ATV

Category: Lajme

  • Aksident tragjik në Kalimash me dy të vdekur, viktimat dyshohet se janë nga Kosova

    Aksident tragjik në Kalimash me dy të vdekur, viktimat dyshohet se janë nga Kosova

    Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në rrugën e Kombit. Mësohet se një autobotë është përplasur me dy makina. Nga aksidenti i rëndë kanë humbur jetën dy persona dhe 3 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Përplasja ka ndodhur pranë tunelit të Kalimashit dhe të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Nga aksidenti është bllokuar rruga komplet, ndërkohë që policia ka shkuar në vendngjarje.

    Njoftimi i policisë:

    Rreth orës 17:45, në tunelin e Kalimashit, janë përfshirë në një aksident rrugor automjetet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. B., banues në Tropojë, automjeti tip “Ford”, ku udhëtonin shtetasit S. O., N. O., dhe I. L., banues në Kosovë, si dhe autoboti me drejtues shtetasin Sh. S., banues në Kosovë. Nga aksidenti kanë humbur jetën dy shtetas, ndërsa 3 shtetasit e tjerët po marrin mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

  • Hoxhaj thotë Qeveria nuk diti ta shfrytëzojë hapësirën kohën prej sulmit në veri që t’i vendosen sanksione Serbisë

    Hoxhaj thotë Qeveria nuk diti ta shfrytëzojë hapësirën kohën prej sulmit në veri që t’i vendosen sanksione Serbisë

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka ditur ta shfrytëzojë këtë hapësirë kohore prej katër javësh që nga sulmi i 24 shtatorit, pasi që sipas tij, kjo kohë ka qenë mundësi e artë që t’i vendosen sanksione Serbisë.

    “Duket që 21 tetori do të jetë një pikë kthese për një proces të ri politik, por unë çka kam parë gjatë këtyre katër javëve pas 24 shtatorit është që Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, liderët e Kosovës nuk kanë ditë që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore prej katër javësh që të përdorin këtë mundësi të artë për të vendosë sanksione mbi Serbinë, me që ajo që ndodhi me 24 shtator ishte akt i agresionit i një grupi terrorist, i cili kishte plan politik, kishte platformë politike për ta aneksuar veriun e Kosovës, dhe natyrisht që lidhja direkte ishte me presidentin serb, sepse Aleksandar Vuçiq para se të jetë politikan ka qenë paramilitar”, tha Hoxhaj. /atvlive.tv

  • Hovenier: Ka zotime nga Kosova për të shtyrë përpara asociacionin

    Hovenier: Ka zotime nga Kosova për të shtyrë përpara asociacionin

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ka zotime nga ana e Kosovës për të shtyrë përpara asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Sipas tij, 24 shtatori e bëri të qartë se sa urgjente është të arrihet implementimi i plotë i marrëveshjes së mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars.

    “Unë mendoj se 24 shtatori nënvizoi dhe e bëri shumë të qartë se sa urgjente është që të lëvizet para me këtë punë të rëndësishme që të arrihet implementimi i plotë nga të dyja palët, për të gjitha zotimet në marrëveshjen bazë dhe aneksin e implementimit. Ka shumë angazhime të mira në këtë marrëveshje themelore. Ato përfshijnë gjëra si shmangja e përdorimit të forcës, zgjidhja e probleme përmes mënyra paqësore, respekt për kufijtë e njëri-tjetrit. Ka zotime edhe në anën e Kosovës, lidhur me shtyrjen përpara të asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mjet për të adresuar shqetësimet e komunitetit etnik serb këtu. Ne po ashtu mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme dhe urgjente”, tha Hovenier.

    Për ditët e ardhshme, ai paralajmëroi një vizitë të rëndësishme në Kosovë, për të cilën thotë se është reflektim i seriozitetit me të cilin SHBA-të dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale.

    “Një vizitë shumë e rëndësishme do të bëhet, ashtu siç kemi diskutuar, dhe mendoj se është reflektim i seriozitetit me të cilin Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë në BE e shohin situatën aktuale. Ne duam të shohim progres të vërtetë. Jo në negocimin e zotimeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por të shohim që marrëveshja e arritur në shkurt dhe implementimi i aneksit në mars, të zbatohen plotësisht nga të dyja palët. Mendoj se kjo vizitë e radhës do të jetë manifestim i rëndësisë që kjo të realizohet”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Mosdekretimi i Kryeprokurorit të shtetit, KPK i ka vetëm dy rrugë ligjore

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka ligjërisht dy mundësi se si mund të veprojë tutje, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdrekretimin e kryeprokurorit të shtetit.

