ATV

Category: Lajme

  • Partitë opozitare thonë se Ligji per Fondin Sovran do të dërgohet për vlerësim të kushtetutshmërisë

    Partitë opozitare thonë se Ligji per Fondin Sovran do të dërgohet për vlerësim të kushtetutshmërisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Nëse kalon në Kuvend, kushtetutshmëria e një ligji tjetër do të mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ligji për Fondin Sovran nën menaxhimin e të cilit do të kalojnë ndërmarrjet kryesore publike, të enjten do të hidhet për votim në lexim të dytë.

    Të enjten, po ashtu, do të votohen edhe amendamentet e propozuara nga grupi punues. Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, tashmë ka angazhuar ekspertë juridikë, që do t’i japin konkluzionet e tyre në raport me kushtetutshmërinë e këtij ligji.

    “Nuk ka zhvillim, nuk ka ekonomi të tregut të lirë, ka centralizim… nëse e konstatojnë juristët dhe specialistët që tashmë janë duke punuar definitivit ne do ta dërgojmë në Kushtetuese”, tha kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

    Gjykatës Kushtetuese, pritet t’i drejtohet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës njësoj sikurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Ky ligj e pezullon tregun dhe është ligj i papranueshëm për neve dhe kemi shumë pika që i kemi nxjerrë gjatë amendamentit dhe gjatë përgatitjes së draftit, kështu që unë mendoj se si LDK do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi.

    “Patjetër sepse është ligj diskriminues, e mbyt konkurrencën dhe është ligj që nuk e di çfarë po merr Qeveria”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Por, nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, vlerëson që Ligji për Fondin Sovran është vital për ekonominë. Derisa Gjykata, sipas saj, po shfrytëzohet nga opozita.

    “Ligji në gjykimin tim paraqet një reformë mjaft të rëndësishme, në raport me asetet publike. Të them të drejtën se e meta është që Gjykata Kushtetuese ka kaluar në një mjet të të bërit opozitarizëm dhe të ndaluarit të reformave të parapara”, tha nënkryetarja e Komisionit, Jeta Statovci.

    Diskutimi në Komisionin për ekonomi për këtë projektligj, i paraparë për të mërkurën, dështoi për t’u shtyrë për një ditë tjetër. E sipas projektligjit kapitali Themeltar i Fondit, do të jetë 20 milionë euro, por i cili mund të rritet me statutin e tij.

  • Kurti takoi Peachin: Ushtarët britanikë në Kosovë po i kontribuojnë situatës së sigurisë

    Kurti takoi Peachin: Ushtarët britanikë në Kosovë po i kontribuojnë situatës së sigurisë

    Tre muaj pas herës së fundit kur u takuan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë vit.

    Nga kryeministria bëjnë të ditur se çështjet të cilat u diskutuan sot ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.

    U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë.

    Kurti falënderoi Peachin për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it. Theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.

  • Përfundon takimi i Trendafilovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile

    Përfundon takimi i Trendafilovës me përfaqësuesit e shoqërisë civile

    Takimi i kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, tashmë ka përfunduar.

    Para pak çastesh janë parë disa vetura duke u larguar nga hoteli “Sirius” në Prishtinë, ku po mbahej takimi.

    Ndryshe, Partia Socialdemokrate (PSD), e cila nuk përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës, protestoi të mërkurën kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë hotelit në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.

  • Kurti: Të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua e vajzë të jetojë pa dhunë e frikë

    Kurti: Të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua e vajzë të jetojë pa dhunë e frikë

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në Lansimin e Programit të Kryerësve të Dhunës, raporton Ekonomia Online. Kurti tha se të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua dhe vajzë të jetojë pa dhunë e frikë.

    Kurti theksoi se po investojnë duke siguruar që viktimat e dhunës të kenë kushtet e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre.

    “Çdo vajzë e grua ka të drejte të jetojë pa dhunë, pa frikë dhe pa u kërcënuar. Çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të jetojë e lirë. Kjo është bindja ime e thellë dhe angazhimi ynë. Është angazhim i të gjithë neve. Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, e kemi në ligje. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat”.

    “Ne nuk mund të kthejmë kohën mbrapsht për krimet që kanë ndodh por mund të iu ofrojmë mbështetje viktimave e të parandalojmë krimet për të ardhmen e për këtë po investojmë duke siguruar se viktimat e dhunës i kanë burimet e strukturat e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre”.

    Ai tha kanë rritur financimin për strehimoret mbi 100 për qind në vitin 2023. Po ashtu shtoi se është bërë avancimi pas i në kodin Penal duhan ndaj grave cilësohet vepër penale.

    Krejt kjo me qëllim që të plotësohet baza ligjore që mundëson dhunuesit të shpallen fajtor për dhunën në familje.

    “Është e rëndësishme një viktimë të mos e përfundoj jetën normale pas atij krimit . Kemi rritur financimin shërbimin e strehimoreve mbi 100 për qind në vitin 2023. E filluar reformën për qendrën punë sociale. Andaj me po vazhdojmë të përmirësojmë kornizës ligjore dhe mekanizmat që shërbejnë për mbrojtën e grave. E kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal”.

    “Po kërkohet më shumë ndihmë edhe po jepet më shumë ndihmë për të ia lehtësuar financiarisht përballje e pasojave të dhunës e kemi ndërtuar Ligjin për kompensimin e viktimave në Kosovë, ndonëse kthejmë kohën mbrapsht ne mund të bëjmë diçka që mund të ua lehtësojë. Jemi duke analizuar masën për punësim sepse duke punësuar i integrojmë pavarësisht të kaluarës”.

    Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë, raporton EO. Ajo ka këkruar që dhuna të raportohet.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë është angazhuar për adresimin e dhunës ndaj familjes dhe grave. E kemi thënë disa që dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë është çështje e drejtave të njeriut është çështje sociale politike shëndetësore po ashtu është ekonomike prandaj si institucion do vazhdojmë që ta kryejmë punën tonë që çdo grua të këtë jetë të dinjitetshme të vazhdoj pa dhunë atë që ia garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

    Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës, tha se qëllimi kryesor i programeve të tilla është minimizimi i numrit të viktimave të dhunës.

    “Kur bëhet fjalë në mënyrë specifike për një tjetër çelës, autorët, neni 16 i Konventës thotë se palët duhet të marrin legjislacionin e nevojshëm ose masa të tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë të mësojnë autorët e dhunës në familje të adoptojnë sjellje jo të dhunshme në marrëdhëniet ndërpersonale me synimin për të parandaluar dhunën e mëparshme dhe ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme. Pra, është shumë e rëndësishme që kur ndërmerren hapa për t’i dhënë efekt këtij detyrimi, është parë brenda kontekstit më të gjerë të Konventës në tërësi. Në veçanti, siç shihet në kontekstin e qasjes së përqendruar te viktima, në të cilën Konventa paraprin”.

    “Programet për trajtimin e autorëve nuk synohen si alternativë ndaj ndjekjes penale ose si mënyrë që autorët të shmangin paraburgimin. Dizajni dhe zbatimi i tyre duhet gjithmonë të udhëhiqet nga nevojat dhe interesat e autorëve. Qëllimi kryesor i programeve të tilla është, siç thotë Konventa, parandalimi, të përpiqet të minimizojë numrin e viktimave të mundshme në të ardhmen”.

    “Ato plotësojnë shërbime të tjera për viktimat dhe aktivitete të tjera parandaluese në vend që t’i zëvendësojnë ato, dhe kjo nuk është një lojë me shumën zero. Por është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që burimet e nevojshme për të ofruar programe të dhunuesve dhe ato mund të jenë të konsiderueshme, të mosridrejtohen në shërbime të tjera për viktimat. Lufta kundër dhunës ndaj grave është e kushtueshme, nuk ka rrugëdalje, dhe nuk ka masa të shpejta për tu marrë nëse do të trajtohet në mënyrë efektive”.

  • PSD-ja kërkon lirimin e aktivistëve të arrestuar në protestë

    PSD-ja kërkon lirimin e aktivistëve të arrestuar në protestë

    Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gjashtë aktivistëve të saj, të cilët u arrestuan gjatë protestës në kundërshtim të Gjykatës Speciale, raporton Ekonomia Online.

    Anëtari i kësaj partie, Qendron Kastrari tha se gjatë protestës janë arrestuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistët Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi.

    Arrestimi i tyre u bë në protestën e zhvilluar në kryeqytet, pas hedhjes së tymuesve në hyrje të hotelit ku kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova po qëndronte në një takim me shoqërinë civile.

  • Vriten dy gra në Itali, të dyshuarit janë burrat e tyre

    Vriten dy gra në Itali, të dyshuarit janë burrat e tyre

    Italia ka parë edhe dy femicide të tjera pasi dy gra dyshohet se u vranë nga burrat e tyre të martën.

    Një grua 66-vjeçare me origjinë indiane thuhet se u rrah për vdekje nga burri i saj me një shkop kriketi në qytetin Emilia Romagna të Salsomaggiore Terme pranë Parmës dhe një grua 42-vjeçare dyshohet se u godit për vdekje nga burri i saj përpara njërit prej fëmijëve të tyre në Andria të Pulias.

    Në rastin e parë, burri, gjithashtu me origjinë indiane, u kap nga një oficer policie karabinierësh jashtë detyrës, i cili ndërhyri pasi dëgjoi britmat e gruas.

    Në rastin e dytë, burri thuhet se më pas thirri policinë dhe rrëfeu.

    Femicidet e reja vijnë pas një sfondi të zemërimit dhe shqetësimit të vazhdueshëm publik për vrasjen brutale të 22-vjeçares Giulia Cecchettin nga ish-i dashuri i saj 21-vjeçar Filippo Turetta më 11 nëntor.

    Vrasja e grave rrëmbeu titujt e mediave dhe çoi në një nivel të ri ndërgjegjësimi për nevojën për të trajtuar problemin e dhunës me bazë gjinore në Itali.

  • Lajçak flet për dialogun me ministren finlandeze: Faleminderit për mbështetjen

    Lajçak flet për dialogun me ministren finlandeze: Faleminderit për mbështetjen

    Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, dje ka diskutuar për këtë proces me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

    “E mirëpres mundësinë e për të diskutuar dialogun dhe shtyrjen e ripërtërirë për ta bërë realitet perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen”.

    Ai është shprehur falendërues për mbështetjen e Finlandës.

    “Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

  • Nesër zjarrfikësit në protestë para Qeverisë

    Nesër zjarrfikësit në protestë para Qeverisë

    Zjarrfikësit e Kosovës të enjten do të mbajnë protestë para objektit të Qeverisë së Kosovës.

    Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës ka njoftuar se institucionet e shtetit nuk po i përmbushin kërkesat e tyre, raporton Paparaci.

    Përmes një reagimi që i kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve të tjera relevante, Sindikata thotë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

    Njoftimi i plotë i zjarrfikësve:

    Njoftojm të gjithë Zjarrfikësit e Kosovës se protesta e lajmeruar nga sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës do te mbahet me daten , 30.11.2023 në ora 11:00 para objektit të Qeveria.

    Nisja bëhet nga parkingu mbrapa pallatit të rinis , grumbullimi bëhet në ora 10:30 te parkingu.

    Të gjithë Zjarrfikësit duhet te kenë me vete uniformen e mbrojtjes nga zjarri ( Jaknën dhe helmeten ). Zoti na ndihmoft e na e dhashtë të maren.

  • Paratë false: Policia në gjashtë mujorin e 2023-tës ka trajtuar 486 raste

    Paratë false: Policia në gjashtë mujorin e 2023-tës ka trajtuar 486 raste

    Një numër i madh i parave false, sidomos monedhave 2 euro janë vënë në qarkullim.

    Si rezultat, qytetarëve i janë vështirësuar edhe pagesat.

    Lidhur me këto raste, autoritetet po ndërmarrin aktivitetet e nevojshme për të parandaluar grupet kriminale që merren me këtë vepër.

    Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka udhëhequr një aksion ku janë arrestuar gjashtë persona, tre nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut.

    Në këtë aksion janë konfiskuar thasë me para, monedha dy euroshe në vlerë prej 85 mijë e 10 eurove.

    Por, ky s’është i vetmi aksion që policia e ka zhvilluar kundër parave false.

    Organet e rendit në gjashtëmujorin e parë të këtij viti i ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste.

    Kështu në një përgjigje nga Zyra për Media e policisë për Klankosova.tv.

    Ndërkaq, gjatë vitit 2022, policia ka iniciuar 804 raste.

  • ​Ngrihet aktakuzë kundër një serbi për masakrën në Dubravë

    ​Ngrihet aktakuzë kundër një serbi për masakrën në Dubravë

    Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit G.M. i nacionalitet serb, shtetas i Kosovës dhe Serbisë, me adresë të vendbanimit në Serbi, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale krimi i luftës kundër popullsisë civile.

    I pandehuri akuzohet se më 22 maj 1999, ka marrë pjesë në vrasjen e 109 të burgosurve dhe në plagosjen e 108 të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si masakra në Dubravë.

    Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet.

    Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

    I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

    Hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit.