ATV

Category: Lajme

  • Pesë emisarët arrijnë në Beograd, fillojnë takimin me Vuçiqin

    Pesë emisarët arrijnë në Beograd, fillojnë takimin me Vuçiqin

    Pesëshja e emisarëve perëndimorë ka arritur në Beograd.

    Ata rreth orës 14:30 kanë arritur në presidencën serbe dhe kanë filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic.

    Pesëshja e udhëhequr nga Lajcak dhe e përbërë nga Escobar, Plotner, Bone dhe Cattaneo gjatë paradites kanë qëndruar në Prishtinë ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kanë propozuar edhe një plan të ri për atë se si duhet ecur përpara me dialogun.

    Lajcak ka thënë se të njëjtin plan do t’ia dorëzojnë edhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic prej të cilit presin gjithashtu komente.

    Presidenti serb pak para këtij takimi kishte dramatizuar duke thënë se s’ka fjetur me netë të tëra dhe se ky takim i sotëm do të jetë prej ditëve më të vështira për të dhe për Serbinë

  • Mbi 4 mijë palestinezë të vdekur, mes tyre 1.756 fëmijë

    Mbi 4 mijë palestinezë të vdekur, mes tyre 1.756 fëmijë

    Të paktën 4,385 persona janë vrarë dhe 13,651 janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite të Gazës që nga 7 tetori, tha sot Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

    Nga numri i përgjithshëm i viktimave 1,756 ishin fëmijë dhe 976 gra, shtoi ministria e shëndetësisë.

    Autoritetet lëshuan gjithashtu një deklaratë duke kritikuar përjashtimin e karburantit nga ndihmat humanitare që dërgohen në Gaza.

    Ato argumentuan se do të vendoste jetën e të sëmurëve dhe të plagosurve në rrezik.

    “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Egjiptit që të punojnë menjëherë për të sjellë karburant dhe nevoja urgjente shëndetësore përpara se të humbin më shumë viktima në spitale”, thuhet në deklaratë.

  • ALDE miraton rezolutën për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen

    ALDE miraton rezolutën për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen

    Këshilli i Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE) miratoi me shumicë të plotë një rezolutë urgjente për pranimin e Bullgarisë në Shengen, të propozuar nga Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (MRF), tha zyra e shtypit e eurodeputetit Ilhan Kyuchyuk, të shtunën.

    Partitë anëtare të Aleancës i bëjnë thirrje Këshillit Evropian që të heqë menjëherë veton për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, duke theksuar faktin se vetoja e pajustifikuar ndaj dy vendeve ka një sërë pasojash negative, pasi shkel sundimin e ligjit, dëmton reputacionin e BE-së, nxit propagandën antievropiane, diskriminon qytetarët dhe bizneset.

    ALDE argumenton se pranimi i të dy vendeve në Shengen do të forcojë kufijtë e jashtëm të BE-së, do të përmirësojë bashkëpunimin midis autoriteteve të zbatimit të ligjit, dhe do të nxisë rritjen ekonomike dhe tregtinë. /BTA

  • Muaji rozë, mamografia nuk është proces i dëmshëm e as i dhimbshëm

    Muaji rozë, mamografia nuk është proces i dëmshëm e as i dhimbshëm

    Aleanca e Gruas së Kosovës me mbështetje të Institutit Ndërkombëtar Demokratik (NDI), në kuadër të fushatës sensibilizuese për kancerin e gjirit, organizoi sot një panel diskutimi me temën ‘’Zbulimi i hershëm shpëton jetë, bashkë jemi më të forta”.

    Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Diellza Kukaj tha se emocionohet sa herë që dëgjon historitë prekëse të grave që kanë fituar betejën ndaj kancerit të gjirit.

    “Sinqerisht, emocionohem shumë sa herë që dëgjoj historitë prekëse të grave të forta dhe luftarake, të cilat kanë triumfuar betejën mbi këtë sëmundje. Janë ato gra, të cilat nuk flasin vetëm për vetën, por flasin për qindra e mijëra gra të tjera në Kosovë, por edhe më gjerë… Jo shumë kohë më parë, nuk flitej më tutje për këtë sëmundje, me raste të caktuara nuk ndaheshin as momente të vështira, sikur ky të ishte një detaj familjar, i cili nuk do të shërbente për asgjë nëse nuk do të ndahej me të tjerët…Muaji rozë le të shndërrohet në fushatë simbolike që na vetëdijeson të gjithëve për kujdesin e shtuar që duhet të kemi ndaj trupit tonë në çdo ditë të vitit”, tha Kukaj.

