ATV

Category: Lajme

  • Mot i vranët dhe me reshje shiu

    Mot i vranët dhe me reshje shiu

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me vranësira, intervale me diell dhe reshje lokale shiu.

    Reshjet do të jenë më të shprehura pasdite dhe në mbrëmje. Reshjet e shiut pushojnë mëngjesin e së hënës, ku më pas do të ketë edhe intervale më të gjata me diell.

    Temperaturat sot do të sillen në mes 6 deri në 12 gradë celsius.

  • Edhe Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, pritet të takohet me kryetaren e Parisit

    Edhe Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, pritet të takohet me kryetaren e Parisit

    Me ftesë të Presidentit të Forumit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku pjesëmarrës janë liderë nga e gjithë bota.

    Forumi po trajton temën e mbrojtjes së planetit dhe njerëzve, ndaljen e kërcënimeve dhe luftërave, garantimin e besimit dhe sigurisë në botën digjitale, adresimin e pabarazisë, ndryshimet klimatike, biodiversitetin, pandemitë e ndryshme dhe ndërtimin e paqes dhe i një bote më të sigurtë për të gjithë.

    Në margjinat e këtij Forumi dyditor, Ministrja Gërvalla mori pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Kryetarja e Komunës së Parisit, duke shfrytëzuar mundësinë e takimeve me personalitete të ndryshme të botës.

    Në këtë Samit po qëndron dhe kryeministri Albin Kurti.

  • AGK-ja thotë se janë kërcënuar me vrasje dy gazetarët kosovarë

    AGK-ja thotë se janë kërcënuar me vrasje dy gazetarët kosovarë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi për media ka bërë të ditur se gazetarët e Plus Tv nga Vitia, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi, janë kërcënuar me vrasje.

    Hetemi e Maliqi kanë njoftuar AGK-në për mesazhet kërcënuese që i kanë pranuar pas shkrimeve të këtij medium për dy xhamitë ne Komunën e Vitisë.

    AGK i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të kujdeset për sigurinë e gazetaëreve dhe stafit të Plus Tv.

    “AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Kërcënohen me vrasje Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga Plus TV në Viti

    Janë kërcënuar me vrasje gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.

    Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.

    “Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.

    Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.

    AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.

    AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.

  • Siri: Sulmohet baza ajrore ku janë të vendosura forcat amerikane

    Siri: Sulmohet baza ajrore ku janë të vendosura forcat amerikane

    Mjetet ajrore pa pilot (UAV) me origjinë të panjohur sulmuan bazën ajrore Harab Cir, ku janë vendosur forcat amerikane, në Hasakah, në verilindje të Sirisë, sipas burimeve lokale.

    Nuk është raportuar për viktima dhe SHBA nuk ka komentuar ende zyrtarisht për sulmin.

    Në ditët e fundit, mjete ajrore të armatosura të paidentifikuara dhe armë tokë-tokë janë përdorur për të nisur sulmet ndaj bazave ushtarake amerikane në rajonin At-Tnaf, distriktin al-Malikiyah pranë kufirit me Irakun, rrethin Al-Shaddadah në provincën al-Hasakah dhe provincën Deir ez-Zor në Siri.

    Grupet e mbështetura nga Irani sulmojnë herë pas here bazat amerikane në lindje të Eufratit me raketa dhe drone. /AA

  • Von Cramon: Nëse s’ka ekstradim e bashkëpunim për Banjskën, BE-ja duhet të veprojë ndaj Serbise e jo vetëm të flasë

    Von Cramon: Nëse s’ka ekstradim e bashkëpunim për Banjskën, BE-ja duhet të veprojë ndaj Serbise e jo vetëm të flasë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një intervistë për Euronews Albania ka folur për raportin e BE-së me Serbinë pas Banjskës dhe për masat e mundshme ndaj Beogradit.

