ATV

Category: Lajme

  • Scholz: Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani

    Scholz: Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani

    Në një deklaratë qeveritare në Bundestag, kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të veprohet ashpër kundër antisemitizmit në Gjermani dhe glorifikimit të dhunës.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë të ditur se do të ketë veprime energjike dhe konsekuente të autoriteteve gjermane kundër antisemitizmit dhe glorifikimit të dhunës. Autoritetet nuk duhet të lejojnë demonstrata, në të cilat bërtiten parulla antisemitiste dhe bëhet thirrje për dhunë, tha kancelari Scholz në një deklaratë qeveritare në Bundestag. “Këtu kërkohet një qëndrim i qartë dhe ne e tregojmë këtë së bashku në Gjermani”, tha Scholz. “Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani.” Do të bëjmë gjithçka që të ngrihemi kundër tij, siguroi Scholz. Kjo vlen si për qytetaret e qytetarët, ashtu si edhe për ata me përgjegjësi politike. Bëhet fjalë që të respektohen ligjet dhe rregullat.

    Scholz: Hamas të lirojë pengjet gjermane

    Kancelari gjerman është shprehur edhe për qytetarët gjermanë të marrë peng nga organizata terroriste e Hamasit në Izrael dhe janë dërguar në Rripin e Gazës. Ai kërkoi edhe njëherë lirimin e menjëhershëm të tyre. Mesazhi ndaj Hamasit është i qartë. “Ata duhet të lirohen pa kushte .” Në plenumin e Bundestagut qëndronin të ulur të afërm të pengjeve.

    Të mërkurën në mbrëmje në Berlin-Neukölln pati përplasje të dhunshme me policinë, pasi demonstruesit injoruan ndalimin e një mitingu pro-palestinez. Sipas të dhënave të policisë kundër forcave të tyre janë hedhur shishe dhe gurë si edhe mjete proteknike. Po natën e së mërkurës dy të panjohur kanë hedhur molotov në drejtim të sinagogës Kahal Adas Jisroel në Berlin. Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani bëri fjalë për një “atentat terrorist”, aty krahas sinagogës gjendet edhe një kopsht fëmijësh dhe shkollë hebreje. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të enjten, se ka filluar hetimet për përpjekjen për atentat ndaj sinagogës në Berlin. Autoritetet e argumentuan këtë me tensionimin e gjendjes së sigurisë për shkak të protestave propalestineze në kuadër të luftës mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit.

    Egjipti vendos të hapë kalimin kufitar me Rripin e Gazës

    Ndërkohë Egjipti është treguar i gatshëm të lejojë kamionët me ndihma humanitare në Rripin e Gazës. “Për fillimin”, kreu i shtetit egjiptian, Abdel Fatah al-Sisi ka premtuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Joe Biden do të lejohen 20 kamionë me ndihma që të kalojnë pikën kufitare në Rafah. Më pas mund të pasojnë furnizime të tjera me ndihma. Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara do të merren me shpërndarjen e ndihmave. Presidenti amerikan, Joe Biden ka theksuar, se nëse organizata terroriste Hamas do të konfiskojë ndihmat, atëherë “ato do të ndalen”./DW

  • ​Shqipëria sjell Kosovën në fokus të Këshillit të Sigurimit

    ​Shqipëria sjell Kosovën në fokus të Këshillit të Sigurimit

    Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka kryesuar takimin e posaçëm të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit, ku me ftesën e Shqipërisë, Kosova përmes presidentes Vjosa Osmani ka mbajtur fjalën në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë.

    Hasani theksoi se dhuna seksuale e lidhur me konfliktin është një krim lufte dhe mbetet një sfidë thelbësore e sigurisë globale, teksa nënvizoi se bota mund të mësojë shumë nga Kosova lidhur me këtë çështje.

