ATV

Category: Lajme

  • 332 raste të reja me kancer të gjirit këtë vit, Kurtishi: Për 24 orë i trajtojmë deri në 500 persona

    332 raste të reja me kancer të gjirit këtë vit, Kurtishi: Për 24 orë i trajtojmë deri në 500 persona

    332 raste të reja me kancer të gjirit te femrat janë regjistruar në nëntëmujorin e parë të vitit 2023, teksa ky numër mund të rritet deri në fund të këtij viti. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

    Ndërsa numri i rasteve që i trajton Klinika e Onkologjisë, kalon shifrën e 500 personave. Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurtishi ka thënë se në tri vitet e fundit ka një rritje të rasteve të reja prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake.

    Ndonëse rastet e shënuara në Kosovë janë më pak se vendet e rajonit, Kurtishi sheh rrezik se mund t’i ofrohen këtyre vende.

    “Rritja këtë vit, kemi identifikuar dhe regjistruar në Klinikën tonë rreth 332 raste femra dhe katër meshkuj me kancer të gjirit të stadeve të ndryshme, ndërkaq krahasuar me vitin e kaluar është afër 10 për qind më shumë se nëntëmujori i parë i vitit të kaluar dhe deri në fund të vitit ky numër mund të kalojë shifrën mbi 420 dhe është numër i rasteve te femrat në Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Mal të Zi. Ata kanë gati dyfish më shumë se ne por me përdorimin e metodave apo identifikimin më të hershëm dhe me faktin që jemi popullatë e re, të gjitha këto ndikojnë që ne të kemi më pak sëmundje malinje se vendet e rajonit, mirëpo trendi i sëmundjeve është në ngritje dhe shumë shpejtë ne do të mbërrimë me numër të femrave të sëmura me kancer të gjirit që do të mund t’u ofrohet edhe vendeve tjera”, ka thënë Kurtishi, teksa tregon edhe moshën e femrave të prekur me sëmundje malinje.

    “Rastet e reja rriten nga viti në vit dhe në tri vitet e fundit kemi një rritje prej 10 për qind, në secilin vit krahasuar me vitet paraprake, përpos vitit pandemik kur kemi pas një rënie të këtyre rasteve dhe këto të dhëna në kancerregjistrin e Klinikës, i kemi përpunuar këto të dhëna dhe jemi në fazën e filtrimit dhe i kemi të dhëna të sakta se cila moshë është më e prekura. Nga kjo del se më shumë kemi femra të prekura prej moshës 55 deri në 59 vjeç, dominon Komuna e Prishtinës e kështu më radhë”, u shpreh Kurtishi.

    Ai foli edhe për numrin e pacientëve që frekuentojnë këtë klinikë. Aktualisht, Klinika e Onkologjisë i trajton deri në 500 persona, duke tejkaluar edhe Klinikën Emergjente në QKUK.

    “Brenda një dite të zakonshme të punës ne në shërbimin e kimioterapisë ofrojmë shërbime për mbi 250 deri në 300 pacientë, pra në format të ndryshme të mjekimit, kryekëput është mjekim ambulator me kimioterapi dhe me forma të ndryshme të dhënies së këtyre ilaçeve. Në të njëjtën kohë në shërbimin e radioterapisë rrezatojmë brenda një dite kemi mbërri numër maksimal me rreth 160 pacientë në dy aparatet i rrezatojmë dhe në të njëjtën kohë shërbimin Brakiterapisë. Pra klinika brenda 24 orëve mund të trajtojë nga 450 deri në 500 persona që i bie të jetë klinika më e frekuentuar dhe me ngarkesën më të madhe se të gjitha klinikat në QKUK. Pra kryen kontrolle dhe trajtime më shumë se sa që bën edhe Klinika Emergjente në QKUK”, u shpreh tutje ai.

    Ndonëse jo në mase të madhe edhe Onkologjia është prekur nga migrimi i stafit. Kurtishi ka thënë se duke e parë trendin e rritjes së rasteve, kjo klinikë do të ketë nevojë edhe më shumë për staf të mesëm.