    Ajo ka thënë se BE-ja ka masën përmes të cilës ndikimi në Serbi do të ishte i qartë, duke përmendur mundësinë e ndaljes së fondeve. Von Cramon thotë se kjo do të ishte një masë e butë për Vuçiqin, por thekson se gjëja më e keqe që do të mund t’i ndodhte Vuçiqit është që të dalë para elektoratit dhe të shpjegohet se pse iu ndalen fondet dhe pse BE-ja ka marrë masa ndaj tij.

    Von Cramon: Nëse s’ka ekstradim e bashkëpunim për Banjskën, BE-ja duhet të veprojë ndaj Serbise e jo vetëm të flasë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në një intervistë për Euronews Albania ka folur për raportin e BE-së me Serbinë pas Banjskës dhe për masat e mundshme ndaj Beogradit.

    Ajo ka thënë se BE-ja ka masën përmes të cilës ndikimi në Serbi do të ishte i qartë, duke përmendur mundësinë e ndaljes së fondeve. Von Cramon thotë se kjo do të ishte një masë e butë për Vuçiqin, por thekson se gjëja më e keqe që do të mund t’i ndodhte Vuçiqit është që të dalë para elektoratit dhe të shpjegohet se pse iu ndalen fondet dhe pse BE-ja ka marrë masa ndaj tij.

    Tutje raportuesja e Parlamentit Evropian ka thënë se nëse s’ka bashkëpunim, ekestradim dhe nëse s’ka transparencë për rastin e Banjskës, atëherë BE-ja s’duhet vetëm që të flasë por edhe të veprojë.

    Ajo ka thënë se shpreson që disa prej masave do të shihen së shpejti.

    “Ka një ndikim të qartë, por nëse ne ndalojmë paratë për Serbinë, ky do të ishte vendim shumë i butë për Vucicin. Vucic do jetë para zgjedhjeve dhe gjëja me e keqe që mund t’i ndodh se pse BE pezulloi fondet dhe pse mori masa ndaj tij. Nëse s’ka bashkëpunim, s’ka ekstradim, nëse s’ka transparencë, BE-ja s’duhet të flasë por edhe të veprojë, dhe shpresoj se disa prej tyre do t’i shohim së shpejti”, ka thënë Von Cramon.

    Ajo tutje ka thënë aktualisht Vuçiq është shumë i dobët nga protestat, dhe ka potencuar se PE-ja po pret që të shoh rezultatet e hetimit për Banjskën deri në fund të vitit.

    “Vucic për momentin është mjaftë i dobët. Ai u përball më shumë protesta. Ka shumë presion. Do të prisja të shihja një rezultat të hetimit për Banjskën deri në fund të vitit. Këtë kemi formuluar dhe këtë presim ne në Parlamentin Evropian”, ka thënë Von Cramon për Euronews Albania.

  • ​Islanda shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga frika e shpërthimit vullkanik

    ​Islanda shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga frika e shpërthimit vullkanik

    Rreth 4.000 njerëz janë evakuuar gjatë natës nga një qytet islandez pasi qindra lëkundje u ndjenë nga një shpërthim vullkanik, ndërsa vendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

    Islanda shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të premten pasi një seri tërmetesh të fuqishme tronditën gadishullin jugperëndimor të Reykjanes të vendit, në atë që mund të jetë një pararendës i një shpërthimi vullkanik pranë Sundhnjukagigar, rreth 1.86 milje në veri të qytetit të Grindavik.

    Qyteti, i cili është rreth 25 milje në jugperëndim të Reykjavikut, ndodhet pranë vendpushimit gjeotermal të lagunës ‘Blue Lagoon’, një destinacion popullor turistik, i cili u mbyll përkohësisht në fillim të kësaj jave si masë paraprake.

    Gati 800 tërmete u regjistruan midis mesnatës dhe orës 14:00 të së premtes, me thellësinë më të vogël midis 1.86 dhe 2.18 milje, tha Zyra Meteorologjike Islandeze.