    “Vijmë nga një rajon (Ballkani Perëndimor) që në një të kaluar jo shumë të largët, ka qenë skenë e konflikteve të mëdha dhe vuajtjeve të shumta njerëzore, një realitet i zymtë që u pasqyrua dhe në raportimet e takimit të sotëm. Dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti përbën një shkelje të rëndë të vlerave të përbashkëta humane dhe nuk duhet, dhe nuk do të tolerohet si një nënprodukt i pashmangshëm i luftës. Përhapja marramendëse e akteve të tilla të neveritshme, ku vetëm në Kosovë numërohen mbi 20,000 gra dhe vajza që kanë duruar dhunën seksuale, ka lënë plagë të thella. Të patrajtuara në kohë, këto plagë kanë potencialin të pengojnë përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rivendosjes së paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Për këto arsye bindëse, Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të mbrojtur dhe siguruar që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen, që autorët të vihen para përgjegjësisë dhe, në fund të fundit, që drejtësia të shërbejë si themeli mbi të cilin ne mund të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme, me kalimin e kohës”, tha ai.

    Kryediplomati shqiptar në fjalën e tij, gjithashtu u ndal tek vajzat e gratë e rrëmbyera nga terroristët e Hamasit, të cilat po mbahen diku në Gaza në kushte të tmerrshme.

    “Ne duhet të mendojmë edhe për ato gra të pafajshme që janë rrëmbyer nga terroristët e Hamasit dhe po mbahen diku në Gaza, në kushte të tmerrshme. Ne bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte”, vijoi ai.

    Derisa tha se dhuna seksuale vazhdon të përdoret si një taktikë lufte dhe terrori, ai shtoi se mosndëshkimi përjetëson kulturën e dhunës dhe minon përpjekjet për ta çrrënjosur atë.

    “Duhet t’i japim përparësi parandalimit dhe llogaridhënies. Dhuna seksuale e shkaktuar nga konflikti është e parandalueshme dhe e dënueshme! Ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis mosndëshkimit dhe ekzistencës këmbëngulëse të dhunës seksuale të shkaktuar nga konflikti. Sigurimi i llogaridhënies dhe dhënia fund e mosndëshkimit për shkeljet dhe abuzimet, duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne, brenda dhe jashtë Këshillit. Mesazhi duhet të jetë i qartë: Nuk do ti shpëtojë drejtësisë, askush, që ka promovuar, përdorur ose ka në plan të përdorë dhunën seksuale si taktikë lufte”, tha ai.

    Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani, ku potencoi rastin e Kosovës, teksa vuri theksin në rëndësinë e llogaridhënies.

  • Shënjestrohet një rast i ri për shpërlarje të parave, sekuestrohen rreth 20 milionë euro ndërsa arrestohen 3 persona

    Shënjestrohet një rast i ri për shpërlarje të parave, sekuestrohen rreth 20 milionë euro ndërsa arrestohen 3 persona

    Prokuroria Speciale njoftoi se kanë shënjestruar një rast të ri.

    Sipas një komunikate dërguar mediave thuhet se ky rast është shënjestruar për “Shpëlarja e parave”, si dhe vepra të tjera penale.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku kanë shënjestruar një (1) rast të ri. Prokuroria Speciale njofton se rasti është shënjestruar për “Shpëlarja e parave”, si dhe vepra të tjera penale”, thuhet në  komunikatë.

    Tutje, bëhet e ditur se në kuadër të hetimeve janë sekuestruar dhe konfiskuar sasi e madhe e armatimit të llojit të ndryshëm, rreth tridhjetë (30) vetura, si dhe pasuri të paluajtshme rreth njëzet milion (20.000.000) euro.

    Prokuroria Speciale njoftoi se lidhur me këtë rast janë të ndaluar tre persona dhe të njëjtit sipas vendimit të gjykatës janë nën masën e paraburgimit.

     

  • Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Dy rrugët e KPK-së për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka vendosur ende se cilët do të jenë hapat që do t’i ndjekë pas njoftimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Njohësit e çështjeve ligjore vlerësojnë se të vetmit hapa që KPK-ja mund t’i ndjekë janë: rinisja e procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit ose zvarritja për kohë të pacaktuar e rinisjes së këtij procesi.

    Presidentja Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, më 17 tetor, ka thënë se janë gjetur disa shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, emrin e të cilit KPK-ja ia ka propozuar qysh më 8 prill 2022.