    “Me staf të mjekëve jemi të mbuluar relativisht mirë, kemi edhe katër specializantë, ndërsa me stafin infermieror këto dy, tre muajt e fundit i kemi marrë shtesë, të cilët e përmbushin në një far forme edhe pse me këtë trend të sëmundjeve malinje, viteve në vazhdim ne do të kemi nevojë edhe për staf të mesëm, meqenëse ka një numër të vogël por ka edhe lëvizje të stafit të mesëm të cilët e lëshojnë Kosovën. Shumë pak jemi prekur, dy apo tre infermierë por megjithatë ajo ka impakt në punën tonë të përditshme”, u shpreh Kurtishi.

  • 60 pjesëtarë e lanë Policinë – Zeqiri: Dorëheqjet do të vazhdojnë, pas pensionimit marrin vetëm 100 €

    60 pjesëtarë e lanë Policinë – Zeqiri: Dorëheqjet do të vazhdojnë, pas pensionimit marrin vetëm 100 €

    Dorëheqjet vullnetar nga Policia e Kosovës (PK) po shihen si fenomen shqetësues dhe po kërkohet që të merren hapa të menjëhershëm për parandalimin e këtij fenomene. Vetëm nga fillimi i këtij viti janë 60 dorëheqje nga ky institucion, ka konfirmuar për Ekonomia Online, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovë, Imer Zeqiri.

    Ai ka shtuar se këto dorëheqje mund të ndalen vetëm atëherë kur pushteti merr hapa për përmirësimin e mirëqenies se PK-së dhe plotëson kërkesat e kamotshme të tyre.

    Zeqiri tha se PK-ja përveç kërkesës për shtesat e rrezikshmërisë ka kërkuar që të hartohet edhe Ligji për pensionimin e hershëm në të cilën parashihet rregullimin i pensionit, pasi sipas tij, policët pas pensionimit marrin vetëm 100 euro të cilat nuk dalin as për ilaçe.

    “Policia e Kosovës do të duheshin që t’i plotësoheshin disa kushte shumë më herët jo vetëm pse ndodhi rasti i fundit, po në realitet PK ka treguar rezultatet dhe suksese në vazhdimësi që nga themelimi. Mirëpo kur jemi të mirëqenia definitivisht është për keqardhje që mungojnë shumë gjëra, jo vetëm shtesa për rrezikshmëri e cila kjo tani më nuk po ekzekutohet që nga implementimi i ligjit të pagave. Ne kemi pasur kërkesa të tjera shumë më prioritet një institucion i sigurisë në vend pa sigurim shëndetësor dhe jetësorë. Është e pa kuptim pse nuk punohet dhe nuk është punuar deri më tani për sigurimin shëndetësorë dhe jetësorë. Kemi pas kërkesa konkrete drejtuar qeverisë, kemi pas edhe plan konkret se si mund të bëhet ajo, vetëm duheshin mjetet. Kjo nuk po ndodh”, tha ai.

    “Kemi edhe ligjin për pensionim në moshën 55 vjeçare shpesh herë po përmendet që nuk është ligj i parakohshëm është ligj në moshën 55 vjeçare. Ky ligj në këtë moshë në shumicën e shteteve të botës polici pensionohet në këtë moshë. Polici për punën që e kryen, e kanë paraparë edhe ekspert të ndryshëm që deri në moshën 55 vjeçare mund të jetë i freskët që të ju dal zot të gjitha atyre autorizimeve ligjore dhe detyrat që i kryen një policë. Në këtë ligj nuk është vetëm kjo, por zyrtari policor pas përfundimit të karrierës arritjes së moshës 65 vjeçare atëherë kur pensionohet është pa pension, merr një pension prej 100 eurove që nuk është as ndihmë sociale që nuk i mjafton ndoshta shumicës prej tyre as për barna për ilaçe. Është vërtet tepër nënçmuese në fund të karrierës pas gjithë këtyre sfidave me 100 euro”, tha ai.

