ATV

Category: Lajme

  • Vulin jep dorëheqjen nga posti i shefit të BIA-s

    Vulin jep dorëheqjen nga posti i shefit të BIA-s

    Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) Aleksandar Vulin ka njoftuar sot se po dorëzon dorëheqje të parevokueshme nga ajo pozitë.

    Vulin në një deklaratë me shkrim tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian “po kërkojnë kokën e tij si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë”.

    “Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkak i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj po paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, theksoi Vulin.

    Në versionin origjinal të dorëheqjes, Vulin shprehet:

    “Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914. Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse do të pranonin ta bënin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund të fundit për drejtësinë sociale.

    SHBA-ja dhe BE-ja po më kërkojnë kokën si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe. Për këtë arsye paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s.

    Sanksionet e vendosura ndaj meje janë dëshmi e luftës sime të vazhdueshme për unitetin e serbëve, por vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë, për të cilat do të përdorej udhëheqja ime e vazhdueshme në BIA, do të ishte dëshmi e egoizmit tim. Treguesi i parë i korrektësisë së vendimit tim do të jenë deklaratat hipokrite të zyrtarëve të SHBA-së dhe BE-së, në të cilat ata do të betohen se as që donin të vendosnin penalitete dhe sanksione ndaj nesh. Dorëheqja ime nuk do të ndryshojë politikën e SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, por do të ngadalësojë kërkesat dhe shantazhet e reja. Ata nuk morën sanksione kundër Rusisë, nuk morën njohjen serbe të Kosovës, por morën një kokë serbe. Refuzoj të bëhem pjesë e histerisë anti-ruse dhe antiserbe për shkak të çdo pozicioni, të mos më interesojë më për Republikën Srpska dhe mbijetesën e saj dhe të mos besoj në pashmangshmërinë e bashkimit të serbëve dhe krijimin e botës serbe. Unë refuzoj të heq dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe vëllazërisë me Rusinë dhe Kinën. Kjo është një fitore e vogël për SHBA-në dhe BE-në, por edhe një fitore e madhe për mua sepse dëshmova se Serbia dhe populli serb ia vlen çdo sakrificë. Sakrifica ime është e vogël në krahasim me madhështinë e shenjtërores që mbroj.

    Falënderoj presidentin Vuçiq për mundësinë për të mbrojtur serbët dhe Serbinë dhe i kërkoj që të mbetet presidenti i të gjithë serbëve, lideri i fundit i lirë në Evropë, për krenarinë e të gjithë serbëve. Shpresoj që edhe në këto zgjedhje të bashkojmë luftën për Serbinë e lirë”.

  • SHBA sanksionon ish-drejtorin e prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, Nexhat Krasniqi

    SHBA sanksionon ish-drejtorin e prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, Nexhat Krasniqi

    Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

    Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja ë SHBA.

    “Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

    Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

    “Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

    Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

  • ​Tre të vdekur nga moti ekstrem në Toskanë

    ​Tre të vdekur nga moti ekstrem në Toskanë

    Tre persona humbën jetën si pasojë e motit ekstrem në rajonin qendror-verior të Toskanës të enjten mbrëma, teksa stuhia Ciaran vazhdoi të shkojë drejt vendit.

    Viktimat ishin një grua 84-vjeçare, e cila vdiq teksa po nxirrte ujin nga shtëpia e saj dhe një burrë 85-vjeçar i gjetur i shtrirë në ujë në shtëpinë e tij të përmbytur, të dy në Montemurlo pranë Prato në veriperëndim të Firences.

    Një tjetër person u raportua të ketë vdekur në Rosignano pranë qytetit port toskan të Livornos

    Përveç kësaj, të premten në mëngjes u tha se gjashtë persona ishin zhdukur: tre në zonën metropolitane të Firences, një në Campi Bisenzio pranë Pratos dhe dy në Lamporecchio pranë Pistoia.

    Kati përdhe i spitalit Lotti në Pontedera midis Firences dhe Livornos gjithashtu u përmbyt, duke çuar në pezullimin e operacioneve dhe dializës.

    Guvernatori i Toskanës Eugenio Giani ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe shkollat janë mbyllur në shumë zona. /ANSA

  • ​Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) zgjedh Bordin e ri drejtues

    ​Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) zgjedh Bordin e ri drejtues

    Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka mbajtur sot (e premte) mbledhjen e 12-të të Kuvendit të Përgjithshëm, gjatë së cilës u përzgjodhën anëtarët e rinjë të Bordit Drejtues për dy vitet e ardhshme.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se drejtori i Këshillit, Emrush Ujkani, në fjalët hyrëse gjatë këtij takimi shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e palëkundshme dhe kontributin e çmuar të bordit në shkuarje dhe të anëtarëve të EIC përgjatë viteve, duke theksuar se dedikimi dhe angazhimi i tyre kanë luajtur një rol thelbësor në vazhdimin e suksesit të organizatës.

    Eriola Bibolli, kryetarja në ikje e Bordit, theksoi suksesin e shkëlqyer të Këshillit të Investitorëve Evropianë si një urë e rëndësishme midis bizneseve dhe Qeverisë, veçanërisht gjatë sfidave të paraqitura përgjatë këtyre dy viteve.

    AnnaCarin Platon, shefe e seksionit për politika në zyrë e BE-së në Kosovë, përgëzoi EIC-në për të arriturat dhe bashkëpunimin e mirë me zyrën e BE-së, duke theksuar vazhdimësinë e përkrahjes së BE-së për organizatën. Derisa, Sergiy Maslichenko, Kryetar i BERZH-it në Kosovë, u shpreh se është i lumtur të shoh dinamizmin e sektorit privat në Kosovë duke theksuar se EIC luan rol shumë të rëndësishëm në inkurajimin e rritjes ekonomike dhe investimeve të reja.

    Kuvendi i Përgjithshëm i Këshillit të Investitorëve Evropian, përzgjodhi Bordin e ri Drejtues, i cili do të ketë këtë përbërje: Genond Mesareja, kryesues i Bordit, Visar Paçarada (ProCredit Bank), zëvendëskryesues i Bordit, Gresë Rexhepi (Pëc), drejtoreshë e thesarit të Bordit, Gokhan Acikgoz (Limak Kosovo), sekretar i Bordit, dhe Frosina Islami (Coca-Cola HBC), udhëheqëse e marëdhenieve me BE-në. Sipas statutit të Këshillit, këta anëtarë do të shërbejnë në Bord për një mandat dyvjeçar.

    Genond Mesareja, kryetari i ri i Bordit të EIC theksoi mirënjohjen e tij për anëtarët e EIC që i kanë besuar këtë detyrë, duke u zotuar t’i shërbejë avancimit të mëtejmë të misionit të Këshillit.

    Këshilli i Investitorëve Europianë mirëpret udhëheqjen e Bordit të ri te zgjedhur dhe mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij për promovimin e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimit dhe mundësive të investimit nga e gjithë Evropa.

  • Kurti: Emisarët më thanë mos e shpalos draftin, në të kundërtën i bije që s’jam koordinuar me ta

    Kurti: Emisarët më thanë mos e shpalos draftin, në të kundërtën i bije që s’jam koordinuar me ta

    Kryeministri Albin Kurti duke iu përgjigjur kritikave të opozitës tha e ka bërë publike draftin për Asociacionin pasi kjo i është kërkuar nga emisarët evropianë e amerikanë, raporton EO.

    Ai tha se nëse e publikon atëherë i bije që nuk është duke punuar me koordinim ashtu siç është duke kërkuar opozita.

    “Ata kanë marr njoftime shumë më pak se sa sot ju ne seancë. Nuk ekziston asnjë informacion që iu është dhënë ambasadorëve e që iu tashmë nuk e dini. Ka shumë të tilla që ju i dini këtu e nuk i din ata”.

    “Emisarët evropian thanë mos me tregu datën, tash e me koordinim a pa koordinim se jam në hallë me ju. Ata më thanë që këtë draft që po ju jap juve mos e ndani me qytetarët. Unë e kam ndarë me president se ajo është shefja e shtetit”.

    “Unë jam në koordinim të vazhdueshme me evropianet e amerikanët, me iu treguar juve draftin i bije që jam pa koordinim. Veç me tregoni qysh po doni, me koordinim a pa koordinim”, tha Kurti.

  • ​Konjufca kërkon mbështetje nga Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Konjufca kërkon mbështetje nga Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca priti sot në takim raportuesen për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, me të cilën ka biseduar për gjendjen politike në vend, proceset integruese, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Konjufca vlerësoi rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkoi mbështetje nga raportuesja Bakoyannis.

    Ndërsa Bakoyannis tha se raporti fakt-mbledhës, të cilin do të hartojë pas qëndrimit në Kosovë, do të shërbejë si bazë për vijimin nëpër procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

  • Haki Abazi me gjëegjëzë në Kuvend: Ta gjejnë veç ata që kanë kartela të LV-së

    Haki Abazi me gjëegjëzë në Kuvend: Ta gjejnë veç ata që kanë kartela të LV-së

    Ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë një gjëegjëzë për deputetët e VV-së: Si quhet një gjë që është vetmenaxhim sipas pikës 7 e ndërlidhur me pikën 10?, raporton EO.

    “Nuk ka torturë ma të madhe se me dëgju ligjërim për marrëveshjet e së kaluarës prej njeriut që ka qenë pjesë e atyre marrëveshjeve. Nuk ka torturë më të madhe për qytetarët me fol për kauzat e LVV-së, demarkacionin, Asociacionin nga një njeri që ka qenë pjesë e këtyre marrëveshje. A e din ku keni ra? Keni ra në pamundësinë në fakt me argumentuar, por unë kam një gjëegjëzë”.

    “Si quhet një gjë që është vetmenaxhim sipas pikës 7 e ndërlidhur me pikën 10? Ama, këtë përgjigje e pranoj veç prej atyre që e kanë kartelën e LVV-së. Le të çohet kryeministri e le të shpjegon qysh koka ma mirë që nuk përfunduam veç me pikën 10, por përfunduam edhe me vetmenaxhimin e autonomisë substanciale. Çka qenka ajo?”.

  • Tahiri: Vuçiqi po i ndan informatat me Kinën e Rusinë, Kurti as me neve as me Shqipërinë

    Tahiri: Vuçiqi po i ndan informatat me Kinën e Rusinë, Kurti as me neve as me Shqipërinë

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që nuk po e ndan draftin për Asociacionin të propozuar nga emisarët perëndimorë.

    Ai tha se një kryeministër kurrë s’do të pranonte që informatat relevante të mbahen në konfidencë, larg qytetarëve, pa besimin e tyre, raporton Ekonomia Online. Tahiri tha se Kosova s’i duhet të mësojë nga informacionet e Serbisë, e cila ka agjendë të dëmtimit të interesave shtetformuese të Kosovës.

    Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq po ndan informata me Kinën e Rusinë e Kurti as me deputetët e as me Shqipërinë.

    “Me dashje apo pa të., Albin Kurti po i bën favor Aleksandar Vuçiqit, duke mos shpalosur informacione dhe duke i mbajtur në raportin konfidencial informatat”.

    “Këtë qasje nuk do të duhej ta kishte një kryeministër teknik, e lëre më ky që e ka gjysmën, duke mos pasur fuqi, e synim strategjik, më kanë dhënë shkas miqve tonë, që të shprehin mosbesim ndaj tij si përfaqësues i Kosovës, pastaj edhe si i Qeverisë”.

    “Konfidencialiteti mund të jetë taktizim i Vuçiqit, por për Kurtin mungesa e transparencës është arrogancë dhe vazhdimësi e mashtrimit nga dita e parë. Derisa Vuçiq i ndan dhe i trajton informatat me Kinën e Rusinë, Kurti s’i ndan as me ne as me Shqipërinë amë”.

  • Abdixhiku thotë se Kurti e Osmani kanë kontradikta për draftin: Ka mospërputhjes me Kushtetutën

    Abdixhiku thotë se Kurti e Osmani kanë kontradikta për draftin: Ka mospërputhjes me Kushtetutën

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryeministri Albin Kurti në Kuvend ku është thirrur të raportojë për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, vendosi t’i flasë përkrahësve të tij. Duke u ankuar për mostransparencë, Abdixhiku tha se nga ato deklarata që thanë presidentja Vjosa Osmani e kryeministri për draftin e Asociacionit që e kanë parë dokumentin ka kontradikta, raporton EO.

    Abdixhiku tha se ndonëse Kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ. Ai tregoi se si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kryetarit të Kuvendit, kanë kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument.

    “Ndoshta e kuptoj, por s’e mirëkuptoj. Bëhet fjalë për jetë të humbura për një kauzë që është shuar nga ai. Përtej kësaj ironie, e kam të vështirë ta kuptoj kundërthënien në vazhdimësi: ‘Jam i gatshëm ta nënshkruaj qysh sonte, por s’e kam pranuar’”.

    “Dhe meqë nuk mund të flasim për përmbajtjen, meqë nuk e kemi atë, do të duhet të flasim për procesin dhe të hamendësojmë. Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, Kryeministri dhe Presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalos hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”.

    “Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende. Së këndejmi, dhe kjo seancë humbet kuptimin përmbajtjesor. Sepse do të duhej të flisnim për një materie të pranuar zyrtarisht, të shndërruar tani në obligim ndërkombëtar”.

