave Olimpike, e cila do të përfshijë një ceremoni hapjeje jashtë stadiumit dhe një paradë poshtë lumit Sena.

    Chaize tha se masat e sigurisë në stadiumet për ndeshjet e ragbit janë tashmë në nivelin më të lartë, por rreth tyre do të vendosen patrulla shtesë dhe e njëjta gjë do të jetë edhe në qendër të Parisit. Franca ka qenë shënjestër e sulmeve islamike prej vitesh, më i keqi prej të cilëve ishte ai i nëntorit 2015 kur sulmuesit sulmuan një sallë koncertesh dhe kafene në Paris.

    Ministria njoftoi se një takim të shtunën pasdite do të diskutojë nëse nevojiten masa shtesë, tha Chaize. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha sot se sulmi në Arras është i lidhur me ngjarjet në Lindjen e Mesme ku Izraeli po kryen një ofensivë ushtarake kundër Hamasit.

  • ​“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i njërës nga 100 pacientët e helmuar në Malishevë

    ​“Hëngra doner dhe u helmova”, rrëfimi i njërës nga 100 pacientët e helmuar në Malishevë

    Rasti i djeshëm i helmimit të 63 personave nga një lokal ushqimi në Malishevë, deri më sot ka arritur me mbi 100 të helmuar, derisa një nga të helmuarat me ushqim, e cila tashmë është e shtruar në Klinikën Infektive në Prishtinë tregon se nga ushqimi që ka marrë në lokalin më Malishevë i janë paraqitur simptomat me vjellje menjëherë, asaj dhe personave të cilat kanë ngrënë bashkë. Përderisa në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se kanë asgjësuar 64 kilogramë mish në lokalin ku u helmuan qytetarët.

    Pacientja, e cila nuk deshi të identifikohej, ka thënë për KosovaPress se lokali në fjalë ka pasur mungesë të pastërtisë adekuate për ushqim, derisa shton se gjendja e saj shëndetësore sot është më stabile.

    “Të mërkurën e kam ngrënë një doner në ora 19:00. Simptomat janë bërë në ora 23:00 të natës. Prej të mërkurës jam kështu, mbrëmë kam qenë më keq, ethe, temperaturë, vjellje, bark qitje… kështu. Vetëm aty jemi helmuar pronari im, një punëtor dhe një punëtore që kemi ngrënë, të tretë dhe jemi helmuar. Nuk e di, vetëm doner, se çka ka pasur nuk e di. Si e kemi ngrënë atë jemi helmuar, kemi vjellë, tri orë, nuk ka zgjatë më shumë. As bukë, as asgjë nuk kam ngrënë vetëm ujë. Lokal që është midis rruge krejt pluhur bagerat. Ai nuk është lokal. Krejt pluhur në gojë e futim, nuk e di dje jam kanë më keq sot pak më mirë”, tha pacientja.

    Drejtori i Klinikes Infektive, Arben Vishaj konfirmoi se deri më tash janë hospitalizuar 12 persona me simptoma të helmimit nga ushqimi, të cilin e kanë marrë në lokalin në Malishevë. Ai tha se ekipi mjekësor ka intervenuar me masa të shpejta dhe gjendja e tyre tashmë është jashtë rrezikut.

    “Për momentin në Klinikën Infektive gjithsej të hospitalizuar i kemi gjithsej 12 pacientë. Mosha e tyre është 8-vjeç deri në moshën 43-vjeçare. Mosha mesatare është 21-vjeçare. Dje kanë ardhur një gjithsej 11 pacientë, të cilat kanë manifestuar sëmundje në formë të vjelljes, heqjeve të barkut, dhembjeve të barkut, dhe në aspektin e anamnezës 6 deri në 72 orë më parë kanë konsumuar ushqim në një lokal dhe kanë ardhur në manifestime të tilla, të cilët kanë pasur indikacion që të hospitalizohen në Klinikën Infektive. Pasojë e dehidrimit dhe ndryshimeve të vlerave të lehta është e mundur që ndonjëri të ketë manifestime të tilla, por në përgjithësi gjendja është stabile. Janë jashtë rrezikut për jetë dhe po bëjmë çmos që sa më parë të rikuperohen dhe të lëshohen. Në bazë të dhënave klinike bëhet fjalë për një salmanellozë, por rezultatet përfundimtare vijnë nga Instituti Kombëtar dhe me kohë do të informojmë”, tha Vishaj.

    Ai u shpreh se Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme për pacientë me raste të tilla, por shpreson që nuk do të përsëritet një gjendje e tillë.

    “Janë simptoma që nënkupton dehidrim dhe ne jemi duke koordinuar terapi dehidruese. Gjendja e përgjithshme është stabile. Janë duke marrë trajtime me kohë dhe shpresojmë në një rikuperim të gjendjes së shpejt të tyre. Klinika Infektive ka kapacitet 125 shtretër, por nuk mendojmë që do të ndodhë një situatë e tillë që të kemi numër më të madh. Deri më tash kemi 12 pacientë të hospitalizuar”, tha Vishaj.

