ATV

Category: Lajme

  • Shorti, këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

    Shorti, këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nga shorti i organizuar nga KQZ përcaktohen numrat me të cilët partitë politike do të garojnë në zgjedhjet parlamentare.

    Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë numrin 116.

    LVV në një postim në Facebook shkruan se ky është numër i fitores.

    “116 është numri i fitores në zgjedhjet e 7 qershorit”, thuhet në postim.

    Partia Demokratike e Kosovës numrin në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë 125.

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka shkruar se është koha që Kosovës t’i kthehet serioziteti, puna dhe besimi.

    “125 – për të gjithë ata që ende besojnë se Kosova bëhet me urtësi, me punë e dinjitet; për ta kthyer vendin te serioziteti dhe besimi”, ka shkruar Hamza.

    Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se 113 do të jetë numri me të cilën kjo parti do të garojë në zgjedhje.

    Kryetari i kësaj partie në një postim në Facebook shkruan se ky numër është i bashkimit dhe ringritjes.

    “Ky është numri ynë. Numri i bashkimit. Numri i ringritjes. Numri i Republikës që beson sërish. Më 7 qershor, me zemër, me besim, me LDK-në”, shkruan Abdixhiku.

    Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se numri i saj në zgjedhje do të jetë 128.

    “Me numrin 128 dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Ardian Gjini”, shkruan AAK në Facebook. /Telegrafi/

     

  • Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçar në Ferizaj

    Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçar në Ferizaj

    Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Rakaj të Ferizajt, është hasur një person pa shenja jete.

    Sipas zëdhënësit të policisë në rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, viktima është një 29-vjeçar.

    “Më 16.05.2026, rreth orës 07:35, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë nga një qytetar se në fshatin Rakaj, kishte vërejtur një person pa shenja jete.

    Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, së bashku me njësinë reaguese dhe hetuesit e stacionit policor. Në vendngjarje ka dalë edhe ekipi emergjent mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull 29-vjeçar.

    Lidhur me rastin janë njoftuar hetuesit, krimteknikët rajonal dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML)” ka deklaruar Veseli..

    Ai shtoi se policia, nën autorizim të prokurorit të shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit.

  • Trump në Pekin dhe konkurrenca për ekonominë botërore

    Trump në Pekin dhe konkurrenca për ekonominë botërore

    NGA AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Vetë përbërja e delega cionit që shoqëronte Presidentin Trump dhe mënyra se si u prit në Pekin, kishte një domethënie të fortë politike dhe ekonomike. Mbulimi intensiv nga mediat shtetërore kineze dhe gjuha e zgjedhur me kujdes nga Xi Jinping synonin të paraqisnin Kinën jo më si një “nxënëse të bindur të ekonomisë globale”, por si një fuqi të barabartë me Shtetet e Bashkuara, një qendër alternative e gravitetit global. Ky është një ndryshim epokal. Nëse një dekadë më parë Pekini përpiqej të “fshihte forcën dhe të priste kohën e tij”, sot ai shfaqet i sigurt, i konsoliduar teknologjikisht dhe i gatshëm për të kërkuar pjesën që i takon në tryezën e vendimeve të mëdha.

    Në këtë atmosferë të rënduar nga pesha e historisë, Xi Jinping i riktheu në vëmendje “Kurthin e Thuqididit”. Duke iu referuar rivalitetit antik midis Athinës dhe Spartës, lideri kinez paralajmëroi se marrëdhëniet mes dy fuqive nuk duhet të rrëshqasin drejt konfrontimit të pashmangshëm. Megjithatë, përmendja e këtij koncepti tregon se Pekini nuk ka më iluzione, ata e dinë se politika ndërkombëtare është një fushë beteje ku fuqia dominuese dhe ajo në ngritje rrallëherë gjejnë paqe pa një “Pazar” të madh. Pas muajsh tensionesh në Ngushticën e Hormuzit dhe luftërave teknologjike, SHBA dhe Kina gjejnë gjuhën e përbashkët në një marrëveshje ku llogaritë ekonomike mposhtën egon politike. Ky armëpushim i diktuar nga nevojat e tregut shënon një kthesë ku pragmatizmi mbizotëron mbi retorikën e fortë të muajve të fundit.

