ATV

Category: Lajme

  • Përmbytje në Kinën jugore dhe qendrore, viktima dhe dëme të konsiderueshme

    Përmbytje në Kinën jugore dhe qendrore, viktima dhe dëme të konsiderueshme

    Autoritetet kineze thanë se shirat e rrëmbyeshëm që goditën Kinën jugore dhe qendrore shkaktuan përmbytje që vranë të paktën dhjetë persona, mbyllën shkolla dhe biznese në disa provinca dhe ndërprenë trafikun dhe furnizimin me energji elektrike.

    Të paktën gjashtë persona humbën jetën pasi një kamionetë me 15 pasagjerë u zhyt në një lumë të fryrë në rajonin Guangxi të Kinës jugperëndimore, dhe në incidente të ndara, tre persona vdiqën nga përmbytjet e menjëhershme në një fshat në Hubei, ndërsa një person vdiq në provincën jugore të Hunan , raportoi CCTV.

    Agjencia Meteorologjike e Kinës tha se zonat në Jiangxi, Anhui, Hunan, Hubei, Guizhou, Guangxi, Guangdong dhe Hainan përballen me një rrezik të lartë përmbytjesh të menjëhershme dhe rrëshqitjesh toke.

    Në disa pjesë të provincave në Kinën qendrore, Hubei dhe Hunan, evakuimi i banorëve në zonat e përmbytura është duke u zhvilluar, dhe në qytetin e Jingzhou, rekordi historik i reshjeve është thyer që nga fillimi i funksionimit të stacionit meteorologjik në vitin 1953.

    Zyrtarët vendas thanë se Zyrat e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Hubeit kanë dërguar më shumë se 1,410 zjarrfikës, më shumë se 90 automjete shpëtimi, më shumë se 1,500 pajisje dhe furnizime dhe 100 anije në Jingzhou, sipas China Daily.

    Transporti publik, duke përfshirë autobusët e qytetit, taksitë, si dhe transportin ndërqytetas, është pezulluar në zonat e prekura nga përmbytjet dhe autoritetet u kanë kërkuar banorëve të shmangin udhëtimet e panevojshme.

  • Kurti në forumin Itali–Kosovë: Kosova është e hapur për investime dhe partneritete serioze ekonomike

    Kurti në forumin Itali–Kosovë: Kosova është e hapur për investime dhe partneritete serioze ekonomike

    Është mbajtur forumi Itali–Kosovë për Agro Biznes, ngjarje e organizuar me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, me fokus të veçantë në sektorin e agrobiznesit, raporton Ekonomia Online.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Kosova ofron stabilitet makroekonomik dhe kushte të favorshme për investime, duke theksuar potencialin e forumit për krijimin e partneriteteve konkrete.

    “Kosova sot ofron stabilitet makroekonomik, sistem financiar me standarde të larta, taksa konkurruese dhe një mjedis gjithnjë e më të favorshëm për investime. Në vitet e fundit kemi rritur eksportet, kemi përmirësuar klimën për biznes, dhe kemi tërhequr investime të reja. Por, mbi të gjitha, Kosova ka energjinë e njerëzve të saj si një popullsi e re, dinamike dhe sipërmarrëse, e cila kërkon partneritete serioze dhe afatgjata. Prandaj dhe ky forum ka rëndësi të veçantë e potencial të madh për të dhënë fruta. Këtu prezantohen kompanitë e produktet, si dhe krijohen kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet të interesuarve si prodhuesit, institucionet dhe investitorët. Dhe pikërisht këto kontakte janë baza mbi të cilën ndërtohen projektet konkrete dhe bashkëpunimet afatgjata”, tha ai.

    Kurti shtoi se takimet biznes me biznes do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.

    “Unë jam i bindur se takimet B2B, biznes me biznes, diskutimet profesionale dhe aktivitetet promovuese të organizuara sot do të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë, jo vetëm në sektorin agroindustrial, por edhe më gjerë. Kosova është e hapur për investime, për ide të reja dhe për partneritete serioze ekonomike”, tha Kurti.

    Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se pjesëmarrja e sipërmarrësve italianë dhe përfaqësuesve të sektorit agro-ushqimor dëshmon interesimin për partneritete afatgjata ekonomike.

    “Prandaj sipërmarrës italianë nga rajone të ndryshme të Italisë, së bashku me përfaqësues nga institucione e përfaqësues të sektorit agro-ushqimor. Kjo pjesëmarrje e bën këtë, bën një sinjal të qartë të interesit të ndërsjellë për ndërtimin e partneriteteve afatgjate ekonomike dhe përkufizimin, krijimin e mundësive të reja për investime të këtij zhvillimi të qëndrueshëm. Ky forum është një hapësirë konkrete për dialog ekonomik për shkëmbim përvojash dhe për ndarje të praktikave më të mira në fushën e bujqësisë, agro-industrisë dhe sigurimit ushqimor. Italia mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Kosovës. Një ndër investitorët e rëndësishëm evropianë në rajon, prandaj synimi ynë është t’ju sjellim në Kosovë”, tha ajo.

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se Kosova synon të zhvillojë modele të reja të bujqësisë, me fokus në prodhimin organik.

    “Italia përfaqëson një nga superfuqitë kryesore të përpunimit të ushqimit dhe janë pikërisht këto mësime që Kosova mund t’i ketë dhe t’i përvetësojë. Në Kosovë një nga pyetjet kryesore për bizneset italiane do jetë edhe legjislacioni në fuqi. Dua t’ju informoj që politikat bujqësore të Kosovës përfshi dhe skemat në mbështetjen e bujqësisë janë të ngjashme si nga struktura ashtu dhe investimi. Gjatë këtij viti do fillojmë me një strukturë të re, një politikë të re dhe modele të bujqësisë që mbështet prodhimin dhe mbështet bujqësinë organike ku ne mendojmë që Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm. Dëshiroj t’ju potencoj po ashtu që Kosova paraqet një energji të jashtëzakonshme sipërmarrësit, për investitorët veçanërisht në sektorin e bujqësisë”, tha ai.

    Ambasadorja e Kosovës në Itali, Nita Shala, tha se Kosova ka potencial të madh në sektorin agro-ushqimor dhe synon partneritete serioze me kompani italiane.

    “Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, në këtë rast, së bashku me qeverinë e Kosovës, po kujdeset për realizimin e plotë, përmes partnerëve italianë në vendin tonë dhe nga vendi jonë. Kosova, ndonëse një vend i vogël, ka shumëçka për të ofruar. Tokë pjellore, klimë të përshtatshme, prodhues të zellshëm, një brez të ri sipërmarrësish me një dëshirë të madhe për t’u zhvilluar sipas standardeve më të mira europiane.

    Në vitet e fundit, sektori ynë bujqësor dhe agro-ushqimor ka treguar potencial të jashtëzakonshëm rritjeje, sidomos në prodhimet organike, bimët medicinale dhe aromatike, dhe tani, përpunim ushqimor dhe produkte vendore si cilësi, origjinë dhe identitet. Ajo që Kosova synon për këtë për këtë takim B2B, janë partnerë seriozë me të cilët mund të ndërtojmë vlerë të përbashkët”, tha ajo.

    Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, tha se forumi dëshmon përkushtimin e dy vendeve për forcimin e partneritetit ekonomik dhe tregtar.

    “Sot më shumë se një ngjarje e thjeshtë tregtare, kjo pasqyron vullnetin konkret të Italisë dhe Kosovës për të forcuar një partneritet strategjik të bazuar në besim, bashkëpunim dhe një vizion të përbashkët për rritje të qëndrueshme. Bujqësia përfaqëson prej kohësh një nga shtyllat e vlerave, traditave dhe identitetit ekonomik italian. Pasuria dhe larmia e trashëgimisë sonë bujqësore, të kombinuara me kapacitetin e transformimit industrial dhe me ekselencën e zinxhirëve tanë prodhues, e bëjnë sektorin agro-ushqimor italian një nga më të strukturuarit, konkurruesit dhe më të vlerësuarit në botë”, tha ai.

    Ai shtoi se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, ndërsa sektori agro-ushqimor zë vend qendror në këto marrëdhënie.

    “Edhe në marrëdhëniet ekonomike me Kosovën, sektori agro-ushqimor zë një rol qendror. Në vitin 2025, Italia u konfirmua si furnizuesi i katërt dhe një nga partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës, me një pjesë tregu mbi 5%. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar arriti në 277 milionë euro dhe, në këtë kuadër, produktet ushqimore, pijet dhe duhani përfaqësojnë kategorinë kryesore të eksportit italian drejt Kosovës, me një vlerë prej 78 milionë eurosh dhe një pjesë prej 31.5% të totalit”, tha ai.

  • Pushteti zotohet të krijojë xhandarmëri, Musliu: Kur s’ke çka t’u ofrosh qytetarëve në ekonomi e mirëqenie, prodhon propagandë

    Pushteti zotohet të krijojë xhandarmëri, Musliu: Kur s’ke çka t’u ofrosh qytetarëve në ekonomi e mirëqenie, prodhon propagandë

    Propagandë elektorale, e ka quajtur Ganimete Musliu e Partisë Demokratike të Kosovës zotimin e ri tashmë të pushtetit për krijim të xhandarmërisë për ruajte të kufirit me Serbinë.

    Musliu tha se vendi ka nevojë për zhvllim ekonomik dhe mirëqenie, ejo “struktura të reja për propagandë elektorale.”

    “Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara,” shkroi ajo.

    Postimi i plotë:

    KUR NUK KE ÇKA T’U OFROSH QYTETARËVE NË EKONOMI, MIRËQENIE DHE ZHVILLIM, ATËHERË NIS PRODHIMIN E “STRUKTURAVE TË REJA” PËR PROPAGANDË ELEKTORALE.

    Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh.

    Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve.

    Siguria nuk ndërtohet me konferenca e postime në Facebook, por me strategji serioze, koordinim institucional dhe mbështetje për Policinë e Kosovës, e jo me krijim strukturash paralele për konsum ditor politik.

    Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara.

    Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe jetësore për policë e ushtarë, si dhe paga të dinjitetshme, që policët e ushtarët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë.

  • Situatë e rëndë në rrugët e Kosovës, mbi 20 jetë të humbura brenda katër muajsh

    Situatë e rëndë në rrugët e Kosovës, mbi 20 jetë të humbura brenda katër muajsh

    Katërmujori i parë i vitit 2026 ka sjell një numër të madh të aksidenteve e humbjeve fatale.

    Sipas statistikave të Policisë së Kosovës vetëm në periudhën janar-prill në vendin tonë janë shkaktuar 6688 aksidente.

    Nga 6688 aksidente, 4028 janë aksidente me dëme materiale, 2638 aksidente me lëndime.

    Po ashtu në një përgjigje për Indeksonlinen, thuhet se në këtë periudhë kanë humbur jetën 23 persona.

    Mirëpo krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi 271 aksidente trafiku më pak që paraqet rënie prej 3.89 për qind.

    Numri i aksidenteve fatale ka mbetur i njëjtë, me nga 22 raste në të dy vjetët. Megjithatë, numri i personave që kanë humbur jetën ka shënuar rënie.

    Derisa sa në katër muaj e parë të vitit 2026 kanë vdekur 23 persona në 2025 kemi 25 persona që kanë humbur jetën.

    Statistikat tregojnë edhe ulje të aksidenteve që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale. Në katër muajt e parë të vitit 2026 janë evidentuar 4 mijë e 28 raste të tilla, ose 438 më pak krahasuar me vitin paraprak.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shtuar aktivitetin në trafik.

    Gjatë periudhës janar-prill 2026 janë shqiptuar 268 mijë e 888 tiketa trafiku, që është për 20 mijë e 327 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. /Indeksonline

  • Bunjaku-Rexhepi: Rugovistë reagoni për të ndalur të keqen në Kosovë

    Bunjaku-Rexhepi: Rugovistë reagoni për të ndalur të keqen në Kosovë

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka publikuar një video gjatë një takimi të Vjosa Osmanit, Lumir Abdixhikut e kandidatëve për deputetë, me qytetarët.

    Bunjaku-Rexhepi ka thënë se LDK-ja është bashkuar përgjithmonë me synim që të ndalë të keqen në Kosovë.

    “Jemi bashkuar përgjithmonë, për ta ndalur të keqen në Kosovë”, ka thënë ajo.

    “Rugovistë, reagoni edhe një herë, ashtu siç keni ditur gjithmonë të reagoni kur Kosova ka pasur nevojë për ju. Të bëhemi bashkë për Kosovën tonë”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

  • Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK-ja

    Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK-ja

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka takuar zëvendës-shefin e J5/8 të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM J5/8), Gjeneral Brigade Chris A. McKinney.

    Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara si dhe nevojën për rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

    Gjeneral Jashari e njoftoi Gjeneralin McKinney për zhvillimet dhe të arriturat e FSK-së duke u fokusuar edhe në planet për të ardhmen që synojnë realizimin e aspiratave për anëtarësim në NATO.

    Gjithashtu, të dy gjeneralët vlerësuan kontributin e FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën (ISF), ku së shpejti pritet të dislokohet kontingjenti i parë nga FSK.

    “Në fund të takimit, Gjeneral McKinney falënderoi Gjeneral Jasharin për bashkëpunimin dhe lidershipin e tij gjatë kësaj kohe ku FSK është në fazën finale të PGJT-së, si dhe ritheksoi përkushtimin e USEUCOM-it për ta mbështetur FSK-në në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

  • Gega: Leni filmat me Xhandarmëri, plotësoni kushtet bazike për policët e Kosovës

    Gega: Leni filmat me Xhandarmëri, plotësoni kushtet bazike për policët e Kosovës

    Kandidati për deputet nga PDK-ja, Arben Gega, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla lidhur me idenë për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, duke thënë se prioritet duhet të jenë kushtet bazike për Policinë e Kosovës.

    Sipas Gegës, para se të flitet për struktura të reja të sigurisë, institucionet duhet të sigurojnë mbrojtje shëndetësore dhe jetësore për policët ekzistues.

    “Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla përpara se të bëjnë fushatë me themelim të Xhandarmërisë së Kosovës, do të ishte mirë që të plotësonin kushtet e policëve të Kosovës, të cilët nuk kanë sigurim shëndetësor e as jetësor”, deklaroi ai.

    Gega tha se pjesëtarët e Policisë së Kosovës çdo ditë përballen me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndërsa shpesh detyrohen që shpenzimet t’i mbulojnë vetë ose të varen nga ndihmat e qytetarëve.

    “Motrat dhe vëllezërit tanë që janë në radhët e Policisë së Kosovës, çdo ditë janë përball me rrezikun që i kanos jetën dhe shëndetin e tyre, por për këtë duhet të ballafaqohen më pas me të hyrat e veta personale”, tha ai.

    Ai përmendi edhe rastet kur për policë të lënduar apo me probleme shëndetësore organizohen iniciativa humanitare për mbledhje fondesh.

    “Në rastin më të keq të na dalin në postime për t’i përkrahur qytetarët me të holla si ndihmë humanitare. Jo kështu nuk shkon”, u shpreh Gega.

    Sipas tij, qytetarët paguajnë taksa që institucionet t’u garantojnë policëve mbrojtje bazike dhe dinjitet në punë.

    “Ne paguajmë taksa, e duam që nga taksat tona ata të sigurohen me sigurim shëndetësor dhe jetësor. Leni filmat me Xhandarmëri, kap plotësoni kushtet bazike për policë”, deklaroi ai.

  • Rama ndan mirënjohje për mjekët dhe profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor

    Rama ndan mirënjohje për mjekët dhe profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se në Ditën Botërore të Mjekut Familjar kanë ndarë mirënjohje për mjekët dhe profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Rama ka shkruar se kryeqyteti mbetet i përkushtuar në forcimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbështetjen e vazhdueshme për ata që kujdesen për shëndetin publik.

    Postimi i tij i plotë:

    Mjeku familjar është shtylla e parë e kujdesit për qytetarët, aty ku nis besimi, përkushtimi dhe mbështetja për shëndetin e secilit.

    Sot, në Ditën Botërore të Mjekut Familjar, bashkë me Drejtorin e Shëndetësisë, z. Bujar Gashi, ndamë mirënjohje për mjekët dhe profesionistët e kujdesit parësor shëndetësor, si shenjë falënderimi për punën, përkushtimin dhe kujdesin që ofrojnë çdo ditë për qytetarët e Kryeqytetit.

    Kryeqyteti mbetet i përkushtuar në forcimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e kushteve të punës dhe mbështetjen e vazhdueshme për ata që kujdesen për shëndetin publik.

  • Rikthehet murtaja e bagëtive në Shkodër, groposen rreth 20 krerë dele

    Rikthehet murtaja e bagëtive në Shkodër, groposen rreth 20 krerë dele

    Murtaja e rumitantëve është rikthyer në qarkun Shkodër pas afro një viti duke prekur njësinë Dajç. Në këtë mënyrë Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për vendosjen në karantinë të kësaj zone në një rreze prej 3-10 kilometër.

    Rasti i parë i muartajës për këtë vit është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit të Dajçit. Rreth 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë groposur ndërsa tashmë pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera dele që ka ky fermer. Rasti ka 3 ditë që është konfirmuar zyrtarisht.

    Dëmi që i shkaktohet fermerit Volaj është i konsiderueshëm sepse shkon rreth 10-15 milionë lekë të vjetër ndërsa shpreson të dëmshpërblehet.

    Ndërkohë administratori i Dajçit Broz Pjetrani thotë se ka dyshime që në atë njësi mund të ketë edhe raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta dhe do kryhen inspektimet dhe analizat përkatëse.

    Përveç Dajçit drejtoria rajonale e ekstensionit bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera si shkak i rrezikut të përhapjes së murtajës. Kjo është një sëmundje që prek kafshët por që nuk transmetohet tek njeriu.

    Vitin e kaluar në Shkodër u konstatuan 3 raste të tilla duke bërë asgjësimin e të imtave ndërsa zonat e prekura u vendosën në karantinë brenda afateve ligjore të përcaktuara.

  • “Qeveria s’po i përgjigjet ofertës amerikane për gazin”, Bajrami: A po ju leverdis importi?

    “Qeveria s’po i përgjigjet ofertës amerikane për gazin”, Bajrami: A po ju leverdis importi?

    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ende nuk i është përgjigjur ofertës amerikane për gazin e lëngshëm.

    Në një shkrim në facebook, ajo ka shtruar pyetjen për qeveritarët nëse po i lëvërdis imoprti i energjisë elektrike në Kosovë.

    “Derisa Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje 20-vjeçare për 6 miliardë dollarë për gazin e lëngshëm amerikan (LNG) e Bosnja dhe Hercegovina po mbështeten nga SHBA për ndërtimin e një gazsjellësi të ri që lidhet me terminalin LNG në Kroaci, Qeveria e Kosovës as në mandat të plotë e as tash në detyrë nuk i është përgjigjur ofertës amerikane për gaz të lëngshëm. Pyetja është pse? A po ju lëverdis importi??”, ka shkruar Bajrami.