ATV

Category: Lajme

  • PSD me aksion, deputetët e VV-së priten me medalje – përgëzohen për punën e bërë në themelimin e “Zajednicës”

    PSD me aksion, deputetët e VV-së priten me medalje – përgëzohen për punën e bërë në themelimin e “Zajednicës”

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online. Aktivistë të kësaj partie, përfshirë kryetarin Dardan Molliqaj kanë vendosur një pankartë me mbishkrimin “Regjimi i Zajdenicës”.

    Madje ata në hyrje të Kuvendi u kanë vendosur deputetëve të VV-së nga një medalje në shenjë falënderimi për punën e bërë në themelimin e Asociacionit.

    “Sot është seanca e Zajdenicës, fillimisht edhe deputet janë të Zajdenicës. Po ua japim nga një medalje për punën që e kanë bërë për themelimin e kësaj Zajdnicës”.

  • Shtatë palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor gjatë bastisjeve izraelite

    Shtatë palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor gjatë bastisjeve izraelite

    Gjatë bastisjeve në shkallë të gjerë të kryera gjatë natës në Bregun e pushtuar Perëndimor, forcat izraelite kanë vrarë shtatë palestinezë dhe kanë arrestuar disa të tjerë, thanë zyrtarët e ushtrisë izraelite dhe zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

    Forcat izraelite kanë vrarë tre persona në Xhenin, dy në Hebron, një në Nablus dhe një në Kalandija, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

    Ushtria izraelite tha se sulmi në Xhenin përfshiu edhe një sulm ajror. Po ashtu tha se forcat izraelite kanë vrarë militantë të Hamasit, pasi ata hodhën eksplozivë drejt ushtarëve. Forcat izraelite, sipas ushtrisë, kanë gjetur eksplozivë të fshehur në rrugët që çojnë në kampin e refugjatëve në Xhenin, por kanë gjetur edhe municione në një hapësirë nëntokësore.

    Në Nablus, forcat izraelite kanë shkatërruar shtëpinë e një militanti palestinez të cilin e akuzojnë se ka kryer sulme me armë zjarri në qytetin Huvara më herët gjatë këtij viti, duke vrarë dy izraelitë.

    Në mbarë Bregun Perëndimor, ushtria izraelite ka arrestuar 37 palestinezë, 17 prej të cilëve i ka identifikuar si militantë të Hamasit.

    Izraeli ka intensifikuar bastisjet në fshatrat dhe qytetet palestineze në Bregun Perëndimor, që kur nisi lufta Izrael-Hamas më 7 tetor. Gjatë këtyre operacioneve, në Bregun Perëndimor janë vrarë të paktën 141 palestinezë, kanë thënë monitoruesit e Kombeve të Bashkuara./REL/

  • ​Tentoi ta godas me veturë një person nga komuniteti LGBTQ+

    ​Tentoi ta godas me veturë një person nga komuniteti LGBTQ+

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj të pandehurit M.Z., për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit “, sipas KPRK-së.

    Sipas Prokurorisë, i pandehuri i lartcekur është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit, më 01 nëntor, pasi dyshohet se më 29.10.2023, me dashje e me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht personin e dëmtuar, në atë mënyrë që derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me shpejtësi të madhe, ka tentuar ta godasë në vendkalimin për këmbësorë, por fatmirësisht personi i dëmtuar ka arritur t’i shmanget goditjes nga vetura, derisa me këtë veprim i ka shkaktuar shqetësim të madh, ankth e frikë për jetën.

    “Po ashtu, në ditën e njëjtë, i pandehuri me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim ndaj komunitetit LGBTQ+ bazuar në orientimin seksual të personit të dëmtuar, ku përmes rrjetit social “facebook”, komenton në njërin portal për të, çka me këtë seriozisht e ka rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje për komunitetin LGBTQ+ në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Tentimi i gjashtë – dështon konstituimi i Komisionit për rezervat shtetërore, Lekaj ua llogarit pagat deputetëve të VV-së

    Tentimi i gjashtë – dështon konstituimi i Komisionit për rezervat shtetërore, Lekaj ua llogarit pagat deputetëve të VV-së

    Këtë të premte, për të gjashtën herë ka dështuar që të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezerva shtetërore, raporton Ekonomia Online.

    Kryesuesi i këtij Komisioni Rashit Qalaj, tha se është e pakuptimtë mos marrja pjesë e VV-së në këtë Komision. Sipas tij, interpretimi që kanë marrë nga Zyra Ligjore e Kuvendit, vetëm sa ka shtuar konfuzitetin dhe nuk ka sqaruar asgjë.

    Ai sqaroi se javën e ardhshme do të bëhen publike lista e të intervistuarve duke filluar nga kryeministri Albin Kurti, madje edhe faktet për keqpërdorime.

    “Nuk kemi sqarim pse nuk po vijnë, të gjitha Komisionet e tjera po funksionojnë. Ky Komision është i e vetmi që po merret me hetimin e rezervave shtetërore, dhe pa dyshim mund të themi që ata po mundohet të bojkotojnë informonim e qytetarëve për keqpërdorimet që janë bërë”.

