ATV

Category: Lajme

  • Gjendet i vdekur një person i zhdukur pas përmbytjeve në Toskana

    Gjendet i vdekur një person i zhdukur pas përmbytjeve në Toskana

    Trupi i një personi të zhdukur pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme që përfshiu pjesë të mëdha të Toskanës mbrëmjen e së enjtes, u gjet të shtunën.

    69-vjeçari u zhduk në Campi Bisenzio, një nga komunat në zonën metropolitane të Firences më të prekura nga moti ekstrem.

    Gjetja e tij e çon në shtatë numrin e të vdekurve nga përmbytjet. Një person ende mendohet të jetë i zhdukur. /ANSA

  • Serwer: Dorëheqja e Vulinit nuk nënkupton distancim të politikave të Serbisë ndaj Rusisë

    Serwer: Dorëheqja e Vulinit nuk nënkupton distancim të politikave të Serbisë ndaj Rusisë

    Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, ka thënë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, se dorëheqja e Aleksandar Vulinit prej pozitës së shefit të BIA-s, nuk nënkupton distancim të politikës së Serbisë ndaj Rusisë, mirëpo përpjekje për t’i shmangur sanksionet shtesë.

    Sipas tij, Uashingtoni do ta mirëpresë dorëheqjen e Vulinit, ndërsa Moska nuk do të jetë e lumtur.

    I pyetur se pse ka dhënë dorëheqje Vulini, Serwer ka thënë se ai ka qenë në presion të evropianëve dhe amerikanëve.

    “Mirëpo fakti që i janë dashur tre muaj, dhe jo tri ditë, tregon se ka pasur rezistencë të madhe të presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili e ka pikëpamjen e njëjtë me të Vulinit dhe ambicien e njëjtë për kontroll politik të popullsisë serbe në shtetet fqinje”, ka thënë Serwer.

    Serwer beson që Vulini e ka thënë të vërtetën, kur ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja e kanë kërkuar dorëheqjen e tij, në mënyrë që të mos vendosin sanksione ndaj Serbisë.

    Megjithatë, ai nuk beson se dorëheqja e tij nënkupton se Serbia do të pajtohet për koncesione tjera.

    “Vulini nuk është problem i vetëm në Serbi, apo në shërbimet e saj të inteligjencës. Presidenti Vuçiq nuk ka treguar asnjë shenjë keqardhjeje për ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës”, ka thënë Serwer./REL/

  • Erdogan thotë se pas luftës Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit sovran palestinez

    Erdogan thotë se pas luftës Gaza duhet të jetë pjesë e shtetit sovran palestinez

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u tha gazetarëve se Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të pavarur dhe sovran palestinez sapo të përfundojë lufta Izrael-Hamas, duke shtuar se Ankaraja nuk do të mbështesë modelet që “i fshijnë gradualisht palestinezët nga historia”.

    Duke folur për mediat nga kthimi nga Kazakistani të premten, Erdogan tha gjithashtu se shefi i tij i inteligjencës Ibrahim Kalin ishte në kontakt me autoritetet izraelite dhe palestineze, si dhe me Hamasin, raportoi transmetuesi Haberturk.

    Ai tha se nuk do të fliste si homolog me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por shtoi se Ankaraja nuk do t’i ndërpresë as lidhjet e saj me Izraelin, sipas Haberturk.

  • 7-vjetori i vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje tregon agjendën e organizimit

    7-vjetori i vdekjes së Astrit Deharit, Lëvizja Vetëvendosje tregon agjendën e organizimit

    Lëvizja Vetëvendosje ka bërë publike agjendën e organizimit me rastin e 7-vjetorit të vdekjes së aktivistit të tyre Astrit Dehari.

    Në mëngjesin e të dielës do të bëhen homazhe tek varri i tij në Zllatar, e në mbrëmje do të bëhet ndezje e qirinjve tek murali për Astrit Deharin në qendër të Prishtinës.

    Njoftimi i plotë:

    Agjenda për shtatë vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari

    E diel, 5 nëntor, 2023

    – 09:30 – Homazhe te varri i Astrit Deharit, vendi: Zllatar, Prishtinë

    – 12:00 – SKV Diskutim, vendi: Parku ‘Astrit Dehari’ te Biblioteka e Fakultetit të Mjekësisë.

    – 14:00 – Dhurimi vullnetar i gjakut, vendi: Sekretariati i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, rr. Behije Dashi, Prishtinë.

    – 18:00 – Ndezja e qirinjve te Murali për Astrit Deharin, vendi Kino ABC, rr. Rexhep Luci.

  • Tahiri pas raportimit të Kurtit në Kuvend: Ikje spektakulare nga përgjegjësia dhe dështimi dyvjeçar në dialog

    Tahiri pas raportimit të Kurtit në Kuvend: Ikje spektakulare nga përgjegjësia dhe dështimi dyvjeçar në dialog

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas raportimit të djeshëm të kryeministrit Kurti në Kuvend lidhur me dialogun dhe zotimit të tij për formim të asociacionit.

    “Raportimi i djeshëm i kryeministrit për takimin e Brukselit ishte ikja më spektakulare e Albinit nga përgjegjësia dhe dështimi i tij dyvjeçar në dialog. Ai foli për Shkup e Shkodër, veç për temën që ishte thirrur nuk u përgjigj. Në fakt seanca e djeshme u kthye në një takim politik elektoral të VV-së”, shkroi Tahiri në profilin e tij në Facebook.

    Tahiri shtoi se qytetarët ende presin përgjigje nga Kurti se çka do të fitojë Kosova nga kjo çasje, kur do të largohen sanksionet dhe se si do të bëhet asociacioni.

    “Qytetarët vazhdojnë të presin përgjigje për:

    1. Çka do të fitojë Kosova nga kjo çasje e qeverisë në dialog dhe a do të bëhet dhe si do të bëhet Asociacioni?
    2. Kur do të largohen sanksionet?
    3. Cila është perspektiva e vendit për anëtarësim të shpejtë në NATO?”, përfundoi ai.
  • Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, vendimi për Isni Kilajn merret të hënën

    Kërkesa për vazhdimin e paraburgimit, vendimi për Isni Kilajn merret të hënën

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dje ka paraqitur kërkesën për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Isni Kilajt i cili është arrestuar me 2 nëntor, mirëpo vendimi për këtë kërkesë do të merret të hënën me 6 nëntor 2023.

    Kjo është bërë e ditur nga gjyqtari i vetëm në këtë çështje, Nicolas Guillou i cili i urdhëroi mbrojtjen e Isni Kilajt dhe ZPS-në për t’i dorëzuar parashtrimet e veta.

    “Pasi dëgjova palët dhe duke marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë për vazhdimin e paraburgimit që u paraqit dje në 3 nëntor përreth orës 10:00 e quaj të përshtatshme të miratoj kërkesën e mbrojtjes për bërë parashtrime me shkrim lidhur me këtë kërkesë përpara se të jep vendimin tim, prandaj e urdhëroj mbrojtjen e z.Kilaj të parashtroj parashtrimet e veta me shkrim, sot 4 nëntor deri në orën 8 dhe ZPS t’i kundërpërgjigjet nesër deri në orën 2. Të hënën në orën 10:00, 6 nëntor do të nxjerrë vendimin tim”, tha gjyqtari Guillou.

    Mbrojtja ka thënë se s’ka prova se ai është fajtor derisa Prokuroria ka thënë se ka gjetur prova të dëshmitarëve në banesën e Kilajt.

    Gjykata njoftoi të premten se ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pasi është arrestuar nën dyshimin për veprë penale kundër administrimit të drejtësisë.

    “Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftim për media.

  • Ambasada amerikane për Vulinin: Ne nuk ndërhyjmë në vendimet e personelit të autoriteteve serbe

    Ambasada amerikane për Vulinin: Ne nuk ndërhyjmë në vendimet e personelit të autoriteteve serbe

    Ambasada amerikane në Serbi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e autoriteteve në Serbi, teksa e ka komentuar dorëheqjen e drejtorit të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vullin.