    E për shkak të gjitha këtyre kërkesave dhe mos realizimit të tyre, kryetari i kësaj Sindikate ka thënë se dorëheqjet vullnetar të policëve nuk janë duke u ndalur, sipas tij, nga fillimi i këtij viti deri më tani janë bërë 60 dorëheqje.

    Ai ka theksuar se parandalimi i këtyre dorëheqjeve mund të ndalet vetëm me përmirësimin e mirëqenies se PK-së dhe realizimit të kërkesave të tyre.

    “Dorëheqje ka pasur vazhdimisht, çdo vit ka pasur dorëheqje, që nga themelimi i policisë kemi mbi 2200 dorëheqje vullnetare, mirëpo e irritoj pak, e rriti pakënaqësinë të PK-ja kur u hoq edhe shtesa për rrezikshmëri, duke i pasur parasysh edhe shumë kushte të tjera dhe kemi ardhur në atë pik që kemi dorëheqje diku deri më tani rreth 60 dorëheqje vetëm për këtë vit dhe kemi paralajmërime për dorëheqje. Ndoshta gati për çdo ditë kemi nga një dorëheqje që është e tepërt dhe i vetmi parandalim i dorëheqjeve vullnetare është përmirësimi i mirëqenies se PK-së. Dorëheqjet janë bërë shqetësuese, zyrtarët policore janë të dëshmuar me përvojë dhe profesionalizëm. Prandaj po dëmtohemi, jo vetëm polici por po dëmtohet edhe vetë shteti”, tha ai.

    Zeqiri ka folur edhe në lidhje me raportimet për mungesë të veshmbathjeve të PK-së, ku sipas tij, ka mungesë dhe se PK-ja nuk qëndron mirë më veshmbathje.

    Ai ka thënë se kjo është duke ndodhur për shkak të mos funksionimit për një kohë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe për shkak të tenderëve, raporton EO.

    “Në realitet shkaku i ngecjeve të disa tenderëve të cilët në njëfarë faze kanë pas kryer të gjitha procedurat e tenderimit po një kohë të gjatë, gati rreth një vit nuk ka funksionuar Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurorimit dhe deri në polici kemi pasur 24 projekte dhe ato kanë ngecur për shkaka se nuk funksion bordi i OShP-së mandej, kur filloj të funksionoj disa janë kthyere në pikën zero disa kanë filluar që të përmirësohen. Ka mungesa, ende nuk jemi mirë me veshmbathje, me uniforma të Policëve të rendit, mos të marrim pesën e njësive speciale të cilët janë të kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme. Por pjesa tjetër që janë shumica e zyrtarëve policor ka mungesa të veshmbathjeve e krejt është shkaku i këtyre disa tenderëve që po rikthehen po refuzohen, s’po ka ofertor kualitativ e shumë probleme të tjera që nuk i dijë detajet” tha ai për EO.

  • Gjykimi në mungesë për krimet e luftës – Blakaj: Të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim, humb kohë e resurse

    Gjykimi në mungesë për krimet e luftës – Blakaj: Të dënuarit mund të kërkojnë rigjykim, humb kohë e resurse

    Gjykimi në mungesë në rastet e krimeve të luftës po vlerësohet se do të jenë me shumë sfida dhe që nuk do të kenë efektin e duhur nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas tyre, kjo formë bien në ndesh me të drejtat e të akuzuarve që të mbroj vetveten, pavarësisht se ai përfaqësohet nga një avokat. Sipas këtij Fondi, edhe nëse dikush dënohet në mungesë sipas ligjit në momentin që ai arrestohet për të vuajtur dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkojë rigjykim.

    Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Fondi që nga fillimi nuk ka përkrahur gjykimet në mungesë, kjo pasi sipas tij, kjo formë ka edhe probleme në praktikë.