    Kjo pozitë është me ushtrues detyre për më shumë së një vit.

    Por, për hapat tutje Këshilli Prokurorial do të vendosë gjatë një takimi që pritet ta mbajë brenda javës.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, në takimin e mbajtur dje, në të cilin është diskutuar për situatën e krijuar pas njoftimit të Presidentes së Kosovës, znj.Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj, me ç’rast është lëshuar një komunikatë për media, ka konfirmuar se KPK-ja së afërmi do të mbajë edhe një takim tjetër për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Lidhur me kohën dhe agjendën e saktë të takimit që do të mbahet, do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në reagimin nga Zyra për Komunikim Publik e Sekretariatit të KPK-së.

    Në bazë të Ligjit për KPK-në, Këshilli i ka dy mundësi, të shpallë konkurs të ri, apo ta dërgojë edhe një herë emrin e kandidatit të përzgjedhur për kryeprokuror, në këtë rast, Blerim Isufaj.

    Blerim Isufaj, aktualisht është në fund të mandatit si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, dhe për këtë pozitë tashmë KPK-ja e ka shpallur konkursin.

    Ai është përzgjedhur para një viti e gjysmë në pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por presidentja Vjosa Osmani të martën njoftoi se nuk do ta dekretojë, pasi sipas saj, ka pasur shkelje në procedurë, ndërsa ka shtuar se ka pasur kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

    Deklaratat e presidentes, KPK-ja i ka quajtur tendencioze dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin prokurorial.

  • Hovenier: Kemi pritje që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë Kosovën

    Hovenier: Kemi pritje që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë Kosovën

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se SHPBA pret që Serbia që të mos ndërmarr veprime të cialt kërcënojnë fqinjët e saj, përfshirë edhe Kosovën.

    Ai përmendi se angazhimi i SHBA-së për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i qartë, por që kërkon nga qeveritë qeveritë kosovare janë për të themeluar një shoqëri multietnike, demokratike në të cilën jetojnë të gjithë qytetarët.

    “Nuk e di nëse duhet të ndryshojmë mënyrat, por do të donim të shihnim rezultate më të mira nga mënyra e angazhimit tonë. Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesit e BE-së po punojnë shumë dhe kanë mbështetjen amerikane. Mendoj se kjo është gjëja e duhur, dhe angazhimi i SHBA-së për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i qartë, por gjithashtu pritjet tona për këtë qeveri dhe të gjitha qeveritë kosovare për të themeluar një shoqëri multietnike demokratike në të cilën jetojnë të gjithë qytetarët, jetët e tyre dhe kushtet për dinjitet dhe siguri vazhdojnë. Ne kemi gjithashtu pritje nga Serbia, të cilat janë që Serbia të mos ndërmarrë veprime të cilat kërcënojnë fqinjët e saj, përfshirë Kosovën, që të mos ndërmarrë veprime që destabilizojnë rajonin dhe kjo gjithashtu ishte pjesë e bisedës tonë”, tha Hovenier.

    Pas takimit që pati me studentët e Kolegjit AAB, Hovenier bëri thirrje që Kosva dhe Serbia të punojnë drejt të plotë të marrëveshjes bazë që u arrit në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars.

    “Mendoj se të gjithë jemi të shqetësuar për zhvillimet tani. Por mendoj se ata (studentët) mund të kenë besim, ashtu si ne, se komuniteti ndërkombëtar është shumë i fokusuar që të ndihmojë të avancojë këtu dhe në rajon, stabilitet më të madh, prosperitet më të madh, siguri më të madhe. Ky vazhdon të jetë synimi ynë. Kjo kërkon vullnet politik, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia, që të punohet drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë që u arrit në shkurt dhe të aneksit të implementimit, që u arrit në mars. Por kemi një rrugë para e cila funksionon. Vetëm duhet të ndodhë”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Hovenier: Rinia e Kosovës është aseti më i madh i këtij shteti

    Hovenier: Rinia e Kosovës është aseti më i madh i këtij shteti

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Jeffrey Hovenier, dje ka qëndruar në Kolegjin AAB, ku zhvilloi bisedë me studentët e këtij kolegji për diplomacinë, politikën e jashtme, ekonominë dhe arsimin.

