ATV

Category: Lajme

  • Arrestimi i shtetasve serbë në Kosovë – cila është mundësia e ekstradimit?

    Arrestimi i shtetasve serbë në Kosovë – cila është mundësia e ekstradimit?

    Ministria e Drejtësisë thotë se procesi I ekstradimit për të kërkuarit nga INTERPOLI, do devijojë njëjtë edhe për shtetasit serbë sikurse për gjithë të tjerët. Avokat e gjyqtarë thonë se Kosova nuk duhet të bëhet strehë e kriminelëve teksa, kujtojnë se Serbia nuk ka përmbushur asnjëherë obligimet e ekstradimit të kriminelëve

    Një i kërkuar nga INTERPOL-i i cili u arrestua disa ditë më parë nga njësiti FAST i Policisë së Kosovës ishte nënshtetas serb.

    Strehë për të nuk u bë shumë gjatë Kosova, pasi i njëjti u kap menjëherë.

    Mirëpo, edhe pse shteti i të cilit i takon i arrestuari, Serbia, ende nuk ka marrëveshje ekstradimi me Kosovën ligji e parasheh ekstradimin e tij për çka Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë thonë se po presin kërkesat e shtetit serb.

    “Të dy rastet janë në fazën fillestare.Sa i përket rastit të shtetasit serb vlen të ceket se edhe një shtetas tjetër serb është arrestuar më datë 19 shtator 2023, dhe organet gjyqësore janë në pritje të kërkesës për ekstradim brenda afatit 40 ditorë, nëse nuk pranohet, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare e liron personin. Ngjashëm është vepruar në disa raste të viteve më parë për shkak të mos bashkëpunimit të Serbisë për personat që i ka shpall vet në kërkim ndërkombëtar”, ka deklaruar Ministria e Drejtësisë.

    Në rastet kur Serbia nuk bën kërkesa për ekstradim atëherë atëherë ligjërisht mund të ndiqet procesi i dëbimit.

    “Kosova nuk duhet të ndjekë shembullin e Serbisë, Kosova nuk duhet të jetë strehë e krimineklëve pavarsisht, nga cili vend kërkohen eposaqërissht kur kemi të bëjmë, me persona që dyshohet për krime të kryera, të nacionalitetit serb, shtetas të Serbisë, duhet të pritet që të realizohet baza ligjore sic përcaktohet”, ka shtuar Ylli Zekaj Avokat.

    Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani kujton se Serbia asnjëherë nuk ka përmbushur qoftë një kërkesë për ekstradim në Kosovë, por siç shprehet ai, kur është fjala për shtetasit e saj, ajo bën gjithçka që t’i kthejë ata në shtetin serb.

    Gjatë vitit 2022 nga vendet tjera janë realizuar 31 ekstradime të personave të kërkuar nga gjykatat e Republikës së Kosovës, ndërsa nga Kosova për në shtetet tjera janë realizuar gjithsej 18 ekstradime.

  • FSK-ja bën deminimin e një mjeti shpërthyes në Klinë

    FSK-ja bën deminimin e një mjeti shpërthyes në Klinë

    Një person ka raportuar në Policinë e Kosovës në Klinë, se derisa ishte duke punuar kishte hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes të tipit L-3.

    Njësia për deminim e FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit në mënyrë të kontrolluar, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Nuk raportohet për ndonjë incident, teksa rasti ka ndodhur gjatës mesditës të së dielës.

  • Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

    Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, këto janë pikat e rendit të ditës

    Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një takim nga ora 11:00, ku në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara plenare, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

    Në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale

    Rendi i ditës:

    I. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator dhe 4 tetor 2023:

    1. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,
    2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pronën Publike,
    3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Prokurorinë Speciale,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,
    7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për artin dhe kulturën,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për vlerësimin strategjik mjedisor,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për performancën energjetike të ndërtesave,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

    II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023:

    1. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
    2. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra,
    4. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
    5. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

    II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023:

    1. Votimi për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
    2. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
    3. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
    4. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
    5. Votimi në parim i Projektligjit për tekstet shkollore,
    6. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    7. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    8. Shqyrtimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    9. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    10. Votimi në parim i Projekt Kodit Doganor dhe i Akcizave,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare,
    12. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
    13. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022,
    14. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

    IV. Propozimi i rendit të ditës për seancën plenare të radhës:

    1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    2. Pyetjet parlamentare,
    3. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës,
    4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore,
    5. Zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
    6. Zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

    V. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave.

