ATV

Category: Lajme

  • Aksident i rëndë në Kroaci, lëndohen katër shqiptarë

    Aksident i rëndë në Kroaci, lëndohen katër shqiptarë

    Katër shqiptarë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur të hënën në Kroaci.

    Një 22-vjeçar shqiptar, me qëndrim të përkohshëm atje, i cili drejtonte një automjet Volkswagen Caddy, është përplasur me një kamion “MAN” me targa të Slavonskobrodit që drejtohej nga një boshnjak, në qytetin e Crnec Dugoselski.

    Siç raportojnë mediat kroate, si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar rëndë të dy drejtuesit dhe katër pasagjerët e veturës, tre shtetas shqiptarë me vendbanim të përkohshëm në Republikën e Kroacisë, të moshës 41, 43 dhe 45 vjeç dhe një shtetas nga Nepali, 26 vjeç.

    Raportohet se atyre iu është ofruar ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Klinike në Zagreb dhe në Spitalin Klinik të Dubravës.

  • Behrami: Në Prishtinë Qeveria ia hapi dyert kryetares së Speciales, në Hagë Trendafilova mbylli dyert për t’i vizituar luftëtarët e lirisë

    Behrami: Në Prishtinë Qeveria ia hapi dyert kryetares së Speciales, në Hagë Trendafilova mbylli dyert për t’i vizituar luftëtarët e lirisë

    Analisti Artan Behrami ka reaguar ndërlidhur me vizitën e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë.

    Behrami ka thënë se në Kosovë qeveria ia ka hapur dyert Trëndafilovës, kurse në Hagë Gjykata Speciale i ka ndaluar vizitat.

    “Në Prishtinë, Qeveria e Kosovës ia hapi dyert kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Në Hagë, gjykata e Trendafilovës ia mbyll dyert për vizita familjes së ngushtë të luftëtarëve të lirisë!”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.

  • Mbi tre mijë targa ilegale të konvertuara në RKS

    Mbi tre mijë targa ilegale të konvertuara në RKS

    Konvertimi i targave ilegale të Serbisë në ato RKS është duke vazhduar edhe sot për komunat e veriut të vendit.

    Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për RTKlive se deri më sot janë regjistruar 2750 me targa ilegale në veri të Kosovës.

    Ai tha se edhe 800 kanë qenë të regjistruara më herët.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më 1 dhjetor 2023.

    Kjo përfshin taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit.

  • KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

    KPM-ja kërkon buxhet për 37 pozita, nga Qeveria i aprovohen vetëm pesë

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka diskutuar në lidhje me kërkesat buxhetore për Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin 2024, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë dëgjim publik pjesëmarrës ishin Institucionet e Agjencionet që bien në fushëveprim të këtij Komisioni, ku prezent ishin përfaqësues të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të cilët thanë që janë të kënaqur me ndarjet buxhetore që janë ndarë për vitin 2024.

    Ud. i kryeshefit ekzekutiv i KPM-së Farku Regjaj, tha se kanë pasur kërkesa për ndarje buxhetore për tri projekte të cilat janë aprovuat nga Qeveria, për të cilën tha se janë shumë të kënaqur.

    Ai tha se kërkesa e KPM-së ka qenë që të shtohen edhe 37 pozita të reja të punës në këtë institucion, nga të cilat tha se janë aprovuat vetëm pesë pozita.

    “Sa i përket projekt-buxheti këtë vit se paku deri me tani KPM është bukur e kënaqur ne aprovimin e gjitha projekteve kapitale që ka pasur. Kanë qenë tri kërkesa të tirja janë aprovuat. Të pagat e shtesa, kemi aprovim në vetëm 5 pozita për këtë vit. A janë mjaftueshme, nuk janë të mjaftueshëm”, tha ai.

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, ka pyetur përfaqësuesit e KPM-së se për pjesën e digjitalizimit a kanë kërkuar buxhet shtesë.

    Deputeti i LDK-së Agim Veliu, ka pyetur në lidhjet me kërkesat për punëtorë.

    “Deshta të ndalem të kërkesa për pozita të reja. Thanë që janë 39 pozita ekzistuese, që e kanë me rrit numrin në 76 po me duket e paarsyeshëm. Dhe që sa nuk keni kryeshef ekzekutiv”, pyeti ai.

    Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri, tha se është e rëndësishme që kërkesa për staf të merret parasysh, por sipas tij, edhe aprovimi për pesë pozita është në rregull.

    “Unë e lexova kërkesën e pashë se keni kërkesë për staf. Është e detajuar se për çka ky staf është për vlerësimin tim investim kapital, sepse te ju njerëzit e kryejnë punën. Kërkesa për staf është investim kapital dhe duhet që të trajtohet. Nuk ka rishikim. Ta shohim se a ka mundësi që këta të reduktojnë. Pesë qenkan mirë”, tha ai.

    Regjaj duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve tha se punëtoret në këtë institucion marrin detyra shtesë në mungesë të stafit, sipas tij, në këtë fazë iu duhen së paku edhe 15 punëtorë, raporton EO.

    Ai me këtë rast ka shpjeguar edhe arsyet se pse që dy vite KPM është duke vazhduar me ushtrues detyre.

    “Do të jetë një kërkesë e KPM-së. Jemi jashtëzakonisht pak edhe me pesë të aprovuar. Secili punëtorë në KPM merr detyra shtesë, në këtë fazë duhet edhe 15 punëtore shtesë. KPM-ja që dy vite e gjysmë është duke punuar me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv”, tha ai.

  • Blinken: NATO-ja është e bashkuar, diskutuam se si ta ndihmojmë Ballkanin Perëndimor

    Blinken: NATO-ja është e bashkuar, diskutuam se si ta ndihmojmë Ballkanin Perëndimor

    Dje në Bruksel është mbajtur takimin i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

    Aty mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Ai foli rreth asaj se çka u diskutua në këtë takim.

    Blinken tha se temë e diskutimit ishte Ballkani Perëndimor, dhe se si të ndihmohet kjo pjesë për një të ardhme euroatlantike.

    Sekretar amerikan theksoi se “Aleanca e NATO-s është e bashkuar”.

    “Ne folëm për shumë tema në terren gjatë takimit të ministrave të Jashtëm – nga pritshmëritë tona në Samitin e Washingtonit vitin e ardhshëm, në mënyrat se si mund të thellojmë partneritetin tonë me Ukrainën, deri tek mënyra se si mund të ndihmojmë në mbështetjen e të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai në rrjetin social X.

  • Parlamenti slloven mori vendim: Po bëhen ndryshime të mëdha në trafik, gjobat astronomike!

    Parlamenti slloven mori vendim: Po bëhen ndryshime të mëdha në trafik, gjobat astronomike!

    Parlamenti slloven miratoi Rezolutën për programin kombëtar të sigurisë rrugore për shtatë vitet e ardhshme, e cila përfshin kufizimin e shpejtësisë së lëvizjes në 30 km/h në disa rrugë rrugore dhe uljen e sasisë së lejuar të alkoolit në gjak në 0.0 për mijë.

    Masat e reja kanë për qëllim që deri në vitin 2030 jo më shumë se 50 persona të vdesin në rrugë dhe jo më shumë se 400 të lëndohen në aksidente.

    Rezoluta gjithashtu parashikon zhvillimin e infrastrukturës për të promovuar më tej përdorimin e sigurt të transportit publik, ecjes, çiklizmit dhe formave të tjera të lëvizshmërisë.

    Në të njëjtën kohë, është planifikuar zgjerimi i zonës me shpejtësinë maksimale të lejuar prej 30 kilometra në orë dhe zona e trafikut të moderuar, veçanërisht pranë shkollave, kopshteve, në kryqëzimet e trafikut publik të pasagjerëve dhe zonave të populluara.

    Ndër të tjera, rezoluta parashikon ashpërsimin e ligjit për shkelësit e trafikut dhe mundësinë e ngritjes së kërkesës për dëmshpërblim për shkak të aksidentit të rëndë trafiku për shkak të alkoolit ose drogës nga 13.560 euro në 130.000 euro.

  • NATO dhe BE zotohen për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan

    NATO dhe BE zotohen për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shprehu shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Por, sipas tij, aleanca do të bëjë gjithçka në mënyrë që të ruajë stabilitetin në rajon. Këtë deklaratë, shefi i NATO-os e bëri në Bruksel, para takimit të ministrave të jashtëm të 31 shteteve anëtare të NATO-s, ku do të diskutojnë ndër tjerash edhe lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

    “Ajo që shohim atje është se tensionet po rriten. Po shoh rritje të tensioneve dhe retorikë nxitëse në Bosnjë-Hercegovinë. Kemi parë incidente të rënda dhune në Kosovë duke përfshirë sulmin ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Janë lënduar 93 ushtarë të NATO-s, nga të cilët disa shumë rëndë. Gjithashtu kishim sulmin në Banjskë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se “NATO do të bëjë atë që është e nevojshme për të siguruar stabilitetin në rajon”. “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të tërë Evropën”, tha Stoltenberg.

    Gjermania dërgon trupa shtesë

    Nga ana e saj, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajonin e Ballkanit, i cilësoi si tejet të rëndësishme. Ajo tha se “perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është e rëndësishme, sepse ky paraqet sigurim jetësor”. Lidhur me situatën në Ballkan, Baerbock përmendi se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin dhe nganjëherë sipas saj, “paqja shpesh varet në fije të perit”.

    “Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnjë-Hercegovinë. NATO-ja, por edhe Bashkimi Evropian, janë një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock, duke paralajmëruar se Gjermania do të dërgojë gjatë vitit të ardhshëm 150 ushtarë shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Shefi i politikës së jashtme dhe të sigurisë i BE-së JosepBorrel, tha se situata, stabiliteti, përparimi dhe harmonizimi i politikës së jashtme të vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian është me rëndësi thelbësore.

    “Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fuqishëm me KFOR-in dhe po përballen me kohë të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë qëndrueshmëri dhe të ofrojmë siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha Borrell, duke i bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të “rrisin vullnetin për marrëveshje për të hapur rrugën e tyre evropiane”.

    Diskutohet mundësia e shtimit të numrit të ushtarëve

    Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës veriatlantike Jens Stoltenberg, tha se në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, do të diskutohet qartë mundësia e shtimit të përhershëm të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë. Këtë Stoltenberg e tha edhe para një jave gjatë vizitave në rajon. Ndërsa ky shtim i përhershëm i trupave vie pas dhunës së terroristëve serbë në veri të Kosovës me 24 shtator, ku nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

    Agjencia e lajmeve Associated Press, shkruan se dhuna mes Kosovës dhe Serbisë ka shpërthyer dy herë në muajt e fundit dhe vendet perëndimore kanë frikë se Rusia mund të përpiqet të nxisë telashe në Ballkan për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë. NATO pas dhunës në veri të Kosovës dërgoi rreth një mijë trupa shtesë duke e ngritur numrin e trupave të saj në Kosovë në 4.500./ DW

  • Vdes një person në Prishtinë, bie nga ndërtesa në lagjen “Mati 1”

    Vdes një person në Prishtinë, bie nga ndërtesa në lagjen “Mati 1”

    Një person ka rënë nga një ndërtesë në Prishtinë, ku si pasojë ka gjetur vdekjen.

    Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. E njëjta ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 09:30 në lagjen “Mati”.

    “Sot rreth 09:30, kemi pranuar informatën se në lagjen Mati në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë.

    Viktimë në këtë rast është një person (mashkull), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, tha Ahmeti.

    “Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin”, tha zëdhënësja e policisë.

  • Kurti takohet me ambasadorin gjerman, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kurti takohet me ambasadorin gjerman, flasin për zhvillimet e fundit në vend

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

    Sipas një komunikate dërguar mediave nga Kryeministria, Kurti dhe Rohde folën për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, temat aktuale dhe zhvillimet e fundit në vend.

    “Gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti pranoi nga ambasadori gjerman Rohde një kopje të librit “Gjermania dhe Kosova: Historia e një partneriteti” nga autorët Enrico Seewald dhe Urs Unkauf, që përshkruan dhe shtjellon historikun e raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe popujve. Krahas falënderimit për librin, kryeministri e falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin e afërt, dhe shtetin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

  • Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve se vodhën dy herë në një market mbi 30 mijë euro

    Nga një muaj paraburgim ndaj pesë të dyshuarve se vodhën dy herë në një market mbi 30 mijë euro

    Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), pesë të dyshuarve M. B., G. S., A. M., M. M. dhe Z. M., për “Vjedhje të rëndë” dhe “Grabitje”.

    Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ata dyshohen se kanë vjedhur 28 mijë euro në një market në Viti më 1 qershor 2023.

    “Me datën 01.06.2023, rreth orës 02:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Viti, marketin “B….”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete të pandehurit kanë kryer vjedhje të rëndë në dëm të të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe planifikim të veprimeve, të njëjtit kanë shkuar në marketin e lartcekur, ashtu që fillimisht të pandehurit M. B. dhe G. S. hapin me forcë dyert e marketit, depërtojnë në brendi dhe në zyre të marketit marrin shumë prej 28.000€, e më pas largohen në drejtim të parkingut ku ishin duke i pritur të pandehurit M.M., A.M. dhe Z.M., të cilët ishin duke e siguruar terrenin”, thuhet në njoftim.

    Të njëjtit dyshohen se më 5 tetor 2023, në marketin e njëjtë grabitën 2 mijë e 500 euro.

    “Po ashtu me datë 05.10.2023, rreth orës 23:00, në Viti pikërisht në marketin e njëjtë me qëllim që ti sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme kryejnë grabitje në dëm të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe duke i ndarë rolet, ashtu që të pandehurit M. B. dhe G. S., të maskuar e me përdorim të forcës apo kanosjes serioze duke mbajtur armë në dorë, ndaj të dëmtuarit H. H., ashtu që derisa i dëmtuari i kishte mbyllur dyert kryesore të marketit, të pandehuri i dalin para, në afërsi të marketit, në errësirë me ngjitës i’a mbyllin gojën të njëjtit… e më pas me forcë hapin dyert e marketit, depërtojnë në brendësi dhe aty marrin shumë prej 2500 €, e më pas dalin nga marketi dhe bëhen bashkë me të pandehurit M.M, A.M. dhe Z.M. të cilit ishin duke i pritur me veturë”, thuhet më tej.

    Më këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Grabitje”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

    “Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktvendimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit”, thuhet në fund. /BetimipërDrejtësi