    Ajo ka kërkuar nga KPK-ja që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

    E para e shtetit ka thënë, po ashtu, se pret që të ketë një proces të ligjshëm, të drejtë dhe transparent, i cili do t’i marrë në konsideratë rekomandimet e organizatave joqeveritare dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

    KPK-ja ende nuk ka vendosur për hapat e ardhshëm

    Këshillit Prokurorial i Kosovës është pyetur se cilët mund të jenë hapat ligjorë që mund t’i ndjekë, pas mosdekretimit të kryeprokurorit nga ana e presidentes Osmani.

    Në një përgjigje me shkrim, KPK-ja i është referuar komunikatës së saj për media, të së martës, ku është thënë se ky këshill do të mbajë një takim për të vendosur lidhur me hapat që do t’i ndjekë.

    Por, sipas KPK-së, ai nuk është mbajtur ende dhe opinioni do të njoftohet me kohë se kur do të mbahet.

    KPK-ja, të martën, i ka cilësuar si “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze” arsyetimet e Osmanit për mosdekretimin e Isufajt, duke e akuzuar atë për “ndërhyrje në sistemin prokurorial”.

    Hapat e mëtejshëm

    Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se pas vendimit të presidentes Osmani, hapi që do të duhej ta ndiqte Këshilli Prokurorial i Kosovës, është nisja e procesit të ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Por fillimisht, sipas tij, duhet të bëhet plotësimi i kornizës ligjore.

    Kjo, thotë Miftaraj, nënkupton rregullimin e udhëzuesit me pyetjet për kandidatët për kryeprokuror. Udhëzuesi është pjesë e rregullores për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorëve të tjerë.

    “Ka gabime, të cilat nuk mund të sigurojnë një proces të drejtë”, thotë Miftaraj, duke iu referuar udhëzuesit aktual, mbi bazën e të cilit KPK-ja ka përzgjedhur dhe propozuar Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Sipas tij, udhëzuesi ka pyetje lidhur me ligje, të cilat sot nuk janë të aplikueshme në Kosovë.

    “Për shembull, ky udhëzues ende ka fusha që lidhen me kohën kur Kryeprokurori i Shtetit ka qenë edhe kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë rast, tash, Kryeprokurori i Shtetit është vetëm anëtar i Këshillit, por jo edhe kryesues i KPK-së”, thotë Miftaraj.

    Mangësitë e ngjashme, sipas tij, do të mund të adresoheshin brenda një muaji, në rast se ka vullnet brenda KPK-së.

    Hap i radhës, shton ai, do të ishte hapja e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit, i cili duhet të qëndrojë i hapur 15 ditë. Ndërkaq, procedurat e intervistimit, do të zgjasnin një muaj.

    “Nëse KPK-ja do të kishte vullnet politik që t’i bënte këto në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjit, muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund të rezultonte me kryeprokuror të dekretuar nga Zyra e Presidentes”, thotë Miftaraj.

    BE-ja kërkon proces transparent dhe të drejtë

    Lidhur me mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga presidentja Osmani, të mërkurën ka reaguar edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Duke i kushtuar vëmendje deklaratës së saj, ai ka theksuar në platformën X “nevojën e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të jetë transparent, i bazuar në merita dhe i drejtë, brenda sistemit juridik”.

    “U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që t’iu përmbahen parimeve dhe standardeve më të larta të sundimit të ligjit në përzgjedhjen e vonuar të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Szunyog.

    Çka nëse KPK-ja vendos ta zvarrisë procesin?

    Thirrjen e BE-së ndaj autoriteteve të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Miftaraj e sheh si thirrje ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës që ta nisë menjëherë procesin e ri.

    Por, Miftaraj thekson se, në rast se KPK-së i mungon vullneti për një gjë të tillë, procesi mund të zvarritet.

    Siç thotë ai, ky institucion është krejtësisht i pavarur dhe nuk ekzistojnë instrumente dhe mekanizma ligjorë e kushtetues që mund ta detyrojnë të shpejtojë në rinisjen procesit.

    “Mund të jetë kjo edhe tre muaj, edhe një vit. S’ke çfarë i bën. Nuk ke mekanizma. Do të thotë (KPK-ja) është shtet brenda shtetit”, thotë Miftaraj.

    Vitin e kaluar, kur KPK-ja ka përzgjedhur emrin e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, zhgënjim me procesin e përzgjedhjes kanë shprehur BE-ja, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe disa organizata joqeveritare që mbikëqyrin institucionet e drejtësisë në Kosovë. Sipas tyre, procesi nuk ka qenë as i drejtë, as objektiv apo transparent.