  • Ish kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion

    Ish kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të të zgjedhurve vendore”, është akuza që rëndon mbi ish-Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

    Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar zyrtarisht se ish-Kryeministri Sali Berisha dyshohet të ketë kryer veprën penale, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin.

    Berishës iu është caktuar masa e sigurisë për ndalim të daljes jashtë shtetit, derisa Malltezi u vu në pranga mbrëmjen e së shtunës në aeroportin e Rinasit.
    Ish-Kryeministri, Sali Berisha, të shtunën e 21 tetorit, në një konferencë për media, tha se ky akt, është një vepër e Edi Ramës, derisa theksoi se liria e deputetit nuk kufizohet.

    SPAK njofton se në vijim të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se Berisha është pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa përfitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

    Telashe me drejtësinë ka dhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i cili ka shfrytëzuar territoret sportive për kryerje ndërtimesh dhe nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” i ka siguruar Malltezit dhënien e përfitimeve të paligjshme në vlerën prej 5.4 milionë euro duke i paraqitur ato si të ardhura të ligjshme nga biznesi.

    Derisa, gjykata e posaçme ka vendosur masën e sigurimit pasuror për pasuritë e dhëndrit të ish kryeministrit, konkretisht 16 pasuri të paluajtshme, ka bllokuar gjashtë llogari bankare dhe kuotat e kapitalit themeltar më 3 kompani.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Objekti i gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, i shkatërruar

    Objekti i gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj, i shkatërruar

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Të reshurave, nxënësit iu larguan. Por, përmes tjegullave të demoluara, shiu veçse kishte depërtuar në klasat e Gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj.
    Dimri që po afrohet, sipas gjimnazistëve, do të jetë mjaftë sfidues për ta.

    “Kemi shume probleme, ka shumë dritare të thyera, sidomos në këtë kohë klasat janë shumë të ftohta, kemi nevojë për një shkollë të re”, tha Anduena Ahmeti, nxënëse.

    “Mësimin s’mund ta vijojmë sepse dimrit është shume ftohtë, mungojnë kabinetet, po ashtu edhe tualetet janë gjendje shumë të keqe nuk munden të shfrytëzohen”, tha Laureta Istrefi, nxënëse.

    Sipas Drejtoreshës së shkollës, Hajrije Nebihu, erërat e fuqishme shpeshherë kanë thyer tërësisht dritaret e shkollës.

    “Gjendja nuk mundesh me përshkrua me gjet sa është e rënd këta fëmijë që 3 vjet s’di qa jemi tu ju bo për shkak të kushteve pluhur era, shpesh here jon thyer edhe dritaret prej erës po mirë që ka qëlluar e diele”, tha Nebihu.

    Kërkese e kahershme e saj ishte ndërtimi i një objekti të ri shkollor, por sipas drejtorisë së Arsimit, punimet kanë ngecur në procedurë te Agjencia Kosovare për Privatizim.

    “Punimet kanë filluar në vitin 2018 këtu kanë qenë një sërë problemesh dhe kemi kërkuar marrëveshje për ndërtimin e objektit të ri shkollor”, tha drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani.

    Pavarësisht kësaj, nxënësit do të sfidohen nga i ftohti të paktën deri në vitin pasues.

    “Pas shumë përpjekjesh, ndërtimi i këtyre dy shkollave është lejuar, nuk është faji të komuna por te AKP, që e ka blloku këto ndërtime, por shpresojmë shumë që viti i ardhshëm ti gjej në objekt të ri”, tha Selim Marevci, zëdhënës në Komunën e Ferizajt.