    “Pozicioni ynë për Vullinin është i ditur. Ai është nën sanksione amerikane”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës në kërkesën e Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë për ta komentuar dorëheqjen e Vullinit.

    Ambasada ka thënë se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin me Serbinë, me qëllim të integrimit evropian dhe euro-atlantik.

    Vullin ka dhënë dorëheqje nga pozita e shefit të agjencisë së inteligjencës së Serbisë, më 3 nëntor.

    “Po e dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e drejtorit të BIA-s”, ka thënë Vullin më 3 nëntor, i cili është në listën e sanksioneve amerikane prej korrikut të këtij viti, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe për përfshirje në trafikim të drogës, si dhe për lidhjet me Rusinë.

    “SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe presioneve ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejoj veten të jem shkaktar i shantazheve dhe presionit ndaj Serbisë dhe botës serbe. Prandaj, parashtroj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i drejtorit të BIA-s”, ka thënë VUllin.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, ka thënë se ka ekzistuar presion prej kur Vullin është emëruar në atë pozitë.

    “Ai e di shumë mirë si lëviz dhe çfarë pasoja mund të ketë. Nuk mund të komentoj për të gjitha gjërat për arsyen e thjeshtë se jam i obliguar që të mos flas për këto gjëra”, ka thënë Vuçiq për Televizionin Pink më 3 nëntor, duke shtuar se e kupton reagimin e Vullinit.

    Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se Vullin nuk është agjent i askujt, përfshirë Rusinë.

    Ai i ka thënë Televizionit Pink se dëshiron ta falënderojë Vullinin “për kontributin që e ka bërë për ruajtje të shtetit tonë, për ta bërë atë stabil dhe të pavarur”.

    Në dekadën e fundit, Vullin ka mbajtur disa pozita politike, përfshirë atë të kryetarit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, si dhe në departamente të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme.

    Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me zyrtarët rusë edhe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Ndonëse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë, për luftën e nisur kundër Ukrainës./REL/

  • Banorët e Matiçanit me protestë kërkojnë mbylljen e deponisë së dheut

    Banorët e Matiçanit me protestë kërkojnë mbylljen e deponisë së dheut

    Banorët e lagjes “Matiçan”, në Prishtinës, kanë protestuar kundër rihapjes së deponisë së dheut, në këtë lagje. Kjo për shkak të kamionëve që po dëmtojnë rrugën, shkaktojnë aksidente, pluhur dhe zhurmë. Ata madje paralajmëruar protesta më të ashpëra, nëse nuk mbyllet deponia.

    Sipas tyre, kjo deponi ishte mbyllur por është rihapur prapë me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, vendim këtë të cilin e quajnë të jashtëligjshëm, për shkak të mospëlqimit të banorëve që jetojnë aty.

    Organizatori i kësaj proteste, Arsim Rexhepi tha se deponia duhet të mbyllet urgjentisht sepse po pengon jetesën e banorëve në lagjen e Matiçanit.

    Ai tha kanë bërë kërkesa të vazhdueshme dhe ende nuk ka diçka konkrete. Sipas tij, nëse nuk mbyllet kjo deponi, protestat e ardhshme do të jenë më të ashpra.

    “Sot jemi kundër një vendimi të kryetarit të komunës, i cili ka marrë vendim për hapjen, rihapjen deponisë së dheut në mënyrë ilegale për neve, sepse kryetari i komunës, përfaqësuesit e komunës nuk kanë marrë pëlqimin e banorëve për rihapjen e kësaj deponie, në si banorë besoj shumica e banorëve kanë marrë iniciativa, kërkesa, protesta të shumta në pesë vitet e fundit kudër asaj deponie dhe asnjëherë kërkesat tona nuk janë marrë parasysh deri në vitin e fundit, ne 2022 kur fillimisht është mbyllur deponia dhe kryearti i komunës, zoti Rama ka marrë një vendim për neve të paligjshëm për arsyeje se e ka rihapur dhe i dhënë hortikulturës sot parcela në atë pjesë, ne jemi kundër deponisë jem për mbylljen e deponisë urgjentisht. Kjo për arsyeje të shumta, e para kamionët që kalojnë në rrugën tonë dëmtohet rruga është rrezik i përgjithshëm i banorëve…. Ku ne si banorë nuk mund të hapim dyert, dritaret për ajrosje të shtëpive tona prej tymit, zhurmës dhe prej pluhurit të kamionëve. D.m.th. është një problem i madh kërkesën e fundit që ne si banorë me peticion e kemi dorëzuar me 26.10 2023 te nënkryetari komunës i cili na ka premtuar që brenda javës, ku ka premtuar brena javës do të na bëjnë një zgjidhje apo do të marrin një vendim për mbylljen e kësaj deponie” tha Rexhepi

    Po ashtu, Rexhepi tha se si banorë në protestat e ardhshme do të bllokojnë rrugën për të gjithë kamionët.

    Ai shtoi se në hapësirën e deponisë nuk hedhet vetëm dheu por edhe mbeturinat të tjera të cilat po dëmtojnë shëndetin e banorëve.

    “Ne si banorë nuk do të tërhiqemi, nga kërkesat tona ku në fakt ne do të i japim një afat dy ditor punë, ditën e hwnw dhe të martën nuk do te ketë protestë, prej të mërkurës do të vazhdojë protestat, dhe protestat e ardhshme do të bllokohet rruga vetëm për kamionë, te jemi te qartë nuk do të bllokohet rruga për komunikacion të banorëve, por për kamionët që hedhin dhe në atë deponi. .. Aty hedhet edhe mbeturina të ndryshme, personalisht kam incizime të bollshme ku kamionët hedhin mbetej interne të tjera jo vetëm, dhe si armatura dhe bërllok dhe në fund mbulohen me dhe, nuk është vetëm deponi e dheut”, shtoi Rexhepi.

  • Kurti takohet me deputetë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës të konferencës ndërkombëtare parlamentare “E ardhmja e transportit”

    Kurti takohet me deputetë të vendeve të ndryshme pjesëmarrës të konferencës ndërkombëtare parlamentare “E ardhmja e transportit”

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte mbrëmë pjesë e darkës në kuadër të konferencës parlamentare ndërkombëtare me temë “E ardhmja e Transportit” të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, dhe me mbështetje të fondacionit gjerman Friedrich Erbert Stiftung.

    Kryeministri Kurti gjatë darkës i informoi deputetët për projektet e qeverisë në fushën e transportit dhe energjisë, me theks të veçantë investimet në ndërtimin e hekurudhës që do të lidh Prishtinën me Durrësin dhe projektet për diversifikimin e resurseve energjetike. Ai theksoi mundësitë e investimeve në sektorin e ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë së ripërtrishme nga teknologjia solare dhe e erës.

    Duke theksuar përkushtimin e Qeverisë në fushën e arsimit, kryeministrit Kurti gjithashtu i njoftoi deputetët rreth sistemit dual të arsimit që ka filluar së aplikuari në Kosovë. Synimi është lidhja e arsimit me ekonominë dhe arsimit profesional me tregun e punës në mënyrë që të përgatisim rininë për tregun e punës.

    Të pranishëm në darkë ishin deputetë nga Gjermania, Portugalia, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.​

  • Vrasja në “Bon Vivant”, Andi Pajazitit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj

    Vrasja në “Bon Vivant”, Andi Pajazitit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Andi Pajazitit, i dyshuar për përfshirje në rastin e 4 gushtit në “Bon Vivant”, ku si pasojë e të shtënave me armë vdiq 39-vjeçari K.R.

    “Po, ju ka vazhduar masa e paraburgimit deri më 05/01/2023”, kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra e gjykatësit Kushtrim Shyti, transmeton lajmi.net.

    Ndryshe, me urdhër të prokurorit të shtetit, më 31 gusht 2023, ishte ndaluar N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

    Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit.

    Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, të dyshuar për vrasjen e 4 gushtit në “Bon Vivant”, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

    Më 24 tetor 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë pësuar lëndime trupore në incidentin në “Bon Vivant” më 4 gush, që të paraqiten në Policinë e Kosovës apo në Prokurori, me qëllim të zbardhjes së rastit.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

    Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti dyshohet se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve.

    Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.