    Në qendër të këtij ekuilibri qëndron një shkëmbim i llogaritur mirë. Siguria e furnizimit me minerale të rralla, jetike për industrinë perëndimore, kundrejt lehtësimit të kufizimeve në fushën e teknologjisë së lartë që po frenonin rritjen e Lindjes. Për tregjet globale, ky pakt shërben si një valvul shkarkimi për presionin e grumbulluar nga inflacioni dhe pasiguria energjetike. Hapja simbolike e rrugëve detare dhe stabilizimi i flukseve tregtare dëshmojnë se asnjëra fuqi nuk mund të përballonte koston e një shkëputjeje totale. Në këtë balancë të re, ku çipat dhe mineralet shërbejnë si monedha shkëmbimi, bota po dëshmon se ndërvarësia ekonomike mbetet mbrojtja më e mirë kundër kolapsit. Megjithatë, përtej euforisë së çmimeve që po reflektojnë rënien e parë në bursat e mallrave, mbetet pyetja nëse ky është një fillim i ri apo thjesht një pauzë strategjike për të rifituar frymëmarrjen. Në lojën e madhe të shifrave, fituesi i vërtetë nuk është ai që godet më fort, por ai që arrin të mbajë sistemin në lëvizje pa e djegur atë.

    SHBA në këtë takim vjen me një gjendje të dyfishtë mes “euforisë së bursës” dhe “ankthit të borxhit”. Më qartë. Nga njëra anë, bursat e Wall Street kanë fluturuar, të nxitura nga euforia e Inteligjencës Artificiale, por nga ana tjetër, themelet e ekonomisë reale po “dridhen”. Bllokimi i zgjatur i Ngushticës së Hormuzit doli të kishte një kosto, që tejkaloi çdo parashikim paraprak. Nafta e shtrenjtë nuk rriti vetëm çmimin në pompat e karburantit, por ajo u bë “karburanti” i një inflacioni këmbëngulës, që po gërryen fuqinë blerëse të amerikanëve pikërisht në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit (mid-terms). Për administratën “Trump”, suksesi në bursa nuk mjafton për të fituar votat nëse qytetari i thjeshtë ndihet i varfëruar nga kostoja e jetesës. Më shqetësues është tregu i bonove të thesarit. Siç vërehet me të drejtë, kur kostoja e shërbimit të borxhit i afrohet shifrës alarmante prej 6% të PBB-së, hapësira për manovër është jo e lehtë. Ky borxh nuk është më thjesht një numër në bilanc, por një goditje që mund të shkaktojë një krizë sistemike nëse besimi i investitorëve lëkundet. Në vështrimin diplomatikoekonomik, e kanë bërë Shtëpinë e Bardhë të kërkojë një “paqe të jashtme” për të menaxhuar një stuhinë e brendshme.

    Pekini, nga ana tjetër, po përballet me kufijtë e modelit të tij të rritjes. Ndonëse eksportet globale mbeten të forta, rënia e ndjeshme e shkëmbimeve me SHBA-në ka krijuar një vrimë në bilancin e tyre tregtar, që nuk mund të mbushet lehtësisht nga tregjet e tjera. Kina mund të ketë rezerva strategjike nafte, por asnjë rezervë nuk është e pafundme përballë një bllokimi të Hormuzit, që rrezikon arteriet kryesore të furnizimit. Në sallat e mbyllura të negociatave në Pekin, ky diskutim nuk ishte thjesht diplomatike, por një lojë shahu e vërtetë ku çdo lëvizje peshonte miliarda dollarë. Uashingtoni u ul në tryezë duke mbajtur dorën mbi “rubinetin” e gjysmëpërçuesve; një kërcënim i heshtur për të bllokuar oksigjenin teknologjik, që i duhet Kinës për të ushqyer të ardhmen e saj industriale. Megjithatë, kjo kartë nuk u përdor për të goditur, por për të joshur, duke ofruar një hapje të kontrolluar të licencave për çipat në këmbim të një stabiliteti që SHBA-ja nuk mund ta garantonte më e vetme.

    Në të njëjtën kohë, Amerika luajti me mjeshtëri rolin e saj tradicional si “polici global”. Duke ofruar garanci ushtarake për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ajo i hoqi Pekinit ankthin e një paralize energjetike, por jo pa kërkuar diçka në këmbim. Kërkoi që Kina të vazhdonte të mbështeste borxhin amerikan duke mbetur një blerëse besnike e bonove të thesarit, tashmë nën premtimin se institucionet financiare kineze nuk do të përballeshin me ndëshkime arbitrare. Nga ana tjetër, Pekini nuk ishte i pafuqishëm. Ai kishte në dorë atë që shumë e quajnë “opsionin bërthamor” të industrisë modern te ashtuquajturat mineralet e rralla. Duke kontrolluar pjesën dërrmuese të rafinimit të këtyre mineraleve, Kina mund të gjymtonte brenda natës prodhimin e raketave amerikane dhe makinave elektrike të Teksasit. Këtë monopol, Pekini e shndërroi në një premtim për furnizim të pandërprerë, por vetëm pasi siguroi lëshimet teknologjike që kërkonte.