    Që nga viti 1961, kur edhe ishte ndërtuar ky objekt, tek në vitin e kaluar është intervenuar për herë të parë në të, vetëm në sistemin e ngrohjes.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Harilaçi pa ujë të pijshëm

    Harilaçi pa ujë të pijshëm

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ujin po detyrohet ta sigurojë përmes rezervuarve, kjo pasi që tash e disa javë, Avdyl Berisha banor i fshatit Harilaç të Fushë Kosovës, kanë mungesë të ujit të pijshëm.

    Banorët thonë se ky problem është i papërballueshëm.

    “Unë nuk kam ujë të pijshëm tash e disa javë detyrohna që ujë me marrë të fqinjët.Këtu nuk ka asnjë efekt, për me kqyr janë prish pompat. 4 vjet kam aplikuar për një kanalizim dhe nuk kanë ardhë me rregullu, me mjete të mija jam detyruar me një pension dhe me kredi dhe e kam rregulluar”, tha Berisha.

    Pavarësisht kërkesave, Berisha thotë se nga Komuna e Fushë Kosovës, nuk kanë ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë problem.

    “I kemi thirrë dhe nuk kanë ardhë asnjëherë për me rregulluar këtë problem, nuk po dihet se çka po bëhet këtu, kanë ardhë deri këtu ata të komunës por që nuk kanë rregulluar asgjë”, tha Berisha.

    Përveç ujit të pijshëm, fshati Harilaç ka probleme edhe të tjera infrastrukturore.

    ATV-ja ndërkaq, deri në këto momente të transmetimit nuk ka marrë përgjigje nga Komuna e Fushë Kosovës nëse do të rregullohet ky problem.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • QKMF-ja në Ferizaj funksionon me një radiolog

    QKMF-ja në Ferizaj funksionon me një radiolog

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në muajin tetor siç njihet ndryshe edhe muaji rozë, radha për të kryer një mamografi, pothuajse në çdo Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare, në çdo qytet, është e gjatë.

    Njësoj është edhe në QKMF-në në Ferizaj.

    Madje, këtu tollovinë po e shkakton edhe më shumë mungesa e radiologëve.

    “Në muajin tetor, interesimi për mamografi është rritur goxha, meqenëse njihet si muaji rozë. Kemi rritje, pra në muajin tetor, deri më sot, kemi kryer 180 mamografi, ndërkohë në muajin shtator e tjerë ka qenë vetëm 80. Por kemi mungesë të stafit. Mamografia kryhet vetëm nga një radiologe që ndihmohet nga dy infermiere të radiologjisë”, tha Xhevdet Haxhidema, shef i sektorit të diagnostikës në QKMF.

    Por, pavarësisht mungesës së stafit mjekësor, Drejtori i Shëndetësisë, Kemajl Emini, thotë se shërbimet e Mamografisë po realizohen duke thënë se kanë bërë bashkëpunim edhe me nivelin qendror për këtë shërbim mjekësor.

    “Kemi bërë një agjendë të kompletuar me menaxhmentin e QKMF-së, e së bashku me delegatë të kuvendit komunal, në bazë të ligjëratave, kemi rritur vetëdijesimin për ta parandaluar këtë sëmundje, këto ligjërata kanë ndikuar në rritjen e mamografisë”, tha Emini.

    Sipas menaxhmentit, drejtues të kësaj qendre, aktualisht aty kryhen deri në 10 mamografi brenda ditës, por lista e pritjes është e gjatë deri në janar të vitit 2024.

    Me mungesë të radiologëve po përballen edhe disa qendra të tjera të mjekësisë nëpër komuna të vendit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Vaksinat e reja, obligative për fëmijët në moshë të hershme

    Vaksinat e reja, obligative për fëmijët në moshë të hershme

    Përgatiti: Sara Shehu

    Nga ky vit secili fëmijë i moshës së hershme është i obliguar të vaksinohet me tri vaksinat e reja për arsye imunizimi nga viruse të ndryshme.

    Derisa Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë nga fillimi i këtij muaji është furnizuar me tri vaksina të reja, doktoresha e Njësisë së Vaksinimit për fëmijët Florina Grezda, tha se këto vaksina parandalojnë infeksione të ndryshme tek fëmijët.

