ATV

Category: Lajme

  • Plani ‘’misterioz’’ i ndërkombëtarëve

    Plani ‘’misterioz’’ i ndërkombëtarëve

    Përgatiti: Armand Hoti

    As Qeveria e Kosovës, e as Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë detaje për planin që Emisari Special i BE-së, Miroslav Lajçak, paraqiti të shtunën para liderëve në Prishtinë dhe Beograd.

    Njohës të rrethanave politike, shprehen optimistë se plani që shënon një hap tjetër të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmban një qasje më të balancuar në raport me dy vendet.

    Politologu Fidan Ukaj, beson se bëhet fjalë për një plan sekuencimi që synon të shtyjë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Në diskutim me akterët e rëndësishëm me akterët evropian dhe amerikan mendoj se do ketë një plan final të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve që do u prezantohet palëve dhe pastaj do jetë ajo faza merre ose lëre dhe brenda planit do jenë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe afatet kohore të përcaktuara nga ndërkombëtarët”, tha Ukaj.

    Pos themelimit të asociacionit sa më parë, që është kërkesë edhe e ndërkombëtarëve, politologu Ukaj pret që në plani i ri paralelisht të kërkoj edhe zbatimin e obligimeve të Serbisë.

    “Sigurisht se aty paralel janë futur edhe obligimet e Serbisë, qoftë në zbatim të marrëveshjes për energji, targat, njohjen e dokumentacionit, vulës doganore, por sigurisht se formimi i Asociacionit sipas ndërmjetësuesit do jetë pika kyqe e këtij plani që tashmë është prezent edhe para palëve”, tha Ukaj.

    Ndërkohë, profesori universitar Basri Muja, thekson se plani mund të mbahet larg syve dhe veshëve të publikut deri në një fazë të caktuar pikërisht për t’u shmangur mundësia e presionit publik ndaj pjesëmarrësve dhe ndërmjetësuesve.

    Profesori Muja mbështet prioritet për Kosovën për siguri territoriale e saj. Sipas tij, kjo duhet të respektohet edhe nga ndërmjetësuesit.

    “Mediatorët duhet ta marrin parasysh prioritetin e Kosovës se pse e kam që ngjarjet e shtatorit mundë ta ndryshojnë situatën jo vetëm në veri të Kosovës”, tha Muja.

    Muja shprehet optimist se plani në fjalë mundë të jetë më i balancuar nga ai i paraqitur në takimin e shtatorit në Bruksel, por skeptik për arritjen e një marrëveshjeje.

    “Unë shpresoj që do jetë më i ekuilibruar edhe më pro Kosovë sado që do ketë edhe pika që do duhej të jenë të pranueshme për Serbinë që të ia ‘’ruajnë fytyrën Serbisë’’, por nuk pres që dy palët janë të gatshme të arrijnë marrëveshje. Qështja është si të menaxhohet faji për dështimin e këtyre bisedimeve dhe shpresoj që Kurti të dijë që të mos jetë Kosova fajtore për dështimin e këtij rundi”, tha Muja.

    Ndërkaq, sulmet e 24 shtatorit janë cilësuar nga Bashkimi Evropian si terroriste, teksa është kërkuar nga Serbia bashkëpunim i plotë dhe pakushte në zbardhjen e tyre.

    Parlamenti Evropian, pak ditë më parë përmes në rezolute ka kërkuar angazhim më intensiv nga ndërmjetësuesit e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Asnjë iniciativë për shkarkimin e katër kryetarëve në veri

    Asnjë iniciativë për shkarkimin e katër kryetarëve në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Lista Serbe u shpreh e gatshme që të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave veriore.

    Por, deri më tani nuk ka nisur asnjë iniciativë për organizimin e peticionit për largimin e kryetarëve aktualë, sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Sidoqoftë, një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti sipas gazetarit serb, Branislav Krstic. Ai thotë se Serbia do të mundohet me çdo kusht t’iu shmanget sanksioneve, madje duke i pranuar edhe kushtet e Qeverisë së Kosovës.

    Krstic thotë se qytetarët serbë këtu sërish do të jenë të detyruar të marrin pjesë në zgjedhje, pavarësisht vullnetit të tyre.