    Ai tha se kjo formë nuk do të jap efektin e duhur sepse edhe nëse ata dënohen në mungesë, përgjegjësit nuk e mbajnë dënimin.

    “Që në fillim Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë nuk e ka përkrah gjykimin në mungesë për shumë arsye. Janë ato arsye sepse bien në ndesh me të drejtat e të akuzuarve me mbrojt vetveten, pra me qenë prezent në gjykatë. Nga ana tjetër ka edhe probleme praktike me ato që janë ballafaquar edhe prokuroritë në Kroaci të cilat në fakt kanë ngritur aktakuza, janë zhvilluar gjykimet në mungesë edhe shumë prej tyre kanë përfunduar para Gjykatës Evropiane për të drejta e njeriut dhe shteti i Kroacisë i ka humbur ato. Nuk besoj që do të ketë një efekt të duhur tek e fundit edhe në rast se prokurori sjell prova të mjaftueshme edhe në mënyrë meritore të pandehurit dënohen në mungesë prapë ata nuk janë që përgjigjen para drejtësisë, respektivisht nuk e mbajnë dënimin e tyre edhe pse në fillim do të duket si lehtësim për familjet e viktimave”, tha ai.

    Sipas Blakajt ndër sfidat që do ta përcjellin këtë proces janë mos dhënia e deklaratave të të pandehurit.

    Sipas tij, ligji parasheh që në çfarë do rrethane nëse dikush dënohet në mungesë në momentin që ai arrestohet ka të drejtë automatikisht që të kërkoj rigjykim, e kjo do të konsumonte kohë, resurse dhe mund të sjell probleme.

    “Sfidat e para me të cilat do të ndeshtë gjyqësore është se nuk mund ta marrin një deklaratë nga të pandehurit, pra nuk do të japin deklaratën ata vetë. Nuk do të kenë mundësi as të deklarohet të fajshëm apo të pa fajshëm. Nga ana tjetër ndoshta Prokuroria do ta ketë të lehët të sjell dëshmitarë të ndryshëm të cilët nuk do të sfidohen nga mbrojtja e të pandehurve edhe pse ata do të kenë një avokat në detyrë zyrtare, mirëpo sigurisht mbrojtja efektive nuk është e njëjtë me avokatë sipas detyrës zyrtare. Përfundimisht të pandehurit nuk mund të parashtrojnë pyetje, as të ofrojnë alibi në këtë proces”.

    “Çështja tjetër është se ligji e parasheh që në çfarë do rrethane nëse dikush dënohet në mungesë në momentin që arrestohet për me mirëmbajt dënimin, ai ka të drejtë automatikisht që të kërkoj rigjykim. Pra do të zhvillohet gjykimi nga fillimi. Konsumohet tepër kohë edhe resurse dhe kjo mund të sjell probleme. Përfundimisht nëse aktgjykimi në prezent të akuzuarve përsëritet procesi do të jetë i ndryshëm më atë në mungesë atëherë kjo do të tregojë që ekziston mundësia që dikush të dënohet edhe pa qenë fajtor”, tha ai.

    Ai tha se deri më tani nga Prokuroria Speciale janë dorëzuar gjashtë aktakuza ku sipas tij, shumica dërrmuese prej të akuzuarve janë shtetas serb, raporton EO.

    “Nëse nuk gaboj deri më tani janë të dorëzuar gjashtë aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës në atë Dhomën Speciale pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, pra gjashtë aktakuza nëse nuk gaboj bëhet fjalë për gjashtë persona. Ne nuk e dimë saktësisht identitetin e tyre sepse ende janë me iniciale mirëpo po supozojmë që shumica dërrmuese prej tyre janë serbë”, tha ai.

  • Policia dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt kanë rritur numrin e sigurimit në shkolla

    Policia dhe Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt kanë rritur numrin e sigurimit në shkolla

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Therje me thika, rrahje e vjedhje janë disa nga rastet e shënuara në raportet e Policisë, vitin e kaluar, në disa shkolla në Ferizaj.

