ATV

Category: Lajme

  • AKP e fiton rastin gjyqësor në Mal të Zi dhe kthen 8 asete të KBI Kosova Export

    AKP e fiton rastin gjyqësor në Mal të Zi dhe kthen 8 asete të KBI Kosova Export

    Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton se ka fituar rastin dhe ka kthyer 8 asete të KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë Kosovë në Mal të Zi në emër të kësaj ndërmarrje.

    Në komunikatë thuhet se AKP në fillim të këtij viti e ka kuptuar që 8 asete në Mal të Zi të KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë Kosovë janë shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridik Privat të Republikës së Serbisë dhe janë regjistruar në emër të personave fizik në Drejtorinë Kadastrale në Podgoricë.

    “AKP ka parashtruar ankesë kundër aktvendimit të datës 24.01.2023 të Drejtorisë Kadastrale në Podgoricë lidhur me ndërrimin e titullarëve të pronësisë në asetet e KBI Kosova Export – Industria e Mishit Fushë Kosovë, në Mal të Zi, në shkallën e dytë administrative kompetente, që është: Ministria për Planifikim, Urbanizëm dhe Pronë e Republikës së Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.

    Sipas njoftimit, më 29 nëntor 2023, AKP ka pranuar aktvendimin e shkallës së dytë administrative (“Broj:07-2-1083/2008”), në Podgoricë, me të cilin është aprovuar ankesa e AKP-së, duke anuluar aktvendimin e Drejtorisë për Kadastër në Podgoricë, me të cilin këto asete ishin regjistruar në emër të personave fizik në Podgoricë, pasi që ishin shitur nga Agjencia për Likuidimin e Personave Juridik Privat të Republikës së Serbisë në mënyrë të paligjshme.

    “Si rezultat i ankesës së AKP-së, Shkalla e Dytë Administrative në Podgoricë e ka aprovuar ankesën e AKP-së me ç ‘rast 8 asetet janë rikthyer në emër të KBI Kosova-Export Industria e Mishit Fushë Kosovë”, thuhet në komunikatë.

  • ​PDK kritikon Qeverinë për mos angazhimin në luftën kundër korrupsionit

    ​PDK kritikon Qeverinë për mos angazhimin në luftën kundër korrupsionit

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra kritikoi ashpër Qeverinë Kurti për mos angazhimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, derisa foli për Raportin e Kongresit.

    Gatë debatit parlamentar lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023, Kodra tha se Raporti i Komisionit Evropian e gjen Kosovën nën sanksione, derisa potencoi se 300 milionë euro është vlera e projekteve që i ka bllokuar BE-ja, për shkak të sanksioneve.

    Ajo shtoi se pavarësisht që partia Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri saj, Albin Kurti kanë premtuar se do të kenë prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas saj tash e tri vjet nuk është bërë asgjë në këtë progres.

    “Ky raport i Komisionit Evropian e gjen Kosovën nën sanksione. 300 milionë euro është vlera e projektit të cilat i ka bllokuar Bashkimi Evropian për shkak të sanksioneve të cilat rëndojnë Kosovën si pasojë e kësaj qeverie…Kushdo qe e ka lexuar këtë raport 133 faqesh e sheh, 21 herë përmendet fjala shqetësim, tre herë togfjalëshi shqetësim serioz, ndër të tjera përmendet edhe për korrupsionin, 32 here togfjalëshi fazë fillestare, 49 here progres i kufizuar, 3 herë përmendet pak progres, 30 herë nuk ka progres, 59 here pak progres dhe vetëm 8 herë togfjalëshi progres i mirë. Pra, në 184 cilësime, 176 janë me progres jo të mirë dhe vetëm 8 prej tyre me progres të mirë…Ndërsa, si mos më keq është thënë që është gjendja në luftën ndaj korrupsionit ku konstatohet se Kosova është në fazë fillestare nëse është bërë progres i limituar dhe është më i ulëti që Komisioni Evropian e ka për Kosovën…Në raportin e këtij viti fjala korrupsion është përmendur gjithsej 99 herë, më keq se kaq nuk ka qenë as në raportin e vitit 2020, ku është përmendur 88 herë…Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Kurti siç e thoshin e kanë prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar po del që pikërisht në këtë fushë tash e tri vjet nuk është bërë po thuajse fare progres”, tha Kodra.