    Megjithatë, kurdo që të nisë, një procedurë e tillë merr goxha kohë, kështu që zgjedhjet zor se do të mund të mbahen brenda këtij viti.

    Katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, udhëhiqen për herë të parë nga kryetarë shqiptarë, ndonëse morën mandat me fare pak vota, pasi serbët e veriut bojkotuan, nuk morën pjesë në zgjedhje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Serwer: Vuçiq përdori shërbimin sekret dhe Listën Srpska për kryengritje në Veri

    Serwer: Vuçiq përdori shërbimin sekret dhe Listën Srpska për kryengritje në Veri

    Profesori në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, në një intervistë për Krug 99 të Sarajevës thotë së Beogradi po përpiqet të krijojë atë që tashmë është pagëzuar si “bota serbe” duke kontrolluar fatin politik të serbëve në vendet fqinje.

    “Presidenti Vuçiq dëshiron të kontrollojë fatin politik të serbëve në vendet fqinje. Kjo përfshin jo vetëm Bosnjën dhe Hercegovinën, por edhe Malin e Zi dhe Kosovën. Ai po përdor forcat e tij të sigurisë dhe inteligjencës, financimin, dezinformimin dhe Kishën Ortodokse Serbe për të kapërcyer rezistencën dhe për të siguruar që demokracitë serioze, të lidhura me Perëndimin, nuk mund të shfaqen në periferi të Serbisë” thotë Serwer.

    Ish-diplomati amerikan thekson se Vuçiq ka qenë më i suksesshëm në Malin e Zi, ku ai shfrytëzoi pakënaqësinë ndaj ish – Presidentit Gjukanoviq dhe DPS-it që sundonte prej kohësh.

    “Kjo pakënaqësi fuqizoi një opozitë pro-evropiane, e cila po kërkon mbështetje nga Beogradi dhe përfaqësuesit e tij. Ironia është se Gjukanoviq kryesoi, me dinjitet, një tranzicion kryesisht paqësor dhe tërësisht kushtetues që po sjell kundërshtarët e tij hipokritë në pushtet” thotë tutje Serëer. Duke folur për Kosovën Serwer thotë se përpjekja e hapur politike e Vuçiqit për të kontrolluar popullsinë serbe kryhet përmes Listës Srpska.

    “Por ai gjithashtu përdor shërbimet sekrete serbe dhe aleatët e tyre në krimin e organizuar për të siguruar që popullata serbe, veçanërisht në veri, t’i qëndrojë besnike Beogradit, jo Prishtinës” thotë ai.

    “Ne e pamë atë kombinim në vepër më 24 shtator, kur Lista Srpska dhe shërbimet sekrete tentuan një kryengritje të armatosur. Policia e Kosovës dhe KFOR-i e penguan këtë” shton Serwer.

    Sipas profesorit amerikan Vuçiç që atëherë është ka shkuar shumë në drejtim të Rusisë dhe Kinës.

    “Ai pa dyshim ka frikë se SHBA dhe Evropa do të kërkojnë që ai të kërkojë falje për kryengritjen e 24 shtatorit dhe të premtojë se nuk do të ndodhë më.

  • Presidentja Osmani në Nju Jork, përfaqëson Kosovë në Këshillin e Sigurimit

    Presidentja Osmani në Nju Jork, përfaqëson Kosovë në Këshillin e Sigurimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik për zhvillimet në Kosovë.

    Në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, presidentja Osmani do të flasë për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator, njofton Presidenca.

    Ndër të tjera, Osmani thuhet se do të flasë edhe për përkushtimin e institucioneve të Republikës për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë me aleatë e partnerë të Kosovës.

    Para takimit të Këshillit të Sigurimit, presidentja pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e shteteve aleate.

    Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 21:00 me kohë të Kosovës ndërkaq në orën 15:00 me kohë të Nju Jorku-ut.

  • Kurti takon Kearnsin: Prioritet, siguria e shtetit dhe qytetarëve

    Kurti takon Kearnsin: Prioritet, siguria e shtetit dhe qytetarëve

    Prioritet kryesor për Kosovën është sigurua e shtetit dhe e qytetarëve, është thënë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me deputeten britanike, Alicia Kearns, që së fundmi qëndroi në Kosovë.

