ATV

Category: Lajme

  • Prindërit e Deharit kërkojnë shkarkimin nga rasti dhe ndjekjen penale të prokurorit që kërkoi intervistimin e Haxhiut

    Prindërit e Deharit kërkojnë shkarkimin nga rasti dhe ndjekjen penale të prokurorit që kërkoi intervistimin e Haxhiut

    Prindërit e Astrit Deharit, Xhemile dhe Avni Dehari, kanë dalë me një reagim pasi Prokuroria Speciale lëshoi autorizim që të intervistohet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me një postim që kishte bërë për rastin Dehari.

    Ata kanë akuzuar prokurorin Afrim Shefkiu për shkelje në këtë rast, ku pretendojnë për 12 të tilla, derisa kanë kërkuar shkarkimin e tij nga rasti Dehari, “ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit.”

    “Ne si prindër të Astrit Deharit, duke i pasur parasysh të gjitha këto shkelje, duke e pasur parasysh listën e gjatë të shkeljeve dhe të manipulimeve profesionale e ligjore, sidomos manipulimin e dëshmive dhe dërgimin e dëshmive të manipuluara në Institutin e Lozanës, nuk kemi si të mos vijmë në përfundim se prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Afrim Shefkiu, në vend se ta nxjerrë në shesh të vërtetën për vrasjen e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, shkel ligjin për ta mbrojtur urdhërdhënësin për vrasjen e Astritit dhe vrasësit e Astritit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit më 5. 11. 2016.

    Rrjedhimisht, ne si prindër të Astritit të vendosur për zbardhjen e rastit dhe për nxjerrjen e personave përgjegjës para drejtësisë ligjore, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për ndjekjen e krimit të rëndë – vrasjes, shkarkimin e Afrim Shefkiut nga rasti i Astritit, ndjekjen e tij penale për manipulim, neglizhencë, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe fshehje të vrasësve të Astritit. Afrim Shefkiu mund të jetë gjithçka tjetër, por assesi nuk mund të jetë prokuror!”, thuhet në reagimin e prindërve të Deharit.

  • Sveçla takon ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, flasin për situatën e sigurisë në Kosovë

    Sveçla takon ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, flasin për situatën e sigurisë në Kosovë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Turqi.

    Sveçla ka njoftuar se gjatë vizitës së tij ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Yaşar Güler.

    “Gjatë këtij takimi shpreha falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme që kemi marrë nga shteti turk si dhe për mundësitë e shumta për bashkëpunim mes institucioneve. Diskutuam për situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat po përballemi”, ka thënë ai.

    Tutje, ministri shton tutje se ka potencuar gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të garantuar rend dhe siguri si dhe rëndësinë e përkrahjes së partnerëve tanë në këtë aspekt.

  • Policia tregon për masat që ka ndërmarrë për ndeshjen Kosovë-Izrael

    Policia tregon për masat që ka ndërmarrë për ndeshjen Kosovë-Izrael

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim dhe koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe akterët relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtje të ndeshjes sportive “Kosova-Izraeli”

    Sipas Policisë, nesër në orën 20:45, në stadiumin e qytetit “Fadil Vokrri “, në Prishtinë, do të zhvillohet ndeshja kualifikuese në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO2024, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit, andaj përmes kësaj komunikate të përbashkët të PK-së dhe FFK-së, njoftohen mediat dhe opinioni i gjerë se:

    “Në organizim të kësaj ndeshje me rëndësi të veçantë për Republikën e Kosovës dhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), janë angazhuar si çdo herë FFK-ja, Policia e Kosovës (PK) për sa i përket aspektit të sigurisë, si dhe kompania e sigurimit privat për siguri në perimetrin e brendshëm. Bazuar në bashkëpunim të ndërsjellë me FFK-në dhe të gjithë akterët relevantë, si dhe bazuar në informacionet dhe vlerësimet operacionale, është hartuar urdhri operativ policor i cili ka për qëllim: Sigurinë e përgjithshme para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes, shtimin e masave të sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, ndërmarrjen e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e të gjitha dukurive negative që shkaktojnë jostabilitet, parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonin qetësinë publike, shtimin e masave të sigurisë paraprake dhe kontrollimin e turmave eventuale para, gjatë dhe pas evenimentit sportiv si në perimetër të stadiumit e po ashtu sipas nevojës edhe në qytet, sheshe etj. mbrojtja e jetës dhe pronës publike e private”, thuhet në njofitm.