    Me qëllim evitimin e rreziqeve dhe përhapjes së dukurive negative mes nxënësve, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt, në bashkëpunim me Policinë, kanë dyfishuar numrin e sigurimit fizik.

    “Duke e parë të nevojshme dhe duke analizuar situatën nëpër shkolla, ne kemi rritur numrin e sigurimit fizik dhe kjo po ndikon pozitivisht, pasi po ndalohet edhe futja brenda e personave të panjohur, nuk munden as në oborr me hy”, tha drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani.

    Ndikim pozitiv në zvogëlimin e numrit të incidente pati në shkollën “Zenel Hajdini”.

    “Ka ndikuar mjaft shumë se edhe numri i incidenteve të mundshme është zvogëluar, përveç konflikteve verbale që mund të ndodhin prej keqkuptimeve të nxënësve”, tha Abdulllah Imeri, drejtor në shkollën “Zenel Hajdini”.

    Mirëpo, në disa shkolla tjera, sipas prindërve, niveli i sigurisë duhet përmirësuar.

    “Në shkollën këtu mbrapa ka shumë parregullsi, nxënësit e shkollave tjera hyjnë e dalin, oborri shfrytëzohet madje si park…”, tha një prind.

    Sipas qytetarëve, pajisja e nxënësve me uniforma, do ta lehtësonte edhe më shumë identifikimin e nxënësve të shkollës përkatëse, pasi shumica e shkollave në Ferizaj nuk kanë.

    “Mungojnë uniformat për t’i dalluar nxënësit, mos me hy në shkollë nxënësit të cilët nuk janë të asaj shkolle, kishte ndihmuar shumë edhe kjo”, tha një tjetër prind.

    Përveç shtimit të sigurimit fizik në shkolla, Policia e Kosovës po mban ligjërata për vetëdijesimin e nxënësve në parandalimin e rreziqeve të mundshme në objekte shkollore.

  • Pacientët ende po trajtohen në kushte të këqija në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës

    Pacientët ende po trajtohen në kushte të këqija në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në Repartin e Hemodializës në Spitalin e Gjakovës “Isa Grezda”, vazhdon ofrimi i shërbimeve mjekësore në kushte të vështira. Hapësira e ngushtë dhe infrastruktura e dobët janë problemet kryesore që po e rëndojnë punën në këtë repart.

    E që nga viti 2021 ekziston një projekt për ndërtimin e një reparti të ri të hemodializës, por që asnjëherë nuk është realizuar.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Hilmi Shala tha se nëse institucionet më të larta shëndetësore, japin dritën jeshile për nisjen e ndërtimit të objektit të ri, pacientët në dializë do të obligohen që këtë shërbim ta marrin në Qendrën e Hemodializës në Rahovec, deri në përfundimin e punimeve.

    “Kemi një plan për rregullimin e objektit të ri, por që i kalon mundësitë tona buxhetore. Nëse institucionet vendosin që të ndërtohet ky objekt, atëherë gjatë kohës së ndërtimit, pacientët duhet ta marrin dializën në qendrën e hemodializës në Rahovec. Aktualisht kemi 68 pacientë në dializë, përfshirë 9 nga Shqipëria”, tha Shala.

    Megjithatë, disa nga pacientët që i drejtohen spitalit për t’iu nënshtruar dializës, thonë se nuk kanë mundësi financiare të udhëtojnë deri në Rahovec.

    “Spitali i ka fajet se u dashtë me këqyr ma herët, qe 20 e diçka vjet. Plus transportin me siguru, dikush s’ka kerr. Ss pensioni s’po m’del, 160 pension i luftës m’del po s’mjafton. boll shqetësuese për këta që s’kanë e ai që s’ka vdes, s’ka qysh shkon”, tha Avdyl Kastrati, pacient.

    “Duhet m’u ba zgjidhje, me u ba dializa këtu e jo me shku në Rahovec me marr. Është larg për neve të sëmurët. Është problematike”, tha një tjetër pacient.

