ATV

Category: Lajme

  • Isni Kilaj, ish pjesëtar i UÇK-së, arrestohet nga specialja

    Isni Kilaj, ish pjesëtar i UÇK-së, arrestohet nga specialja

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, pas arrestimit nga Gjykata Speciale, është dërguar në Hagë.

    Fillimisht, Kilaj u mbajt në bazën e EULEX-it në Fushë-Kosovë, teksa në mesditën e së premtes, vetura të këtij misioni e dërguan ish-kryetarin e Malishevës në aeroportin Adem Jashari, nga ku aeroplani privat i Speciales ka fluturuar drejt Rotterdamit.

    Arsyet e arrestimit nuk janë të njohura as për familjarët.

    “Jo, ata nuk na kanë njoftu për arsyen e as nuk kemi pas njoftim paraprak me bastisë. Vetëm kur i kemi pa në mëngjes që kanë ardhë, i kanë rrethua shtëpitë tona”, tha Fatmir Kilaj, vëllai i Isni Kilajt.

    Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, të enjten, njoftoi se po kryen bastisje për një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Ndërkaq, paraprakisht hetues të Gjykata Speciale bastisën shtëpitë e familjes Kilaj për gati 16 orë.

    “Rreth orës 06:00 të mëngjesit, kemi qenë të rrethuar nga pjesëtarë të EULEX-it, këtu në vendlindje, në fshat, dhe në të njëjtën kohë edhe në Prishtinë, atje edhe ku jeton vëllai. Bastisja ka zgjatë prej orës 06:30 të mëngjesit deri në orën 23:00. Pas orës 23:00 ia kanë konfirmu arrestimin”, tha Fatmir Kilaj.

    Isni Kilaj shërbeu edhe si zëvendësministër i Diasporës, teksa në cilësinë e dëshmitarit ishte intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    Gjatë javës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e disa prej bashkëpunëtorëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

  • Mosnënshkrimi dhe pranimi, në fokus të raportimit të kryeministrit

    Mosnënshkrimi dhe pranimi, në fokus të raportimit të kryeministrit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për kronologji ngjarjesh, takimesh e dokumentesh, pa treguar përmbajtjen, foli kryeministri Albin Kurti në një pjesë të madhe të raportimit të tij në Kuvend, për planin e ri dhe takimet e fundit në kuadër të dialogut me Serbinë.

    Edhe pse tha që ka vërejtje kapitale për draft-statutin e prezantuar të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai theksoi gatishmërinë për nënshkrim në pako, të marrëveshjes bazë, shtojcës dhe dokumenteve të prezantuara më 21 Tetor.

    Krahas komenteve për qëndrimet dhe veprimet e kryeministrit ndër vite, dallimeve me presidenten për draftin, së fundmi, opozita kërkoi dokumente.

    Por, kryeministri tha se nuk mund t’u japë dokumente, për shkak të kërkesës së emisarëve. Në mungesë përmbajtjeje, në momente të caktuara diskutimet kaluan në tallje, ofendime dhe akuza.

    Para se të konstatonte se ajo që, sipas tij, Kurti ka e pranuar është autonomi politike për serbët, ish-zëvendësi i tij në Qeveri, Haki Abazi, vendosi disa mesazhe, të cilat shpejt iu hoqën.
    Në fjalën e tij ai u shërbye me një gjëegjëzë.

    Edhe deputetë të tjerë thanë se me dokumentet e pranuara, kryeministri ka pranuar një lloj autonomie.

    Ndërsa, pjesa dominante e fjalimeve ishin të fokusuara në të kaluarën.

  • Specialja me njoftim për arrestimin e Isni Kilajt, tregon që e kanë çuar atë në Hagë

    Specialja me njoftim për arrestimin e Isni Kilajt, tregon që e kanë çuar atë në Hagë

    Prokuroria e Hagës ka njoftuar se sot në Kosovë ka arrestuar Isni Kilajn, pas një urdhri nga Prokuroria e Specializuar.

    Prokuroria ka njoftuar se Kilaj është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.

    “Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, njofton Specialja.

    Operacioni i Speciales është mbështetur nga EULEX dhe Policia e Kosovës.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thekson njoftimi.

  • Stuhia “Ciaran” godet Shqipërinë, plagoset një polic në Tiranë

    Stuhia “Ciaran” godet Shqipërinë, plagoset një polic në Tiranë

    Shqipëria është prekur këtë mesditë nga stuhia që ka përfshirë Evropën dhe që në vendin fqinj Itali ka shkaktuar dëme të mëdha.

    Si pasojë e reshjeve të dendura, është bllokuar qarkullimi në disa akse rrugore, ndërkohë që uji ka hyrë në disa banesa dhe biznese.

    Sinoptikani Elvi Jahaj, në lidhje direkte për edicionin e lajmeve, shpjegoi se vendi ynë do të preket nga periferia e kësaj stuhie të fortë, e cila ka përfshirë pjesë më të madhe të Europës, shkruan Top chanel, transmeton KosovaPress.

    Si rrjedhojë, në orët në vijim, do të ketë mot të vranët, me vranësira të dendura dhe reshje shiu me intensitet mesatar e herë pas herë të larta. Reshjet me intensitet të lartë do të përfshijnë Ultësirën Perëndimore dhe vijën bregdetare.

    Këto reshje do të vijojnë deri të shtunën në mesditë. Më pas, do të ketë një ndërprerje të reshjeve deri të dielën pasdite, kur do të rikthehen reshjet e shiut me intensitet të ulët deri në mesatar.

    Për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj, është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit.

    Sipas njoftimit, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

    Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u ka bërë apel qytetarëve që të minimizojnë lëvizjet pas stuhisë së shiut, që ka përshirë vendin orët e fundit.

    Për shkak të “lajthitjes” së motit, një efektiv policie ka mbetur i plagosur, pasi në kohën që ka qenë në detyrë një objekt është shkëputur dhe e ka goditur.

  • Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Netanyahu thotë se s’ka armëpushim në Gazë pa u liruar të gjitha pengjet

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.

    Netanyahu i bëri këto komente të premten, pak pasi e takoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, i cili i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.

    Po ashtu, Blinkeni, i cili ishte sot në një vizitë në Tel Aviv, i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.

    Por, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë “me të gjitha forcat e veta” dhe se “nuk pranon armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”.

    Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.

    Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.

    Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

    Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.

    Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.

    Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.

    Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.

    Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.

    Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.

    Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese./REL/

  • Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në veri do të punojnë edhe nesër

    Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në veri do të punojnë edhe nesër

    Pas vendimit të Qeverisë për lejimin e regjistrimit të veturave nga targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS nga data 1 nëntor 2023 deri me 1 dhjetor 2023, është shtuar fluksi i qytetarëve të cilët po i konvertojnë targat në RKS.

    Kështu thuhet në një njoftim për media të MPB-së, ku shtohet se për këtë qëllim, “për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme njofton që nesër me datë 04.11.2023 (e shtunë), do të punojnë Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në katër komunat veriore”.

    “Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët e komunitetit serb që të shfrytëzojnë mundësinë e regjistrimit të veturave me targa RKS, duke shfrytëzuar edhe lehtësirat financiare sipas vendimit të Qeverisë”, tha MPB-ja në njoftimin për media.

  • Policia publikon videon e përleshjes me armë zjarri me hajnat në “Hib Petrol”

    Policia publikon videon e përleshjes me armë zjarri me hajnat në “Hib Petrol”

    Policia e Kosovës ka publikuar pamjet e shkëmbimit me armë zjarri që kanë pasur disa pjesëtarë të policisë së Kosovës me disa hajna të cilët kishin tentuar të vjedhin një bankomat të cilin e kishin shpërthyer me mjet plasës.

    “Patrulla e policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata.”, thotë policia e Kosovës.

    Njoftimi i plotë:

    Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje në Ferizaj

    Me datën 03.11.2023 rreth orës 04:50 kemi pranuar një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në afërsi të pikës së karburantit “Hib Petrol” në Ferizaj ishte një grabitje e armatosur në proces nga persona të panjohur.

    Patrulla e policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata.

    Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së policisë, e më pas në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar, i cili edhe ai ka dalë në vendin e ngjarjes, i kanë nisur hetimet.

    Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia e Deminimit e Policisë së Kosovës.

    Nga hetimet e para hetuesit rajonal kanë mësuar se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare ” Superviva” në Ferizaj.

    Personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët tjerë, mirëpo falë intervenimit të shpejtë të policisë, posa arrinë patrulla e parë policore, të dyshuarit fillojnë të shtënë në drejtim të veturës së policisë dhe të largohen nga vendi i ngjarjes.

    Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve në veturën e policisë.

    Hetuesit rajonal pasi kanë kryer egzaminimet në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera të policisë rajonale janë në kërkim të personave të dyshuar.

    Rasti është cilësuar ” Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.​

    Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë.

    Nëse kanë informata për personat e dyshuar që lidhet me grabitjen e armatosur të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

    Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

    Me autorizim të prokurorit të rastit, me këtë komunikatë i bashkangjesim 2 video të rastit.

  • Deputetja e PDK-së ia lëshon një incizim Kurtit nga 2011-ta: A po e njeh veten?

    Deputetja e PDK-së ia lëshon një incizim Kurtit nga 2011-ta: A po e njeh veten?

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ia ka lëshuar Kurtit në seancën e Kuvendit një incizim me kushtet që Kurti i kishte vendosur për t’iu kthyer dialogut me Serbinë dhe një fjalim të vitit 2011 për “Zajednicën”.

    Ajo i ka thënë se po i lëshon deklarata të tillë për t’ia kujtuar kryeministrit Albin Kurti se ku ishte dhe ku është sot.

    Musliu-Shoshi e ka pyetur Kurtin nëse ai e njohu veten në atë incizim.

  • Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radojiçiqin ndonëse e kishte në dorë

    Tahiri: Kurti ka refuzuar ta arrestojë Radojiçiqin ndonëse e kishte në dorë

    Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka refuzuar ta arrestojë kriminelin, Millan Radojiçiq, ndonëse sipas tij e ka parë në kohë reale të armatosur në territorin e Kosovës.

    Në seancën e së premtes në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka thënë se Kurti ka ndaluar Policinë e Kosovës ta arrestojë Radojiçiqin gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

    “Ky kryeministër që në kohë reale e ka parë Radojiçiqin në Republikën e Kosovës të armatosur me grup të armatosur dhe e ka ndaluar policinë e Kosovës ta arrestojë. Nuk ka dashur ta fusë në burgun personin të cilin e ka pasur në dorë. E ka parë në kohë reale, ka refuzuar ta arrestojë. Arsyet ne nuk i dimë, i di ky. Koha do ta shpjegojë”, tha ai.

  • Zelensky thotë se është gati të organizojë zgjedhje, pavarësisht luftës së vazhdueshme

    Zelensky thotë se është gati të organizojë zgjedhje, pavarësisht luftës së vazhdueshme

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se Kievi është “gati” të organizojë zgjedhje pavarësisht luftës së vazhdueshme, transmeton atvlive.tv.

    “Jam gati për zgjedhjet. Dua të them, ne jemi gati nëse është e nevojshme,” tha Zelensky, duke shtuar se është në favor të lejimit të vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet e mundshme.

    “Për ne, gjëja kryesore nuk është të mbajmë zgjedhje, por që ato të njihen”, tha Zelensky. /atvlive.tv