    Më tej, diplomacia kineze tregoi se fuqia e saj shtrihej deri në Teheran. Duke “shitur” ndikimin e saj mbi Iranin për të ulur tensionet në Hormuz, Kina i ofroi Uashingtonit një zgjidhje pa kosto ushtarake, një dhuratë që u shoqërua me një tjetër lëvizje gjeniale për politikën e brendshme amerikane. Zotimi për blerje masive të sojës dhe produkteve bujqësore nga Midwest-i. Kjo nuk ishte thjesht tregti, por një dhuratë elektorale për Presidentin Trump, duke i siguruar atij një triumf të prekshëm përpara fermerëve amerikanë, në këmbim të një armëpushimi që do t’i lejonte të dyja fuqitë të ruanin profilin e tyre në skenën globale. Ekonomia amerikane ndodhet përpara një paradoksi që historia e ka vënë para gjithë superfuqive historikisht në momente të caktuara. Kina është rivali kryesor sistemik, por njëkohësisht edhe partneri i domosdoshëm. Shkëputja e plotë doli të ishte një mit i pamundur për t’u realizuar pa shkaktuar një depresion global. Ky pakt win-win nuk është një martesë dashurie, por një “divorc i dështuar” ku të dyja palët janë të dënuara të jetojnë nën të njëjtën çati financiare.

    Pikërisht kjo kontradiktë e bën takimin Trump dhe Xi jetik. Investitorët nuk po ndjekin thjesht shifrat e tregtisë, por tonin e deklaratave. Çdo sinjal për përshkallëzim në Tajvan apo në detet e Kinës Jugore mund të shkaktojë një tërmet në bursa që do të zhvlerësonte çdo marrëveshje tjetër. Në tryezën e Pekinit, Tajvani nuk ishte thjesht një pikë në rendin e ditës, por “elefanti në dhomë” që kushtëzoi çdo lëvizje tjetër. Në ekuacionin kinez, Tajvani mbetet “shpatë me dy tehe”. Fakti që ky ishull eksporton në SHBA më shumë se vetë Kina kontinentale në sektorë kyç, është një goditje për prestigjin dhe ekonominë e Pekinit. Më e rëndësishmja, Kina e ka kuptuar se “sovraniteti teknologjik” është ende një projekt në letër. Pa qasje në çipat e gjeneratës së fundit dhe në makineritë e fotolitografisë, ambicia kineze për të udhëhequr shekullin e AI-së rrezikon të mbetet në vendnumëro. Kina e ka përdorur Tajvanin si mjetin më të fuqishëm të presionit ndaj Uashingtonit, duke luajtur me frikën më të madhe të Amerikës, ndërprerjen e qarkullimit të gjysmëpërçuesve. Nuk është rasti që në këtë pakt u vendos një “ngrirje” e tensioneve ushtarake rreth ishullit. Kina kushtëzoi hapjen e Hormuzit dhe furnizimin me minerale të rralla me një tërheqje të heshtur të SHBA-së nga mbështetja direkte ushtarake për Tajvanin. Pekini po kërkon që Uashingtoni ta pranojë Tajvanin si një “çështje të brendshme” ekonomike në këmbim të stabilitetit të dollarit dhe naftës.

    Strategjia e Kinës për të përthithur Tajvanin nuk parashikohet më përmes raketave, por përmes “shkrirjes ekonomike”. Pekini po ndërton një varësi aq të madhe teknologjike dhe financiare, saqë Tajvani mund të gjendet në një situatë, ku mbijetesa e tij ekonomike varet tërësisht nga integrimi me tregun e madh kinez. Duke investuar në zinxhirët e furnizimit që lidhin fabrikat e Taipeit me ato të Shenzhenit, Kina po synon një “aneksim të butë”, ku politika thjesht do të ndjekë realitetin e krijuar nga shifrat dhe tregtia. Ideja e një “aneksimi të butë” të Tajvanit është një strategji që Pekini e ka rafinuar prej dekadash, duke u zhvendosur nga kërcënimi i hapur ushtarak drejt një “integrimi sistemik”. Në tryezën e bisedimeve me Uashingtonin, Kina nuk kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të ishullit, por hodhi pika që krijojnë një rrugë pa kthim drejt varësisë totale.