    I ftuar në emisionin CONTEXT në ATV, ai tha se rinia e Kosovës është aseti më i madh i këtij shteti.

    “Ishte mundësi për mua që të dëgjoj drejtpërdrejt nga të rinjtë e Kosovës. Më duket se e kam thënë disa herë se rinia e Kosovës është aseti më i madh i këtij shteti. Të rinjtë janë kaq të pasionuar, të aftë dhe të angazhuar, për një të ardhme të paqes dhe prosperitetit. Kjo më dha mundësinë të flas për prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara këtu, e ato janë që Kosova ta ketë vendin e vet në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, që të ketë një ekonomi që sjell prosperitet për qytetarët e saj dhe që të ketë qeverisje të mirë dhe sistem efikas të sundimit të ligjit, andaj folëm për këto gjëra. Ata bënë shumë pyetje, lidhur me atë se si mund të ndikojnë në mënyra pozitive, unë gjithmonë inspirohem kur dëgjoj këtë. Ishte bisedë e mrekullueshme”, tha Hovenier.

    Ai përmendi se studentët duan ta shohin një të ardhme të mirë për ta.

    “Ata duan të jetojnë në një vend me kushte të sigurisë, duan të kenë mundësi ekonomike, të kenë puna dhe të jetojnë jetët e tyre në paqe dhe siguri. Mendoj ashtu siç duam të gjithë ne. Ata tani janë të shqetësuar për disa zhvillime të caktuara”, tha Hovenier. /atvlive.tv

  • Agjencia e Statistikave s’është e gatshme që procesin e regjistrimit të Popullsisë ta fillojë

    Agjencia e Statistikave s’është e gatshme që procesin e regjistrimit të Popullsisë ta fillojë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ndonëse kanë mbetur më pak se 3 javë nga fillimi i procesit të regjistrimit të popullsisë, Agjencia e Statistikave e Kosovës ende nuk i ka pranuar tabletët, me të cilët po synon që për herë të parë ta kryejë këtë proces.

    Përgjegjëse për furnizimin me pajisje digjitale ishte kompania “BOTEK SHPK”, me të cilën ishte nënshkruar edhe kontrata në vlerë mbi 230 mijë euro.
    Kontrata ishte nënshkruar më 25 gusht të këtij viti dhe kompania kishte kohë 35 ditë për implementimin e saj.

    Sipas ASK-së, operatori ekonomik, më 25 shtator, i kishte dorëzuar tabletët, por jo të llojit të kërkuar.

    Në lidhje me mosfurnizimin me kohë me tabletë, televizioni ka provuar të kontraktojë me kompaninë fituese të tenderit “BOTEK SHPK”.
    Mirëpo, numri i cili figuronte në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, nuk kishte të bënte aspak me kompaninë.

    Pikërisht për shkak të mosfurnizimin me kohë me këto pajisje, ASK-ja ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet deri më 1 prill të vitit të ardhshëm, por kërkesa nuk është pranuar.

    Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të fillojë më 1 shtator, por procesi u shty për 1 nëntor. Ndërkaq, regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2011.

  • Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Parlamenti Evropian hedh në votim Rezolutën për Kosovën, kërkohet sanksionimi i Serbisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Të enjten, Parlamenti Evropian pritet ta hedhë në votim rezolutën, lidhur me zhvillimet e fundit në veri, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku.

    Votimi pritet të fillojë në orën 12:00, ndërkaq, paraprakisht, për ngjarjet e 24 shtatorit, në Parlamentin Evropian janë dërguar pesë draft-rezoluta nga parti evropiane.

    Mbajtja e Serbisë përgjegjëse për sulmin terrorist, si dhe vendosja e sanksioneve ndaj shtetit serb, janë kërkesat e përbashkëta të pesë rezolutave.

    “Të theksohet rëndësia e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse, për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa kundër Serbisë. Të shprehet keqardhje për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radojicicit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radojicici mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023”, thuhet në draft-rezolutën e S&D Group.

    Në rast se vërtetohet përfshirja e shtetit serb, grupi i “Të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane” ka kërkuar që Serbisë t’i ngrihen të gjitha fondet e dhëna sipas programit IPA.