    Agjencia e Mbrojtjes Civile tha se tërmetet mund të bëhen më të mëdhenj se ata që kanë ndodhur tashmë dhe kjo sekuencë ngjarjesh mund të çojë në një shpërthim.

    “Ne duam të ritheksojmë se banorët duhet të evakuohen nga shtëpitë e tyre dhe të largohen nga qyteti. Por, ne gjithashtu, duam të ritheksojmë se ky nuk është një evakuim urgjent. Ka mjaft kohë për t’u përgatitur dhe siguruar gjërat, dhe për t’u larguar me qetësi nga qyteti”. /DailyMail

  • Murati: Komuna e Prishtinës e ka më mirë buxhetin së kurrë më parë, por s’mund t’i detyrojmë të punojnë

    Murati: Komuna e Prishtinës e ka më mirë buxhetin së kurrë më parë, por s’mund t’i detyrojmë të punojnë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti aktuali i komunës së Prishtinës është shumë më mirë sesa që ishte në vitet tjera, por edhe kur në pushtet qendror ishte vetë LDK.

    Murati tha se më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të komunës sesa vetë komuna. Ai gjithashtu ironizoi me komunën që e udhëheq Përparim Rama, duke thënë se s’mund t’i detyrojnë të punojnë.

    Kjo deklaratë e tij vjen si reagim ndaj asaj që tha nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, se janë të pakënaqur me ndarjen buxhetore të qeverisë meqë, sipas tij, kërkesat e kryeqytetit janë shumë më të mëdha.

    Postimi i plotë:

    Për vitin 2021, në buxhetin e përgatitur nga qeveria e udhëhequr nga LDK, e ku edhe Ministria e Financave udhëhiqej nga ta, buxheti për Komunën e Prishtinës ka qenë:

    87.6 milionë euro

    ku nga to 58.5 milionë ishin mbështetje nga qeveria, ndërsa 28.2 milionë euro ishin të hyrat vetanake.

    Për vitin 2024, me Qeverinë Kurti, buxheti për Komunën e Prishtinës është:

    123.7 milionë euro

    ku nga to 83.9 milionë euro janë mbështetje nga qeveria, ndërsa 38.8 milionë euro janë të hyrat që vetë Komuna e Prishtinës pritet t’i mbledhë.

    Nëse bëjmë krahasimin për këtë periudhë, e shohim se të hyrat vetanake komuna ka arritur t’i rrisë për 10 milionë euro, ndërsa mbështetja nga qeveria është rritur për mbi 25 milionë euro. Me fjalë tjera, më shumë ka kontribuar Qeveria Kurti në rritjen e buxhetit të komunës sesa vetë komuna.

    Buxhetin e kanë si kurrë më parë. Por, me punu s’mund t’i detyrojmë. Punën duhet ta bëjnë vetë.

  • ​Mali i Zi nuk lejon ekstradimin e serbëve të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    ​Mali i Zi nuk lejon ekstradimin e serbëve të akuzuar për krime lufte në Kosovë

    Policia e Malit të Zi në fund të muajit shtator kishte arrestuar Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq nën dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë. Vukotiq dhe Vuksanoviq kishin qëndruar në paraburgim ekstradues, duke pritur ekstradimin tek organet e drejtësisë kosovare.

    Gjykata malazeze kishin vendosur që të njëjtit duhet t’u dorëzohen autoriteteve të Kosovës, por kundër vendimit të gjykatës kishte dalë ministri i Drejtësisë Marko Kovaq. Ky i fundit këtë vendim e kishte marr një javë para se t’i përfundonte mandati.

    Gazeta “Pobjeda” bëri të ditur se Kovaç e ka shpjeguar vendimin me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike” dhe se është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, me vlerësimin se ka qenë “moment politik”.

