ATV

Category: Lajme

  • ​ATK me ekspertizë ndërkombëtare në trajtimin e ekonomisë digjitale

    ​ATK me ekspertizë ndërkombëtare në trajtimin e ekonomisë digjitale

    Misioni i ekspertëve të TAIEX për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve përmes e-tregtisë nga sot nisin takimet e niveleve të bashkëpunimit me Administratën Tatimore të Kosovës në fushën e ekonomisë digjitale.

    Sipas ATK-së, përmes kësaj punëtorie, ekspertët nga TAIEX, do të japin praktikat nga vendet të cilat kanë avancuar në trajtimin e tregtisë digjitale.

    “Aktualisht, bazuar në Legjislacionin Tatimor në Kosovë (TVSH, TAK, TAP), ekziston një bazë e mirë e dispozitave ligjore për trajtimin e transaksioneve, duke përfshirë “Shitjet online / E-commerce”, ose “Tregti Elektronike”. Nëpërmjet legjislacionit të TVSH-së, i cili në masë të madhe është i harmonizuar me direktivat e BE-së për TVSH-në, rregullohen situatat e vendit të furnizimit të mallrave dhe shërbimeve për personat e tatueshëm dhe jo të tatueshëm. Kjo punëtori vjen si rezultat i rritjes së shitjeve përmes internetit (E-Commerce), por edhe duke përdorur rrjetet sociale të komunikimit si burim kontaktesh me konsumatorin final, ku zakonisht përfshihen edhe lokacione të ndryshme ndërmjetësimi (Platforma) ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve final. ATK ka nevoja të mëdha për shembuj konkretë se si zhvillohen këto transaksione dhe si trajtohen nga pikëpamja tatimore (TVSH, TAP etj.) të ardhura të tilla që realizojnë këta persona, metodat e inspektimeve (kontrollet tatimore) etj. Misioni nga TAIEX do të qëndroj në ATK për pesë ditë, në të cilat do të zhvillojnë takime me përgjegjësit tatimor të cilët mbulojnë këtë pjesë”, thuhet në komunikatë.

  • Familja financon parkun memorial “Islam Zenel Kryeziu” në Pagarushë të Malishevës

    Familja financon parkun memorial “Islam Zenel Kryeziu” në Pagarushë të Malishevës

    Është inauguruar të shtunën parku memorial, Islam Zenel Kryeziu, në Pagarushë të Malishevës, raporton ATV.

    Sipas familjarëve dhe banorëve të këtij fshati, inaugurimi i këtij parku ka rëndësi të veçantë meqë 24 vjet më parë, ky vend ka shërbyer si strehim për refugjatët e luftës.

    Ky park memorial është financuar nga familja. /atvlive.tv

  • Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Aktakuzë lidhur me incidentin në Kuvendin e Kosovës

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.B., H.B., M.L. dhe B.H., (deputetë të Kuvendit të Kosovës), lidhur me përleshjen fizike të dt. 13.07.2023, gjatë mbajtjes së seancës së rregullt plenare në objektin e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.

    Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /atvlive.tv

  • Haxhiu kërkon nga BE-ja ta vlerësojë përparimin në sundimin e ligjit e aplikimin për anëtarësim në union

    Haxhiu kërkon nga BE-ja ta vlerësojë përparimin në sundimin e ligjit e aplikimin për anëtarësim në union

    Programi i Bashkimit Evropian (BE) për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë të hënën e ka mbajtur takimin e dymbëdhjetë të Komitetit Drejtues, raporton Ekonomia Online. Ky projekt është i financuar nga BE-ja dhe synon reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standardet evropiane.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se falë këtij projekti të BE-së zbatimi i ligjeve është në nivelin e duhur dhe se në këtë drejtim kanë ndihmuar edhe trajnimet për prokurorët e gjyqtarët.

    Sipas saj, Kosova ka bërë përparim në sundimin e ligjit dhe se këtë duhet që të vlerësojë BE-ja, madje ka kërkuar që të merret parasysh edhe aplikimi për në union.

