ATV

Category: Lajme

  • “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    “Nuk na ndalin as në jug e as në veri”, Kurti: Vitin tjetër do të kemi 600 ushtarë dhe 500 policë më shumë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe qeverisja e tyre janë të pandalshme dhe pavarësisht se kush e ku i pengon, ata nuk do të mund t’i ndal askush, as në jug dhe as në veri.

    “Sot u bënë 6 javë që na e vranë rreshterin e policisë, heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, por në vitin 2024, do të kemi 600 ushtarë më shumë dhe 500 policë më shumë për ligj e kushtetutshmëri, për mbrojtje e siguri për Kosovën tonë”, tha Kurti.

    Kurti foli në në takimin e Lëvizja Vetëvendosje me pikat e saj, fjalim të cilin e nisi duke kujtuar Astrit Deharin, në shtatë vjetorin e vdekjes së tij aktivisti që tha ai është vrarë në burg.

    Më pas u ndal edhe te qeverisja, ku tha se produkti i brendshëm bruto i Kosovës, kur Vetëvendosje erdhi në pushtet ishte më pak se 6.8 miliardë euro dhe në vitin e ardhshëm do t’i kalojë 10 miliardë euro. Ndërsa buxheti i shtetit në 2024, do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

  • Ujësjellësi i Prishtinës vazhdon furnizimin me ujë të pijshëm përmes autoboteve

    Ujësjellësi i Prishtinës vazhdon furnizimin me ujë të pijshëm përmes autoboteve

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se po vazhdon furnizimi me ujë të pijshëm përmes autobotëve, në Kishnicë, Hajvali, Graçanicë, Llapnaselë, Preoc, Veternik, Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, Mati 1, rrugën” B dhe” C”, si dhe në rrugën Holgen Pedersen.

    “Ju njoftojmë me masat që jemi duke i ndërmarrë bazuar në rekomandimet e IKSHPK, zvoglimin e sasisë së ujit nga ky resurs me qëllim të trajtimit më të mire, përcjellja e vlerave të manganit, mirembajtja e fazave te trajtimit, kujdes i shtuar në procesin e trajtimit sipas procedurave stardardeve operative, Kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit, shpërlarja e rrjetit shpërndarës të gypave magjistral dhe segmenteve të vogla, qytetarëve në zonat e prekura nën përcjellje të vazhdueshme po iu sigurohet uji higjienik”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit të kryeqytetit.

    Tutje bëhet e ditur se gjithçka është duke u monituruar dhe se nuk ka vend për shqetësim.

  • Kurti në mbledhjen e VV-së: Astrit Dehari u mbyt në burg, drejtësia mund të vonojë por do të vijë

    Kurti në mbledhjen e VV-së: Astrit Dehari u mbyt në burg, drejtësia mund të vonojë por do të vijë

    Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i VV’së, njëherit kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Gjatë kësaj mbledhje, Kurti ka folur për Astrit Deharin, në 7 vjetorin e vdekjes së tij, për të cilin tha se u mby në burg ku po mbahej padrejtësisht.

    “Sot është data 5 nëntor dhe në po vijmë këtu pasi ishim në homazhe për aktivistin tonë të paharruar, Astrit Deharin, i cili u mbyt ne burg, ku po mbahej padrejtësisht, për arsye politike 7 vjet më parë”, tha ai.

    Ai tha se drejtësia mund të vonojë, por do të vijë.

    “Fakti se Kosova ka djem e vajza, aktivistë e aktiviste, shoqe e shokë të Astrit, na jep sigurinë se drejtësinë do ta kemi, ajo mund të vonojë e mund të pengohet nga jashtë e nga brenda sistemit, por nuk do të harroj e nuk do të harrohet.”

    Ai tha që Dehari ka qenë student i shkëlqyer i mjekësisë me rezultate shumë të larta.

    “Astriti sot i mungon Lëvizjes, si aktivist i palodhshëm e i patrembur që ka qenë, por ai i mungon edhe Kosovës sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona e në politikëbërjen e shëndetësinë për Kosovën. Nëse e respektojmë Astritit, nuk mjaftojnë lulet, fjalët e bukura dhe as shkrimet për të, sidomos nga ju aktivistë të ri në Rininë për Vetëvendosje, sepse tani pritet nga ju të studioni mirë me rezultate sa më të larta dhe ta afroni punën tuaj vullnetare në të mirë të komunitetit dhe popullit tonë. Vetëm kështu jemi të gjithë Astrita”, tha ai.