    Për vizitën e kryetares së Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar nuk janë dhënë detaje. Takimet janë mbajtur pa publicitet për shkak të sigurisë së saj. Deputetja britanike ishte figura e parë ndërkombëtare që alarmoi për armatimin serb në kishat në Kosovë. Pak muaj pas alarmit të bërë nga ajo, në Zveçan një grup i armatosur serbësh vrau policin Afrim Bunjaku, e në aksionin e Policisë u kap arsenal i madh armësh. Gjatë aksionit të Policisë, sulmuesit u strehuan në Manastirin e Banjskës.

    Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Kearsnit për Kosovën.

    “Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve. U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftim.

    Deputetja Kearns ka pasur takime edhe me udhëheqës të tjerë institucionalë në Kosovë. Ajo ka parë nga afër edhe armët e kapura nga Policia e Kosovës.

  • Jevtiq: Pres që pesëshja të krijojë mekanizma që mundësojnë themelimin e Asociacionit

    Jevtiq: Pres që pesëshja të krijojë mekanizma që mundësojnë themelimin e Asociacionit

    Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se pret që pesë emisarët euro-amerikanë të cilët vizituan Beogradin dhe Prishtinën, të krijojnë më në fund mekanizmat që do të mundësojnë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

    “Së pari nuk kam asnjë pritshmëri nga Kurti, pavarësisht se çfarë mund t’i ketë thënë apo premtuar në takim. Dhe presidenti i Francës tha se ka pasur premtime të bëra më parë, të cilat nuk janë realizuar. Prandaj nuk pres që të ndryshojë asgjë”, tha Jevtiq për Kosovo Online.

    Jevtiq tha emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar iu kishin thënë atyre se “Asociacioni do të formohet si parakusht për zgjedhjen e çështjeve tjera”.

  • Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi

    Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen, miqtë, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetin kulturor me rastin e ndarjes nga jeta të skulptorit Luan Mulliqi.

    “Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ndarjen nga jeta skulptorit Luan Mulliqi. Veprat e tij artistike do të mbeten trashëgimi e jona dhe kujtesë e përhershme e tij. Pas vetes la një fond të pasur artistik nga skulptura monumentale bashkëkohore dhe ajo kombëtare. Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e skulptorit të shquar. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe komunitetit kulturor!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.

  • ASK lajmëron përsëri që regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet, Qeveria s’flet

    ASK lajmëron përsëri që regjistrimi i popullsisë mund të shtyhet, Qeveria s’flet

    Regjistrimi i popullsisë së Kosovës mund të shtyhet përsëri nëse nuk sigurohen tabletët që duhen për këtë proces. Nga Agjencia e Statistikave kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se sigurimin e materialeve për këtë proces e ka marrë përsipër Qeveria e Kosovës, në mënyrë që regjistrimi të fillojë më 1 nëntor. Por, nga Qeveria ende nuk kanë kthyer përgjigje. Sfidë mbetet edhe regjistrimi i komunitetit serb që jeton në Kosovë.

    Regjistrimi i popullsisë, i cili do të duhej të fillonte në shtator të këtij viti, u shty nga Qeveria e Kosovës për 1 nëntor. Por, ky regjistrim mund të shtyhet përsëri nëse nuk sigurohen materialet e nevojshme për këtë proces. Zyrtarja e lartë për komunikim me publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Hazbije Qeriqi, tha për Radio Kosovën se janë duke punuar për procesin e regjistrimit, por sfida kryesore mbetet sigurimi i tabletëve me anë të të cilëve do të bëhet ky regjistrim. Ajo bëri të ditur se nëse nuk mund të sigurohen tabletët brenda afatit, atëherë procesi i regjistrimit të popullsisë mund të shtyhet.

    “Sigurisht se duhet të shtyhet, për shkak se me mënyra të tjera më nuk kemi kohë. Për dallim nga viti 2011, ku regjistrimi është zhvilluar me letër, kësaj radhe ne kemi planifikuar që regjistrimi të kryhet përmes tabletëve me aplikacione elektronike. Pra, nuk e kemi komoditetin të vazhdojmë në forma të tjera”, tha Qeriqi.

