ATV

Category: Lajme

  • Rafuna i bën thirrje Qeverisë që urgjentisht të hartojë strategji për parandalimin e ikjes së të rinjve

    Rafuna i bën thirrje Qeverisë që urgjentisht të hartojë strategji për parandalimin e ikjes së të rinjve

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, i ka bërë thirrje Qeverisë që urgjentisht të hartojë strategji të qartë që ta parandalojë ikjen e të rinjve nga vendi, fenomen ky në rritje sidomos dy vjetët e fundit, raporton Ekonomia Online.

    Rafuna ka folur edhe për importimin e fuqisë punëtore nga shtet e tjera, ku sipas tij, kjo çështje është bërë sfidë për bizneset pasi këta punëtor po e shfrytëzojnë Kosovën si një mundësi për të dal në vendet e Bashkimit Evropian.

    Ai tha se me liberalizimin e vizave nuk pret që do të ketë ikje më të madhe të të rinjve. Pasi sipas tij, ata që kanë pasur qëllim për t’u larguar nga vendi, veç se janë larguar.

    “Shqetësuese ka qenë qe dy vitet e fundit që kanë filluar me të madhe me u larguar të rinjtë e të rejat. Për këtë arsye ne kemi kërkuar nga qeveria që ta ketë një strategji në mënyrë që e parandalon shkuarjen e të rinjve por edhe e motivon kthimin e atyre që kanë shkuar tani atje në formën e investitorëve të huaj. Me liberalizim të vizave personalisht unë nuk pres që do të ketë një lëvizje shumë të madhe, për arsye se ata që kanë ndarë mendjen me shkua ata kanë shkuar, kanë gjetur punë”.

    “Kjo pa dyshim që do të jetë një mundësi pak më e lehtë. Sepse ne e kemi infrastrukturën e gatshme, të afërm të familjes në Gjermani, Zvicër, Austri e vende te tjera, ku të rinjtë do të shkojnë atje për një vizitë, sepse janë të vetëdijshëm që është vizë turistike dhe do ta ketë me lehtë që të bije në kontakt me një punëdhënës, ta bëjnë një kontratë e pastaj të vije të aplikojë për një vizë pune”, tha ai.

    Rafuna ka thënë se duke marr parasysh që procedurat për aplikim për viza pune janë thjeshtësuar në trendi për të dalë jashtë vendi është në rritje dhe për këtë arsye.

    “Ne jemi dëshmitarë tani që procedurat për vizë pune janë thjeshtësuar në minimumin e mundshëm. Bile jo vetëm për vizë punë, por ta mundëson pas një periudhe 6-7 mujore tani me ligjin e ri të qeverisë gjermane që me bë bashkim familjarë. Trendi është duke shkuar aty pari, për këtë arsye qeveria duhet me urgjencë me pas një strategji, një plan të veprimit se si me i parandaluar të rinjtë, si me i motivuar ata që me qëndruar në Kosovë. Me ju dhënë një mundësi që ata me hap një biznes të vetin, një strat-up në mënyre që mos ta sheh të ardhmen në BE por në Kosovë”, tha ai.

    Kryetari i OEK-ut tha se bizneset në vend janë duke importuar fuqi punëtore nga vendet e tjera e kryesisht nga Bangladeshi e Nepali, por sipas tij, bizneseve edhe me këtë rast po përballen me sfida.

    Ai tha se sfida e parë është procedurat e gjata për sigurimin e vizave dhe sipas Rafunës shumica absolute e këtyre punëtorëve janë duke ardhur më tendencë për të shfrytëzuar Kosovën si një mundësi për të dal në vendet e Bashkimit Evropian.