    “Prej këtyre vaksinave e para është “Rotavirusi”, vaksina kundër rotavirusi që quhet rotariks është një virus që prek foshnjat e porsalindura në një vjet, sistemin e tretjes dhe mundet me shkaktuar edhe vjellje dhe barkqitje të cilat munden dhe me qenë shumë të rënda dhe me rreziku jetën e fëmijës. Sëmundja e dyta është “Pneumokoku”, vaksina kundër pneumokokut, bakterie e cila shkakton kallje të mushkërive, mirëpo njëherit mundet me mbrojt edhe nga inflamacionet cipave të trurit që e njëjta baktere mundet me prek edhe cipat e trurit ose meningjit, dhe vaksina e tretë është vaksina kundër “Humanpapilloma virusit”, është një virus i cili atakon dmth moshat e adoleshencës, të cilat dmth në marrëdhënie të hershme seksuale dhe që është sëmundje e cila bartet me kontakt seksual dhe është sëmundje që e dëmton shëndetin gjinisë femërorë”, tha Grezda.

    Ndërkohë Grezda u ka bërë thirrje prindërve që t’i sjellin foshnjat e tyre për vaksinim.

    “Në fakt për rotavirusin kemi limitin të kohës sepse nuk mund të merret ne çdo kohë kur ne dëshirojmë po e ka një limit të dozës të fillimit të dozës së dytë që duhet me qenë mes muajit të tretë dhe shtatë muaj të moshës.. Bëj thirrje që me i sjell fëmijët me kohë dhe kur të i thërrasim për vaksinat tjera që me ardhur me kohë”, tha Grezda.

    Ndërkohë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë se është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të gripit sezonal.

    “Kemi një fluks të rritur nëpër qendrat tona të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore nga simptomat e gripit…Gripi sezonal është një infeksion akut viral që shkaktohet nga virusi i influencës apo virusi i gripit i tipit A dhe B, që janë më të shpeshta. Mirëpo, ne i kemi edhe disa simptoma që të rrezikshme që janë te fëmijët, për shembull nëse kemi vështirësi në frymëmarrje, skuqje të lëkurës, shtangim të qafës, vjellje pa ndërprerë, mosmarrje e lëngjeve, duhet menjëherë të lajmërohen tek mjeku familjar”, tha Violeta Haxhija: mjeke e QKMF në Prishtinë.

    Nga ana tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet tjera shëndetësore në vend, u kanë bërë thirrje edhe grup moshave të tjerë që të vaksinohen kundër gripit sezonal , me qëllim që të përballohet më lehtë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • S’respektohet orari i punës në QMF-në e fshatit Lumëmadh në Vushtrri

    S’respektohet orari i punës në QMF-në e fshatit Lumëmadh në Vushtrri

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ndaj një mjeku, një laboranti dhe një infermiere të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Lumëmadh të Vushtrrisë, janë ndërmarrë masa disiplinore, pasi nuk ishin në vendin e tyre të punës me datë 16 tetor.

    Drejtori i Shëndetësisë, Lorik Maxhuni, tha se kjo situatë është evidentuar gjatë një vizite të paplanifikuar, në këtë qendër për të parë nga afër shërbimet mjekësore që po ofrohen për pacientët.

    “Ka qenë një vizitë rastësore kur kam shkuar aty, por kam parë që aty disa prej stafit mjekësor nuk janë në vendin e punës e bëhet fjalë për një mjek, një laborant dhe një infermiere, që konform ligjit u kemi lëshuar masa disiplinore vërejtje me shkrim. Unë i kuptoj se kanë shumë angazhime e përgjegjësi, por kjo nuk lejohet të ndodhë, meqenëse kështu rrezikohet jeta e qytetarëve”, tha Maxhuni.

    Tre punonjësit shëndetësorë nuk pranuan të flasin për televizionin për të treguar asryet pse nuk ishin në vendin e punës në momentin kur drejtori vizitoj Qendër të mjekësisë familjare.