  • Sveçla: Drejtësia dhe llogaridhënia për vrasjen e Astrit Deharit janë të pashmangshme

    Sveçla: Drejtësia dhe llogaridhënia për vrasjen e Astrit Deharit janë të pashmangshme

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, e ka përkujtuar Astrit Deharin në 7 vjetorin e vdekjes së tij.

    Ai ka thënë se mungesa e Deharit është e madhe, derisa shtoi se zvarritja e zbardhjes së vrasjes së tij rëndon dhimbjen tonë të përbashkët.

    “Drejtësia dhe llogaridhënia për vrasjen e tij janë të pashmangshme”.

    Ai ka thënë se idealet e Astrit Deharit do të jenë gjithmonë udhërrëfyesi në angazhimet e përditshme.

    “Astriti, ky aktivist i shquar i dijes dhe i punës, na mungon çdo ditë e më shumë ndërsa idealet e tij janë dhe do të jenë gjithmonë udhërrëfyesi në angazhimet tona të përditshme. Drejtësi për Astritin.”

  • Shkencëtarët thonë se diçka e tmerrshme do të ndodhë me hemisferën jugore

    Shkencëtarët thonë se diçka e tmerrshme do të ndodhë me hemisferën jugore

    Analiza e re tregon rënie të mprehtë të disponueshmërisë së ujit në Amerikën e Jugut, pjesën më të madhe të Afrikës dhe Australinë qendrore dhe veriperëndimore.

    Shumica e njerëzve të botës nuk janë të vetëdijshëm se vetëm rreth një për qind e të gjithë ujit në planet është në dispozicion të njerëzve, bimëve ose kafshëve tokësore.

    Çdo gjë tjetër gjendet në oqeane ose në akull dhe shkëmbinj polar të ngrirë. Në një botë që po ndryshon për shkak të ndryshimeve klimatike, shpërndarja globale e një për qind të ujit po bëhet jashtëzakonisht e rëndësishme.

    Hulumtimet e reja kanë treguar se hemisfera jugore po thahet më shumë se hemisfera veriore gjatë njëzet viteve të fundit (2001 – 2020).

    Autorët sugjerojnë se shkaku kryesor i kësaj është një fenomen i motit i njohur si El Niño, i cili ndodh çdo disa vjet kur uji në Paqësorin lindor është më i ngrohtë se zakonisht.

    Gjetjet bazohen në të dhënat satelitore dhe matjet e rrjedhës së lumenjve dhe përrenjve, të cilat i lejuan autorët të modelonin dhe llogaritnin ndryshimet në disponueshmërinë e ujit.

    Disponueshmëria e ujit është ndryshimi neto midis sasisë së ujit që arrin në peizazh, në formën e reshjeve në tokë, dhe ujit që largohet në atmosferë përmes avullimit të përgjithshëm ose përmes bimëve përmes gjetheve të tyre, raporton Science Alert.

    Megjithëse Hemisfera Jugore ka vetëm një të katërtën e sipërfaqes tokësore të botës (me përjashtim të Antarktidës), duket se ka një ndikim dukshëm më të madh në disponueshmërinë globale të ujit sesa Hemisfera Veriore.

    Analiza e re tregon rënie të mprehtë të disponueshmërisë së ujit në Amerikën e Jugut, pjesën më të madhe të Afrikës dhe Australinë qendrore dhe veriperëndimore. Megjithatë, disa zona, si pjesa jugore e Amerikës së Jugut, do të kenë më shumë ujë në dispozicion.

    Nga ana tjetër, pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme midis rajoneve, hulumtimet sugjerojnë se disponueshmëria e ujit në hemisferën veriore është pak a shumë e balancuar. Kjo është pjesërisht për shkak të ndikimeve të gjera njerëzore, të tilla si ujitja, digat dhe prodhimi i ushqimit. Faktorë të tillë janë më të rëndësishëm në hemisferën veriore pasi rreth 90 për qind e popullsisë së botës jeton atje.

    Disa rajone do të vuajnë

    Por pse ka rëndësi i gjithë ky modelim teknik i disponueshmërisë dhe tharjes së ujit? Cilat janë implikimet e mundshme nëse hemisfera jugore thahet më shumë se ajo veriore?

    Një pjesë e përgjigjes qëndron në rajonet që ka të ngjarë të përjetojnë tharje të shtuar. Amerika e Jugut përfshin pyllin tropikal të Amazonës, i cili është një rregullator kyç i klimës dhe një habitat i rëndësishëm global për speciet dhe shtëpia e shumë komuniteteve indigjene.

    Tharja e pyjeve tropikale do të zvogëlonte bimësinë dhe do të rriste rrezikun e zjarrit. Ky do të ishte një lajm i keq për njerëzit dhe kafshët që jetojnë në pyll, dhe gjithashtu ka potencialin të çlirojë miliarda ton karbon të mbyllur aktualisht në bimësinë pyjore dhe tokën.

    Amerika e Jugut është gjithashtu një eksportues i rëndësishëm i sojës, sheqerit, mishit, kafesë dhe frutave për tregun botëror. Ndryshimet në disponueshmërinë e ujit do të rrisin stresin në sistemet globale të ushqimit.

    Tharja e pjesës më të madhe të Afrikës është gjithashtu një sfidë e vërtetë. Ky kontinent i gjerë ka shumë zona klimatike dhe kontraste socio-ekonomike, shpesh me burime të kufizuara për zbutjen dhe përshtatjen.

    Do të ndryshojë modelet

    Presioni mbi sistemet dhe habitatet ushqimore do të krijojë strese shtesë në të gjithë një kontinent që tashmë vuan nga rritja e çmimeve globale të ushqimeve të lidhura me inflacionin dhe luftën në Ukrainë.

    Rendimentet e kulturës kryesore, kasave, janë në rënie për shkak të thatësirës. Dhe mallrat e eksportit si kafeja dhe kakaoja gjithashtu mund të reduktohen, duke çuar në një spirale të humbjes së jetës, varfërisë dhe urisë.

    Australia Veriperëndimore është një nga zonat më të mëdha të shkretëtirës së vendit. Megjithatë, do të ishte një gabim i madh ta konsideronim rajonin “bosh” dhe për këtë arsye të parëndësishëm për sa i përket tharjes.

    Tharja do të ndryshojë modelet e vegjetacionit dhe do të rrisë më tej temperaturat, gjë që mund të rezultojë në temperatura mbi 35°C për pjesën më të madhe të vitit deri në vitin 2100, nëse nivelet e emetimeve vazhdojnë të jenë të larta. Kjo do të kishte pasoja të rënda për shëndetin e njerëzve dhe habitateve.

    E rëndësishme për të gjithë planetin

    Në mënyrë të ngjashme, tharja në Australinë qendrore ka efekte negative në motin dhe klimën e zonave bregdetare ku ndodhen pjesë të mëdha të qyteteve dhe popullsisë kryesore të Australisë. Tendencat e thatësirës po ndihen edhe në jugperëndim dhe juglindje të vendit, duke çuar në stres dhe ndryshim habitati, zjarre, lumenj të varfëruar dhe ndikime në shëndetin e njerëzve, veçanërisht në zonat urbane.

    Ashtu si me shumë aspekte të ndryshimit të klimës, natyra e saktë dhe shtrirja e ndryshimeve dhe ndikimeve janë të vështira për t’u parashikuar ose modeluar në shkallë lokale ose rajonale. Por ky studim i ri tregon ndryshime të qarta në modelet dhe proceset komplekse klimatike në hemisferën jugore që do të reduktojnë disponueshmërinë e ujit gjatë ngjarjeve të El Niño.

    Tharja do të gjenerojë stres shtesë në habitatet dhe speciet në rajonet kryesore. Ajo do të prekë gjithashtu popullatat njerëzore me kapacitete të ndryshme adaptive dhe, në fund të fundit, sistemet globale të ushqimit. Megjithëse Hemisfera Jugore është kryesisht ujë, ajo që ndodh atje ka vërtet rëndësi për të gjithë planetin.

  • Kurti për rastin Dehari: Kosova s’mund të jetë shtet i së drejtës pa u zbardhur plotësisht ky rast

    Kurti për rastin Dehari: Kosova s’mund të jetë shtet i së drejtës pa u zbardhur plotësisht ky rast

    Në shtatëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, me anëtarë të kryesisë së Lëvizjes, ministra, deputetë, aktivistë, fillimisht vizituan familjen Dehari e më pas bashkë me ta bënë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit.

    Përmes një komunikate për medie, VV-ja vazhdon ta quajë këtë rast si vrasje, për të cilin thonë se u mbajt në paraburgim në burgun e Prizrenit pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, dhe pa u marrë në pyetje për 68 ditë.

    Kryeministri, Albin Kurti, në prononcimin e tij për media tha se 7 vjet pas vrasjes së Astritit Kosova ka shënuar progres por ende nuk mund të jetë shtet i së drejtës pa u zbardhur rastet si ky, pa u zbardhur rasti i Astrit Deharit dhe pa u dënuar përgjegjësit.

    Ai u bëri thirrje organeve të drejtësisë që t’i trajtojnë me urgjencë padrejtësitë dhe krimet e të mos i zvarrisin ato.

    “Shtatë vjet prej se atë të shtune pasdite morëm lajmin e kobshëm se shokun tonë, aktivistin e Lëvizjes, studentin shembullor të mjekësisë, Astrit Deharin, e kanë mbytur në burgun e Prizrenit. Shtatë vjet më vonë Kosova ka shënuar progres sa i përket demokracisë e lirisë mirëpo Kosova nuk mund të jetë shtet i së drejtës në kuptimin e plotë të fjalës pa u zbardhur plotësisht ky rast dhe pa u dënuar përgjegjësit, dhe jo vetëm ky rast por edhe rastet e tjera të pasqaruara në Kosovë. Me mbytjen e Astritit ne e kemi humbur një aktivist, patriot të pazëvendësueshëm por ideali i Lëvizjes sonë nuk ka zëvendësim e ai është ideali i Astritit për liri e drejtësi, për barazi e demokraci, për zhvillim e për bashkim. Sistemi i drejtësisë në Kosovë edhe prokuroria edhe gjyqësori duhet që padrejtësitë dhe krimet t’i trajtojnë me urgjencë e kurrsesi t’i zvarrisin nga muaji në muaj, nga viti në vit”, deklaroi Kurti.

  • Deklarata e Veselit para se të niset për Hagë: Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte

    Deklarata e Veselit para se të niset për Hagë: Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte

    Saktësisht tre vjet më parë, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, së bashku me tre ish-krerët tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së.

    Përmes një adresimi për medie, Veseli pati thënë se do të udhëtojë vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave.

    Ndër të tjerash, ish-kryeparlamentari pati thënë se që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte.

    Deklarata e plotë e Kadri Veselit, para se të niset për Hagë, tri vjet më parë, aktuale dhe e papërsëritshme:

    Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua ti informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe.

    Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë. Unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethëmeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces.

    Më shumë se njëzet vite kanë përfunduar që nga përfundimi i luftës çlirimtare. Kosova tani është një shtet i pavarur, dhe është në rrugën e sigurt për tu bërë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Pasi që aspirojmë që të trajtohemi si partner të barabartë me shtetet e tjera, liderët tanë politikë duhet të jenë në lartësinë e kësaj sfide dhe të sillen si burrështetas të kalibrit ndërkombëtar. Kur liderët e përveçëm thirren për të bashkëpunuar me një tribunal ndërkombëtar, ne duhet të veprojmë kështu pa hezitim. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër nesh, atyre ju duhet dhënë përgjigja në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës. Unë këtë jam duke e bërë.

    Unë kam besim të plotë në objekitivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve, dhe kërkoj nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë. Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Integriteti i këtij procesi duhet të respektohet në çdo kohë dhe nga çdo kush.

    Drejtësia nuk i shërben interesit të njërës anë apo tjetrës, por i shërben interesit të popullit. Prandaj, nëse ju kërkohet që të ndihmoni Dhomat e Specilizuara, ju lutem pranojeni pa hezitim. Në këtë mënyrë, ne të gjithë do ia dalim të arrijmë tek e vërteta. Prandaj, do të kërkoja nga të gjitha segmentet e shoqërisë tonë që të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit.

    Ju lutem të keni parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Ajo është mishërimi i parimit se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe nuk mund të ketë drejtësi pa paqe. Edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet ti shkojmë deri në fund.

    E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes. Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqëndrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces.

    Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike.

    Për të mirën e kombit, nganjëherë duhet të bëhen edhe sakrifica personale. Shumë nga njerëzit tashmë kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë bërë edhe sakrificën sublime. Procesi që po fillon para Dhomave të Specializuara është hapi i fundit në rrugëtimin tonë historik drejt shetëndërtimit të plotë. Duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje se ne kemi bërë një luftë të drejt dhe të pabarabartë, dhe e kemi bërë këtë luftë në mënyrë të ndershme.

    Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni. Unë jam i bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Pa struktura formale për të mbrojtur popullsinë civile kundrejt një masakre ushtarake gjenocidiale të planifikuar me kujdes prej forcave serbe.

    Sot, në nderim dhe përkujtim të më shumë se 10 mijë viktimave të pafajshme të regjimit të Millosheviqit, ne duhet të ngrihemi në këmbë dhe të tregojmë historinë tonë. Unë do ngrihem në këmbë të tregoj historinë time. Në duhet të ngrihemi për të treguar historinë e tyre. Ne duhet ti qartësojmë të gjitha faktet, në mëyrë që historia ta njeh të vërtetën.

  • Sot 3 vjet, çfarë pati thënë Thaçi ditën kur u nis për në Hagë

    Sot 3 vjet, çfarë pati thënë Thaçi ditën kur u nis për në Hagë

    Saktësisht tre vjet më parë, ish-presidenti Hashim Thaçi u dërgua në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, së bashku me tre ish-krerët tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së.

    Atë ditë Thaçi dha dorëheqje dhe disa mesazhe në një konferencë për media.

    “Sot më shumë kurrë se iu lus dhe iu bëj thirrje që të mos e humbisni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë iu ftoj që të reflektojmë, se sa shumë kemi fituar si komb në këto 3 dekada. Aktakuza kundër meje dhe bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”, pati thënë Thaçi.

    “Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, me aleatët tanë, me NATO-n. Kemi luftuar regjimin e Millosheviqit, dhe jam krenar që së bashku e kemi fituar lirinë”, shprehej ai.

    “Jemi popull liridashës, por jo popull hakmarrës. Prandaj, asnjë pretendim nuk do të mund të ndryshojë apo të rishkruajë historinë. Kosova ka qenë viktima, Serbia agresoi. Kjo nuk është lamtumirë por vetëm mirupafshim. Do të shihemi bashkë, do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën”.

  • S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Analistët: Lista Serbe të kalojë nëpër filtrat e institucioneve të sigurisë

    S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Analistët: Lista Serbe të kalojë nëpër filtrat e institucioneve të sigurisë

    Njohës të çështjeve politike kanë bërë thirrje që para organizimit të zgjedhjeve në Kosovë, Lista Serbe të kalojë nëpër filtra të sigurisë nga AKI, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Krejt kjo pas sulmit terrorist në veri të vendit me 24 shtator, ku këtij sulmi terrorist i priu ish-nënkryetari i kësaj partie, Milan Radojiçiq, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tyre në vend nuk mund të ketë organizim të zgjedhjeve në katër komunat veriore, pasi nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë. Ata poashtu kanë bërë thirrje që veçanërisht zyrtarë kryesorë të kësaj partie të hetohen pasi sipas tyre, ata vazhdimisht bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës.

    Njohës i çështjeve politike, Gazmir Raci, tha se përderisa Serbia po vazhdon të luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme në veri.

    “Ne nuk mund të flasim për zgjedhje të parakohshme në veri përderisa Serbia vazhdon ta luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, përderisa Serbia vazhdon të i mbaje 48 bazat e saja ushtarake të hapura rreth kufirit të Kosovës dhe përderisa vazhdon që të mos ta gjykojë e ta arrestojë Mlian Radojiçiq. Nuk ka kushte për të shkuar në zgjedhje të parakohshme përderisa nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë”, tha ai.

    Ai tha se Lista Serbe do të duhej të shpallet organizatë terroriste, pasi sipas tij, kjo parti në gjirin e saj ka mbajtur terroristin Milan Radojiçiq. Raci bëri thirrje që në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike të kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit.

    “Lista Serbe duke që ka filluar reformimin e saj që nga brenda sepse e ka ndjerë rrezikun që mund të penalizohet nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të drejtësisë. Unë kam thënë që ajo do të shpallet organizatë terroriste nëse në gjirin e saj mbanë terrorist si është Radojiçiq e po ashtu u pa që edhe kryetari i saj e ka ndihmuar aksionin e fundit terrorist por kjo duhet të verifikohet nga institucionet e drejtësisë”.

    “Ata filluan një lloj transformimi brenda, mirëpo një analist serb tha që Listës Serbe nuk i duhet një kirurg por një psikiatër dhe ishte konstatim shumë interesant që i shkon për shtati Listës Serbe tani. Në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike duhet kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit në AKI, Policia e Kosovës, EULEX, dhe KFOR-i sepse aty vazhdon të ketë element që e kanë mbështet agresionin ndaj Kosovës”, tha ai.

    Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, tha se anëtarët e Listës Serbe është dashur që të verifikoheshin më herët.

    Sipas tij, zyrtarët kryesorë të kësaj partie duhet që të verifikohen për financat e tyre, bashkëpunimin me organizata të caktuara edhe qëllimet që i kanë brenda institucioneve të Kosovës pasi sipas tij, ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës, raporton EO.

    “Anëtarët e saj u dashur që të verifikoheshin qysh moti, sepse Lista Serbe nuk e ka për herë të parë që e bën lloje të tilla kundër shtetit e ka bërë në mënyra të ndryshme kushtetuese. E kemi edhe në zgjedhjet e fundit ku ata u munduan qe të marrin rreth 18 deputetë duke manipuluar votat në Kuvend nga minoritetet jo shumicë serbe. Dhe qysh atëherë është dashur të marrim masa por edhe tani duhet që të merren”, tha ai.

    “Të paktën zyrtarët kryesorë duhet të verifikohen për financat e tyre dhe bashkëpunimin që e kanë më organizata të caktuara ,edhe objektivat e tyre dhe qëllimet që i kanë në funksionimin brenda institucioneve të Kosovës por edhe brenda Republikës së Kosovës sepse ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës”, tha ai.

  • Kurti mburret me politikën e jashtme, vazhdon t’i marrë meritat për liberalizim të vizave

    Kurti mburret me politikën e jashtme, vazhdon t’i marrë meritat për liberalizim të vizave

    Kryeministri Albin Kurti teksa është deklaruar për punët e kryera në politikën e jashtme përgjatë qeverisjes së tij, ka renditur disa realizime, përfshirë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët.

    Në ciklin e postimeve të tij rreth punës së Qeverisë, Kurti ka thënë se politika e jashtme është reflektim i Qeverisjës së brendshme.

    Ai ka thënë se Kosova e ka kaluar me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai ka përmendur edhe aplikimin për anëtarësim në BE, anëtarësimin në Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

    “Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

    Kurti ka thënë se MPJD ka realizuar mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit, derisa shton se në Kosovë kanë ardhur 60 delegacione të larta dhe se Kosova ka marr pjesë në 50 konferenca ndërkombëtare.

    “Ministria e jonë e Punëve të Jashtme realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit. Vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare. Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme.”

    Ai ka thënë se objektet e ambasadës në SHBA, Senegal dhe Britani i kanë kthyer në pronësi të Kosovës. Kurti u zotua se do të vazhdojnë me blerjen e objekteve të reja.

    “Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar.”

    Kurti ka thënë se kanë mirëmbajtur marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatë.

    “Mirëmbajtëm marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë. Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë.”

    Kurti ka shkruar se janë angazhuar për miqësi të reja dhe raporte më të afërta – hapja e misionit diplomatik në Poloni, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Timorin Lindor, avancimi i statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi.

    “Në të njëjtën kohë u angazhuam edhe për miqësi të reja dhe raporte më të afërta. Gjithçka është gati për hapjen e misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Poloni. Vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor. Avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, një nga pesë vendet mosnjohëse në BE. “

    “Vendosëm ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme. Si rezultat, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.”

    Ai ka thënë se politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Kurti ka përmendur heqjen e vizave për Kosovën, që prej 1 janarit qytetarët mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shëngen.

    “E politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.”