ATV

Category: Lajme

  • Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Kuvendi të enjten shqyrton gjetjet e raportit për Kosovën

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të enjten, në seancë plenare të diskutohet për të.

    Pas mbledhjes së kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të opozitës, theksuan se edhe ata mund të kontribuojnë në politika që ndihmojnë reformën evropiane.

    “Mendoj që diskutimi është i rëndësishëm dhe të japim kontributin tonë si parti politike, lidhur me reformën evropiane. Ju e dini që ky Raport ka evidentuar një sërë gjetjesh në shumë fusha dhe mendoj që është e rëndësishme që të diskutohen këto gjetje”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    “Të enjten do të diskutohet për raportin e progresit. Ne si opozitë kërkuam që të trajtohet raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për shkak që ky raport ka adresuar një mori problemesh dhe çështje që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Përveç diskutimit për raportin e Progresit për Kosovën, në rend dite do të jetë edhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.

    “Ndër pikat e para që do të diskutohet është raporti i progresit dhe gjetjet e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjet e progresit të Kosovës si dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë tash e sa muaj në Kuvend për të cilat nuk po gjendet assesi konsensus i kalimit të tyre. LDK-ja qëndrimin e ka që i voton dhe i ka votuar”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Për Marrëveshjet Ndërkombëtare foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai kërkoi nga opozita që këto marrëveshje të votohen.

    “Të enjten në kuvend do të diskutohet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj ne shfrytëzojmë rastin si mazhorancë që t’u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, posaçërisht partive opozitare që të njëjtat të votohen, gjithashtu është vendosur të diskutohet për raportin e progresit dhe planin ndërkombëtar të shkencës”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Ndërsa, duke folur për dialogun dhe transparencën e kryeministrit Albin Kurti, deputetët e opozitës thanë se fatkeqësisht Kuvendi është i injoruar dhe në terr informativ. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Kurti të jetë më i kujdesshëm në raport me Veriun dhe të mos ngjallë panik te qytetarët.

  • Aksidente në vend të punës, “Trepça” pa kompani për sigurime

    Aksidente në vend të punës, “Trepça” pa kompani për sigurime

    Përgatiti: Armand Hoti

    Flotacioni në Tunelin e Parë është gati për stinën e dimrit.

    Por, parapërgatitjet për ditët e ftohta në flotacion, i kushtuan punëtorit Faruk Peci. Ai theu këmbën e djathtë derisa po merrej me punime.

    “Tu i rregullu disa nxemëse për t’u përgatitur për dimër, dhe duke e mbajtur atë nxemëse, për moment te shkallët më rrëshqiti këmba, e pata nxemësen në gjoks, rrëshqita dhe e zura këmbën e djathë keq”, tha Peci.

    Në mungesë të një sigurimi për aksidente në vend të punës, Faruk Peci nuk ka marrë asnjë kompensim për lëndimin që mori në flotacion.

    “Duhet me kërku se më takon, jam lënduar në vend të punës”, tha Peci.

    ‘’Trepça’’, aktualisht nuk ka kontratë me asnjë kompani të sigurimeve që do t’i mbulonte shpenzimet për punëtorët e aksidentuar.

    Kontrata e fundit që pati me një kompani sigurimesh, i skadoi më 12 shtator të këtij viti.

    Nga kjo datë, sipas të dhënave të ‘’Trepçës’’, gjashtë punëtorë të sipërfaqes e të nëntokës, në dy njësi të ndërmarrjes, kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme.

    Nga komunikimet e ATV-së me punëtorët, ashtu si Faruku, as të tjerët ende nuk kanë marrë ndonjë kompensim.

    Ndërkaq, ATV-ja ka siguruar kontratën e ‘’Trepçës’’, me kompaninë e sigurimeve.

    65 mijë euro qe vlera që ndërmarrja i detyrohej kompanisë ofertuese, ndërsa, Trepça nuk ka realizuar as gjysmën e kësaj pagese.

    Përmes telefonit, kompania e sigurimeve ka konfirmuar për ATV-në, që si rezultat i mospagesës, ndaj ‘’Trepçës’’ është iniciuar procedurë përmbarimore.

    Po ashtu, televizioni mëson se ndërmarrja është në procedurë përmbarimore edhe me një kompani tjetër të sigurimeve, ndaj të cilës, po ashtu, për vite me radhë, nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale.

    Vlera e shumës që ndërmarrja i detyrohet kompanisë tjetër është diku rreth 100 mijë euro.