    Sipas një komunikate të Policisë, shtimi i masave të mbikëqyrjes dhe kontrollit të trafikut, me qëllim të rrjedhjes normale dhe sa më të mirë të pjesëmarrësve në trafik, përfshirë riorientimin e trafikut përgjatë kalimit të eskortave, ku do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit, andaj kërkohet mirëkuptim i plotë nga qytetarët.

    “Rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve. Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse etj.Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta kërkohet që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara duke përfshirë: Hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 18:00, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët, për shkak të shmangies së tollovive dhe krijimit të qasjes më të lehtë dhe të shpejtë në stadium. Kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, përderisa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e stadiumit. Veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë (me përjashtim të veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP). Ndërsa gjërat e palejuara përfshijnë:Mjetet piroteknike, Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë, Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë, Pijet alkoolike dhe substancat narkotike,Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh),Ombrella, Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë,Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.),Kamera profesionale dhe video kamera, Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar. Përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe akterëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin. Duke falënderuar qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm, njëherit kërkohet që maksimalisht të respektojnë rregullat e parapara, në të kundërtën mund të jenë subjekt i ndëshkimit nga organet ligjore.

  • Gomat e dimrit duhet t`i vendosni nga kjo datë, në të kundërtën gjobiteni

    Gomat e dimrit duhet t`i vendosni nga kjo datë, në të kundërtën gjobiteni

    Ndërrimi i gomave të verës me ato të dimrit në veturë për të gjithë shoferët do të fillojë nga data 15 nëntor, ditë e mërkurë dhe do të zgjasë deri më datën 15 mars.

    Të gjithë shoferët pa marrë parasysh kushtet atmosferike, duhet t’i zëvendësojnë gomat e verës me ato të dimrit, si dhe të pajisen me pajisje të tjera dimërore.

    Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit, periudhë që përfshin kohën ndërmjet 15 nëntorit dhe 15 marsit, ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore.

    Shoferi, që drejton automjetin pa pajisje dimërore, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 40 eurosh.

    Sipas Ligjit, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 100 deri në 300 euro, edhe personi juridik apo institucioni publik në emër të të cilit dhe brenda autorizimeve të të cilit ka vepruar shoferi.

    Edhe pse ligji i Kosovës për rregullat e trafikut rrugor parasheh ndërrimin e gomave të verës me ato të dimrit nga data 15 nëntor deri 15 mars, ekspertët e ndryshëm ndërkombëtarë thonë se posa temperaturat të bien më pak se 7 gradë, ju duhet t’i vendosni gomat e dimrit për të pasur një fërkim, frenim dhe mbajtje më të mirë.

    Gomat e sotme të dimrit jo vetëm se janë të dizajnuara të performojnë mirë në dëborë, por performojnë mirë edhe në asfalt të ftohët.

    Pra duhet të mbani mend, në momentin që mund ta shihni frymëmarrjen tuaj (pra kur fryni del avull nga goja juaj), atëherë është koha t’i vendosni gomat e dimrit.

    Për sigurinë tuaj dhe të pasagjerëve, vendosni goma të cilat i përshtaten veturës suaj, dhe, keni parasysh: gomat e dimrit duhet të vendosen që të katërtat për të pasur një kontroll dhe stabilitet më të mirë të veturës, përndryshe, nëse i vendosni vetëm dy gomat e para apo dy gomat pas, ju do ta rrezikoni veten.

    Rikujtojmë se thellësia e vijave të gomës për përdorim të dimrit duhet të jetë më e madhe se 4 milimetra.

  • Çitaku i reagon Kurtit pasi përmendi Thaçin me Vuçiqin: Turp, i pabesë si me tanët dhe me të huajt

    Çitaku i reagon Kurtit pasi përmendi Thaçin me Vuçiqin: Turp, i pabesë si me tanët dhe me të huajt

    Kryeministri Albin Kurti sot në një panel në Forumin e Paqes në Paris, duke folur për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ka përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi.

    Ai tha se Thaçi ishte homolog i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për këtë ide dhe të dy i përshkroi si udhëheqës autoritarë.

    “Ka pasë homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë, korrigjim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si familjet e tyre dhe shtetet si prona private”, tha Kurti në Paris.

