ATV

Category: Lajme

  • Policia: Qytetarët në veri kërkojnë vazhdimin e afatit për targat

    Policia: Qytetarët në veri kërkojnë vazhdimin e afatit për targat

    Drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut ia ka përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kërkesën e qytetarëve për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në ato kosovare.

    Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, duke theksuar se me këtë kërkesë u janë drejtuar qindra qytetarë.

    “Pres që shpejt të marrim përgjigje nga MPB-ja. Presim një përgjigje pozitive”, ka thënë Elshani.

    Bëhet fjalë për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës, si KM (Kosovska Mitrovica), GL (Gjilan), PR (Prishtina) e kështu me radhë.

    Çështja e targave ishte ajo që shkaktoi një sërë krizash në veri të Kosovës.

    Fillimisht, më 31 korrik të vitit të kaluar u ngritën barrikada për shkak të kësaj çështjeje. Më pas, në nëntor, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri për shkak se ishte suspenduar drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa RKS.

    Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli 2023 të lejohet qarkullimi i automjeteve vetëm me targa RKS.

    Veton Elshani ka sqaruar se Policia e Kosovës nuk ka shqiptuar gjoba për qytetarët pas skadimit të afatit për riregjistrim për shkak se ka qenë “çështje politike”, dhe rikujton se procesi i riregjistrimit është pezulluar.

    “Tani e kemi përsëritur kërkesën, nëse ka mundësi të përsëritet (procesi i riregjistrimit)”, shton ai.

    Më 23 nëntor 2022, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve,Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat, të cilat lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

    Sipas asaj marrëveshjeje, Serbia pranoi të mos lëshonte targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga plani i riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike, paralajmërime dhe gjoba.

    Megjithatë, të dy palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

    Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret, në bazë të të cilit automjetet me targa KM lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, përkatësisht atyre u duhet vetëm t’u tregojnë zyrtarëve një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

    Prishtina zyrtare e interpretoi këtë hap të Beogradit si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me Marrëveshjen e Brukselit. Kështu, autoritetet e Kosovës ndaluan lëvizjen e automjeteve me targa KM në veri, të cilat ishin regjistruar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në nëntor të vitit 2022. /rel

  • Ministri Maqedonci merr mbështetjen e homologut turk për anëtarësim në Partneritetin për paqe në NATO

    Ministri Maqedonci merr mbështetjen e homologut turk për anëtarësim në Partneritetin për paqe në NATO

    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci tha se Republika e Turqisë ka qenë dhe vazhdon të mbetet partner strategjik për Republikën e Kosovës.

    Ai ka theksuar se ka kërkuar nga ministri turk mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për paqe në NATO, raporton Ekonomia Online.

    Maqedonci shtoi se Kosova ka dëshmuar se është e vendosur fuqishëm në funksion të paqes.

    “Jemi shumë mirënjohës për përkrahjen që kemi marrë, qoftë përmes trajnimit e po ashtu edhe ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Patjetër që ne do të vazhdojmë të realizojmë marrëveshje që janë të dobishme për të dyja palët”.

    Ministri turk i Mbrojtjes është takuar edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari.

    Ai gjithashtu do të pritet në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

  • Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Osmani nuk e dekreton Isufajn: Procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit pati shumë parregullsi

    Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media ka deklaruar se nuk do ta dekretojë për kryeprokuror, Blerim Isufajn.

    Osmani tha se ka gjetur shkelje procedurale të cilat janë cilësuar edhe nga raporti i BE-së si mungesë transparence për zgjedhjen e kryeprokurorit.

    “Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

    Presidentja theksoi se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar.

  • Kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë kërkon të rrite bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve

    Kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë kërkon të rrite bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve

    Grupi i Miqësisë Kosovë-Turqi i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur në takim përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Ankarasë, raporton EO.