    Ndërsa, zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi tha se i janë përgjigjur rastit menjëherë dhe bashkë me policinë kanë filluar inspektimin te lokali ku janë shërbyer klientët në të cilin kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mos dezinfektim, si dhe produkte pa origjinë.

    “Bashkë me policinë kemi filluar inspektimin dhe kontrollin te lokali i dyshuar ku janë shërbyer, me dyshime. Aty është zhvilluar një inspektim i detajuar përpos kontrolleve teknike sanitare, higjienike të gjitha, hapësirës dhe mjeteve të punës ka vazhduar ende marrja e mostrave të produkteve ushqimore, të cilat kanë qenë prezent aty. Pas mbledhjes së dëshmive që është arritur të sigurohet deri në orën e mesnatës lokali ka qëndruar i mbyllur, i bllombuar dhe inspektimi ka vazhduar edhe sot. 06:25 E para thash se gjendja përgjithshme teknike sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur dezinfektim, deratizimin dhe dezinsektimin që përsëri është kriter që kërkohet që të kryhet. Po ashtu, aty janë gjetur edhe disa produktet që ne i quajmë “pa origjinë”. Ato nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës. Ka pasur produktet që janë gatuar brenda saj kuzhine dhe këtu të gjitha janë fakte do të evidentojmë”, tha Thaçi.

    Sipas tij, janë marrë pesë mostra të produkteve ushqimore, dy mostra nga sosat, një mostër nga doneri i përpunuar dhe dy mostra nga mishi i bluar, qoftë të papërpunuar dhe janë marrë 26 strisho nga hapësirat e punës mjetet e punës dhe duart e personelit.

    “Të gjitha mostrat janë marrë sipas procedurës standarde operative dhe janë nisur për laboratorin e IKSHP-së në Prishtinë, ku edhe janë testuar në disa parametra. Ndërsa, pas përfundimit të mostrimit, produktet të cilat nuk kanë poseduar dokumentacion janë asgjësuar. Sasia totale, 64 kg, kryesisht mish produkte mishi. Lokali nga mbrëmë është mbyllur përkohësisht deri në një vendim tjetër të organeve kompetente”, tha ai.

    Përndryshe, siç raportojnë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, janë mbi 100 persona që janë helmuar në këtë lokale, e të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    Sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /KosovaPress/

  • Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia bastis shtatë lokacione në veri, këto janë armët dhe pajisjet që u sekuestruan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontrolle në shtatë lokacione në veri të vendit që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, ku janë gjendur armë, municion, mjete shpërthyese e pajisje tjera ushtarake.

    Në njoftim thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

    Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.

    Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.

    Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:

    • 87 copë eksploziv të tipit TM 100
    • 3 granata hedhës dore (zola)
    • 1 armë automatike AK-47
    • 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
    • 14 karikatorë
    • Municion të kalibrave të ndryshëm
    • 63 detonatorë elektrik
    • 23 detonatorë mekanik
    • 1 orë për aktivizim
    • 1 granatë dore M79
    • 3 tuba fitila ndezës
    • Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.
  • Ushtria izraelite thotë se vrau liderin e lartë të Hamasit

    Ushtria izraelite thotë se vrau liderin e lartë të Hamasit

    Ushtria izraelite të shtunën pretendoi se kishte vrarë një udhëheqës të lartë të Hamasit, i cili tha se udhëhoqi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor.

    “Ali Qadi udhëhoqi masakrën çnjerëzore, barbare të 7 tetorit të civilëve në Izrael”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.

    Nuk ka pasur ende asnjë koment nga pala palestineze mbi pretendimin.

    Ushtria izraelite shpërndau gjithashtu pamjet e sulmit ajror në të cilin thuhet se u vra Qadi.

    Mediat izraelite raportuan gjithashtu se gjatë sulmit të 7 tetorit, Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, shkatërruan një helikopter ushtarak izraelit pranë Rripit të Gazës.

    Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, një javë më parë forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

    Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood” kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

    Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

    Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

    Përgjigjja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim të madh që nga viti 2007.

    Mbi 3.500 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor, duke përfshirë 2.215 palestinezë dhe 1.400 izraelitë./AA

  • Deputetja britanike: Dy javë që kur Radoiçiq pranoi fajin për sulmin, ende s’ka pasoja për Serbinë

    Deputetja britanike: Dy javë që kur Radoiçiq pranoi fajin për sulmin, ende s’ka pasoja për Serbinë

    Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se janë bërë dy javë që kur Milan Radoiçiq e ka pranuar fajin për sulmin e 24 shtatorit ku u vra një polic i Kosovës, ndërkohë që s’ka pasur pasoja për Serbinë.

    Kearns thotë se kjo po ndodh edhe përkundër glorifikimit që Serbia ua ka bërë terroristëve me shpalljen e ditës së zisë, veprim që politikania britanike e konsideron “akt të qartë përshkallëzimi”.