    Aneksimi i butë nuk realizohet me tanke, por me zinxhirë furnizimi. Kina synon ta bëjë Tajvanin një “organ” të paheqshëm të trupit të saj ekonomik përmes tri shtyllave:

    · Përthithja Tregtare: Duke krijuar lehtësi të jashtëzakonshme për kompanitë tajvaneze në kontinent, Kina e bën koston e “shkëputjes” të papërballueshme. Kur gjysma e GDP-së së një ishulli varet nga tregu i fqinjit të madh, sovraniteti politik bëhet një luks që biznesi nuk e paguan dot.

    · Bashkëjetesa Teknologjike: Kina po stimulon “brain drain” (largimin e trurit) nga TSMC dhe gjigantët e tjerë të çipave drejt kontinentit, duke ofruar paga dhe kushte që as Taipei dhe as Arizona nuk i konkurrojnë dot. Qëllimi është që inteligjenca tajvaneze të ndërtojë infrastrukturën kineze.

    · Izolimi Diplomatik i Heshtur: Duke i ofruar SHBA-së lëshime në fusha të tjera (si borxhi apo energjia), Kina e detyron Uashingtonin të zbehtë mbrojtjen aktive, duke e lënë Tajvanin në një “asfiksi” graduale diplomatike. Gjatë takimit në Pekin, Kina nuk përdori gjuhën e luftës, por atë të kushtëzimit ekonomik.

    Pikat kyçe që “shiti” Pekini ishin:

    · Moratoriumi i “Provokimeve” Tregtare: Kina kërkoi që SHBA të ndalojë inkurajimin e kompanive tajvaneze për të transferuar prodhimin në Amerikë. Në këmbim, Kina garantoi se nuk do të bllokonte rrugët detare që furnizojnë industrinë amerikane me gjysmëpërçues. Ky është një kushtëzim i pastër: “Ne nuk ju prejmë çipat, nëse ju nuk i ndihmoni ata të largohen nga orbita jonë”.

    · Statusi i “Zonës së Përbashkët Ekonomike”: Pekini hodhi idenë e integrimit të Tajvanit në projekte rajonale ku Kina ka rolin udhëheqës. Kjo synon që bota ta shohë Tajvanin si një entitet ekonomik kinez, edhe pse flamuri politik mund të mos ndryshojë menjëherë. · Karta e “Sigurisë Energjetike”: Kina ia bëri të qartë Uashingtonit se stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit është i lidhur me stabilitetin në Hormuz. Mesazhi ishte: “Nëse ju respektoni sferën tonë të ndikimit në Tajvan, ne do të përdorim peshën tonë për të mbajtur naftën të rrjedhë lirshëm drejt jush.”

    · Zëvendësimi i Garancive Ushtarake me Garanci Tregtare: Kina hodhi propozimin që Tajvani të mos ketë nevojë për mbrojtje ushtarake amerikane nëse shndërrohet në një “port të hapur” që shërben si urë mes Lindjes dhe Perëndimit, nën mbikëqyrjen e Pekinit. Kina po luan me kohën. Strategjia e saj, e shprehur në këto negociata, është që ta bëjë bashkimin me Tajvanin një “Fait Açompli” (fakt të kryer) ekonomik. Kur bota të zgjohet një ditë, Tajvani mund të jetë ende i pavarur në letër, por çdo mikroçip, çdo transaksion bankar dhe çdo dritë që ndizet në ishull do të kontrollohet nga Pekini. Kjo është pika ku shifrat mposhtin tanket. Kina hodhi në tavolinë premtimin e një paqeje të shtrenjtë, në këmbim të një sovraniteti që po avullon dalëngadalë. Përtej deklaratave publike, ekziston një front i padukshëm që shtypi botëror e ka pasqyruar me kursim, por që me gjasë ka qenë një nga “patatet e nxehta” në tavolinën e Pekinit. Bëhet fjalë për monedhat digjitale të bankave qendrore, një temë që, edhe pse mbetet e mbuluar nga një vello misteri, është e pamundur të jetë lënë jashtë diskutimit në një kohë kur teknologjia po rikonfiguron vetë konceptin e parasë dhe pushtetit. Përtej tarifave doganore, beteja e vërtetë po zhvendoset te kodi kompjuterik. Uashingtoni dhe Pekini po negociojnë jo vetëm se sa mallra do të shkëmbejnë, por edhe se me çfarë monedhe do të paguhen ato, me dollarin tradicional apo me juani digjital që kërcënon të thyejë hegjemoninë financiare amerikane. Nëse Trump dhe Xi kanë rënë dakord për një ekuilibër të ri, monedha digjitale ka qenë një nga mjetet më të forta të presionit që Kina ka vendosur mbi tavolinë. Ja pse shumë janë të bindur që u diskutua edhe ky element:

    Kina është vite dritë përpara SHBA-së në implementimin e monedhës së saj digjitale. Për Pekinin, e-CNY nuk është thjesht një mjet pagese, por një “sistem operativ” financiar që anashkalon sistemin SWIFT (të kontrolluar nga SHBA). Në bisedime, Kina mund të ketë përdorur suksesin e monedhës së saj digjitale si një “kërcënim të butë” duke kaluar mesazhi se “Nëse na bllokoni me sanksione, ne kemi gati infrastrukturën për të tregtuar me botën (dhe me Iranin) jashtë sferës së dollarit.” · Stabilizimi i “Stablecoins” dhe Cryptove është një fenomen që kinezët e kanë analizuar shumë me kujdes. Administrata “Trump” ka treguar një qasje më liberale ndaj kriptomonedhave sesa paraardhësit. Në takimin me Xi, mund të jetë diskutuar krijimi i një kuadri rregullator të përbashkët për monedhat e lidhura me dollarin (stablecoins). Interesi i SHBA-ve është të sigurohet që “Dollari Digjital” (i emetuar nga kompanitë private amerikane) të mbetet monedha rezervë e botës në internet, duke luftuar rritjen e monedhës shtetërore kineze.

    · Nga ana e saj, Kina ka frikë nga rrjedhja e kapitalit, ndërsa SHBA ka frikë nga financimi i terrorizmit apo shmangia e taksave. Mund të jetë diskutuar një lloj “bashkëpunimi teknik” për gjurmueshmërinë e transaksioneve ndërkombëtare. Kjo do t’i lejonte të dyja fuqitë të kontrollonin flukset e parave pa pasur nevojë për ndërmjetësit tradicionalë bankarë. Ndonëse këto janë vetëm disa nga shtyllat e dukshme të asaj që u diskutua, apo që me një logjikë të ftohtë ekonomike mund të hamendësojmë se u rrahën në tryezën e Pekinit, e vërteta e plotë mbetet ende e kyçur pas dyerve të rënda të diplomacisë diskrete. Ajo që bie në sy më shumë se çdo herë tjetër, është një thyerje e pazakontë e stilit. Ndoshta për herë të parë, Presidenti Trump nuk ka qenë hiperaktiv në deklaratat e tij publike. Heshtja e tij e pazakontë mbi hollësitë e bisedimeve flet mbase më shumë se çdo postim apo konferencë e nxituar. Ajo sugjeron një maturi të diktuar nga pesha e jashtëzakonshme e marrëveshjeve që mund të jenë arritur, ku çdo fjalë e tepërt mund të prishte ekuilibrin delikat të sapoformuar.

    Kanë kaluar vetëm pak orë që kur “Air Force One”, dje, më 15 maj, është larguar nga pista e Pekinit dhe tregjet po reflektojnë një fenomen që në financë njihet si “përzierje e emocioneve”. Tregu aziatik, i cili është shumë më i ndjeshëm ndaj “hollësive” të marrëveshjeve teknologjike, u ndje i zhgënjyer nga mungesa e një kalendari të qartë për heqjen e tarifave. Frika se marrëveshja mund të ketë “shitur” interesat e industrisë së çipave të Taipeit në këmbim të stabilitetit të naftës, ka krijuar pasiguri te investitorët e teknologjisë në rajon. Në Europë, tregjet u hapën me “jeshile”. Për ekonomitë europiane (si Gjermania apo Franca), lajmi i hapjes së Ngushticës së Hormuzit është jetik. Rënia e menjëhershme e çmimit të naftës (Brent) në tregjet e Londrës ka dhënë një sinjal pozitiv për industrinë europiane që po vuante nga kostot e larta të transportit, por edhe aty ndihet dhe pritet me ankth, derisa disa lajmet të bëhen më të sigurta.