    Nga ana tjetër, Hemodializa në Rahovec, aktualisht është jashtë funksionit për shkak të punimeve që pritet të zgjasin deri në fund të muajit tetor.

    ATV-ja ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, nëse do të bëjnë një zgjidhje për ta lehtësuar trajtimin mjekësor për pacientët në dializë në Gjakovë, por askush nuk ka kthyer përgjigje.

    Në Hemodializë të Spitalit të Gjakovës punojnë 11 infermierë dhe 1 mjek.

  • Nisin hetimet për helmimet në Malishevë, AUV gjen produkte “pa origjinë”

    Nisin hetimet për helmimet në Malishevë, AUV gjen produkte “pa origjinë”

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Brenda një javë më shumë se 100 qytetarë nga dy komuna të Kosovës u helmuan si pasojë e ushqimit që konsumuan.

    Të dy lokalet ai në Mitrovicë si dhe në Malishevë janë mbyllur menjëherë pas kontrollit të kryer nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Mungesa e higjienës e shumë faktorë të tjerë vlerësohet të jenë shkaktar i helmimit të qytetarëve.

    Konsideruar këto raste, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës do të fillojë të kryejë kontrolle më të rrepta ndaj lokaleve të gastronomisë në tërë territorin.

    “Është alarmuar drejtori dhe ministri të cilët kanë dhënë urdhër që ne të fillojmë një aksion në gjithë territorin ku të gjitha lokalet e gastronomisë ti nënshtrohen kontrollin e detajuar sepse nga historiku pjesa më e madhe ka ndodh te kjo kategori e lokale”, tha Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është institucioni i vetëm përgjegjës për inspektimin e sigurisë ushqimore në vend. Megjithatë ballafaqohet me numër të vogël të inspektorëve.

    “Numri I inspektorëve është shumë I ulët e kemi thënë tash e disa vite, e derisa kjo është gjendja sigurisht që edhe frekuenca e kontrolleve është më e ulët sepse nuk arrijmë fizikisht. Pa dashur të ankohemi ne do të organizojmë aksion të përgjithshëm dhe kudo që gjejmë shkelje do të ketë tolerancë zero”, tha Thaçi.

    Në anën tjetër sipas Afrim Hamidit, profesor i Teknologjisë Ushqimore rreziku nga produktet ushqimore nuk varet në të gjitha rastet vetëm nga cilësia e tyre.

    “Duhet të shikohet problemi në zanafillë jo vetëm në kontrollim. Duhet të shikohen licencat, a kanë ndonjë ngritje profesionale ata që merren me ushqimin etj…”, tha Hamidi.

    Në Kosovë nga viti 2022, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Ushqim, i cili parasheh sigurinë e përgjithshme të produkteve, sipas standardeve të BE-së. Bazuar në këtë ligj gjobat për operatorët ekonomikë për shkelje të dispozitave përfshirë vendosjen e ushqimeve të pasigurta në treg fillojnë prej 500 deri në 20 mijë euro.

  • Mbi 140 persona janë helmuar nga ushqimi në Malishevë

    Mbi 140 persona janë helmuar nga ushqimi në Malishevë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Mishi që po largohet nga ky lokal prej inspektorëve të ushqimit, dyshohet të ishte arsyeja që mbi 100 qytetarë të Malishevës, të helmohen e të kërkojnë ndihmë mjekësore.

    Njëri prej tyre është edhe Fatmir Hoti me bashkëshorten e tij.

    “Para dy ditë i kemi marrë dy donerë, aty gjithmonë kemi marrë donera nuk kemi pasë problem. Gruan e kam që 3 ditë në spital me këto simptoma barkqitje, ethe e që të njëjtat simptoma i ka edhe gruaja”, tha Fatmir Hoti, qytetar.

    Edhe Skënder Shala dyshohet të jetë helmuar nga konsumimi i ushqimit në këtë lokal. Trajtimin mjekësor ai po e merr në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në Malishevë.