    “Tashmë kemi dy javë që kur Radoiçiq e pranoi fajin për sulmin në Kosovë, ku u vra një oficer policie.Ai mbetet i lirë në Serbi.Nuk ka pasur pasoja për Serbinë pavarësisht glorifikimit të terroristëve me një ditë zie – një akt i qartë përshkallëzimi”, ka shkruar ajo.

  • ​Partia Kombëtare e Zelandës së Re kryeson ndaj partisë në pushtet

    ​Partia Kombëtare e Zelandës së Re kryeson ndaj partisë në pushtet

    Me 88% të votave të numëruara, Partia Kombëtare opozitare e Zelandës së Re ka siguruar një epërsi të konsiderueshme ndaj Partisë Laburiste në pushtet në zgjedhjet e përgjithshme të së shtunës.

    Sipas Komisionit Zgjedhor të vendit, deri më tani Partia Kombëtare ka siguruar 50 vende në Parlamentin që ka gjithsej 121 vende, e ndjekur nga Laburistët me 34 vende.

    Deri më tani, Partia e Gjelbër ka fituar 13 vende, ACT Zelanda e Re 12, Partia e Parë e Zelandës së Re 8, dhe partia e të drejtave indigjene ‘Te Pati Maori’ 4 vende.

    Një mandat iu shtua vetëm pak ditë më parë Parlamentit nga 120 mandatet e tij normale pas vdekjes së papritur të njërit prej kandidatëve. Një zgjedhje e pjesshme do të zgjedhë anëtarin e 121-të./AA

  • ​Vitia: Helmimi në Malishevë, në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë

    ​Vitia: Helmimi në Malishevë, në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë

    Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka bërë të ditur se mbrëmë, menjëherë pasi u njoftuan për rastin e helmimit të 100 qytetarëve në Komunën e Malishevës bashkë me drejtorin e SHSKUK-së kanë vizituar të hospitalizuarit në Klinikën Infektive në QKUK.

    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në QKUK të hospitalizuar janë 11 qytetarë dhe 9 qytetarë të tjerë janë në Spitalin e përgjithshëm të Prizrenit.

    “Gjendja e të gjithë të hospitalizuarave pas marrjes së trajtimit mjekësor është e qetë dhe stabile. Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka thënë Vitia.

  • 100 persona të helmuar në Malishevë, AUV: Në lokal janë gjendur produkte pa origjinë

    100 persona të helmuar në Malishevë, AUV: Në lokal janë gjendur produkte pa origjinë

    Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, në një konferencë për media ka thënë se numri i të helmuarve në një lokal në komunën e Malishevës ka shkuar në 100, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij nga inspektimet që janë bërë në atë lokal është vërejtur që gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenik ka qenë në nivelin jo të mirë si dhe janë gjendur produkte që nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre.

    Ai tha se ky është rasti i dytë që është duke ndodhur brenda një javë dhe sipas tij AUV do të filloj  një aksion në të gjithë territorin e Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë do të inspektohen.

    “Ekipi inspektues i AUV ka ndihmuar edhe prokurorin në rast në marrjen e të gjitha dëshmive për tu gjurmuar të gjitha dëshmitë dhe për tu lidhur të gjitha faktet e nevojshme qe të dimë saktë se si ka ndodh apo cili ka qenë shkaktari i cili ka ardhur deri tekë ky helmim. Deri më tani nga informata që i kemi nga mekanizmat shëndetësor janë rreth 100 persona që kanë kërkuar shërbime mjekësore qoftë në Qendrën Klinike Familjare në Malishevë, në spitalin regjional në Prizren dhe në QKUK”.

    “Tani që është rasti i dytë që po ndodh brenda një javë është alarmuar ministri dhe drejtori ekzekutiv, të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion të gjithë mbarshëm në gjithë territorin e republikës së Kosovës, ku të gjitha lokalet e gastronomisë, këto që gatuajnë dhe shërbejnë ushqime të shpejta ti nënshtrohen kontrollit të detajuar. Pjesa më e madhe e helmimeve ka ndodhur tek kjo kategori e lokaleve. Dhe në dëshirojmë që kjo të mos ndodhë më. Numri i inspektorëve është i kufizuar”.

    “Gjendja e përgjithshme teknike, sanitare, higjenike ka qenë në nivelin jo të mirë, kjo është bërë nga vlerësimi i ekipit inspektues. E dyta nuk kanë pas libreza sanitare punonjësit që kanë punuar në këtë lokal, që sipas ligjit kërkohet të ketë. Aty janë gjetur disa produkte që në i quajmë pa origjinë apo nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për tu ditur origjina e tyre”, tha ai.

    Ndërkohë që Policia e Kosovës në raportin e publikuar sot ka bërë me dije se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.

    “PRODHIMI, VËNIA NË QARKULLIM E ARTIKUJVE TË DËMSHËM USHQIMOR – Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.