    “Ne kemi qenë të parët që e patëm ngrit si alarm ose si çështje se kanë filluar me importua fuqi punëtore, sidomos nga Bangladeshi, Nepalit, por edhe vendeve të tjera. Mirëpo jonë dy sfida edhe me këta punëtorë, e para është çështja e marrjes së vizave po merr kohë edhe procedurë edhe e dyta është çështja se ata shumica absolute e tyre nuk po vijnë me tendencën për mu vendos me punuar në Kosovë, mirëpo po vijnë me duke e shfrytëzuar Kosovën si një mundësi për të dal në vendet e Bashkimit Evropian. Kështu që edhe kjo është sfidë për bizneset nuk paraqet një siguri që ky do ta merr atë punëtor prej Bangladeshi, mirëpo do ta ketë për një kohë shumë ta gjatë në hapësirat e veta punuese, sidomos kjo është e shprehur të ndërtimtaria”, tha ai për EO.

  • Malazezi ndalohet në Bërnjak, iu gjetën veshje me mbishkrime që nxisin përçarje

    Malazezi ndalohet në Bërnjak, iu gjetën veshje me mbishkrime që nxisin përçarje

    Një shtetas i Malit të Zi është arrestuar në Bërnjak dje.

    Gjatë kontrollit, atij i janë gjetur dhe konfiskuar: një tabelë metalike me mbishkrim, një duks me mbishkrim, ndërresa me mbishkrime, një uniformë ushtarake.

    Policia ka intervistuar të dyshuarin dhe shoqëruesin e tij, të cilët pas inicimit të rastit janë liruar në procedurë të rregullt.

    “NXITJE E PËRQARJES DHE MOSDURIMIT- SPK Bërnjak / 04.11.2023 – 09:05. Është arrestuar i dyshuari serb, shtetas i Malit të Zi, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur dhe konfiskuar: një tabelë metalike me mbishkrim, një duks me mbishkrim, ndërresa po ashtu me mbishkrime të ndryshme që nxisin përqarje, një uniformë ushtarake, etj. Po ashtu në cilësi të dëshmitarit është intervistuar edhe shoqëruesi i të dyshuarit në veturë mashkull serb, shtetas i Malit të Zi. Të njëjtit pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.”

  • Haxhiu për Deharin: Provat ekzistojnë, gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast

    Haxhiu për Deharin: Provat ekzistojnë, gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se “krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi”.

    Në 7 vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, Haxhiu ka thënë se janë zhvilluar hetime të ndryshme por edhe përpjekje për ta fshehur rastin.

    “I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje. Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga aturoitetet e drejtësisë. Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim. Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast.”

    Ajo ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka brenda kompetencave të veta, derisa ka shtuar se i mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe te sjellin rezultatet e këtij rasti.

    “Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.”

    Haxhiu ka thënë se drejtësia për Astritin duhet të ndodhë.

    “Ajo nuk mund të vonohet më gjatë.”

  • Për shtatë muaj 29 vetëvrasje – Ekspertët thonë se arsyet janë: Diskriminimi e gjendja ekonomike

    Për shtatë muaj 29 vetëvrasje – Ekspertët thonë se arsyet janë: Diskriminimi e gjendja ekonomike

    Nga janari deri në gusht 29 persona kanë kryer vetëvrasje, ka konfirmuar Policia e Kosovës për EO.

    Në lidhje më këtë njohës të kësaj çështje, kanë thënë se arsyet që dërgojnë personat deri te marrje e këtij vendimi janë: diskriminimi e gjendja ekonomike.

    Mirëpo ata janë shprehur të shqetësuar se në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim nga institucionet përgjegjëse në lidhje më ketë fenomen. Madje kanë bërë thirrje që institucionet të bëjnë hulumtime dhe strategji për parandalimin e vetëvrasjeve.

    Bind Skeja, drejtori i “Linjës së Jetës”, tha se në Kosovë nuk kanë të dhëna sa i përket dukurive që dërgojnë personat në kryerjen e vetëvrasjeve, kjo pasi sipas tij, kjo çështje është një teren i pa prekur prej shumicës së politikë-bërësve.

    Ai tha se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për këtë çështje, për këtë ai ka kërkuar që të krijohet edhe një strategji shtetërore për parandalim të vetëvrasjes.