    “Para tre dite kom hëngër bukë në këtë lokal, kam pasë bark qitje, dhimbje, temperaturë, ethe. Edhe dje e kam marrë një infuzion në mëngjes herët, gjithashtu edhe sot, pra ka shumë qytetarë që kanë konsumuar ushqim aty dhe janë këtu bashkë me mu, pra tani edhe simptomë tjetër e kam edhe lodhje”, tha Shala.

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë trajtim kanë marrë rreth 70 persona.

    “Kemi pasë një numër të shtuar të pacientëve me helmim, qendra kryesore e mjekësisë familjare nuk është klinikë universitare dhe nuk mban pacientë në trajtim të vazhdueshëm dhe më pasë dërgohet në shtëpi”, tha drejtori QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi.

    Ndërkaq, 12 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore edhe në Klinikën Infektive të QKUK-së, derisa gjendja e tyre shëndetësore sipas drejtorit të kësaj klinike, është stabile.

    “Gjendja e tyre e përgjithshme është stabile, stafi i Klinikës Infektive ka marrë masat për trajtim të shpejtë dhe profesional, pacientët janë jashtë rrezikut për jetë dhe po bëjmë çmos që sa më parë të rikuperohen dhe të lëshohen”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe ka mbyllur lokalin.

    “Kemi marrë masa parandaluese për përhapjen e mëtejshme të helmimeve, kemi marrë të gjitha masat që duhet konform ligjit të fuqi dhe është bërë mbyllja e lokalit deri në një vendim të ardhshëm dhe janë marrë mostrat”, tha Durak Zyraku, koordinator i Zyrës Rajonale të AUVK-ut në Prizren.

    Përpos inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit të cilët morën mostrat, në lokal erdhi edhe pronari i lokalit ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit.

    Për rastin është deklaruar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia ka përmendur vetëm 68 qytetarë të helmuar duke shtuar se përpos QKUK-së edhe 9 persona po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

  • Ndonëse jo në emër të tij, shteti mund ta konfiskojë pasurinë ‘luksoze’ të Radojiçiqit

    Ndonëse jo në emër të tij, shteti mund ta konfiskojë pasurinë ‘luksoze’ të Radojiçiqit

    Përgatiti: N. Luta & A. Hajdaraj

    Kjo vilë buzë liqenit të Ujmanit është vetëm një ndër pasuritë e evidentuara të ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Milan Radojiçiq.

    Por më shumë së dy javë pas sulmit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, e u plagos Alban Rashiti, në hyrje të saj nuk ndodhen më rojet e sigurimit.

    Radojiçiqdyshohet se ka edhe prona e pasuri të tjera, por të cilat nuk janë në pronësi të tij.

    Të paktën në Serbi, sipas Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve, Radojiçiqua transferoi 40 % të pronësisë vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

    Megjithatë, sipas ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pasuria e tij në Kosovë mund të konfiskohet nga autoritetet kosovare, pasi mund të provohet në mënyra të ndryshme se ish-nënkryetari i Listës Serbe është pronar.

    “Prona mund të provohet në mënyra të ndryshme se ai është pronar, pasi është I përfshirë në vepra penale… Barrën e mjaftueshme…”, tha Shyqyri Syla, ish-kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Procedura e konfiskimit bëhet edhe më e lehtë kur objektet janë të ndërtuara në pronë publike, që sipas ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë e juristëve i mundëson shtetit, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës, t’i marrë në shfrytëzim.

    “Nëse ato prona janë të ndërtuara në pronë publike dhe pa leje, dhe janë sekuestruar përkohësisht, do të jetë proces gjyqësor. Dhe pas vendimit të formës së prerë, institucionet kanë të drejtë t’i destinojnë”, tha ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.

    “Ai ka mundur që mjetet/pasurinë ta vendosë në emër të gruas, fëmijëve apo kujtdo, pavarësisht në emër të kujt është, është subjekt i njëjtë, sepse ajo është pasuri e sekuestruar dhe e paligjshme dhe është fitu mbi bazën e kryerjes së veprave penale”, tha Rrahman Sylejmani, kolonel në pension.

    Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale deri tash janë sekuestruar përkohësisht vila buzë liqenit të Ujmanit, një “penthouse” dhe një lokal.

    Këto objekte ishin bastisur pesë ditë pas sulmit të 24 shtatorit nga një grup i armatosur, i udhëhequr nga Milan Radojicic, gjatë një aksioni të gjerë të Policisë, në koordinim me PSRK-në e EULEX-n. Ndërkohë, PSRK-ja është duke i vazhduar hetimet, teksa tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast ndodhen në paraburgim.

  • Gjykata në Ferizaj ka përpiluar me shkrim aktgjykimin e shqiptuar më 4 gusht ndaj Krivaqës

    Gjykata në Ferizaj ka përpiluar me shkrim aktgjykimin e shqiptuar më 4 gusht ndaj Krivaqës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Gati tre muaj pasi dha verdiktin, Gjykata Themelore në Ferizaj ka përpiluar Aktgjykimin në plot 88 faqe për dy të dënuarit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Sipas arsyetimit të Trupit Gjykues i cili vrasjen e Marigonës e ka konsideruar makabre, motivi për vrasje u konstatua të ishte xhelozia e paarsyeshme nga tashmë i dënuari me burgim të përjetshëm, Dardan Krivaqës.

    Në aktgjykim thuhet se rendësi më e veçantë ju dha dëshmisë së prindërve të viktimës dhe konkluzioneve të ekspertit të mjekësisë ligjore të cilat u dëshmuan edhe me prova materiale.

    “E ndjera ka pasur lëndime përreth syrit të majte, të djathte, përgjatë fytyrës dhe mjekrës, gjoksit, nënsqetullës, për gjatë abdomenit, kofshës se majte dhe te djathte, për gjate krahut te majte dhe te djathte, në nofullën e poshtme, ka pasur thyerje te unazës se pare dhe të dyte te qafës ne mes tyre edhe këputje parciale e palcës se qafës dëmtime në zgavrën e gojës kah nofulla e poshtme e thyer ne dy vende”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Sa i përket të dënuarit tjetër me 15 vjet burgim, Arbër Sjediu në aktgjykim thuhet se deklarata e tij e dhënë në gjykatë nuk ishte e besueshme meqë në video incizim shihet qartë se ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale.

    Në aktvendim gjykata nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese për të dënuarin kryesor derisa si rrethana rënduese, gjykata mori parasysh, moshën e re të viktimës dhe mënyrën si u vra.

    “Veprën penale i akuzuari e ka kryer me paramendim, moshën e re të të ndjerës, e cila veç sa e kishte arritur moshën 18-vjeçare. Mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale- në mënyrën më barbare me privimin gradual nga jeta në një ambient të mbyllur në banesë, ku e ndjera ka qenë krejtësisht e pambrojtur”, thuhet më tej në Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

    Për vrasjen e Marigona Osmanit, Krivaqa e Sejdiu u dënuan më 4 gusht të këtij viti.

  • Gjenden armë dhe mjete eksploduese gjatë bastisjeve në veri

    Gjenden armë dhe mjete eksploduese gjatë bastisjeve në veri

    Përgatiti: Arton Hamit

    Arsenalit të armëve të sekuestrua që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Policia e Kosovës, të premten ua shtoi edhe një sasi tjetër të municionit dhe pajisjeve ushtarake.

    Me urdhër të gjykatës, Policia bastisi shtatë lokacione, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

    Pjesë e municionit të sekuestruar ishte edhe një minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, me llojin e së cilës dyshohet se u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë për rajonin e veriut, bastisjet si kjo e së shtunës, janë në kuadër të hetimeve për sulmin në Banjskë.

    Në lokacionet e bastisjeve janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEXI-it. Ndërkaq, në lidhje me armatimin e sekuestruar deri më tani nuk ka të arrestuar.