    Ndërkaq, onkologu Behar Raci tha se numri i të prekurve me kancer të gjirit është në rritje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel botëror.

    “Kjo fushatë e ndërgjegjësimit nga viti në vit ka shkuar duke u rritur dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë. Kështu së bashku, duke e rritur sensibilizimin ne ndikojmë pozitivisht duke zbuluar në stadet sa të më hershme ose duke zvogëluar edhe incidencën që do të na ndihmojë në trajtim. Sëmundja e kancerit të gjirit është një ndër sëmundjet më sfiduese që sot përballet jo vetëm Kosova dhe rajoni, por përballet gjithë njerëzimi. Sëmundjet kanceroze në botë, janë në vendin e dytë, si për nga vdekshmëria edhe numri i rasteve”, tha Raci.

    Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkendije Naza tha se mamografia duhet të bëhet edhe pa pasur simptoma, pasi nuk është proces i dëmshëm, por as i dhimbshëm.

    “Gjëja më e parë që do të donim ta bënte një pacient që të shkonte te mjeku pa pasur asnjë simptomë, ta mbërrijë moshën 40-vjeçare pa asnjë simptomë ta bëjë një mamografi. Kjo është rruga më e shpejtë, më e shkurtër dhe më e saktë e diagnostikimit të pacientit…Mamografia është metodë që bëhet me rreze Rëntgen, për sqarim për të gjithë, rrezet Rëntgen që përdoren për mamografi janë rreze të dobëta, aq të buta sa që absolutisht asnjë efekt anësor nuk e kanë te shëndeti i femrës”, potencoi Nuza.

    Drejtoresha e Organizatës “Renesansa”, Violeta Pirana ndau përvojën e saj kur ishte prekur nga kanceri i gjirit, derisa tha se marrja e lajmit të diagnostikimit me këtë sëmundje ‘është një ankth i madh’.

    “Kur merr një grua diagnozën e kancerit, atëherë ajo është një ankth i madh, që rrënon të gjitha ëndrrat, rrënon të gjitha synimet që ka pasur në jetë, sepse kanceri i gjirit atakon më së shumti mbi moshën 50-vjeçare deri në 60… Në momentin kur merr një lajm të hidhur që ke kancer, e vetmja gjë që të shkon në mendje në të mijtën e sekondës se edhe sa vjet më kanë mbetur të jetoj. Për këtë gjë nuk flet pacienti, kjo gjë e mundon”, u shpreh Pirana.

    Ndryshe, tetori është i njohur si muaji rozë që ka për qëllim trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

  • ​Meloni: Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupi militant palestinez

    ​Meloni: Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pengjeve të marra nga grupi militant palestinez

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha në një samit të paqes në Lindjen e Mesme në Kajro të shtunën se “ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm” të pengjeve të marra nga grupi militant palestinez në sulmin e tij të papritur të përgjakshëm ndaj Izraelit dy javë më parë, më 7 tetor.

    “Jemi shumë të shqetësuar për fatin e pengjeve, ka edhe italianë, dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të pengjeve”, tha ajo në samit, raporton ANSA.

    Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi Operacionin “Al-Aksa Flood”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri lëshimesh raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

    Hamasi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë “Al-Aksa” dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

    Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

    Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

    Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet e njerëzve”.

  • Sekretarja franceze për çështje Evropiane: Është e rëndësishme që Kosova të riangazhohet në dialog

    Sekretarja franceze për çështje Evropiane: Është e rëndësishme që Kosova të riangazhohet në dialog

    Sekretarja e shtetit franceze për Evropë, Laurence Boone, ka shkruar lidhur me takimin që ka pasur me numrin dy të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi në Paris.

    Boone ka thënë se në këtë takim ka shprehur dënimin e sulmit të 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës duke e cilësuar sulmin si të papranueshëm.

    Gjithashtu ajo në takim ka theksuar rëndësinë që Kosova të ri-angazhohet në dialog me Serbinë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me synim normalizimin e raporteve.

    “Me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Dënim i sulmit të papranueshëm të 24/09 kundër policisë së Kosovës. Është e rëndësishme që Kosova të riangazhohet në dialog me Serbinë, të lehtësuar nga BE, me synim normalizimin e marrëdhënieve të tyre” , ka shkruar Sekretarja franceze për Evropë.