    Përveç Raportit të Progresit, deputetja Deliu Kodra foli edhe për gjenden e varfërisë në Kosovë, për çka tha se një qytetar në Kosovë jeton mesatarisht me 1.5 euro në ditë, për çka potencon se këshilltari i një ministre merr pagë afro 8 mijë euro.

    Ajo theksi faktin se sipas të dhënave të BQK-së, afro 700 mijë qytetarë kanë kredi nëpër banka.

    “Rreth 28 për qind e popullsisë sot jetojnë në pragun e varfërisë me 45 euro në muaj, ose me 1.5 euro në ditë. Paramendoni ky realitet i qytetarëve të Kosovës sot po ndodh në një moment kur një këshilltar i një ministre të kësaj qeverie paguhet me 7500 euro në muaj…Normat e interesit të kredive janë rritur në 6.3 për qind në vitin 2022 nga 5.8 sa ishin në vitin 2021. Nga të dhënat e fundit që janë publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës, tregojnë se 653 mijë qytetarë kanë kredi nëpër banka”, tha Deliu- Kodra.

  • Krasniqi: Qytetarët e Kosovës kurrë më shtrejtë nuk kanë paguar rrymë

    Krasniqi: Qytetarët e Kosovës kurrë më shtrejtë nuk kanë paguar rrymë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kurrë më shtrejtë nuk kanë paguar taksa e tatime dhe kurrë më pak mirëqenië nuk kanë pasur qytetarët.

    Sipas Krasniqit rritja e parë e çmimit të energjisë prej 100% nuk i mjaftoi Qeverisë dhe sipas tij me 30 mars të këtij viti prapë e kanë shtrejtuar atë për 15.4% .

    “Rritja e parë e çmimit të energjisë prej 100% nuk i mjaftoi Qeverisë, prandaj, me 30 mars të këtij viti e shtrenjtoi prapë atë për 15.4 %. Qytetarët e Kosovës kurrë më shtrenjtë s’kanë paguar për taksa e tatime dhe kurrë më pak mirëqenie s’kanë pasur”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij në Facebook.

  • Deputetja e VV: Raporti i KE-së më pozitivi, s’e pasqyron plotësisht punën e Qeverisë

    Deputetja e VV: Raporti i KE-së më pozitivi, s’e pasqyron plotësisht punën e Qeverisë

    Deputetja Fjolla Ujkani ka folur në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për raportin e Komisionit Evropian për vendin.

    Ujkani tha në Kuvend se ky i sivjetmi ishte “raporti më pozitiv për Kosovën krahasuar me raportet e viteve paraprake”, ndonëse pati kritika se ai “nuk i pasqyron plotësisht përpjekjet dhe hapat e Qeverisë”.

    “Ky raport adreson progresin që Kosova e ka bërë në shumë fusha, sidomos në ato që kanë të bëjnë me ekonominë, tregun e lirë dhe përafrimin me standardet e BE-së. Prandaj, mund të thuhet që Kosova ka përmbushur shumicën e kritereve dhe reformave të kërkuara dhe është në rrugën e duhur të integrimit, pra në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Raporti, megjithatë, kërkon shqyrtim kritik”.

    “Raporti nuk pasqyron plotësisht përpjekjet dhe hapat e pandërprerë të Qeverisë tonë për ta drejtuar Kosovën drejt një të ardhme të ndritshme dhe më evropiane”.

  • Fillon protesta zjarrfikësve para Qeverisë

    Fillon protesta zjarrfikësve para Qeverisë

    Ka nisur protesta e organizuar nga Sindikata e Zjarrfikësve para objektit të Qeverisë së Kosovës, raporton ATV.

    Ata kanë njoftuar se protesta po zhvillohet për shkak se institucionet e shtetit nuk po i përmbushin kërkesat e tyre.

    Përmes një reagimi që i kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve të tjera relevante, Sindikata thotë se zjarrfikësit janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit.

    Siç shihet në videon që ka siguruar ATV nga vendi i ngjarjes, të gjithë zjarrfikësit që kanë dalë në protestë shihet se janë me uniformat e tyre dhe helmetën për mbrojtjen nga zjarri. /atvlive.tv

  • Samiti i OSBE-së në Shkup, Borrell: Lavrov ka nevojë ta dëgjojë nga të gjithë se përse është izoluar Rusia

    Samiti i OSBE-së në Shkup, Borrell: Lavrov ka nevojë ta dëgjojë nga të gjithë se përse është izoluar Rusia

    Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pas një takimi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, komentoi dhe pjesëmarrjen e diplomatit rus, Sergei Lavrov në samitin e OSBE në Shkup.

    Borrell u shpreh se gjatë këtij samiti Lavrov duhet ta dëgjojë edhe njëherë nga të gjithë vendet pjesëmarrëse njëzëri se përse është dënuar dhe sanksionuar Rusia nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Vendimi juaj për të lejuar pjesëmarrjen e Lavrov është në një linjë me synimin tonë të përbashkët: të mbajmë të gjallë multilateralizmin. Lavrov ka nevojë të dëgjojë sërish nga të gjithë përse Rusia po dënohet dhe izolohet”, tha Borrell.

    “Do të jetë një rast i mirë për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga pjesëmarrësit në takim, përse Rusia po dënohet dhe izolohet. Dhe më pas kur të rikthehet në Moskë do t’i raportojë mjeshtrit të Kremlimit se Bashkimi Europian dhe OSBE mbeten të bashkuara në dënimin e sjelljes agresive dhe të paligjshme të Rusisë”, shtoi ai.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në Kosovë

    Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit në Kosovë

    Gjashtë raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Kosovë brenda 24 orëve të fundit, ka raportuar Policia e Kosovës.

    Të cilësuara si “Dhunë në Familje”, nga policia dy rast kanë ndodhur në Prishtinë, dy në Gjakovë, një në Podujevë dhe një tjetër në Istog.

    Sipas Policisë rastet e ndodhura në Prishtinë, në Podujevë dhe njëri rast në Gjakovë, gratë kanë qenë cak i sulmeve fizike nga bashkëshortët e tyre.

    Rasti tjetër në Gjakovë ka qenë sulm ndaj një gruaje nga babai i saj, i cili sipas policisë ka qenë nën ndikim të alkoolit dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike, ndërsa në Istog një grua ka qenë viktimë e dhunës nga vëllau i saj, thuhet në raportin 24 orësh.

    Të gjith të dyshuarit janë intervistuar dhe për të dy rastet në Prishtinë vendim të prokurorit janë liruar ndërsa për rastet tjera janë dërguar në mbajtje, ndërsa policia nuk ka dhënë detaje të tjera për rastet.

  • Zëvendësministrja Gashi: Kosova, model për kulturën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare

    Zëvendësministrja Gashi: Kosova, model për kulturën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare ministrore për lirinë e fesë dhe të besimit që po mbahet në Pragë.

    Në fjalën e saj në këtë konferencë, ajo tha se Kosova është model për kulturën e bashkëjetesës dhe tolerancës fetare.

    “Historia jonë, e shënuar nga komunitete të ndryshme dhe një mozaik i pasur i traditave fetare, ka ngulitur te ne një vlerësim të thellë për parimet e mishëruara në të drejtën e lirisë së fesë ose besimit. Kosova, si një shoqëri e pasluftës, njeh rolin që luan ruajtja e lirisë së besimit në sigurimin e prosperitetit dhe unitetit të shoqërisë sonë. Në këtë kontekst, Kosova zotohet të ofrojë mbështetjen e saj për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së besimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, tha Gashi.

    Deklarata e plotë e zëvendësministres Gashi në këtë konferencë:

    “Jam e nderuar të qëndroj sot para jush, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, një shtet që ka një trashëgimi të tolerancës fetare, lirinë e fesë dhe të besimit. Historia jonë, e shënuar nga komunitete të ndryshme dhe një mozaik i pasur i traditave fetare, ka ngulitur te ne një vlerësim të thellë për parimet e mishëruara në të drejtën e lirisë së fesë ose besimit.

    Kosova, si një shoqëri e pasluftës, njeh rolin që luan ruajtja e lirisë së besimit në sigurimin e prosperitetit dhe unitetit të shoqërisë sonë. Në këtë kontekst, Kosova zotohet të ofrojë mbështetjen e saj për promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së besimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

    Kosova, më tej, pranon se feja mund të jete një kanal/urë për paqe, si dhe një mjet i retorikës nxitëse që ndez zjarrin e konfliktit. Prandaj, në këtë këndvështrim, Kosova zotohet ta mbështesë dialogun ndërfetar, si mjet mirëkuptimi dhe respekti reciprok.

    Për ta forcuar edhe më tej angazhimin tonë, propozojmë një forum të përshtatur dhe hapa konkretë që adresojnë nevojat specifike të rajonit tonë dhe kontribuojnë në diskursin global për lirinë fetare. Kosova inkurajon zhvillimin e një platforme për dialogun ndërfetar brenda në rajon. Duke nxitur diskutime midis udhëheqësve fetarë, studiuesve dhe praktikuesve nga komunitete të ndryshme, synojmë ta përmirësojmë bashkëpunimin reciprok, me një frymë uniteti ndërmjet diversitetit.

    Si përfundim, Kosova qëndron në ballë të përkushtimit global për lirinë e fesë apo besimit, duke u frymëzuar nga përvojat tona.

    Së bashku, le të ndërtojmë një rrugë drejt një të ardhmeje, ku festohet, mbrohet dhe çmohet diversiteti fetar i Kosovës dhe i rajonit. Nëpërmjet veprimeve bashkëpunuese, mund të ndërtojmë një botë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë”.

  • ​Lavrov ik nga pyetjet e gazetarëve në Shkup

    ​Lavrov ik nga pyetjet e gazetarëve në Shkup

    Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, nuk u ndal për deklaratë para gazetarëve gjatë hyrjes së tij në sallën “Boris Trajkovski”, ku po mbahet Këshilli i 30-të Ministror i OSBE-së.

    Lavrovit megjithëse iu bënë disa pyetje nga gazetarët, ai u largua pa u përgjigjur.

    Pjesëmarrja e Lavrovit shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

    Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

    Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.

  • ​Pamje nga pritja e pjesëmarrësve të Samitit të OSBE-së në Shkup

    ​Pamje nga pritja e pjesëmarrësve të Samitit të OSBE-së në Shkup

    Kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, është duke e bërë pritjen e ministrave të jashtëm, shefave e të delegacioneve dhe delegatët e tjerë të nivelit të lartë në hapjen zyrtare të Këshillit të 30-të të Ministrave të OSBE-së që po mbahet në sot në Shkup.

    Tashmë vetëm se kanë filluar të shkojnë të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim.

    “Presim diskutime dhe takime produktive. Së shpejti fillojmë me seancën plenare”, ka shkruar Osmani në platformën X.

    Në këtë organizim do të marrë pjesë edhe ministri rus i Jashtëm, Sergei Lavrov.

    Kjo ka shkaktuar debate e reagime të shumta, nëse Rusia me pjesëmarrjen në këtë samit, po përfiton dhe forcon pozitën e saj në skenën ndërkombëtare, përkundër pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

    Ukraina dhe shtetet baltike në shenjë pakënaqësie nuk kanë dërguar ministrat e Punëve të Jashtme në Këshillin Ministror.

    Punimet e Samitit kanë nisur jozyrtarisht të mërkurën në mbrëmje, me një darkë joformale dhe fotografi familjare, në epiqendër të së cilës ishte sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por jo edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov pasi avioni me të cilin ai fluturonte ende nuk kishte arritur në Shkup.