    Kësaj deklarate i ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se Kurti ka kohë që merret me Thaçin dhe për faktin se ai gjendet në paraburgim dhe s’mund t’i përgjigjet, ajo e quajti të turpshme.

    “Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit. Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme. Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ia kthejë sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në”.

    Çitaku e kritikoi Kurtin për zhvillimin brenda vendit dhe për sanksionet e vendosura nga aleatët jashtë.

    “Po ashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është një ure këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”.

  • Kolonat në Prishtinë shqetësim për qytetarët, ky është plani i komunës për t’i larguar

    Kolonat në Prishtinë shqetësim për qytetarët, ky është plani i komunës për t’i larguar

    Hyrja e mijëra veturave brenda ditës dhe bllokimi i disa rrugëve të Prishtinës që tani po përdoren si “shesh”, konsiderohet të jenë shkaqet kryesore për krijimin e kolonave të gjata. Derisa qytetarët kanë ankesa lidhur me kolonat, në Komunën e Prishtinës kanë dhënë detaje si mendojnë t’i largojnë ato.

    Nga tri testimet që ka bërë komuna gjatë vikendeve në komunikacion, është vërejtur se 130 mijë vetura hyjnë në kryeqytetin e Kosovës, vetëm brenda një dite. Ky numër llogaritet të jetë ende më i madh gjatë pesë ditëve të punës.

    Lidhur me kolonat, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi ka thënë për KosovaPress, se do të duhej të kishte një plan të detajuar se nga ta orientojë rrjedhjen e qarkullimit rrugor në mënyrë që të bëhet zgjidhje edhe automjeteve në qytet.

    “Unë mendoj që komuna paraprakisht ka bërë një vlerësim se çfarë impakti do të ketë mbyllja e kësaj rruge, në anën tjetër është mirë që është krijuar sheshi për shkak që t’iu mundësohet një shëtitje, një frekuentim më i madh i njerëzve të ecin dhe hapësira të tjera për fëmijë, mirëpo krahas kësaj, do të duhej që të kishte një plan të detajuar se kah ta orientojë rrjedhjen e qarkullimit rrugor në mënyrë që të bëhet zgjidhje edhe automjeteve, të cilat janë në qytet”, vijoi Krasniqi.

    Zgjidhja më e mirë, sipas Krasniqit, është se duhet bërë matje në teren për të parë fluksin e automjeteve, se në cilët kohë dhe ditë janë kryesisht këto kolona dhe të ofrohet një zgjidhje se si mund të orientohet trafiku.

    Drejtorit të Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave, në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi tha se shkarkimi kryesor i kolonave do të ndodhë kur unaza e qytetit të përmbyllet, unaza e brendshme e qytetit dhe nënkalimet e premtuara.

    “Realisht ne jemi duke intervenuar në shumë pika që kolonat t’i ulim si të tilla, për shembull, kemi intervenuar në rreth-rrotullimin në Lakrishtë, jemi duke punuar në unazën e kryeqytetit, rruga A po ashtu është një investim që shkarkon kolonat, jemi duku punuar në rrugën “ Ekibe Kelmendi“, që po ashtu nuk e ngarkon rrugën kryesore, por kujtoj që shkarkimi kryesor në kolona, do të ndodhë kur ta kemi unazën e qytetit të përmbylltë, unazën e brendshme të përmbylltë, t’i kemi këto nënkalimet të cilat i kemi premtuar. Unë besoj që atëherë kolonat nuk do t’i kemi, duke shtuar edhe pjesën e Trafikut Urban me linja të veçanta brenda hapësirave dhe rregullimin e parkingjeve nëntokësore, të cilat i kemi premtim elektoral“, tha Xhaferi.

    Xhaferi shtoi se janë duke punuar në unazën qendër mbi hekurudhë, dhe kur të përmbyllet kjo, sipas tij, 30 përqind e komunikacionit, do të shkarkohet sepse këto rrugë do të jenë njëkahëshe.