    Megjithatë, disa nga pacientët me të cilët bisedoi ekipi i televizionit, thanë se janë ballafaquar me neglizhencë nga ana e personelit mjekësor.

    “Asnjë pikë këta punëtor në qendër nuk e respektojnë orarin. Vijnë një analizë e kryejnë edhe ikin, hiç asnjë minutë nuk e këqyrin orarin”, tha Shefqet Dushi, banor.

    “Kjo është një katastrofë se këta orarin duhet me respektu, po jo po dalin nëpër lokale e pacientët me pritë. Veç kështu po shtohet edhe urrejtja për mjekët nga pacientët”, tha Ibrahim Ibrahimi, banor.

    Drejtori i shëndetësisë, Lorik Maxhuni, që vetëm javë më parë mori detyrën, tha se ka në plan që të krijojë një komision për inspektim të qendrave të mjekësisë familjare, për të evituar raste të tilla.

    Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë nuk ka dhënë detaje se sa inspektime kanë kryer në këtë 10-mujor të vitit, për respektimin e orarit të punës në Kujdesin Parësor Shëndetësor.

    Ndërsa, gjatë vitit 2022 Inspektorati Shëndetësor ka realizuar mbi 80 inspektime, nga të cilat ka rezultuar se 15 qendra të mjekësisë nuk e kanë respektuar orarin e punës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Indikacione për largimin e masave ndaj Kosovës

    Indikacione për largimin e masave ndaj Kosovës

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova vazhdon të jetë nën masat politike dhe ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian.

    Megjithatë, nga mazhoranca theksojnë se ka indikacione se BE-ja do i largojë këto masa.

    Padyshim që po. Nga ana jonë janë cilësuar si masa të padrejta të cilat duke konsideruar se ishin masa ekonomike dhe duke ditur sa fragjile është ekonomia e Kosovës nuk mendoj se ishin as politikisht dhe as strategikisht një potezë i duhur. Andaj është theksuar nga ne, por edhe mbështetur nga senatorë dhe deputetë të tjerë që duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Tashmë është edhe qëndrimi i joni që të ketë veprime, por ka edhe sinjale nga autoritetet dhe ndërmjetësues që do të ketë largim të këtyre masave”, tha deputetja e ‘’Guxo’’, Jeta Statovci.

    Deputeti i partisë më të madhe opozitare në vend, Ferat Shala thotë se Qeveria e Kosovës nuk është angazhuar për largimin e masave të BE-së.

    “Ne nuk shohim asnjë veprim konkret juridik e as ekonomik dhe lobues që ne do të bëjmë një gjë të tillë. Kosova nuk e meriton që të jetë nën sanksione në asnjë rast dhe rrethanë. Mirëpo ana tjetër është se ne duhet të kryejmë detyrat tona të shtëpisë dhe duhet të rrisim unitetin e brendshëm dhe jo logjika e përjashtimit dhe sanksionimit të opozitës dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe”, tha Shala.

    Kurse, profesori Seb Bytyqi thotë se ka dyshime se masat mundë të largohen.

    “Është problem, pasi masat janë vendosur për t’i bërë presion Kosovës. Kemi pa deklarata se ende flasin për masa dhe deeskalim nga ana e Kosovës që tingëllojnë shumë të çuditshme pas 24 shtatorit, pasi ato masa nuk vlejnë më. Arsyet pse janë vendosur ato masa nuk vlejnë më pasi nuk ka nevojë për zvogëlim të policisë, por përkundrazi rritje. Logjikisht masat nuk duhet të qëndrojnë por janë vendosur për t’i bërë presion politik Kosovës për implementim të marrëveshjes”, tha Bytyqi.

    Ndërkaq, masat ndaj Kosovës janë vendosur në fund të muajit qershor, si rezultat i mos përmbushjes së kushteve të bashkësisë ndërkombëtare për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.

    Ndërkaq, Parlamenti Evropian në rezolutën e miratuar të enjten kërkoi nga BE-ja largimin e masave për Kosovën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: