ATV

Category: Lajme

  • Hargreaves takohet me Radoniqin, konfirmon se mbështetja kibernetike për KQZ’në do të vazhdojë

    Hargreaves takohet me Radoniqin, konfirmon se mbështetja kibernetike për KQZ’në do të vazhdojë

    Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, është takuar me kryetarin e KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, për zgjedhjet e qershorit.

    Hargreaves tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë zhvilluar “një marrëdhënie të ngushtë në bashkëpunimin tonë të suksesshëm kibernetik për të siguruar funksionimin efektiv të softuerit për numërimin dhe publikimin e votave në zgjedhjet e fundit komunale dhe kombëtare”.

    “Jam i kënaqur që po vazhdojmë mbështetjen tonë për zgjedhjet e ardhshme kombëtare më 7 qershor”, tha ai.

    Ambasadori britanik shtoi se KQZ-ja luan një rol thelbësor në garantimin e integritetit dhe transparencës së proceseve zgjedhore në Kosovë.

    “Gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ishte pozitive të dëgjohej se si KQZ-ja po i përmirëson dhe po i forcon edhe më tej procedurat e saj“.

  • Tronditet Spanja: Djali i themeluesit të gjigantit të modës arrestohet për vrasjen e babait

    Tronditet Spanja: Djali i themeluesit të gjigantit të modës arrestohet për vrasjen e babait

    Një zhvillim tronditës ka përfshirë familjen e themeluesit të gjigantit të modës Mango, pasi Jonathan Andic, djali i biznesmenit miliarder Isaac Andic, është arrestuar nga autoritetet katalanase në kuadër të hetimeve për vdekjen e të atit. Sipas mediave spanjolle, Jonathan Andic po merret në pyetje nga hetuesit lidhur me ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2024, kur Isaac Andic humbi jetën pasi ra nga një shkëmb pranë zonës së Montserrat, në Katalonjë. Fillimisht rasti u konsiderua një aksident tragjik, por hetimet kanë marrë një tjetër drejtim, pasi autoritetet po shqyrtojnë tashmë pistën e një vrasjeje të mundshme.

    Familja Andic kishte deklaruar më herët se besonte plotësisht në pafajësinë e Jonathan, ndërsa gjykata që ndjek çështjen ka ruajtur konfidencialitet të plotë mbi hetimet. Isaac Andic, themeluesi i Mango dhe një nga njerëzit më të pasur në Spanjë, humbi jetën gjatë një ecjeje familjare në shpellat e Montserrat. Ai ra nga një shkëmb me lartësi mbi 100 metra, ndërsa pranë tij ndodhej djali, Jonathan.

    Sipas raportimeve, Jonathan ishte personi që njoftoi autoritetet për ngjarjen. Fillimisht policia e trajtoi si aksident, por më vonë hetuesit konstatuan mospërputhje në deklarata dhe të dhëna nga telefoni i viktimës, çka solli rihapjen e çështjes si hetim për vrasje të mundshme në tetor 2025. Aktualisht, Jonathan Andic, i cili mban edhe postin e nënkryetarit të kompanisë, është nën hetim zyrtar.

    Nga emigrant në miliarder të modës
    Isaac Andic lindi në Stamboll në vitin 1953, në një familje hebraike sefardike me origjinë nga Selaniku. Në vitet ’60 familja u vendos në Katalonjë, ku ai nisi të shiste këmisha në rrugët e Barcelonës. Në vitin 1984 themeloi Mango bashkë me vëllanë e tij Nachman, duke e kthyer markën në një perandori globale me më shumë se 2,500 dyqane në 110 vende.

    I njohur për jetën e tij të rezervuar, Andic shmangte daljet publike dhe intervistat, ndërsa konsiderohej rivali kryesor i Amancio Ortega, themeluesit të Zara. Pasuria e tij vlerësohej në rreth 4.5 miliardë dollarë nga revista Forbes. Ndërkohë, hetimet për vdekjen e tij vijojnë, ndërsa opinioni publik në Spanjë mbetet i tronditur nga misteri që rrethon fundin e një prej figurave më të njohura të industrisë së modës europiane.