    “Globalisht po, varfëria ndikon, diskriminimi ndikon, varësisht prej grupeve demografike ato preken në mënyra të ndryshme. Po në Kosovë nuk mund të them diçka definitive, pikërisht për shkak që është teren totalisht i pa prekur prej shumicës të politikë-bërësve. Me thanë që kanë bërë mjaftueshme institucionet është totalisht gabim, as minimalja nuk është bërë, do të thotë gjëja më i vogël që mundet me u bë nga shteti është një strategji për parandalim të vetëvrasjes, strategji shtetërore”, tha ai.

    Ai ka thënë se Ministria e Shëndetësi do të duhet që të bënte hulumtime që të kuptohej niveli i problemit edhe të merren hapat për intervenim. Ai tha se për këtë janë të gatshëm t’i ndihmojën Qeverisë.

    “Ministria e Shëndetësisë për shkak që ata e kanë përgjegjësin kryesore, edhe me i nda pikat që pas katër, pesë viteve, çka po synojmë na me qenë. Çka po synojmë na me pru, çka janë shërbimet dhe çka janë informata që dëshirojmë mi pas. Hapi i parë këtu kish qenë që më zhvillu hulumtime që me kuptua nivelin e problemit edhe me kuptua ku janë hapat për intervenim. Ne moment na nuk kemi as shërbime, por nuk kemi kërkon që është tu u marr më analizën e problemit. Ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm që me i ndihmuar qeverisë për me mbërri këtë gjë”.

    Skeja tha se thirrjet që pranon kjo organizatë nuk regjistrohen, por sipas tij, zakonisht nga thirrësit janë të rasteve të dhunës në familje, problemeve ekonomike, të diskriminimit.

    “Ka bajagi raste të dhunës në familje, ka raste që kanë probleme ekonomike, ka raste të diskriminimit, janë të shumëllojshëm. Çka ka më shumë, çka më pak nuk mund të them”, tha ai

    Njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala, ka thënë se çështja e vetëvrasjeve është shqetësuese pasi sipas tij, personat që kanë kryer vetëvrasje janë të moshave të reja.

    “Unë mendoj se çështja e vetëvrasjeve në Kosovë është shqetësuese për faktin që kryesisht janë të moshave të reja. Kjo po e atakon në mënyrë të drejtpërdrejt edhe mirëqenien e qytetareve në tersi. Pra duhet të shikohet në aspektin, psikologjik, në aspektet e tjera se çka i ka shtyre këta të ri që të ndërmarrin veprime të caktuara. Kryesisht sipas asaj që dihet jo zyrtarisht, procesi i kryerjes së vetëvrasjes, ka në vetë vete një presion psikologjik që ndërlidhet kryesisht ose nga obligimet që mund të kenë ndaj palëve të treta. E si rezultat i mos përmbushjes së obligimeve, njerëz të caktuar kryen vetëvrasje si shkak ekonomike. Si shkak i ndarjeve të caktuara shpirtërore me dike tjetër”, tha ai.

    Shala ka thënë se shteti do të duhet që të bëjë analiza të detajuar të këtyre vetëvrasjeve, ku më pas të merren masa që të parandalohet kjo dukuri.

    “Çka mund të bëjë shteti është çështjet në aspektin ekonomiko-social-shoqëror, të ndërhyjë në aspektin e shtrirjes së ndikimit të saj, qoftë në programe të caktuara, qoftë edhe në mbështetje t’i vije niveleve më të ulëta. Procesi i vetëvrasjeve në Kosovë do të duhej të merrej në aspektin edukativo-arsimor, të trajtohen elemente të caktuara, të bëhet analiza më të detajuar e personit që ka bërë vetëvrasje dhe nga aty të merren informacione se cilat fokus grupe mund të jenë të atakuar dhe mund të bëhet ndonjë parandalim i caktuar ndaj këtyre dukurive”, tha ai.