    Me këtë rast kryetari i Odës Ekonomike të Ankarasë, Gurse Baran, u shpreh falënderues për mikpritjen, duke shtuar se të dy popujt kanë afërsi miqësore.

    Por ai ka kërkuar që të rritet bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy vendeve, në mënyrë që siç tha të rritet vëllimi tregtar.

    “Para një viti shoku jonë Enisi na ka vizituar dhe na ka ftuar që të vijmë në Kosovë. Kemi pasur një udhëtim të mbushur me emocione duke dëgjuar për historinë e Kosovës. Unë jam kryetar i Odës Tregtare të Ankarasë, dhe kemi mbi 160 mijë anëtarë në Turqi”.

    “Si Oda më e madhe e dyta në Turqi erdhëm që të shohim mundësi me rrit bashkëpunimin që vëllimi tregtar të rritet sa më shumë. Dy popujt që e duan njëri-tjetrin dhe e kanë afërsi miqësore, duhet që të ngritet bashkëpunimi edhe në nivel më të larta. Edhe presidenti jonë edhe populli jonë e ka një afërsi ndaj jush”.

    Enis Kervan, anëtarë i Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi, tha se vizita e Odës ka për qëllim që të shikohen mundësit e investimit, raporton EO.

    “Ne kemi pasur takime në Turqi, kemi pasur takime edhe me Odën e cila është si grupi i dytë i fuqishëm. Prandaj edhe i kemi ftuar në takim, sepse duhet të shikojmë se ku mund të investohet në Kosovë. Do të kenë takime dhe në nivelin e lartë shtetëror dhe do të analizojnë investimet në Kosovë”.

  • I dërguari britanik: Sulmi në Kosovë incident shumë serioz

    I dërguari britanik: Sulmi në Kosovë incident shumë serioz

    I dërguari i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Britania e Madhe e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë. Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngjallur kujtimet e së kaluarës dhe ka shtuar tensionet në Ballkan dhe se Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt.

    Ai thekson se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republikës Serbe tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Zëri i Amerikës: Lordi Peach, cili është vlerësimi juaj për atë që ndodhi në Kosovë më 24 shtator?

    Stuart Peach: Ishte një incident shumë serioz, të cilin vazhdojmë jo vetëm ta dënojmë, por të bëjmë thirrje për një hetim të mirëfilltë dhe të vërtetë policor. Ende po mundohemi të zbulojmë faktet.

    Zëri i Amerikës: Autoritetet në Kosovë thonë se ka dëshmi shtesë, përfshirë gjetjen e një sasie të mëdhe armësh këtë javë në pjesën veriore të Kosovës, që provojnë se qëllimi i sulmit ishte aneksimi i territoreve nga Beogradi. A mund të ndodhte një sulm i tillë pa njohurinë dhe përkrahjen e Beogradit?

    Stuart Peach: Natyrisht, gjeografia dihet mirë dhe gjeografikisht këto dyja vende janë afër. Nga përvoja ime ka nevojë të vërtetë për siguri të kufirit dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta policore nga dyja anët e atij kufirit. Ata që kryen sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s në muajin maj dhe sulmin që shkaktoi humbje të jetëve të njerëzve më 24 shtator duhen mbajtur përgjegjës. Përvoja jonë e gjatë nëpër vende të ndryshme të botës na mëson që policisë duhet t’i jepet përparësi. I nxisim të gjithë të ulin retorikën dhe të përqëndrohen në hetime të mirëfilltë për të përcaktuar faktet.

    Zëri i Amerikës: Megjithatë, a do të ishte e mundur të ndodhte një sulm i kësaj shkalle, pa përkrahjen e Beogradit, sipas jush?

    Stuart Peach: Ende nuk e dimë pa u zbardhur faktet shkallën e përkrahjes së Beogradit, siç po e quani ju. Andaj nuk dua të spekuloj përderisa të mos kemi më shumë informacion. Por, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, është e rëndësishme të mundohemi të nxisim nevojën për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Zëri i Amerikës: Shumë vëzhgues kanë thënë se dialogu nuk ka më kuptim. Pas këtij incidenti a mund të vazhdohet me dialog sikur nuk ka ndodhur asgjë?