    “Ndërtimi i rrugës A, kyçja e rrugës së Veternikut me rrugën A dhe lidhja e nënkalimit nga Veterniku në drejtim të Kalbarisë, pra ajo e liron komplet pjesën e Prishtinës së Re. Kur ti hyn në Veternik dhe lidhesh direkt në rrugën A, nuk ke nevojë me shku tek rrethi i flamurit, ajo ta mundëson që komplet zhvendosjen e komunikacionit një pjesë të madhe të saj ta kalojmë nga Prishtina e Re. Pastaj vimë tek unaza qendër mbi hekurudhë, ne jemi duke punuar edhe sivjet, do ta përmbyllim fazën e parë të saj, faza e dytë është lidhja me rreth-rrotullimin e Lakrishtës, kur kjo të përmbyllet, unë kujtoj që 30% e komunikacionit brenda qytetit të shkarkohet sepse këto rrugë do të jenë pastaj njëkahore“, shtoi Xhaferi.

    Për këtë problem ka folur edhe qytetari Halim Aliu, i cili ka thënë se kryetarë më të lodhët kurrë nuk ka pasur në Komunën e Prishtinës.

    Kurse, Havzi Ajeti tha për KosovaPress, se kolonat janë të papërballueshme sepse njeriu më shumë humb kohë me veturë se sa në këmbë.

    “Mendimi im për kolonat, është i papërballueshëm, sepse njeriu më shumë humb kohë në veturë se në këmbë, kështu që mundohemi me i përfunduar krejt punët brenda ditës në këmbë, veç kur ka shi dhe është diçka urgjente me veturë”, vijoi Ajeti.

    Për momentin unaza e jashtme e qytetit i kushton Prishtinës 350 milionë euro.

  • KDI: Institucionet e Kosovës pa vullnet për progres

    KDI: Institucionet e Kosovës pa vullnet për progres

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti konferencë për media, ku shpalosi vlerësimet e saj lidhur me situatën me luftimin e korrupsionit dhe qeverisjes demokratike në Kosovë, bazuar në vërejtjet e Raportit të BE-së për Kosovën, për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë konferencës u ofruan rekomandime që do të mund të përmirësonin gjendjen sa i përket luftës kundër korrupsionit, reformës në drejtësi, prokurimit publik, sinjalizimit, punës së Kuvendit të Kosovës dhe dialogut me Serbinë.

    Fillimisht, u potencua që Raporti i BE-së për Kosovën ka evidentuar pak progres, e shumë sfida dhe mangësi në shumicën prej fushave, sidomos sa i përket demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Për më tepër, stagnimet e evidentuara në raport shpërfaqin një problematikë serioze të Kosovës – e cila pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, po ballafaqohet me probleme të përsëritura në raport me vlerat e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe integritetit publik.

    Eugen Cakolli, nga KDI theksoi se stagnimi në raport me luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti shumë i dobët i gjyqësorit. Mostrajtimi adekuat i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë ka ardhur si rezultat i hetimeve joefikase dhe aktakuzave jocilësore nga ana e prokurorisë, si dhe zvarritjeve të trajtimit të lëndëve nga gjykatat.

    “Gjatë këtij viti, rastet e korrupsionit janë karakterizuar nga një trend shqetësues i mosdënimit apo parashkrimit. Por, pavarësisht dështimeve në trajtimin e rasteve të korrupsionit, llogaridhënia e gjyqësorit dhe prokurorisë është e mangët – që ilustrohet nga mungesa e vendimeve për shkarkimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori për shkak të performancës së dobët. Problem tjetër i sektorit të drejtësisë u tha se mbetet mungesa e konfiskimit të pasurisë së kundërligjshme, ku vërehet një diskrepancë mes pasurisë së sekuestruar dhe asaj të konfiskuar”.

    “Kultura e mosndëshkueshmërisë për vepra korruptive ka bërë që edhe zyrtarë të lartë publik – përfshirë ministra, zëvendësministra, deputetë, ambasadorë e udhëheqës të ndërmarrjeve publike – të dyshuar për korrupsion, të vijojnë të mbajnë pozitat e tyre, në kundërshtim me parimet themelore të integritetit të qeverisjes, që janë proklamuar vazhdimisht nga vet qeveria aktuale”, tha ai.

    Cakolli theksoi që Qeveria ende nuk ka një vizion të qartë për luftimin e korrupsionit, me faktin që edhe pse kanë kaluar dy vite qeverisje, ende nuk ka një Strategji kombëtare Kundër Korrupsionit. Ai shtoi se çalime serioze ka në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe Deklaratës së përbashkët mes Ministrisë së Drejtësisë dhe krerëve të institucioneve të drejtësisë për reformën në drejtësi.

    “Ky vit është karakterizuar nga ndërhyrje dhe sulme të vazhdueshme të ekzekutivit ndaj institucioneve të drejtësisë që janë bërë në forma e për arsye të ndryshme, duke përfshirë uljen e pagave, atakimin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe sulmeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për raste gjyqësore. Luftimi i korrupsionit nuk është mbështetur si duhet as në aspektin e resurseve financiare e njerëzore. Institucionet dhe agjencitë e angazhuara në parandalim dhe luftim të korrupsionit, si Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndonëse i janë shtuar kompetencat në parandalim të korrupsionit dhe është rritur ndjeshëm numri i subjekteve deklaruese, kjo nuk është përkthyer në shtim të resurseve financiare dhe njerëzore. Ndërsa, sa i përket kontrollit financiar të subjekteve politike, u tha që edhe një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Zyra për Kontroll Financiar të Subjekteve Politike nuk është konsoliduar në aspektin organizativ, buxhetor apo atë ligjor”, tha Cakolli, duke shtuar se Zyra nuk ka rekrutuar 70% të stafit dhe ka pasur vetëm tre auditorë për kontroll të raporteve financiare të partive.

    Sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi nga KDI shtoi se, raporti i BE-së për Kosovën konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik duke theksuar se nuk ka progres në përmbushjen e rekomandimeve nga viti në vit.

    “Kapaciteti i dobët i institucioneve për të administruar prokurimin publik, monitorimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe sistemet e dobëta të mjeteve juridike, vazhdojnë të theksohen si një problem për vite me radhë. Për më shumë, raporti ngrit shqetësime për rritjen e theksuar të përdorimit të procedurave të mbyllura. Një theks i veçantë i është vënë shpenzimeve të parave publike përmes procedurave të negociuara pa publikim paraprak në vlerë prej 78.56 milion. KDI ngrit shqetësime se përderisa shpenzimet publike përmes prokurimit kanë pësuar ulje të konsiderueshme tre vitet e fundit, përdorimi i kësaj procedure ka treguar një trend të rritjes e që e tejkalon prej rreth 38% përdorimin e saj në kohë të pandemisë [2020], e cila në kohë emergjence kishte arritur vlerën prej 56.8 milion euro, respektivisht rreth 21.7 milion euro më pak”, tha ajo.

    Metushi-Krasniqi u bëri thirrje institucioneve gjegjëse që urgjentisht të fillojnë monitorimin dhe kufizimin e përdorimit të panevojshëm të tyre.

    Tutje ajo shtoi se Kosova ende nuk e ka përafruar legjislacionin e saj me acquis të BE-së, nuk ka treguar asnjë zhvillim në fushën e integritetit dhe luftës kundër korrupsionit. Po ashtu edhe Agjencia Qendrore e Prokurimit vazhdon të ketë mungesë të personelit dhe si pasojë ajo nuk siguron ekonomicitetin e shkallës që pritet nga prokurimi i centralizuar. Ajo i bëri thirrje Qeverisë që të ndërmarr hapa konkret drejt finalizimit të reformës në prokurimin publik, që ka filluar qysh në 2019.

    Duke iu referuar rëndësisë së sinjalizimit në luftimin e korrupsionit, Albesa Humolli-Geci, tha se në 2023 ka pasur avancim të kornizës ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve por që zbatimi praktik i këtij ligji është shumë i mangët, edhe nga institucionet publike edhe nga ato private.

    “Nga monitorimet dhe intervistat e zhvilluara me zyrtarët e institucioneve publike, KDI ka gjetur se zbatimi i këtij ligji në institucionet publik është më tepër i orientuar në drejtim të përmbushjes së kërkesave formale ligjore për caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim në institucione sesa që njëmend ka për qëllim të promovojë sinjalizimin si vlerë për luftimin e korrupsionit në institucionet publike në Kosovë”, tha ajo.

    Humolli theksoi se zyrtarët e institucioneve publike të intervistuar nga KDI kanë deklaruar se korrupsioni është prezent në institucionet publike në Kosovë, mirëpo mungon vullneti si dhe guximi i zyrtarëve për ta denoncuar atë.

