ATV

Category: Lajme

  • KE: Anëtarësimi i Kosovës në BE varet nga progresi në dialog

    KE: Anëtarësimi i Kosovës në BE varet nga progresi në dialog

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Progresi në dialogun me Serbinë, mund ta ndihmojë Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Veç kësaj, hap i rëndësishëm për Kosovën, sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësohet të jetë edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

    “Mendoj se është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëllim shumë të qartë lidhur me anëtarësimin në BE, që ne të jemi të qartë se çfarë presim nga Kosova. Ne diskutuam, kur isha në rajon, për zbatimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ky zbatim do të ishte një hap i madh përpara. Është në interes së Kosovës”, tha Ursula von der Leyen.

    Në linjë të njëjtë me të, ishte edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

    “Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, tha Varhelyi.

    Paraprakisht, në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë u miratua paketa e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.

    Raportet e progresit u miratuan për dhjetë shtete, përfshirë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

  • “Përparimi i kufizuar” dhe “jopërparimi” dominojnë raportin për Kosovën

    “Përparimi i kufizuar” dhe “jopërparimi” dominojnë raportin për Kosovën

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përveç në pjesën e shpjegimit të shkallëve të vlerësimit, në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, asnjëherë tjetër nuk përmendet shkalla më e lartë e vlerësimit “progres shumë i mirë”.

    Joprogresi ose mungesa e progresit, përveç pjesës së shpjegimit të shkallëve, përmendet 29 herë, gjatë raportit 132-faqësh.

    Derisa “përparim i mirë” përmendet vetëm gjashtë herë, në shumicën e herëve, dokumenti i miratuar të mërkurën në Bruksel, konstaton “përparime të limituara” dhe “disa përparime”.

    Krejt në fillim, dokumenti konstaton mosmarrëveshje dhe mungesë bashkëpunimi ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kuvend, të cilat mes tjerash kanë penguar agjendën legjislative dhe kanë vonuar emërimet në organe të caktuara.

    Lidhur me reformën në administratën publike, raporti thotë se nuk janë zbatuar mjaftueshëm rekomandimet nga raporti paraprak. Ndërsa, shprehet shqetësimi se ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë rrezikojnë krijimin dhe përkeqësimin e boshllëqeve ekzistuese në kapacitetet administrative.
    Dokumenti thekson se Kosova është ende në fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi të drejtësisë që funksionon mirë – teksa përmendet nevoja për veprime, për rezultate të prekshme.

    Krahas konstatimit se korrupsioni mbetet çështje shqetësuese dhe vlerësimit për përparim të kufizuar në luftimin e tij, raporti thekson nevojën për shtim të përpjekjeve për, siç shkruan, “hetime më proaktive, vendime përfundimtare të gjykatave dhe konfiskim përfundimtar të aseteve”.

    Theks të veçantë dokumenti i kushton edhe mos-ndryshimeve të kërkuara të ligjit për luftimin e financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

    Në aspektin ekonomik, raporti përmend se ringjallja ekonomike u zbut ndjeshëm më 2022, për shkak të uljes së investimeve dhe ngadalësimit të rritjes së konsumit nga familjet, si pasojë e inflacionit të lartë.

    Ndërlidhur, përmenden sfidat e sektorit privat si pasojë e sfidave strukturore të gjata, si shkalla e lartë e joformalitetit, shkalla e lartë e korrupsionit dhe në përgjithësi sundimi i dobët i ligjit.

    Në përgjithësi, raporti konstaton se Kosova duhet t’i përmirësojë kapacitetet e saja administrative dhe bashkërendimin ndërmjet gjithë sektorëve, për të arritur zbatim efektiv të standardeve që kërkohen për integrim në Bashkimin Evropian.

  • Nxënësit e shkollës “Shaban Idrizi” në Zhabar, as sot nuk mbajtën mësim

    Nxënësit e shkollës “Shaban Idrizi” në Zhabar, as sot nuk mbajtën mësim

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Punimet në rregullimin e kulmit të shkollës “Shaban Idrizi”, i cili nga era përfundoi në tokë, të dielën, komuna e Mitrovicës i filloi pas tri ditëve.