    Ajo bëri të ditur se kanë pasur takime të shumta me qeverinë dhe institucionet e tjera përkatëse, të cilat kanë marrë përsipër që të sigurojnë tabletët përmes procedurave tenderuese. Ajo tha se Agjencia e Statistikave pati nënshkruar në muajin gusht një kontratë me një kompani që do të sillte tabletët në muajin shtator, por kjo ka dështuar pasi kompania nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara. Për këtë arsye me këtë kompani është shkëputur kontrata dhe është angazhuar qeveria për t’i siguruar tabletët me kohë. Radio Kosova ka kërkuar nga qeveria përgjigje nëse ka arritur t’i sigurojë tabletët, në mënyrë që procesi i regjistrimit të popullsisë të fillojë me 1 nëntor, por nuk ka marrë përgjigje.

    Për procesin e regjistrimit të popullsisë, sfidë mbetet edhe regjistrimi i komunitetit serb, për të cilin, Qeriqi bëri të ditur se do të dalin shumë shpejt me një fushatë sensibilizuese.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës përgatitet edhe për territorin e veriut të Kosovës, ku mendojmë ta mbulojmë të gjithë territorin e Kosovës, e sigurisht që fushata sensibilizuese do ta përfshijë edhe atë pjesë. Me rëndësi është se me formimin e Komisionit Qendror nga Qeveria e Kosovës, ata kanë krijuar edhe komisionet komunale, që në fillim kanë mundur vetëm 34 komuna të formojnë komisionet. Ndërsa, së fundmi me ardhjen e kryetarëve të rinj në komunat në veri janë formuar edhe komisionet komunale për atë pjesë me komunitetet serbe”, tha ajo.

    Përgatitjet për procesin e regjistrimit kanë pasur edhe sfida të tjera. Zyrtarja për komunikim, Hazbije Qeriqi, tha se konkursi për regjistrues e mbikëqyrës është mbyllur, ndërsa numri i kandidatëve që kanë aplikuar për regjistrues, që duhet të ishte rreth 3 mijë e 500, nuk është plotësuar, pasi nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm. Kurse, për mbikëqyrës është plotësuar numri.

    Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, pasi kishin refuzuar procesin.

  • QKUK: Profesori nga Australia po kryen operacione të komplikuara tek fëmijët

    QKUK: Profesori nga Australia po kryen operacione të komplikuara tek fëmijët

    Për herë të dymbëdhjetë, profesori dhe humanisti, Paddy Dewan, nga Australia, bashkë me ekipin e mjekëve nga Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe Anesteziologjisë, po kryejnë operacione tek fëmijët që kanë anomali të lindura kirurgjike komplekse.

    Sipas QKUK-së, ky ekip ka kryer operacione dhe konsultime edhe gjatë fundjavës, kurse në tërësi do të operohen 19 fëmijë, kurse janë konsultuar-vizituar 32 fëmijë me probleme kirurgjike.

    Ekipi i udhëhequr nga profesori nga Australia ka ardhur në Kosovë me 18 tetor dhe do të qëndroj deri me 25 tetor 2023.

  • Kreu i burgjeve të Kosovës po merr pjesë në konferencën e madhe ndërkombëtare të Shërbimeve Korrektuese

    Kreu i burgjeve të Kosovës po merr pjesë në konferencën e madhe ndërkombëtare të Shërbimeve Korrektuese

    Drejtori i burgjeve në Kosovë, Ismail Dibrani po qëndron për vizitë zyrtare në Belgjikë.

    Në konferencën ndërkombëtare me drejtorët e Shërbimeve Korrektuese, po marrin pjesë 73 shtete.

    Në këtë ngjarje të madhe për Shërbimin Korrektues, Dibrani takoi edhe Komesioneren e Shërbimit Korrektues të Singaporit znj. Shie Young Lee.

    Njoftimi i Dibranit:

    Në hapje të Konferencës Ndërkombëtare me drejtorët e Shërbimeve Korrektuese që po mbahet në Belgjikë e ku po marrin pjesë 73 shtete pata rastin të takoj Komesioneren e Shërbimit Korrektues të Singaporit znj. Shie Young Lee.

    Konferenca do të jetë mundësi e mirë për të takuar përfaqësuesit e shumë shteteve ku do të diskutojmë thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha.