ATV

Category: Lajme

  • ​Faturat e gazit në Itali do të rriten me 8%

    ​Faturat e gazit në Itali do të rriten me 8%

    Faturat e gazit në Itali do të rriten me 8% të premten, tha sot për ANSA drejtori i Nomisma Energia, Davide Tabarelli.

    Ai shtoi se çmimi i datës tetor do të rritet në 1.02 euro për metër kub në tregun e mbrojtur, që do të thotë një shpenzim shtesë prej 105 euro në vit për një familje.

    Autoriteti i Energjisë ARERA (Autoriteti Rregullator për Energjinë, Rrjetet dhe Mjedisin) do të publikojë të premten tarifat e tetorit për metanin. /ANSA

  • Parandalohet kontrabanda e bizhuterive të argjendit të vlerë të 5 mijë eurove

    Parandalohet kontrabanda e bizhuterive të argjendit të vlerë të 5 mijë eurove

    Dogana e Kosovës ka konfiskuar një sasi e konsiderueshme e bizhuterive të argjendi me një peshë prej 3.6 kilogramë dhe një vlerë rreth 5 mijë euro, në Han të Elezit.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se mallin e gjetur në automjetin e udhëtarëve, të dyshuar për kontrabandë, është gjetur gjatë një kontrolli të hollësishëm në hyrje të Kosovës.

    Procedura kundërvajtës ka filluar si dhe mallrat janë konfiskuar.

  • Osmani takon ambasadorin Hovenier: Drafti i Asociacionit duhet të shkojë në Kushtetuese

    Osmani takon ambasadorin Hovenier: Drafti i Asociacionit duhet të shkojë në Kushtetuese

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.

    Në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

    Ajo gjithashtu theksoi se propozimi për draf-tstatutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, njofton Presidenca.

    Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut.

  • Aksion policor në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Gjilan – konfiskohen armë e fishekë

    Aksion policor në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Gjilan – konfiskohen armë e fishekë

    Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të PK-së, sot ka bërë realizimin e një urdhër-kontrolli për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

    Gjatë këtij operacioni policor është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe e një lokali në 11 lokacione, në katër rajone Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan.

    Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë automatike AK 47, dy pushkë gjuetie, një pistoletë, pesë karikatorë, 116 fishekë të kalibrave të ndryshëm etj.

    Në polici janë shoqëruar 10 persona dhe pas intervistimit të tyre të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • ”Iu gjetën 36 bidonë me materie ndezëse”, arrestohet pronari pas djegies se shtëpisë së familjes Koroglu

    ”Iu gjetën 36 bidonë me materie ndezëse”, arrestohet pronari pas djegies se shtëpisë së familjes Koroglu

    Pronari i shtëpisë së familjes Koroglu, shtëpi e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

    Në katin përdhese atij i janë gjetur 36 bidonë të mbushur të shënjëzuar me shenjën me materie të rrezikshme, ndezëse.

    “Gjatë ekzaminimit në katin përdhese të shtëpisë kanë hasur tridhjet e gjashtë (36) bidon të mbushur të shënjëzuar me shenjën me matrie të rrizkshme-ndezëse. Për largimin e këtyre bidonve janë anagzhaur edhe njësi të specializuara per trajtimin e materive të rrezikshme nga Forca e Sigurisë së Kosoves”, njoftoj policia.

    Ai është ndaluar për 48 orë.

    “Bazuar ne hetimet fillestare, bëhet e ditur se pronari i shtëpisë ishte në dijeni për vendndodhjen e këtyre bidonve ku përkundër zjarrit të shkaktuar, i njëjti nuk kishte njoftuar policinë apo zjarrfikësit. Për të gjitha veprimet e ndërmarra hetimore është njoftuar prokurori, i cili ndaj pronarit të shtëpisë A. K., 76 vjeçar, ka lëshuar aktvendim per ndalim 48 orës, si i dyshuar për veprën penale “Mbajtje e paligjshme e substancave dhe mbeturinave të rrezikshme”, thuhet ndër të tjerash.

  • ​Përfundon seanca, miratohet raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit të kaluar

    ​Përfundon seanca, miratohet raporti vjetor financiar për buxhetin e vitit të kaluar

    Në mungesë të opozitës, nuk është shqyrtuar pika e rendit të ditës për formimin e komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

    Pas pauzës, seanca plenare ka vazhduar sërish pa prezencën e partive opozitare. Këto të fundit kanë propozuar që të miratohen dy mocione për trajtimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Por të dy këto mocione nuk kanë marrë mbështetjen e shumicës parlamentare.

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish nesër, ku për raportim në këtë seancë është ftuar kryeministri Albin Kurti. Ai para deputetëve pritet të përgjigjet lidhur me atë që është dakorduar në takimin e fundit në Bruksel.

  • ​Osmani: Kosova, e përkushtuar t`i përmbushë standardet e KiE për anëtarësim

    ​Osmani: Kosova, e përkushtuar t`i përmbushë standardet e KiE për anëtarësim

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Dora Bakoyannis, raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani e ka cilësuar jo vetëm prioritet i vendit tonë, por edhe domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve, pa dallim.