  • Vërtetohet aktgjykimi dënues me 7 vite burgim ndaj të akuzuarës për vrasjen e motrës

    Vërtetohet aktgjykimi dënues me 7 vite burgim ndaj të akuzuarës për vrasjen e motrës

    Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës F.S., lidhur me akuzën për vrasjen e motrës T.S në Fushë-Kosovë, e cila ishte dënuar me 7 vite burgim. Po ashtu, të akuzuarës i ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarës F.S., ishte shpallur më 15 mars 2023 nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në vendimin e Apelit, të marrë më 14 korrik 2023, thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit së të akuzuarës F.S., avokates, Halit Shaljani, ndërsa aktgjykimi i Themelores, i marrë më 15 mars 2023 është vërtetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar sipas ankesës së ushtruar nga ana e mbrojtësit së të akuzuarës F.S., avokat Halit Shaljani, dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale aktgjykimi nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.

    Sipas Apelit, Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka përpiluar aktgjykimin, e po ashtu edhe dispozitivi i të njëjtit është i qartë, i kuptueshëm, në harmoni me vetveten.

    Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se e akuzuara ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, nga neni 173 par.1 pika 1.3 lidhur me nenin 18 par.2 të KPK, duke e privuar nga jeta motrën e vet, dhe në mënyrë të qartë e ka bërë përshkrimin e veprës penale të kryer, të cilën e ka kryer në gjendje esencialisht të zvogëluar mendore, rrethanë të cilën e ka pasur parasysh gjatë të gjithë procedimit.

    Sipas kolegjit të Apelit, me dënimin e këtillë të shqiptuar, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandaloj kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e saj, të parandaloj personat e tjerë, nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale.

  • Kryeministri Kurti jep detaje për takimin me emisarët

    Kryeministri Kurti jep detaje për takimin me emisarët

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe  Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

    Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

    Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.

  • Izraelit i bëhet thirrje të shpallë një armëpushim 48-orësh

    Izraelit i bëhet thirrje të shpallë një armëpushim 48-orësh

    Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib po i kërkon Izraelit të shpallë një armëpushim 48-orësh, duke i thënë CNN se “atëherë do të dimë saktësisht se kush po fillon çfarë”.

    Në një intervistë për CNN, Habib tha se vendi i tij është shumë i shqetësuar se lufta mund të përhapet në rajon. “Në të vërtetë ne nuk duam luftë. Qeveria nuk dëshiron luftë. Ne po dialogojmë me grupe të ndryshme. Por është e pakontrollueshme sepse gjithçka varet nga ajo që ndodhi në Gaza,” tha Bou Habib.

    Ndërsa Izraeli përgatitet për fazën tjetër të luftës me Hamasin në Gaza, grupi i mbështetur nga Irani Hezbollah ka shkëmbyer zjarr me forcat izraelite përtej kufirit në Izraelin verior dhe Libanin jugor.

    Më herët të premten, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, nënkoloneli Peter Lerner tha për CNN se: “Qeveria e Libanit, çdo gjë që ndodh nga territori i tyre sovran, ata janë përgjegjës dhe do të mbahen përgjegjës për këtë. Një shtet sovran ka kontroll mbi kufijtë e tij. Ata kanë përgjegjësinë të sigurohen që terroristët si Hezbollahu, një ushtri terroriste, të mos ndërmarrin sulme kundër Izraelit.”

    “Le të bëjmë thirrje për një armëpushim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Në vend që të kërcënojmë,” tha Habib.

    I pyetur nëse qeveria e tij ka kontroll mbi Hezbollahun, ministri i Jashtëm libanez tha se: “Njerëzit janë të ndërlidhur këtu, politikisht dhe madje edhe nga gjaku. Pra, ne nuk mund t’i ndalojmë ata të hakmerren nëse vërtet situata në Gaza do të përkeqësohet më keq se sa është tani”.

    “Ata (Hezbollahu) nuk duan një luftë. Por dua të them, ju nuk mund ta kontrolloni atë. Gjithçka varet, përsëri, nga ajo që ndodh në Gaza, nga pushtimi i Izraelit në Gaza,” shtoi ai.

  • Naim Tërnava rikonfirmohet në postin e Myftiut për të pestën herë me radhë

    Naim Tërnava rikonfirmohet në postin e Myftiut për të pestën herë me radhë

    Trupi zgjedhor i Bashkësisë Islame të Kosovës, në një mbledhje të veçantë, ka rizgjedhur në krye të këtij institucioni fetar edhe për një mandat pesë vjeçar, myftiun Naim Tërrnava.

    Kryetarë e Këshillave dhe drejtuesit e institucioneve të Bashkësisë Islame në gjithë Kosovën, në mënyrë unanime votuan për zgjedhjen e Tërrnavës.

    Si kandidat i vetëm në këtë garë, Naim Tërrnava do të jetë në krye të BIK-ut deri në vitin 2028.

    Kjo është hera e pestë që Tërrnava rimerrë drejtimin e BIK-ut.