  • Arrestohen gjashtë të dyshuar për vjedhje në Gjilan

    Arrestohen gjashtë të dyshuar për vjedhje në Gjilan

    Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht hetues nga Njësiti i Hetimeve rajonale në Gjilan në koordinim dhe me autorizim nga Prokuroria Themelore në Gjilan, si rezultat i një hetimi disamujor dhe veprimeve intensive hetimore me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive relevante, përfshirë edhe zbatimin e masave të fshehta teknike të hetimit, sot më 19.05.2026 kanë arritur që të identifikonin dhe arrestonin gjashtë persona të dyshuar meshkuj kosovarë.

    Gjatë zhvillimit të hetimeve janë siguruar prova që dyshohet se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë të paktën në një rast të veprës penale ‘’Vjedhje të rëndë’’, ndërsa ekzistojnë dyshime se ata janë të përfshirë edhe në disa raste të tjera të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda për të cilat hetuesit policorë janë duke vazhduar punën intensive në sigurimin e provave dhe ndriçimin e plotë të rasteve.

    Në kuadër të procedurave ligjore dhe me autorizim nga gjykata kompetente, janë realizuar kontrolle në disa lokacione në Gjilan, Prishtinë e Fushë-Kosovë. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar dëshmi materiale, përfshirë edhe tri automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprave penale si dhe telefona celularë.

    Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, gjersa me vendim të prokurorit të shtetit që të gjashtë të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Hetimet lidhur me këto rast janë duke vazhduar.

  • Irani: Ngushtica e Hormuzit është përgjithmonë e jona

    Irani: Ngushtica e Hormuzit është përgjithmonë e jona

    Një zyrtar i lartë iranian ka thënë se Ngushtica e Hormuzit do të “mbetet përgjithmonë në zotërim dhe menaxhim” të Teheranit.

    Ebrahim Azizi, kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare të parlamentit iranian, tha se ngushtica ishte një “levë e gjithanshme ekonomike, politike dhe ushtarake” në komentet e transmetuara nga agjencia shtetërore e lajmeve ISNA.

    Në fillim të luftës, Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. SHBA-të më vonë nisën bllokadën e tyre detare në përgjigje.

    Ministria e Jashtme e Iranit ka këmbëngulur se janë ndërmarrë hapa për të rivendosur rrjedhën e anijeve në ngushticë, pavarësisht se shumica e anijeve mbeten të bllokuara në rajon.

    Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Britania, kanë bërë presion për të rihapur ngushticën, me sekretaren e Jashtme, Yvette Cooper që paralajmëron se bota po “ecën në gjumë drejt një krize globale ushqimore” nëse ajo mbetet e mbyllur.

  • D4D publikon raportin për zgjedhjet 2025, kërkohet përfaqësim më i madh i grave

    D4D publikon raportin për zgjedhjet 2025, kërkohet përfaqësim më i madh i grave

    Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), së bashku me Qendrën për Barazi dhe Drejtësi (QBD), kanë publikuar raportin “Analizë e rezultateve të zgjedhjeve lokale dhe nacionale 2025 nga perspektiva gjinore”.

    Ky raport ka evidentuar pjesëmarrjen e politikaneve gra e që u tha se është shifër e ulët në krahasim me burrat, derisa është kërkuar barazi gjinore në procesin zgjedhor të 7 qershorit.

    Rezarta Krasniqi, nga ky institut përmendi zgjedhjet lokale dhe numrin e grave që kanë kandiduar për kryetare në komunat e vendit.

    “Siç e dini, këto janë zgjedhjet vendore, të cilat i kemi kaluar. Këto zgjedhje të fundit, thjesht kanë treguar, siç e keni kaluar, në ato 15 komuna, kemi pasur gra që kanë garuar, ndërsa në disa prej komunave të tjera, nuk kemi pasur asnjë grua kandidate për kryetare komune, dhe në bazë të dhënieve, besoj se i kemi pasur vetëm 10% gra të nominuara, të cilat kanë qenë të angazhuara nga subjektet politike për të filluar garën për kryetare komune. Dominimi i burrave në procesin e kandidimit që tregon një sfidë të vërtetë të promovimit të grave brenda subjektit politik, siç është edhe në nivelin e tyre, ndërsa, grupi i dytë i cili tregon pas zgjedhjeve, kishim 37 kryetarë komunash burra, të zgjedhur nga qytetarët dhe kemi vetëm një grua kryetare të një komune. Ajo tregon se përfaqësimi është i ulët në shumicën e rasteve dhe është një mbështetje reale, por nuk mund të themi që është mbështetje reale e qytetarëve, nuk është vullneti i qytetarëve, por është çfarë iu servohet qytetarëve. Andaj, edhe kjo reflekton në procesin pastaj të rezultateve”, tha Krasniqi.

    Ajo gjithashtu përmendi ligjin për barazi gjinore duke thënë se barazia gjinore arrihet vetëm atëherë kur ka përfaqësim 50 me 50.

    “Kandidimet e subjekteve politike dhe mbështetja elektorale, i kemi listuar subjektet politike nga ajo se sa gra kanë nominuar në këtë drejtim, prijnë subjektet politike AAK-ja dhe PDK-ja, të cilat kanë kandiduar nga tre gra për kryetare komuna në zgjedhjet e kaluara, dhe pastaj janë të niveleve të tjera, ku kandidatë burra kanë marrë gjithsej 98% të votave të përgjegjshme, ose 820.000 vota, ndërsa gratë vetëm rreth 16.000 vota që i vjen 2% të totalit të votave në bazë të rezultateve. Përveç përfaqësimit të ulët të kandidimit, gratë kanë edhe një sfidë tjetër, të cilat përballen, që është mungesa e kësaj mbështetjes, nga ana e elektoratit, si dhe mungesën e mbështetjes nga subjektet politike, që është një temë e cila kërkon një vëmendje. Ne gjithashtu i gjithë procesi mund të vjen nga vetë subjektet politike, ne e përmendëm edhe më herët kuotën, mirëpo kuota është bazë nga e cila nuk mund të biem, por vullneti politik është ai që mund ta çojë përpara. Edhe në ligjin për barazi gjinore, edhe në pjesën e ligjit të zgjedhjeve, thuhet se barazia gjinore, atëherë arrihet kur kemi përfaqësim 50 me 50 të barabartë, ndërsa 30 që është minimumi nga i cili ne nuk mund të biem poshtë, mirëpo zakonisht shkohet në minimum nga ana e subjekteve politike. Dhe nga nominimet, nuk kemi vazhduar më shumë me prezantimin te pjesa e kandidatëve gra, meqë kanë qenë vetëm 20, ndërsa në këtë analizë keni edhe të dhëna të tjera, mirëpo tregon se përfaqësimi i grave për kryetare komuna është shumë josimbolik dhe është shumë joproporcional, ndaj kandidimit me burra dhe është shumë larg arritjes së barazisë gjinore në këtë drejtim”, ka thënë ajo, raporton Ekonomia Online.

    Sipas saj barriera të ndryshme vazhdojnë të ekzistojnë edhe edhe brenda strukturave të subjekteve politike për avancimin e grave në këtë drejtim.

    “Barrierat e ndryshme vazhdojnë edhe brenda strukturave të subjekteve politike për avancimin e grave në këtë drejtim, si dhe në pozitat ndihmëse, edhe brenda subjektit, gjithashtu edhe brenda , komunave në të cilat veprojnë subjektet politike. Shumë shpesh është diskutuar në vitin e kaluar që 20 gratë, të cilat kanë qenë në pesëmbëdhjetë komuna, duke u dalluar si kryetare komunash, kanë qenë pikërisht në komunat që kanë pasur mundësi shumë të vogla për t’u zgjedhur si kryetare, andaj kjo ka shkuar gjithashtu edhe me përfaqësimin e votës në të njëjtin drejtim, sepse subjektet politike atje ku e kanë pasur bastionin më të fortë, kur e dinë që e kanë elektoratin më të organizuar, e dinë që marrin më shumë vota, zakonisht kanë nominuar emra të burrave për kryetarë komune dhe nuk kanë nominuar gra në këtë drejtim. Andaj edhe në komunat kryesore, në komunat e mëdha, e kemi pak gra që kanë kandiduar në këtë drejtim, kryesisht i kemi në komuna të vogla dhe komuna më të shpërndara, ku partitë nuk e kanë shumë të fortë bastionin e marrjes së votave”, tha Krasniqi.

    Kurse, Ronald Goldberg nga ambasada holandeze në Kosovë u shpreh se edhe pse gratë vazhdimisht konkurrojnë në procese politike akoma nuk janë të barabarta me burrat.

    “Ky raport është shumë i qëlluar në kohë, duke pasur parasysh se Kosova po shpreson për zgjedhje të reja së shpejti, dhe unë mezi pres diskutimin me përfaqësuesit e partive politike që janë sot me ne. Jam i etur të mësoj më shumë rreth gjetjeve të raportit mbi zgjedhjet lokale dhe parlamentare të vitit 2025 në Kosovë një reflektim i bazuar në dëshmi, si i përparimit të arritur, ashtu edhe i sfidave që ende mbeten.

    Ndërsa gratë vazhdojnë të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe konkurruese në proceset politike, barriera strukturore ende pengojnë përfaqësimin e plotë dhe të barabartë në institucionet vendimmarrëse. Dhe më lejoni ta them qartë: kjo nuk është vetëm situata në Kosovë, por një realitet që haset në shumë vende të botës”, tha Goldberg.

    Gjithashtu Goldberg tha se raporte të tilla u ofrojnë politikanëve dhe partive politike për të hartuar plane të reja në të ardhmen.

    “Raporte të tilla u ofrojnë politikëbërësve, partive politike, institucioneve përkatëse, institucioneve zgjedhore dhe organizatave të shoqërisë civile mjetet e nevojshme për të identifikuar boshllëqet dhe për të hartuar ndërhyrje të synuara. Shpresoj fuqishëm që rekomandimet e bëra nga Demokracia për Zhvillim në këtë raport, të bazuara në punën kërkimore, të merren parasysh nga të gjitha palët e përfshira në fushën politike”, tha Goldberg

    Ai u shpreh se demokracitë janë të fuqishme kur gratë dhe burrat janë barabartë të përfaqësuar dhe të fuqizuar në jetën publike.

    “Demokracitë janë më të forta kur të gjithë qytetarët, gratë dhe burrat njësoj janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, trajtohen në mënyrë të barabartë dhe janë të fuqizuar në mënyrë të barabartë për të formësuar jetën publike. Duhet gjithashtu të pranojmë se kuotat ligjore, ndonëse të rëndësishme, nuk mund të jenë destinacioni final. Ato janë një pikë hyrëse, jo pika përfundimtare e barazisë”.

    “Përparimi i qëndrueshëm kërkon investim në zhvillimin e lidershipit politik, mentorim, edukim qytetar, reforma institucionale dhe transformimin e vetë kulturës politike. Në këtë drejtim, partneritetet ndërmjet donatorëve ndërkombëtarë, institucioneve lokale, organizatave të udhëhequra nga gratë dhe shoqërisë civile mbeten të domosdoshme. Këto partneritete krijojnë hapësira ku zërat e grave amplifikohen, ku lideret e ardhshme mbështeten dhe ku standardet demokratike forcohen vazhdimisht. Ky raport na kujton se barazia e vërtetë nuk arrihet vetëm përmes përfshirjes formale, por përmes ndikimit kuptimplotë dhe mundësive të barabarta brenda proceseve politike”, tha Goldberg.

  • Azemi: Greva e punëtorëve teknikë të shkollave do të vazhdojë derisa pagat të dalin në llogari bankare

    Azemi: Greva e punëtorëve teknikë të shkollave do të vazhdojë derisa pagat të dalin në llogari bankare

    Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë kanë hyrë në grevë për shkak të mos pagesës së pagave për muajin prill, raporton Ekonomia Online.

    Në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet.

    Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se greva po mbahet pothuajse në të gjitha shkollat e Prishtinës dhe se punëtorët nuk do të kthehen në punë derisa pagat të ekzekutohen.

    “Pjesa dërmuese e shkollave, po megjithatë deri tani nuk kam asnjë informacion se ndonjë shkollë e ka thyer grevën. Kështu që mendoj që të gjitha shkollat janë në grevë. Kërkesa për grevë është sepse ne jemi sot me datën 19 dhe nuk i kemi marrë pagat për muajin prill. Pagat tona janë aq të ulëta sa që edhe kur i marrim me kohë nuk po mund t’i ia dalim me lëre më tani kemi hyrë në javën e tretë që nuk i kemi marrë. Këtë gjendje e rëndon akoma më shumë se pjesa dërmuese jemi me kredi dhe për çdo ditë bankat tona na thërrasin për kamatën e tyre. Realisht, ne nuk e dimë arsyen pse nuk është bërë pagesa. Kemi komunikuar kështu në mënyrë spontane me institucionet relevante, por neve tani nuk na intereson se a është faji tek kompanitë apo tek komuna e Prishtinës, neve na intereson vetëm pagat tona. Përndryshe aq më keq këta punëtorë tani, disa shkolla që nga data 1 maj dhe disa që nga data 11, nuk kanë fare kontratë dhe faktikisht është diçka po themi kështu anarki e tepruar. Nuk kemi paga, nuk kemi kontrata, por në fakt krejt ajo çka kemi ne, kemi organizimin sindikal, jemi në grevë pothuajse gati të gjitha shkollat në nivel të komunës së Prishtinës dhe për këtë parregullsi do të bëjmë përgjegjësi aktorët e komunës së Prishtinës. Ata përse ta paguajnë dhe ata u duhet që këtyre punëtorëve me këto paga po thonë të mjerueshme, që së paku ta kemi afatin ligjor që duhet bërë pagesat. Këta nuk e kanë bërë dhe normal që edhe ne nuk i bëjmë shërbimet tona nëpër të gjitha shkollat në nivel të Prishtinës”, tha ai.

    Azemi tha se greva do të vazhdojë derisa punëtorët t’i marrin pagat në llogaritë e tyre bankare.

    “Ne nuk e kemi ndërmend as të gjuajmë askënd, as të kallim askënd. Vendimi ynë dhe fuqia jonë është greva, dhe kjo grevë është shumë normale që do të zgjasë deri në momentin që pagat t’i shohim ne me sytë tanë, përndryshe nuk i besojmë askujt. Në momentin kur pagat bien në llogaritë tona, do të kthehemi në punë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë me grevë po themi kështu të përditshme dhe nuk do të kryejmë asnjë shërbim”, tha ai.

    Ai shtoi se kompanitë që kanë qenë të kontraktuara me Komunën e Prishtinës tashmë nuk kanë kontrata aktive, derisa akuzoi komunën për mos zgjidhje të situatës.

    “Thashë edhe një herë, kompanitë nuk dua t’i përmendim sepse kompanitë e kanë kryer mandatin e tyre. Kontrata më nuk kanë me komunën e Prishtinës dhe kjo gjithçka ka skaduar. Aq më e keqe është që neve para një jave apo dy me udhëheqësit e komunës së Prishtinës na është premtuar që do të vijnë kompani të reja që të menaxhojnë derisa të zgjidhet operatori i ri. Edhe kjo siç po shihet nuk po ndodh sepse këta punëtorë tani jemi pothuajse 20 ditë kanë kaluar dhe këta nuk kanë fare kontrata, që ekziston mundësia që ndoshta edhe gjatë kësaj periudhe nuk do ta paguajnë askush sepse dikush do në anarki dhe anarki do të ketë”, tha ai.

  • GAP: Komunat paguan 126.6 milionë euro për vendime gjyqësore e përmbarimore në 2025

    GAP: Komunat paguan 126.6 milionë euro për vendime gjyqësore e përmbarimore në 2025

    Instituti GAP ka bërë të ditur se komunat e Kosovës kanë paguar gjithsej 126.6 milionë euro gjatë vitit 2025 për vendime gjyqësore dhe përmbarimore, shifër kjo që, sipas GAP-it, paraqet rritje prej 47 për qind krahasuar me vitin 2024.

    “Komunat e Kosovës paguan 126.6 milionë € për vendime gjyqësore dhe përmbarimore në vitin 2025, një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2024”, thuhet në postimin e Institutit GAP në Facebook.

    GAP ka renditur edhe disa nga burimet kryesore të këtyre obligimeve, duke përmendur kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, vendimin qeveritar të vitit 2008 për pagesë shtesë bazuar në kualifikim, kompensimet për shujta, transport dhe inflacion për shërbyes civilë, vonesat në pagesa ndaj furnitorëve, si dhe projektet kapitale të dështuara.

    “Kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi”, “vendimi qeveritar i 2008 për pagesë shtesë bazuar në kualifikim”, “kompensime për shujta, transport dhe inflacion për shërbyes civilë”, “vonesa në pagesa ndaj furnitorëve” dhe “projekte kapitale të dështuara”, janë disa nga arsyet e listuara nga GAP.

    Instituti thekson se këto mjete financiare janë para të taksapaguesve që, sipas tij, shkojnë për të paguar “gjoba dhe detyrime ligjore”, në vend që të orientohen në investime dhe shërbime për qytetarët.

    “Këto janë para të taksapaguesve që shkojnë për të paguar gjoba dhe detyrime ligjore të komunave, para që mund të ishin shpenzuar për rrugë, shkolla dhe shërbime për qytetarët”, thuhet në postim.

    Sipas GAP-it, komunat me rritjen më të madhe të pagesave janë: Prishtina nga 10.6 milionë euro në 45.7 milionë euro (rritje 332%), Leposaviqi nga 168 mijë euro në 707 mijë euro (rritje 319%), Mamusha nga 51 mijë euro në 179 mijë euro (rritje 249%), Ferizaj nga 3.3 milionë euro në 8.2 milionë euro (rritje 153%) dhe Prizreni nga 5.6 milionë euro në 12.7 milionë euro (rritje 128%).

    Ndërkaq, GAP ka bërë të ditur se disa komuna kanë arritur t’i ulin pagesat, duke përmendur Pejën me ulje 66%, Fushë Kosovën me ulje 41% dhe Dragashin me ulje 55%.

  • Të ardhurat mesatare në Evropë: Këto janë vendet me pagat më të larta

    Të ardhurat mesatare në Evropë: Këto janë vendet me pagat më të larta

    Të ardhurat mesatare në Evropë do të ndryshojnë ndjeshëm në vitin 2026. Kur merret në konsideratë fuqia blerëse, hendeku ngushtohet, por hendeku midis vendeve me pagat më të larta dhe më të ulëta mbetet i madh. Lind pyetja se cilat vende paguajnë më shumë, ku janë pagat më të larta dhe ku janë pagat më të ulëta në Evropë, si dhe si fuqia blerëse e ndryshon pamjen e nivelit të pagave.

    Sipas raportit të OECD-së “Tatimi i Pagave 2026”, pagat mesatare bruto vjetore variojnë nga 18,590 euro në Turqi në 107,487 euro në Zvicër. Të dhënat përfshijnë 27 vende evropiane, 22 prej të cilave janë anëtare të Bashkimit Evropian.

    Zvicra është i vetmi vend ku paga mesatare bruto tejkalon 100,000 euro. Islanda është në vendin e dytë me 85,950 euro. Luksemburgu kryeson midis anëtarëve të BE-së me 77,844 euro, gjë që e rendit atë në vendin e tretë në përgjithësi, raporton Euronews.

    Danimarka (71,961 euro) dhe Holanda (69,028 euro) plotësojnë pesë vendet e para, ndërsa Norvegjia është menjëherë pas tyre me 68,420 euro.

    Ndër pesë ekonomitë më të mëdha evropiane, Gjermania kryeson me 66,700 euro, e ndjekur nga Britania e Madhe me 65,340 euro. Tre ekonomitë e tjera kryesore mbeten ndjeshëm prapa.

    Franca regjistron një pagë mesatare prej 45,964 eurosh, Italia 36,594 euro dhe Spanja 32,678 euro. Pagat mesatare në Gjermani dhe Britaninë e Madhe janë më shumë se dyfish më të larta se në Spanjë.

    Austria (63,054 €), Belgjika (62,348 €), Irlanda (60,258 €), Finlanda (55,462 €) dhe Suedia (50,338 €) janë midis këtyre dy grupeve, me paga mesatare mbi 50,000 €.

    Nëntë vende të BE-së nën limitin prej 30,000 eurosh

    Sllovakia ka pagat më të ulëta vjetore në BE – 19,590 euro. Plot nëntë nga 22 anëtarët e BE-së në listë janë nën pragun e 30,000 eurove.

    Hungaria (21,257 €), Letonia (21,321 €), Republika Çeke (23,685 €), Portugalia (24,254 €) dhe Polonia (24,490 €) kanë të gjitha të ardhura mesatare më pak se 25,000 €. Estonia (25,603 euro), Greqia (26,563 euro) dhe Lituania (28,474 euro) janë mbi atë nivel, por ende nën 30,000 euro.

    Në terma nominalë, vendet e Evropës Veriore dhe Perëndimore dominojnë krye të listës, ndërsa vendet e Evropës Jugore dhe Lindore janë përgjithësisht në fund.

    Çfarë ndikon në ndryshimet në të ardhurat midis vendeve?

    Ekspertët nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), të cilët folën për Euroneës Business, thonë se ndryshimet në paga në të gjithë Evropën pasqyrojnë kryesisht tre faktorë: produktivitetin dhe strukturën ekonomike, institucionet e tregut të punës dhe koston e jetesës.

    Vendet me sektorë me vlerë të shtuar të lartë, siç janë financa dhe teknologjia, kanë tendencë të kenë paga më të larta, ashtu si edhe vendet me sindikata të forta dhe negociata kolektive të zhvilluara. Një kosto më e lartë jetese gjithashtu tenton të rrisë pagat nominale.

    Kur shqyrtojmë fuqinë blerëse, ndryshimet në paga në të gjithë Evropën janë më pak të theksuara sesa në terma nominalë.

    Pariteti i fuqisë blerëse (PFB) është një normë konvertimi valutor që barazon fuqinë blerëse të valutave të ndryshme duke hequr ndryshimet e çmimeve midis vendeve. Këtu, të dhënat shfaqen në dollarë amerikanë, pasi të dhënat e bazuara në euro nuk janë publikuar ende.

    Sipas PPP-së, të ardhurat mesatare bruto vjetore variojnë nga 38,118 në Sllovaki në 106,532 në Zvicër. Gjermania (93,985), Luksemburgu (93,203) dhe Holanda (92,905) kalojnë shifrën 90,000. Danimarka (88,454) dhe Norvegjia (87,722) vijnë më pas.

    Midis pesë ekonomive më të mëdha evropiane, rendi mbetet i njëjtë si në shumat nominale, por ndryshimet po ngushtohen. Britania e Madhe regjistron 82,329, Franca 67,273, Italia 60,503 dhe Spanja 57,517.

    Turqia dhe Gjermania janë “fituesit” më të mëdhenj sipas renditjes së PPP-së

    Kur krahasohen renditjet nominale dhe PPP, Turqia regjistroi kërcimin më të madh – nga vendi i fundit në pozicionin e 18-të. Gjermania gjithashtu ngjitet me pesë vende, nga i shtati në të dytin. Islanda, e cila ra nga vendi i dytë në të nëntin, dhe Estonia, e cila ra nga vendi i 20-të në të 25-tin, regjistruan rënien më të madhe.

    Vlerësimet e të ardhurave mesatare i referohen punonjësve me kohë të plotë në sektorë të zgjedhur industrialë, kryesisht në sektorin privat. Mbulohet pjesa më e madhe e ekonomisë – duke përfshirë prodhimin, ndërtimin, shitjen me pakicë, transportin, financat dhe shërbime të tjera biznesi – por jo bujqësinë, qeverinë, arsimin dhe shëndetësinë.

    Normat e tatimit mbi të ardhurat ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Evropën, prandaj të ardhurat neto mund të duken shumë të ndryshme nga shumat bruto.

  • Një dekadë magjie në skenë: Hapet edicioni jubilar i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”

    Një dekadë magjie në skenë: Hapet edicioni jubilar i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”

    Në Prishtinë është hapur edicioni i dhjetë i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha”.

    Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të institucioneve, partnerë të festivalit, artistë, studentë dhe dashamirë të teatrit.

    E pranishme në hapje ishte edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

    Në fjalën e saj, ajo foli për rolin e teatrit në shoqëri dhe për ndikimin e artit në ruajtjen e identitetit.

    Pas ceremonisë, publiku ndoqi shfaqjen “Kanuni i fermës” me regji të Xheraldina Krasniqi, e cila hapi programin e këtij edicioni.

    Festivali këtë vit shënon dhjetë vjet nga themelimi dhe mbetet festivali i vetëm ndërkombëtar i teatrit në Kosovë.

  • Hamza: Kosova po humb të rinjtë nga krizat politike, qytetarët kërkojnë ndryshim

    Hamza: Kosova po humb të rinjtë nga krizat politike, qytetarët kërkojnë ndryshim

    Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar familjen e Fadil Danit në Fushë Kosovë, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.

    Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, kryefamiljari Fadil Dani tha se kriza ekonomike, mungesa e perspektivës dhe largimi i të rinjve janë sot ndër problemet më të mëdha që po prekin familjet kosovare.

    “Kur një i ri mendon më shumë si të ikë nga vendi sesa si ta ndërtojë jetën këtu, atëherë është alarm për të gjithë ne”, tha Dani.

    Nga ana tjetër, kreu i PDK-së, theksoi se Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, stabilitet dhe politika që krijojnë shpresë për qytetarët, e jo për “konflikte e përçarje të pafundme politike”.

    Sipas tij, familjet kosovare meritojnë më shumë siguri, zhvillim ekonomik dhe besim për të ardhmen në vendin e tyre.