ATV

Category: Lajme

  • Abazi: Nuk kam votë për rrëzimin e Kurtit, Kurti po tenton të bëjë “diktaturë elektronike”

    Abazi: Nuk kam votë për rrëzimin e Kurtit, Kurti po tenton të bëjë “diktaturë elektronike”

    Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se sanksionet e vendosura nga BE-ja për Kosovën e forocojnë kryeministrin Kurti në popullizëm, porse këto sanksione e dobësojnë Kosovën si shtet.

    “Nuk ka investitor që do të investojë në një vend ku ka sanksione”, tha Abazi, tani deputet i pavarur.

    Sipas tij, Kurti nuk e ka hallin e disponimit të diasporës. “I bie që jemi duke e bërë gabimin e radhës historik të vetizolimit të vetës edhe mbetjes prapa të proceseve të rëndësishme”.

    Sipas Abazit, Kurti po tenton të bëjë “diktaturë elektronike”.

    “Duke përdorur teknologjinë informative në funksion të politikës…shumica e kohës shpenzohet duke mundu me bërë indoktrinim nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.”, deklaroi Abazi në “Click” të RTV21.

    Ai u përgjigj me “jo” kur u pyet se a ka votë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

    “Absolutisht jo, nëse matjet në publik janë që përkrahja te qytetarët ekziston për këtë qeveri… sepse demokracia u pajtove e nuk pajtove duhet me u respektu, përndryshe do isha edhe unë kampin e Kurtit ku nuk respektohet”.

    “Deri në momentin kur Kurti nuk dëshmon qytetarëve të kundërtën duhet të jetë në udhëheqje, ka marrë mandate… Ne do e luftojmë në metoda demokratike”, deklaroi Haki Abazi.

  • Osmani-deputetes Kearns: Kosova është më e fortë me aleatë si ju

    Osmani-deputetes Kearns: Kosova është më e fortë me aleatë si ju

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim deputeten e Parlamentit Britanik, Alicia Kearns, të cilës i ka thënë se populli i Kosovës është përzemërsisht falënderues për punën e saj të çdoditshme në përkrahje të Kosovës dhe afirmimin e të vërtetës.

    “Kosova është më e fortë me aleatë si ju”, ka shkruar Osmani në Facebook, ku edhe ka postuar disa fotografi.

  • Kusari-Lila: S’mundet të ketë dialog pa siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Kusari-Lila: S’mundet të ketë dialog pa siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se s’mund të ketë dialog pa u ofruar garanci për sigurinë e Kosovës dhe sanksione ndaj Serbisë. Në ditën kur do të vijnë në Kosovë, emisarët evropianë dhe amerikanë, Kusari-Lila, përmend nevojën e barazisë në dialog dhe kërkon që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese, ndërsa Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

    Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, thotë se pa pasur një epilog për ndëshkimin e Serbisë dhe garancive për mospërsëritje të ngjarjeve të 24 shtatorit, është e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet për temat e kaluara.

    “24 shtatori e shpërfaqi Serbinë me të gjitha pretendimet për sulm të armatosur ndaj Kosovës, për cenim të sovranitetit dhe integritetit tonë. Gjithashtu edhe për destruktivitetin e vazhdueshëm paralel që ata kanë zhvilluar në kundërshti me vet frymën e dialogut dhe synimin e marrëveshjeve të arritura. Prandaj pa pasur një epilog në kuptimin e sanksionimit dhe të vlerësimit real të ndikimit të Serbisë do të jetë e pamundur që të ulet në tavolinë dhe të diskutohet me temat ku ishin… E para dhe më e rëndësishme në këtë fazë është siguria, garancia për siguri. Gjithashtu edhe garancia për mos përsëritjen e ngjarjeve të 24 shtatorit dhe e dyta pastaj është procesi afatgjatë. Në afatshkurtër dhe i menjëhershëm duhet të jetë përkushtimi për mossulmim dhe paqe, pasi veprimet pas 24 shtatorit nuk kanë treguar një seriozitet nga ana e Serbisë në raport me ngjarjet dhe situatën të cilët ata dukshëm dhe të faktuar e kanë mbështetur deri në rangun më të lartë shtetëror… Duhet doemos që të shihet qartë se duhet të merret përgjegjësia dhe duhet vendosur barazia ndërmjet palëve, Kosovës duhet t’i hiqen masat dhe Serbia duhet të mbajtur përgjegjës për sulmin terrorist të 24 shtatorit”, thotë Kusari-Lila.