    Kurse, grupi më i madh dhe më i vjetër në Parlamentin Evropian, “PPE”, që është grup i qendrës së djathtë, përmes draft-rezolutës ka dënuar fuqishëm kontrabandën e armëve në veri, e cila po bëhet duke përdorur autoambulancat dhe objektet e Kishës Ortodokse Serbe.

    “Dënojmë strehimin e autorëve të inkursionit të armatosur në veri të Kosovës, si dhe çdo propagandë për ta, glorifikimin e veprimeve të tyre, apo mbështetjen politike për ta. Dënojmë përpjekjet e vazhdueshme ruse për të ushtruar ndikim mbi Ballkanin Perëndimor dhe, veçanërisht, në Serbi dhe në Kosovë, duke shfrytëzuar ndarjet kulturore, etnike dhe fetare dhe duke destabilizuar forcat pro-demokratike; dënojmë, në këtë drejtim, përfshirjen e mundshme ruse në sulmet e Banjskës”, thuhet në draft-rezolutën e PPE-së.

    Mes tjerash, është kërkuar që masat ndaj Kosovës të hiqen dhe Bashkimi Evropian të veprojë si ndërmjetësues i paanshëm në procesin e normalizimit.

    Në anën tjetër, Kosovës i është kërkuar themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit, Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

  • Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë

    Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Rreth 3 mijë raste të viktimave të trafikimit me njerëz trajtohen brenda vitit në Kosovë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kategoria më e cenueshme në këtë rast janë fëmijët në situatë rruge.

    Derisa në Prishtinë u lansua fushata kundër Trafikimit me Njerëz, Blerim Gashani, i cili është edhe Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, tha se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka krijuar bazë të të dhënave të kësaj vepre.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës, trafikimi cilësohet të jetë njëra prej veprave më komplekse.

    “Ky kompleksitet është rezultat i vetë strukturës të veprës penale të trafikimit, sepse në kuadër të kësaj vepre penale ose të kësaj dukurie, janë përfshirë shumë veprime të cilat po të shikohen si të veçanta, paraqesin elemente të shumë veprave të tjera penale”, tha Besim Kelmendi, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në raportin e këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Kosova ishte kritikuar që nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit ndonëse po bën përpjekje. Por, Kelmendi shtoi se Kosova ka shënuar rezultate në parandalimin dhe luftimin e trafikimit.

    “Kosova ka shënuar rezultate të theksuara për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, mirëpo, ende ka nevojë për qasje më profesionale dhe konstruktive të të gjitha institucioneve”, tha Kelmendi.

    Vetëm këtë të mërkurë, Policia e Kosovës njoftoi se ka identifikuar dy viktima dhe ka arrestuar dy persona nën dyshimin për trafikim me njerëz. A. K., shtetas kosovar, dhe R. K., shtetase e Shqipërisë, janë dërguar në mbajtje.

  • “Do të ketë një shtytje të re në dialog, palët të jenë konstruktive”

    “Do të ketë një shtytje të re në dialog, palët të jenë konstruktive”

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Agjendë të qartë për shtensonim të situatës në veri, paralelisht zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit, ka kërkuar i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Diplomati gjerman kërkoi konstruktivitet nga Kosova dhe Serbia, teksa premtoi shtytje të re për procesin e dialogut.

    “…Ne besojmë fuqimisht se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në shtensionim, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që marrëveshja e Ohrit të zbatohet dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për ta marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga dy palët. Andaj ne u bëjmë thirrje dy palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, tha Sarrazin.

    Pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që la të vrarë policin Afrim Bunjaku, emisari gjerman, pret që Bashkimi Evropian të bëjë përpjekje më konkrete në shërbim të dialogut.

    “Dua të them ligjërisht ajo [marrëveshja] ende funksionon, por natyrisht politikisht është e qartë se ne kemi nevojë për një ripërkushtim ndaj [marrëveshjes] Ohrit dhe kjo mund të bëhet duke e zbatuar atë, duke dorëzuar një udhërrëfyes zbatimi, dhe duke ardhur hap pas hapi në ekzekutimin e [marrëveshjes] Ohrit, të themi ashtu. Mendoj se është e nevojshme të bëhet një shtysë e re dhe është e nevojshme që Bashkimi Evropian të përpiqet t’i shërbejë edhe dialogut. Sidomos pas asaj që ndodhi në Banjskë”, tha Sarrazin.

    Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të udhëtojnë të shtunën, më 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.