    Meqë, punimet nuk mbaruan as të mërkurën për shkak të motit me shi, i gjithë uji i grumbulluar përfundoi brenda objektit shkollor.

    Megjithatë, mësimin nxënësit zor se do ta fillojnë edhe javën e ardhshme. Sipas drejtoreshës së shkollës, dëmet që i shkaktoi rrjedhja e ujit janë të mëdha.

    “Dëmet tash janë edhe më të mëdha, shkolla është mbushur me ujë. Nuk mjafton tash vetëm rregullimi i çatisë, pasi që shkolla ka nevojë për rinovime të tjera. Lagështia mbetet dhe mund të krijojë edhe kushte. Orët do t’i zëvendësojmë e jemi në bisedime me DKA-në, për t’iu bërë një zgjidhje nxënësve derisa të përfundojnë punimet”, tha drejtoresha e Shkollës, Saranda Ademi.

    Të shqetësuar që fëmijët po humbasin mësimin, janë prindërit.

    “Jam shumë i shqetësuar që po e shoh shkollën në këtë gjendje, drejtoresha e arsimit u dashtë me intervenua ma herët, jo tash pasi që u bë dëmi. Fëmijët po humbasin shumë”, tha Xhafer Jaha, banor.

    Gjatë ditës, ATV-ja ka tentuar të bisedojë edhe me drejtoreshën e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, për të kuptuar se cila do të jetë zgjidhja që do iu ofrohet nxënësve, por ajo nuk ishte e qasshme.

    Në këtë shkollë mësimin e vijojnë 430 nxënës.

  • Qeveria emëron kryeshefin e Institutit për Krime Lufte

    Qeveria emëron kryeshefin e Institutit për Krime Lufte

    Përgatiti: Armand Hoti

    Profesori Atdhe Hetemi është ngarkuar me detyrën e drejtorit ekzekutiv të Institutit të rikrijuar për krimet e luftës.

    “Atdhe Hetemi është ligjërues në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ai ka përfunduar doktoratën në universitetin e Ghent-it në Belgjik me fokus në historinë politike të Ballkanit Perëndimor, ka më shumë se 15 vjet përvojë profesionale, të përqendruar kryesisht në punë hulumtuese dhe hartim të politikave”, tha kryeministri Kurti.

    Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri tha se dokumentimi i krimeve të luftës është detyrë morale e Republikës.

    “Plagët janë ende të njoma, ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës. Gjatë këtij viti janë kryer gërmime vlerësuese në 11 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës. Prej tyre, pesë lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën gjashtë viktimave të luftës”, tha Kurti.

    Instituti për krimet e luftës ishte themeluar për herë të parë në vitin 2011, megjithatë, nuk kishte funksionuar dhe ishte mbyllur në vitin 2018. E sipas ministres së Drejtësisë, së shpejti pritet të hartohet rregullorja e brendshme, përmes së cilës do të bëhet ndarja e departamenteve përkatëse.

    “Do të bëhet rregullorja e brendshme shumë shpejt, e cila do të përcaktojë edhe stafin që do të jetë kompetent për këtë, ndarja e departamenteve dhe pastaj secili departament do t’i marrë përgjegjësitë, por njëra nga përgjegjësitë është edhe matja e dëmeve të shkaktuara nga krimet e luftës”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Mes tjerash, në këtë mbledhje, Qeveria mori vendim për shqyrtimin e nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Bislim Bislimi u emërua sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndërsa u miratuan edhe 6 vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme, të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme.

  • Rrezik nga përmbytjet, komunat kërkojnë fond emergjent

    Rrezik nga përmbytjet, komunat kërkojnë fond emergjent

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Me një situatë të tillë, Komuna e Mitrovicës u përball disa muaj më parë.
    Ndërkaq, të mërkurën, për shkak të motit me shi, Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se gjendja e njëjtë mund të përsëritet.

    Pas këtij paralajmërimi, Komuna e Mitrovicës ka kërkuar nga Ministria e Financave, themelimin e një fondi emergjent.

    “Fondi emergjent në komunën tonë do të duhej të themelohej, kjo do të ishte në të mirë të qytetarëve në radhë të parë, por edhe në të mirën tonë, pa themelim të këtij fondi është e vështirë, pasi që qytetarët çdo ditë vijnë edhe kërkojnë ndihmë nga ne. Nëse ndodh ndonjë fatkeqësi përsëri, atëherë fondi emergjent do të na ndihmonte sadopak”, tha drejtori i Emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni.

    Sikurse në Mitrovicë, edhe nga komuna e Vushtrrisë kërkojnë themelimin e këtij fondi, pasi që fatkeqësi të këtilla janë barrë për komunën.

    “Krijimi i fondit emergjent është i nevojshëm për komunën tonë dhe qytetarët që t’u dalim në ndihmë atyre për çfarëdo fatkeqësie natyrore. Presim nga ministria që ta themelojë këtë fond. Por, pavarësisht kësaj, me mundësitë që kemi, kemi bërë pastrimin e lumenjve që gjendja të jetë nën kontroll”, tha drejtori i Emergjencave në Vushtrri, Maliq Ferizi.

    Përveç Mitrovicës dhe Vushtrrisë, muaj më parë, si pasojë e reshjeve të shiut, vërshime pati edhe në Pejë, Podujevë dhe Prishtinë.

  • Shiu e bën të pakalueshme një rrugë në Akrashticë, banorët të bllokuar

    Shiu e bën të pakalueshme një rrugë në Akrashticë, banorët të bllokuar

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Në ditët me shi, Basri Gashi nga Akrashtica e Vushtrrisë, e ka të pamundur të dalë me veturë nga oborri i shtëpisë. Meqë, rruga është e paasfaltuar, shiu e bën atë zor të kalueshme për shkak të baltës.

    Andaj, çfarëdo që blen për shtëpi i duhet ta bartë në shpinë nga rruga kryesore, diku rreth 200 metra larg.

    Ky thotë se ka edhe probleme me energjinë elektrike, gjë për të cilën KEDS-i nuk po mund t’i bëjë zgjidhje për shkak të rrugës.

    Sidoqoftë, kërkesat në komunë që t’ia bëjnë një zgjidhje thotë se nuk i kishte të pakta, por ato nuk iu morën parasysh. Veçse në komunë kanë tjetër arsyetim.

    Sidoqoftë, për ta vërtetuar këtë, komuna njoftoi se do të dërgojë ekipe në terren për ta parë gjendjen nga afër.

    Më e pa mundësi për asfalt, banorët thonë se mjafton që rruga të shtrohet edhe me zhavorr, vetëm të mos bllokohet nga balta.

  • Shkarkimet dhe emërimet në aviacionin civil

    Shkarkimet dhe emërimet në aviacionin civil

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas vetëm dy muajve si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Arianit Islami, është shkarkuar nga kjo pozitë.

    Në krye të këtij institucioni tani është emëruar Alban Ramabaja, pozitë të cilën do ta ushtrojë për 6 muaj, meqenëse as ky nuk ka mandat të plotë.

    Që nga viti 2020 kur Qeveria aktuale shkarkoi Eset Berishën nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, nuk është hapur asnjëherë konkurs për këtë pozitë, e cila deri më tani është mbajtur me ushtrues detyre.

    Fillimisht në krye të këtij institucioni Qeveria Kurti emëroi Arianit Islamin si ushtrues detyre, por vetëm pas një muaji në vend të tij erdhi Bujar Ejupi i cili pozitën si ushtrues detyre të drejtorit e mbajti nga muaji qershor 2020 deri në gushtë të 2023 kur edhe sërish u emërua Arianit Islami.

    Ejupi, shkarkimin e tij e kishte lidhur pikërisht me siç thotë ai sinjalizimet e tij për krim të organizuar dhe monopole brenda AAC’së. Madje ai kishte kërkuar që Prokuroria dhe Policia të shkojnë në zyrën e tij dhe t’i marrin dëshmitë e disa rasteve të falsifikimeve të dokumenteve që ai pretendon se i posedon.
    Megjithatë, udhëheqja e këtij institucioni me ushtrues detyre për gati 4 vite po konsiderohet dëm i madh.

    Sipas tij kjo gjë po bëhet qëllimisht nga ana e Qeverisë.

    Arianit Islami, i kontakuar nga televizioni, nuk ka pranuar të deklarohet për këtë çështje. As raportimet se ai po hetohet për falsifikimin e licencave dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, nuk janë konfirmuar apo mohuar për ATV-në nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

  • ”Thaçi e të tjerët”, ish hetuesja në tribunalin e Hagës thotë se gjykimi duhet të jetë publik

    ”Thaçi e të tjerët”, ish hetuesja në tribunalin e Hagës thotë se gjykimi duhet të jetë publik

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, për të tretën ditë me radhë ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Dedaj, i cili ka përsëritur disa herë kërkesën që dëshmia e tij të jetë në seancë private, po dëshmon kryesisht rreth ngjarjeve që kishin ndodhur në Qirez gjatë vitit 1998.

    Por, kërkesa e tij nuk u aprovua, madje të martën trupi gjykues nxori një vendim për një proces gjyqësor të hapur, i cili ndër të tjera i urdhëron mbrojtjen dhe Prokurorinë t’i rishikojnë procesverbalet e seancave të mbyllura brenda afateve të përcaktuara.

    “Kërkesa duhet të mbajë parasysh nevojën për të siguruar kryerjen e procesit në seanca publike, sa më shumë që të jetë e mundur, por edhe mbrojtjen efektive të personave, për të cilët janë miratuar masa mbrojtëse. Gjykatës do t’i dorëzojnë versione të redaktuara publike të parashtrimeve në të njëjtën kohë me versionet konfidenciale, përveç në rast se ka arsye bindëse për të kundërtën”, thuhet në vendimin e Gjykatës Speciale.

    Ish-hetuesja në Tribunalin e Hagës, tani profesoreshë në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp, thotë se një nga elementet më të rëndësishme të sundimit të ligjit në çdo proces gjyqësor, është transparenca.

    Sipas saj, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të zhvillohet sa më shumë në seanca publike.

    “Prokurorët besoj kanë arsye të mira që shumë dëshmi t’i shpërfaqin brenda dyerve të mbyllura, por kur kemi të bëjmë me gjykime në këso raste që konsiderohen të mëdha, atëherë kërkohet më shumë transparencë dhe është më me rëndësi. Pse? Sepse është fokus i madh i audiencës, sidomos në Kosovë, Serbi dhe në gjithë regjionin. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se pse ish-liderët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte në territorin e Kosovës, kur e dimë që Serbia gjatë asaj kohe ka qenë kundër popullsisë shqiptare që ka qenë shumicë. Pa transparencë, publiku i Kosovës, ai i Serbisë, edhe bota evropiane do të jetë e privuar nga fakte shumë të rëndësishme se pse po zhvillohet ky gjykim”, tha Tromp.

    Nga prilli kur edhe nisi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, shumica e seancave kanë qenë të mbyllura për publikun.

    Ndërkohë, Dedaj, që është dëshmitari i 33-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, gjatë dy seancave të para kishte thënë që ka kërkuar që të mbyllet për publikun, dhe se nuk kishte pasur njohuri për procese gjyqësore.

    Dëshmia e tij do të vazhdojë edhe të enjten.

  • Blinken: Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën

    Blinken: Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se është “e qartë se Izraeli nuk mund të pushtojë Gazën”, por “mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit” midis Izraelit dhe Hamasit.

    Përmendja e diplomatit të lartë amerikan për një “periudhë tranzicioni” erdhi si përgjigje ndaj komenteve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili në fillim të kësaj jave tha se Izraeli do të ketë “përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë” në Gaza për një “periudhë të pacaktuar” pas përfundimit të luftës me Hamasin.

    Blinken tha se kishte dëgjuar nga zyrtarët izraelitë se “ata nuk kanë qëllim ta ripushtojnë Gazën dhe të mbajnë kontrollin e Gazës”, raporton CNN.

    Në një kundërshtim të nënkuptuar ndaj komenteve të Netanyahut, Blinken parashtroi në mënyrë eksplicite kushtet e Shteteve të Bashkuara për “paqe dhe siguri të qëndrueshme” në Gaza pas luftës, duke theksuar se territori i saj nuk duhet të zvogëlohet ose pushtohet.

    “Është e domosdoshme që populli palestinez të jetë qendror për qeverisjen në Gaza, dhe në Bregun Perëndimor gjithashtu, dhe përsëri, ne nuk shohim një riokupim”, tha Blinken në një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të jashtëm të G7-ës në Tokio.

    “Pyetja e vetme është, a ka ndonjë periudhë tranzicioni që mund të jetë e nevojshme? Dhe cilët mund të jenë mekanizmat që mund të vendosni për këtë për t’u siguruar që ka siguri. Por ne jemi shumë të qartë se nuk ka riokupim, ashtu siç jemi shumë të qartë se nuk ka zhvendosje të popullsisë palestineze”, tha ai.

    “Siç e kemi thënë më parë, ne duhet të shohim dhe të arrijmë, në fakt, unitetin e qeverisjes kur bëhet fjalë për Gazën dhe Bregun Perëndimor, dhe në fund të fundit për një shtet palestinez”, tha Blinken.

  • Deputetët e opozitës përplasen me Muratin për projektbuxhetin 2024

    Deputetët e opozitës përplasen me Muratin për projektbuxhetin 2024

    Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024 pati përplasje mes deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

    Kritikat erdhën për shumën 1 miliard euro për subvencione dhe 200 mijë për investime kapitale, ku sipas opozitës, këto shifra janë në dëm të shtetit. Të njëjtit u ankuan që përkrahje nga qeveria po marrin vetëm komunat e udhëhequra nga pushteti.

    Ndërsa, Murati gjatë prezantimit në detaje të projektbuxhetit, tha se buxheti në total për vitin e ardhshëm do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

    “Buxheti për vitin e ardhshëm si tërësi i shpenzimeve, pra gjithsej shpenzimet buxhetore 3 miliardë 314 milionë euro. Kjo pastaj financohet nga të hyrat buxhetore që janë 3 miliardë e 28 milionë euro, ndërkaq pjesa tjetër parashihet që të jetë deficit dhe i cili financohet përmes huamarrjes së jashtme dhe të brendshme…Ne nuk është se kemi ndryshuar politikat fiskale, pra vazhdojnë të jenë të njëjta, megjithatë që jemi munduar të bëjmë gjatë këtyre viteve ka qenë luftimi i informalitetit dhe trajtimi i gjitha palëve në mënyrë të barabartë. Në këtë rast përveç kësaj është luftuar edhe kontrabanda dhe janë mbyllur shumë kanale të kontrabandimit që kanë qenë të hapura ndër vite, dhe tani patjetër se ato mallra vazhdojnë të furnizohen, veçse tani përmes kanaleve zyrtare dhe figurojnë edhe si import zyrtar dhe paguajnë taksat dhe tatimet për këtë import”, tha Murati.

    Për ndarjen e buxhetit kritika pati deputeti nga PDK, Ferat Shala. Ai tha se më tepër është ndarë buxhet për subvencione sesa për investime kapitale.

    “Pajtohem sikur të ishte buxheti real, i shkruar mirë, i dizajnuar sipas kërkesave dhe nevojave të ekonomisë dhe shtetit, por asnjë afat nuk e arsyeton këtë buxhet. Në buxhet janë 26 për qind investime kapitale, ndërsa 32 për qind subvencione, unë nuk mund ta kuptoj se si ka mundësi mbi 1 miliard euro subvencione një shtet në rrethana paqe normale, dhe atë dihet qysh shkojnë. Ju personalisht e keni anashkaluar tash e dy vjet çështjet e monitorimit të subvencioneve duke e paralizuar zgjedhjen e Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Pra, në esencë 1 miliard janë në dorën tuaj personale dhe të nivelit politik, të bëni çfarë të doni në vitin e ardhshëm, ndërsa janë më pak se 200 milionë euro investime kapitale që do të ngrisin pozitivisht zhvillimin ekonomik të vendit, duke e zhvilluar infrastrukturën apo zhvillimet tjera. Pra, ky buxhet në për qindje, por edhe me shuma, janë jo vetëm diskriminuese, nëse është kështu është edhe jo humane me qytetarët… 1 miliard euro për vitin e ardhshëm subvencione, doni t’i bleni zgjedhjet, gabim, nuk ju duhen asgjë, i bleni besoj, por 1 miliard euro për vitin e ardhshëm është dëm për Kosovën dhe nuk ja shihni hairin kështu”, tha Shala.

    Shala derisa kërkoi të përmirësohen shifrat e buxhetit, tha se Skenderaj ka 0 investime të reja, ndërsa shtoi se kryeqyteti i vendit 2 milionë e 150 mijë euro për investime të reja. Ndërsa, sipas tij, komunës së Shtimes i janë ndarë 2.3 milionë euro ose më shumë investime se kryeqyteti i Kosovës.

    Ankesa për buxhetin e vitit të ardhshëm pati edhe nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

    “Ka probleme bukur fondamentale në strukturë të buxhetit, kur e krahason këtë buxhet me programin e qeverisë mbi bazën që keni marrë mandatin, p.sh me këtë buxhet tek çerdhet, edhe me buxhetin e vitit 2024 nuk po ndërtohen as për së afërmi çerdhet e premtuara. Për banim social nuk figurojnë fare… Sigurimet shëndetësore nuk shihen as tek pjesa përshkruese që do të fillohet me këtë projekt të rëndësishëm…Pra, a qëndron kjo që në vitin 2024 nuk nisem me sigurime shëndetësore”, pyeti Hoti.

    Për këtë, Murati tha se tek subvencionet përfshihen, pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike.

    “U tha që subvencionet janë rrit dhe janë si për qindje shumë e lartë, megjithatë është fjala për kategorinë subvencione dhe trasnfere, ku janë pensionet, skemat sociale, shtesat për fëmijë dhe për gra lehona, bujqësia, mbështetja për ndërmarrje publike. Kështu që, cila nga to do t’i shkurtonit ju, sepse ne kemi buxhetuar sipas prioriteteve që kemi paraparë… Nëse shohim rrugën Komoran-Drenas-Skenderaj, buxheti për tri vitet e ardhshme është paraparë 25 milionë, kanë qenë 2 milion euro”, tha Murati.

    Reagime gjatë diskutimit pati sërish deputeti Shala, pasi sipas tij, ministri Murati është duke manipuluar opinionin me shifra.

    Ai tha se nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë pozita.

    “Mos e manipulo opinionin me Mitrovicën kur realisht ato janë mjete të Ministrisë së Brendshme. Po flasim për projekte të reja, nuk ka projekte të reja në komunat ku nuk qeverisë VV-ja”, tha Shala.

    Për këtë pati përplasje mes ministrit Murati dhe deputetit Shala.

    Murati tha se gjatë deklaratave nga deputeti ka pasaktësi.

    “Pat edhe shumë dezinformata apo pasaktësi. Thuhet që s’ka asgjë për Mitrovicën, megjithatë janë 16 milionë euro për stadiumin që e keni lënë gërmadhë. Është impianti 30 milionë euro projekt i ri”, tha Murati.

    Ndërkaq, kryetari i këtij Komisionit për Buxhet, Armend Muja pyeti ministrin Murati për shtesën e buxhetit për komunat krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa ka kërkuar sqarim për TVSH-në, pasi sipas tij, ka supozime se mund të ketë lëvizje për qëllime turizmi dhe ato sipas tij, mund të afektojnë.

    Për këtë, Murati tha se shtesat për komunat krahasuar me vitin e kaluar janë mbi 90 milion euro. Ndërsa, sa i përket, TVSH-së, ai tha se stafi nga Departamenti i Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme në këtë drejtim.

    “Krahasuar me vitin e kaluar është rreth 90 milionë euro më tepër sesa viti paraprak. Mirëpo, nëse krahasojmë si trend, kemi një kapërcim goxha të madh, sidomos dy viteve të fundit…(Sa i përket TVSH) Konsideroj që ekipi apo stafi nga Departamenti Makroekonomisë kanë bërë llogaritjet e nevojshme dhe kanë paraparë të gjithë skenarët. Megjithatë, konsideroj që të hyrat që janë paraqitur janë mjaft reale”, u përgjigj Murati.

    Po ashtu në këtë komision është bërë shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin, “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”. /KP