    SHBA (Wall Street) e ka pushtuar ajo që shumë e quajnë “Euforia e kontrolluar”. Vëllimi i tregtimit është i ulët. Në Nju Jork, tregu i aksioneve po mbahet mirë, por ka një divergjencë të frikshme që duhet ta keni parasysh. Indeksi S&P 500 dhe Nasdaq parashikohen në rritje, të nxitura nga premtimi i licencave të reja për çipat drejt Kinës (fitim për Nvidia, Intel, Apple). Tregu i Bonove (Treasuries) ka problem. Interesat (yields) nuk po bien aq sa pritej. Kjo tregon se investitorët e borxhit ende nuk i besojnë premtimit për uljen e inflacionit. Ata po presin të shohin nëse ky “pakt” do të jetë vërtet deflacionist apo thjesht një pauzë. Në anën tjetër kjo do të thotë se lojtarët e mëdhenj po presin të shohin lëvizjen e parë të Guvernatorit të ri të FED-it të hënën. Deri atëherë, kjo rritje në SHBA mund të jetë vetëm një “reagim instinktiv” pozitiv, i cili mund të fashitet shpejt nëse fundjava sjell dyshime të reja. Koha do të jetë gjykatësja e vetme që do të vërtetojë nëse ky armëpushim ishte thjesht një manovër taktike për të kaluar pengesat elektorale dhe krizat energjetike, apo nëse vërtet u hodhën themelet e një arkitekture të re globale, ku fuqia dhe shifra gjetën një gjuhë të përbashkët. Për momentin, bota merr frymë lirshëm, por sytë mbeten te zbatimi: sepse në lojën e madhe të shekullit XXI, rëndësia e vërtetë e këtij takimi do të shihet te stabiliteti i monedhës, te qetësia e ngushticave detare dhe te fakti nëse ky pakt do të arrijë të shmangë kurthin e pashmangshëm të historisë.

  • Musliu: Tre policë kanë refuzuar mbrëmë të vijnë në Skenderaj, janë suspenduar nga detyra

    Musliu: Tre policë kanë refuzuar mbrëmë të vijnë në Skenderaj, janë suspenduar nga detyra

    Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se sipas informacioneve që ka, tre policë të NJSO-së, kanë refuzuar që të marrin pjesë mbrëmë në aksionin në Skenderaj.

    Ajo thotë se si pasojë e këtij refuzimi, tre policët janë suspenduar për dy apo tre ditë nga puna.

    “Kam informacion që janë tre, nëse jo më shumë, pjesëtarë të policisë së Kosovës që kanë refuzuar me ardhur në Skenderaj. Janë tre e më shumë që kanë refuzuar të marrin pjesë në aksion. Dhe ata polic janë të suspenduar sot për dy apo tre ditë. S’dua as t’i përmend sot”, ka thënë Musliu në FRONTAL të T7.

    Ajo ka thënë se i di edhe emrat, por s’dëshiron që t’i përmend.

    Musliu ka deklaruar se ka pasur presion të madh nga politika që policia speciale të vendosej në Skenderaj.

  • OVL falënderon qytetarët pas intervistimit të Lushtakut: Dëshmuat unitet, mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK’së

    OVL falënderon qytetarët pas intervistimit të Lushtakut: Dëshmuat unitet, mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK’së

    OVL UÇK ka falënderuar qytetarët që morën pjesë sot në mbështetje të Sami Lushtakut, i cili u intervistua ditën e sotme lidhur me incidentin e djeshëm në Skenderaj.

    OVL ka thënë se, qytetarët dëshmuan unitet, dinjitet dhe gatishmëri për të qëndruar pranë vlerave të luftës.

    Postimi:

    OVL UÇK, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e sinqertë për të gjithë iu që u përgjigjët ftesës sonë dhe u mblodhët sot në Skenderaj, duke dëshmuar edhe një herë unitetin, dinjitetin dhe gatishmërinë për të qëndruar pranë vlerave të luftës sonë çlirimtare.

    Prania juaj ishte mesazh i qartë i respektit për luftën e UÇK-së dhe për dinjitetin e secilit ushtar të lirisë.

    Njëkohësisht, ju lusim që të gjithë të shpërndaheni dhe të ktheheni qetësisht në shtëpitë tuaja, me dinjitetin dhe përgjegjësinë që gjithmonë i ka karakterizuar veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Faleminderit për respektin, mobilizimin dhe kulturën qytetare që treguat sot.

  • Mehani reagon: Unë jam më i fortë se çdo herë, sulmet tinzare nuk me ndalin e s’do të fitojnë mbi mua

    Mehani reagon: Unë jam më i fortë se çdo herë, sulmet tinzare nuk me ndalin e s’do të fitojnë mbi mua

    Hysni Mehani, nga dega e LVV’së në Skenderaj i cili dje u sulmua fizikisht, ka thënë se ‘’sulmet tinzare’’ nuk e ndalin atë.

    Mehani ka shtuar edhe se, ai është mirë dhe më ‘’i fortë se çdo herë’’.

    Postimi:

    Të dashur miq,

    Unë jam mirë dhe më i fortë se çdo herë. E kam të pamundur me ju përgjigjë secilit, por ju falenderoj secilin.

