ATV

Category: Lajme

  • Inteligjenca artificiale kërcënon miliona vende pune në Korenë Jugore

    Inteligjenca artificiale kërcënon miliona vende pune në Korenë Jugore

    Gati katër milionë vende pune në Korenë e Jugut janë në rrezik që të zëvendësohen prej inteligjencës artificiale në dy dekadat e ardhshme, ka thënë Banka Qendrore e këtij shteti, në një studim të publikuar të enjten.

    Avancimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka nxitur shqetësim global për humbje të vendeve të punës, rritje të sulmeve kibernetike, dhe humbje të kontrollit të sistemeve ndonëse ato janë dizajnuar nga dora e njeriut.

    Studimi i ri nga Banka e Koresë, tregon se 3.9 milionë vende pune në Korenë e Jugut janë në rrezik që të zëvendësohen, përfshirë ato të mjekëve, avokatëve, kontabilistëve dhe kimistëve.

    “Punëtorët me paga të larta dhe edukim akademik i ekspozohen më së shumti inteligjencës artificiale dhe kanë rrezik më të madh që të zëvendësohen”, është thënë në studim.

    Sipas studimit, arsyeja mbrapa këtij argumenti është se inteligjenca artificiale mund t’i përfundojë shpejt detyrat analitike dhe ato kognitive.

    Punët që më së paku kanë rrezik nga ky avancim i teknologjisë janë ato në fushat e fesë, të shërbimeve të ushqimit dhe ligjërimit, sipas studimit.

    Megjithatë, Banka e Koresë ka tërhequr vërejtje që ndonëse inteligjenca artificiale rrezikon punët aktuale, ajo edhe krijon mundësi të reja për punësim, përfshirë ato në fushën e inxhinierisë për zhvillim dhe mirëmbajtje të sistemeve./REL/

  • Kosova zhvillon sot stërvitjen e fundit para udhëtimit drejt Zvicrës

    Kosova zhvillon sot stërvitjen e fundit para udhëtimit drejt Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta zhvillojë sot stërvitjen e fundit para se të udhëtoj drejt Zvicrës për ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se “Dardanët” do të stërviten sot në Kampion Nacional në Hajvali me fillim nga ora 11:00, raporton KP.

    Zvicra me Kosovën përballen të shtunën ën Basel. Zvicra është liderë e grupit I me 16 pikë, kurse Kosova renditet e katërta me 10 pikë.

  • Video/ Momenti i frikshëm kur nëna e dy fëmijëve vritet nga rrufeja në një plazh në Kolumbi

    Video/ Momenti i frikshëm kur nëna e dy fëmijëve vritet nga rrufeja në një plazh në Kolumbi

    Një nënë e dy fëmijëve u vra nga një rrufe në plazhin Boquilla në Cartagena, Kolumbi. Fatkeqja Froilanis Maireth Rivas Román ra në tokë menjëherë kur u godit nga rrufeja.

    Në të njëjtën kohë, një dëshmitar okular ka regjistruar momentin e frikshëm.

    Gruaja 34-vjeçare është parë duke ecur përgjatë vijës bregdetare në momentin kur e goditi rrufeja. Pranë saj ishte një polic i cili duket i tronditur nga zhurma e rrufesë, por pa e parë gruan. Një tjetër pushues rrëzohet në rërë i tronditur dhe më pas vrapon për të ndihmuar gruan që vdiq në vend nga goditja elektrike.

    Román ishte në plazhin Boquilla në Kolumbi me anëtarët e familjes. Froilanis ka lënë pas një djalë dhe një vajzë dhe kishte kompaninë e saj të veshjeve në Instagram.

    Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjasat që dikush të goditet nga rrufeja janë një në një milion, megjithatë gati 90% e viktimave mbijetojnë. Në Kolumbi, vdekjet nga rrufetë për shkak të kushteve të motit janë të shumta.

    Sipas Universitetit Industrial të Santanderit, numri i lartë i maleve dhe fushave të hapura në vend, e bëjnë rajonin të prirur ndaj shkarkimeve elektrike. Universiteti tha: Kolumbia është rajoni me aktivitetin më të rrufeshëm në botë, gjë që rrit numrin e vdekjeve dhe të lëndimeve për shkak të këtij fenomeni, veçanërisht në zonat rurale./TopChannel/

  • Vetëm gjatë shtatorit 130 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Vetëm gjatë shtatorit 130 çifte i dhanë fund martesës së tyre

    Në muajin shtator të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 1 mijë e 396 kurorëzime brenda dhe jashtë Kosovës. Por nuk pati vetëm martesa gjatë këtij muaji.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë shtatorit 130 çifte i kanë dhënë fund martesës së tyre.

    “Në muajin shtator 2023 janë regjistruar gjithsej 1 396 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime të ndodhura në Kosovë janë regjistruar 130 raste”, thuhet në njoftimin e ASK-së./Indeksonline/

  • ​Izraeli kundërshton rezolutën për “pauza dhe korridore të zgjatura humanitare” në Gaza

    ​Izraeli kundërshton rezolutën për “pauza dhe korridore të zgjatura humanitare” në Gaza

    Ministria e Jashtme izraelite hodhi poshtë një rezolutë të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mërkurën, e cila kërkonte “pauza dhe korridore të zgjatura humanitare” në Gaza.

    Në një deklaratë të cituar nga gazeta Haaretz, ministria tha se “nuk ka vend për pauza të zgjatura humanitare” për sa kohë që pengjet mbahen nga grupi palestinez Hamas.

    I dërguari i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, e përshkroi gjithashtu rezolutën si “të shkëputur nga realiteti”, pasi ajo nuk dënon Hamasin për sulmin e tij të nisur kundër Izraelit më 7 tetor, shkruan AA.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të mërkurën një projekt-rezolutë që bën thirrje për “pauza dhe korridore urgjente dhe të zgjatura humanitare” në të gjithë Gazën.

    Dymbëdhjetë vende votuan në favor të rezolutës së kryesuar nga Malta, ndërsa SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia abstenuan nga votimi.

    Rezoluta gjithashtu bën thirrje për lirimin e të gjithë pengjeve që mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera, veçanërisht fëmijët.

    Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

    Zyra qeveritare për media në Gaza njoftoi të mërkurën se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori është rritur në 11,500, duke përfshirë 4,710 fëmijë dhe 3,160 gra.

    “Numri i vdekjeve në mesin e personelit mjekësor ka arritur në 200”, tha zyra në një deklaratë në Telegram.

    Më tej thuhet se janë vrarë edhe 22 personel të mbrojtjes civile dhe 51 gazetarë, ndërsa numri i të lënduarve ka arritur në 29,800, me rreth 70% gra dhe fëmijë.

    Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar që nga muaji i kaluar.

    Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1,200, sipas shifrave zyrtare.

  • Pse serbët në veri po kërkojnë pasaporta të Kosovës?

    Pse serbët në veri po kërkojnë pasaporta të Kosovës?

    Analisti i Sigurisë, Bedri Elezi, është shprehur se asnjë serb në veri të Kosovës nuk ka mundur të lëvizë lirshëm në zonën Shengen të BE-së, megjithëse kanë pasur pasaporta serbe.

    Komentet Elezi i bëri përmes një lidhjeje me emisionin “Good Morning Albanians” në EuroNews, ku tha se kjo vinte për shkak se BE lejonte të lëviznin lirshëm vetëm serbët resident në Serbi.

    Kjo sipas Elezit ka bërë që shumë serbë në Kosovë të interesohen për pasaporta të Kosovës dhe të vendosin targa të Kosovës.

    “Është një numër i madh i serbëve të interesuar për t’u pajisur me pasaporta të Kosovës dhe për të pajisur makinat e tyre me targa të Kosovës. Kjo vjen pas vendimit të BE-së për të futur Kosovën në Shengen. Pra duan të shfrytëzojnë lëvizjen e lirë.

    Regjistrimi i veturave, është i ndërlidhur me hyrjen e Kosovës në Shengen. Qytetarët e Serbisë, edhe pse kanë pasur pasaportat e Serbisë, nuk kanë mundur të udhëtojnë në Shengen, megjithëse Serbia ka qenë më parë në zonën e lirë. Asnjë serb që ka jetuar në Kosovë, nuk ka qenë banor i Serbisë dhe nuk ka pasur mundësi të lëvizë në Shengen, megjithëse kishin pasaporta serbe.

    Kjo pasi vendimi i BE-së ishte që vetëm banorët rezidentë të serbisë mund të lëviznin. Pra ishte familja Shengen që kishte përjashtuar qytetarët. Në pasaportat e këtyre qytetarëve ishin përcaktuar koordinatat. Pra rezidenca”, është shprehur Elezi.

  • Kurti optimist për anëtarësimin në KiE: Duhet të ndodhë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kurti optimist për anëtarësimin në KiE: Duhet të ndodhë para zgjedhjeve në ShBA dhe BE

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është optimist për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

    Ai në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard” tha se kjo duhet të ndodhë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.

    Kurti tha se “disa shenja nuk janë të mira”, duke shtuar se “nuk dihet si do të duket bota pas dy viteve”.

    “Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”, tha Kurti.

  • Izraeli thotë se ka goditur shtëpinë e liderit të Hamasit

    Izraeli thotë se ka goditur shtëpinë e liderit të Hamasit

    Forcat izraelite thonë se kanë sulmuar shtëpinë e një lideri të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Gaza.

    Në një postim në X, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se përdorën avionë luftarakë të mërkurën mbrëma për të goditur shtëpinë e kreut të byrosë politike, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Ata pretendojnë se shtëpia e tij ishte “përdorur si infrastrukturë terroriste” dhe “një vend takimi për zyrtarët e lartë të organizatës”.

    BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimin e Forcave Mbrojtëse të Izraelit.

    Kush është lideri i Hamasit, shtëpinë e të cilit Izraeli thotë se e goditi?

    Forcat izraelite njoftuan mëngjesin e sotëm se kanë përdorur avionë luftarakë për të sulmuar shtëpinë e Ismail Haniyeh, i cili konsiderohet gjerësisht lideri i përgjithshëm i Hamasit,.

    Haniyeh u zgjodh kryetar i byrosë politike të Hamasit në vitin 2017, por prej disa vitesh jeton në Katar.

    Ai ishte një anëtar i shquar i Hamasit në fund të viteve 1980 dhe u burgos nga Izraeli për tre vjet.

    Më pas ai kaloi një vit në mërgim përpara se të kthehej në Gaza. Në vitin 1997 ai u emërua kryetar i zyrës së udhëheqësit shpirtëror të Hamasit, duke forcuar pozicionin e tij.

    Haniyeh u emërua kryeministër palestinez në vitin 2006 nga presidenti Mahmud Abbas, por u shkarkua një vit më vonë pasi grupi rrëzoi partinë e Abbasit Fatah nga Rripi i Gazës në një javë dhune vdekjeprurëse.

    Haniyeh e hodhi poshtë shkarkimin e tij si “jokushtetues”, duke theksuar se qeveria e tij “nuk do të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj kombëtare ndaj popullit palestinez” dhe vazhdoi të sundojë në Gaza.

  • Zemaj: Jam i bindur se Abdixhiku do të zgjidhet kryetar i LDK- së

    Zemaj: Jam i bindur se Abdixhiku do të zgjidhet kryetar i LDK- së

    Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është shprehur i bindur se Lumir Abdixhiku, do të rikonfirmohet kryetar i partisë për një mandat 4 – vjeçar, në Konventën zgjedhore që mbahet të dielën.

    Zemaj i pyetur në “InfoNata”, nëse Abdixhiku që aktualisht është kryetar i LDK-së, do të zgjidhet kryetar për një mandat të plotë, ka thënë se puna që është bërë në këtë gjysmë mandati ka qenë shumë pozitive.

    “Patjetër, sepse është një punë e cila është bërë në këtë gjysmë mandati, e dimë të gjithë rezultatin, nuk ka qenë shumë pozitiv. Për këto dy vite, kjo ekip e ka bërë një organizim, e ka bërë një strukturim, e ka një besim, i është dhënë mbështetje, kemi punuar në programin e ri qeverisës”, ka thënë Zemaj.

    Ai ka folur edhe për disa pakënaqësi që kanë dhënë disa anëtarë të kësaj partie, por edhe prurjet e reja.

    Zemaj tha se LDK është parti demokratike ku njerëzit ndihen të lirë dhe nuk paragjykohen, dhe nuk vendos vetëm një individë, që sipas tij ndodhë në partitë tjera.

    “Ne jemi të hapur për të rinj dhe të reja. LDK është e hapur. Deri më tani, askush nuk e ka gjykuar askënd pse është rikthyer në parti, apo sharje e fyerje. Për këtë arsye njerëzit e duan LDK-në dhe ndihën të lirë të veprojnë brenda partisë. Ndërsa, në subjektet tjera vendos vetëm një individ, ose vendos një para politikë, e të tjerët janë uniformë. Tek Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është kështu. Mua nëse s’më pëlqen diçka votoj kundër, por nuk më ndëshkon partia. Kjo është çfarë e dallon LDK-në nga partitë tjera”, tha Zemaj.

    Konventa do të mbahet të dielën nga ora 17:00, në Sallën e Sporteve në Pallatin e Rinisë, teksa LDK-ja ka njoftuar se do të shpalosen 100 zotimet e “Rrugës së re”.

    Deri tani, kandidatë për kryetar të LDK-së, janë Lumir Abdixhiku dhe Faton Bislimi.

  • Policia sekuestron 462 euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    Policia sekuestron 462 euro të falsifikuara në një bankë në Prishtinë

    462 euro të falsifikuara janë deponuar nga klientë të ndryshëm në një bankë në Prishtinë

    Policia ka bërë të ditur se paratë janë sekuestruar, derisa nuk raportohet për të arrestuar.

    Rasti është nën hetime.

    “FALSIFIKIM I PARASË- Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 10.11.2023. Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se, nga klientë të ndryshëm janë deponuara në bankë 462 € monedha dhe kartëmonedha të ndryshme që dyshohet se janë të falsifikuara. Paratë janë sekuestruar nga policia për hetime të mëtutjeshme. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, bëhet e ditur në raportin e Policisë.