  • Kritikohet Kurti – Analistët thonë se erdhi në pushtët falë kundërshtimit të “Zajednicës”, po e shkatërron shtetin

    Kritikohet Kurti – Analistët thonë se erdhi në pushtët falë kundërshtimit të “Zajednicës”, po e shkatërron shtetin

    Asociacioni i komunave me shumicë serbe po konsiderohet nga njohësit e politikës si shkatërrim i institucioneve. Ndërsa pranimin e draftit nga Albin Kurti, e shohin si mashtrim të tij, raporton EO.

    Sipas tyre, “Zajednica” ka qenë pika kyçe e Lëvizjes Vetëvendosje për të ardhur në pushtet, pasi kundërshtimet ishin të mëdha sa kjo parti ishte në opozitë.

    Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, ka hedhur akuza në drejtim të shefi të ekzekutivit, për siç thotë, “shkatërrim të shtetësisë” dhe shkelje të parimeve.

    Ai për Ekonomia Online ka thënë se kryeministri Kurti e ka dëshmuar se është një “mashtrues optik”, teksa pranimin e draftit e sheh si skandalin më të madh në historinë e shtetit.

    “Zotëri Kurti, ka konsistencë vetëm një gjë në shkatërrimin e institucioneve të Kosovës, në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, gjithçka tjetër ai është inkusistent me kauzën më të cilën është ardhë në pushtët e që ka qenë ‘Zajednica’”.

    “Ai sot është duke pranuar dhe unë mendoj që është ndër skandalet më të mëdha në historinë e Kosovës, ndër mashtrimet më të mëdha sepse zotëri Kurti, çdo ditë po dëshmohet si një mashtrues optik ku me kauzat e rrejshme më të cilat ka ardhë në pushtët sot po i përmbyse dhe po i pranon një nga një”, thotë Behrami.

    Kritika për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka edhe njohësi i sigurisë, Bedri Elezi. Thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke e kundërshtuar fuqishëm Asociacionin, raporton EO.

    “Kemi parë që Lëvizja Vetëvendosje kishte ardhur në pushtët më sloganin kundër ‘Zajednicës’ dhe për gati 3 vite qeverisje dhe 1 vit e sa që ishte me LDK që ka Vetëvendosja edhe gjithë propaganda e LVV ishte kundër ‘Zajedinicës’ nga së sipas tyre të tjerët ishin duke shitur pjesë të Kosovës dhe Albin Kurti, kishe deklaruar së ai nuk shet tokë të Kosovës e as nuk falë por që në fakte tani më shihet qartë që zotëri Kurti, është i detyruar që të zbatojë marrëveshjet të cilat ishin bërë në vitin 2013 dhe më pas ishin për mësuar në vitin 2015 për këtë marrëveshje besoj që edhe Kurti e ka ditë që kur ka deklaruar që nuk do të zbatojë mund të themi ‘Zajednicën’, e ka ditur që do të ndodhtë kjo”, u shpreh ai.

  • Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Sallahu: Vonesat në vlerësim të kushtetutshmërisë të projektligjeve, të tejzgjatura

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, vlerësimet e kushtetutshmërisë së projektligjeve po i cilëson si të “vonuara”, “të tejzgjatura” dhe “të paarsyeshme”.

    Ai në një postim në Facebook, tha se “ky është cenim i drejtpërdrejt i demokracisë përfaqësuese, dhe i funksionit kushtetues legjislativ i Gjykatës Kushtetuese”.

    “Jo pa shkak, në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese janë vendosur afate nga Kuvendi i Kosovës se kur duhet të përfundojë vlerësimi i kushtetutshmërisë së një akti të miratuar në Kuvendin e Kosovës”, shkroi Sallahu.

    Ndërkaq Sallahu shtoi se afati i vetëm i respektuar nga Gjykata Kushtetuese në shqyrtim dhe vlerësim të kushtetutshmërisë së akteve të Kuvendit “është afati joligjor”.