    Sulmet tinzare me banda, as nuk më ndalin dhe asnjëherë nuk do të fitojnë mbi mua, deri në frymën e fundit.

  • Çitaku: Samiu shkoi në prokurori sepse e respekton shtetin, Kurti jo vetëm që refuzon por e sfidon – s’është trimëri mosrespektimi i Republikës

    Çitaku: Samiu shkoi në prokurori sepse e respekton shtetin, Kurti jo vetëm që refuzon por e sfidon – s’është trimëri mosrespektimi i Republikës

    Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas intervisimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

    Çitaku në postimin e saj, ka rikujtuar se si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ‘’ Albin Kurti jo vetëm që refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë, por madje e sfidon publikisht nëse “guxon” t’i shkojë në zyrë për ta intervistuar’’.

    Postimi:

    Vetëm sa për rikujtim, Albin Kurti jo vetëm që refuzon t’i përgjigjet Prokurorisë, por madje e sfidon publikisht nëse “guxon” t’i shkojë në zyrë për ta intervistuar lidhur me një aferë korruptive multimilionëshe.

    Nuk është trimëri të mos respektosh Kushtetutën, ligjet dhe Republikën. Kjo nuk është forcë. Është frikë dhe arrogancë pushteti.

    E Samiu, trimërinë e të cilit nuk e konteston askush, shkoi në Prokurori. Sepse ai e respekton shtetin për të cilin ka luftuar.

    Dallimi është i qartë si loti.

  • Ngjarjet në Skënderaj, Rama godet Kurtin: Akt i ulët etiketimi i Kryetarit, mbushja e Drenicës me policë nevojë e sëmurë për hakmarrje

    Ngjarjet në Skënderaj, Rama godet Kurtin: Akt i ulët etiketimi i Kryetarit, mbushja e Drenicës me policë nevojë e sëmurë për hakmarrje

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas intervisimit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, duke thënë se Skenderaj është ‘’përdorur si skenë për manipulimin e radhës politik nga Albin Kurti’’.

    Rama, ka shtuar se, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik.

    ‘’ Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON’’, ka shkruar ai mes tjerash,

    Postimi:

    SKENDERAJ SOT U PËRDOR SI SKENË PËR MANIPULIMIN E RADHËS POLITIK NGA Albin Kurti.

    Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik. Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON.

    Ky është i njëjti kryeministër që ka REFUZUAR t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sepse ai është mbi ligjin. Ai është ligji.

    Fakti që Drenica mbushet me forca policore tregon nevojën e tij të sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike.

    Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si “Serbia” është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi.

    Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik janë jashtëzakonisht të rrezikshme për popullin dhe shtetin e Kosovës.

    Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë.

  • Sami Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt, konfirmojnë avokatët

    Sami Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt, konfirmojnë avokatët

    Sami Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt.

    Këtë e konfirmuan për Klan Kosovën avokatët Labinot Vata e Besiana Ismajli, të cilët e mbrojnë Lushtakun.

  • Lotët e Hoxhës pasi la xhaminë për politikën, Osman Musliu: Do të jem politikan unifikues

    Lotët e Hoxhës pasi la xhaminë për politikën, Osman Musliu: Do të jem politikan unifikues

    Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu, nuk është përmbajtur nga lotët, të premten, kur gjatë një adresimi para faljes së namazit të xhumasë në xhaminë e këtij qyteti njoftoi besimtarët që ishin këtu, se më nuk do të jetë imam në këtë objekt fetar.

    Mulla Osmani, siç njihet ky klerik mysliman, në Drenicë dhe gjithë Kosovën, ka vendosur të futet në politikë, duke iu bashkuar Lëvizjes vetëvendosjë si kandidat I kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 7 qershoti.

    Në një deklarim para besimtarëve, ai tha se nuk dëshiron që asnjë xhematli i kësaj xhamie të ndihet i përjashtuar apo ta shohë imamin si mbështetës të një partie apo grupacioni politik.

    Në adresimin emocional, gjatë të cilit lotët ia ndërprenë fjalët disa herë, tha se gjatë gjithë angazhimit të tij ka mbështetur atë që e ka konsideruar të mirë për vendin, fenë dhe shoqërinë, duke shtuar se do të vazhdojë të kontribuojë për Kosovën, familjen dhe fenë islame edhe jashtë detyrës së imamit.

    “Edhe pse ju kam dukur ndonjëherë që i kam bërë disa lufta, përpjekje, se s’po e quaj luftë në kuptimin e parë, përpjekje me e ndaluar një të keqe që unë kam menduar që është e keqe, asnjëherë ju nuk jeni ftohur prej meje, më keni mbështetur, edhe prej sodit, unë do t’jua lypi ndihmën. Unë kam qenë borxhli me mbështetjen e juaj, edhe duhet t’jua kthej prapë, por nuk do të kryej detyrën e imamit. Pra, për arsye se nuk dua me e ndier veten keq asnjë njeri në xhami, që me thënë hoxha është mbështetës i një partie politike, apo i një grupacioni politik, por dua me qenë çdo xhemat që vjen në xhami me e ndier veten që është për Zotin, me kry obligimin e vet fetar, dhe kur imami, sepse nganjëherë njerëzit dinë me kombinu edhe dy lojëra”, ka deklaruar ai.

    “Me u paraqit si apartiak, a prapaskena, unë nuk po du me u paraqit i tillë. Domethënë, as si paraqit partiak. Është e vërtetë që e kam mbështetur të mirën, e kam dashur të mirën, kam luftuar kundër të keqes, kam me luftuar kundër të keqes, pa marrë parasysh derisa, deri në frymën e fundit, do të mundohem të jem njeri që jam i dobishëm për Kosovën, për shqiptarinë, për familjen dhe për fenë. Pra, për mua janë tri, tri gjëra që s’kam lejuar kurrë me luajtur. Familja, feja dhe atdheu. Pra, unë jua bëj hallall juve të gjithëve. Kërkoj edhe ju të ma bëni hallallin mua, inshallah“, tha Musliu.

    Në një intervistë për KosovaPress, pasi kreu faljen e namazit të xhumasë si imam, për herë të fundit, mulla Osman Musliu, foli për vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë, duke theksuar se angazhimin e ri e sheh si vazhdim të kontributit të tij shumëvjeçar në shërbim të qytetarëve.

    Ai tha se ky vendim nuk ka qenë i rastësishëm, por i menduar prej kohësh, duke potencuar përvojën e tij 42-vjeçare si imam në Suharekë dhe Drenas.

    “Tash, këtë hap që e kam marrë, normal, kam menduar, nuk e kam bërë rastësisht, e kam menduar këtë punë unë. Edhe tetë, nëntë muaj dal veç në pension, pensionohem në aspektin ligjor. Edhe kam vendosur me u, ka afruar një ofertë, një kërkesë, që me u angazhuar në aspektin politik. Mendoj që edhe aty do të kontribuoj qysh kam kontribuuar që 42 vite, dy muaj, në popull, edhe natën edhe ditën, edhe para luftës, edhe gjatë luftës, edhe pas luftës. Në luftë me të keqen jemi qenë të gjithë. Edhe mendoj që edhe pse shkoj në Kuvend prapë kam me qenë ai hoxha unifikues, si Osmani unifikues, jo Osmani përçarës. Se unë edhe xhematit sot që i thashë, thashë na para se me qenë partiak, para se me qenë besimtarë të feve të ndryshme, na më së pari jemi vëllezër mes vete. Edhe në asnjë mënyrë nuk ja lejoj vetit me e pa dikënd në baza partiake”, u shpreh Musliu.

    I pyetur në lidhje me votimin e tij të mundshëm për Kodin Civil, Musliu tha se qëndrimet e tij fetare janë të njohura, por shtoi se nuk ka zhvilluar biseda me kryeministrin Albin Kurti për këtë çështje.

    “Krejt Kosova e din edhe krejt bota e din që hoxha edhe njeriu fetar çfarë qëndrimesh ka ndaj asaj. As s’kemi biseduar, e as s’ka kërkuar ai prej meje kurrgjë. Edhe mendoj që s’është puna jemja ajo. Nuk o puna jemja. Është punë e tjetërkujt, s’është puna jeme. Edhe s’e shoh ndonjë farë, ndonjë farë, as andej as këndej, është punë shtetërore, nuk o punë personale e Mulla Osmanit. Qëndrimet e Mulla Osmanit edhe ato fetare dihen. Edhe i krishterë, edhe mysliman fetar, dihet çfarë qëndrimesh kanë”, përfundoi Musliu.

    Në fund, ai u pyet drejtpërdrejt nëse e kundërshton Kodin Civil, por u përgjigj shkurt: “Nuk e di, nuk e di”.

    Mulla Osman Musliu ka njoftuar se do të tërhiqet nga detyra e imamit, duke theksuar se vendimi i tij vjen për të ruajtur unitetin dhe neutralitetin brenda xhamisë.