    Ndërkaq, zyrtari i prokurimit në ‘’Trepçë’’, bëri të ditur për ATV-në se në muajt e fundit, ndërmarrja ka shpallur disa tenderë, por nuk kishte asnjë kompani ofertuese të sigurimeve.

    Lidhur me këto problematika, ndërmarrja nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së.

    Legjislacioni në fuqi përcakton se punëdhënësi është i detyruar t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pësuar lëndim në punë, nëse nuk i ka siguruar në ndonjë kompani të sigurimeve.

  • “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    “Beteja” mes ministres Haxhiu dhe prokurorisë speciale

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Një postim në Facebook, u bë shkas që Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, të merret në pyetje nga zyrtarët hetimorë në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit, në burgun e Prizrenit 7 vjet më parë.

    Haxhiu kishte fajësuar prokurorinë për mosveprim, pasi, sipas saj, ka prova të mjaftueshme për zbardhje të rastit. Andaj këto prova edhe iu kërkuan të hënën gjatë intervistimit.

    Emër jo, veçse prova të tjera tha se u dhanë mjaftueshëm.

    Andaj, sipas Haxhiut, edhe prokurori i rastit veproi në hakmarrje, teksa ngriti disa pikëpyetje.

    Deklaratat e ministres Haxhiu, sipas Gëzim Shalës nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, paraqesin ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

    Sidoqoftë, Haxhiu kërkoi që prokurori i rastit Afrim Shefkiu t’ia dorëzojë rastin dikujt tjetër e drejtësia të bjerë në vend.

    Për vdekjen e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, u thanë versione të ndryshme, por tash e 7 vjet vdekja e tij mbetet enigmë.

  • Bojkotohet mësimi në shkollën “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë

    Bojkotohet mësimi në shkollën “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë

    Përgatiti: Jeta Selmanaj

    Nga 290 nxënës sa ka shkolla fillore “Nazmi Zhegrova” në Stanoc të Vushtrrisë, rreth 170 nxënës, të hënën nuk vijuan mësimet.

    Nxënësit e klasave të 5-ta deri të 9-tën vikendin e zgjatën, me vendim të Këshillit të Prindërve, pasi që shkolla nuk ishte pajtuar me ta, që të ndërmarrë masa ndaj arsimtarit të Teknologjisë, i cili kishte përdorur sjellje joakademike dhe gjuhë ofenduese ndaj nxënësve.

    “Ne para një jave kemi pas takim me kryetarin e komunës dhe me drejtorin e shkollës. Mas një jave e kemi pas takimin e dytë edhe ka ardhë vendimi me propozimin e gjithë prindërve me ndërpre mësimin, deri në realizimin e kërkesave të prindërve”, tha kryetari i këshillit të fshatit, Rrahim Ajeti.

    Njëri nga prindërit që ka fëmijët në këtë shkollë, tregon për ofendimet që u janë bërë fëmijëve të tij, siç pretendon ai, nga arsimtari në fjalë.

    “Kush je ti m’i kallxu prindërve çka foli unë në shkollë, a e din që unë ta prej guhën”, tha Sami Tahiri, prind.

    Drejtori i shkollës, Sami Zabergja, përmes telefonit i ka thënë ATV-së, se me rastin në fjalë do të merret Drejtoria e Arsimit dhe organet e tjera kompetente.

    Në anën tjetër, Drejtoria e Arsimit në Vushtrri e ka konfirmuar për televizionin se komisioni disiplinor po merret me arsimtarin në fjalë. Drejtori i DKA-së, Albanez Tahiraj, mes tjerash ka kërkuar nga Këshilli i Prindërve të mos ndërhyjë në procesin mësimor, pasi sipas tij bojkotimi i mësimit është në dëm të nxënësve.

    Nga Këshilli i Prindërve nuk kanë bërë të ditur se deri kur fëmijët nuk do t’i lejojnë të shkojnë në shkollë.

  • Fillon gjykimi i parë në mungesë për krime lufte

    Fillon gjykimi i parë në mungesë për krime lufte

    Përgatiti: Nora Luta

    Hetimet shumëvjeçare rreth dyshimeve ndaj Çedomir Aksiçit rezultuan me ngritjen e një aktakuze, por jo edhe sigurimin e prezencës së tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Aty të hënën filloi gjykimi i parë në mungesë për krime lufte.

    Prokuroria e ngarkon Aksiçin, për krime lufte gjatë periudhës janar- maj të vitit 1999, përfshirë pjesëmarrjen në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë në masakrën e Reçakut.

    Por, paraprakisht Gjykata kërkoi nga Prokuroria Speciale të tregojë për hapat që i ka ndërmarrë për sigurimin e prezencës së Aksiçit, ndaj të cilit është aktiv urdhërarresti ndërkombëtar.

    Sipas PSRK-së, adresa aktuale e 63-vjeçarit i cili ka lindur në Shtime, është Krushevci i Serbisë.

    Avokati i Aksiçit i caktuar sipas detyrës zyrtare, Zharko Gajiq, paralajmëroi se do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës për hedhje të aktakuzës. Për shkak të një keqkuptimi mes zyrës së tij e Prokurorisë, tha se nuk i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

    Kosova për herë të parë përfshiu gjykimin në mungesë në vitin 2019, por nuk u zbatua.

    Nenet rreth gjykimit në mungesë pësuan sërish ndryshime në Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti.

    Nga Prokuroria Speciale deri tash janë ngritur aktakuza në mungesë ndaj shtatë personave për krime lufte.

  • Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Kërkohet zbatimi i marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

    Në një takim në Komisionin për Integrim Evropian, Rohde ka thënë se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

    “Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”. “Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi. Sot që jemi këtu, dua të shpreh zhgënjimin për mungesën e bashkëpunimit me partitë politike dhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtarëve, ku do të jepeshin mbi 400 milionë euro”, tha Rohde.

    Rezultate në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, kërkoi edhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

    “…Kemi parë rezultate të mira në Kosovë, ka nivel të arritjes në disa fusha, krahasuar në disa të tjera. Raporti është rezultat i konsultimeve shumë të komplikuara. Nga perspektiva jonë, procesi është shumë i qartë. Është me unanimitet të punojmë së bashku rreth asaj se si të arrihet ky unanimitet për rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe këtu duhet të them që arritja e progresit në dialog është substancial”, tha Szunyog.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se BE-ja duhet sa më parë t’i largojë masat ndëshkuese karshi Kosovës. Ai, po ashtu, e cilësoi të padrejtë mosdhënien e statutit të vendit kandidat për BE, Kosovës.

    “Për këtë status nuk ka nevojë për njohjen nga pesë vendet mosnjohëse… Vonesat në trajtimin e aplikimit po i shtojnë zërat skeptikë. Masat negative të BE-së janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave ka ndikuar në vlerësimin që është bërë në raport. Masat që janë ende në fuqi bien ndesh me përpjekjen e rajonit për integrim në BE. Është shumë e rëndësishme që BE-ja t’i heqë sa më shpejt këto masa”, ka thënë Bislimi.

    Komisioni Evropian në raportin e fundit për Kosovën të publikuar më 8 Nëntor, tha se vendi ka shënuar progres të kufizuar në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.

  • Shqipëri, mes zjarrit votohet në parim projektbuxheti për vitin 2024

    Shqipëri, mes zjarrit votohet në parim projektbuxheti për vitin 2024

    Deputetët e opozitës në Shqipëri edhe këtë të hënë ishin përgatitur të bllokonin punimet e seancës plenare ku do të votohej projektbuxheti për vitin 2024.

    Të hënën, kishte trupa të shtuar të mbrojtjes në hyrje të Kuvendit, të cilët kontrolluan deputetët para se të futen në sallë, ndërsa brenda ambienteve nuk e kanë lejuar ish-kryeministrin të zërë vend në foltore.

    Kjo gjë bëri që deputetët e Opozitës të përplasen fizikisht me truprojat.

    Mirëpo, as kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës t’i merrnin edhe këtë seancë tymuesit, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare.

    E njëri prej tymuesve ka shpërthyer në flakë.

    Mirëpo, pas reagimit të shpejtë të gardës, ai u fik.

    Pas situatës së krijuar, mes tymit e flakës, mazhoranca miratoi me 78 vota pro, pa diskutime miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2024 brenda 5 minutave.

    I pranishëm në seancë ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili nuk e mori fjalën, por mori pjesë në votimin e projektbuxhetit.

    Pasi votuan, ministrat, deputetët e më pas edhe gazetarët janë larguar menjëherë nga salla, duke bërë kështu që edhe seanca të mbyllej.

    Për tensionet e krijuara në Kuvend, kryeministri Rama shkori në platformën X.

    Rama shkroi se opozita ka futur fjalorin dhe sjelljet e rrugës në politikë.