    “Tri vjet pas këtij projekti ne kemi zbatim të ligjit dhe kemi zbatim të rregullave më të mira dhe më të sakta. Falë këtij projekti korniza ligjore është tani më e mirë. Trajnimi për gjyqtarët e prokurorët nga ky projekt është një hap i rëndësishëm për neve si shtet dhe për të gjithë sistemin e drejtësisë”.

    “Nga këto trajnime dhe këta ekspertë nga BE-ja kemi mësuar shumë në sektorin e drejtësisë, por edhe në sundim të ligjit. Kemi rritur zbatimin e ligjeve dhe kjo është vërejtur edhe nga Bashkimi Evropian, presim që këto të i shoh unioni dhe ta vlerësojë Kosovën dhe aplikimin e saj për anëtarësim në BE”.

    Ambasadori gjerman Jorn Rohde, tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është qenësore për anëtarësim në BE. Madje për këtë garantoni mbështetjen e shtetit të tij, raporton EO.

    “Ky projekt është një projekt i rëndësishëm për të gjithë në. Fuqizimi i sundimit të ligjit është qenësore për demokraci, por edhe në anëtarësim në BE. Gjermania mbetet gjithmonë në përkrahje me shtetin e Kosovës dhe përfundimin e kornizës ligjore”.

    Ky projekt ka ndihmuar institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, llogaridhënien, profesionalizmin, cilësinë, efikasitetin dhe transparencën e gjyqësorit, përmirësimin e qasjes në drejtësi të qytetarëve e sidomos të grave edhe grupeve të margjinalizuara.

  • Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Kurti takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti. Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, raporton EO.

    Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren, Ana Brnabiq.

    Ndryshe, vizita në Kosovë është në kuadër të një vizite katërditore në rajon, të cilën von der Leyen e ka nisur të dielën në Maqedoninë e Veriut.

    Ajo gjithashtu do të qëndrojë për vizitë në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Vizita vjen pas takimeve që von der Leyen pati në Shqipëri në fillim të këtij muaji, në datat 15-16 tetor, ku mori pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

  • Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Von der Leyen dënon fuqishëm sulmin terrorist në veri: Kosova ta pranojë Asociacionin e mbetur pezull

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se e dënon fuqishëm sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Pas takimit me të parën e shtetit, Vjosa Osmani, Von der Leyen, foli edhe për ndihmën që Bashkimi Evropian e jep për Kosovën.

    Sipas saj, Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën.

    “Fuqishëm fajësojmë dhe dënojmë sulmet e 24 shtatorit dhe shprehim ngushëllimet për humbjen e jetës së zyrtarit policor”, tha fillimisht ajo.

    “Porosia ime është se Kosova ka bërë një progres në fuqizimin e demokracisë. Më kujtohet vitin e kaluar kur bëmë thirrje për liberalizim të vizave dhe ia dolëm se nga 1 janari do të lëvizni lirshëm. Porosia e dytë është se duhet t’i përafrojmë edhe çështjet ekonomike”.

    “Kemi kaluar në shumë kriza si ajo me energji elektrike dhe kemi ndarë 70 milionë euro. Ekonomitë duhet t’i përafrojmë, dhe nëse i shihmi shifrat, ekonomia kosovare ka shumë punë për të bërë dhe duhet ta rrisim këtë çështje”.

    “Të gjithë e dimë që këto gjëra bëhen nëse Kosova dhe Serbia angazhohen. Kosova duhet ta pranojë Asociacionin që ka mbetur pezull dhe Serbia duhet ta njoh Kosovën”.

  • Osmani thotë se Von der Leyen ia prezantoi planin e ri të zgjerimit: Të hiqen masat, jemi angazhuar për de-eskalim

    Osmani thotë se Von der Leyen ia prezantoi planin e ri të zgjerimit: Të hiqen masat, jemi angazhuar për de-eskalim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i’a ka prezantuar planin e ri të rritjes për Ballkanin Evropian, raporton Ekonomia Online.

    Osmani tha në një konferencë të përbashkët për medie planin e quajti “hap të rëndësishëm drejt integrimit tonë në tregun e përbashkët evropian”.

    “Takimi i sotëm u fokusua në rritjen e Ballkanit Perëndimor dhe krahas kësaj e i formova për zhvillimet e fundit në vend. Plani gjithëpërfshirës shënon një hap drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Në takim shpreha mirënjohje ndaj KE-së si mekanizma që i dhanë epilog liberalizimit të vizave, ku qytetarët nga 1 janari do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”.

    “Ngjashëm Kosova vazhdon të jetë kampione në procesin e zgjedhjeve dhe Kosova është gati në procesin e integrimit në BE. Si dëshmi institucionet e Kosovës dorëzuan aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit të kaluar”.

    Osmani shtoi se Von der Leyen ka folur edhe për heqjen e masave të vendosura nga BE. Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë treguar angazhim konkret për de-eskalim të situatës dhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatë dhe partnerë.

    “Në takim potencova edhe rëndësinë dhe nevojën e largimit të masave të vendosura ndaj Kosovës. Institucionet tona përgjatë muajve të kaluar kanë treguar jo vetëm angazhim konkret për deeskalim të situatës, por edhe përkushtim të plotë për bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët dhe partnerët tanë. Njëkohësisht, institucionet tona kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të garantuar zgjedhje të reja e të lira por për fat të keq, adresa e këtyre pengesave vazhdon të mbetet në Beograd. Krahas sfidave kolektive globale, theksova se sfidat komplekse që po kalon Republika e Kosovës janë si rezuxltat i përpjekjeve destabilizuese të Serbisë”.

    “Vetëm në javët e fundit kemi qenë dëshmitarë të këtyre ambicieve të destabilizuese që rezultuan me aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator që u krye nga grupe terroriste, paramilitare të Serbisë. Siç i shpreha von der Leyen, ne duhet të jemi të bashkuar për të refuzuar dhunën si mjet për arritje të qëllimeve keqdashëse të cilat minojnë edhe vetë vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE. Kosova është e përkushtuar për të respektuar Kushtetutën e saj e cila ofron të drejtat më të avancuara për komunitetet joshumicë jo vetëm në rajon por në të gjithë kontinentin tonë.”

    Poashtu, Osmani i ka bërë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë të gjithë personat që janë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.

    “Grupi terrorit i përfshirë në sulmin e 24 shtatorit duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë standardet më të larta për gjykim të drejtë dhe i bëjmë thirrje Serbisë që t’i ekstradojë individët dhe zyrtarët që ishin pjesë e planifikimit, financimit dhe organizimit të këtij akti terrorist”.

  • Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj protestojnë për rritje pagash, paralajmërojnë edhe grevë

    Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj protestojnë për rritje pagash, paralajmërojnë edhe grevë

    Punëtorët e KRM “Pastërtia” në Ferizaj, gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar protesta, në shenjtë të pakënaqësisë së kushteve të punës si dhe pagave të ulëta.

    Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin A LIVE në ATV, kryetari i sindikatës së punëtorëve në këtë kompani, Mexhid Ramusa, tregoi për kushtet e mjerueshme me të cilat punëtorët përballen çdo ditë.

    Madje, ai thotë se në vendin ku qëndrojnë punëtorët e KRM “Pastërtia”, gjatë natës frekuentojnë qentë endacakë.

    “Në e dimë që ka lëndime të shumta në punë dhe kompania nuk ka qenë në gjendje as shpenzimet e mjekut me ia kry. Kjo është gjendja e tyre në çfarë kushte trajtohen, natën rrinë qentë endacakë, ndërsa ditën, i hanë ushqimet punëtorët, në këtë vend”, tha Ramusa.

    Ai përmendi se një nga kërkesat e punëtorëve është rritja e pagave si dhe kushte më të mira në punë.

    “Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme, deri sa kemi ardhë në këtë gjendje dhe e kemi ndërpre punën. Ne u kemi kërkuar rritjen e pagës edhe pagesën e trustit, sigurimin shëndetësorë, këto janë kërkesat primare”, u shpreh Ramusa.

    Ai paralajmëroi komunën e Ferizajt se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, do të hynë edhe në grevë. /atvlive.tv

    Për më shumë detaje rreth protestës, shikoni videon më poshtë:

  • Kurti, pas takimit me QUINT-in: Po të ishte në dorën tonë do të kishim marrëveshje, Serbia po e refuzon

    Kurti, pas takimit me QUINT-in: Po të ishte në dorën tonë do të kishim marrëveshje, Serbia po e refuzon

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorët e QUINT-it në objektin e Qeverisë së Kosovës të hënën.

    Kurti me anë të një postimi në platformën ‘X’ njoftoi se i informoi ata rreth zhvillimeve të fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Ai shprehu mirënjohjen e tij për BE-në dhe SHBA-në në përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

    I pari i Qeverisë Kosovës shtoi se Serbia po vazhdon ta refuzojë Marrëveshjen Themelore.

    “Sot u takova me ambasadorët e akredituar në Kosovë për t’iu ofruar atyre të rejat më të fundit mbi dialogun, siç është praktikë e zakonshme. Fillova duke shprehur mirënjohjen për BE-në dhe SHBA-në për përpjekjet e tyre për të rikthyer dialogun në rrugën e duhur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit”, ka deklaruar ai.

    “Theksova gjithashtu se nëse do të ishte vetëm në dorën e Kosovës, ne do të kishim arritur marrëveshje dhe tashmë do të ishim në proces të zbatimit të saj. Kosova vazhdon të jetë e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, Aneksin Zbatues dhe draftin e 21 tetorit. Serbia vazhdon ta refuzojë”, përfundon shefi i Qeverisë në njoftimin për takimin me ambasadorët e QUINT-it.

  • Vuçiq: Bota është në prag të një konflikti botëror, Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte

    Vuçiq: Bota është në prag të një konflikti botëror, Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në emisionin e mëngjesit në TV Prva tha se mendon se bota është në prag të një konflikti botëror.

    “Kemi një situatë mjaft të vështirë në Ukrainë dhe tani është fare e qartë se Perëndimi do ta ketë të vështirë të mposhtë rusët, ashtu si rusët do ta kenë të vështirë të mposhtin ukrainasit. Kina dhe Amerika mbetën jashtë konfliktit, por Amerika pa mëdyshje ndihmon Ukrainën dhe Izraelin. Fatkeqësisht, ne po i afrohemi kësaj, njerëzit dhe shumë vende duan një rend tjetër në botë” – tha ai.

    Vuçiq ka thënë se e gjithë bota po shkon në drejtim të keq

    “Prandaj na duhet siguria dhe stabiliteti, për të mbrojtur vendin tonë dhe jo për ta sulmuar atë siç bëjnë disa”, tha Vuçiq.

    I pyetur nëse është e mundur të ruhet siguria dhe stabiliteti dhe Serbia të mbetet në këtë pozicion, ai tha se tashmë po ia del.

    Ai shtoi se ende nuk mund ta dijë nëse do të ketë probleme me naftën dhe gazin.

    Formimi i Asociacionit

    Duke komentuar ngjarjet e fundit në Banjskë, ai tha se Serbia nuk është në pozitë të lehtë, por se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

    “Do ta shtyjmë vendin përpara”, tha Vuçiq dhe shtoi se Serbia është e gatshme të përmbushë gjërat që nuk kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB.

    “Por dikush duhet të formojë Asociacionin, dhe Prishtina nuk e dëshiron këtë, nuk duan të formojnë”

    Vuçiq tha se ka aktorë politikë nga shumë vende që nuk duan ta shohin Asociacionin e Komunave Serbe. “Nuk kaloi”, tha ai.

    I pyetur nëse i frikësohet përshkallëzimit në Kosovë, Vuçiq tha se ka frikë çdo ditë.

    “Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte. As ekonomikisht dhe as ushtarakisht. Unë e di çdo mangësi për sa i përket fuqisë punëtore, pajisjeve, teknikës, gjithçka që mungon në ushtrinë tonë”, tha Vuçiq.