    Stuart Peach: “Të vazhdohet sikur mos të ketë ndodhur gjë” mund të jetë frazë e ngarkuar në aspektin retorik. Dua të them se mes shteteve nuk ka kurrë arsye që të mos bisedohet. Natyrisht, ka gjendje lufte dhe gjendje konflikti dhe situate e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë nuk është asnjëra prej tyre. Nuk ka asnjë arsye që Kosova dhe Serbia të mos të flasin me njëra-tjetrën në një dialog, që ne e mbështesim.

    Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh ngjarjet në Lindjen e Mesme, a mendoni se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës, është një rast tjetër aktorësh keqdashës, që krijojnë konflikt, apo i lidhur me kontekstin më të gjerë të luftës në Ukrainë?

    Stuart Peach: Është pyetje shumë komplekse. Nuk mendoj se ka një lidhje në shikim të parë ndërmjet ngjarjeve në Lindje të Mesme, që përbëjnë një tragjedi për të gjitha palët e përfshira dhe situatës në Kosovë dhe ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por, do të them se që kur Presidenti Putin filloi luftën e jashtëligjshme kundër Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk ka dyshim se në Gadishullin Ballkanik kujtimet janë ngjallur dhe ka më shumë tensione. Dhe kjo është për shkak të natyrës së asaj që ka ndodhur dhe mënyrës se si lufta në Ukrainë është zhvilluar. Por, duhet po ashtu të jemi të qartë si brenda bashkësisë ndërkombëtare dhe ndër miq, se duhet të vazhdojmë të bisedojmë me miqtë në rajon, me të gjithë dhe të inkurajojmë dialogun në rajon.

    Zëri i Amerikës: Për momentin ndodheni në Tiranë për takimin e Procesit të Berlinit. Sipas Presidentit Vuçiç, ju dhe të dërguarit e tjerë për Ballkanin, do të shkoni gjatë javës në Beograd dhe Prishtinë. Cila është aryseja e vizitës dhe çfarë do t’u kërkoni udhëheqësve në dyja vendet?

    Stuart Peach: Unë nuk planifikoj të jem pjesë e asaj vizite për të cilin u bë njoftimi. Unë kryej vizita sipas planit tim, si i dërguari i posaçëm i kryeministrit britanik për rajonin. Por, ajo që është e rëndësishme ta them është se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë dialogun, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe vazhdon ta mbështesë me të gjitha burimet që kemi në dispozicion, që kryesisht janë burime të mbrojtjes dhe sigurisë, nëpër tërë rajonin, për t’u siguruar që dialogu të vazhdojë dhe të përpiqemi të arrijmë një formë normalizimi sa më parë që të mundemi. Nuk duam që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të bëhet shkas për konflikte të tjera. Nuk e duam një gjë të tillë. Andaj Britania e Madhe vazhdon që, qetësisht, me autoritet dhe përmes veprimeve të mia në emër të qeverisë time, të vazhdojmë të flasim me udhëheqësit dhe mbështesim dialogun nëpër tërë rajonin.

    Zëri i Amerikës: Qeveria juaj, krahas qeverive të tjera perëndimore, ka inkurajuar autoritetet në Kosovës, para këtij sulmi, të punojnë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. A është ky ende qëndrimi juaj dhe cili është vizioni juaj se si duhet vazhduar tutje?

    Stuart Peach: Ne mbështesim dialogun, por ne nuk do të ulemi dhe ta hartojmë dialogun. Nuk na përket ne të themi se çfarë forme duhet të marrë ai. Por, kjo është çështje e pazgjidhur prej kohësh dhe qëndrimi ynë parimor është se, asociacioni nuk është – dhe po e përsëris nuk është – krijimi i një Republika Srpska të dytë. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duhet të marrë parasysh interesat e të gjitha palëve. Do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun dhe procesin që çon drejt normalizimit, që është synimi madhor.