    Sipas tij, deputetët demokratë janë kapur nga Berisha dhe derisa ai t’i “lëshojë”, ata do të vazhdojnë të “shkërmoqen”.

    Buxheti për vitin 2024 në Shqipëri do jetë mbi 7 miliardë euro. /atvlive.tv

  • Pas Osmanit, Stoltenberg i shkon në takim Kurtit

    Pas Osmanit, Stoltenberg i shkon në takim Kurtit

    Ka filluar takimi në mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Ai para pak çastesh ka përfunduar edhe takimin me presidenten Vjosa Osmani, ku pas takimit tha se kanë mirëpritur propozimin për formimin e Asociacionit, i cili sipas tij është hap kyç drejt paqes në rajon, raporton Eo.

    Stoltenberg ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka bërë që ta rrisin prezencën e KFOR-it me ushtarë shtesë. Për këtë, Stoltenberg ka kërkuar që kryerësit e këtij sulmi të mbahen përgjegjës

    Këtë të hëne shefi i NATO-s nisi vizitën treditore në Ballkan. Fillimisht ishte në Bosnje e Hercegovinë.

    Të martën Stoltenberg do jetë në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

  • Stoltenberg: E mirëpres propozimin për formimin e Asociacionit, hap kyç drejt paqes në rajon

    Stoltenberg: E mirëpres propozimin për formimin e Asociacionit, hap kyç drejt paqes në rajon

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë ka bërë që ta rrisin prezencën e KFOR-it me ushtarë shtesë. Për këtë, Stoltenberg ka kërkuar që kryerësit e këtij sulmi të mbahen përgjegjës, raporton EO.

    Në një konferencë për medie së bashku me presidenten Vjosa Osmani, Stoltenberg ka folur edhe për propozimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë e quajti hap kyç drejt paqes në rajon.

    “Kënaqësi të jem përsëri në Prishtinë dhe të takohem përsëri me ju pas takimit në Bruksel. Sapo patëm një diskutim të rëndësishëm për gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Në shtator pamë një ndezje të dhunës në veriun e Kosovës që ngriti shqetësime të një konflikt më i gjerë mund të kthehet në Ballkanin Perëndimor”, tha Stoltenberg.

    Ai tha se sulmet janë të papranueshme.

    “Personat përgjegjës duhet të mbahen për përgjegjës. NATO ka reaguar me shpejtësi, kemi sjellë 1000 shtesë trupa në Kosovë, kemi dërguar armatime të rënda, kemi rritur patrullimet në veri”, tha ai.

    “Do të bëjmë atë që është e nevojshme të mbajmë një mjedis të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë njerëzit në Kosovë. Stabiliteti në rajon vendoset nga të gjitha anët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën dhe t’i nderojnë zotimet ekzistuese”, tha Stoltenberg.

    “Çdo vendosje e forcave të Policisë së Kosovës duhet të marrë konfirmimin e NATO’s… NATO e mbështet dialogun e lehtësuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. I mirëpres propozimet e fundit për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha ai.

    Ai e falënderoi Osmanin për “mirëpritjen dhe takimin shumë konstruktiv”.

  • Osmani: Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër

    Osmani: Kosova dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdon t’i mbështesë terroristët që sulmuan Kosovën më 24 shtator, prandaj sipas saj Serbia duhet të mbahet përgjegjëse, raporton EO.

    Pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Osmani ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është qenësorë, prandaj tha se ky institucion i sigurisë mund të llogarisë Kosovën si partnere të saj.

    “Në një kohë jashtëzakonisht sfiduese për sigurinë në përgjithësi, Kosova është një shtet i ri dhe demokratik, liria e Kosovës është edhe rezultat i mbështetjes së NATO-s. Në të njëjtën kohë jemi falënderues edhe për ushtarët e NATO-s.”

    “Edhe pse kjo paqe është cenuar dhe vazhdoj që të cenohet nga Serbia. Të dhënat e hetimeve zyrtare konfirmojnë se Serbia qëndron prapa këtij sulmi. Në mënyrë që të mos lejohet përsëritja e një akti të tillë Serbi duhet që të mbahet përgjegjëse. Serbia mbete një kërcenim i vazhdueshëm për rajonin. Policia e Kosovës dhe NATO janë në njërën anë, terroristët janë në anën tjetër. Republika e Kosovës është partner ku gjithnjë mund të llogarisni”, u shpreh Osmani.