    “Sot, mund të mos kemi dalje nga kjo situatë. Sot, për shkak të pozicionit të pafavorshëm diplomatik, për shkak të menaxhimit katastrofal të procesit dialogues kemi ndërtuar një presion ndërkombëtar që na detyron në zgjidhje të tilla. Nesër, për më tepër, mund të kemi situatë dhe më të rëndë e propozime dhe më të rënda. Të gjitha këto janë të vërteta; por njëtrajtësisht është e vërtetë se për shkak tuajin kemi marrë rezultatet më të rënda të mundshme. Asociacion ende të padefinuar në natyrë për popullin e Kosovës, pa njohje, dialog të gjatë, e në kërkim të marrëveshjes përfundimtare; me koncesione tjera në pritje; dhe pa qartësi për koncensionet e tanishme”.

  • Ujkani: Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita po bëhet për inate politike

    Ujkani: Mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita po bëhet për inate politike

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, në emisionin A LIVE në ATV, tha se opozita nuk po i voton marrëveshjet ndërkombëtare për inate politike.

    Ajo thotë se këto nuk janë marrëveshje që i shërbejnë Lëvizjes Vetëvendosje apo kryeministrit Kurti, por sipas saj, janë marrëveshje vitale për zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Problemi kryesor është tek inatet politike, domethënë dhe poenat se kujt i shkojnë pozitivisht pra se sa ngritet Qeveria Kurti në këtë proces, por ja që duhet ta kemi parasysh që këto marrëveshje ndërkombëtare nuk janë marrëveshje ndërkombëtare që i shërbejnë Lëvizjes Vetëvendosje apo personalisht Kryeministrit Kurtit, po janë marrëveshje ndërkombëtare që janë tepër të rëndësishme dhe vitale për zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Kosovës, të cilat duhet të ratifikohen dhe të përfundohet procesi i tyre sa më parë, sepse janë marrëveshje të cilat janë diskutuar me muaj të tërë dhe ka një periudhë të gjatë kohore të cilat ne kemi negociuar, ministritë e linjës kanë negociuar lidhur me këto marrëveshje ndërkombëtare që të arrihet një dakordim që ato fonde t’i barten Republikës së Kosovës dhe të shpërndahen në sektorët të cilat do të kontribuonin në rritjen e kapaciteteve të zhvillimit të ekonomisë së Kosovës”, tha Ujkani.

    Ajo thotë se për votimin e këtyre marrëveshjeve nuk po gjejnë dakordim nga PDK dhe AAK, mirëpo së fundmi, vazhdon ajo, këto dy parti politike kanë shprehur interesim për bashkëpunim me Qeverinë.

    “Nuk po arrijmë që ta gjejmë një dakordim, sepse nga opozita, specifikisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga AAK-ja deri më tani kemi vendime të brendshme partiake, të cilat ka dakordim të plotë që ata të mos marrin pjesë në asnjë votim, por ja që tash më së fundi kemi parë që ka një lëshim nga të dyja palët që janë të interesuar për bashkëpunim që këto marrëveshje ndërkombëtare të ratifikohen, pra të kalohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por ja që paraprakisht për votimin e këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare ka edhe kushte nga opozita që nismat e tyre legjislative dhe rezolutat e tyre, të cilat po dalin që të jenë në anën e disa sektorëve të cilët po kërkojnë që të ketë rritje të pagave dhe përmirësim të kushteve në punën e tyre, apo domethënë është një lloj pazari në mes pozitës dhe opozitës, fatkeqësisht të cilat po ka sabotime nga të dyja palët”, tha Ujkani.

    Ajo përmend se opozita po i cilëson si nisma joserioze nga ana e Qeverisë, që këto marrëveshje të gjejnë zbatueshmëri.

    “Kuptohet sepse nga rrafshi ynë po shihen këto që janë nisma joserioze dhe janë çështje të cilat po ngritën nga opozita për poena politikë, të cilët e dinë ata jashtëzakonisht mirë që kjo kërkon kohë që këto të gjejnë zbatueshmëri, sepse nuk mund të bëhet të miratohet një rezolutë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ato të gjejnë zbatueshmëri, sepse e dimë se si këto procedohen së pari dhe kërkojnë që të hyjë në linja buxhetore dhe tashmë e kemi buxhetin për vitin 2024 që do të miratohet dhe kjo është një mundësi e mirë që të ulemi me anë të amendamenteve të procedohen dhe të rishikohet buxheti prapë dhe në mes të dy leximeve të gjejmë një kompromis dhe këto projektligje dhe këto nisma të mos mbesin në gjysmë, po t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të cilët janë target i yni nga Qeveria”, shpjegoi Ujkani. /atvlive.tv