    “Problematikë në këtë drejtim shihet mungesa e informatave në lidhje me sinjalizimin në institucione publike, duke filluar nga mungesa e informacioneve në lidhje me caktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim – mos publikim i të dhënave të zyrtarit ku mund të sinjalizohet, kushtet teknike për sinjalizim – mungesa e zyrës dhe frika nga zbulimi i identitet të sinjalizuesit, mungesa e trajnimeve mbi sinjalizimin dhe mungesa e promovimit të sinjalizimit si vlerë në shërbim të luftimit të korrupsionit në kuadër të institucioneve.

    Ajo theksoi se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit si institucion i mandatuar për monitorimin e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e sinjalizuesve duhet të bëjë vlerësime të rregullta dhe monitorim sistematik të zbatimit të kërkesave ligjore nga ana e institucioneve, të zbatojë programe trajnimi për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim si dhe të zhvillojë fushat avokimi për ndërgjegjësimin publik të qytetarëve në lidhje me raportimin në interes publik.

    Kritikat për punën joefikase të Kuvendit përveç të ngritura nga KDI në vazhdimësi, kanë zënë hapësirë të theksuar në raportin për Kosovën. Mungesat pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni. Në mënyrë që Kuvendi të arrijë të përmbushë funksionin e tij, duhet të zbatojë mekanizmat në fuqi dhe të krijojë mekanizma shtesë që sanksionojnë sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve. Në rastet kur deputetët mungojnë pa arsye në seanca Kryesia duhet të zbatojë Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit për ndalim të kompensimit dhe shpenzimet mujore të deputetëve. Ajo shtoi se Kuvendi sa më parë duhet të rikthejë votimin elektronik i nevojshëm për fuqizimin e transparencës dhe llogaridhënies.

    Haxholli vijoi tutje edhe me vlerësimet për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilat tha se nuk është ofruar transparencë nga ana e Qeverisë. Qeveria duhet të ofrojë transparencë ndaj publikut dhe Kuvendit, dhe konferencat për shtyp pas takimeve te dialogut e takimet me liderët politik nuk mund të jenë zëvendësim për obligimet kushtetuese që Qeveria i ka ndaj Kuvendit si institucioni më i lartë mbikëqyrës. Mungesa e informacioneve krijon hapësirën për informacione jo zyrtare duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë te qytetarët.

  • Policia dhe Dogana kryejnë kontrolle në veri, konfiskojnë mall që dyshohet të jetë kontrabanduar

    Policia dhe Dogana kryejnë kontrolle në veri, konfiskojnë mall që dyshohet të jetë kontrabanduar

    Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën ka kryer kontrolle në veri të vendit, ku në dy lokacione kanë hasur në sasi të konsiderueshme të mallit që dyshohet të jetë kontrabanduar.

    Dogana e Kosovës e ka konfiskuar mallin që kryesisht ishin artikuj ushqimor, në sasi më të madhe pije alkoolike (birra të brendeve të ndryshme, raki, verë, vodka etj.), por edhe çokollata, coca-cola e gjëra tjera të cilat janë evidentuar një njësitet e doganës.

    Lokacionet që janë kontrolluar janë në Zhitkovc të Zveçanit dhe në një lokacion tjetër në hyrje të Leposaviqit.

    “Policia në bashkëpunim me doganën do të vazhdojë aktivitetet me qëllim që të parandalojnë aktivitete kriminale ndër kufitare duke bërë që mallrat që hyjnë në Republikën e Kosovës të jenë të kontrolluara në mënyrë që të jenë të sigurta për konsumimin nga qytetarët, por edhe t’i kalojnë procedurat e tatimeve të parapara sipas ligjeve të vendit”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Kosovës në bashkëpunim e koordinim me Doganën e Kosovës, në vazhdën e angazhimeve operative, në luftën kundër kontrabandës së mallrave dhe aktiviteteve tjera te paligjshme, më 10.11.2023, kanë zhvilluar aktivitet dhe kryer kontrolle në dy lokacione në pjesën veriore të vendit.

    Ky operacion i përbashkët ka ardhur pas përpunimit e trajtimit të disa informacioneve se në pjesën veriore të vendit po kryheshin aktivitete të paligjshme. Policia ka kontrolluar një lokacion në Zhitkovc të Zveçanit dhe në një lokacion tjetër në hyrje të Leposaviqit.

    Në të dy lokacionet ku janë kryer kontrolle janë hasur një sasi e konsiderueshme e mallit që dyshohet të jetë kontrabanduar. Dogana e Kosovës e ka konfiskuar mallin që kryesisht ishin artikuj ushqimor, në sasi më të madhe pije alkoolike (birra të brendeve të ndryshme, raki, verë, vodka etj.), por edhe çokolata, coca-cola e gjëra tjera të cilat janë evidentuar një njësitet e doganës (për më shumë shih fotot në bashkëngjitje).

    Policia në bashkëpunim me doganën do të vazhdojë aktivitetet me qëllim që të parandalojnë aktivitete kriminale ndër kufitare duke bërë që mallrat që hyjnë në Republikën e Kosovës të jenë të kontrolluara në mënyrë që të jenë të sigurta për konsumimin nga qytetarët, por edhe t’i kalojnë procedurat e tatimeve të parapara sipas ligjeve të vendit.

  • Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

    Kurti: Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në një diskutim në kuadër të Forumit të Paqes në Francë, ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.

    Ai tha se shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt por s’ka vdekur si ide, teksa shtoi se njerëzit që sipas tij, kanë parë ëndrra për shumë për ndarjen e Kosovës, shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufijve, e kanë të vështirë ta braktisin atë nostalgji e të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike.

    “Projekti i këmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejt midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si për familjen e tyre që flasin për territoret e shteteve të tyre sikur të ishin prova private”.“Por, kjo ka pasur një lloj shije feudale që nuk ekziston më, por më duhet të pranojë që përkundër dështimit të projektit, ideja ekziston ende por pa ndonjë gjasë të madhe që të hyjë në fuqi”, tha Kurti.

    Kurti foli edhe për njohjen e Kosovës nga Serbia, nga e cila tha se duhet të ketë edhe njohje de facto edhe de jure.“Pra, sa më shpejt që të normalizojmë marrëdhëniet me njohje de-facto e de-jure, po them de jure dhe de facto sepse Serbia e njeh Bosnjë dhe Hercegovinën de jure por jo de facto, sepse ka raporte të vecanta me Republikën Srpska që e shfrytëzon pushtetin e vet për të minuar shtetndërtimin demokratik”.

    “Ndërsa në anën tonë, Serbia na njeh de facto në shumë aspekte, por jo de jure. Na duhet de jure dhe de facto, dhe njëkohësisht një lloj simetrie në të drejtën e pakicave. E di që të drejtat e pakicave nuk mund të jenë identike, por edhe ky disbalanci tejet i madh midis vendeve të rajonit shkakton tensione e që mund të jenë atraktive për disa qendra për destabilizim”, tha Kurti.

  • Aksidentohet rëndë ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, vdes shoferi i automjetit me të cilin u ndesh

    Aksidentohet rëndë ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, vdes shoferi i automjetit me të cilin u ndesh

    Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Mario Banozhiq, ka pësuar një aksident të rëndë trafiku në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

    Aksidenti ka ndodhur në qytetin Vinkovci të Kroacisë, teksa vetura e tij është ndeshur me një furgon që po vinte nga drejtimi i kundërt, me ç’rast shoferi i kombit ka vdekur në vend të ngjarjes, transmeton Klankosova.tv.

    Fotot e para nga vendi i ngjarjes tregojnë se aksidenti ka qenë i rëndë. Vetura e Bonazhiqit është rrokullisur në krah, ndërsa kombi të cilin e ka goditur ka dalë jashtë rrugës.

    Zëdhënësi i qeverisë kroate, Marko Milic, raportoi se ministri Banozhiq ka pësuar lëndime serioze trupore si pasojë e aksidentit, por se është jashtë rrezikut për jetë.

    “Ministri ka pësuar lëndime serioze trupore, sipas vlerësimeve të para të doktorëve, por është jashtë rrezikut për jetë”, tha Milic, raporton “Index.hr”.

    Ai tha po ashtu se Banozhiq ka pranuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Vinkovcit dhe se ai do të transferohet në spitalin e Osijekut.

    Drejtori i Spitalit të Vinkovcit, Krunoslav Shpoçiq, ka konfirmuar për transmetuesin publik kroat HRT se ministri “lëndime kryesisht në kokë dhe tru, por tani për tani ai është i vetëdijshëm”.

    Qeveria kroate i ka shprehur ngushëllime familjes së shoferit që vdiq në aksident.