    Përkitazi me këtë, ajo thekson se sulmi terrorist i 24 shtatorit, ka dëshmuar se Serbia është palë bllokuese në dialog.

    Ajo kërkon që Bashkimi Evropian t’i largon masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi sipas saj, atyre iu ka humbur kuptimi.

    Derisa edhe mirëpret rezolutën e Parlamentit Evropian, ku sulmi i 24 shtatorit, kualifikohet si terrorist dhe kërkohet nga institucionet të tjera të BE-së, të vendosin masa ndaj Serbisë si përgjegjëse për sulmin.

    “Tashmë i ka humbur kuptimi i atyre masave në bazë të shkakut dhe të pasojës, për çfarë janë vendosur dhe cilat janë veprimet e Kosovës që kanë mundur të shkaktojnë në raport me eskalimin. U pa se cila palë eskalojë situatën dhe cila është pala me potencialin e madh të rrezikimit të stabilitetit dhe sigurisë në tërë Ballkanin Perëndimor. Në vetvete nuk ka asnjë efekt përmbajtjesor ndaj Kosovës por duhet të gjenden forma apo mënyra sesi Bashkimi Evropian t’i tërheqë ato siç i ka vendosur”, thekson ajo.

    Në anën tjetër, shefja e deputetëve të LVV-së, deklaron se zgjedhjet në katër komunat verore, mund të organizohen vetëm përmes peticionit që mundëson largimin e kryetarëve aktual.

    “Të bëhet presion në Kosovën për organizim të zgjedhjeve apo tërheqje të kryetarëve të komunave pa u marrë parasysh të gjithë faktet të tjera siç janë se zgjedhjet ishin caktuar, pastaj shtyrë, pastaj prapë afati për certifikimin e partive politike për t’iu mundësuar Listës Serbe të marrin pjesë, përkundër që nuk ndodhi ajo është tash absurde. Duhet të kuptohet dhe vlerësohet situata në teren qartë dhe saktë mbi parimet e sjelljet e deritanishme. Natyrisht të gjithë kanë treguar gatishmëri, prej nivelit më të lartë shtetëror, presidentes, kryeministrit kanë thënë se janë të gatshëm për një procese të rregullt zgjedhor siç parashihet me Kushtetutën dhe ligjet”, thotë Kusari-Lila.

    Në lidhje me kërcënimet për pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën, Kusari-Lila, thotë se e njëjta nuk mund të ndodh, pavarësisht deklaratave që mund të bëhen në lloj presioni për vendin.

    “Jo nuk mund të ndodh, s’ka format të tillë. Qytetarëve të Kosovës duhet t’iu hequr merakun që ka mundur të tingëllojë një pezullim formal, pasi nuk mund të bëhet në formën deklarative nga një president apo udhëheqësi i një shteti individualisht të Bashkimi Evropian”, shton ajo.

    Sa i përket punës në Kuvendin e Kosovës, shefja e deputetëve të mazhorancës paralajmëron se do të ketë diskutime me partitë opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Nuk ishin ende masat e BE-së kur PDK-ja vendosi masa ndaj qytetarëve të vendit duke thënë se nuk e konsiderojnë se kjo qeveri duhet të vazhdojë qeverisjen dhe nuk votojmë deri sa të shkojmë në zgjedhje. Janë vendime të cilat kanë ndodhur para kauzave të cilat pastaj u ndërtuan dhe në situatën aktuale ne e shohim se duhet diskutuar. Në aspektin e kompromisit nuk ka kompromis në aspektin e vlerave por diskutime duhet të ketë”, përfundon ajo.

  • Sot përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha

    Sot përurohet busti i bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha

    Sot bëhet përurimi i bustit të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha në fshatin e saj të lindjes, Pagarushë të Komunës së Malishevës.

    Sipas njoftimit të komunës, ky aktivitet organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë (vendlindja e Nexhmije Pagarushës).

    Aktivitet do të mbahen sipas kësaj agjende:

    Ora 10:00-Nderime te varri i Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

    Ora 10:30-Përurimi i Bustit të Nexhmije Pagarushës, në Pagarushë.

    Ora 11:30-Program artistik në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë.

    Mbretëresha e këngës shqipe Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës dhe ka vdekur më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare.

    Kur flitet për të, përdoren në një frymë shumë epitete si, Bilbili i Kosovës, Mbretëresha e këngës shqipe, Primadona e Melosit Popullor, e shumë epitet të tjera.

