ATV

Category: Lajme

  • Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Përmbyllet fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Sot përmbyllet fushata e informimit për liberalizimit e vizave për Kosovën.

    Kampanja përmbyllëse do të mbahet në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, nga ora 10:00 deri 15.00 .

    “Kamioneta jonë do të jetë në shërbimin tuaj për tju informuar dhe mundësuar të bëheni pjesë e kuizit dhe të fitoni një udhëtim në Vjenë me datën 1 Janar 2024. Shorteu i atyre që kan qëlluar 5 pyetjet e sakta do të mbahet LIVE të hënën në emisionin e mëngjesit në RTK.”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën.

    Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

  • Zhduket një grua në Pejë

    Zhduket një grua në Pejë

    Është zhdukur një grua në Pejë, njofton policia e Kosovës. Policia ka nisur tashmë hetimet për këtë rast.

    “Pejë / 04.11.2023. Më 16.11.2023 ankuesja kosovare ka raportuar në polici se viktima femër kosovare ka dalur nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Një burrë në Prishtinë njofton se ka pranuar mbi 1 mijë euro false

    Një burrë në Prishtinë njofton se ka pranuar mbi 1 mijë euro false

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të falsifikimit të parave në Prishtinë.

    Sipas policisë, një person ka raportuar se kanë pranuar kartëmonedha të falsifikuara në vlerë prej 1120 euro.

    Rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Prishtinë / 16.11.2023 – 09:00. Një mashkull kosovar ka raportuar se janë pranuar kartëmonedha të ndryshme në vlerë të përgjithshme prej 1120 € që dyshohet të jenë të falsifikuara. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.

  • Vidhet një veturë në Prishtinë

    Vidhet një veturë në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për vjedhjen e një veture në Prishtinë, shkruan Gazeta Express.

    Rasti është duke u hetuar nga policia.

    “Prishtinë / 15.11.2023 – 10:00-22:00. Më 16.11.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se nga person-a të panjohur i është vjedhur vetura e tij. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Rusia ka paguar qindra mijëra euro për një gazetar gjerman

    Rusia ka paguar qindra mijëra euro për një gazetar gjerman

    Sipas raportimeve të mediave, gazetari gjerman dhe biografi i Putinit, Hubert Seipel dyshohet të ketë marrë qindra mijëra euro nga Rusia pa informuar shtëpitë mediatike për të cilat punonte, përfshirë këtu edhe transmetuesit publik NDR dhe ZDF, si dhe të përjavshmen Der Spiegel.

    Duke cituar dokumente konfidenciale nga Qiproja, Spiegel dhe programi i dytë ZDF i Gjermanisë raportojnë se gazetari i mirënjohur gjerman, Hubert Seipel hyri në një “marrëveshje sponsorizimi” prej 600.000 eurosh në mars 2018 për të “shkruar një libër për politikën në Federatën Ruse”.

    Sponsori bujar është De Vere Worldwide Corporation, një kompani në det të hapur nga Ishujt e Virgjër Britanikë. Me sa duket i përket konsorciumit të oligarkut rus Alexei Mordashov, i cili ka qenë nën sanksionet e BE-së që nga sulmi rus në Ukrainë për shkak të afërsisë së tij me presidentin rus Vladimir Putin.

    Në kontratën e sponsorizimit të vitit 2018, sipas Spiegel, thuhet se bëhet fjalë për një libër “për mjedisin politik në Federatën Ruse, i cili duhet të botohet në vitin 2019.” Ka të dhëna se kjo nuk është kontrata e parë e tillë sponsorizimi. Domethënë, shënimi i shkruar në kontratën e arritur nga gazetarët tregon për një kontratë të ngjashme për librin e parë të Seipel për Putinin, botuar në vitin 2015.

    Seipel, gazetari të cilit i beson Putini

    Ky gazetar gjerman ka ndikuar ndjeshëm në imazhin që gjermanët kanë për Vladimir Putinin prej vitesh – dhe e ka intervistuar disa herë ate. Ai shkroi biografinë e Putinit, e cila u botua në Gjermani, në vitin 2015 me titullin, “Putini, vështrim brenda pushtetit”. Gjashtë vjet më vonë, pasoi libri “Fuqia e Putinit. Pse Evropa ka nevojë për Rusinë”.

    Të dy librat u botuan nga shtëpia botuese e njohur e Hamburgut “Hoffmann und Campe”. Botuesi tani ka njoftuar se nuk dinte asgjë për pagesat nga Rusia dhe njoftoi një rishikim të të gjithë rastit. Po ashtu, në komunikatën për media thuhet se për shkak të mbulimit aktual mediatik, është vendosur “që libri të mos ofrohet më në shitje”.

    Në faqen e Programit të Dytë të televizionit gjerman, me të cilin Seipel ka bashkëpunuar rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, në tekstin për këtë rast shkruhet: “Miliona gjermanë e shohin presidentin rus me sytë e Seipel”.

    NDR: portreti i Putinit, intervistë me Snowden

    Për programin rajonal të shërbimit publik gjerman NDR, Seipel realizoi filmin dokumentar “Unë, Putini – një portret” (2012), në të cilin ai portretizohet si një burrë shteti që “kujdeset pa u lodhur për vendin e tij të madh”. Dy vjet më vonë, ai foli drejtpërdrejt me Vladimir Putinin në Moskë dhe arriti të regjistrojë një intervistë me denoncuesin e famshëm amerikan, Edward Snowden, të cilit iu dha azil në Moskë. Për këtë intervistë, Seipel mori një çmim prestigjioz televiziv gjerman.

    Seipel vetëm tani e ka informuar NDR-në se ka marrë para nga Alexei Mordashov përmes dy kontratave të sponsorizimit nga viti 2013 dhe 2018, por ka theksuar se objekti i kontratës kanë qenë dy libra. NDR, për të cilën gazetari gjerman ka punuar për herë të fundit në vitin 2019, beson se është një konflikt interesi dhe se ai është dashur t’i raportojë ato kontrata në kompaninë e prodhimit televiziv për të cilën prodhon emisione me të njëjtën temë. “Ekziston dyshimi se ne, pra edhe shikuesit tanë, jemi mashtruar qëllimisht. Ne do ta kontrollojmë këtë tani dhe po shqyrtojmë hapat ligjorë”, tha CEO i NDR, Joachim Knuth.

    Ky është rasti i parë i zbuluar në të cilin një gazetar perëndimor me ndikim merr shuma të mëdha dhe mbi të gjitha sekrete parash nga elita ruse e mbledhur rreth Putinit. Në një intervistë televizive në vitin 2021, Seipel mohoi ekzistencën e mbështetjes financiare për punën e tij në Rusi.

    Ai tani mohon ndikimin e atyre parave në punën e tij gazetareske, duke treguar një klauzolë të kontratës sipas së cilës ai “nuk ka asnjë detyrim” ndaj sponsorit në lidhje me vetë projektin, pra “përmbajtjen dhe përbërjen e librit”.

    Tani për tani, është e sigurt se një nga gazetarët dhe autorët më të respektuar të televizionit gjerman, Hubert Seipel, ka tronditur rrënjësisht reputacionin e tij gazetaresk duke fshehur qindra mijëra eurot që mori nga qarqet e afërta me Putinin.

    Sipas të përjavshmes Der Spiegel dhe Programit të Dytë të televizionit gjerman ZDF, “kontratat e sponsorizimit” janë zbuluar si pjesë e projektit të gazetarisë investigative ndërkombëtare “Cyprus Confidential”, i cili merret me afera të dyshimta në Qipro.

  • Regjistrimi i veturave në veri të vendit po vazhdon me interesim të shtuar

    Regjistrimi i veturave në veri të vendit po vazhdon me interesim të shtuar

    Më 1 dhjetor përfundon afati i paracaktuar nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në RKS. Pas kësaj date, automjetet me targa ilegale nuk do të kenë mundësi që të regjistrohen në Kosovë. Nga 1 nëntori deri më tani, janë regjistruar 1 mijë e 660 automjete.

    Procesi i regjistrimit të veturave nga targat ilegale serbe në targa RKS po vazhdon me një interesim të shtuar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targat ilegale serbe me akronimet “PR”, “KM”, “GL”, e tjerë për qytetet e Kosovës.

    Targat “KM” tashmë i kanë zëvendësuar me RKS edhe këtë dy qytetarë serbë që në kushte anonimiteti treguan për RTK-në se pse i larguan targat e dikurshme.

    “I kam larguar sepse çka është për të gjithë është edhe për mua. Unë nuk mund të jem i veçantë nga të tjerët. Jam njeri i hapur dhe kuptoj gjerat si shkojnë. Le te jetë ashtu, paqe e qetësi”, tha ai.

    “I largova për arsye se nuk ka pasur mundësi të regjistroj në KM. Nuk ke mundur të lëvizësh në Serbi dhe të kthehesh. Ky ka qenë problemi. Për mua është njëjtë”, tha ai.

    Nga fillimi e deri më 16 nëntor, me targa RKS janë regjistruar 1 mijë e 660 automjete që kishin targa ilegale serbe, ka thënë për Radio Kosovës zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.

    Duke folur për interesimin e shtuar të qytetarëve serbë për regjistrimin e automjeteve me targa RKS, analisti serb, Branislav Kerstiq, thotë se kjo po bëhet për dy arsye.

    “Shumica e nënshtetasve të shtetit të Kosovës të nacionalitetit serb, nga veriu e kanë kuptuar se Beogradi është duke hequr dorë nga Kosova. Po ashtu, ky vendim i Qeverisë së Kosovës duket se është shumë serioz”, tha ai.

    Qeveria e Kosovës vendimin për zgjatjen e afatit për ri-regjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe e mori më 30 tetor. Ky vendim parasheh që pas datës 1 dhjetor 2023, pronarët e mjeteve të pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri me datë 21 prill 2022, nuk do të kenë më mundësinë që këto mjete t’i regjistrojnë me targa RKS, të hyjnë apo të qarkullojnë në dhe përmes territorit të Republikës së Kosovës.

  • Analisti boshnjak për ngjarjen e Bansjkës: Sulmi i 24 shtatorit ka treguar se Beogradi ka vullnet për përdorimin e dhunës

    Analisti boshnjak për ngjarjen e Bansjkës: Sulmi i 24 shtatorit ka treguar se Beogradi ka vullnet për përdorimin e dhunës

    Sulmi paraushtarak nacionalist serb në Banjskë, në veri të Kosovës, i cili rezultoi në vdekjen e një oficeri të policisë së Kosovës dhe plagosjen e dy të tjerëve, përfaqëson shembullin më të rëndë të dhunës në vend që nga fundi i luftës së vitit 1999 dhe ndërhyrjes së NATO-s.

    Kështu thotë gazetari dhe analisti boshnjak, Jasmin Mujanoviq.

    Sipas tij, Banjska ka treguar provat më të besueshme se Beogradi ka një vullnet të ripërtërirë për të përdorur dhunën për të formësuar kushtet politike në shtetet fqinje.

    “Përfshirja e drejtpërdrejtë e shërbimeve të sigurimit shtetëror serb në sulm – përmes sigurimit të armëve dhe municioneve, përdorimit të objekteve të tyre ushtarake për përgatitjen e sulmit dhe lidhjeve të njohura të sulmuesve me nivelet e larta të udhëheqjes serbe – kërkon një reagim përmbajtësor nga kryeqytetet e Kuintit dhe vetë qeveria e Kosovës”

    Mujanoviq ka përpiluar edhe një raport prej pesë pikash, duke rekomanduar veprimet politike për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur ngjarjeve në Banjskë, duke siguruar mbi të gjitha se Beogradi nuk do të rrezikojë ndonjë përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.

    “Pasojat kredibile dhe ngritja e kapaciteteve bindëse parandaluese në Prishtinë janë kyçe për të garantuar stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nëse elementët nacionalistë serbë tolerohen të besojnë se dhuna është edhe një herë një mjet i lejueshëm i ndikimit politik, ata nuk do të rrezikojnë thjesht sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Me kalimin e kohës, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi gjithashtu ka të ngjarë të jenë në shënjestër. E njëjta gjë do të rezultonte gjithashtu në një regres të mëtejshëm demokratik në Serbi, gjë që do të rriste gjithashtu gjasat për konflikt ndërshtetëror në rajon”, ka shkruar Mujanoviq në një analizë të publikuar në Oktapus.

