ATV

Category: Lajme

  • U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    U paralajmërua hapja e Ambasadës në Poloni, Presidentja e emëron shef të misionit Drilon Gashin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka emëruar Drilon Gashin si shef të misionit të Kosovës në Varshavë.

    Osmani tha se ky është një mision historik në marrëdhëniet në mes vendeve, teksa shtoi se kjo nxit lidhje edhe më të forta në mes të Kosovës dhe Polonisë.

    “I lumtur që kemi emëruar z. Drilon Gashi, një kosovaro-amerikan i suksesshëm, si shef i misionit në misionin tonë në Varshavë. Kjo shënon një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dhe pasqyron angazhimin tonë për të nxitur lidhje edhe më të forta ndërmjet 🇽🇰& 🇵🇱”, ka thënë ajo.

    Ishte kryeministri Albin Kurti ai i cili pati paralajmëruar hapjen e ambasadës së Kosovës në Poloni.

  • Rashiq: Asociacioni prezantohet si diçka e madhe, por s’do t’i zgjidhë problemet tona

    Rashiq: Asociacioni prezantohet si diçka e madhe, por s’do t’i zgjidhë problemet tona

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, do të shuhen institucionet e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një intervistë për Radio Kim, Rashiqi ka thënë se Asociacioni u paraqitet serbëve si diçka e madhe, por që nuk do të jetë diçka e tillë.

    “Prezantohet sikur do të jetë ndonjë institucion që do t’i zgjidhë të gjitha problemet tona, por për mendimin tim nuk është aspak kështu”.

    “Në momentin që ndodh, të gjitha institucionet, jo vetëm disa, por të gjitha institucionet e financuara nga buxheti i Republikës së Serbisë, thjesht do të mbyllen. Disa thonë se metoda më logjike apo supozimi më logjik në këtë rast është që të gjitha ato institucione që tani financohen nga Republika e Serbisë thjesht të transferohen në atë institucion që më vonë mund të quhet Asociacion i komunave serbe dhe kështu t’u jepet mundësia që ato të mund të veprojnë në rrugë ligjore për institucionet e Kosovës nën kujdesin apo patronazhin, siç është në këtë rast të Asociacionit”, ka deklaruar ai.

    Ai thotë se sipas këtij statuti, i cili ka dalë në publik, parashikohet një program më praktik. “Struktura do të ndryshojë dhe këtë duhet ta kuptojnë qytetarët tanë. Në momentin kur do të miratohet ZSO, këto institucione që ne i dimë tani nën Republikën e Serbisë do të zhduken, do të inkorporohen në këtë institucion tjetër që nuk ka kapacitet të pranojë të gjithë ata punonjës në atë shembullin klasik”.

    Ndryshe, një draft statut i Asociacionit u publikua së fundi nga ish-drejtuesi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, sipas të cilit duhet të sigurohet një kornizë vetëqeverisëse për serbët brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale sipas ligjeve të Kosovës – kryesisht në arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale, financim, donacione e të ngjashme.

  • Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit – KPK-ja diskuton me dyer të mbyllura

    Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, raporton Ekonomia Online. Ndonëse takimi ishte i hapur për medie, KPK-ja fillimisht kërkoi që në pikën ku diskutohet kundërshtimi i prokurores Fitore Sadikaj ndaj vendimit të kryesuesit të Këshillit për moskonfirmimin e statusit të kandidatit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mbahet me dyer të mbyllura.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se për shkak të konfidencialitetit, kjo pikë e rendit të ditës do të mbahet me dyer të mbyllura.

    Krahas kësaj pike, në rend dite janë edhe konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Konfirmimi i listës së kandidatëve të cilët kanë aplikuar për pozitën Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

  • Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia shton kontrollet për verfikimin e shoferëve që nuk i kanë pajisjet dimërore

    Policia në Mitrovicën e Jugut ka shtuar aktivitetet për vetëdijesimin e shoferëve që të “Mos e drejtojnë automjetin pa pajisje dimërore”.

    Sipas njoftimit, Policia nga data 15 nëntor po shpërndajnë fletëpalosjeve për shoferë me këshilla kryesore për përgatitjen dhe ngasjen e automjeteve gjate sezonit dimëror.

    Me fillimin e sezonit dimëror, njësitet policore do të rrisin kontrollin nëpër akset rrugore ku në fokus do të jenë pajisjet dimërore për automjete.

    Për drejtuesit e automjeteve që nuk respektojnë rregullat e parapara sipas ligjit të komunikacionit rrugorë 05/L-088, do të shqiptohen gjoba sipas: Nenit 227.5 për persona fizik gjobë është 40 euro, ndërsa sipas nenit 227.6 për persona juridik gjobë është 100-300 euro, bëhet e ditur në njoftim.

    Policia e Kosovës apelon tek të gjithë shoferët për kujdes të shtuar të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës.

  • Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Vrau nënën në formë mizore: Mbyllet seanca ndaj Urim Hysenit

    Me kërkesë të mbrojtëses së viktimave Zymreta Bashiq, është mbyllur seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit për vrasjen e nënës në mënyrë mizore, Urim Hyseni.
    Mbrojtësja e viktimave Bashiq, kërkoi që seanca të mbyllet për publikun për shkak që rasti ka të bëjë me çështje familjare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ky propozim u mbështet nga prokurorja Sahide Gashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Asdren Mekaj. Më pas, si i tillë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 9 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, vitimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale. Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kyen vrasjen e viktimës.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer vepën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar 1.3 e 1.4, lidhur me nenin 18, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal, ku dënimi parashihet me burg prej 10 vitesh deri në burgim të përjetshëm. Neni 18, paragrafi 2 dhe paragrafi 1 shpjegojnë se personi që ka paaftësi mendore dhe aftësi të zvogëluar mendore konsiderohet penalisht përgjegjës, por këto rrethana merren parasysh nga gjykata kur vendos për kohëzgjatjen dhe llojin e sanksionit ose masës së trajtimit të detyrueshëm.

    Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë. Më 11 maj i ishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi Hysenit.

  • Bogujevci: Bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në BE

    Bogujevci: Bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në BE

    Kuvendi i Kosovës po mban një tryezë ndërparlamentare të Komisioneve për Punë të Jashtme të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo tryezë u tha se është dëshmi për bashkëpunimin e tri shteteve për demokraci dhe siguri.

    Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se bashkëpunimi rajonal i kontribuon integrimit më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

    Pjesë e këtij diskutimi parlamentar ishin edhe përfaqësues nga qeveria e Kosovës.

    Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, nënvizoi nevojën për bashkëpunim rajonal, në kohën kur tha ka tentativa dhe skenar për destabilizim të Kosovës dhe tërë rajonit.

    Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

  • Katër kandidatë për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, veç Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Prishtinës

    Katër kandidatë për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, veç Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Prishtinës

    Zejnullah Gashi, është kandidati i vetëm për pozitën e Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa garës për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale, i kanë mësyrë katër prokurorë, Blerim Isufaj, Valdet Gashi, Atdhe Dema dhe Naim Abazi.

    Kështu u tha në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha se kandidatja Florie Shamolli nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.

    “Në bazë të informatave të siguruara nga Sekretariati rezulton se kandidatja Florie Shamolli nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj”, tha ai.

  • Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Jep dorëheqje anëtari i Bordit të OSHP-së, Agon Ramadani

    Agon Ramadani ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    “Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë kryesisht me punën time profesionale, angazhimin dhe ambiciet e së ardhmes në këtë drejtim”, thuhet në letrën e tij të dorëheqjes, të cilën e ka siguruar ATV.

    Kuvendi pati zgjedhur në qershor të vitit të kaluar anëtarët e Bordit – Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani – dhe kryetaren e tij, Vjosa Gradinaj-Mexhuani.

    Deri atëherë, mbi një vit ishin bllokuar qindra miliona euro në institucionet e ndërmarrjeve publike si pasojë e moszgjedhjes së Bordit të OSHP-së. /atvlive.tv

  • Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Guvernatori Ismaili në takimet e nivelit të lartë në BQE, diskutojnë për valutat digjitale

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili po merr pjesë në takime të nivelit të lartë në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) me guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, lidhur me integrimin në sistemin evropian të bankave qendrore, përkatësisht në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS.

    Punimet i hapi anëtari i Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone i cili ka zëvendësuar Fabio Panetta që rishtas është emëruar Guvernator i Bankës së Italisë. Nga Cipollone u dhanë mesazhet kryesore mbështetëse për këtë nismë.

    Në komunikatë thuhet se në kuadër të katër sesioneve, ku prezantojnë bankat qendrore nga shtetet e rajonit edhe Banka Qendrore e Republikës së Kosovës përmes Guvernatorit Ismaili, prezantoi punën aktuale dhe planet e BQK-së për zhvillim dhe modernizim të sistemit të pagesave, me qëllim të ndërlidhjes me sistemet rajonale dhe me Bashkimin Evropian.

    “Në margjina të këtyre takimeve nga ekspertët e Bankës Qendrore Evropiane, Bankës së Italisë, Bankës së Francës dhe Bankës Qendrore të Gjermanisë u trajtuan tema mbi infrastrukturën e tregut financiar, zhvillimet dhe risitë për instrumentet e pagesave, teknologjitë e reja, valutat digjitale të bankave qendrore dhe euron digjitale”, thuhet në komunikatë.

    BQE-ja në kuadër të mbështetjes së projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe objektivave të G20-së, po mbështet me nisma konkrete siç është ajo e ndërlidhjes së sistemeve të pagesave dhe përfshirjes së rajonit tonë në sistemet e Bashkimit Evropian.

    Në këtë kuptim, Republika e Kosovës është pjesë e kësaj agjende, ku BQK-ja ka përfshirë në kuadër të Planit të Strategjik si një objektivë mundësimin e pagesave të shpejta 24/7, me qëllimin përfundimtar pjesëmarrjen në sistemin e pagesave TIPS.

    Avancimi i sistemit kombëtar përmes mundësimit të pagesave “instant” (24/7), si dhe ndërlidhja me sistemin TIPS është objektiv i BQK-së, i cili kur të arrihet do të ketë ndikim të madh në ekonominë e vendit tonë, rajonit, diasporës, si dhe qarkullimin e pagesave për shkëmbimet tregtare me BE-në, si partneri më i madh tregtar i Republikës së Kosovës.

  • Një tërmet i fuqishëm godet Filipinet jugore

    Një tërmet i fuqishëm godet Filipinet jugore

    Një tërmet i fortë goditi Filipinet të premten, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve tha se tërmeti me magnitudë 6.7 ballë të shkallës Rihter goditi ishullin Burias.

    Tërmeti, me një thellësi prej 10 kilometrash (6.2 milje), u raportua rreth orës 08:14 GMT.

    Sipas PHIVOLCS, instituti i vendit për monitorimin dhe zbutjen e shpërthimeve vullkanike, tërmeteve dhe cunamit, magnituda e tërmetit ishte 7.2 ballë. /AA/