    Veprimtaria muzikore 50-vjeçare e Nexhmije Pagarushës është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i ka takuar. Ajo është njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

    ”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj, e cila ishte shkruar nga tekstshkruesi Rifat Kukaj.

  • Shtime: Një burrë raporton në Polici se vajza e tij është zhdukur

    Shtime: Një burrë raporton në Polici se vajza e tij është zhdukur

    Një burrë nga Shtimja ka raportuar se vajza e tij është zhdukur.

    “ 20.10.2023-16:30. Me 20.10.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij  femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është duke u hetuar.

  • Arrestohen dy femra në Podujevë, penguan dhe sulmuan fizikisht zyrtarët policorë

    Arrestohen dy femra në Podujevë, penguan dhe sulmuan fizikisht zyrtarët policorë

    Dje janë arrestuar dy të dyshuara femra kosovare pasi të njëjtat në shenjë pakënaqësie me shqiptimin e një gjobe për kundërvajtje në trafik, kanë penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

    Si pasojë e sulmit njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

    Policia njoftoi se rasti ka ndodhur në fshatin Penuhë të Podujevës, derisa të dyshuarat me vendim të prokurorit janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

  • Kryeministri Kurti takon sot pesëshen euro-amerikane

    Kryeministri Kurti takon sot pesëshen euro-amerikane

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret sot në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

    Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 10:00.

    Ndryshe, një ditë para vizitës së diplomatëve perëndimorë, Kurti ka thënë se të shtunën do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë.

    Ai sërish e ka vënë theksin te siguria në vend, pa të cilën ka thënë se s’mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.

    “Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin e shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksione”, ka thënë Kurti.

    Ndërsa Bashkimi Evropian ka njoftuar se vizita e pesëshes euro-amerikane ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe uljen e tensionimit të situatës.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi se sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat në pjesën veriperëndimore të dukagjinit dhe në vise të larta mund të sjellin reshje shiu, kryesisht me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 22-26 gradë Celsius.

    Ndërsa të dielën parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës 22-26 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-12 m/s.

  • Gjykata Komerciale reagon rreth deklarimeve publike, për rastin e marrjes së vendimit për “Rruga A”!

    Gjykata Komerciale reagon rreth deklarimeve publike, për rastin e marrjes së vendimit për “Rruga A”!

    Gjykata Komerciale e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale.

    “Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte”, ka deklaruar Gjykata.

    Tutje, Gjykata Komerciale në reagimin e saj njofton se palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar.

  • Uji, i papijshëm për ata që furnizohen nga Badoci

    Uji, i papijshëm për ata që furnizohen nga Badoci

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pasi piu një gotë ujë, Armend Metaj kishte ndier simptoma helmimi. Uji, i cili buronte nga ujësjellësi rajonal i Prishtinës, u bë shkaktar që ai të kërkonte trajtim mjekësor muaj më parë.

    “Njerëzit mund të helmohen nga uji, rasti konkret më ka ndodhur mu, jam infektuar në lukth prej ujit, ka mundur me ndodh edhe prej ushqimit që është pastruar nga ai ujë, ama kryesore është uji, kjo gjë edhe faktohet”, tha Metaj.

    Ai thotë se situata mund t’i kishte ndodhur prapë atij e shumë qytetarëve nëse IKSHP-ja nuk do të kishte dalë me njoftim për cilësinë aktuale të ujit nga Badoci, që sipas rezultateve laboratorike rezultoi me rritje të vlerës së manganit.

    Aktualisht, ujin nga rezervat e Badocit qytetarët po e përdorin për shërbime të tjera, por jo pirje.

    “Ne këtë ujë nuk mundemi me përdor për pirje, përveç për pastrim ose diçka se mundemi të helmohemi”, tha Metaj.

    Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit “Prishtina“, tha se nuk ka arsye për shqetësim. Sipas saj, prania e manganit gjatë stinës së vjeshtës është dukuri natyrore.

    “Nuk ka vend për shqetësime, sepse është dukuri natyrore dhe kjo kalon, është rezultati i stinës së vjeshtës, nuk është hera e parë nëse mangani paraqitet për një kohë të shkurtër”, tha Mjeku.

    Me qëllim të lehtësimit të kësaj situate e cila, sipas KRU-së, është çështje ditësh, ujësjellësi ka vendosur autobote në rrugën Muharrem Fejza, Hajvali, Kishnicë e Graçanicë, përmes të cilave qytetarët mund të furnizohen me ujë të pijshëm deri në njoftimin e radhës.