    Kryeprokurorit paraprak të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill 2022.

    Besim Kelmendi është ushtrues i kësaj detyre dhe ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit. /rel

  • Hoti: Pozita s’e voton rezolutën për Policinë sepse nuk do që opozita t’i marrë meritat

    Hoti: Pozita s’e voton rezolutën për Policinë sepse nuk do që opozita t’i marrë meritat

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron që të marrë pjesë e as të votojë rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës, sepse nuk dëshiron që opozita t’i marrë meritat, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se kjo pikë nuk duhet të ishte çështje ballafaqimi midis pozitës dhe opozitës. Sipas Hotit, shtesat e rrezikshmërisë, sigurimi shëndetësor dhe pensionimi i parakohshëm nuk do të duhej të refuzoheshin.

    “Është çështje ekzistenciale për 7,000 familje të policëve. Qysh ia shpjegon këtë policit që e çon në veri dhe shtesën nuk ia qet. Nuk ka kuptim kjo sjellje. Është shqetësuese që hyni në vitin e katërt të qeverisjes dhe keni menaxhuar me 8.63 miliardë. Ku kanë shkuar këto para?”.

    “Seanca e sotme jep një pasqyrë jo të mirë për vendin, një seancë e thirrur nga opozita. Kjo nuk ka kuptim për ballafaqimin parlamentar. Nëse e shihni me kujdes, rezoluta e propozuar nga opozita është shumë parimore. Janë tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe parimore të propozuara nga opozita. Por, ju nuk doni që opozita t’i marrë këto kredi – thënë në aspektin politik”.

    Mazhoranca edhe herën e kaluar e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.

  • LV nuk merr pjesë në seancën për policinë

    LV nuk merr pjesë në seancën për policinë

    Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, ku po shqyrtohet një projektrezolutë për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës.

    Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga partitë opozitare. Edhe një tjetër seancë për këtë çështje ishte thirrur më 12 tetor, por dështoi të mbahej në mungesë të kuorumit, pasi deputetët e LVV-së e bojkotuan atë.

    Rashit Qalaj deputet nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, tha se Policia e Kosovës është duke punuar në kushte të rënda dhe kjo sipas tij nuk duhet lejuar.

    “Nga hyrja në fuqi, më 5 shkurt 2023, e Ligjit për paga në sektorin publik, zyrtarëve policorë u është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, shtesë të cilën policët e Kosovës e kanë marrë gjithmonë në të kaluarën. Ky është një vendim i padrejtë, pasi ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre dhe të familjeve, por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Shuma totale vjetore e shtesave që kanë marrë policët e Kosovës ka qenë 16 milionë euro, ose 1.3 milion euro në muaj”, tha ai.

    Pagat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë, e deri në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

    Në bazë të Ligjit, pagat për zyrtarë të policisë janë rritur nga 20 deri në 60 euro. Këtë rritje policia e ka quajtur minimale.

    Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.

    Zyrtarë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, javën e kaluar kanë thënë se tendenca e PDK-se, nuk ka të bëjë më gjendjen e policisë, por synim i tyre, është “pushteti dhe jo interesi i shtetit”.

  • Senatorët amerikanë thonë se Izraeli nuk shkaktoi shpërthimin në spitalin e Gazës

    Senatorët amerikanë thonë se Izraeli nuk shkaktoi shpërthimin në spitalin e Gazës

    Senatorët amerikanë që kanë marrë pjesë në një informim të klasifikuar nga zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë të administratës amerikane, janë informuar se Izraeli nuk ka qenë përgjegjës për shpërthimin në një spital në Qytetin e Gazës.

    Shpërthimi ndodhi më 17 tetor dhe besohet se ka lënë të vdekur qindra persona. Në spitalin Al-Ahli, që u godit nga shpërthimi i fuqishëm, ishin të strehuar palestinezë dhe po trajtoheshin palestinezë të plagosur.

    Izraeli për këtë sulm ka fajësuar grupin palestinez, Xhihadi Islamik, por ai ka mohuar përgjegjësinë.