    “Për më tepër, kjo sjellje joligjore e Gjykatës Kushtetuese godet në thelb politikat ligjore të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, si dhe funksionet e tyre kushtetuese në përmbushjen e interesave të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

  • Gjergj Luca pas vizitës së krerëve të UÇK-së në Hagë: Sot mbushen tre vite që janë duke e vuajtur dënimin shpirti i shqiptarisë

    Gjergj Luca pas vizitës së krerëve të UÇK-së në Hagë: Sot mbushen tre vite që janë duke e vuajtur dënimin shpirti i shqiptarisë

    Ndërmarrësi i njohur shqiptar, Gjergj Luca, ka vizituar sot ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen qe tre vjet në Hagë.

    Në një video të postuar në Facebook, Luca deklaron se hyri në burg me qëllim që ta motivonte Thaçin dhe shokët e tij, por ai tha se u befasua nga jeta, optimizmi dhe forca qe mori nga ish-presidenti.

    “Hyra për t’i dhënë optimizëm atij burri apo siç i thoni ju për t’i jap gajret me të thanë të drejtën kishte aq optimizëm aq shumë jetë aq shumë forcë sa unë dol i trishtuar edhe lashë burra të fortë aty brenda që kishin energji pa fund dhe pozitivitet pa fund”, u shpreh ai.

    Luca ka theksuar se beson në pafajësinë e Thaçit dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij dhe se “krimet” e vetme që i ka kryer Thaçi janë se e ka nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes, dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, si dhe ka organizuar luftën çlirimtare.

    “Sot mbushen tre vite që Hashim Thaçi bashkë me shpirtin e shqiptarisë janë në Hagë duke vuajtur dënimin për “krimin” e vetëm se sakrifikuan gjithçka për Kosovën e Pavarur. Turp për shqiptarinë që helmohet përditë nga feudalizmi bolshevik (i udhëheqësve kosovarë). Lavdi veprës së trimërisë së këtyre burrave. Rroftë kombi shqiptar!”, ka thënë Luca.

  • Bastisjet nga Specialja, Klinaku: Jini prezent, ata janë në gjendje të montojnë prova

    Bastisjet nga Specialja, Klinaku: Jini prezent, ata janë në gjendje të montojnë prova

    Gjatë kësaj jave zyra e Prokurorit të Specializuar, ka nisur me disa bastisje që ndërlidhen me proceset gjyqësore që po kryhen në Hagë.

    Në lidhje me këto bastisje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se secili që është cak i këtyre bastisje nga ana e ZPS-së të mos lejojë të ju preket diçka pa prezencën e tyre, pasi siç u shpreh ai “ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale”.

    Kjo siç theksoi ai duke u bazuar në përvojat e tij të mëparshme nga ZPS-ja kur kanë bastisur zyrat e OVL UÇK-së më 25 shtator të vitit 2020.

    Postimi i tij:

    Të gjithëve ju kujtohen bastisjet e zyrave të OVL UÇK-së nga ana e ZPS-së më 25 shtator 2020.

    Kur kam shkuar për të marrë pjesë, apo për të qenë prezent gjatë bastisjeve e kontrollit, puna e parë që e kam bërë është që kam kërkuar nga udhëheqësja e operacionit Zdenka Pumper që t’i nxjerr policët nga zyrat tona e të dalin në korridor, duke i thënë se kemi përvoja të hidhura që nga koha e jugosllavisë kur njerëzve u janë montuar prova, dhe puna e dytë që e kam bërë ka qenë se kam kërkuar urdhëresën e bastisjes dhe kemi pritur gati 1 orë deri sa ka ardhur urdhëresa e shkruar.

    Kur kanë filluar bastisjet e kontrolli, nuk kam lejuar që të preket asnjë letër pa qenë unë afër gjysmë metre aty që të shoh se çfarë po preket.

    Poashtu në fund kur kam nënshkruar procesverbalin e përfundimit të bastisjes, e kam cekur në vërejtje se nuk jap llogari se çfarë është bërë rreth 1 orë e gjysmë përpara sa nuk isha unë prezent aty.