    “Kemi dërguar një interpretim te Zyra Ligjore. Kemi marrë opinion që nuk sqaron asgjë, po e shton konfuzitet. Nuk ka sqarime a mund të zëvendësohen anëtarët që nuk po vijnë. Dyshimet për ke përdorim janë të bazuar ngase kemi shumë fakte që do të bëhen publike javën e ardhshme, do të bëjmë publike edhe njerëzit që do të duhej të ishin këtu për tu intervistuar duke nisur nga kryeministri Albin Kurti e deri te njeriu i fundit”.

    Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka ndërmarrë një aksion simbolik ndaj mosprezencës së deputetëve të Vetëvendosjes në konstituimin e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore.

    Ai ka vendosur në ulëset e deputetëve të munguar nga një letër ku shkruhet paga e tyre që marrin nga Kuvendi i Kosovës, duke marrë për bazë kontekstin nga protesta e policisë që kërkuan paga më të larta e që Qeveria iu përgjigj duke publikuar pagat e tyre me shtesa.

    “Po shihet qartë që ata kanë vendosur të mos vijnë në këtë komision dhe të pengojnë funksionimin e tij. Unë kam vendosur sot në mënyrë simbolike të gjithë deputetëve që nuk janë prezent me i tregu se sa para marrin dhe sa kanë marrë deri sot, dhe i bojkotojnë mbledhjet”.

    Kritika pati edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

    “Lidhur me opinioni ligjor, mua po më shqetëson fakti që kam vërejtur mungesë guximi nga një departament ligjor, që nuk i përket një partie ose tjetër. Më vije shumë keq që disa djem e vajza me ardhur në një pikë ku frikësohen me na dhënë një opinion për pyetjet që i kemi parashtruar. Propozimi im është që ky komision ta ftoj ministren Rozeta Hajdari për një seancë dëgjimore, që kjo të na shërbejë ne që të shohim se çfarë të përfshijmë në planin e punës”.

    Në pesë tentimet e kaluara, konstituimi i këtij Komisioni ishte i pamundur për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në këtë Komision, nga opozita është kritikuar vazhdimisht, duke thënë se të njëjtit po fshehin diçka.

  • Blinken në Izrael për të kërkuar më shumë ndihmë humanitare për Gazën

    Blinken në Izrael për të kërkuar më shumë ndihmë humanitare për Gazën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur të premten në Izrael për të bërë presion që më shumë ndihmë humanitare të lejohet të hyjë në Gazën e rrethuar, përderisa trupat izraelite kanë ashpërsuar rrethimin e tyre të qytetit të Gazës për të fokusuar fushatën e tyre në shtypjen e grupit militant Hamas, që udhëheq këtë enklavë.

    Në kufirin verior me Libanin, tensionet po vazhdojnë të përshkallëzohen para fjalimit të planifikuar për më vonë gjatë të premtes të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ky do të jetë fjalimi i tij i parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin muajin e kaluar, duke nxitur frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.

    Të enjten, Hezbollahu, aleat i Hamasit, sulmoi pozicionet izraelite në veri duke kryer sulme me dronë, mortaja dhe me dronë vetëvrasës. Ushtria izraelite tha se është kundërpërgjigjur me sulme me avionë dhe helikopterë luftarakë.

    Që kur lufta në Gazë nisi më 7 tetor, Hezbollahu ka ndërmarrë hapa të kalkuluar për të angazhuar ushtrinë izraelite në kufi me Libanin, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë përshkallëzim që do të nxiste një luftë.

    Mbi 9.000 palestinezë deri më tani janë vrarë në Gazë dhe mbi 1.400 të tjerë në Izrael, shumica civilë të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit.

    Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael që nga sulmi i Hamasit. Gjatë vizitës më 3 nëntor ai do të qëndrojë në Tel Aviv dhe Aman të Jordanisë dhe vizita e kryediplomatit vjen pas presidenti amerikan, Joe Biden, sugjeroi për një “pauzë” humanitare të luftimeve. Qëllimi do të jetë që të lejohet më shumë ndihmë për palestinezët dhe që shtetasit e huaj dhe të plagosurit të lejohet të largohen nga Gaza. Afër 800 persona janë larguar nga Rripi i Gazës në dy ditët e fundit.

    Izraeli nuk është përgjigjur menjëherë për sugjerimin e Bidenit. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paraprakisht kishe hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit dhe të mërkurën, tha se “ne po avancojmë… asgjë nuk do të na ndalë”, përderisa u zotua se do të shkatërrojë Hamasin.

    SHBA-ja është zotuar për mbështetje të palëkundur për Izraelin pasi militantët e Hamasit vranë mijëra persona më 7 tetor dhe morën afër 240 pengje.

    Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

    Në të njëjtën kohë, administrata Biden ka kërkuar që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

    Mbi 3.700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.

    Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.

    Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.

    Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.

    Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese./REL/

  • Hodaj: Gjykata Speciale po shërbehet me të dhëna nga BIA-ja serbe

    Hodaj: Gjykata Speciale po shërbehet me të dhëna nga BIA-ja serbe

    Avokati Taulant Hodaj, në emisionin CONTEXT në ATV, ka komentuar operacionet e fundit të Gjykatës Speciale në Kosovë.

    Ai thotë se dokumentacioni i shërbyer nga BIA serbe, është përpunuar nga kjo gjykate, ku nga aty edhe janë nxjerrë aktakuzat.

    “Nuk mendoj që është copy-paste, por a janë shërbyer me dokumentacion nga shërbimi sekret serb nga institucionet serbe, nga organizatat joqeveritare serbe, absolutisht po, sepse institucionet serbe nuk janë ndalur dhe organizata te ndryshme që merren me trajtimin e rasteve të ndryshme dhe krimeve të luftës, duke dërguar raporte në qendrat përkatëse për këto pretendime dhe noramal që këto janë bërë pjesë e dosjes së hetimit. Janë përpunuar jashtëzakonisht shumë nga Prokuroria e Gjykatës Speciale dhe më pastaj janë bërë pjesë e aktakuzës. Mendoj që një pjese e konsiderueshme e tyre është bërë pjesë e aktakuzës, por jo copy-paste, nuk mendoj”, tha Hodaj. /atvlive.tv

  • Tentimi i gjashtë – dështon sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

    Tentimi i gjashtë – dështon sërish konstituimi i Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

    Këtë të premte, për të gjashtën herë ka dështuar që të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezerva shtetërore, raporton Ekonomia Online.

    Në pesë tentimet e kaluara, konstituimi i këtij komisioni ishte i pamundur për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

    Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në këtë komision, nga opozita është kritikuar vazhdimisht, duke thënë se të njëjtit po fshehin diçka.

  • Fundi i grevës së minatorëve, ndërmarrja “Trepça” publikon detajet e marrëveshjes

    Fundi i grevës së minatorëve, ndërmarrja “Trepça” publikon detajet e marrëveshjes

    Pas 10 ditësh grevë, minatorët kanë arritur marrëveshje me Ndërmarrjen “Trepça”, për ndërprerjen e grevës dhe realizimit të kërkesave të parashtruara nga ana e minatorëve.

    Ndërmarrja “Trepça” ka publikuar letrën e minatorëve me katër kërkesat e parashtruara, ndërsa bën të ditur se është pajtuar që tri kërkesat e tyre të realizohen.

    “Paga e minatorit prej 6-10 të muajit; Të shpallet konkursi i KE-së; Të përmirësohen kushtet e sigurisë; Të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës”, ishin kërkesat e paraqitura nga ana e minatorëve.

    Ndërsa, letrën e publikuar nga Ndërmarrja “Trepça” thuhet se Bordi i Përkohshëm i ka trajtuar me kujdes kërkesat e minatorëve dhe se pajtohen në tri pika.

    “Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve jemi në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e paraqitura nga ju, sepse janë edhe prioritet tona tashmë. Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1,2,3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do të analizojmë dhe shqyrtojmë në vijimësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”, thuhet në letrën e Ndërmarrjes “Trepça”.

  • Reagon Komuna e Malishevës pas arrestimit të ish-kryetarit Isni Kilaj nga Gjykata Speciale

    Reagon Komuna e Malishevës pas arrestimit të ish-kryetarit Isni Kilaj nga Gjykata Speciale

    Me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë është arrestuar ish komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj nga Malisheva.

    Arrestimi ka ndodhur në mesnate pas bastisjeve që i është bërë në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe Lubizhdë të Malishevës.

    Pas arrestimit të Kilaj, ka reaguar edhe Komuna e Malishevës.

    “Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në reagimin e Komunës së Malishevës.

    Reagimi i plotë:

    Komuna e Malishevës është e shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës Isni Kilaj

    Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.

    Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit.

    Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.

    Kujtojmë se në territorin e Komunës së Malishevës, janë vrarë afër 400 civil të pafajshëm, madje janë vrarë në mënyrën më mizore të mundshme dhe deri më sot, nuk është dënuar askush dhe nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për këto vrasje, as për dy masakrat e mëdha, atë të Burimit dhe të Gollubovcit.

    Edhe njëherë, shprehim shqetësimin tonë për këto veprime të pandërprera të Gjykatës Speciale dhe policisë së EULEX-it, për përndjekjen e luftëtarëve të lirisë dhe kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të këtyre arrestimeve të pakuptimta.

    Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim.

    Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme.

    Ne besojmë në drejtësi, por drejtësi duhet të ketë për të gjithë. Lufta e UÇK-së, është një luftë e njohur nga të gjithë, luftë e cila i ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Kryetari i Komunës së Malishevës
    Ekrem Kastrati

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe ditëve të vikendit

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe ditëve të vikendit

    Të premten parashihet mot i vranët dhe me intervale me diell

    Vranësirat parashihen të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-19gradë Celsius.

    Mot më i ftohtë, me më shumë të reshura shiu parashihet ditën e shtunë.

    Reshje vende-vende mund të ketë edhe ditën e diel, megjithëse nuk do të mungojnë intervale me diell.