    Avokatja, njëherësh drejtoresha ekzekutive e Aksionit për të Drejtat e Njeriut (HRA), Tea Gorjanc Preleviq, ka thënë se me vendimin për ta refuzuar ekstradimin, ministri Kovaq i ka tejkaluar autorizimet e tij duke e kundërshtuar vendimin e gjykatës, gjë që paraqet keqpërdorim të detyrës.

    Marko Kovaç ishte ministër në Qeverinë e Dritan Abazoviqit, në të cilën ai u zgjodh nga kuota e Partisë Popullore Socialiste (SPLP), e formuar nga shpërbërja e DPS-së së Gjukanoviqit pas ndarjes me Slobodan Millosheviqin në vitin 1998.

    Babai i tij, Miodrag Kovaç, ishte ministër në RFJ gjatë viteve të fundit të sundimit të Slobodan Millosheviqit. Pas zgjedhjes së qeverisë së re të Milojko Spajiqit, Kovaç u shkarkua. Ministri i ri i Drejtësisë është Andrej Miloviq nga Lëvizja “Evropa Sad” e Spajiqit.

    Pas refuzimit për ekstradim të serbëve, të njëjtit janë liruar nga paraburgimi. /Geopost

  • Ish-kryeinspektori i AKI-së paralajmëron publikimin e Draftit evropian për Asociacionin

    Ish-kryeinspektori i AKI-së paralajmëron publikimin e Draftit evropian për Asociacionin

    Ish-zyrtari i AAK-së dhe ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka paralajmëruar se do ta bëj publik draftin-evropian për Asocaicionin.

    Ramadani ka njoftuar përmes kanalit të tij në Youtube se do ta publikoj së shpejti dokumentin e hartuar nga evropianët për Asociacionin.

    Ky paralajmërim i Ramadanit vjen pas diskutimeve të shumta rreth Draftit të Asocaicionit dhe pas akuzave se ai po mbahet i fshehtë.

    Ka qenë kreu i AAK-s, Ramush Haradinaj, që pas takimit me Miroslav Lajcak ka dhënë disa detaje, meqë ka theksuar se e ka parë draftin në tërësi dhe se i njejti referohet në vazhdimësi Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Gjithashtu ka treguar se në draft gjendet edhe pika për verifikimin e tij në Gjykatë Kushtetuese.

  • Rohde: Miqësia Francezo-Gjermane, histori suksesi që duhet t’i frymëzojë të tjerët

    Rohde: Miqësia Francezo-Gjermane, histori suksesi që duhet t’i frymëzojë të tjerët

    Ambasada gjermane dhe ajo franceze në Kosovë përkujtojnë armëpushimin e 11 nëntorit 1918 që i dha fund Luftës së Parë Botërore, ku u tha ajo arritje historike është kryevepër e diplomacisë dhe e pajtimit të vërtetë dhe se miqësia Franko-Gjermane është një histori unike suksesi që duhet të frymëzojë të tjerët të zgjedhin pajtimin në vend të konfliktit dhe luftës.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se është bërë më shumë se një zakon i Gjermanisë dhe Francës që së bashku të përkujtojnë ata që vdiqën në konfliktet dhe luftërat e kaluara dhe aktuale.

    “Pasojat e asaj lufte, të përshkruar shpesh si katastrofa origjinale e shekullit të 20-të, ishin shkatërruese. Më shumë se 9 milionë ushtarë dhe akoma më shumë civilë humbën jetën, duke u shkuar në një numër total prej 17 milionë të vdekurish. Zonja dhe zotërinj, të dashur miq nga Ukraina, është thelbësore të kujtojmë dhe përkujtojmë për të parandaluar përsëritjen e gabimeve më të mëdha të historisë. Sot jemi mbledhur pikërisht për këtë arsye për të siguruar që mësimet e së shkuarës të udhëheqin të ardhmen tonë, por pavarësisht gjithë kësaj dhimbje dhe pikëllimi që ndjejmë sot në 11 Nëntor, është gjithashtu një ditë feste. Mund të festojmë që pas shekujsh marrëdhëniesh të tmerrshme të shënuara nga armiqësi të ashpra dhe luftërat e pafundme, Gjermania dhe Franca e kanë kapërcyer këtë rivalitet. Por jo vetëm vendet tona, popujt tanë janë bërë miq. Kjo arritje historike është kryevepër e diplomacisë dhe e pajtimit të vërtetë, është ende mbresëlënëse sot, dhe gjithashtu më mbush me shpresë nëse miqësia Franko-Gjermane është një histori unike suksesi ajo duhet të frymëzojë të tjerët të zgjedhin pajtimin në vend të konfliktit dhe luftës”, tha ai.