    Prandaj, secili nga ju që mund të jeni cak i bastisjeve apo kontrollit të tyre, mos lejoni që të preket diçka pa prezencën tuaj, sepse ata janë në gjendje edhe të ju montojnë prova duke i quajtur gjoja konfidenciale.

  • Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kurti e quan çast vendimtar rihapjen e linjës hekurudhore Han i Elezit-Fushë Kosovë

    Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se sot po shënohet një moment i madh për hekurudhën në Republikën e Kosovës.

    Kurti, mes tjerash, dha detaje nga përurimi i tuneleve gjashtë dhe shtatë dhe rihapjen e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.

    I pari i ekzekutivit kosovar potencoi se projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe shtatë tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane.

    “Sot shënohet një çast vendimtar për hekurudhën në Republikën e Kosovës, po e përurojmë rindërtimin e linjës 10 që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën. Po rindërtojmë në veçanti dy tunele, njëri me gjatësi 262 metra dhe me një gjatësi 122 metra, që kanë qenë të shembur tërësisht. Mbi 164.5 milionë euro është vlera e punimeve vetëm në këtë segment të linjës 10. Nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë. Mbi 200 milionë euro është vlera e punimeve që planifikojmë në segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe Mitrovicë në kufirin verior të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

    “Gjatë javëve në vijim ministrit e linjës dhe Infrakos do të nënshkruajnë marrëveshjen kornizë për financimin e infrastrukturës hekurudhore pesëvjeçare duke ndjekur normat evropiane”.

    “Me Shqipërinë tashmë kemi filluar marrëveshjen e bashkëpunimit për të ndërtuar hekurudhën Prishtinë-Durrës, ku pastaj synojmë të ngrehim portin e thatë që kthen kryeqytetin ton në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe qarkullimit, të shpërndarjes dhe akumulimit”.

    “Edhe me linjën 10 dhe me hekurudhën Prishtinë Durrës, Kosova bëhet pjesë e e rrjetit të transportit trans-evropian”.

    Ai tregoi se do të rritet edhe shpejtësia e trenit me hekurudhën e re.

    “Me forcim rriten shkëmbimet, me zgjerim rritet ndërlidhja, ndërsa me modernizim rritet shpejtësia. Këtu treni mund të zhvillonte shpejtësi jo më shumë se 60 kilometra në orë, me hekurudhën e re mbi 100 kilometra në orë”.

  • Kadri Bytyqi zgjidhet kryetar i ri i Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Kadri Bytyqi zgjidhet kryetar i ri i Odës së Farmacistëve të Kosovës

    Kuvendi i Odës së Farmacistëve të Kosovës (OFK) sot ka mbajtur punimet në seancë konstituive, në të cilën u zgjedh kryetari i ri Kadri Bytyqi dhe dy nënkryetarët Jehona Hakaj dhe Astrit Haxhijaha.

    Bytyqi në fjalimin e tij inaugurues u zotua për punë të përbashkët për avancimin e sektorit farmaceutik në sistemin shëndetësor.

    Me këtë rast në prezantimin e programit qeverisës u paraqiten edhe objektivat programore qeverisës si inicimi dhe aprovimi i Ligjit për Farmacinë, rritjen e numrit të farmacistëve të punësuar në sistemin publik shëndetësor, rritja e numrit të specialistëve në fushën e farmacisë dhe përmirësimi i funksionimit të OFK-së.

    Ndryshe, Kadri Kadriu është i lindur në Mushtisht të Suharekës. Në vitin 2009 – 2011 ka qenë kryetar i Shoqatës Farmaceutike, shoqatë e cila ka kontribuar në të mirë të profesionit e profesionistit, duke u bazuar në punë vullnetare.

    Nga viti 2011-2013, ka qenë anëtar i shoqatës, gjatë kësaj periudhe ka marrë pjesë në grupet punuese për themelimin e Odave të Profesionistëve Shëndetësorë.