ATV

Category: Lajme

  • Serbia është zgjedhur edhe një herë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, zbehen gjasat e Kosovës

    Serbia është zgjedhur edhe një herë anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, zbehen gjasat e Kosovës

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Me 137 vota Serbia është zgjedhur për herë të tretë, anëtare e Bordit Ekzekutiv të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

    Duke i marrë parasysh raportet mes dy vendeve, prania e Serbisë në bordin ekzekutiv deri në vitin 2027, do t’i vështirësojë përpjekjet e Kosovë për anëtarësim në UNESCO.

    Krahas Serbisë, në grupin e dytë të Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s, nga një ulëse morën edhe Shqipëria, Sllovakia dhe Çekia.

    Bordi ekzekutiv i UNESCO-s në tetor të vitit 2015, kishte vendosur ta përfshijë rekomandimin për pranimin e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

    Megjithatë, konferenca e përgjithshme nuk kishte votuar në favor të pranimit të Kosovës. Për pranim në UNESCO ishin nevojitur 95 vota, teksa Kosova u përkrah nga 92 vende, 50 ishin kundër dhe 29 abstenuan.

    Ndryshe, kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO në vitin 2015, e kishte paraqitur formalisht Shqipëria.

  • Peter Stano tregon pse BE-ja po e mban “top sekret” draft-statutin e Asociacionit

    Peter Stano tregon pse BE-ja po e mban “top sekret” draft-statutin e Asociacionit

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropiane për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një bisedë për gaztën zvicerane Le Canton27.ch ka dhënë detaje rreth draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që po përfolët ditëve të fundit në mediat shqiptare dhe serbe.

    “Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për krijimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun në Beograd në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon, në fund të tetorit, ku edhe u diskutua më pas me të dyja palët në takimin e « liderëve » në margjinat e Këshillit Evropian” ka thënë fillimisht zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për gazetën zvicerane Le Canton27.ch.

    Palët po respektojnë konfidencialitetin

    Në pyetjen se për çfarë arsye po mbahet sekret ky dokument, Stano u përgjigj: “Propozimi i BE-së nuk është bërë publik, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Ne kurrë nuk transmetojmë dokumente zyrtare që janë objekt diskutimi dhe presim të njëjtën gjë nga partnerët tanë, siç është praktika e zakonshme në ndërmjetësimin ndërkombëtar, që ta zhvillojnë procesin në mënyrë konfidenciale”.

    “Është gjithashtu politika jonë e kahershme që të mos komentojmë rrjedhjet e supozuara ose raportet e mediave që pretendojnë se e kanë parë ose publikuar dokumentin”, ka shtuar Stano.

    Ai tregoi se për çdo hap të ardhshëm lidhur me dialogun, do të ketë njoftime me kohë, ndërsa la të kuptohet se sivjet nuk pritet ndonjë takim Kurti-Vuçiq, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi.

    Stoni, edhe nuk deshi të flasë për masat e BE-së të cilat i janë vendosur Kosovës, si dhe për mos ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. /atvlive.tv

  • KOMF lanson fushatën “Ti je forca”, vlerësohet roli i punëtorëve socialë në mbrojtjen e fëmijëve e familjeve në nevojë

    KOMF lanson fushatën “Ti je forca”, vlerësohet roli i punëtorëve socialë në mbrojtjen e fëmijëve e familjeve në nevojë

    Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka bërë hapjen e fushatës nacionale vetëdijesuese “Ti je forca”, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se qëllimi i fushatës është promovimi i rolit dhe rëndësisë së punëtorit social dhe shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë duke mos anashkaluar rolin e punëtorit social në Kosovë i cili është i një rëndësie të madhe për mirëqenien e qytetarëve të cenueshëm, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

    Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutiv e KOMF-it, tha se në kuadrin e shërbimeve sociale të ofruara përmes institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare, punëtorët socialë luajnë rol të shumëfishtë për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve.

    Sipas saj, punëtorët social ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë, lehtësojnë qasjen në shërbime, veprojnë si ndërmjetës midis qytetarëve dhe shërbimeve sociale në dispozicion.

    “Në Kosovë ka 38 qendra sociale. Ofruesit e punës sociale kanë nevojë për mbështetje sepse kanë shumë punë edhe pse nuk kanë kushte të mira, këta bëjnë punë të madhe për këtë arsye KOMF iu ndihmon shumë këtyre punëtorëve me qëllim të rritjes së cilësisë si edhe monitorimin e ligjit. Kemi hartuar doracakun për të iu dalë në ndihmë komunave dhe kemi mbajtur tryeza diskutimi. Kjo fushatë është një thirrje për mbështetje të punëtorëve social”.

    Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF në Kosovë, theksoi se në këtë fazë ka shumë rëndësi të diskutohet për mbrojtjen e fëmijëve, kur bota është në krizë dhe kur po vriten shumë fëmijë në Gaza.

    “Në Kosovë fëmijët duhet mbrojtur nga dhuna  dhe abuzimi dhe për këtë duhet të merren profesionistët që t’i mbrojmë fëmijët tanë nga abuzimi dhe keqtrajtimi, duke mos harruar punën e dedikuar të punonjësve civil”.

    Anna Toness, drejtor i Programeve dhe Politikave USAID në Kosovë, tha se në kohën e pandemisë shumë sisteme patën probleme.

    “ShBA-ja e ndihmoi shumë Kosovën përmes UNICEF-it. Shumë shpesh punonjësit social nuk kanë vëmendjen e duhur, por ne e dimë që mbas gjithë kësaj pune kaq të madhe ndodhen ata, prandaj edhe e gëzojnë respektin tonë”.

    Vlora Limani-Hajnuni, këshilltare Politike për Mirëqenien Sociale në Ministrinë e Drejtësisë, tha se kanë hartuar politike që synim kanë përmirësimin e shërbimeve sociale.

    “Projektligj për këtë çështje ka kaluar në fazën e parë në Kuvend dhe së shpejti do zbatohet. Ky projektligj për Shërbime Sociale edhe Familjare është hartuar së bashku më shoqërinë civile, dhe do të ndihmojë të gjitha viktimat dhe do zhvillojë trajnime që të iu ndihmojë për punë cilësore punonjësve social”.

    Blerim Shabani, kryetar i Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale, tha se profesionistët luajnë rol të rëndësishëm në promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave të cenuar, raporton EO.

    Sebahate Beqiri, anëtare Bordit Drejtues të KOMF-it, theksoi se shërbimet sociale kanë arritur t’i vendosin në agjenda të institucioneve rëndësinë e shërbimeve sociale.

    “… shërbimi është i rëndësishëm për një individ  më aftësi të kufizuar dhe për këtë duhet ende të punohet, situata sot është me e mirë po jo e kënaqur sepse ende fëmijët me aftësi kanë probleme. Kemi identifikuar shumë raste në vitin 2023 ende kemi  fëmije në vende rurale të cilët kanë probleme tepër të mëdha madje kemi identifikuar fëmijë që s’kanë qenë në shkolla”, tha ajo.

    Në mbyllje të fushatës u shfaq një video vetëdijesuese, e cila paraqet rëndësinë e punëtorëve social për fëmijët dhe familjet e cenueshme.

    Kjo fushatë u mundësua  në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetur nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID në Kosovë.

  • Sveçla: Policia për vitin e ardhshëm do të ketë 17 për qind më shumë buxhet

    Sveçla: Policia për vitin e ardhshëm do të ketë 17 për qind më shumë buxhet

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se 17 për qind më i madh është paraparë të jetë buxheti për Policinë e Kosovës për vitin 2024.

    Ai në seancën e kuvendit ka thënë se buxheti për investime kapitale në institucionin e sigurisë do të shkojnë në 21.7 milionë nga 12.6 sa ka qenë për vitin aktual.

    “Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë. Patjetër që ka probleme, nevoja të shtuara, por kurrë më herët s’ka qenë ky standard të cilin nuk e ka gëzuar më shumë sesa vitin e kaluar dhe sesa planifikohet për vitin e ardhshëm”, ka thënë Sveçla në Kuvend.

    Ministri ka përmendur se në këtë mandat janë blerë më shumë autoblinda sesa që janë blerë nga të gjitha qeveritë në të kaluarën.

  • Komandanti i KFOR-it e vlerëson kontributin e Shqipërisë në këtë mision

    Komandanti i KFOR-it e vlerëson kontributin e Shqipërisë në këtë mision

    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë Arben Kingji, është takuar me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutas.

    Takimi u zhvillua në bazën e forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë në “Film City” në Prishtinë.

    Gjatë këtij takimi komandanti i KFOR-it ka shprehur falënderim për kontributin në këtë mision.

    Gjatë ditës së djeshme, me të parin e Aleancës Veriatlantike në Kosovë, u takua edhe ambasadori Petrit Malaj.

    Malaj tha se shteti shqiptar do ta shtojë prezencën në KFOR në vitin 2024.

  • Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

    Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.

    Takim trepalësh nuk ka pasur.

    BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.

    Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

    Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.

    Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

    Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.

    Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

    BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.

    Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.

    Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.

    Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

    Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.

    Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim.

    Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“.

    Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

    Në BE besojnë se takimet e së enjtes do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

    Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

    Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/

  • “Një tmerr nuk justifikon tjetrin”, Borrell i bën thirrje për vetëpërmbajtje Izraelit

    “Një tmerr nuk justifikon tjetrin”, Borrell i bën thirrje për vetëpërmbajtje Izraelit

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell i kërkoi sot Izraelit të mos rrëmbehet nga zemërimi në përgjigjen e tij ndaj sulmit të Hamasit të muajit të kaluar, duke thënë se “një tmerr nuk justifikon tjetrin”.

    Borell i bëri komentet gjatë një vizitë në Izrael, duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm izraelit Eli Cohen pas vizitës së tyre në Kibbutz Be’eri, një nga objektivat e sulmit të Hamasit të 7 tetorit.

    “E kuptoj zemërimin tuaj, por më lejoni t’ju kërkoj që të mos të rrëmbeheni nga zemërimi. Unë besoj se kjo është diçka që miqtë më të mirë të Izraelit mund t’ju thonë,” tha ai.

    Borrell theksoi gjithashtu se solidariteti i BE-së me Izraelin dhe mbështetja e tij për të drejtën e vendit për vetëmbrojtje janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

    “Por është një gjë të mbrosh Izraelin dhe një gjë tjetër të kujdesesh për njerëzit në nevojë”, shtoi ai.

    “Dhe kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian, së bashku me mbështetjen e të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje, po kërkon gjithashtu ndihmë humanitare duke përfshirë ushqim, ujë, karburant, mbrojtje (të njerëzve në Gaza)”, tha zyrtari europian, i cili gjithashtu bëri një thirrje për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të pengjeve.

  • Rizvanolli: 1.2 miliard euro do të investohen për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike deri në vitin 2025

    Rizvanolli: 1.2 miliard euro do të investohen për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike deri në vitin 2025

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sa i përket kapaciteteve gjeneruese, deri në vitin 2025 do të kontraktohen investime në vlerë 1.2 miliard euro, me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja energjetike, përfshirë këtu investime private, publike dhe publiko-private.

    Rizvanolli foli edhe për projektin e baterive, për të cilin tha se ky projekt me MCC-në do të fillojë të zbatohet pas 18 muajsh pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke thënë se koha e zakonshme e fillimit të zbatimit të marrëveshjes është 2 vite pas nënshkrimit, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se janë siguruar edhe 80 milionë euro për investime në kapacitete e energjisë së ripërtishme, ku sipas saj synohet që ky investim të rritet edhe për 80 milionë euro të tjera, të cilat tha se do të shfrytëzohen për investime publiko-private në kapacitete të erës me kapacitet 150 megavat.

    “Për këtë projekt, për vitin 2024 kemi të ndara 12 milionë euro, të cilat do të përdoren për dizajnim të projektit dhe aspekte të ndryshme përgatitore, pra, nga mallra dhe shërbime, 12 milionë euro janë të buxhetuara për programin e MCC-së”.

    “Në fund të vitit 2024 do të tenderohet kapaciteti prej 45 megavat për rezerva sekondare, ndërsa në vitin pas kësaj, kapaciteti tjetër 125 megavat për rezerva terciare. Në çerekun e fundit të vitit 2024 do të shpallen procedurat për parkun solar prej 100 megavat në KEK dhe ngrohjen solare në Prishtinë, në total këto kontrata 180 milionë euro”.

    “Gjithashtu, KEK-u në fund të këtij viti do të shpallë tenderin për rehabilitimin e thellë të njësisë A3 të Kosovës A, ndërsa investimi pritet të fillojë në vitin tjetër”.

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy grave që dyshohen për vjedhje në Prishtinë

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy grave që dyshohen për vjedhje në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për ofrimin e informatave që do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e dy grave, të cilët po kërkohen për përfshirje në një rast vjedhjeje që ka ndodhur në prill të këtij viti.

    Duke publikuar fotografi ku shihen, Policia ka kërkuar te ata që kanë informata që mund të cojnë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, të kontaktojnë policinë në numrin e telefonit: 192.

    “Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi. Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, Vjedhje, që ka ndodhur me datën 01.04.2023, në një market në Prishtinë.

    Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në kërkesë.

  • Paraqitet rasti i parë këtë vit i Gripit të Shpezëve në këtë Komunë

    Paraqitet rasti i parë këtë vit i Gripit të Shpezëve në këtë Komunë

    Rasti i parë në këtë vit i Gripit të Shpezëve “Avian Influenza” është paraqitur në fshatin Godancë të Shtimes.

    Agjencisa e Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar përmes një njoftimi duke thënë se kanë nxjerrë vendim për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes.

    “Pas konfirmimit të prezencës se sëmundjes, Gripi i Shpezëve – Avian Influenza në një fermë jo komerciale në Shtime, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot më datë 16.11.2023 ka nxjerrë ‘Vendim’ me nr AUV 01/619 për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Gripi i Shpezëve-Avian Influenza.

    Zona në perimetër 3 km nga ferma në Fshatin Godancë, komuna Shtime, shpallet zonë karantine e ndalimit të lëvizjes se shpezëve. Ndërsa zona në perimetër 10 km shpallet zonë nën mbikëqyrje për hulumtim”, thuhet në njoftim.

    Masat e përgjithshme:

    Ndalimin e lëvizjes së shpezëve nga fermat dhe tregtimi i tyre në tregjet e kafshëve – shitblerja e shpezëve;

    Vendosja e masave të bio-sigurisë në ferma (vetëkontrolli),

    Përcaktimi i zonave të mbrojtura (3 km) dhe gjurmueshmëria e sëmundjes (10 km); dezinfektimi i objektit dhe zonave përreth ku ka shpërthim të sëmundjes;

    Njoftimi i rasteve të dyshimta për sëmundjen Gripi i Shpezëve;

    Vizita e fermave të dyshuara nga ambulancat veterinare në koordinim me inspektorët veterinar, marrja e mostrave dhe dërgimi në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë

    Përcaktimi i lokacioneve për groposjen e shpezëve.

    Përjashtimisht nga masat e lartcekura, lejohet lëvizja shpezëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje në thertore të licencuara vetëm me pëlqimin e inspektorit veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Reklama

    Urdhërohen të gjithë menaxheret e tregjeve që nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi të pezullojnë punën në pranimin e shpezëve në hapësirat e tyre.

    Obligohet Komuna e Shtimes, Policia e Kosovës, në koordinim dhe bashkëpunim me AUV-në të bëjnë mbikëqyrjen e zbatimit të masave.

    Vendimi hyn në fuqi sot datë 16.11.2023.