    Në këtë kontekst, Osmani ka shprehur mirënjohje për vizitën e raportueses Bakoyannis për përgatitjen e opinionit, i cili do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shfaqur besimin për një proces të drejtë dhe të bazuar në merita.

    Sipas Osmanit, Kosova ka inkorporuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare në Kushtetutën e saj, duke siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë komunitetet joshumicë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike, siç është dëshmuar edhe nga vlerësimi i disa organizatave ndërkombëtare.

    “Kosova është e përkushtuar që t`i përmbushë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për anëtarësim. Kushtetuta e Kosovës veçse ka përfshirë konventat kyçe të Këshillit të Evropës duke i bërë ato të zbatueshme në Kosovë. Në këtë frymë, Kosova është e përkushtuar fuqimisht ndaj vlerave evropiane, duke përfshirë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Osmani.

    Ajo në takim me raportuesen Bakoyannis ka nënvizuar se Kosova pret që debati dhe votimi i Opinionit për aplikimin e Kosovës të bëhet sa më parë në mënyrë që të procedohet edhe me votimin formal për anëtarësimin e saj nga Komiteti i Ministrave.

    “Vitin e ardhshëm, Këshilli i Evropës do të shënojë 75-vjetorin e themelimit të tij. Kështu, do të ishte shumë simbolike që vetë Këshilli i Evropës, si organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinentin tonë, të hapte derën për një vend demokratik, që aspiron t’i bashkohet familjes së vlerave”, ka thënë ndër të tjera Osmani.

    Në këtë takim, presidentja Osmani e ka njoftuar raportuesen Bakoyannis edhe lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë më 24 shtator.

  • KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    KMDLNj: Institucionet të përmbushin kërkesat e policëve

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka deklaruar se protesta e djeshme e Njësisë Speciale Intervenuese dhe Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive ka qenë mirë e organizuar, pa asnjë provokim apo lëshim profesional dhe përcillej nga një numër i madh i mediave.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se e veçanta e protestës ishte se u përjashtua çfarëdo ndikimi politik duke u identifikuar qartë si një protestë krejtësisht të karakterit ekonomiko – social.

    “Nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë”.

    “KMDLNj edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.

  • IKShPK: Ka rënie të vlerave të manganit në Liqenin e Badocit, por jo për konsum

    IKShPK: Ka rënie të vlerave të manganit në Liqenin e Badocit, por jo për konsum

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se kanë rënë vlerat e manganit në ujin e Liqenit të Badocit, porse nuk ka rekomanduar që ky ujë të përdoret për pije.

    IKShPK-ja ka theksuar se nuk ka vend për panik dhe se uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera, përveç përgatitjes së ushqimit. Kjo pasi sipas institutit, vlimi i ujit nuk e zvogëlon sasinë e manganit.

    “IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se: Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera; Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim. Shpëlarja e rezervuarëve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit)Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat”, thuhet në njoftimin e Institutit.

  • Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas

    Biden bën thirrje për “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se duhet të ketë një “pauzë” humanitare në luftën Izrael-Hamas, pasi fjalimi i tij gjatë një tubimi zgjedhor u ndërpre të mërkurën mbrëma nga një protestuese që bëri thirrje për armëpushim.

    “Mendoj se na duhet një pauzë”, tha Biden.

    Kjo deklaratë paraqet ndryshim në qëndrim, pasi Biden dhe ndihmësit e tij, gjatë gjithë krizës në Lindjen e Mesme kanë qenë të palëkundur në deklarimet e tyre se nuk do të diktojnë se si izraelitët do të kryejnë operacionet e tyre ushtarake në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të militantëve palestinezë të Hamasit.

    Por, presidenti amerikan është përballur me presion në rritje nga grupet për të drejtat e njeriut, nga liderët botërorë, por edhe nga anëtarët më liberalë të partisë së tij, të cilët kanë thënë se bombardimet e Izraelit në Gazë janë ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim.

    Në deklarimin e tij, Biden i bëri presion kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’u ofrojë palestinezëve të paktën një pushim të shkurtër nga operacioni i vazhdueshëm ushtarak që ka lënë mijëra të vdekur dhe e ka zhytur Rripin e Gazës në një katastrofë humanitare.

    Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të bëjë thirrje për armëpushim, por ka sinjalizuar se izraelitët duhet ta shqyrtojnë mundësinë e një pauze humanitare për të lejuar civilët që të marrin ndihmë dhe që shtetasit e huaj në Gazë, të largohen nga ky territor.

    Trupat tokësore izraelite kanë përparuar afër qytetit të Gazës, përderisa janë përfshirë në luftime të ashpra me militantët, tha ushtria një ditë më parë. Ndërkaq, qindra shtetas të huaj dhe dhjetëra palestinezë të plagosur rëndë u lejuan që të largohen nga Gaza për në Egjipt pas më shumë se tre javësh nën rrethim.