    Zëri i Amerikës: Dhe vizioni juaj për rrugën përpara. A duhet ndryshuar ndonjë aspekt, të përshpejtohet?

    Stuart Peach: Pjesa qenësore e vizionit tonë është të mbështesim ata që do të jenë përgjegjës të hartojnë statutin e asociacionit dhe punën që ata po bëjnë qysh tani. Vazhdojmë ta mbështesim këtë përpjekje përmes procesit të Berlinit, që është një nismë e veçantë, por të gjithë janë të pranishëm, e mbështesim përmes pranisë tonë në NATO dhe përmes marrëdhënieve tona të gjithanshme në tërë Ballkanin në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Mesazhi im për palët do të ishte që për shkak të të gjitha konflikteve që kanë shpërthyer në botë, tani është koha për dialog, tani është koha të mos shikojmë vazhdimisht në të kaluarën, por të shohim drejt së ardhmes. Ballkani meritojnë të ardhme më të ndritshme./VOA

  • ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    ​BE e konfirmon vizitën e pesëshes në Kosovë dhe Serbi – kërkon përparim konkret

    Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka konfirmuar të martën se përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirolslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Krahas Lajçakut në këtë vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, ka thënë zëdhënësi Peter Stano.

    “BE-ja dhe vendet anëtare, sikurse edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbesin mbështetëse të mëdha të procesit të normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe së ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Kemi pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të kryejnë pa vonesa dhe pa kushte obligimet e tyre”, ka thënë Stano.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin takuar për herë të fundit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, më 14 shtator. Në atë takim ata kishin dështuar që të pajtoheshin për një plan për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve. Për këtë, BE-ja ia kishte lënë përgjegjësinë palës kosovare, ndonëse kishte thënë se të dyja palët kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e arritur në dialog./REL/

  • Ministri turk i Mbrojtjes thotë se dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon

    Ministri turk i Mbrojtjes thotë se dialogu është rruga e vetme për paqe e stabilitet në rajon

    Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Yasar Guler, tha se dialogu është rruga e vetme për paqe dhe stabilitet në rajon. Sipas tij, raportet e Turqisë me Kosovën si partner në Ballkan do të vazhdojnë në të gjitha fushat, raporton EO.

    “Ne e përkrahim sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në qarqet ndërkombëtare. E theksuam faktin që duke nisur nga Kosova, paqja lumturia dhe siguria në Ballkan për ne ishte çështje që kanë rëndësi të madhe”.

    “Ne themi se dialogu është rruga e vetme e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon dhe theksuam se detyrën që kemi marrë, të komandantit të KFOR-it, do ta respektojmë me neutralitet të plotë”.

    Këto komente ai i ka bërë në një konferencë të përbashkët për medie të mbajtur pas takimit që e ka zhvilluar me ministri i Mbrojtjes të Kosovë Ejup Maqedonci.

  • Kurti: I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel, duhet të qëndrojmë bashkë kundër terrorizmit

    Kurti: I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel, duhet të qëndrojmë bashkë kundër terrorizmit

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas sulmit terrorist në mbrëmjen e së hënës në Bruksel ku u vranë dy shtetas suedezë.

    “I tmerruar nga vrasja e dy shtetasve suedezë në Bruksel. Ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve që i humbën më të dashurit e tyre, kryeministrit suedez Ulf Kristersson dhe kryeministrit belg, Alexander Croo, në vazhdën e kësaj tragjedie”, ka shkruar Kurti.

    “Ne duhet të qëndrojmë së bashku në luftën kundër dhunës dhe terrorizmit”, ka shkruar Kurti.

    Dy persona janë qëlluar për vdekje në kryeqytetin belg, Bruksel, mbrëmjen e së hënës.

    Sipas policisë, personi i armatosur është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është ende në arrati. Prokurorët thonë se rasti po trajtohet si terrorizëm.

    Dy viktimat thuhet të jenë suedezë.

  • Rezervat e gazit të Evropës janë pothuajse mbi 97 % plot, duke tejkaluar synimet

    Rezervat e gazit të Evropës janë pothuajse mbi 97 % plot, duke tejkaluar synimet

    Inventarët e gazit natyror në Evropë arritën një maksimum historik të hënën, duke mbrojtur vendet evropiane kundër çmimeve të larta të dëshmuara vitin e kaluar.

    Inventarët e gazit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar arritën në 1,114 teravat-orë (TWh), duke thyer rekordin e mëparshëm të datës 27 tetor 2019, kur arriti në 1,102 TWh, sipas të dhënave nga shoqata evropiane e operatorëve të gazit, Gas Infrastructure Europe ( GIE).

    Objektet nëntokësore evropiane e gazit (UGS) tani janë plot 97.89%, duke tejkaluar shumë synimin e BE-së prej 90% deri më 1 nëntor.

    Vendet e BE-së, të cilat përdorin rreth 400 miliardë metra kub gaz në vit, kanë një kapacitet depozitimi të gazit natyror prej 110 miliardë metra kub.

    Para Luftës Ruso-Ukrainase, 40% e gazit natyror të konsumuar në vendet e BE-së vinte nga Rusia. Megjithatë, me shpërthimin e luftës, eksportet e gazit natyror rus në BE kanë rënë ndjeshëm.

    Vendet e BE-së kishin zhvilluar korniza ligjore që urdhëronin mbushjen e objekteve nëntokësore të depozitimit të gazit natyror përpara muajve të dimrit për shkak të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

    Tetëmbëdhjetë nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë objekte magazinimi të gazit natyror. Gjermania, ekonomia dominuese e Evropës, ka kapacitetin më të lartë të ruajtjes së gazit, në total 25.1 miliardë metra kub.

    Ky vend pasohet nga Italia me 20.2 miliardë metra kub, Holanda me 14.7 miliardë metra kub, Franca me 13.2 miliardë metër kub, Austria me 9.8 miliardë metër kub, dhe Hungaria me 6.9 miliardë metër kub.

    Ka gjithashtu disa kapacitete magazinimi të gazit natyror në Belgjikë, Bullgari, Republikën Çeke, Danimarkë, Spanjë, Kroaci, Poloni, dhe Rumani.

    Aktualisht, Rumania dhe Spanja kanë arritur kapacitetin e plotë të magazinimit, ndërsa Portugalia dhe Polonia kanë arritur në 99%, dhe Sllovakia, Gjermania dhe Republika Çeke kanë një kapacitet prej 98%.

    /AA/

  • Aksion i Njësisë Speciale në veri

    Aksion i Njësisë Speciale në veri

    Vazhdojnë veprimet e policisë, përkatësisht bastisjet lidhur me rastin Banjska. Policia e Kosovës është duke zhvilluar mëngjesin e sotëm një operacion në disa lokacione në veri, ka bërë të ditur policia.

    Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, nuk ka saktësuar se ku po zhvillohen bastisjet.

    Por, siç raporton portali serb nga veriu, Kossev, një prej bastisjeve aktualisht po kryhet në një objekt në rrugën Kolashinska, në afërsi të tre soliterëve, në pjesën veriore të Mitrovicës.

    Dy pjesëtarë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar para këtij objekti, gjegjësisht hyrjes së tij.

    Në anën tjetër të kësaj ndërtese ndodhen xhipa të policisë.

    Në të njëjtën kohë, bastisja është duke u bërë në njërën prej objekteve të Kombeve të Bashkuara, po ashtu në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe në vendbanimin Bërrdani.

    Elshani tha se për momentin nuk ka të arrestuar.