    “As NATO dhe as BE-ja nuk mund të përballojnë një tjetër krizë me disa fronte në rajon, veçanërisht duke pasur parasysh ndryshimin e theksuar të kushteve gjeopolitike globale që nga shkurti i vitit 2022. Prandaj, nëse zbatohen rekomandimet në këtë raport, jo vetëm që do të përmirësonin ndjeshëm stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës, por gjithashtu do të siguronte interesat e Perëndimit në ruajtjen e një mjedisi paqësor në të gjithë Ballkanin Perëndimor”

    Kjo, në fund të fundit, sipas analistit boshnjak, është edhe shtytja kryesore analitike e këtij teksti: duke theksuar se është në interes të komunitetit euroatlantik, para së gjithash, të ketë një Kosovë sovrane, demokratike, siguria e së cilës ruhet në mënyrë të besueshme nga shërbimet e saj të zbatimit të ligjit dhe të sigurisë.

    “Në këtë aspekt, Serbia, në kursin e saj aktual, është një kundërshtar, jo partner. Por, duke çimentuar mbështetjen dhe angazhimet perëndimore për Kosovën, ne mund të sigurojmë, me kalimin e kohës, se klasa politike e Serbisë do të pranojë se trajektorja e saj aktuale maksimaliste është një propozim humbës: ndërkombëtarisht, por edhe brenda vendit. Një shtet i fortë, sovran i Kosovës – së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi – janë pakrahasimisht mjetet më të mëdha në dispozicion të komunitetit euroatlantik për të lehtësuar përfundimisht pranimin e vërtetë në shoqërinë serbe se luftërat jugosllave kanë mbaruar dhe se projekti nacionalist dhe ekspansionist serb – qoftë i quajtur si “Serbia e Madhe” apo “Bota Serbe” – janë mposhtur”, shkruan Mujanoviq.

  • ​Organizonte lojëra fati, arrestohet

    ​Organizonte lojëra fati, arrestohet

    Hetuesit e Sektorit Rajonal te Hetimeve në Skenderaj kanë arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

    Sipas Policisë, arrestimi i tij është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se në lokalin e të dyshuarit zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e lojërave të fatit.

    “Në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, shtatë aparate të lojërave, dy televizorë, dhe dëshmi tjera relevante. Ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndaj tije është iniciuar rast për veprën penale ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, thuhet në komunikatë.

  • Sot Dita Ndërkombëtare e Studentëve

    Sot Dita Ndërkombëtare e Studentëve

    Sot më 17 nëntor shënohet një datë e rëndësishme për studentët – Dita Ndërkombëtare e Studentit.

    Kjo datë përkujton 17 nëntorin e vitit 1939, kur forcat naziste ndërhynë në Universitetin e Pragës, pas demonstratave studentore kundër pushtimit të Çekosllovakisë dhe ekzekutuan pa gjyq të nëntë udhëheqësit e demonstratave studentore.

    Gjithashtu, dërguan mbi 1.200 studentë në kampet e përqendrimit, mbyllën të gjitha universitetet dhe i shndërruan në kazerma ushtarake. Për shkak të kësaj ngjarje të pashembullt, 17 nëntori është shpallur Dita Ndërkombëtare e Studentëve.

    Kështu të njëjtin fat sikur të studentëve të Universitetit të Pragës e përjetuan edhe studentët e Universitetit të Prishtinës gjatë regjimit të atëhershëm të Slobodan Millosheviqit, kur nga objektet e Universitetit u dëbuan studentët shqiptarë dhe u lanë brenda vetëm studentët serbë.

    Roli i studentëve kosovarë për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb padyshim ishte i madh.

    Të kujtojmë, protestat studentore të vitit 1968 ku, ndër parullat që u përdorën nga studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike, ishin edhe ato “Duam Universitet”, “Kosova Republikë”, “Rroftë populli Shqiptar” etj.

    Më 11 dhe 26 mars 1961 shpërthyen demonstratat studentore të Universitetit të Prishtinës.

    Po ashtu, më 1 tetor 1997, një moment kthese në historinë e Kosovës, kur studentët, profesorët dhe qytetarët i mbushën rrugët e Prishtinës.

  • Luani i lindur para 50 vjetësh

    Luani i lindur para 50 vjetësh

    Heroi i kombit Luan Haradinaj u lind më 17 nëntor 1973 në Gllogjan të Rekës, Komuna e Deçanit.

    Shkollën fillore e kreu në Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

    Pas kryerjes së shkollës së mesme, Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

    Luan Haradinaj kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997 në kufirin shqiptaro -shqiptar.

    Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

    Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

    Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.