    Ambasadori francez në vendin tonë, Olivier Guerot tha se përkujtimi së bashku është një element i rëndësishëm ndërtimi i çdo shoqërie që kujtimi duhet bërë pa rindezur konflikte apo urrejtje.

    “Arritja e pajtimit franko-gjerman ishte çdo gjë e qartë se është bërë një realitet që ne e vlerësojmë, që e ushqejmë së bashku. Dhe nuk po them se në mënyrën e ligjërimit, përkundrazi, me përulësi nëse ishte e mundur për ne, atëherë pse do të ishte e pamundur për vendet e tjera…..ne i nderojmë ushtarëve tanë, ushtarët e Luftës së Parë Botërore, por edhe të gjithë ushtarët që humbën jetën në vendet e tjera, 11 Nëntori tek ne është dita e veteranëve. Dhe prandaj ky përkujtim ka një kuptim shumë të veçantë këtu në Kosovë, pasi 18 trupa franceze vdiqën duke shërbyer në KFOR, duke mbrojtur paqen, duke mbrojtur Kosovën dhe të gjitha këto komunitete. Ata mbahen mend nga monumentet e tyre. Në ditën e veteranëve tanë duhet të kemi parasysh edhe viktimat civile. Ka kaluar tashmë një vit e gjysmë që kur Rusia ka filluar luftën e saj të agresionit ndaj Ukrainës, dhe ne jemi dëshmitarë të shkeljeve konstante, të qëllimshme të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar nga Rusia. Kjo është arsyeja që unë dhe kolegu im gjerman vendosëm të ftojmë gazetarët ukrainas, faleminderit që erdhët, të cilët gjetën strehë këtu në Kosovë, për të marrë pjesë në këtë përkujtim. Dhe ne kemi ftuar edhe gazetarë nga Afganistani të ikur nga regjimi, i cili po shkel të drejtat më elementare të njeriut”, tha ai.

    Kurse, gazetari nga Ukraina që po strehohet në Kosovë, në kuadër të programit vullnetar për strehim që ka ofruar Kosova, tha se në atë kohë më shumë se 38 vende u përfshinë në luftë dhe dhjetë nga miliona njerëz vdiqën

    “Sot ne respektojmë … njerëzit që mbrojnë tokat e tyre, njerëzit e tyre, dhe qëndrojnë në mbrojtje të lirisë dhe sigurisë së Evropës. Ne ukrainasit dëshirojmë të falënderojmë miqtë tanë për ndihmën dhe solidaritetin e tyre dhe bëjmë thirrje për ndihmën tuaj të mëtejshme për Ukrainën…..Ne gjithashtu vlerësojmë kontributin e madh të qeverisë gjermane dhe asaj të Kosovës për të mbrojtur gazetarët në mesin e pjesëmarrësve të tyre në programin e strehimit të gazetarëve në Kosovë”, tha ai.

    Më 11 nëntor 1918, Gjermania nënshkruan një marrëveshje për armëpushim me aleatët në një vagon treni në pyllin Compiegne të Francës.

    Luftimet ndaluan zyrtarisht në orën 11:00, të ditës së 11-të të muajit të 11-të dhe kjo ditë është nderuar çdo vit me një heshtje dy-minutash, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur 11 nëntorin – Ditën e Veteranëve.

    Lufta e parë Botërore përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor 1919.