    “Vlerësimi i komunitetit të inteligjencës është se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin në spitalin në Gazë”, tha senatori Chuck Schumer, pasi doli nga ky takim. “Ata besojnë se ishte një raketë e lëshuar nga terroristët në Gazë”.

    Senatori demokrat, Chris Murphy, tha se inteligjenca “është e vendosur” se ky nuk ishte një operacion izraelit.

    Më vonë, përmes një deklarate të përbashkët, kryetari i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, Mark Warner, senatori Marc Rubio, thanë se pasi kanë shqyrtuar vlerësimin e inteligjencës janë “të bindur se shpërthimi ishte rezultat i një lëshimi të dështuar të një rakete nga militantët terroristë dhe nuk ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit”.

    Militantët e Hamasit nisën sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor, që çoi në një përgjigje të ashpër nga autoritetet izraelite, që kanë bombarduar pareshtur Rripin e Gazës.

    Më 18 tetor, Izraeli, pas kërkesës së SHBA-së, është pajtuar që të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare nga një pikëkalim që lidh Gazën me Egjiptin, për palestinezët në këtë territor.

  • Qalaj prezanton Rezolutën: Për 15 ditë të paguhet rrezikshmëria, për 60 ditë të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm

    Qalaj prezanton Rezolutën: Për 15 ditë të paguhet rrezikshmëria, për 60 ditë të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë rezolutën e propozuar nga ta për përmirësimin e kushteve në Policinë.

    Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat, të bëhen me sigurim shëndetësor dhe të mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm.

    Ai ka përmendur aksionin e 24 shtatorit dhe suksesin e policëve në përballje me terroristët serbë. Ndaj sipas fjalët që janë thënë për këtë suksese, duhet të kthehen në vepra.

    “Miratimi i saj do të ishte dëshmia më e mirë për përkushtimin ndaj policisë, kur puna e tyre na bënë krenarë të gjithëve”.

  • Nis seanca për Policinë, të pranishëm vetëm deputetët e opozitës

    Nis seanca për Policinë, të pranishëm vetëm deputetët e opozitës

    Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

    Fillimisht deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka prezantuar propozim Rezolutën për Policinë e Kosovës.

    Në këtë seancë nuk po marrin pjesë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.

  • A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    A do të inkuadrohet në politikë Endrit Thaçi dhe si, flet Hoxhaj

    Nënkryetari i Kuvendit dhe ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, i ftuar në emisionin “Context”, në ATV foli për ecurinë e procesit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

    Derisa foli për Gjykatën në Hagë, Hoxhaj përmendi edhe vizitën e tyre si parti (PDK), pas kthimit të Hysni Gucatit në Kosovë, në të cilën i pranishëm ishte edhe Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    “Sot ishim te Gucati si parti, ishte ngjarje e bukur dhe veçantë për secilin prej nesh, por e pa plotë, pa të tjerët, ata të cilët janë në Hagë. Unë jam i sigurt se kjo do të jetë fitore e pashmangshme, sepse po ata mbahen në mënyrë të padrejtë, atje. Procesi do të mbyllet shpejt dhe mirë. Unë besoj se ata do të triumfojnë përsëri. Sot vizita te Gucati ishte një ngjarje gëzimi, e cila ishte e plotë që Endriti ishte me neve, por që nuk ishte fare e plotë që babai i Endritit, Hashimi nuk ishte aty, dhe po ashtu pa Veselin, Baci Jakup, Rexhën, Nasimin, Calin e të gjithë të tjerët”, tha Hoxhaj.

    I pyetur nëse Endriti do të angazhohet në politikë, Hoxhaj tha se ai do të jetë i mirëseardhur kurdo, derisa shtoi se pjesëmarrja e tij te Gucati, ishte më shumë gjest individual se sa qëndrim politik.

    “Sot vizita atje, ka qenë më shumë kapacitet individual, si djali i Hashimit, që ne e shohim si me qenë vëllai ynë i vogël por është i mirëseardhur kurdo dhe është vendimi i tij, ai është që e bënë hapin e duhur. Mendoj që kur dikush vendosë që të angazhohet politikisht, dhe është vendim e merr në një moment të duhur, kurdo që ia merr mendja”, shtoi tutje ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: