Partia Socialdemokrate sot do të mbajë konferencë për media.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se konferenca do të fillojë nga ora 13:00, dhe është në lidhje me arrestimin e aktivistëve të PSD-së, si dhe dyshimin për manipulimin e dëshmive.
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në seancën e radhës plenare.
Në seancën që pritet të nis në orën 10:00, në rend dite janë gjithsej 27 pika për shqyrtim.
Deputetët pritet të debatojnë në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023.
Rendi i ditës
14. Debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, 15. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra, 16. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, 17. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, 18. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi, 19. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, 20. Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, 21. Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, 22. Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028, 23. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, 24. Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, 25. Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, 26. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, 27. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) që të hetojë urgjentisht të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, që kanë kaluar kompetencat e tyre duke penguar punën profesionale të anëtarëve të mediave gjatë protestës së sotme kundër vizitës së Ekaterina Trendafilova.
Pamje dhe fotografi të reja kanë shfaqur brutalitetin a paprecedent, me të cilin janë ballafaquar sot gazetarët, fotografët dhe pjesëtarë të tjerë të mediave, gjatë protestës së PSD-së kundër kreut të Dhomave të Specializuara.
Në një reagim për media AGK thotë se në njërën prej tyre shihet se si shtyhet me forcë kameramani i Zërit të Amerikës, Bujar Sylejmani, i cili ishte duke kryer punën e vet profesionale.
Përballë kësaj dhune të paprecedent të drejtuar ndaj pjesëtarëve të medies, AGK fton Policinë e Kosovës të tregojë profesionalizëm në ballafaqimin me situata të tilla, dhe të mos bëjë në asnjë formë cak gazetarët e kameramanët, duke i lejuar ata që të papenguar të bëjnë punën e tyre në informim të publikut.
Një vrasje e rëndë ka ndodhur sonte në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “Dalip Alshiqi” ku si pasojë e të shtënave me armë ka humbur jetën një grua.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti, e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, se pas informatave për të shtëna me armë rreth orës 20:20, kanë gjetur viktimën në një veturë pa shenja jete.
“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”.
Ujin po detyrohen ta blejnë meqë tash e disa ditë, banorët e Fushë Kosovës kanë mungesë të ujit të pijshëm.
Muharrem Zogiani thotë se mungesa e ujit është e papërballueshme për të.
“Mungesa e ujit të pijshëm është problem për ne, sepse pa ujë nuk po kemi mundësi të bëjmë diçka. Tanë ditën po jemi pa ujë, kjo është katastrofë, as nuk lajmërojnë pse, arsyen, kjo është tmerr. Vetëm pak me ra shi ndalet uji e që po obligohemi që të blejmë ujë”, tha Zogiani.
Hall të njëjtë kanë edhe fqinjët e tij dhe problemi përsëritet sa herë ka mot me shi.
“Po duhet që ujë të marrim në markete, por si ka ra shi dhe borë është ndalë uji, për shkak se deri tani nuk e kemi pasë këtë problem, por që kërkojmë që sa më shpejtë të rregullohet ky problem”, tha Sheqir Zyberi, banor.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, thanë se reduktimet janë të nevojshme për shkak të turbullimit të ujit në Liqenin e Ujmanit, pas reshjeve atmosferike, ndërkaq qytetarët mund të furnizohen me ujë përmes autoboteve.
“Për shkak të reshjeve atmosferike është turbulluar uji në Liqenin e Ujmanit, pastaj edhe në kanalin e Ibrit. Situata mbetet e njëjtë që nga pardje, nuk ka ndonjë përmirësim. Më e renduar është në Fushë-Kosovë. Jemi duke e monitoruar situatën dhe në moment që largohet turbullira, ne fillojmë me trajtu ujë. Me qëllim të përmbushjes së nevojave për furnizim me ujë për pirje, pas situatës me turbullirë në kanalin e Ibër Lepencit dhe nё pamundësi tё bëjmë furnizimin e rregullt. E kemi parë nevojën pёr t’iu ofruar shërbim tё furnizimit me ujё konsumatorëve, përmes autoboteve”, thuhet në përgjigjen e KRU “Prishtina”.
Përveç Fushë Kosovës, edhe Komuna e Drenasit ka mungesë të ujit të pijshëm.
Një tjetër afat për nënshkrim të kontratës mes Elektroseverit dhe KEDS-it, që do t’i hapte rrugë faturimit të energjisë, në katër komunat veriore, vazhdon të mos përmbushet.
Përkundër afatit të përmendur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, se kontrata do të duhej të nënshkruhej javën e kaluar, deri këtë të mërkurë, dakordim nuk pati.
“Ju informojmë se Marrëveshja/Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit është në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian pret që kontrata për nën-kontraktim të energjisë mes dy kompanive të finalizohet brenda ditësh.
“Ka momentum pozitiv derisa palët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për të vënë gradualisht në funksion udhërrëfyesin për energji dhe janë duke punuar drejt zgjidhjes së çështjeve të fundit. Bashkimi Evropian pret nga palët që të dakordohen për këto çështje ditët në vazhdim, e të cilat përfundimisht do të mundësonin zbatimin e plotë të udhërrëfyesit”, thuhet në reagimin e BE-së.
Javën e kaluar, ATV-ja raportoi se puna për finalizimin e kontratës po vazhdon, pas disa propozim-ndryshimeve të paraqitura në përmbajtje nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, më 16 Nëntor, në Bruksel.
Që nga licencimi në Kosovë të kompanisë degë e ndërmarrjes shtetërore energjetike të Serbisë, si pasojë e mosfaturimit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok dëmi buxhetor është rreth 60 milionë euro.
Kosova duhet të presë së paku edhe një vit për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare Policore – INTERPOL. Qeveria nuk njoftoi për aplikim këtë vit, përkundër zotimeve që ky proces të mbyllej me sukses qysh më 2022.
“Do t’i ndërmarr të gjithë hapat e mundshëm që anëtarësim i Kosovës, vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, kishte deklaruar në shtator të vitit 2021, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Derisa Qeveria heshti lidhur me këtë temë, Kosova nuk figuron në agjendën katër-ditore të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it në Vjenë, që nisi punimet më 28 nëntor.
Në ditën e parë, Republika e Palaut, shtet me rreth 460 metra katror dhe më pak se 20 mijë banorë, u bë anëtarja e 196-të e Interpol-it.
Përkundër vlerësimit se Policia përmbush kriteret për anëtarësim, ekspertë të sigurisë theksojnë se, krahas pengesave nga Serbia, angazhimi diplomatik i Qeverisë ishte i vakët.
Krahas pengesave të ndryshme, gjendja aktuale e komunikimit indirekt të Policisë së Kosovës me INTERPOL-in përmes UNMIK-ut, vonon aspektet operacionale.
Asambleja e Përgjithshme e radhës e INTERPOL-it do të mbahet në nëntor të vitit të Ardhshëm në Skoci. Kosova ka aplikuar për anëtarësim tri herë, më 2015, 2016 dhe 2017 – në dy raste nuk kishte arritur të futej në rend dite, ndërsa herën e tretë ishte tërhequr, në mungesë mbështetjeje.
Kryetari dhe pesë aktivistë të tjerë të Partisë Socialdemokrate, janë arrestuar gjatë protestës që ajo e thirri kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Policia arrestoi Dardan Molliqajn, Nol Nushin, Zgjim Hysenin, Korab Korçën, Agron Kabashin dhe Gent Brahimin. Arrestimet u bënë pasi aktivistë të PSD-së hodhën tym e mjete shpërthyese në drejtim të policisë.
Edhe policia përdori gaz lotsjellës për ta shpërndarë turmën e nuk i kurseu as mediat.
Derisa Policia nuk është prononcuar lidhur me protestën, sipas PSD-së, kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale.
Protestën e PSD-së e ka përkrahur edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Për protestën ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut. Sipas KMDLNJ-së, protesta ishte jo e dhunshme, ndërsa kërkoi hetim nëse policia i tejkaloi kompetencat.
Me synim të krijimit të një mjedisi më të sigurt për të mbijetuarat e dhunës dhe ndryshimin e sjelljeve të dhunuesve, është lansuar “Programi kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave”.
Pjesëmarrësit përmes aktiviteteve, pritet që të arrijnë zhvillimin e aftësive për të menaxhuar stresin e komunikuar më efektivisht.
Programi u lansua në kuadër të fushatës “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” e pjesë mori edhe kryeministri Albin Kurti.
Pilotimi i programit synohet të fillojë nga muaji dhjetor. Derisa për këtë program u certifikua gjenerata e parë prej 15 trajnerëve, profesionistë të fushave të ndryshme.